Vullnet Mato:KOPSA E VARUR(Tregim)
Faqja 1 e 1
Vullnet Mato:KOPSA E VARUR(Tregim)
Me piktorin Guri Madhi 1977
Vullnet Mato
KOPSA E VARUR
Rrëfim i jetuar
Fundi i atij marsi ishte i ftohtë e me lagështirë, kur Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve të Shqipërisë, krijoi një grup me rreth dyzetë shkrimtarë dhe piktorë, për të pasqyruar në letërsinë dhe artet e sistemin të kaluar, rrethin e Dibrës, si “Rreth Hero”. Unë dhe miku im Guri Madhi, Piktor i Popullit, zgjodhëm njëri-tjetrin, për të formuar dyshen që kërkohej nga të dy degët e artit. Dhe na caktuan të ushtronim krijimtarinë, duke[.1] jetuar dy javë mes popullit në fshatrat e Bregut të Drinit.
Guri, me atë zërin e tij të butë e të ngrohtë, me të folurën karakteristike të vendlindjes tij, Korçës, ndonëse jetonte prej shumë vjetësh në Tiranë, më dhuronte kënaqësi të veçantë me bisedat dhe barcoletat e tij gjithë sherbet. Madje edhe kur e kisha pyetur, pse korçarët e kanë muhabetin aq të ëmbël, më kishte thënë: “Ne korçarët jemi ushqyer që të vegjël me sheqer panxhari, jo me ëmbëlsirë kallami.”
Këtë njeri babaxhan dhe artist të madh, e pata pedagog në vitin e fundit të Liceut Artistik “Jordan Misja”, ku më jepte lëndën e pikturës me modele “Nudo”. Pasi kisha mbaruar edhe Universitetin e Tiranës për letërsi dhe kisha botuar katër libra, na u krijua mundësia të lidheshim sërish me njëri-tjetrin. Shkova në studion e tij te re, ku u njohëm dhe familjarisht. Më pas ai bëri porosinë time, për muzeun e Librazhdit ku punoja në atë kohë, duke realizuar tablonë e dëgjuar “Gratë Sopotare”, e cila mbeti një nga veprat kryesore në fondin e pikturave të tij.
Por ky rast i ri, bëri të rikujtonim edhe një herë miqësinë e parë dhe të diskutonim disa tema, për të cilat, unë në atë kohë, nuk kisha nivelin e nevojshëm të afinitetit shoqëror, për të folur me të lirshëm, për ta thirrur me shaka në dialektin dibran “Or taj, profesor Gjuri !” dhe për të pirë së bashku raki Dibre.
Në të gjithë fshatrat e Dibrës ishte përhapur lajmi se një grup i madh me shkrimtarë dhe piktorë, të ardhur nga Tirana, do të shpërndaheshin nëpër shtëpitë e fshatarëve për t’u njohur me popullin. Dhe merret me mend kurioziteti që kishte ngjallur kjo vajtje e njerëzve të artit pranë tyre. Në qendrën e çdo fshati ku ndaleshim së pari, nuk mund të shkëputeshe nga lutjet e fshatarëve për të bujtur në shtëpinë e tyre. Por fjalën e fundit e thoshte shoqëruesi i caktuar për këtë qëllim, i cili me zgjedhjet e tij, linte shumë prej tyre të pakënaqur.
Ditën e parë, para ndërtesës së shtëpisë së kulturës së Dohoshishtit, u mblodhën shumë kureshtarë, të rinj gra e vajza. Mes tyre, Guri zgjodhi disa tipa interesantë për portrete, madje dhe unë, krahas shkrimeve, bëra vizatime me karbon. Ato gra e nuse të stolisura me flokët të mbledhura topuz pas kokës, ishin secila një tip interesant më vete. Dhe siç thoshte Guri, u ngjanin aq shumë grave ruse, që kishte njohur gjatë kohës së studimeve të tij në akademinë e arteve të bukura në Bullgari e në Rusi ku kishte shkuar.
Njëra prej tyre, kur pa portretin e saj, teksa Guri ishte ende në punim e sipër, tha me habi:
- Eu, bre, sa të mëdhoj i paskam sojtë ! (sytë)
Të gjithë sa ndodheshin rretheqark u shkulëm së qeshuri.
Në mesditë u nisëm për në fshatin Brezhdan, që ndodhej në vazhdimin e kodrave buzë rrjedhës së gjerë të Drinit të valëzuar. Udhëtuam nëpër arat e baltosura, bashkë me shoqëruesin që na printe, me këpucët e rënduara nga tre kile secila. Dhe arritëm te një shtëpi dykatëshe me shkallët e drunjta që zverdhnin nga pastërtia, sikur të ishin larë me ujë floriri. Pikërisht aty shihej fare qartë, mësymja e pareshtur që bënte perandoria e baltës, për të pushtuar shtëpitë e tyre edhe beteja e përjetshme e gruas shtëpiake, për ta sprapsur energjikisht. Në dhomën e pritjes me shilte leshi dhe divane të mbuluar tërë qëndizma që binin erë sapun, nga kujdesi i maksimal i atyre grave duararta, preferuam të ulemi këmbëkryq sipas zakonit.
Aty, pranë oxhakut, ku zuri vend mbi shilten e butë, piktorit të madh i mbetën sytë çuditërisht tek i zoti i shtëpisë, Zeka. Guri hapi dosjen menjëherë dhe i tha atij të qëndronte disa minuta pa lëvizur. Bëri me pak vija të shkathëta një skicim të përsosur, duke e kapur portretin e tij në karakter, aq sa na la të gjithëve të befasuar. Pastaj me një pamje krejt entuziaste tha:
-Portretin e këtij burri, me vetullat bishtake të ngritura përpjetë, me këtë hundë si sqep shqiponje dhe me mustaqet si pendë korbi, do ta vendos në ndonjë nga tablotë mia, si karakterin më tipik të shqiptarit.
- Bëje ushtar të Skënderbeut, duke vrapuar mbi kalë me shpatë në dorë! - shtova unë për humor.
-Unë ushtar i atdheut kam qenë e jam në çdo kohë ! - tha befas Zeka. - Kalin me shalë e kam këtu pas shtëpisë. U bie arave cep më cep fluturimthi. Bashkë me të kam kaluar Drinin disa herë me not...
Pastaj sofra e madhe e bujarisë dibrane me qengjin e pjekur dhe shishet e vogla të aranxhatës me raki rrushi para secilit, na mblodhi të gjithëve përqark, si në një drekë mbretërore, ku mbret i sofrës ishte i madhi Guri Madhi. Natyrisht, mbretërit janë ushqyer në tryeza nga më madhështoret, por sofra shqiptare seç ka një madhështi tradicionale të veçantë. Sepse burrat ulen këmbëkryq në rrumbullakësinë e rrethit miqësor të barabartë, para bukës, kripës dhe zemrës të servirur nga i zotit i shtëpisë. Ndoshta prandaj ne ndjemë si asnjëherë, se ai fshatar i thjeshtë kishte shtruar aty me shumë dëshirë dhe sinqeritet, bujarinë më të madhe të njeriut zemërbardhë të botës. Në një pritje karakteristike, ku dollia dhe urimet jehonin si vetë valët e Drinit që oshtinte matanë dritareve.
Sa i përket rakisë, zonja e piktorit, Filloreta e nderuar, m’u lut veçanërisht qysh në Tiranë të mos e lija kurrsesi Gurin e saj të dashur të pinte raki. Unë vërtetë nuk isha terjaqi rakie, por nuk isha as budalla, t’i hiqja këtij miku të shtrenjtë, dhe vetes time të drejtën për të respektuar këtë pije tradicionale aq të preferuar, me shumë histori dhe me aq shumë shëndete e dolli të ngritura nga shqiptarët nëpër qindravjeçarë dasmash dhe gëzimesh të shumta familjare. Aq më tepër, të shpërfillja rakinë e mrekullueshme të Dibrës, që siç na tha Zeka: “Kishte ngjallur edhe të vdekurin” kur padashur i kishin spërkatur arkivolin me raki, në vend të ujit për të zbutur dërrasat e thara nga dielli.
E si të mos pinte aty mes popullit, ai artist i popullit, dhe unë të bëja gabim t’i fshikulloja në vesh porosinë e Filloretës për të mirën e tij. Në atë rast, ajo dolli mes burrash dibranë të luftës dhe të punës ishte pikërisht e mira e tij kryesore, të ishte burrë mes burrash. Pimë, uruam, bëmë qejf dhe na gufoi shpirti duke kënduar: “Të kisha pas një djalë si Mema, paç me i hy vezirit brenda, me ia lan oxhakun me femna !” Në atë mjedis gazmor të paparë, Zeka, me atë fytyrë tejet të këndshme, na krijoi emocione të jashtëzakonshme duke zbrazur nga goja e tij një gurrë të pashterur me këngë trimash.
Pas këngëve të tij, Guri u përkul e më tha, se nuk mund te largohej nga mejdani i këngëve shqiptare, pa ia thënë edhe një herë në Dibër asaj intermexos së gjithë këngëve korçare: “Një ditë shkova nga Drenova” dhe bëmë të dy bashkë një duet të duartrokitur nxehtësisht nga të gjithë miqtë e sofrës.
Por kopsa ishte kryefjala e këtij rrëfimi. Pra, qysh kur u nisa nga Dohoshishti, vura re se kopsa e parë e palltos sime të madhe, ishte varur në dy fije peri nja dy centimetra më poshtë dhe kishte rrezik të këputej rrugës. E kisha mbajtur me kujdes, sa të shkonim te kjo shtëpi që na priste, ku mund të kërkoja një gjilpëre me pe për ta qepur. Mirëpo rakia dhe gazi ma largoi nga mendja këtë qëllim që i pata vënë vetes. U kujtova papritmas kur do të dilnim dhe i thashë Zekës, që e kisha pranë te sofra, po të ishte e mundur të më sillte një gjilpërë me pe, për të qepur kopsën rebele të palltos sime, që kërkonte patjetër të arratisej prej meje, për të mbetur si medaljon kujtimi në arat me grurë të Brezhdanit blerosh.
Ai qeshi me shprehjen time të frymëzuar nga rakia dhe u tregua i gatshëm në çast:
- Bjere t’ua çoj grave ta qepin!
Shkuam të dy ta marrim te varësja e asaj ode, ku na ishte shtruar sofra dhe ku e kisha pasur pallton gjatë gjithë kohës para syve. Teksa po kërkoja ku ishte kopsa e varur t’ia tregoja Zekës, shqeva sytë nga habia dhe mbeta pa frymë. Kopsa ishte në vendin fillestar ku e kishte qepur rrobaqepësi në Tiranë, me perin e së njëjtës ngjyrë dhe madje e shtrënguar më fort se të tjerat.
- Ku e ke? - më pyeti Zeka sërish.
E vështrova burrin simpatik si torollak, pa ditur ç’farë t’i tregoj dhe thashë vetëm:
- Ore mik, sot ose unë jam bërë tapë fare, ose kam qenë i verbuar e më bënë sytë, kur e pashë kopsën të varur në Dohoshisht.
Ai qeshi dhe më tha:
-Gratë tona kanë shtatë palë sy. Ato e kanë për turp të shkoj miku nga shtëpia jonë te shtëpia e një tjetri me këpucët me baltë, me rrobe të lagura e t’i bien kopsat rrugës.
-Mirëpo, nuk arrij të kuptoj, or mik i dashur, kur e morën ato gra symprehta pallton nga varësja, kur e qepën kopsën dhe kur e sollën prapë te vendi?... Sepse unë gjatë gjithë kohës që ne rrokullisnim gotat njërën pas tjetrës me aq zell trimëror, i kisha sytë e merakosur të fiksuar pikërisht aty...
Ai qeshi përsëri, pa dhënë shpjegime të tjera për enigmën, më fërkoi krahët dhe zbritëm shkallët për të veshur këpucët, jo vetëm të lara, por edhe të lustruara me bojë. Pastaj buzagazi i rrethit familjar që na përcolli deri në kufi me fqinjin e tyre, na mbeti në sy, si një sekuencë e filmike e rrallë dhe e paharruar.
Ikëm për të kaluar mbrëmjen në një drejtim tjetër dhe kudo na priste befasia origjinale e mikpritjes. Derisa mbaruam ditët tona plot krijime të pashlyera dhe u kthyem në Tiranë. Por për shumë kohë një pjesë e trurit na mbeti, të dyve me Guri Madhin, në fshatrat e Peshkopisë, tek ato shtëpi aq të paqta, tek ata burra dibranë të punës e të këngës dhe tek ato gra nikoqire deri në mahnitje.
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi