Edmon Shallvari:Virusi nga Galaktika e Amazoneve(Tregim)
Faqja 1 e 1
Edmon Shallvari:Virusi nga Galaktika e Amazoneve(Tregim)
Edmon Shallvari:Virusi nga Galaktika e Amazoneve(Tregim)
Herën e parë të shfaqjes, e mora për virus linjash internetike dhe klikova x-në, por ai pas asaj here u bë i përditshëm, duke më besdisur pas çdo hapje të internetit në laptopin tim. Pyeta djalin që ja di më shumë hiletë kësaj pune, por ai të njëjtën gjë më tha të bëja në klikim, me një ngritje mosditëse e më tepër çuditëse supesh, për llojin e panjohur të virusit.
Me sa duket zhvillimi i shkencës krijoka dhe premisat e viruseve që e sëmurkan atë. Arma dhe kundërarma, zhvillimi dhe frenimi, me një fjalë, e mira dhe e keqja.
Zanafilla?
Pafundësia.
Në realitet e fantazi, në dukshmëri e padukshmëri, në qenie e mosqenie. Për besimtarët, në Zot e anti Zot, engjëj e djaj, për të kundërtit , në materie a antimaterie.
Për mua? Shshsht! Ç'rëndësi ka?
Apo ta them? Po ta them do t'ju besdis me filozofirat e mia.
Shkurt?
Kë quani shkurt që ta di? E rëna shkurt në disa raste s'të çon kurrë aty ku do, nëse në mes ndesh një greminë. Po, po, jo vetëm greminë reale siç njihet ajo poshtë majës së një shkëmbi malor, por edhe gremina e logjikës, kur ndodhesh para enigmave të mosnjohjes.
Pra, as shkurt, as gjatë, them që besoj në kundërtia e mirë e krijimit, pas të cilës krijohen skarcitetet e kundërtive të tjera të papajtueshme. Kush më kupton, mirë, kush jo, le mos më ndjekë më tej.
"Ç'u bë me virusin?", dëgjova një zë pyetës.
Për aty u nisa, vazhdova e po mbrij tani.
Si qenie që më pëlqen të stonoj ndaj rregullave absurde (e theksoj, absurde), vendosa një ditë, që në vend të x-së shuarëse të çastit, të klikoja OK-in, duke menduar që pas kësaj ekziston një fund mbyllës, njëherë e mirë. Në qoftë virus i paktë në rrezikshmëri, e shumta e së keqes s'do jetë më e madhe se besdija shfaqëse në çdo hapje të laptopit. Por, edhe në qoftë i tmerrshëm, masat i kisha marë më parë, duke mos lënë shkrim pa e magazinuar nëpër letër formati e sidira.
Pra, një tak i guximshëm në buton më erdhi atë çast mëngjesor dhe...
Ekrani u kthye në një copë shumëngjyrshe universi, siç shikojmë nëpër fotot teleskopike të hapësirës kozmike. Sfondi i errët bënte të shquheshin më shumë nuancat e blusë, portokallisë, kuqëremtes, të verdhës në banane, të portokalltës, apo më saktë, të mandarintës dhe tek-tuk shkëndija bardhuese, si yjet e një nate qiellore të patrazuar nga retë.
Lehtësova ankthin e frymëmarrjes me shtesën e kuriozitetit për më tej. Nuk po më dilte asnjë lloj shenje, numur apo gërmë qoftë, për të mundur klikimin. Pamja statike m'u duk sikur filloi lëvizjen, por kjo, mendova, është thjesht efekt iluzionar e optik i syrit, për shkak të ngjyrave. Jo pak herë ndodhin këto efekte nga kombinime figurash të ndryshme. Largova sytë për qetësim të shikimit dhe me ngadalë lëviza kokën për t'u bindur tek statikja dhe jo iluzioni, por...
Aman me këto efekte pikash në fund të mendimeve të pambaruara, sikur do të tërheqësh vëmendjen e të tjerëve! Thuaje ç'ke për të thënë, se sot këto efekte s'të pinë aq ujë. Tjetri do sa më parë të arrijë fundin, ti vazhdon akoma me fillimin. Padurimi sot i ka bërë njerëzit nevrastenikë, prandaj në s'do hedhjen tutje të librit tënd, apo klikun mbyllës të faqes tënde në internet, shpejto fundin.
E jo kështu de! Dashkeni t'i dalë fjala Frojdit për nevrasteninë e shoqërisë njerëzore në të ardhmen? Nëse kjo po ndodh vërtet për sa e sa arsye të arsyeshme, mos e shtojmë dhe me arsye të tjera të paarsyeshme. Ku ka më mirë t'i largohesh nevrastenisë që lind halli i përditshëm, duke shëtitur librave. Nëse e bëjmë dhe librin burim nevrastenie, pse s'thoni që paskemi mbaruar si qenie të ndërgjegjshme? Pra, më lini të besoj, qoftë dhe nga dëshira ime e mirë, tek durimi dhe dëshira njerëzore për lexim. Mos e bëjmë që dhe në kundërtinë mes tyre, të fitojë padurimi. Boll anë të kundërtash negative kemi bërë për motiv jete, edhe padurimi nevrastenik na mungon tani.
Pra, vazhdojmë kështu siç e nisa. Keni për të parë, që dhe më i paduruari në fillim, do të rikthehet, e pakta një herë, për rilexim.
Nuk ishte pra efekt iluzionar e optik ngjyrash. Ishte vërtet lëvizje. Një lëvizje joshëse nuancash ndriçimesh, që sikur të përpinin mes tyre, duke mos e ndjerë veten realitetit tokësor. Klikova aty ku më ngacmoi më shumë kontrasti i një ylli, si refleksi shkëlqyes i gurit të diamantë, kur...
Oh, prapë me pika!
Mos u mërzitni. Si ju tani, isha dhe unë atë çast shikimi. Mbeta ja kështu, siç mbetesh i ndaluar nga këto pika këtu. Enigmatik, për aq sa zgjatin dhe këto pika. Sepse njëlloj me mua dua të ndjeni dhe ju të njëjtën ndjesi enigme. Aq ishte dhe ajo në kohë, sa koha e këtyre pikave.
Nuancat ngacmuese po humbnin, në të kundërt me madhimin e trupit qiellor. Ai po më afrohej mua, apo unë atij? Mbase të dy njeri-tjetrit. Atë çast më dukej vetja mes trupash qiellorë të pafuqishëm për të më tërhequr drejt tyre. I fuqishmi i vetëm ishte ai yll, që po merrte madhësinë e Hënës së plotë dhe pas pak sekondash do t'ja kalonte shumëfish asaj.
Jo, nuk isha Adami i Evës së Edenit, as Herkuli mes amazoneve, as Parisi bukurosh i Helenës së Trojës, as Odisea i magjikuar nga Circja, as kush-i tjetër nga dikushët e tjerë tokësorë, pas të cilit kanë lënë e mund të lenë mentë e kokës e ndjenjat e shpirtit, më të bukurat femra të planetit.
Isha unë, ja ky që jam tani, më i zakonshmi se të zakonshmit, më i padallueshmi për ndonjë bukuri mes të padallueshmëve të tjerë, me më pak dallueshmëri mes të dallueshmëve të tjerë në krijimtari.
Por ndërsa s'isha unë as njeri e as tjetri nga ata më lart, ajo që u shfaq e vetme hapësirës së re planetare, ishte çdo njera e atyre më lart, në një ekzistencë të vetme të saj.
Ishte tokësorja e hyjnisuar, apo hyjnia e tokësuar?
Jo, nuk kishte krahët e engjëjve të fantazisë njerëzore. E megjithatë, ishte mbi çdo fantazi bukurie.
Afroviti duhet të marë pamjen e saj, Erosi shpirtin dhe ndjenjat e saj.
Dhe, kjo bukuri e shpirt i tillë, çuditërisht përpara meje. Dhe, ky normali i papretendent ndaj të paarritshmes, përballë saj.
Nga hutimi lëviza kokën në tre përmasat e tjera të hapësirës sime, majtas, djathtas e prapa, por askush tjetër i meritueshëm për atë femër, nuk ekzistonte. Atëhere ndodhi goditja e parë dridhëse në trup, që më mblodhi lëngun e gojës në grykë, duke filluar shpejt tharrjen e tij. Tharrja me sa dukej po ndodhte nga rryma e fortë e ajrit thithës e nxjerrës. Zemra ndihmonte e harlisur gjithçka të shpejtuar tej normales në trupin tim. Unë u lëshova kënaqshëm, në efektet valore të qenies së re, të posa shfaqur në planetin e ri të universit.
Nga buzët e saj filloi dalja e një fjolle drite, e cila shndërohej në gërmat e kuptueshme të gjuhës sime. Më vinte ta thithja e përpija atë fjollë dehëse.
Kisha hyrë në galaktikën e Amazoneve.
E pabesueshme. U tremba. Unë e dija të fshehtën e tmerrshme të tyre dhe aq më tepër dija veten time jo herkuliane, për t'i shpëtuar grackës ku rrashë. E pamundur të lëvizja, të ikja me vrap. Dora s'më bindej në klikim. Legjenda e bukur po më kthehej në tmerrin e ferit. Nga e klikova atë virus vetvrasës!
Pra, ajo legjendë ishte thjesht një gënjeshtër, një dëshirë e tokësorëve meshkuj për triumfin e tyre ndaj botës së femrave. Qofshin ato dhe më trullosëset e shpirtit mashkullor. Dhe ne, të pafuqishmit e zakonshëm, kishim krijuar mbiveten tonë në bukurinë dhe forcën e një Herkuli, ndryshe edhe sot e kësaj dite do ishim viktima të epshit vrasës së femrës.
Oh, jo, e pamundur kjo përmbysje legjende diku larg, shumë larg, hapësirës së universit.
Po sikur mos jetë legjendë? Po sikur nga diku larg, ato amazone të marra luftarake t'i jenë sulur tokës sime për ta amazonuar atë? Po sikur dikur, unë qullashi i sotëm, të kem qenë Herkuli trim dhe i zgjuar, që ja u prisha planin antimashkullor? Me këto sikur-e, pse s'them që qenkam i mbaruar sot?
Kështu mendoja atë çast me shpejtësinë e mendjes sime, por shpejtësia e të folurës së Amazones ishte më e shpejtë dhe falë kësaj, sikur-et e mia u kthyen në të kundërt. Me tokësoret asgjë s'e lidhte veç emrit dhe legjendës së shkuar. Me një ndryshim, ama. Ndërsa për tokësorët meshkuj ajo mbetej një legjendë argëtuese e mburëse ndaj femrës, për të ajo ishte më shumë se një tragjedi e krenari bashkë, deri në keqardhje e përçmim për prapambetjen e mashkullitetit tonë.
Po ç'lidhje kishim ne tokësorët me planetin e amazoneve?
Këtë enigmë Amazonia ma la mua për ta zgjidhur. Unë e ndaj sot me ju.
Fillova të qetësohem e rikthehem ndjesisë së fillimtë drithëruese. Amazonia sa kishte marë pamjen e Evas së Edenit.
Nga e di unë pamjen e vërtetë të Evas?
Atë çast më mjaftonte ajo pamje trullosëse e lakuriqësisë së Amazones, që idenë për Evan ma dha vetëm nga forma e gjethes fshehëse, të pjesës më joshëse të seksit të saj. Ç'kujtonte kjo Amazone e shndruar në Evë, mos kishte përballë Herkulin e Adamuar për ta zotëruar më kollaj? Apo e zhgënjyer nga qullësia ime e mëparshme, preferoi tjetërsimin Evor të saj, para dobësisë së Adamit tim? Kot e vrisja aq mendjen. Po ç'ti bëja egos së mashkullit dhe unë. Në fund të fundit unë e dija të vërtetën e mollës, kështu që s'mund të bija në gafën e dytë kafshuese të saj. Përsëri më kot vazhdoja me ankthin e legjendës së mollës, pasi përreth Amazones - Evë, asnjë pemë molle nuk ndodhej.
Se mos ndodhej vetë Edeni?
Po ç'ishte atëhere?
Eeeh, të vetkënaqurit ne, që kemi krijuar sipas tokësores qielloren, s'e dimë sa larg saj jemi! Ne s'paskemi marë as pikën e grimcës së bukurisë qiellore, për fantazinë e parajsës sonë. Mbledhim në një hapësirë të tokës më të bukurën e ujvarave dhe oazeve mes shkretëtirave, të pemëve e luleve, të ngjyrave të qiellit e rrezeve të diellit dhe themi, "Ja kjo është parajsa e ardhshme e shpirtit", duke përrallëzuar realen e ekzistencës së trupit tonë. Ne e kemi këtë reale jashtë përrallëzimit, para syve tanë dhe në vend ta gëzojmë më parë tani me trupin e shpirtin tonë, e masakrojmë çdo ditë atë, duke menduar se do krijohet përsëri diku e dikur për shpirtin tonë të përjetshëm. Kërkojmë të ardhmen e ekzistencës në ajo që s'e dimë, pa shijuar atë që njohim dhe dimë sot.
Ç'pata kështu?
Po ja kështu më erdhën mendimet, tek shikoja pamjen e planetit të Amazones - Evë. Aty nuk ishte parajsa e shpirtrave, por e amazoneve të vërteta. Gjithçka e dukshme në natyrshmërinë e natyrës dhe të botës amazonëse.
Po amazonët ku ishin?
Sikur të më kuptonte pyetjen e pathënë, por të menduar, fjolla folëse e Evas amazonese formoi në ekran vetëm fjalën dygërmëshe përgjigjëse, "JU".
Ne? Kush ne? Domethënë ne meshkujt e Tokës? Domethënë dhe unë?
Pyetje varg po bëja me zë e pa zë mes befasisë së përgjigjes, hutimit dhe ngacmimit ndjesor aty ku s'më kishte ndodhur më parë, veç se nga e dashura ime. Mos ishte gjë përsëri loja e mollës, por në padukshmërinë shfaqëse të saj? Sa do desha të kisha aftësinë shikuese të Adamit, por me njohjen e sotme për atë mollë të mallkuar. Ç'kërkoja Adamin, para një Eve pa mollë në dorë? E megjithatë ajo po ndodhte, ashtu si në Eden.
Po kafshonte mollën e padukshme të Evas së dukshme, Adami i padukshëm brenda meje.
Gjethja e rënë poshtë, vesoi nga lëngu i jetës.
Tashmë virusi më kishte bërë më të frikshëm e më joshës. Frikshmëria më ndalonte disa çaste para tij, me nxitjen e logjikës për të klikuar në x-ja fshirëse, por mes atyre çasteve, një tjetër nxitje e brendshme më e fuqishme se e para krijohej, duke triumfuar pas pak me klikimin e Ok-it.
Pamja e parë e galaktikës amazonese, fillonte dhe drithërimën e parë të trupit, që tani e dinte ç'e priste më tej. Amazona shfaqej më e afërt, më bindëse, më joshëse.
Po unë?
Jo më pak se ajo.
Ç'po ndodhte kështu me mua? Kaq shpejt ishte tjetërsuar vetja ime në pacënueshmërinë e saj të mëparshme? Ku ishte i padhëni dhe i pajoshuri më parë ndaj Evave të tokës? Kë Adam mund të justifikoja tani pas naivit të parë? As vetja s'do më besonte, jo më pastaj amazona ime e Tokës, e vetmja Evë e pamëkatueshme në jetën e saj dhe timen. I vetmι mëkat toni, ishte ai mes nesh.
Po tani, ç'demon u zgjua nga skutat e heshtura të qenies sime?
U zgjua? Pse, ekzistonte i fjetur tek mua? Apo më intereson kjo ekzistencë e brendshme e demonit, për justifikimin e një zgjimi të papritur të tij?
Mos ishte ajo Amazone, shembëlltyra e tjetërsuar femërore e demonit tim? Në qoftë kështu, unë duhet të jem shembëlltyra e tjetërsuar mashkullore e demonit të saj. Vetëm kështu mund të ndjehem i ngushëlluar në qenësinë time të patjetërsueshme. Dhe të pamëkatueshme, sigurisht.
Si? Kështu po i laj duart mëkatare si Pilati në gjykimin e Krishtit?
Jo, jooo!
Unë jam i dyzuari në një, jam i tjetërsueshmi dhe i patjetërsueshmi njëkohësisht.
Amazona sa kishte larguar nga vetja Evan e Edenit. Bashkë me Evan iku dhe Adami im.
Mora frymë thellë, si për të larguar bashkë me të, mundimin e mëparshëm.
Kaq paska qenë loja e virusit. Shyqyr me kaq.
"Bëj tani një kafe dhe qetësohu!", i kërkova vetes, në pritje të daljes së x-së për ta klikuar. Por, edhe ideja e kafesë u zhduk, para Amazones të Helenuar. Nuk ju besova më syve. As mendjes, as shpirtit tim. Me siguri nuk isha unë atë çast. S'kam qenë kurrë kaq i hutuar para pamjeve femërore, veç çastit të parë hutimor, para syve të së dashurës sime. Kam besuar në të papërsëritshmen e atij çasti. Dhe para Amazones-Helenë isha me atë besim.
Domethënë?
Domethënë që ai çast i papërsëritshëm po më ndodhte prapë për herë të parë.
Mos qeshni. Besomëni. Mjafon t'ju them që bashkë me Helenimin e Amazones, po ndodhte dhe Parisimi im. Dhe bashkë me çmendurinë tonë të parë dhe djegia e Trojës sime, Tokës sime. Amazonet s'mund të lejonin shkeljen e harmonisë së galaktikës së tyre nga një tokësor.
Këtë rradhë nga goja e Amazones-Helenë, fjolla formësoi gërmat e zjarrta të fjalës së tokësorëve mëkatarë, "Më fal!"
Isha në gjyqin e Hadit. Perënditë ishin ndarë keqazi mes tyre për gjykimin tim. Një hap më ndante nga zjarri i Ferrit dhe parajsa në Elize.
Nuk meritoja as njerën, as tjetrën. Desha jetën time, aty në ferrparasjën time tokësore.
Dhe ashtu ndodhi. Perënditë sa kishin dhënë vendimin për Parisin tim. E pashë. Ai sa iku prej meje, drejt udhës së...
O Zot! Isha gjallë!
Mbylla me forcë laptopin. E hapa përsëri.
Në ekran u rishfaq, virusi i çuditshëm.
Epilog
E dashur! I shikon yjet lart? Atë yllin aty, ja aty, që ndriçon më shumë?
Eshtë nga Galaktika e Amazoneve. Bukurinë e tyre e ka zili vetë perëndesha e bukurisë, Afroviti. Erosi i shkretë ka harruar detyrat për tokësorët, sepse është goditur më keq se ne prej tij, nga shigjetat e dashurisë së amazoneve.
Nëse ky është mëkat i Erosit, është dhe mëkati im. Por kursesi mëkat tokësor. Vetëm nëse ti je shembëlltyra e tjetërsuar e amazones sime, apo ajo, shembëlltyra tënde e tjetërsuar.
Shiko, shikooo lart! Ai yll po bie, po flakëron. Tani po shuhet ngadalë, si një ëndërr e pambaruar dashurie. Si vetë legjenda e amazoneve.
Për të vazhduar pambarimisht, legjendën tonë.
Selanik, 11-12 shkurt 2011
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi