Besnik Dizdari: Volejbolli i vajzave, “Marin Barleti” dhe çdinamovitizimi
Faqja 1 e 1
Besnik Dizdari: Volejbolli i vajzave, “Marin Barleti” dhe çdinamovitizimi
Volejbolli i vajzave, “Marin Barleti” dhe çdinamovitizimi
Nga Besnik Dizdari
Ka një histori të mrekullueshme të pashkruar volejbolli shqiptar, ai i meshkujve dhe mbas tij ai i femrave. Për fat një histori e harruar. E harruar, jo vetëm për faktin se nuk ka shkrues të mirë për volejbollin, por sepse kjo histori është shuar. Eshtë shuar në mënyrën dhe pamjen më dramatike të mundshme. Disa herë jam munduar të tregoj se çka ka qenë dhe se çka është sot volejbolli i vajzave në Shqipëri, e prap po mundohem, ndonëse i sigurtë se si dhe herët e tjera pak do të ndikoj.
Risia e “Marin Barletit”…
Nxitëse u bë fundorja e Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra zhvilluar të enjten e shkuar në Tiranë, ajo midis skuadrës së re UMB dhe SK Tiranës. Disa javë më parë kisha marrë rrugën, që sot më duket tejet e largët, atë të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” për një ndeshje të Kampionatit Kombëtar, për të mësuar se çka ishte kjo skuadër e re pa histori që thirrej UMB, e cila, krejt papritmas, kishte marrë mbi vete kryesimin e stinës së sportit të volejbollit në Shqipëri. Tash qé, tek ishte edhe kjo fundore, të cilën Televizioni Shqiptar me mirësi na e solli në shtëpi, në orat e vona të së enjtes. Për kënaqësi ajo do të më shfaqej si një nga ndeshjet më të mira të periudhës që kalon volejbolli i femrave në Shqipërinë sportive…
Kuptohej që ishte një mbrëmje e fohtë akull dimri, të cilën ftohtësia “shekullore”e Pallatit tonë kombëtar të Sportit me siguri e ka bërë edhe më të akullt (Shqipëria nuk ka asnjë pallat sporti modern). Pak njerëz, natyrisht, siç ngjet tashmâ në të gjithë spektaklet sportive të të gjithë kaheve, llojeve, disiplinave. Tribuna të boshatisura, e edhe në këte rast, ndoshta kanë qenë nja 150 vetë gjithsejt, midis tyre me sa dukej, shumica njerëz të volejbollit, familjarë të vajzave volejbollisteve, e ndoshta edhe spektatorë debutues, të cilët kanë të lidhur jetën e tyre me Universitetin “Marin Barleti” të cilit i përket skuadra.
Mirëpo, kjo ftohtësi dhe shkretëtirë spektatorësh dukej se nuk ndikonte asesi tek volejbollistet në fushën e lojës. Ato ishin të gjitha të përfshira deri në déjet e gjakimit të tyre sportiv, te bota e madhe e sportit të tyre të dashur, volejbollit. Dhe ndeshja, e fituar 3-1 prej UMB, në këte anë i kishte të gjitha: përqëndrimin, etjen për të rrëmbyer Kupën, kolektivizmin, përpjekjet, ritmikën e një volejbolli modern në skemë dhe gëzimin e pamatë përftuar prej çasteve të tij më emocionuese. Të gjitha këto të përmbledhura në një Fair Play të jashtëzakonshëm. Më mbeti në mendja fundi i ndeshjes, Kupa në duart e UMB dhe një përqafim shoqëror i një kulture i volejbollisteve humbëse, atyre të SK Tiranës. Ndërsa përgëzonin shoqet e tyre fitimtare, vështrimi i tyre dukej të ishte po aq i gëzueshëm dhe të gjitha këto vajza, pak të njohura në Shqipërinë e sotme, dukej që për ndeshjen kishin kuptimin e një interpretimi të përbashkët, pavarësisht se gjithmonë ka një ndarje prej së cilës sporti nuk mund të shpëtojë kurr: fitimtarë dhe të mundur.
Nuk mund të shkoja më tej. Me mendje kthehesha te volejbolli i dikurshëm i Ela Tases me shoqe. Këtu ritmi më dilte të ishte i pakrahasueshëm. Disa shkallë më lart në të gjitha: kërcyeshmëria, sulmi, blloku, larmia, organizimi, temperamenti i mirëfilltë sportiv, forca fiziko-atletike, etja për fitoren. Në fund të fundit, më i rëndësishmi: universalizmi i një volejbolli të stilit evropian që e çoi Shqipërinë e vogël deri te më të mëdhatë: te titulli i Kampionit të Ballkanit dhe në treshe të Evropës me klubet. Kur i mendon sot, të duken sikur ke qenë në një film fantashkence. Kaq e madhe ka qenë arritja dhe kaq larg jemi…
Po mundohesha t’i vëzhgoja disi nga ana fizikoatletike vajzat e ndeshjes së tashme. Më dukeshin se ishin më të holla, më me pak peshë, madje në një harmoni të vërtetë në gjithë gjatësinë e trupit, më elegante, me një fjalë, me një përputhje tejet të natyrshme midis bustit dhe pjesës së poshtme, këmbëve. Kur asokohe ato volejbolliste të paharrueshme kishin një mospërputhje midis bustit të tyre dhe këmbëve tejet më në peshë. Një herë një volejbolliste e atëhershme më thoshte se “po të bie në peshë, më bie forca fizike”. Sot po rritet një brez tjetër, i cili e ka mësuar se mbipesha duhet luftuar qysh në adoleshencë. E mund të jetë edhe çështjeje të ushqyeri që ka ndryshuar kryekëput në këto 18 vjet. Duket se ka hyrë një kulturë tjetër e edukatës fizike dhe sekush tregon kujdes për te. Sidomos vajzat. Antagonizmi qëndron tjetërkund: çuditërisht edhe me mbi peshë, ato volejbolliste ishin të jashtëzakonshme në krahasim me këto të sotmet…
Ndërkaq, nuk arrija të pranoj se kjo skuadër duhej quajtur “UMB” – tre iniciale që nuk thonë asgjë. Ose na kujtojnë “UMB”-në e Partisë (“Uzina Mekanike Bujqësore”), që shpërndanin plugjet dhe traktorët tonë “mesjetarë” kooperativave bujqësore. Nuk ka emërtim më kuptimplotë, më historik se “Marin Barleti”, - që përveç se përmban historianin e madh i cili na dha Skenderbeun, emër i përjetësuar te një tjetër skuadër sportive qysh Paraluftës, Skenderbeuu i Korçës - për fat ka dhe një tingëllimë melodioze, disi latine, që çuditërisht duket edhe moderne: Marin Barleti! Çka ta shton prekjen e historisë së qindvjetshit XV dhe bartjen e saj në shekullin (qindvjetshin) XXI.
Trysnia e historisë…
Të enjten në mbrëmbje sporti shqiptar përjetonte këte risi të vetmueme (unikale) të Mbasrënies së Regjimit: për herë të parë fitues i një prej dy trofeve kryesorë të organizimit kombëtar sportiv shqiptar në tre sportet më popullorë, futboll, basketboll dhe volejboll, bëhet një klub i ri i sapoformuar: Universiteti “Marin Barleti”. Kjo më duket më e qënsishmja e risisë të së enjtes. Dhe me një protagonist ‘par excellence’: Kreshnik Tartari. Ai ka lënë mbas shpine gjithë “fanatizmin” sportiv të Dinamos së famshme, e ka marrë përsipër të bëhet promotor i një skuadre të re.
Mund edhe të shuhesh, ndonëse nuk është mirë të shuhen përmendoret historike të sportit. Megjithate nuk është kaq tragjike. Janë shuar edhe më të mëdhenj se Dinamo e Shqipërisë. Ripërmend edhe këtu rastin e Dukla të Pragës. Ka ardhur në Shqipëri edhe me atletikë duke sjellë me vete deri Irzhi Skoblen – kampionin dhe rekordmenin e Evropës në gjyle, bronz i Olimpiadës së Melburnit. Dukla është identik “Partizani” i Çekosllovakisë, të cilën Partizani ynë e ka mposhtur 1-0 më 1958 në Turneun e famshëm të “Ushtrive Mike” në Lajpcig, pasi më parë, më 1954 Dukla e quajtur ATK, kishte mundur 3-2 Partizanin tonë në Turneun omonim të Pragës. 11 herë Kampione dhe 9 herë fituese e Kupës së Çekosllovakisë, e themeluar më 1948, si skuadër e Ushtrisë, dy vjet para Partizanit tonë (e nuk mund të formohej përpara kur dihet se komunizmi në Çekosllovaki u plotvendos me armë më 1948 përmes të njohurit “Puçi i Pragës”). U quajt klubi ATP, mbas pak u bë UDA – iniciale të ushtrisë këto - dhe nga 1956, Dukla. Skuadra e yjeve të futbollit çek: Masopust, Novak, Pluskal – Nënkampionë të Botës apo dhe të Viktor, Nehoda, Luhovy… Tash Dukla ishte shuar. Fundi i saj ishte dramatik, një histori ku triumfon periudha mbaskomuniste mbi ate komuniste. Më 1996 Dukla, e cila njeh edhe rënien në kategorinë e dytë, bashkohet me klubin FC Pribram dhe ruan emrin së bashku me te, por qysh nga vitit 2000 nuk ka më Dukla, por vetëm FK Marila e Pribramit, një qytet i vogël rreth 50 kilomtera larg nga Praga. Praga është ndarë një herë e mirë edhe me simbolet e së kaluarës komuniste. Kahdo qofshin ato…
Interesante është ndërkaq edhe historia e Dinamos dhe Spartakut të Pragës. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend të regjimeve komuniste. Njihet mirë vjetërsia e futbollit plot tradita të Çekosllovakisë – dy herë Nënkampione e Botës, Kampione e Evropës, Kampione Olimpike, Nënkampione e tashme e kontinentit të vjetër, Kampione e Evropës për NEN23, NEN18, NEN 16. Sllavia e Pragës është themeluar më 1893 dhe po më 1893 edhe Sparta e Pragës. Ndër klubet më të vjetër të Evropës. Dhe papritmas, më 1949, Dinamo e Pragës i është bashkuar Sllavias për ta shuar këte klub “borgjez”. Dhe nga 1953 e deri më 1965 ajo është quajtur thjesht Dinamo e Pragës kur më së fundi me mend në krye asaj i kthehet emri i lavdishëm Sllavia, çka e mban sot. Nga ana tjetër, Sparta e Pragës gjithashtu më 1953 shndërrohet në Spartak e Pragës, kështu deri më 1965 kur rikthehet Sparta nobël e Pragës. Në të vërtetë zhdukja e klubeve të traditës ka ndodhur edhe në Shqipëri, teksa vetëm mbas 45 vjetësh u bë i mundur bie fjala, rikthimi i Sportklub Tiranës e Teutës së Durrësit! “I lumtur është ai i cili e harron ate që nuk mund të ndërrohet më”, siç thotë një varg i një kënge te “Lakuriqi i natës” të Johann Strauss-it…
Kësisoji, nuk ka përse të trembemi edhe prej, bie fjala, një çdinamovizimi volejbollistik a tjetër, të cilit trajneri Kreshnik Tartari, i cili pak vite më parë me autoritetin e funksionit të zëvendsministrit risolli “emrin “Dinamo” mbasi kjo qe shndërruar në “Olimpik”. Dhe Dinamo është edhe falë tij, ndonëse jo në volejbollin me të cilin kishte prekë fuqishëm Evropën!
Nuk më duket se e gjitha kjo është një vazhdim historie, ndonëse tash trajner është një 65-66 vjeçar, i cili ka gjithë jetën në sport, dhe i cili i ka dhënë volejbollit shqiptar gjithë dituritë dhe shpirtin e tij. E vështroja gjatë drejtimit. Nuk ka më “grintën” e një kohe (që nuk duhet përdorë asesi në shqipet e që Cordignano e jep “fytyrë e zymtë”, e fjalorët italianë e japin “shprehje kërcënuese e fytyrës”, por në përdorimin figurativ përkthehet në “përqëndrim dhe vendosmëri”). Ai e drejtoi ndeshjen në qetësi të plotë, pa gjestet e dikurshme të një gjakimi (pasioni), e natyrisht pa asnjë nënkuptim ndaj një gabimi të mundshëm të gjyqtarit, sepse e kupton se nuk është më një kohë, ajo kohë…
Veçanërisht kohë e rivaliteteve Dinamo – Skenderbeu kur çka nuk ndërhynte: 3000 spektatorë të papërmbajtshëm në sallë, elitë qeveritare në tribunën e sunduesve, skena e prapaskena federatash, klubesh, splaletash, sekretarësh partie e pse jo, funksionarë të Sigurimit, familje byroistësh, që përzienin dramatikisht vorbullën e një mjedisi tejet të shtërnguet, shpërthyes, e pse jo, edhe plot inate. Midis gjithë këtij dualiteti të ashpër Kreshnik Tartari e Pandi Gëllçi me shokë bënë një volejboll evropian. E mu për këte, duke e ditur mirë se asgjë prej gjithë atyre pamjeve sot nuk ekzistojnë më, e pra i bindur se nuk bëhet më fjalë për një volejboll evropian, Tartari tash drejton krejt i qetë, ndonëse qetësia ka qenë gjithnjë një armë e fortë për te, falë së cilës ai është ngjitur në pjedestalin virtual (të mundshëm) të cilësisë së volejbollit të femrave në Shqipëri.
E këtu gjithnjë na rri pranë historia, e cila si mësuese e urtë, na kujton se çka është bërë me volejbollin e femrave, për hir të së vërtetës, nën Regjim. E dokumentuar. Siç thotë një shprehje latine “Quod non est in actis, non est in mundo” – “Ajo që nuk është në dokumenta, nuk ekziston”. Dhe ajo çka na kujtojnë dokumentat është vërtet sensacionale: si ka qenë e mundur që në 18 vjet të mbaspërmbysjes, ky sport që u bë nderi i Shqipërisë, të humbasë primatin dhe të ulë flamurin kombëtar në mjedisin volejbollistik evropian?
Kujtoj edhe një herë se volejbolli i shpikur më 1896 në Springfrield nga William G. Morgan (1870-1942), i ushtruar në Shqipëri qysh në vitet ’30 si sport i shkollës, po dhe me një ose dy kampionate kombëtare, ende të pakonfirmuara, këte volejboll të cilësisë evropiane pra, Shqipëria ka arritur ta bëjë vetëm mbrenda një dhjetëvjetëshi 1947-1958!
Periudhë kur njihet bashkëpunimi volejbollistik me një superfuqi të këtij sporti, siç qe Bashkimi Sovjetik, shto këtu Çekosllovakinë dhe Rumaninë që gjithashtu konsideroheshin fuqi botërore. Na duhet të pranojmë pa mëdyshje se mbi këto themele të viteve ’50, të atyre protagonistëve të mëdhenj të harruar, për të cilët sot e kësaj dite nuk kemi mundur të bëjmë asnjë nderim të veçantë, kemi ndërtuar volejbollin e viteve ‘60-’70, kur Shqipëria me klubet e saj, kryesisht Dinamo e meshkujve arrin deri në kartërshe të Kupës së Kampioneve të Evropës. Fitoret këtu kaq të largëta për sot, na duken thuajse të përmasave biblike. Do të rreshtojmë vetëm klubet e mposhtura në ndeshje të ndryshme nga Dinamo, po dhe Partizani, pa e zgjatur: Virtus e Bolonjës, Bloker e Hagës, Partizani e Beogradit, AMVJ e Amsterdamit, Panathinajkos e Athinës, Mladost e Zagrebit, CSKA e Sofjes, Rebells Lierr e Brukselit, IEET e Stambollit, Ruini e Firencës, Ekzacibasi e Stambollit, Kanë e Francës, Cepel e Budapestit, Vojvodina e Novisadit, Zestoçova polake. Emrat janë legjenda e dytë e volejbollit shqiptar me në krye Asllan Rusin e përmasave botërore për kah cilësia e volejbollit, emrin e të cilit për fat të madh, ia kemi vënë Pallatit të parë të Sportit në Shqipëri. Dhe me rradhë, Vangjel Koja, Andon Kona, Dashamir Fagu, Anatas Panteqi, Kreshik Tartajari, Ylli Shehu, Ali Llullolli, Kiço Lena, Enis Terihati, Ali Bushati… Vështroni se çfarë gjeografie që përmbledh: Holandë, Jugosllavi, Greqi, Bullgari, Francë, Hungari, Poloni!
Eshtë kjo shkollë e volejbollit të meshkujve prej të cilit lindi dhe shpërtheu volejbolli i femrave. Interesantja është se edhe ky volejboll i femrave në Shqipëri gjithashtu është bërë mbrenda dhjetë vjetëve, falë 17 Nëntorit të Harun Dojakës e deri te themelimi i Dinamos po të Harun Dojakës dhe më tej te Dinamo e madhe e Kreshnik Tartarit - deri në majën e Evropës, po dhe të Skenderbeut të Pandi Gëllçit, e pse jo, edhe të Vllaznisë së Mark Grimcit.
vijon
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Re: Besnik Dizdari: Volejbolli i vajzave, “Marin Barleti” dhe çdinamovitizimi
Me Dinamon Shqipëria ka qenë në katërshe të Evropës më 1980 për Kupën e Kampioneve, më 1987 në Kupën e Kupave, ku nuk shkon për të mos u ndeshur me sovjetiket revizioniste, dhe më 1990 në Forli po për Kupën e Kampioneve, ku arrin kulmin, duke u renditur e 3-ta në Evropë! Mu në këtë 1990, kur po ndaheshin epokat e dy sistemeve, merr fund dhe historia e lavdishme e volejbollit shqiptar për të cilën ka të drejtë të krenohet Regjimi komunist! Asokohe mposhteshin përmes ndeshjesh fitimtare, nga Dinamo shqiptare: Sllavia e Bratislavës, Shverte dhe Lohof e RFGJ-s, 2000 UNO e Barit, Nimse dhe Tuingsram e Budapestit, Traktor i Shverinit, Ekzacibasi e Stambollit, Teodora e Ravenës, Mlladost e Zagrebit, Stal polake, Dinamo e Berlinit, Dinamo e Bukureshtit, Rasing e Parisit. Ndryshe kjo do të thotë: Çekosllovaki, Gjermani, Itali, Hungari, Jugosllavi, Poloni, Francë, Turqi!
Në Renditjen Botërore të 9 janarit 2009 për femra që ka Federata Ndërkombëtare e Volejbollit (FIVB) Italia e është e 4-ta në Botë, Polonia e 9-ta, Turqia e 11-ta, Gjermani e 12-ta. Shqipëria sot? Shqipëria është e 53-ta në Renditjen për femra të janarit 2009, doemos midis 90 shteteve! Kur 19 vjet më parë, kjo Shqipëri fitonte me Kampionen e Italisë – shteti që mbërrin deri Kampion i Botës edhe me femra. Siç e kemi thënë me kohë, emrat tonë edhe këtu sikur vijnë nga thellësitë e largëta të një epoke: Kavaja, Tase, Ibrahimi, Turdiu, Duka, Qirici, Doçi… . Pa harruar korçaret e famshme Koço, Nikolla, Foto. Dhe prap detyrohem të marr hua fraza të një shkrimi të para pak vitesh: nuk pat qëndruar indiferent as Enver Hoxha me një letër “spektakolare” drejtuar dinamaseve, për të cilën ne bëmë jehonë po aq “spektakolare” , madje i kushtuam deri një film të posaçëm, të cilit i blatuam krijimin tonë. E mandej Shqipëria, e cila arrin deri Kampione e Mesdheut (1987) dhe Kampione e Ballkanit (1990).
Nuk kemi ngjarje më as për volejbollin e femrave.
Dhe një shpresë?...
Papritmas kemi një risi të plotë, nga ana historike të bujshme: fitimin e Kupës së Shqipërisë prej një skuadre të sapoformuar universitare: “Marin Barleti”! E ngritur mbi Dinamon e zhdukur nga historia, por pa e mbërritur asesi ate.
Pesë vjet më parë, njeriu i cili sot drejton “Marin Barletin”, trajneri Kreshnik Tartari, në përpjekje për t’u zgjedhur president i Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV), paraqiste këto synime të tij nëse zgjidhej:
“Rregullore teknike për strategjinë e volejbollit”
“Synimi për gjeografinë e re të volejbollit shqiptar”.
“Ringjallje të tri shkollave kombëtare të volejbollit: Shkodra, Vlora, Korça – maja e Akademisë kombëtare të volejbollit”.
“Dy mbledhje asambleje në vit: për veprimtarinë sportive dhe ajo financiare.”
“Kualifikim i trajnerëve, përzgjedhje e talenteve”.
“Binjakëzime me një federatë të fuqishme evropiane.
“Një revistë për volejbollin”.
“Ofrim i 50 përqind të sigurimit që është sot për sportistët”.
“Do të kem me vete Televizionin Shqiptar për promovimin e volejbollit përmes ekranit të vogël”.
Ai nuk është zgjedhur, dhe nuk besoj se këto ide të mund të jenë vënë jetë. Apo dhe ide të tjera kësisoji të përparuara, sepse dihet për volejbollin nuk di vetëm Kreshnik Tartari, por dhe dhe mjaft kolegë të tij. Nuk i zotëroj shifrat e sotëm, por më 2004 qe deklaruar se Shqipëria ka 113 skuadra femrash, 104 skuadra meshkujsh, 65 skuadra fëmijësh, 70 trajnerë, 60 gjyqtarë, 3546 njerëz pjesëmarrës aktivë në veprimtaritë zyrtare, 1948 ndeshje! Pa harruar planifikimin e strategjisë së volejbollit për deri më 2012: “Të rritemi. Të përmirësohemi. Të bëhemi tërheqës për biznesin. Plan. Prioritet. Programim”.
Ishin sllogane moderne që të befasonin, të paktën me lakonizmin e tyre kuptimplotë.
Në atë asamble Kreshnik Tartari qe një protagonist. Javën që shkoi qe një protagonist fitues i Kupës së Shqipërisë për herë të parë me një skuadër të sapoformuar. Kur në jetën e tij, në mos më gaboftë arkivi im, si trajner ai ka rrëmbyer plot 17 Kupa të Shqipërisë dhe 17 Kampionate të Shqipërisë, që ndoshta mund të përbëjnë një rekord botëror të llojit. Këte nuk e di me siguri. Ate që di me siguri është kjo tjetra: një herë në fillim të viteve ‘2000 ai u bë zëvendësministri i parë i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të një shteti që fitoi titullin e kampionit si trajner i një skuadre të vendit të tij: Dinamo! Kam qenë një nga kritikët më të mëdhej të kësaj dukurie “absurde” të asokohe.
Histori tjetër kjo, megjithate.
Katër vjet më parë, më 2004, Shqipëria nuk arrinte të renditej, pra nuk bënte pjesë asesi në Renditjen Botërore, ate që quhet “FIVB World Ranking”, midis 81 shteteve. Tash jo vetëm që hyn, por është e 53-ta midis 90 shteteve. Kjo është arritja e parë e rëndësishme drejt rimbëkëmbjes së volejbollit shqiptar të femrave. Ajo është thjesht një shpresë. Arritja e dytë mund të jetë “Marin Barleti”. Jo si nivel i volejbollit, por si një risi që nënkupton se Shqipëria po kërkon që të gjejë vetveten përmes risisë.
Sepse është e vetdijshme se sot në atë fushë të vogël - katërkëndsh magjik të një sipërfaqeje të vogël të vetëm 162 metrash katrorë - nuk ka më Ela Tase, Lulzime Duka, Agi Babuli, Mimoza Ibrahimi, Eva Duni, Emanuela Axhani, Mimoza Dule, Egla Miço, Ingrid Murzaku, Fausta Toska, sa për të përmendur Kampionet e para të Mesdheut Latakia 1987. Shqipëria nuk ka më sot Ela Tase, Lulzime Duka, Agi Babuli, Mimoza Ibrahimi, Alketa Doçi, Eva Duni, Emanuela Axhani, Mimoza Dule, Egla Miço, Jorgjeta Qirici, Majlinda Kase, Donika Shtuka, nëse prap nuk na ka shpëtuar ndonjë emër, sa për të përmendur vetëm Kampionet e Ballkanit, Pravec 1990? Dhe menjëherë mbërrin përgjigjja: duhet të ketë! A mund të jenë këta emra “të panjohur” të së enjtes në mbrëmbje të “Marin Barletit” të cilat u gëzuan aq fort mbasi fituan Kupën e Shqipërisë për herë të parë: Sollaku, motrat Prenga, Lapardhoti, Kurti, Pogoni, Kadriu, Xhixha, Kuqi, Vokrri, Xhaferaj, apo dhe shoqet e tyre të SK Tiranës, Hysa, Shkurti, Nezaj, Sejfullai, Akcani, Blloku, Meta, Gjonaj, Matraku, Rama, Harxhi, Lishaj, edhe këto të fundit me trajner një të mirënjohur: Hasan Gurabardhi?
Nuk di. Vetëm di se Shqipëria, që bëri volejbollin e nivelit evropianobotëror, e ka bazamentin historik për ta ribërë volejbollin e femrave. Nuk mendojmë se sot në volejbollin shqiptar nuk ka talente të tilla. Me një fjalë, nuk duhet ta kërkojmë rënien qoftë edhe te mungesa e një fenomeni si Ela Tase apo Mimoza Ibrahimi, të cilat në sport mund të vijnë një herë në 20 vjet (e kanë kaluar pikërisht 18 vjet), por te problematike në kushte të reja e sporteve dhe e volejbollit në Shqipëri si përkujdesje, si kushte , si seriozitet, si mosinteresim, si mosmbështetje, si emigrim, si çtraditizim, si indiferencë, si publicitet, si financë. Të gjitha këto shkaktojnë rënien. Dhe jo emrat, të cilët besojmë se Shqipëria prap se prap i ka edhe sot.
***
Një “Post Scriptum” televizivo-gazetaresk…
I faleminderit Televizionit Shqiptar që na e solli në shtëpi fundoren e Kupës së “Marin Barletit”, duke nxitur edhe për këte shkrim. Disa orë më parë kisha ndjekur në televizionin e një superfuqie të sportit botëror, Rusisë, atë “Planet Sport” gjysmëfundoren e Kupës së saj në basketboll midis CSKA të Moskës dhe Kazanit. E filloi transmetimin 30 minuta më parë. Nuk kishte gjë më me vlerë. Dha skuadrat para ndeshjes, dha filmime të ndeshjeve të shkuara, nxori në pah emocionet e para ndeshjes, botën e mbrendshme të trajnerëve, shfaqi gjithë pamjen “piktoreske’ të pallatit të sportit ku luhej, bëri histori dhe publicitet të papamë. E mandej ndeshja. Po mendoj: asnjë vështirësi nuk kishte Televizioni Shqiptar që ta niste më përpara ndeshjen Marin Barleti – SK Tirana. Të jipte intervista të para ndeshjes, të tregonte gjithçka paraprake. E pse jo, të shpaloste diçka nga volejbolli i dikurshëm shqiptar i femrave, sepse arkivin sportiv më të pasur se sa çfarë e ka Televizioni Shqiptar nuk e ka askush. Kjo mund të bëhet me lehtësi. Mjafton vetëm pak më tepër përgjegjësi e ushtrim disiplinor i profesionit dhe natyrisht orë më të zgjatura e të ndërgjegjëshme pune. E kam thënë dhe e them: gazetaria sportive në Shqipëri është në euforinë e masivitetit dhe në rënien më të pafalshme të cilësisë dhe në mungesën e plotë të risisë. E pra edhe të një risie të volejbollit, qoftë edhe të një “Marin Barleti”. Nuk mund të shkojmë aq fort përpara pa risinë e televiziono-gazetarisë.
Kur të nesërmen kam pa gazetat, natyrisht zhgënjimi si gjithnjë qe i përmasave: pasqyrim krejt i përciptë, joprofesional, gati i mjerë! Ndonëse kishte ndodhë një sensacion sportiv kombëtar: për herë të parë Shqipëria kishte një fitues të ri të Kupës Kombëtare. Madje me një emër, që për ahistori nuk e gjeta askund të shkruar ”Marin Barleti”!
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi