Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Teki Dervishi:Opozita le të përballet me “neutralitetin” e EULEX-it

Shko poshtë

Teki Dervishi:Opozita le të përballet me “neutralitetin” e EULEX-it Empty Teki Dervishi:Opozita le të përballet me “neutralitetin” e EULEX-it

Mesazh nga Agim Gashi Mon Mar 23, 2009 2:41 pm

Opozita le të përballet me “neutralitetin” e EULEX-it

Teki Dërvishi


Pse edhe sot është e përçarë provenienca politike? Pse çdo opozitë fajëson çdo pushtet në vijim për situatën? Kundërshtimi që mund t’u bëhet sfidave “ndërkombëtare”, që zbatojnë qe 10 vjet ligjet e shtetit të Serbisë në Kosovë, mund të jenë vetëm përballje virtuale, asgjë më shumë. Me çfarë mjetesh mund t’i kundërvihet Qeveria faktoritetit ushtarak-policor dhe administrativ ndërkombëtar në “rastet” kur ky shkel Kushtetutën? Qeveria nuk ka faktoritet para ndërkombëtarëve, por ka vetëm ekskluzivitet politik. Pra ekziston pushteti ndërkombëtar, dhe opozitë e tij do të duhej të ishin edhe opozita, edhe pozita e pushtetit politik të Kosovës. Pse opozita sot kërkon që këtë përballje me ndërkombëtarët ta bëjë Qeveria, Qeveria të bëhet opozitë e ndërkombëtarëve, kurse opozita vendëse t’i bëhet opozitë Qeverisë. Kjo është hipokrizi e pastër!
Çka do të ndodhte po të konfrontohej Qeveria me faktoritetin real ndërkombëtar, siç e këshillon opozita, duke kërkuar prej saj përgjegjësi “për mosshtrirjen e autoritetit vendës në pjesën veriore të Kosovës”? Do të kurdistanizohej dhe palestinizohej Kosova. Nëse jemi kaq të pacipë ose edhe injorantë, që fajin pse sot është e ndarë Kosova t’ia ngarkojmë Qeverisë aktuale, atëherë ne harrojmë proceset politike që na kanë sjellë deri këtu, dhe e përjashtojmë veten nga proceset ku ishte e implikuar e gjithë provenienca politike shqiptare. Ndarja e Kosovës nuk ka ndodhur para një viti kur u formua Qeveria e sotme!
Në vitin 1999, UNMIK-u e gjeti Kosovën me skenën e përçarë politike deri në shkallën parapolitike të tipit kolumbian. Kështu është edhe sot! Edhe pse më 1999 ende as që kishte dalë kërkesë për status shtetëror të Kosovës, liderata shqiptare e përçarë në dhjetëra parti, filloi luftën e egër për pushtet. Për pushtet të një “vendi” që ende nuk ishte shtet, ose ishte ”de facto” shtet. Kush do të duhej që atëherë “de facto”-n ta shndërronte në “de jure”, që luftëtarët për pushtet të merrnin pushtet juridik, e jo politik? Shqiptarët nuk u bënë opozitë e UNMIK-ut, por u bënë opozitë e njëri-tjetrit, duke ndërruar kështu “pushtetet” fiktive politike.
Përçarja e shqiptarëve bëri që UNMIK-u (Serbia) ta shfrytëzojë si terren të gatshëm për ta nisur fushatën politike-policore akulturizuese kundër shqiptarëve, ta inkriminonte lëvizjen paqësore (të Rugovës) dhe atë ushtarake (të Adem Jasharit) për pavarësinë e Kosovës. Projekti i LDK-së dhe UÇK-së (PDK) ishte nacional. Pikërisht pse ishte i tillë, UNMIK-u e shkatërroi LDK-në, e demoblizoi dhe e defaktorizoi UÇK-në, duke i faktorizuar në skenën politike të Kosovës ithtarët e proklamuar të “demokratizimit të Serbisë” që “evropizimin” e Serbisë e shihnin si shans për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. UNMIK-u punoi me OJQ-të, e jo me LDK-në, as PDK-në! Fushata akulturizuese e UNMIK-ut zbatoi me strategji perfide leniniste të OKB-së projektin e Milosheviqit për Kosovën. Këtë projekt UNMIK-u e realizoi me instrumente politike administrative, pasi kishte dështuar ofensiva policore-ushtarake e Milosheviqit. Atyre që ende nuk besojnë se UNMIK-u zbatoi projektin serb mbi Kosovën, u them se as Milosheviqi nuk do të guxonte të ushtronte gjenocid fizik mbi shqiptarët pa një marrëveshje unilaterale ndërkombëtare, për ç’arsye ndryshe do të negocionte me Milosheviqin “ndërprerjen e ofensivës” në Kosovë pikërisht me Çernomirdinin dhe Ahtisarin?

Në marrëdhënie me UNMIK-un (që sot ka vënë “ombrellë” mbi EULEX-in) institucionet dhjetë vjet “të përkohshme” zyrtare (pa shtet sovran) të Kosovës, që nga Parlamenti e deri te Qeveria, nuk kishin ndonjë akreditiv autoriteti vendimmarrës, kështu që pozita nuk kish gjë në dorë më shumë seç kishte opozita. Mbartjet e pushtetit opozitë-pozitë për 10 vjet me radhë konstruktoheshin nga OSBE-ja në atë mënyrë që asnjë parti politike të mos vinte në “pushtet” nëse kishte fizionomi dhe filozofi të mëvetshme politike, por do të vinin në “pushtet” ata që do të “shërbeheshin” me filozofinë politike të UNMIK-ut. Prandaj institucionet karakterizoheshin “të përkohshme” në fazën, si thoshin, të “konsolidimit” të tyre. Konsolidimi në realitet ishte zhvillimi dhe zbatimi i fushatës akulturizuese antishqiptare që udhëhiqte UNMIK-u me projektin rus të Këshillit të Sigurimit. Kur përsërisim sintagmën “status quo”, mbase dëshmojmë se situata politike në Kosovë nuk ka ndryshuar 10 vjet asnjë fije edhe pas aprovimit të Kushtetutës edhe pas pranimit të shtetit të Kosovës nga 56 shtetet më të rëndësishme botërore. As nuk do të ndryshojë derisa të ketë përçarje brendashqiptare.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi