Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Azili diplomatik

Shko poshtë

Azili diplomatik Empty Azili diplomatik

Mesazh nga Agim Gashi Sun Mar 22, 2009 10:51 pm

Azili diplomatik




Azili diplomatik Fisnik_dobreci_presidenti-sejdiu-ambasadorat-pasoshat168-490x320

Nga Shpend Limoni më 22.03.2009 në ora 8:19

Konkursi për ambasadorë i shpallur nga Ministria e Punëve të Jashtme, mes shumë të tjerëve, i ka nxitur të aplikojnë edhe njerëz që janë lehtësisht të identifikueshëm me partitë politike në pushtet.

Kjo, veçanërisht vlen për Lidhjen Demokratike të Kosovës, por edhe për Partinë Demokratike të Kosovës. Njerëz të afërt me LDK-në, këshilltarë të dikurshëm të Presidencës, ish-deputetë apo këshilltarë të tanishëm të ministrit Skënder Hyseni, kanë dorëzuar biografitë e tyre në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Në mesin e tyre është edhe Halit Muharremi, ish-këshilltar i presidentit Rugova, Samet Dalipi, ish-këshilltar i presidentit Sejdiu, Vehbi Miftari, zëdhënës i LDK-së, Qibrije Hoxha, ish-deputete e LDK-së dhe Burim Breznica, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme.

Si kredenciale, ata kanë vendosur të përdorin përvojën e tyre që kanë përfituar në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Mirëpo, kandidaturat e tyre shihen me dyshim nga partneri i LDK-së në Qeverinë e Kosovës, PDK.

Një zyrtar i lartë i PDK-së, në kusht anonimiteti, tha se është tronditur kur ka parë emrat e njerëzve të LDK-së në listën e kandidatëve për ambasadorë. “Kjo është tendencë për politizimin e këtyre posteve të rëndësishme”, ka thënë ai. Ndryshe nga zyrtari i PDK-së, analisti Mufail Limani nuk është befasuar kur ka parë listën e aplikuesve në konkursin e MPJ-së për ambasadorë.

Sipas tij, një pjesë e madhe e listës është e politizuar ose e “partizuar” nga të dyja partitë në pushtet. “Ajo që kemi parë është se procesi është i politizuar. Shumica e kandidatëve që kemi parë në listë... Por duhet të kemi durim dhe të presim se shumica e atyre që do të nominohen dhe që do të marrin punën e ambasadorit, në fakt, janë përfaqësues të fraksioneve të ndryshme në Kosovë. Kjo nuk ka lidhje me synimin për profesionalizimin e shërbimit të diplomacisë kosovare”, ka thënë Limani të shtunën për Express.

Sipas tij, tendenca për të futur njerëz të partisë në diplomacinë kosovare, nuk është e rastit, pasi një gjë e tillë ndodh edhe në segmentet e tjera. “Sikur në të gjitha fushat e tjera, në bordet e ndërmarrjeve publike, në FSK... do të thotë gjithçka është duke kaluar në fazën e politizimit absolut të të gjitha funksioneve politike ose më saktë, partizimin e gjithë jetës politike dhe institucionale, edhe aty ku nuk ka vend për parti, ku partitë do duhej të tërhiqeshin. Krejt kulaçi po ndahet në bazë të marrëveshjeve partiake interne”, ka thënë ai.

Xhavit Beqiri, zëdhënës i presidentit Fatmir Sejdiu, ka thënë se nuk dëshiron të paragjykojë se kush do të përzgjidhet ambasador, por nuk ka kursyer fjalët e mira për këta kandidatë. “Unë nuk dua të paragjykoj asgjë. Por këta njerëz janë dëshmuar në fusha të ndryshme profesionale. Sigurisht kjo s’do të thotë se kanë përparësi apo mangësi në raport me kandidatët e tjerë.

Le ta shohim se cili do të jetë rezultati i vlerësimeve që do të bëjë komisioni që do të caktohet nga presidenti, kryeministri dhe MPJ-ja”, ka thënë ai. Por Beqiri thotë se nuk ka asgjë kundër përzgjedhjes së tyre. “Ne shpresojmë që do të zgjidhen njerëz të duhur, sepse në fund të fundit kur ata të shkojnë në vendet përkatëse, askush nuk e shikon se prej cilit subjekt politik vijnë apo çfarë fryme politike kanë përfaqësuar në vendin e vet. A janë të djathtë apo të majtë, atje janë ambasadorë dhe si të tillë vlerësohen”, thotë ai.

Megjithatë, Beqiri mohon se këta persona mbështeten nga Presidneca. “Nuk po them asgjë, por ne po themi se në asnjë mënyrë nuk do të paragjykojmë kandidaturat e tyre. Ne na gëzon fakti që ka kaq shumë kandidatura, sepse kur ka kaq shumë, edhe mundësia e përzgjedhjes është më e madhe”.

Përkundër mundësisë së politizimit të posteve të ambasadorëve, Ministria e Punëve të Jashtme thekson se nuk do të lejojë që përzgjedhja e ambasadorëve të bëhet në bazë të preferencave politike. Zëvendësministrja Vlora Çitaku thotë se paneli intervistues, ku përfshihet Ministria, Kryeministria, Presidenca dhe bota akademike, nuk do të lejojë që të ketë ndonjë ndikim nga jashtë.

“Jam e sigurt se nuk do të ketë interferime apo ndikime të natyrave të ndryshme”, ka thënë Çitaku për Express. Kështu nuk mendon analisti Limani. Sipas tij, qeverisja aktuale po përsërit skemat e mëparshme.

“Në Qeverinë Thaçi po manifestohen skemat që i kemi parë në Qeverinë Haradinaj, Çeku dhe Kosumi. Po kthehemi në sistemin e vjetër, ku përkatësia partiake është përcaktues për emërim në të gjitha punët e rëndësishme publike”, thotë ai.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi