Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Nuri Plaku: Akademiku Jani Thomai në piedestalin e një krahine

Shko poshtë

Nuri Plaku: Akademiku Jani Thomai në piedestalin e një krahine Empty Nuri Plaku: Akademiku Jani Thomai në piedestalin e një krahine

Mesazh nga Agim Gashi Sun Apr 03, 2011 11:44 pm

Nuri Plaku: Akademiku Jani Thomai në piedestalin e një krahine U1_JaniThomai
Nuri Plaku: Akademiku Jani Thomai në piedestalin e një krahine U1_NuriPlaku
AKADEMIKU JANI THOMAI NE PIEDESTALIN E NJË KRAHINE
Nga Nuri PLAKU
Me akademikun Jani Thomai plotësohet kurora e intelektualëve më të shquarve të krahinës së Myzeqesë. Ai duket si një mal i lartë me kontributet shkencore që ka arritur, bir i denjë i komunitetit të vet në gjithë historinë e tij të zhvillimit socio-kulturor. Së pari e nis këtë gjerdan Naun Prifti (Doko), mik dhe bashkëpunëtor i Fan Nolit, i cili, pas 24 dhjetorit 1924, ditës së shpalljes së “Legalitetit”, iku në arrati së bashku me gjithë antizogistët e tjerë. Me ndihmën e Nolit mori një bursë nga “KONARE” për në Rusi dhe vijoi studimet e larta në fushën e ekonomisë politike, duke arritur të bëhej edhe rektor në Universitetin e Transkaukazisë në Tbilis (Gjeorgji) në vitin 1933. Por ylli i tij qe jetëshkurtër. Rektori shqiptar, i dyti në këtë karrierë universitare që nxirte ky vend, pas Hoxha Tahsinit, u shua nga tuberkulozi një vit më vonë, më 1934, në moshën 38-vjeçare.
Më 2 shkurt 1935, në katundin Seman lindi Jani Thomai. Atëherë, fshati ishte shumë i bukur. Fusha e gjerë pjellore qindra hektarëshe që rrethonte shtëpitë e tijë ishte e mbushur me pyje të virgjër përrallor dhe livadhe të blertë, plot lule shumëngjyrëshe që shtriheshin deri në buzën e ujrave të Adriatikut. Herë, herë, qetësinë apostolike të saj e prishte hingëllima e kuajve të egër, që rriteshin në savanet e blerta të anëdetit. Dikur këta kuaj i lakmonin venedikasit e më pas osmanët i kryqëzonin ata me kuajtë arab për prodhimin e rracës hibride aq të lakmuar në kavalerinë e ushtrisë perandorake. Në kopshte e ara, krahas bimëve bujqësore, kishte edhe lloje të ndryshme të pëmëve frutore nga fiku, mani, rrushi i pjergullave që ngjiteshin gjer në majat e kavakëve, e deri tek pemët e rralla për zonën si lajthija, pjeshka, etj. Gjithë natyra i ushqente me lirizmin e saj shfrenuar shpirtin e djaloshit të vogël duke e bërë atë më romantic, më të ndjeshëm e më të brishtë ndaj bukurive të saj të pafundme.
Fshatin e ndante vetëm lumi Seman me Libofshën, vendlindjen e Naunit. Dy të mëdhenjtë e shkencës do të formonin një trekëndësh me fierakun Jakov Xoxa, i cili do të kapte majat e lartësive në fushën e letrave. Fier-Libofshë-Seman, është trekëndëshi i bazës kulturore të kësaj krahine, një nga hapësirat pa kufi ku ngrihet piramida kulturore e banorëve të saj.
Jani Thomai u lind nga prindërit Lili dhe Vara, bujq të regjur e me traditë të pasur fisnore. Familja e Stefajve (sikundër quheshin atë kohë), ka qenë e madhe dhe ka pasur lidhje, miqësi e ndikim të gjerë në gjithë krahinën, deri edhe në Fier me familjet e mëdha tregtare. Në fshat ruhen akoma edhe sot toponime me emrin e familjes së tyre: “Pylli i Stefit” është pylli që ishte në pronësi të tyre. Në pronësi të tyre ishin edhe shumë ara të gjera, kopshte me drurë frutorë, livadhe për bar e kullotë dhe tufa të mëdha me bagëti të imëta e të trasha që e bënin atë një derë të parë parë, të kamur e që radhitej në “ajkën" e zonës. Pyjet e kësaj dere ishin ndërkohë edhe pyjet e gjuetisë e të kaçakëve. Njëri prej tyre më vonë u bë edhe pylli i një ngjarjeje të rëndësishme të historisë së Myzeqesë gjatë Luftës antifashiste nacionalçlirimtare. Më 23 shtator 1943 aty u formua Batalioni “Semani”. Edhe sot e kësaj dite te lapidari i ngritur në kujtim të kësaj ngjarjeje mblidhen njerëz, bëhen homazhe dhe kujtohet plaku i urtë Lili Stefi (Thomai), i cili, me mbështetjen dhe veprimtarinë e tij atdhetare ishte bërë pjesë e rëndësishme e gjithë zhvillimeve të lëvizjes antifashiste në këtë zonë. Tashmë aty nuk ka më asnjë dru, por vendi quhet ende “Pylli i Stefit”.
Semani dallohet edhe për kulturën e gjerë, shkollën e hershme të hapur në këtë fshat në gjuhën shqipe dhe mësuesit e mirë që ka pasur, si Jan Boçova, Zoica Bogo, Llazar Stefi, Dhoksi Stefi, Simon Konomi, Hamza Nikshiqi, Reshat Kukaviqi, Andrea Verria etj. Midis tyre ishte edhe ajo,Vjollca Omari, e motra e shkrimtarit Mustafa Greblleshit, për të cilën profesor Jani Thomai ruan kujtimet më të bukura. Me mësuesit e vet e me Vjollcën ai ndërtoi modelin e njeriut korrekt, punëtor e të ndershëm. Por mësuese Vjollca qe për të një idhull i vërtetë, sa edhe tani e kujton me mall dhe shpesh jep për të një porosi fisnike: “I thoni mësuese Vjollcës se Jani Thomai i puth dorën”.
Mësuese Vjollca tani është 84 vjeçe dhe drithërohet e tëra e mrekulluar kur dëgjon për ish-nxënësin e saj të vogël semanjak, që nuk e harron mësuesen e tij të dikurshme edhe tani kur ai është vetë mbi 75 vjeç.
“Balta” e Semanit i ktheu gjurmët e fëmijës së vogël drejt të ardhmes së ndritur akademike. Ky truall, mësuesit e parë e bashkëfshatarët e brumosën Janin me dashurinë për vendlindjen, i dhanë zemër e dëshirë për të ecur në jetë, e ai tani vjen në vendlindje plot mall mëmësie, duke i pasur në kujtesë e në ndërgjegje si një udhërrëfyes, si model të lakmuar për këdo që futet në udhën e pafund të dijes.
Në fshatin e tij të lindjes Jani Thomai kreu tri klasë të shkollës fillore. Dy klasë të tjera i kreu në Fier, në shkollën nr. 2 të këtij qyteti dhe pas tyre u rikthye përsëri në fshat për të vazhduar tri klasë unike sipas sistemit të athershëm shkollor. Nga Semani ai u nda në vitin 1950. Fillimisht shkon vullnetar në ndërtimin e hekurudhave Durrës-Tiranë e Peqin-Elbasan. Dhe porsa mbush moshën 15 vjeç mori rrugën për të vazhduar studimet në Shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër. Këtë shkollë e mbaroi në vitin 1954, me formim të shëndoshë nën kujdesin e mësuesve shumë të mirë e mjaft të njohur, si: Simon Rrota (Artist i Popullit), Jup Kastrati (profesor), Skënder Villa, Evrinomi Panda, Simon Gjoni, Kudrete Kopliku, Agetina Ashiku, Arsinoi e Xhuvi Bino, Dedë Shala, Shuaip Troshani e të tjerë. Në vitin 1958 mbaroi shkëlqyeshëm studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Dega e gjuhës dhe e letërsisë shqipe, me profesorët më të mirë të kohës, si: Aleks Buda, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostasllari, Dhimitër Shuteriqi, Bedri Dede, Jakov Xoxa, Vehbi Bala, Mark Gurakuqi, Zihni Sako, Zija Kodra, Stefan Prifti, Zija Xholi, Bujar Hoxha, Alfred Uçi, Muzafer Xhaxhiu, Hasan Dume, Anastas Dodi etj. Bashkëstudentë të një kursi qenë edhe mjaft nga ata që më pas u shquan në gjuhësi e në letërsi, si profesorët Menella Totoni, Mehmet Çeliku, Tomor Osmani, Fatmir Agalliu, ose shkrimtarët e studiuesit e letërsisë Ismail Kadare, Dhori Qiriazi, Dilaver Dilaveri e të tjerë. Ishte edhe ky rreth i ngritur intelektual që i ka formuar e i ka ushqyer Jani Thomait shpirtin e tij krijues.
Ende student i kthehet vendlindjes për të studiuar së pari të folmen e fshatit të vet dhe për të përgatitur punimin e tezës “E folmja e katundit Seman”, nën udhëheqjen e profesor Mahir Domit, të cilën e paraqiti në mbrojtje të diplomës. Është një temë së cilës do t’i rikthehej pas një viti për ta botuar si monografi më vete në dy numra të “Buletinit të Shkencave Shoqërore të Universitetit të Tiranës”, duke i dhënë kështu studimit karakter të plotë monografie. Me këtë punim Jani Thomai nisi udhën e gjatë e të mundimshme drejt hulumtimit shkencor në gjuhësi, duke arritur nivelet më të larta të karrierës akademike. Në veprimtarinë hulumtuese ai grumbulloi material të bollshëm leksikor e frazeologjik drejtpërdrejt nga goja e popullit dhe bëri interpretime shkencore të holla, duke rrokur të gjitha veçoritë e ngjyrimet gjuhësore. Ky punim është një nga kurorat që i ka thurur profesor Jani Thomai krahinës së Myzeqesë. Ai përbën një bazë shkencore në trashëgiminë tonë gjuhësore dhe një burim referimi për të krahasuar e për të hedhur dritë mbi shumë karakteristika dalluese të këtij mikrosistemi brenda makrosistemit të përgjithshëm, për të parë zhvillimet gjuhësore ndër vite dhe për ta vlerësuar atë si një fill lidhës të kësaj kulture. Çdo gjuhëtar i interesuar do të gjejë këtu material të pasur për studime të mëtejshme, të ndryshme e nga këndvështrime të reja sociale e shkencore. Një nga studiuesit kryesorë që i është referuar këtij studimi është edhe akademiku Eqrem Çabej, në veprën e tij të rëndësishme “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Në një vështrim të tillë punimi i profesor Jani Thomait krijon gjithashtu edhe një lidhje të dukshme ndërmjet dy realiteteve gjuhësore të kësaj treve, të atëhershëm e të tanishëm, duke shërbyer frytshëm si një shkallëzim i zhvillimit të kësaj të folmeje deri në gjendjen e sotme, në përputhje me kushtet dhe ndikimin normativ të gjuhës. Monografia ka edhe vlera praktike, vlera udhërrëfyese për mësuesit e gjuhës e të letërsisë shqipe, për të spikatur dialektalizmat e përdorur nga shkrimtarë të ndryshëm në veprat e tyre letrare. Mësuesit e gjuhës, veçanërisht ata të brezave të rinj, e kanë atë si një pikë referimi për të vërejtur të folmen krahinore të nxënësve dhe për të mënjanuar shmangie në gjuhën e përditshme, që vijnë në kundërshtim me normën e ngulitur gjuhësore.
Kontribut të rëndësishëm ka dhënë profesor Jani Thomai edhe në mbledhjen e studimin e njësive frazeologjike të kësaj të folmeje. Në “Fjalorin frazeologjik të gjuhës shqipe”(1999), nga 12 000 njësi të tilla që përmban ky fjalor, disa mijëra prej tyre përdoren gjerësisht edhe në të folmet e Myzeqesë.
Por interesat shkencorë të profesor Jani Thomait në karrierën e tij kanë qenë shumë më të gjerë, duke lëvruar të gjitha gjinitë tipologjike të shkencës, duke bërë emër gjithnjë e më shumë në fushë të shqipes e duke arritur të radhitet sot ndër leksikologët e leksikografët më të mirë jo vetëm shqiptarë, por edhe ata ballkanikë.
Sapo mbaroi studimet e larta, emërohet bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë, Sektori i leksikologjisë dhe i leksikografisë. Ndërkohë fillon të japi mësim edhe në Universitet. Tashmë janë mbushur 52 vjet punë intensive shkencore e pedagogjike - mësimore në universitete.
Po atë vit themelon e bëhet titullar i lëndëve “Leksikologji shqipe” dhe “Semasiologji leksikore” në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Leksione të pandërprera, provime dhe udhëheqje diplomash, hartim programesh e tekstesh, ligjërata të hapura, udhëheqje shkencore, mijëra studentë gjatë këtij gjysmë shekulli kanë ndjekur leksionet e tij me interesim të ndjeshëm dhe kanë përfituar nga dijet e ndihma e tij e gjithanëshme. Këto janë gjurmë të pashlyeshme në karrierën profesionale të profesor Jani Thomait.
Në vitet 1963 - 1964 jep provimet pasuniversitare të aspiranturës për filozofi, gjuhësi e përgjithshme, albanologji, rusisht e frëngjisht dhe në vitin 1967 mori gradën “Kandidat i shkencave filologjike”, me mbrojtje të tezës “Çështje të frazeologjisë së gjuhës shqipe”. Kjo monografi u botua si libër më vete më 1981.Në vitin 1984 mori gradën “Doktor i shkencave filologjike, duke mbrojtur tezën “Prejardhja semantike në gjuhën shqipe”. Edhe kjo monografi u botua si libër më 1989, kurse, pas një ripunimi të thellë e përditësimi, u ribotua më 2009. Në vitin 1994 doktori i shkencave filologjike Jani Thomai mori titullin “Profesor” dhe në vitin 2003 profesori u zgjodh “Anëtar i Akademisë së Shkencave”.
Në fushën e kompetencës profesionale, sipas formimit shkencor filologjik, akademiku Jani Thomai është profilizuar në shtatë fusha gjuhësore: dialektologji, leksikologji, leksikografi, frazeologji, semasiologji, fjalëformim, kulturë gjuhe, ndërsa profilizimi më i ngushtë i tij është në fushatleksikologji, leksikografi, frazeologji dhe semasiologji (semantikë leksikore). Në këtë hulli përfshihen edhe kërkimet bibliografike e arkivore jashtë vendit, si në Francë, Austri, Angli, Itali, Rusi, Maqedoni etj. Dihet që studimet teorike në këto fusha kanë rëndësi të madhe për gjuhësinë, sepse jo vetëm i shërbejnë pasurimit të dijeve shkencore për leksikun, frazeologjinë e semantikën leksikore të shqipes, por lidhen edhe me fusha të tjera të gjuhësisë dhe janë burim kryesor për tekstet e shkollës së lartë, për hartimin e temave të diplomave të studentëve, të mikrotezave e të tezave të kualifikimit pasuniversitar etj. Nga vetë objekti i studimit dhe nga synimet e hulumtimit vinte në radhë të parë përshkrimi e interpretimi i veçantive të gjuhës shqipe, shpesh në ballafaqim edhe me gjuhë të tjera, në formë e në përmbajtje. Prej kësaj kuptohet që vështrimi i gjuhëtarit tonë vjen gjithnjë duke u zgjeruar e duke u thelluar. Në shërbim të këtij drejtimi akademiku Jani Thomai është marrë vazhdimisht e drejtpërsëdrejti me hulumtimin dhe vjeljen e fjalëve e të frazeologjisë nga të gjitha gjinitë e botimeve, si edhe për mbledhjen e tyre nga të gjitha trojet e të folmeve të shqipes nëpërmjet ekspeditave kërkimore leksikologjike në terren. Ai ka drejtuar 20 ekspedita të tilla leksikologjike në Shqipëri e në Kosovë, ka vjelë nga mbi 100 000 faqe letërsi artistike, shkencore e publicistike, folklor etj. fjalë, shprehje e kuptime, që kanë shërbyer për njohjen e lëndës leksikore, frazeologjike e semantike të shqipes, për pasurimin e Kartotekës së leksikut të shqipes, për hartimin e fjalorëve e të teksteve mësimore dhe për studimet e vata shkencore në këto fusha. Sot Kartoteka, si pasuri e mbledhur me kujdes e me dashuri nga gjuhëtarët e nga mijëra arsimtarë në të katra anët e trojeve të shqipes, ka të regjistruara mbi 4 milionë skeda.
Një kontribut të rëndësishëm ka dhënë akademiku Jani Thomai edhe në leksikografi, në hartimin e fjalorëve, si hartues ose bashkëhartues, redaktor ose bashkëredaktor shkencor, si drejtues projektesh leksikografike. Dihet domosdoshmëria e përdorimit të tyre. Ata u kanë shërbyer përdoruesve të gjerë, hartuesve të fjalorëve dygjuhësh me shqipen, studimeve për kategori të ndryshme leksikologjike e semantike. Veç kësaj, në çdo fjalor përpunohet edhe një sistem teorik shkencor, pa të cilin nuk mund të mendohet hartimi i glosarëve, zbërthimi kuptimor dhe ndërtimi i strukturave kuptimore të fjalëve, tipologjia e shpjegimeve, shtresimi i leksikut, elementet e mbishtresuara në semantikë etj. Duke realizuar mirë këtë sistem të brendshëm, çdo fjalor zbulon edhe pasuritë leksiko - semantike e veçantitë e shqipes në këto nënsisteme dhe krijon një shkallë ngjitjeje për një vepër tjetër leksikografike.
Kjo gjerësi kërkimesh shkencore është shpërfaqur në botime të shumta. Një gamë mjaft të gjerë të krijimtarisë shkencore të akademikut Jani Thomai e përbëjnë botimet në libra, të cilët arrijnë deri në 20 tituj, monografi, fjalorë (edhe me bashkautorë), tekste mësimore e përmbledhje studimesh. Të gjithë këta tituj përbëjnë korpusin kryesor të studimeve të tij. Të tilla janë “Leksikologjia” (1960),“Çështje të frazeologjisë së gjuhës shqipe” (1981), “Leksikologjia e gjuhës shqipe” (e botuar 8 herë nga viti 1974 deri 2006, me ripunime të thella në teori e me plotësime sipas zhvillimeve në gjuhë),“Leksikologjia shqipe për shkollat e larta” (e botuar në Tiranë më 1961 dhe në Prishtinë në vitin 1971), “Prejardhja semantike në gjuhën shqipe” (1989), “Teksti dhe gjuha” (1992), “Semasiologjia leksikore” (1997), “Leksiku dialektor e krahinor në gjuhën shqipe” (2001), “Veçori leksiko-semantike të ndajfoljeve me prapashtesa në gjuhën shqipe” (2004), “Prejardhja kuptimore në gjuhën shqipe” (2009) etj. Veç librave, nga pena e tij kanë dalë edhe rreth 100 studime, artikuj shkencorë e kumtesa, të botuar në organe të ndryshme shkencore brenda dhe jashtë vendit. Vëllimi i tyre i përgjithshëm i kalon 1300 faqe. Ndërkohë ka botuar edhe mbi 70 artikuj të tjerë shkencorë - popullorë, recensione për vepra gjuhësore dhe kronika shkencore, kryesisht në shtypin joshkencor. Kritika shkencore i ka vlerësuar lart veprat e studimet e tij.
Akademiku Jani Thomai ka bashkëpunuar në mënyrë të pjesshme edhe në 3 vepra madhore:“Fjalor i termave të gjuhësisë”, i botuar në vitin 1975, në të cilin ka bërë plotësimin e terminologjisë për leksikologji, leksikografi, frazeologji, semantikë e gjuhësi teorike; “Fjalor enciklopedik shqiptar”, botuar në vitin 1985 dhe më i riu më 2008 - 2010, ku ka hartuar disa zëra për leksikologjinë e për leksikografinë shqipe, për gjuhëtarë të shquar etj.
Akademik Jani Thomai ka qenë anëtar në redaksitë e revistave të ndryshme shkencore “Studime filologjike”, “Gjuha jonë”, ose në përmbledhje studimesh “Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe”, “Leksikografia shqipe – trashëgimi dhe parspektivë”, “Terminologjia shqipe – probleme dhe detyra” etj. Ka qenë anëtar i Këshillit shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, është anëtar i Shoqatës Europiane të Leksikografëve (EURALEX), dhe koordinator për Shqipërinë, që nga viti 1988, anëtar i Komitetit Kombëtar të AIESEE-së, në Komisionin Ndërakademik për gjuhën shqipe Shqipëri - Kosovë etj.
Pjesëmarrja e tij ka qenë e gjerë edhe në veprimtari shkencore ndërkombëtare, ku është përfaqësuar me kumtesa e referate të rëndësishme. Së pari referon në Konferencat ndërkombëtare për albanologjinë në Shqipëri në vitet 1962 e 1968. Më 1966 merr pjesë me bashkëreferat në Kongresin VI të AIESEE-së në Sofje e po këtë vit me referat të vetin, merr pjesë në Simpoziumin shkencor kushtuar albanologut të shquar Norbert Joklit, i zhvilluar në Innsbruck të Austrisë. Në vitin 1987 referon në Kongresin XIV Ndërkombëtar të Linguistëve në Berlin e një vit më pas referon në Kongresin III të EURALEX-it në Budapest. Në vitin 1994 shkon në Amsterdam në Kongresin VI po të EURALEX-it me kumtesë; në vitin 1995 në Bansko të Bullgarisë referon në “Table Ronde Balkanique” dhe në Sankt-Peterburg në Konferencën shkencore kushtuar albanologes së shquar Agnia Desnickaja; më 2004 referon në Kongresin IX të AIESEE-së në Tiranë. Në shumë konferenca të tjera shkencore ka mbajtur kumtesa për probleme të ndryshme të leksikut, të frazeologjisë, të semantikës, të leksikografisë etj. në Tiranë, Gjirokastër, Korçë, Prishtinë, Shkup, Tetovë, Vjenë, Napoli etj. Më 1972 ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ndërsa në vitin 1992 referon në konferencën shkencore“Gjuha letrare shqipe dhe bota shqiptare”, si dhe në konferencën kushtuar 25-vjetorit të Kongresit të drejtshkrimit. Më 2004 organizon e drejton Konferencën ndërkombëtare “Leksikografia shqipe – trashëgimi dhe perspektiv” dhe më 2008 Konferencën ndërkombëtare “Terminologjia shqipe – probleme dhe detyra”, përkatësisht botimet me përmbledhje të punimeve të tyre. Shumë ligjërata të tjera ka mbajtur në konferenca, simpoziume e sesione shkencore në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, madje edhe në fshatra me bashkëpunëtorë të jashtëm të Institutit. Dihet rëndësia e madhe që kanë këto kontakte. Kumtesat e diskutimet në veprimtari shkencore ndërkombëtare, ligjëratat për shqipen në vende të tjera dhe botimi i studimeve edhe në revistat e huaja i shërbejnë së paku informimit të studiuesve të huaj, sidomos albanologëve, për të njohur problemet e arritjet në fushat e përmendura të studimit të shqipes.
Akademiku Jani Thomai ka qenë gjithashtu edhe udhëheqës shkencor i doktoraturave të shumë gjuhëtarëve të rinjë, si: Ali Jashari, Idriz Metani, Valter Memisha, Artur Lame, Agim Hidi, Mimoza Gjokutaj, Beti Njuma e shumë të tjerë në Shqipëri dhe Vehbi Kadriu në Tetovë, Rusana Hristova në Bullgari etj. Ai ka qenë gjithashtu edhe drejtues i komisioneve të provimeve pasuniversitare, recensioneve të tezave e të veprave shkencore etj.
Ndihmën e përvojën e vet shkencore ai e ka përcjellë tek të tjerët, përveç me leksione, referate, udhëheqje shkencore, edhe duke qenë autor, bashkautor e bashkëredaktor, drejtues shkencor projektesh, hartues e redaktor shkencor për një sërë veprash leksikografike, si fjalorët shpjegues:“Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, 1980, vepër madhore në leksikografinë shqipe, me 2273 faqe;“Fjalor i shqipes së sotme”, 1984 / 2002; “Për pastërtinë e gjuhës shqipe. Fjalor”, 1998; “Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe”, 1999; “Fjalor frazeologjik ballkanik”, 1999; “Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe”, 2004; “Fjalor i gjuhës shqipe”, 2006; “Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe”, 2010; “Fjalor i vogël i gjuhës shqipe” (për botim), 2010 etj. Në përmbledhje studimesh gjithashtu ka një kontribut të rëndësishëm redaksional, si: “Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe”, vëllimi i parë dhe i dytë i vitit 1972 dhe vëllimi i tretë i vitit 1989; “Shqiptarët e Maqedonisë”,1994; “Leksikografia shqipe – trashëgimi dhe perspektivë”, 2005; “Fjalor me shprehje të huazuara në gjuhën shqipe” (hartuar nga A. Jashari), 2007; “Historia e popullit shqiptar” (si redaktor letrar, hartuar nga Akademia e Shkencave, vëllimi i parë dhe i dytë), 2002 etj.
Akademiku Jani Thomai ka kryer edhe detyra të ndryshme organizative. Ai ka qenë për shumë vite përgjegjës i Departamentit të leksikologjisë dhe të terminologjisë në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore në Akademinë e Shkencave (2003-2008) dhe Sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave (2008-2009).
Në vitin 2010 u festua nga Akademia e Shkencave dhe nga disa universitete 75-vjetori i lindjes së këtij gjuhëtari të shquar. Për të nderuar personalitetin e tij dhe për të vënë edhe një herë në dukje vlerat e rëndësishme të veprës së tij, udhën e vështirë, por të frytshme të këtij personaliteti të gjuhësisë shqiptare, Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, Departamenti i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, organizoi Simpoziumin shkencor me temë ”Akademiku Jani Thomai dhe studimet në fushën e leksikologjisë e të leksikografisë shqipe, në të cilin u mbajtën 15 kumtesa. Po ashtu Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, Fakulteti i Mësuesisë, Departamenti i gjuhës dhe i letërsisë, organizoi Konferencën shkencore ndërkombëtare me titull “Akademiku Jani Thomai në 75-vjetorin e lindjes”, ku u mbajtën 22 kumtesa nga pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Greqia, Bullgaria, ShBA etj. Kumtuesit vlerësuan lart veprën shkencore dhe personalitetin e akademikut Jani Thomai. Punimet e këtyre konferencave u botuan në përmbledhje të posaçme studimesh.
Akademik prof. dr. Shaban Demiraj e vlerëson lart profesor Jani Thomain: “Që në bankat e Universitetit Jani Thomai është shquar për vullnet, këmbëngulje, urtësi e zgjuarsi, ai është sotleksikologu e leksikografi shqiptar më i përgatitur, që kapërcen edhe kufijtë e Shqipërisë”.
“Gjuhëtar i përmasave të mëdha” e cilëson atë prof. as. Artur Lamaj i Universitetit të Gjirokastrës.
Prof. dr. Thanas Feka, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, e vlerëson profesor Jani Thomain si “…të parin që nis në mënyrë ballësore lëvrimin e thellë të fushës së frazeologjisë, duke e vënë atë tashmë mbi një bazë studimore shkencore bashkëkohore të shëndoshë e duke sjellë kështu një sërë ndihmesash të rëndësishme vetjake”.
Prof. dr. Ali Jashari, në Universitetin e Korçës, shprehet: “akademik Jani Thomai duhet inkuadruar me më të mëdhenjtë e gjuhësisë shqiptare... Nuk mund të flitet për etimologjinë e shqipes pa përmendur emrin e profesor Eqrem Çabejt, ose për gramatikën historike të shqipes pa përmendur emrin e profesor Shaban Demirajt; kështu nuk mund të flitet për leksikologjinë, leksikografinë dhe frazeologjinë shqipe pa përmendur emrin e profesor Jani Thomait”.
Prof. as. Valter Memisha, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, e vlerëson akademikun Jani Thomai si “i vetmi autor që ka hartuar një vepër si “Leksikologjia e gjuhës shqipe”... Madje, ai është i pari që e paraqiti “Semantikën leksikore të shqipes” si disiplinë të veçantë gjuhësore…. Duke perifrazuar një personalitet të shkencës, do të shprehesha se çdo njeri ka përgjegjësi para popullit të vet për dhuntinë krijuese që i ka falur natyra. Dhe Jani Thomai e ka njohur këtë dhunti, e kultivoi atë hap pas hapi, me punë të jashtëzakonshme dhe e pranoi përgjegjësinë para popullit, para shkencës dhe para kulturës kombëtare”.
Prof. Jani Thomai për prof. dr. Idriz Metanin, Universiteti i Tiranës, tashmë “… ka zënë vend të merituar në grupin e atyre figurave të shquara të kombit tonë, që kanë dhënë e vazhdojnë të japin kontribut të madh në fushën e shkencës dhe të arsimit kombëtar”.
Rektori i Universitetit të Korçës, prof. Gjergji Mero, e cilëson akademikun Jani Thomai si “një nga personalitetet më në zë që kemi sot në gjuhësinë shqiptare dhe më gjerë”.
Albanologu prof. dr. Begzad Baliu, i Universitetit të Prishtinës, e paraqit prof. Jani Thomain në boshtin krahasues me gjuhëtarët e tjerë shqiptarë: “Mes dogmatizmit gjuhësor të Androkli Kostallrit dhe refuzimit linguistik të Selman Rizës, mes ligjërimit akademik të Eqrem Çabejt dhe gjuhës pozitiviste të Jup Kastratit, mes etikës së fjalës së Idriz Ajetit dhe etikës së mendimit të Mahir Domit, profesor Jani Thomai, në studimet gjuhësor të tij, sjell e diskuton mendimet e tij me kujdes dhe me akribi shkencore, terma e nocione gjuhësore nga gjuhësia e përgjithshme, pa u dhënë atyre domosdo edhe karakterin absolut të referencës gjuhësore e aq më pak politike”.
Për prof. Shefkie Islamaj, Instituti Albanologjik i Prishtinës, akademiku Jani Thomai është “figurë e shquar e shkencës, e arsimit dhe e kulturës shqiptare, me një trashëgimi shkencore të pasur e të shumanshme,... personaliteti më i shquar e më serioz për shqyrtimin kritik të trashëgimisë leksikore të shqipes nga aspekti i saj i shtrirjes në thellësi e gjerësi,... figurë qendrore e gjuhësisë shqiptare dhe njëri nga njohësit më të shquar të historisë së brendshme të gjuhës shqipe. Mendje e gjerë, me fuqi intelektuale të rrallë, studiues serioz, me përkushtim e akribi të pashoqe... Profesor Jani Thomai, me veprën e tij shkencore, do të arrijë të lëvizë mendimin shqiptar të kohës për problemet çelës të leksikologjisë e të semantikës shqipe, duke u bërë autoriteti kryesor në këtë fushë… Të rrallë janë ata studiues me kaq përgatitje e profesionalizëm dhe mbi të gjitha me kaq sistemsi dijesh, që trajtojnë fjalën shqipe e hartojnë fjalorë të shqipes, siç bën profesor Jani Thomai… Profesor Jani Thomai ka prirjen e aftësinë e rrallë për të hetuar problemet çelës edhe atje ku studiues të tjerë nuk i vërejnë,... ai është njëri prej studiuesve më kompetentë të kohës sonë”.
Prof. Vehbi Kadriu, Universiteti “Shën Qirili dhe Metodi” i Shkupit, e përcakton profesor Jani Thomain si “një nga figurat më të shquara e më të rëndësishme të gjuhësisë shqiptare bashkëkohore, që me veprën e vet të shtrirë në disa fusha të mendimit teorik e të zbatimit praktik të ideve e të pikëpamjeve gjuhësore ka bërë emër dhe famë të madhe. Gjuhësia shqiptare atij i detyrohet për shumëçka, sidomos për veprat madhore në fushë të leksikologjisë, të frazeologjisë e të semasiologjisë... Është puna vetëmohuese e akademikut Jani Thomai me shokë, që gjuhësia shqiptare sot të ketë fjalorin normativ të gjuhës shqipe, të ketë fjalorin frazeologjik të gjuhës shqipe, fjalorin sinonimik dhe shumë vepra të tjera bazike për gjuhën e për kulturën tonë... Në qoftë se në gjuhë të tjera hartimi i fjalorëve të tillë bëhet nga komisione e redaksi me dhjetë e më shumë anëtarë, ne kemi fatin që kjo vepër ka dalë si fryt dhe cak i arritjeve të leksikologut e të frazeologut, tashmë dhe të frazeografit Jani Thomai”.
Prof. dr. Dhori Qiriazi, i Universitetit të Selanikut, e përcakton atë jo vetëm si “... gjuhëtar i përmasave të mëdha shkencore, por edhe njeri i një pune titanike. Ai mundi të hartojë fjalorin ballkanik dhe kjo është një arritje e suksesshme e gjuhësisë shqiptare. Është i pari fjalor për Ballkanin tonë, ku mungon komunikimi dhe pikërisht për këtë arësye ky fjalor duhet konsideruar një rast dialogimi”.
Prof. dr. Mustafa Ibrahimi, Universiteti i Europës Juglindore, Tetovë, i vlerëson studimet e shumta të prof. Jani Thomait si arritje, të cilat “...kontribuan që sot frazeologjia të vendoset në pozitë të rëndësishme dhe konsiderohet si një nga qëllimet themelore të studimeve leksikologjike, duke marrë formën e shkencës së rëndësishme e të vazhdueshme”.
Profesor Jani Thomai ka tërhequr vëmendjen edhe si njeri i mirë në jetën e përditshme, në marrëdhëniet shoqërore e familjare. I qetë, idealist i kulluar, i heshtur dhe tejet i thellë në vështrimin e tij hetues, ai është formatuar tashmë si një personalitet me peshë e njeri model në të gjitha pikëpamjet. Të gjithë ata që e njohin, e duan dhe e nderojnë si e meriton. Ish-studentët e tij kanë shumë dëshirë të takohen e të bisedojnë me të. Dhe të tillë ai ka në të katër anët e vendit, qofshin personalitete të larta politike e shtetërore, të letrave shqipe, të shkencës e të kulturës a mësues, publicistë e në detyra të tjera, që flasin me admirim për të.
Profesor Jani Thomai është i martuar me Gjenovefën, mësuese, tashti në pension. Kanë dy fëmijë: djali, Arbeni, ka studiuar për sociologji e diplomaci, tani është kancelar në Universitetin Jopublik “Justicia”. Vajza, Nevila, pasi u diplomua për gjuhë e civilizim francez, u vendos në Angli, e punësuar dhe me shtetësi angleze. Edhe ata ndoqën traditën e prindërve, duke u arsimuar dhe duke u futur në rrugën e kulturës. Profesori tash çlodhet e gëzohet me tre nipërit e me mbesën e vet. Bashkëshort i mirë, baba i dhimbsur, gjysh i dashur, kështu e njohin të vetët.
Ka dy vjet që profesori ka dalë në pension, por nuk i ka shkëputur lidhjet e tij të punës as me Akademinë e Shkencave, as me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, as me fakultetet filologjike në Universitetin e Tiranës, në Universitetin e Korçës etj., as me kolegët me të cilët bashkëpunon e mbi të gjitha as me vetë punën shkencore krijuese. Profesori punon vazhdimisht nga 8-10 orë në ditë në kabinetin e tij, ku ka ngritur edhe një bibliotekë funksionale e me pajisjet e nevojshme kompjuterike. Herë - herë shkon tek vajza në Angli, por edhe atje nuk shkëputet nga puna studimore. Dhe kështu do të jetë deri në fund të jetës….. Pos punës së zakonshme, ai bën edhe detyrën e rektorit të Universitetit Jopublik “Justicia” në Tiranë.
Për kontributin e tij të rëndësishëm, profesori është vlerësuar herë pas here me dekorata e tituj nderi. Në vitin 1984 dekorohet me “Çmimi i Republikës” i shkallës së dytë; në vitin 1985 merr “Urdhri Naim Frashëri” i klasit të parë.
Nderime të tilla ka pasur ai edhe në vendlindjen e vet. Shpesh ndodh që vendlindja të mos ua njohë mirë bijve të vet meritat dhe të mos u thurë kurorën e dafinave. Por me profesor Janin dhe Myzeqenë nuk ka ndodhur kështu. Përkundrazi, ai përbën një nga emblemat e rralla të kësaj treve, i vlerësuar dhe i ngulitur në vëmendjen e përhershme të saj. Jani Thomai është i vetmi akademik që ka dalë nga kjo krahinë dhe, si i tillë ai ka tërhequr përherë vëmendjen e këtij komuniteti. Në vitin 2001 Shoqata kulturore atdhetare “Myzeqeja” e vlerësoi atë me titullin “Nderi i Myzeqesë”,me motivacionin “Për veprimtari të shquar shkencore në fushën e gjuhës shqipe”. Në vitin 2008 u organizua për të një takim entuziast në komunën e Semanit, ku edhe u nderua me titullin “Nderi i komunës”. Kjo ditë ndoshta ka qenë edhe më e paharruara për profesorin, sepse ai u ndodh mes dashurisë së njerëzve të tij, që e pritën me adhurim. Vinin gra e burra të moshuar e të rinj para e pas ceremonisë dhe e takonin me nderim e me mall. Shumicën profesori nuk e mbante mend dhe i kujtonte nëpërmjet mbiemrit ose sipas ngjashmërisë së tipareve. Ata kishin mall e njëherazi krenari për birin e tyre. Edhe profesori atë ditë, më shumë se kurrë, ka ndier në shpirt shijen e baltës “më të ëmbël se mjalta”. Kjo dukej në sytë e tij, që gjithë kohën ishin të lagësht. Edhe zëri i dridhej lehtë nga emocione të papërmbajtura. Semani ishte për të “Akademia” më e lartë e shpirtit. Në mesin e saj ngrihej “kisha” e mallit ku, sapo të futeshe, shenjtëroheshe për jetë. Pikërisht në këtë “kishë” po futej profesori atë ditë dhe po ndizte “qirinjtë” e kujtimeve të tij. Në “dritën” e tyre ai shihte më shumë se kurrë të shkuarën e paharrueshme, shihte veten tek ai çun i vogël, që lozte e bridhte këmbëzbathur në çairet e blerta dhe në mezhdat e fushave, shihte të atin e të ëmën që venin e vinin duke u rropatur në punët e ditës, shihte filozofinë e këtyre dherave, që herë ktheheshin në baltë dimrash e herë në pluhur verërash. Dhe të gjitha këto e mallëngjenin profesorin më shumë se simpoziumet shkencore nëpër qytetet vezulluese të botës moderne.
Po këtë vit, me rastin e 100-vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe në Myzeqe, profesor Jani Thomai u nderua me titullin e lartë “Qytetar nderi” i Qarkut të Fierit”, me motivacionin “Për kontribute të shquara në fushën e gjuhësisë”. Ai është edhe laureat i “Penës së artë”.
Të tjera nderime e presin profesorin në vazhdim, sepse emri i tij tashmë është një rubin i shndritshëm në gjerdanin e arritjeve shkencore të popullit tonë. Dhe me të mburret jo vetëm Semani, jo vetëm Myzeqeja, por gjithë Shqipëria.
Tashmë ai i kapërceu 75 vjetët. Dhe në këtë thellësi moshe, kur i kërkohet një këshillë, ai thekson si të padyshimtë gjykimin e tij të vyer: “Unë gjykoj se edhe në moshën time, veç fjalës punë nuk do shtuar gjë tjetër”.
Dhe vërtet, përpara se të mendojmë meritat e një njeriu, duhet të përfytyrojmë punën e tij titanike. I tillë është akademiku ynë Jani Thomai. Ai mund të quhet bir i vërtetë i punës.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi