Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Këze (Kozeta) Zylo: Festa e bukur e abetares

Shko poshtë

Këze (Kozeta) Zylo: Festa e bukur e abetares Empty Këze (Kozeta) Zylo: Festa e bukur e abetares

Mesazh nga Agim Gashi Sun Mar 22, 2009 11:37 am


Festa e bukur e abetares
Nga Këze (Kozeta) Zylo
Dita e Mësuesit, më 7 Mars, në qytetin ishull në Staten Island, ishte një ditë shumë e veçantë, dite qe mori dhe më shumë kuptim, pasi kjo festë tradicionale u kurorëzua me mbarimin e abetares, nga shkolla shqipe e Institutit
“Gjergj Kastriot Skanderbeg”.
Mësues, prindër, nxënës, bashkatdhetarë dhe amerikanë, kishin ardhur për të gëzuar së bashku, festën e abetares në Ditën e Mësuesit.
Edhe natyra dukej sikur mori pjesë në këtë gëzim të madh të nxënësve, dielli edhe pse i përhimtë, çuditëisht ngrohte sikur të ishte në një ditë të bukur vere.
Zogjtë me pendët e mëndafshta, ngjyra, ngjyra dhe me çuçurimat e tyre të shoqëruara me fëshfërimën e gjetheve në pemët e larta, që e rrethojnë aq madhërishëm godinën kështjellë të Skënderbeut, na përshëndesnin.
Mua nuk e di, nuk e di, por harmonia e këngës së zogjve, zërat melodiozë të fëmijëve, dhe fëshfërima e gjetheve, se c’më jepnin një harmoni të përkryer melodie, dhe më çonin kujtesën në shkollën e Mezhgoranit tim, një vend tepër arsimdashës, dhe që ka hapur ndër të parët në fillimin e shekullit të kaluar, shkollën shqipe në Tepelenë, me profesorë mbaruar në Perëndim.
Eshtë bukur dhe emocionante kur këto shkolla bashkohen si me fijëza dielli, fijëza që ngrohin shpirtrat tanë, paksa të mardhur nga shkollat që lamë në Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur…!
Kishim kohë që kishim menduar ta festonim këtë ditë të shenjtë larg ahengjeve, fjalimeve pompoze, shpenzimeve të mëdha, por ta konkretizonim atë me punë, punë nga më fisniket, mësim të kualifikuar shqip, dhënë vullnetarisht!
Në këtë Kështjellë, nuk kishte nevojë askush të paraqiste biletën e kushtueshme disa dhjetëra dollarëshe, por e rëndësishme ishte dashuria dhe dëshira e zjarrtë e cdo shqiptari, për të ardhur dhe festuar së bashku festën e abetares, edhe pse çuditerisht ndodh, që më shumë shkojnë atje ku bileta është më e shtrenjtë, se sa atje ku kësaj dite i ishte dhënë misioni fisnik që ka: mësimin shqip dhe vetëm shqip
Nxënësit grupe-grupe nga Brooklyni, New Xhersi dhe qyteti mikpritës Staten Island, takoheshin dhe përqafoheshin duke uruar njeri-tjetrin: “Gëzuar festën e abetares”!
Eshtë e magjishme kur dëgjon se shumë prej tyre, nuk dinin të komunikonin dhe të shkruanin shqip, ndërsa sot ata kishin ardhur për të festuar mbarimin e abetares, libër që të jep celësin magjik për t’u futur në botën e mrekullueshme të shqipes.
Ora e hapur e mësimit shqip dhe dhënia e çertifikatave
Ka pothuajse dy vjet që ora e mësimit fillon gjithmonë me hymnin shqiptar.
Nxënësit dhe mësuesit çohen në këmbë dhe së bashku këndojnë: “Rreth Flamurit të përbashkuar, për një dëshirë e qëllim”…
Ashtu u bë dhe në këtë dite, të gjithë pjesëmarrësit dhe nxënësit u çuan në këmbë dhe kënduan hymnin e Flamurit, Flamur që bashkon rreth tij, të gjithë shqiptarët.
Pasi znj.Valbona Zylo Watkins, i ka uruar të gjithë pjesëmarrësit në këtë ditë, ajo ka ftuar mësuese Adelina Laçaj për te zhvilluar mësimin e gjuhës shqipe.
Znj.Laçaj nëpërmjet projektorit ka ekspozuar pjesë të ndryshme leximi në dërrasë, ku të gjithë nxënësit do t’i lexonin, me një fjalë, do të bëhej si një farë “testi” para pjesëmarrësve se kush do ta merrte çertifikatën e përfundimit të abetares.
Nxënësit, lexonin herë pas here pjesët e bukura në shqip, që shfaqeshin në dërrasë pa jua bërë syri terr. Ata shoqëroheshin me duartrokitje, pavarësisht se ndonjeri mund të lexonte dhe me aksent, pasi pothuajse të gjithë nxënësit janë lindur dhe rritur në Amerikë.
Nxënësit që do të mbaronin festën e abetares, dalloheshin nga klasa tjetër, pasi ata kishin vendosur kapelet me gërmat ABC.
Ndërsa bukuroshja e ardhshme, Eljesa Gashi, ishe veshur me kostumin popullor së bashku me Darian Aliaj, të cilët i jepnin hijeshi dhe nur shkollës.
Më vonë fëmijët e grup-moshes 4 deri në 7 vjeç, përshëndetën me dy këngë për ditën e mësuesit.
Z.Q.Zylo drejtor ekzekutiv i Institutit “Gjergj Kastrioti Skanderbeg” në emër të këtij Instituti ju uroi nxënësve: “Gëzuar festën e abetares”!
Ai falënderoi të gjithë të pranishmit dhe mjaft prej prindërve që kanë dhënë një ndihmesë të madhe, si D.Gashi, R.Uruci, E.Jenisheri, O.Greva, F.Daci, Zh.Hoxha, F.Daci, S.Aliaj, I.Cadri etj…
Njëkohësisht ai shprehu mirënjohje të thellë për punën e mësueseve dhe të stafit, si: A.Laçaj, B.Bejleri dhe Valbona Z.Watkin, kandidate Ph.D, të cilat kanë punuar me përkushtim për mbarëvajtjen e shkollës.
Më vonë ai prezantoi Konsullin e Përgjithshem shqiptar në New York , dr.Albert Jerasin.
Ai e falënderoi për vizitën që i bënte Institutit në këtë ditë të shenjtë të Mësuesisë, një ditë që po festohet dhe këtu në Diasporë.
Z.Jerasi përshëndeti të pranishmit dhe ju uroi të gjithë mësueseve dhe stafit: “Punë të mbarë”!
Unë ndonëse vi këtu për herë të parë të shikoj një orë mësimi tek ju, tha konsulli, por për nga profesioni nuk e kam për herë të parë, pasi një jetë të tërë kam dhënë mësim në Universitet dhe kam qenë pranë studentëve.
Eshtë kënaqësi e vecantë të shikosh orë mësimi të hapur në shqip, sidomos në Diasporë, pasi dhënia e mësimit shqip fëmijëve të emigrantëve merr kuptim të dyfishtë.
Ju këtu po punoni me profesionalizëm dhe përkushtim, që fëmijët dhe prindërit e tyre nuk do t’i harrojnë mësueset e tyre të dashura.
Z.Jerasi ju uroj stafit të shkollës shqipe, punë të mbarë dhe paçi përherë suksese të mëtejshme!
Fjala e tij e hapur dhe e sinqertë, çka rrezatonte kulturë, u ndërpre nga duartrokitjet e të pranishmëve.
Konsulli i përgjithshëm së bashku me zonjën e tij fisnike, ish mësuese në Shqipëri, u interesuan për programet, librat që përdorin nxënësit dhe njëkohësisht ata vizituan mjediset tepër komode të këtij Instituti.
Edhe pse ne kemi shumë vështirësi për programe të njësuara të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve në Diasporë, ju përgjigjëm që kemi vënë në shfrytëzim aftesitë tona dhe përvojën si profesionistë, në bashkëpunim dhe me mësueset që janë liçensuar në Amerikë. Po kështu dhe për librat nuk ka qenë i lehtë sigurimi i tyre, drejtori i shkollës i ka siguruar vetë, në vend të ngarkesave personale, ai ka sjellë nga larg, librat e gjuhës shqipe dhe abetaren, informuam z.Jerasi.
Sigurisht këto vështirësi kanë pasur dhe kanë shqetësimet e veta, por megjithatë pasioni dhe dashuria për gjuhën shqipe, kanë bërë që mësimi të mos ndërpritet, por të vazhdojë shumë rregullisht dhe normal.
Z.Zylo falënderoi gjithashtu dhe z.Ilir Hysa, pedagog në universitet në NY, i cili kishte ardhur enkas nga Bronxi për të përshëndetur nxënësit dhe stafin e shkollës. Ai e vlerësoi jashtëzakonisht punën që është bërë për shkollën shqipe, duke i përgëzuar dhe për kushtet moderne që kishin krijuar.
Ndërkohë z.Hysa ju dha mundësia për të dhënë disa udhëzime për regjistrimin e popullsisë shqiptare në Amerikë, detyrë që ai po lufton për ta realizuar me sukses, në ashkëpunim me organizatat shqiptare dhe qeverinë amerikane.
Biznesmeni i mirënjohur z.Dhimo Guma, i cili vazhdimisht ndjek aktivitete të ndryshme të shqiptarëve, i shprehu mirënjohjen e pakufishme stafit, dhe i vinte keq që shkolla ishte larg nga Queensi ku ai jeton, për të sjellë dhe më shumë fëmijë prej andej.
Edhe Xhymerti së bashku me vajzën e vogël Deborah, dhe Novruzin kishin ardhur me kënaqësi të veçantë për ta festuar së bashku ditën e Mësuesit.
Sibora Boba, një vogëlushe e bukur, që e flet aq lirshem shqipen, kishte ardhur me babain e saj patriot, Agimin, që nga Brooklyni, pasi ajo ka dëshirë të regjistrohet në muajin shtator.
Këtë festë shqiptare e ka përshëndetur dhe avokati amerikan John Luis.
Ai tha se, kur z.Rrape Ruci me ftoi që të merrja pjesë në këtë festë, nuk e mendova kurrë se do të gjeja kaq shumë njerëz dhe një mësim kaq të bukur në shqip.
Unë u mahnita kur ai më foli për heroin tuaj kombëtar Skanderbeg.
Jam i shokuar me çfarë pashë këtu, komuniteti shqiptar po bën një punë të jashtëzakonshme për të ruajtur vlerat dhe kulturën shqiptare, ju këtë po e bëni me dinjitet.
Eshtë shteti Amerikan që ju krijon këto mundësi të mëdha, prandaj këto duhen shfrytëzuar gjithmonë në të mirë të njerëzimit.
Z.Zylo së bashku me z.Jerasi ju kanë dhëne certifikatat e përfundimit të abetares nxënësve: Armand Daci, Eljesa Gashi, Kevin Lacaj, Kastriot Uruci, Olsi Cadri, Orion Cadri, Ron Sezairi, Steven Lacaj, Xhon Hoxha, Vincent Ndokaj, Rrok Ndokaj.
Regjisori dhe dramaturgu i mirënjohur i të gjitha trevave shqiptare, z.Xhevat Limani ka elektrizuar sallën, me interpretimin e poemës “Bagëti e Bujqësi” të Naim Frashërit.
Z.Limani nuk e ka për herë të parë që merr pjesë në këto festa që organizon Instituti , ai vazhdimisht ka dhënë një ndihmesë të çmuar për shkollën shqipe.
Po kështu dhe aktori i mirënjohur shqiptar, z.Astrit Sula i cili dallohet për humorin e tij të hollë, kishte sjellë pjesë të ndryshme të krijuara nga vetë ai për Heroin Kombëtar, Gjergj Kastriot Skanderbeg. Salla vazhdimisht e shoqëronte me duartrokitje dhe me të qeshura të këndshme. Ai kishte ardhur së bashku me z.Lamaj dhe me nipin e tij simpatik, që interpretoi një poezi përpara pjesëmarrësve.
Më vonë u shpërndanë dhe çertifikata mirënjohjeje për ish mësuesit dhe mësueset që po shërbejnë në Komunitet. Në këtë kohë një telefonatë e papritur përshëndetjeje na erdhi nga Zonja Lume Juka, lidhje që na e dhuroi z.Eduard Dilo, pinjoll i familjes arsimdashëse dhe të persekutuar Dilo. Znj. Juka ka qenë profesore në Staten Island, ajo me zërin e saj delikat na uroi festën e mësuesit dhe përfundimin me sukses të mësimit të abetares. Mësuesit që morën çertifikata mirënjohjeje për një punë të palodhur në Atdhe dhe në Diasporë ishin: prof. I.Egriu me rastin e 70 vjetorit të lindjes së tij, Z.Daci, GJ.Pjecaj, A.Jani, P.Kurcani, A.Gashi, I.Jenisheri, L.Juka, L.Ame, I.Hysa dhe M.Belliu, Kandidate Ph.D, si dhe mësueset e shkollës A.Lacaj dhe B.Bejleri.
Më vonë për pjesëmarrësit ishte shtruar një kokteil, të cilët kërcyen dhe hodhën valle dorë për dore së bashku, nën orkestrimin e muzikantëve të palodhur, Odise Salillari dhe Dashnor Cene.
Pas kësaj dite plot me mbresa, në darkë stafi i Institutit ishte i ftuar nga shoqata atdhetare dibrane, ku dhe u vlerësuan me mirënjohje për punën e palodhur.
Ata patën rastin të takoheshim dhe me zonjen Liri Berisha e cila ishte e ftuar e nderit në këtë mbrëmje festive të dibranëve.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi