Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

BREGDETI – Kjo dashuri, kjo krenari! (Prof. dr. Josif Papagjoni)

Shko poshtë

BREGDETI – Kjo dashuri, kjo krenari! (Prof. dr. Josif Papagjoni) Empty BREGDETI – Kjo dashuri, kjo krenari! (Prof. dr. Josif Papagjoni)

Mesazh nga Agim Gashi Wed May 04, 2011 1:34 am

BREGDETI – Kjo dashuri, kjo krenari! (Prof. dr. Josif Papagjoni)
Për librin “…se jam nga Bregdeti – rrjedhë historike”, të Minella Gjonit.

BREGDETI – Kjo dashuri, kjo krenari! (Prof. dr. Josif Papagjoni) 223403_104110766344217_100002358825614_35203_4941059_n
Këtë libër autori, studiuesi i njohur, Mësuesi i merituar Minella Gjoni, ma dhuroi ne promovimin qe i beri në një rreth intelektualësh të Bregdetit. Dhe sikundër ngjet rëndom nëpër kësi sebepesh, pas afshit të përgëzimeve dhe fjalëve vlerësuese për atë që na pat grumbulluar, ja ku nis e shtohet mjalti i kujtimeve, miqësa për sho-shoqin dhe historitë e pafunda të Bregdetit dhe bregasve. Dhe përmendim libra, autorë, studime, përmbledhje me këngë, duke dalë tek domosdoja e “hedhjes në kartë” të çdo gjëje që lidhet me historinë e kësaj krahine unike, etnikisht shqiptare, me identitet të spikatur shpirtëror e kulturor. Dhe themi: “Pak, shumë pak është shkruar… Historinë tonë duhet ta shkruajmë vetë, jo të na i keqinterpretojnë të huajt, qoftë dhe sejmenë të fqinjëve lakmiqarë”. Kjo krahinë është fort e dëgjuar në Shqipëri, ndonjëherë ngucje për sherre e tymtajë, ku tundin bishtat djallushkat shoviniste e helmojnë shpirtrat “erinitë” e përçarjeve. Bregdeti ka qenë dhe është një: shqiptarë e tokë shqiptare. Në analet historike e tutje saj, në mitologji, qysh nga antikiteti i hershëm, posaçërisht në periudhën greko-romake, pastaj atë bizantine, të pushtimit osman, të periudhës së pavarësisë, të monarkisë, të monizmit e gjer më sot, në librin e Minella Gjonit “…se jam nga Bregdeti”, ravijëzohet pikërisht ky mesazh rilindës, i përndritur. Në çdo faqe shihet veç kjo hapësirë, kjo trajektore, ku dhe është projektuar ideja kryesore e autorit dhe është derdhur lënda e tij.
Me Minellan, miku im i fëmijërisë, gishtëprerë në vllazëri gjaku përball vështrimit bekues të shënjtorëve nga ikonat, pos shpirtit më ka afruar edhe pasioni ynë i përbashkët për librat. Sepse ai është nga ata djem të Bregut, modest e këmbëngulës, që ka kontribute jo thjesht si një nder personalitetet e arsimit ne treven e jugut e me gjere si Mesues I Merituar, por edhe për studimet e tij në rrafsh historik, folklorik, gjuhësor, gjithëheri për krahinën e Bregdetit. Çdo bregas, dhe të tjerë lexues që e duan dhe nderojnë atë, përthith nga ky libër, ashtu si bleta nektarin, krenaritë dhe vlerat e të 14 fshatrave si dhe qytetit të Himarës, që e përbëjnë sot këtë krahinë. Kurse dje, me emrin “HIMARË” nënkutohej një hapësirë e gjerë me 53 fshatra, që niste buzë detit Jon, shkonte nëpër lumin e Vlorës e Kurvelesh, deri te ura e Leklit në Tepelenë. Kjo hapësirë gjeografike, pavarësisht identifikimeve të mëvonëshme territoriale e fetare, mundi të ruante, gjithsesi, shpirtin e përbashkët kryengritës, tharmin dhe tempullin e Lirisë, të shkoqitura bukur mirë në faqet e librit të Minella Gjonit, në histori betejash, emrash e kapetanësh të njohur, burrash të mençur, dijetarësh, klerikësh të lartë, vezirësh, administratorësh e hierarkësh autoritarë, ushtarësh, oficerësh e gjeneralësh që kanë shërbyer nëpër oborret mbretërore, filluar nga perandoria romake, Bizanti, epoka zulmëmadhe e Skënderbeut, mbretëria e Napolit, Spanja, Venediku, Stambolli, Austro-Hungaria, luftërat ruso-turke, Misolongji dhe revolucioni grek e gjer tutje në brigjet e Argjentinës dhe Amerikës së re.
Ky fis kaonësh epirotë, shqiptarë me rrënjë ngulur thellë në shekuj, trima e atdhetarë të flakët, rrëmbyen vëmendjen e Bajronit duke i inspiruar atij ekstazën e njohur poetike tek “Çajld Harold”(Të bijt’ e Himarës që s’falin as mikun/ si mund ta lënë të gjallë armikun?!); gjithpo aq grishën penën e francezit Pukëvil, vlerësimet e konsullit anglez Lik, shkrimet e Edith Durhamit. Brigjeve të ashpra të kësaj krahine me Akrokeraunet (Mali i vetëtimave ku Zeusi godiste me shigjeta flakërimash), i është adresuar vetë Homeri tek “Odiseu” e më pas Virgjili. Për të kanë folur historianët pionierë të njerëzimit si Tuqiditi, Straboni, Herodoti, vetë Aristoteli, për ta rimarë më vonë fjalën misionarët bazilikë të Papatit me Nilo Katalanin e Nilo Borxhian, humanisti shqiptar Barleti, më tej rilindësit tanë me vëllezërit Frashëri e gjer tek njerëzit e shquar të kohës së re. Ky epos madhështor, në gjerdanin e vlerave dhe kontributeve, na vjen në libër si një diagramë e hapur, veç jo pa një pyetje munduese. Është e çuditëshme se si kjo krahinë, e djegur, e rrënuar dhe e shpopulluar dhunshëm nga luftrat, emigrimet, epidemitë shfarrosëse dhe fatkeqësitë natyrore disa herë, sërish është ringritur nga gjaku dhe kuja si Anteu, dhe sërish ka rilindur nga hiri dhe zjarret si zogu Fenix. U dyndën aty: romakë, gotë, vizigotë e ostrogotë, hunë e arabë, bullgarë e bizantë, normandë e venetikas, anzhuinë e turq, andartë grekë, fashistë italian e nazitë gjermanë; vranë, prenë, shkatërruan, dëbuan, dogjën (vetëm gjatë luftës civile midis legjioneve të Qesarit dhe Pompeut u dogjën 70 fshatra, Ali Pasha bëri kërdinë dhe i vuri zjarrin Bregut të poshtëm me ambicjet prej turkoshaku), - por njerëzit e saj hyjni patën tokën ku kishin lerë edhe etrit e tyre, besimin e patundur tek zoti dhe feja që kishin përqafuar, krenarinë për identitetin.
Bregasit nuk kanë qenë shquar vetëm për nepsin e pashuar ndaj lirisë, por edhe për kulturën e jetesës e më gjerë. Kur gjithkund Shqipërisë flihej në rrogoz, piktori anglez Eduard Lir shprehte kënaqësinë që pat fjetur, në fshatrat e Bregut, në krevat me sustë dhe çarçafë të larë. Në fletët e librit lexuesi ndjen edhe etjen e përhershme të bregasve për dije, shkolla, kulturë. Të panumërt janë mësuesit, veprimtarët e kulturës, artistët, studiuesit: 65 profesorë e doktorë shkencash, 16 Mësues të Popullit dhe Mësues të Merituar, 13 Artistë të Popullit dhe Artistë të Merituar, rreth 100 shkrimtarë e publicistë të njohur në rrafsh kombëtar. Ashtu si galaktikat, ndrisin mes këtyre emrave opuset e njerëzve të shquar të penës, të mendjes e të fantazisë si Petro Marko, Spiro Çomora, Dhimitër Anagnosti, Robert Ndrenika, Diana Çuli, Odise Grillo, Anastas Kondo, Neço Muka, Lefter Çipa, Llambro Ruci, Aleks Çaçi, Spiro Gjikondi, Andrea Varfi, Myzafer Korkuti, Adriatik Kallulli, Miho Gjini, Spiro Shkurti, Sulejman Mato, Viktor Qurku, Ilirian Zhupa, Alqi Lepuri, Andon Qesari, Anastas Kristofori, Sheri Mita etj. Nga Bregdeti ishin Spiro Jorgo (Koleka), Xhorxh Tenet (ish shefi i CIA amerikane), Melina Mërkuri (ish ministre e kulturës së Greqisë), apo Spiro Koleka e Gogo Nushi, Stefan Papagjoni, Mantho Bala, Jorgo Milica e Myzafer Ahmati, Paskal Milo e Petro Koçi, luftëtar si Zaho Koka, Kozma Nushi, Vasil Laçi, Mitro Xhani, Persefoni Kokëdhima, portjeri i kombëtares Foto Strakosha, komentatori sportiv Valdimir Grillo, mjeku Besim Elezi, juristi Ismet Elezi, heroina Maro Konda që u hodh nga gremina për të mos rënë në duart e turqëve dhe i tërhoqi pas edhe ata vetë…
Autori Minella Gjoni ka shfrytëzuar 87 libra, çka flet për një burimologji të pasur e korrekte, duke i dhënë kështu librit të tij një sfond shkencor të qartë e të besueshëm. Një dimension i vlershëm në evidentimin e fakteve dhe qasjen e tyre asociative duket se ka marrë poezia popullore e krahinës, si një bashkëshoqëruese e bëmave, njerëzve dhe historisë së saj. Veç historisë së Bregdetit në përgjithësi, libri tërheq kureshtjen edhe për historinë e çdo fshati veç e veç, duke përfshirë në “data-base” të dhëna gjeologjike, gjeografike, historike, arkeologjike, etnokulturore, fetare, sociale, ekonomike… S’më mbetet veçse t’i uroja studiuesit Minella Gjoni, punë të mbrothta, për t’u dhënë kënaqësi lexuesve të tij (jo vetëm bregas), miqve të librit si dhe vetvetes, në nismën dhe turin emancipues që mbart çdokush me penë e kartë, aty ku punon, jeton e kontribuon.

Prof. dr. Josif Papagjoni
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi