Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gani Bytyçi:Autoanalizë- tregim

Shko poshtë

Gani Bytyçi:Autoanalizë- tregim Empty Gani Bytyçi:Autoanalizë- tregim

Mesazh nga Agim Gashi Mon Mar 23, 2009 2:59 pm

AUTOANALIZË

Tregimi i “Botës sot”
Gani Bytyçi:Autoanalizë- tregim Sh_b

Gani Bytyçi:Autoanalizë- tregim MMM%20Ilustr%20treg

Pikësëpari pse me kaq shumë vonesë në takim?
Thjesht, nuk doja të shkoja fare në takim.
Pse nuk doje të shkoje në takim?
Nga frika.
Frikë nga se?
Frikë nga bezdisja apo frikë nga mundësia që të zbulohem. Frikë nga mundësia që të më shohin ashtu siç jam në të vërtetë. Jo, jo, kjo nuk është përgjigjja. E di çfarë jam dhe jam ajo që e di. Atëherë për ç`arsye gjithë kjo vonesë në takim? Nuk e di fare. Sinqerisht nuk e di pse. Por megjithatë do të shkoj në takim. Do të shkoj në takim edhe pse me shumë vonesë. Në të vërtetë me këtë vonesë shpresoja se do ta shtyja takimin. Së paku për ndonjë ditë. Pasi që isha vonuar mbi 40 minuta, mendoja që zoti Flok do të ketë marrë pacient tjetër dhe mua do të më jepte takim për javën e ardhshme, në mos jo edhe më vonë. Por jo, nuk ndodhi kështu. Zoti Flok krejt i qetë më tha se takimi do të mbahet. Oh, sa ngushtë që jam ndier. Sikur të isha zënë keq në një kurth. Apo sikur të kisha rënë në një humnerë. Kisha përshtypjen se zoti Flok e kishte parandjerë reagimin tim. M`u bë sikur ai e dinte që më parë se unë do të shkoja me aq vonesë në takim, ishte përgatitur dhe kishte vepruar në mënyrë krejt të kundërt nga ajo që unë kisha shpresuar. Vërtet jam ndier tepër ngushtë, kur ai më ka thënë se takimi do të mbahet, ngase unë nuk isha përgatitur për këtë apo më saktë isha përgatitur për diçka krejt tjetër. Megjithatë, ai kishte vendosur që takimi të mbahej. Dhe ai u bë. Atëherë si ka qenë biseda, si kam qenë unë? Biseda ishte e nderë, e rëndë dhe here-herë dramatike. Ndërkaq unë isha e humbur, nervoze dhe tepër e frikësuar. Së paku së brendshmi ndjehesha e tillë. Më bëhej se në çdo çast diçka mund të thyhej brenda meje. Por nuk doja assesi që zoti Flok ta kuptonte këtë. E kam evituar edhe të pijë cigare, edhe pse për këtë kisha shumë dëshirë dhe nevojë. Doja që zotit Flok t`i krijoja iluzionin se isha shumë e qetë dhe shumë e sigurt në vetvete. Por, sidoqoftë jam e bindur se kjo nuk ka funksionuar. Dhe nuk ka funksionuar për arsyen e thjeshtë që zoti Flok vepronte në mënyrë të kundërt me atë që unë prisja nga ai, ngase ai e hidhte bisedën krejt befas, atje ku unë nuk e prisja fare. Në një moment të caktuar më bëhet se kemi biseduar për atë më të keqen që më ka ndodhur dhe për abortin si dhe rreth ndihmës që e kam pasur ose nuk e kam pasur me atë rast. Oh, sa më shkakton dhembje ajo hata tani që është bërë e ditur nga të gjithë. Është bërë publike. Sa do të doja që atë të ligë ta përpinte toka, në atë mënyrë që edhe unë vetë ta harroja përgjithmonë. Në atë moment për pak sa nuk kam zënë të qaj. Të qaj për të vetmen arsye, ngase nuk kisha pranë njeri timin, mu ashtu siç kisha qenë e vetmuar atëherë kur më përpiu e liga dhe në këtë gjendje vetja më dukej krejt e zbrazët, e pafuqishme, e vetmuar dhe e humbur, sikur të kisha tretur në një planet tjetër. Sa do të dëshiroja që ta kisha pranë babain tim në ato momente të tmerrshme për mua. Nga ana tjetër gati edhe e kam trathtuar projektin tim, projektin që e mbaj tepër sekret. E mbi të gjitha për pak sa nuk e kam trathtuar fshehtësinë e babait. Oh, babai im i dashur, pse ma zbulove atë fshehtësi të mallkuar, pse më zgjodhe pikërisht mua që të më tregoje se i kishe ditët e numëruara. Ndër të tjera më bëhet se me zotin Flok kemi biseduar edhe për mbrëmjen me miqtë e vëllait tim. Më saktë do të thosha me bashkëpunëtorët e tij. Pastaj kemi biseduar për vikendin e ardhshëm me miqtë e mi, ku unë do të luaja rolin e vajzës së mirë, plot gjallëri, entusiazëm e gjepura të tjera. Më bëhet se kemi biseduar edhe për situatën time të papunë. E pastaj... Pastaj kemi biseduar për Viktorin. Ah, Viktori im! Më duhet të them se gjatë bisedës, për të mos thënë fare, nuk flasim shumë për Viktorin. E çuditshme apo jo? Atje ndodhem për shkak të tij... Jo, jo, për fajin e tij të pafaj dhe ne nuk flasim për të. Dhe nëse ne nuk flasim për Viktorin, është se unë nuk dua që të flasim për të. Dhe kjo më duket krejt normale apo jo? Ngase sikur unë të doja që të flisnim për të, atëherë do ta sillnim bisedën dhe Viktorin do ta bënim temë bisede. Atëherë çfarë më mban në të vërtetë që të mos flasim për të, kur ai përherë është i pranishëm në mëndimet e mia. Ndërkaq unë e evitoj që të flasim për të. Nuk e di fare. Në të vërtetë e di. Nuk dua që, duke e kthyer në bisedën tonë, ta fajësojmë pa të drejtë atë. Dua që imazhi që kam për të, të mbetet ai që është, ai i vërteti. Nuk dua që të bëj një gabim dhe padrejtësi ndaj Viktorit, të tilla çfarë bëjmë shumë shpesh, kur flasim për njerëzit, duke iu vënë atyre shpesh maska që nuk janë të tyre. Dhe këtë assesi nuk dua ta bëj, së paku, me Viktorin. Dua që ai të mbetet i paprekshëm, ashtu siç ishte gjithherë. Por nëse domosdoshmërisht duhet të them diçka për të, atëherë do të thosha se Viktorin e kam dashur, e dua edhe tani dhe do ta dua përgjithmonë. Nëse do të ju hyjë në punë, do të shtoja se edhe ai më ka dashur. E di, e di, ju do të thoshit se nëse ai më ka dashur, atëherë pse ai më la në çastin më të vështirë!? Por nuk është ashtu. Viktori nuk më ka lënë dhe nuk do të më linte kurrë. Unë vetë nuk desha që atë ta bëj pjesë të fatkeqësisë sime. Thjesht, nuk desha që ta dyfishoja fatkeqësinë. Desha që gjithë peshën e saj ta bart vetë. Ju nuk e kuptoni këtë.
Pastaj zoti Flok përpiqet të më bëjë t`i kuptoj dhe t`i pranoj si të tilla disa situata, që thënë të drejtën, jo vetëm që nuk më pëlqejnë fare, por më duken krejt absurde. Fjala vjen, të thuhet se e tëra kjo është pasojë e ndërprerjes së një lidhjeje, është tërësisht idiote. Për më tepër kur Viktori kurrë në jetë nuk do ta pranonte ndërprerjen e lidhjes sonë. Atëherë ku synon të arrij vërtet zoti Flok? Kur i kam thënë atij se jam krejt e sigurt që mund ta lë kokën në duart e Viktorit, çfarë më është përgjigjur ai: se unë mund të bëja këtë dhe shumëçka tjetër për Viktorin. E ndër të tjera edhe abortin. Më në fund e tëra kjo është veç një absurd krejt idiotesk. Atëherë nuk ka asnjë kuptim që të shkoj në atë takim. Të shkoj atje e të flas për problemet e mia me dikë që nuk e njoh fare. Vërtet nuk ka asnjë kuptim, për të mos thënë se është krejt marrëzi. Nëse më duhet gjithsesi që të shkoj, atëherë më duhet që të ndërroj strategjinë. Të pranoj se ky është një rol, që më duhet ta luaj me përpikëri dhe në mënyrë të disiplinuar. Në të kundërtën, do të eksplodoj, ngase nganjëherë ka pyetje aq depërtuese dhe fjali të tilla që zoti Flok i hedh me saktësi kronometrike për të arritur qëllimin e tij dhe më e keqja për mua është se ai tërë këtë e bën në mënyrë shumë të vetëdijshme dhe precize. Ai përherë e di se ç`fjalë duhet thënë për të më bërë nervoze dhe për të më nxjerrë të tërën nga vetja ime. Ah, sa shumë më bën nervoze. Por unë e di që zoti Flok është duke sprovuar që të më nxjerrë nga këndi im pa i sulmuar njerëzit që i dua, pa i sulmuar prindërit, apo këdo tjetër. Dhe nëse ai arrin që të më nxjerrë nga këndi im, do të thotë se ka fituar, se ka arritur të nxjerrë një tjetër reaksion nga ai që doja t`i jepja unë. Në një moment më bëhet se arrita të krijoj një epërsi të dukshme dhe jam shumë e sigurt se ai e kuptoi menjëherë këtë, ngase në vazhdim ai e ndërroi temën. Së paku më duket ashtu. Apo ndoshta edhe unë vetë e kam ndërruar temën. Dhe gjatë kësaj bisede, siç thashë, për pak sa nuk e kam trathtuar sekretin e babait dhe projektin tim. Është e çuditshme se kur zoti Flok më ka pyetur nëse projekti im është i lidhur me vetëvrasjen dhe kur unë i jam përgjigjur se projekti nuk ka të bëjë me atë, ai është stepur, është ngrirë dhe për një çast nuk ka njxerrë as një të vetmen fjalë. Atëherë padashje më vjen pyetja se përse zoti Flok, doktor Boneti apo njerëz të tjerë provojnë të shpëtojnë njerëz që nuk dëshirojnë të shpëtohen. Dhe kjo më bën edhe më të vendosur në projektin tim, që do të thotë në idenë për vetëvrasje. Dhe që këtë herë atë ta bëj vërtet si duhet, në atë mënyrë që të mos dështoj. Të vetëvritem me medikamente apo këtë ta bëj me varje. Ah, kjo e dyta nuk është edhe ide e keqe. Në të vërtetë, në vetvete, ajo është mjaft radikale. Është radikale nëse arrijmë që atë ta shpiem deri në fund, ngase përherë gjenden të tillë që të pengojnë në këtë drejtim. Oh, vërtet nuk më pëlqen fare kjo bisedë, qoftë me doktor Bonetin apo me zotin Flok. Por nëse kjo është e domosdoshme, atëherë do të zgjidhja që të bisedoja me doktor Bonetin, ngase ai nuk më bën të humbas kohën time. Ndërkaq që zoti Flok, kam përshtypjen se më njeh të tërën. Më bëhet se ai më lexon ashtu siç lexojmë një libër dhe kjo më bën shumë nervoze e më bezdis së tepërmi. Atëherë më duhet që unë të zgjedh kapitujt e lektyrës së tij. Dhe për këta kapituj mua më duhet ndërtuar një rol. Një rol që unë duhet ta luaj, në të kundërtën do të eksplodoj. Oh, kam frikë. Frikë për atë që mund të them, për atë që mund të bëj. Kam frikë nga gjithëçka. Oh, jo, jo, nuk do të shkoj në takim këtë herë. Më bëhet tepër për këtë vikend. S`di pse pandërprerë më sillet në mendje një paradoks. Njerëzit që kanë humbur gjithë shëndetin dhe ndodhen në prag të vdekjes, përpiqen me çdo kusht që atë ta shtyjnë për disa minuta, disa orë, disa ditë. Ndërkaq të tjerë që shëndetin e kanë top fare, dëshirojnë me çdo kusht që t`i japin lamtumirën kësaj bote . Po unë, a thua vërtet dëshiroj të vdes. Sa do të doja të dija nëse zoti Flok e doktor Boneti e kanë përgjigjen në këto pyetje. Por ja që unë nuk kam të drejtë t`ua shtroj këtë pyetje, ngase kjo do të prishte rendin e gjërave në shoqërinë që jetojmë. Sepse doktor Boneti e zoti Flok do të thoshin se jetojmë në një shoqëri të organizuar mirë, ku secili ka rolin e vet. Shoqëria ka sisteme, institucione e mekanizma e ndër të tjera edhe sistemin e shëndetësisë, që do të thotë se shoqëria merret me përkujdesjen ndaj shëndetit fizik e psiklogjik të qytetarëve të saj dhe me shërimin eventual të atyre që vuajnë nga ndonjë sëmundje. Atëherë sikur unë të kisha një rol tjetër, rolin që së paku do të më lejonte që të parashtroja pyetje, do t`i pyesja doktor Bonetin dhe zotin Flok se mos do të ishte më logjike sikur shoqëria të përkujdesej që të mos i lëndonte, të mos i sëmurte qytetarët e saj, se kjo po ngjan sikur ajo po riparon dëmtimet të cilat i ka shkaktuar ajo vetë mbi qytetarët e saj, sikur ajo po shëron njerëzit që vetë i ka sëmurur. Por unë nuk kam të drejtë të shtroj pyetje e aq më pak pyetje të tilla, sepse kjo nuk është parashikuar në skenarin e rolit tim. Atëherë përfundimisht nuk do të shkoj në takim këtë here, por gjithçka le të mbetet për një herë tjetër. Tani kam nevojë për vetveten. Kam nevojë për vetminë time. Kam nevojë për qetësinë, nëse ajo ekziston. Qetësinë e përjetshme.
Gani BYTYÇI
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi