Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

SAZAN GOLIKU:BORXHI

Shko poshtë

SAZAN GOLIKU:BORXHI Empty SAZAN GOLIKU:BORXHI

Mesazh nga Agim Gashi Tue Apr 19, 2011 12:58 am

SAZAN GOLIKU:BORXHI Pandeli_koci_fjalaelire_476080202
SAZAN GOLIKU:BORXHI-Tregim

-Goditje në zemër...-tha mjeku i urgjencës. Lëshoi dorën e Dillit ose atij që quhej Dill Daka, biznesmen me emër, dhe tha me vete duke rrudhur vetullat: “Me këtë mal me dhjamë që ka pasur ky birbo, ka jetuar si tepër.”

Rrjedha e lotëve në faqet e trëndafilta të Shpresës, që dukeshin sikur do të pëllcisnin nga çasti në çast, ende nuk ishin tharë.

-Ju lutem, -i tha ajo mjekut, -më ndihmoni ta shtrijmë në krevat.

Mjeku e kapi Dilin nga krahët, Shpresa dhe infermierja e urgjencës nga këmbët – e ngritën kufomën nga kolltuku i purpur ku kishte dhënë shpirt dhe, duke shtrënguar dhëmbët, e çuan në odën e gjumit dhe e shtrin në krevat.

-Oh, mesi! –psherëtiu Shpresa duke u shtriqur pas me duar në bel. Gjoksi i bëshëm iu ngrit lart kërcënueshëm.

-Sonte do të më duhet të bëj lajmërimet. Falemnderit doktor për të gjitha – nënqeshi ajo me një keqardhje drobitëse.

-Ёshtë nxehtë -tha mjeku duke fshirë djersët në ballë, në faqe e në gushë. –Nesër paradite, pa tjetër duhet ta varrosni.

“Trapi, -tha me vete Shpresa, -harron se tash ka kapak-frigorifer për arkivolet.”

Nxori nga komodina një kartëmonedhë dhe ia futi në xhep mjekut.

-Zonjë, ju lutem zonjë, është e tepërt... –dhe ngriti duart lart.

-Oh, oh, falemnderit –psherëtiu vejusha.

Ndoshta nga zhegu torturues i atij korriku diellvrasës, ndoshta nga që shumica e njerëzve ishin dyndur drejt deteve e maleve, pak veta e kishin e nderuar Dillin me pjesëmarrjen e tyre në ceremoninë e varrimit. Gjithsesi, ata që ishin të lidhur me të me interesa kishin ardhur me veturat e veta, ca njerëz më të thjeshtë me autobusin e funeralit. Nuk u dukën aty as tre djemtë që Dilli kishte me gruan e parë. Se dihet, ata kanë qenë përherë të pakënaqur me të atin që “i ka braktisur për bythët e një shkapërdareje”, edhe pse Dilli nuk kishte harruar t’i mbante me para tej moshës së pjekurisë dhe t’iu plotësonte gjithë tekat që kanë fëmijët e një të kamuri.

Shpresa, e veshur e tëra me të zeza mëndafshi, motra e saj e madhe Selvia dhe teze Tixhja qëndruan në krye të varrit të hapur.

U hap arkivoli sipas zakonit, dhe një prift i gjatë e barkmadh me mjekër skrop të zezë nisi të djersinte e të thoshte me zë monoton, të hollë e të ftohtë: -Mishëroje o Zot shërbëtorin tënd...le të prehet... Pastaj derdhi vajin nga një shishe plastike gjysmëlitërshe, duke bërë shenjën e kryqit mbi të vdekurin dhe duke tundur temjanicën.

Kur po derdhte shishen tjetër me verë, nga xhepi i vogël i të ndjerit plasi zilja e celularit me muzikë parciale të një pjese të Mozartit. Prifti u hutua një çast, pastaj u zgjat, nxori celularin nga xhepi i Dillit, e fiku dhe e la te koka e tij. Një pëshpërimë habie përshkoi njerëzit përreth. Po zilja e celularit plasi sërish. Prifti fytyrëzymtuar e mori dhe vuri te veshi. Shpresa si padashur u anua te krahu i priftit. Nga celulari një zë i egër i çjerrë: -Kur do të ma kthesh borxhin?! Tri herë që më rren! Në qoftë se nuk...deri...do të zhdukë...më kthe paratë mor qen muti ose...ti e di...

-Unë, - u përgjigj prifti me përbuzje, edhe pse i hutuar, -si kam borxh kurrkujt veç Perëndisë. –Dhe e mbylli celularin.

Shpresa po thoshte me vete: ”Maskarai! Mua më siguroi se i kishte larë borxhet, po paratë i ka prishur kush e di ku me atë bishtdredhurën, Evën... –dhe lotët i rrodhën rrëke deri nën gushën e bërë qull nga djersa.

Përsëri zilja e celularit. Prifti u përkul dhe vuri celularin sërish në vesh. Tashmë dukej hapur që mezi po mbante zemërimin.

Një zë femre si i spërdredhur në celular: -Alo! I dashur...

Prifti: S’jam i dashuri yt, po i Perëndisë! –dhe e përplasi celularin te një pllakë varri pas vetes. Shpresës i shkreptin sytë e hirtë: “Qen bir qeni! As të vdekur nuk të shqiten dashnoret!” –shau me vete dhe një tjetër rrëke lotësh i rrëshqiti faqeve të skuqura si mollët ë fillimit të vjeshtës.

Prifti bëri disa herë kryqin dhe nisi të tundë temjanicën duke kënduar me zërin e hollë: -Nga balta erdhëm, në baltë do të kthehemi...

Sa u hodhën mbi arkivol copat e para me dhe nga lopatat e dy varrmihësve, Shpresës i ra të fikët në krahët e motrës së madhe dhe të tezes.

Prifti vazhdonte të këndonte gjakftohtë: -Mishëroje o Zot, mishëroje o Zot!...

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi