Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Pëllumb Gorica: Festa që i uron mirëseardhjen verës

Shko poshtë

Pëllumb Gorica: Festa që i uron mirëseardhjen verës Empty Pëllumb Gorica: Festa që i uron mirëseardhjen verës

Mesazh nga Agim Gashi Sat Mar 19, 2011 1:00 am



Pëllumb Gorica: Festa që i uron mirëseardhjen verës U1_1




Pëllumb Gorica: Festa që i uron mirëseardhjen verës U1_PellumbGorica
Festa që i uron mirëseardhjen verës

Nga Pëllumb Gorica

Dita e Verës është një festë pagane, një festë e veçantë dhe me karakter të mirëfilltë popullor. Simbolikja e kësaj feste qëndron në rilindjen e jetës pas dimrit të gjatë, rizgjim i stinës së pranverës, drithëruese prej ditëve të ftohta e shirave. Në karakterin dhe përmbajtjen e saj përshkohet nga një tipar i përbashkët i gëzimit për përtëritjen e natyrës, por nga dëshira për prodhimtari të mbarë, për shëndet e mirësi në familje.

Ajo vazhdon si një traditë e mirë e përmendur e trevës së Elbasanit dhe që festohet me aq gëzim. Është një ditë e caktuar 14 mars dhe sipas kalendarit turk 1 mars. Elbasani është kryeqendra e saj.

Është festa më e lashtë e motmotit. Edhe pse shekujt kanë kaluar janë ruajtur në traditën e popullore rite të veçanta. Të gjithë e presin me padurim festën e Ditës së Verës. I gëzohen më shumë ardhjes së stinës së re fëmijët, të rinjtë, djem e vajza. Përgatitjet për këtë ditë të shënuar fillonin një ditë më parë. Në mbrëmjen e asaj dite në kodra ndizeshin zjarre rituale për të dëbuar errësirën e dimrit. Të rinjtë, grupe-grupe, mblidhnin shkarpa dhe në ndiznin zjarre, i kapërcejnë flakët e tyre, duke besuar se kështu do të marrin shëndet e fuqi. Djemtë provojnë forcat, këndojnë e flasin për ardhjen e stinës së re. Vajzat këndojnë e stolisin njëra-tjetrën me kurora lulesh. Luajnë lojëra popullore e këndojnë, për të pasur shëndet e lumturi. Gratë e shtëpisë nxirrnin nga arkëzat, arrat, palat e fikut, karamelet e ruajtura pikërisht për këtë ditë. Ato ngriheshin herët në mëngjes e zienin vezët, zgjidhnin barishtet për t’u dhënë më shumë ngjyrën e kuqe. Përgatisnin ballokumen, që është gjëja më e veçantë e kësaj feste. Bëhej stolisja e pragut të portës me degë bimësh e drurësh, me sytha e lule të çelura. Në këtë ditë fëmijët visheshin me rroba të reja, enkas për festë. Vendosnin verore në qafat e duarve për disa ditë, të cilat janë një kompleks penjsh të bardhë dhe të kuq. Ato hiqen nga dora vetëm kur fillojnë e vijnë dallëndyshet pas shtegtimit. Por më shumë se ditët e tjera, këtë ditë feste ua ka ënda të shkojnë ta festojnë nga kodrat, për ta shijuar në mes të natyrës, nëpër sheshe me bar e lule. U binin zileve e këmborëve, trembnin zhapikët, gjarpërinjtë e tërë të këqijat.

Kjo festë nuk mund të kuptohet pa këto rite. Atë e përshëndesin si një ditë të shumëpritur. Këto ditë, dielli ëmbëlson tokën pas shirave e ngricave dhe njerëzit gëzohen e gjallërohen bashkë me natyrën, që fillon e vishet me lule e gjelbërim.

Edhe pse kaluan sisteme shoqërore, rrethana, kohë, luftëra, pushtime nga të huaj, kjo festë me karakter popullor nuk u harrua; nuk u harruan ritet që zhvilloheshin, lojërat popullore, ushqimet, festa me miqtë, të njohurit. Ajo iu përshtat kohës dhe vazhdoi të festohet si një ditë gëzimi e hareje, me manifestime të tjera me shëtitje në natyrë, në pyje, lëndina e lumenj nga rinia shkollore e punëtore. Ritet e bukura, prodhimet, festimet të rrënjosura në vetëdijen e popullit vazhdojnë të përcillen po aq këndshëm në mënyrë masive me muzikë, veprimtari, aktivitete të spektrit të gjerë edhe sot.
***
Edhe në krahinën e Sulovës festa e “Dita së Verës” festohet shumë. Sulovarët këto vitet e fundit kanë krijuar një traditë, duke e festuar atë në një nga lartësitë shkëmbore, në Goricë të Çalës. Aty është një vend piktoresk i Sulovës. Gorica e Çalës është çatia e Sulovës së Poshtme, ose siç e quajnë ndryshe banorët, syri gjeografik i saj. Nga maja e saj vështron përmes mijëra syve male, lugina, qytete, krahina, fshatra. Ajo dikur ishte tepër e banuar, por sot pothuajse është braktisur. Banorët e saj janë larguar me ngut në fushë, në fshatra e qytete të tjera. Interesante janë toponimet e saj.

Festa e Ditës së Verës ka marrë përmasa masive nga qindra sulovarë, por edhe të ardhur nga krahina të tjera rrotull Sulovës, nga Shpati, Vërça, Dumreja dhe Nahija e Beratit.

Le të përpiqemi të përshkruajmë të veçantat e kësaj feste dhe atmosferën e mbresa e festimit të Ditës së Verës në Goricë të Çalës,.

Që në orët e para të mëngjesit, të datës 14 mars, grupe – grupe, në këmbë, por edhe dhjetëra makina të tipave, tonazheve e ngjyrave të ndryshme, ecin në një rrugë që gjarpëron drejt kodrave. Vendi i përzgjedhur për festën është një lëndinë në Goricën e Çalës, që nxë popullin e një qyteti të tërë. Patjetër që ajo është një rrugë e largët dhe e lodhshme, por në fund të fundit edhe e bukur, me peizazhe mbresëlënëse në të dyja anët saj dhe me ajër të pastër. Njerëzit vijnë ta festojnë së bashku. Vorbullat kaotike e rrjedhave të zhvillimit global i kanë përfshirë edhe ata në problemet e jetesës, por gjithsesi këtë ditë të shënuar e festojnë me gëzim mes miqve, shokëve e të afërmve. Ajo përbën festën e përbashkët, për të gjithë dhe ata, siç shprehen, shkojnë me këtë gëzim, ku, atje ku është “shkulur” e gjithë Sulova.

Rruga e keqe me kthesa të shumta e të forta, por edhe e pashtruar sigurisht të le një shije të hidhur. Ndaj dhe kalimi bëhet me ngadalë e me kujdes. Foristradat mund të ngjiten normalisht, ndërsa për makinat e tjera shoferët duhet të mendohen para se të marrin atë rrugë.

(Nuk është rasti të tregojmë pse rruga është e keqe, apo e mirë deri atje, sepse nuk duam t’i largohemi temës së këtij shkrimi.)

Kjo rrugë ngjitet përpjetë e ngushtë dhe me plot kthesa dhe të çon në fshatin Dragot. Dita është e ngrohtë, por edhe më të bukur e bën peizazhi mjaft tërheqës i luleve të pemëve që sapo kanë çelur. Sa kënaqësi ndjen kur shikon lulet e kumbullave, lajthatave, murrizave që kanë çelur, edhe pse diku të shfaqen para syve peizazhe pylli të djegura nga zjarri. Kur kalon shpatin shkëmbor të Goricës së Çalës, mahnitesh me format e shkëmbinjve. Këtu kalimi të krijon ndjesinë e një frike të lehtë. Më tutje shfaqet një grykë shkëmbore me kthesa përsëri të shumta. Kalon nëpër peizazhe të tjera dhe tej në horizont shfaqet silueta madhështore e malit Tomorr e që ngrihet më i lartë se të tjerët rrotull tij. Ai ka veshurgunën e bardhë mbi supe dhe rri në heshtjen e tij qiellore. Nuk mund të mos mbetesh i mahnitur nga një panoramë e tillë. Ndonëse për të tjerët kjo është thjesht një panoramë, për mua ka qenë muza e frymëzimit që në fëmijëri, sepse çdo mëngjes përballë meje shfaqej shtatorja madhështore e malit të shenjtë, Tomorrit , shpatet e tij me mozaik dëbore si miell i situr mbi supe dhe mbushur lule të bardha e të verdha. Përzihen kështu stinët: dimri dhe pranvera. Sytë shëtisin lirisht tej në horizontin e pafund. Fshatra e qytete, krahina, male, pyje, lugina, lumenj, liqene, si një mrekulli natyrore. Në sfondin e afërt shfaqet aq qartë Topojani, një fshat i njohur i Sulovës me histori, por edhe interesant për nga pozicioni i vendosjes gjeografike. Diku më poshtë, në një lëndinë, tufa me dele kullosin në barin e sapo mbirë dhe tremben pak nga kjo gjallëri.

Pas pothuajse një orë udhëtim mbërrin në Goricë të Çalës. Kjo lëndinë, ky kënd i qetë në këtë ditë mbushet me zëra njerëzorë. Kanë ardhur edhe të ikurit në vite në qytete të tjera apo në emigracion. Interesi për këtë vend, tashmë i kthyer pelegrinazh për sulovarët, ka bërë që të ardhurit nga viti në vit të shtohen. Ndryshe nga vitet e tjera sivjet kanë marrë pjesë më shumë se 2000 vetë. Një pjesë të tyre e tërheq dheu i tokës që i lindi nga larg, për t’u çmallur e gëzuar me njerëzit e tyre të dashur, me natyrën e virgjër të vendlindjes.

Iliri djalë i këtyre anëve, i mençur dhe fisnik, por me punë e banim në Tiranë, ka ardhur me të afërmit dhe miqtë e tij për ta festuar këtu. Ndjehet tepër i përmallur. Ai çdo vit nuk harron të vijë në vendlindjen e tij. Pas përshëndetjeve të rastit, nga zemra i del urimi: “Të na gjej mirë behari”. E falënderojmë atë dhe nisim bisedën tonë me pyetje e përgjigje për punën, hallet, pasionet, me shqetësimin e përhershëm për Sulovën dhe për vlerat e saj.

Në lëndinën e Goricës së Çalës janë mbledhur në grupe-grupe sipas shoqërisë, familjes, miqësisë dhe festojnë me shaka, këngë, madje, dhe valle e shëtitje. Sigurisht festës i gëzohen më shumë të rinjtë. Ajo është edhe si një mundësi njohje e zbavitjesh për ta. Kënga e vallja gjëmon si në dasmë. Vezët, ballokumet, mishin, bulmetrat, pijet i kanë shtruar nëpër mbulesa të pastra në tokë.

Në festë kanë ardhur edhe të moshuar për të gëzuar e festuar së bashku. Shëtisim e takohemi me shumë prej tyre. U urojmë gëzuar festën grumbujve të njerëzve sipas shoqërisë, vëllazërisë e miqësisë “Gëzuar Ditën e Verës!”, “Me shëndet behari!”, “Gëzofshi të ritë!”.

Të gjithë ndjejnë kënaqësinë që u fali kjo ditë feste.

Sërish në kthim një varg i gjatë njerëzish, makinash nëpër luginën, aty, ku fshatrat janë shtrirë si rrethi i valles popullore.



Pëllumb Gorica: Festa që i uron mirëseardhjen verës U1_2

Pëllumb Gorica: Festa që i uron mirëseardhjen verës U1_3

Pëllumb Gorica: Festa që i uron mirëseardhjen verës U1_4

Pëllumb Gorica: Festa që i uron mirëseardhjen verës U1_5

Pëllumb Gorica: Festa që i uron mirëseardhjen verës U1_6

Pëllumb Gorica: Festa që i uron mirëseardhjen verës U1_7

Pëllumb Gorica: Festa që i uron mirëseardhjen verës U1_8
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi