Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Zymer Ramadani:MEHMED ÂKIF ERSOJ

Shko poshtë

Zymer Ramadani:MEHMED ÂKIF ERSOJ Empty Zymer Ramadani:MEHMED ÂKIF ERSOJ

Mesazh nga Agim Gashi Tue Mar 24, 2009 11:22 pm

MEHMED ÂKIF ERSOJ
Zymer Ramadani:MEHMED ÂKIF ERSOJ Mehmetbn2

Shkruan: Zymer RAMADANI

Nga mesi i popullatës shqiptare që shekuj e vite më parë emigruan për në Turqi ishte edhe familja e Nuriddin Agës nga Shushica e Pejës, bashkë me të birin Tahir Efendiun, i cili në atë kohë ishte në moshën dy vjeçare. Tahiri më vonë martohet dhe lind Âkifi, i cili mësimet e para do t’i merrte nga i ati1.
Mehmed Âkif Ersoj u lind në Dhjetor të vitit 1873 (Shevvâl 1290) në Sarigüzel të lagjes Fâtih në Stamboll. Mësimet e para i mori nga i ati Tahir Efendiu, i cili nuk kursei asgjë për shkollimin e të birit. Âkifi pas dy viteve mësimi në mektebin e lagjes në Emir Buhari, në vitin 1879 kaloi në mektebin ibtidâî pranë Muvakkit-hânes së lagjes Fâtih.Në këtë kohë Âkifi filloi që t’i merr mësimet e para të gjuhës Arabe nga babai i vet. Më pas, i ati Tahiri u interesua që atij t’i ndihmojë dhe ta shkollojë në mektebet më të njohura të asaj kohe. Kështu që pasi e përfundon pjesën e parë të shkollimit nga medreseja Rushdiye të qendrës së lagjes Fâtih, më 1885 Âkifi do të regjistrohej në paralelen e shkollës së mesme në Mylkije Mektebi. Mirëpo pas një kohe, me vdekjen e të atit, kalon në mektebin e quajtur Mylkije Bajtar Mektebi, në vitin 1889. Edhe pse përjetoi fatkeqësinë e vdekjes së babait dhe djegien e shtëpisë në Fâtih, Âkifi përsëri nuk u zmbraps nga puna por vazhdoi mësimet dhe i përfundoi ato me një sukses të lartë. Âkifi u shpall si nxënës i parë i asaj gjenerate në vitin 1893.2
Gjatë viteve kur kishte filluar të punësohej, edhe pse ishte caktuar të punojë në Stamboll, ai për një kohë filloi të bëjë një shëtitje që nga Edirneja gjerë në Anadoll dhe nga pjesa e Rumelisë. Gjatë kësaj shëtitje ai bëri hulumtime të sëmundjeve ngjitëse të kafshëve. Një kohë kishte shkuar edhe në Sham për disa nevoja ushtarake. Këto i kishin ndihmuar atij që të mësojë gjendjen e fshatarit dhe qytetarit, që më vonë do të ishin argumentet më të mëdha që ky të ishte realist në poezitë e tija.
Personalitetin e tij e tregojnë veprat dhe zgjuarsitë qe i kishte bërë. Ai ishte nga nxënësit e parë që me sukses e kreu shkollën, nga të parët në lojëra sportive dhe hafëz i shkathtë në atë masë sa kishe falur namaze me hatme gjithë sa herë që ishte ftuar ta kryente një detyrë të tillë. Në krahë të kësaj ai fitoi njohuri gjuhëtare sa të ketë mundësi që të shfletojë literaturën në tri gjuhë të huaja: Arabisht, Persisht dhe Frëngjisht; ishte marrë edhe me përkthime të ndryshme dhe si rezultat i këtyre ai ulet në ulësen e poezisë, ku më vonë do të bëhet edhe një ndër poetët më të dalluar të Turqisë.3 Zgjuarsia e tij bëri që nga institucionet zyrtare të asaj kohe të ftohet për të bërë redakturën e shumë gazetave, revistave dhe librave për botim. Më pas do të fillojë të nxjerr edhe revista tjera dhe do të bëhet edhe drejtori i tyre.
Pas përfundimit të studimeve me një sukses të lartë, filloi si veterinar në katër vitet e para të punës, ushtroi detyrën qysh nga Rumelia, në Anadoll dhe më pas në vendet e Siujdhesës Arabe. Pas një kohe të gjatë pune në këtë drejtim ai ishte bërë edhe nën drejtor, por më në fund u nda nga kjo punë për shkaqe të padrejtësive që zhvilloheshin aty. Kishte bërë disa udhëtime, e ndër to edhe vizita e mëmëdheut në Pejë, ku i kishte vizituar të afërmit e tij dhe ishte informuar drejtpërdrejt me gjendjen e shqiptarëve, me ç’rast edhe nuk mbeti pa e hedhur në poezi edhe gjendjen e vështirë që e kishim atë kohë.4
Në vitin 1906 kishte filluar detyrën e mësuesit në Halkali Baytar Mektebi, ku edhe vetë dikur ishte nxënës i kësaj shkolle. Në vitin 1909 punoi si profesor në Fakultetin e Letërsisë në Stamboll, dhe po në këtë kohë jepte mësim edhe në Medresen Dâru’l Funûn si profesor i Letërsisë Osmane. Në mes viteve 1918 - 1920 veproi si sekretar në Këshillin e Shkencave për Teblîg dhe Irshâd në “Dâru’l Hikmeti Islâmijje”, që ishte në leje me programin e Shejhulislamit. Po në këto vite ishte edhe udhëheqës i po këtij organi për shtyp i quajtur “Xherîde-i Ilmiyye” (Revista Shkencore).
Që nga viti 1929 e gjerë në vitin 1936 u dërgua si mësues i Gjuhës dhe Letërsisë Osmane-Turke në Egjipt, gjegjësisht në Universitetin e Kajros. Kështu që mund të themi se ai gjithë jetën e tij e kaloi si mësues.
Pas gjithë këtyre detyrave, Mehmed Âkif Ersoj u fut edhe në Parlamentin Popullor si deputet.
Veprat e tij ndahen në dy grupe:
I. Poezia: a) Safahât’i dhe b) Poezitë që nuk marrin pjesë në Safahât.
II. Proza apo Shkrimet e përgjithshme: Këtu marrin pjesë thuajse të gjithë punimet e tij: a) Tefsirët, b) Vazet/ligjëratat, c) Punimet autoriale, d) Përkthimet dhe e) Letrat që i dërgonte shoqërisë, bashkëpunëtorëve etj.
SAFAHÂTI5: Safahât quhet libri që i përmbledh poezitë e Mehmed Âkifit në shtatë pjesë. Kjo përbëhet nga 11.240 vargje dhe 108 poezi. Pjesa e parë e përmban emrin Safahât, kurse kapitujt tjerë përmbajnë emra në vete. Kjo vepër është botuar disa herë në atë kohë - me shkrim arab - dhe gjashtë kapitujt gjithmonë janë botuar në Stamboll kurse kapitulli i shtatë është botuar në Kajro. Në mes viteve 1908-1910 revista Sirât-i Müstakîm dhe Sebîlürreşâd6 ia botoi Safahâtin7. Ardhja e reformizmit bëri që populli të jetë i paaftë për leximin e alfabetit arab, andaj doli nevoja që një pjesë e literaturës, e po ashtu edhe Safahâti, të transkriptohet në alfabetin latin. Transkriptimi i Safahâtit ndoshta e mori goditjen e parë të zhvleftësimit të vlerës që kishte, sepse i humbi rima dhe melakonia e zgjatimit të zanorëve aty. Deri në ditët e sodit Safahâti ka përjetuar me qindra botime, kurse edhe sot e kësaj dite vazhdon botimi, komentimi dhe thjeshtësimi i tij. Transkriptimin e veprës Safahât për herë të parë e ka bërë Ömer Riza Doğrul në vitin 1934. Por më pas në transkriptimet tjera nga persona tjerë vërehet se ky i pari kishte bërë disa ndryshime që nuk duhet t’i falen aspak. Këtë ndryshim më së miri e ka hetuar M. Ertuğrul Düzdağ dhe ka bërë korrigjimin e tyre. P.sh. si ndryshim më tragjik mund të konsiderohet fjala hilâfet, ku në vend të kësaj fjale është vendosur fjala hukûmet etj.8

Kapitujt e Veprës Poetike Safahât
1. Safahât/Fletushkat: Ky kapitull përbëhet nga 44 poezi dhe 3084 vargje poetike, u botua 3 herë, më 1911, 1918 dhe 1928. Këtu flitet rreth gjendjes sociale dhe shoqërore të njerëzve dhe autori fton në bashkëpunim me njëri-tjetrin etj.
2. Süleymâniye Kürsüsünde/Në Ulësen e Xhamisë Sylejmanije: Përbëhet prej një poezie të gjatë me 1002 vargje; botohet katër herë: 1912, 1914, 1918 dhe 1928. Flitet rreth gjendjes së muslimanëve në përgjithësi, sepse Mehmed Âkifi vet e kishte parë gjendjen e tyre duke qenë prezentë në Rusi, Turkistan, Indi e më pas edhe në Japoni. Në këtë kapitull ai përshkruan pluhurosjen e njerëzimit nga ideologjitë e ndryshme dhe papunësinë e tyre.
3. Hakkın Sesleri/Thëniet e Krijuesit: Përbëhet prej 10 poezive dhe 482 vargjeve; botohet tri herë: 1913, 1918 dhe 1928. Me fillimin e Luftës Ballkanike (1912 - 1913) ai e kishte ftuar popullin që t’i bashkëngjiten asaj, kurse në anën tjetër mundohej të bënte bashkimin e tij sepse veç sa kishte filluar zilia të përhapej. Ai në këtë kapitull cek edhe atë se Shqipëria këtë here ka nevojë për ndihmë të madhe sepse lufta është më e ashpër se herave tjera në këto troje. Në Safahât cek:
Tre milion popull në dert të kokave të tre të pa mendve
Pa shih si copëtohen! Zgjohu baba, zgjohu nga varri!
Se të gjallët nuk shkuan në ndihmë, t’pakten ti shko...
Shqipëria po digjet... këso here me të madhe!9

Në fund të kësaj poezie të shkruar me 28 Rebiul Evvel, 1331 / 6 Mars 1913, Âkifi nuk e lë pa e cekur edhe modelin që duhet marrë nga shqiptarët, se nuk duhet shikuar as arabi e as turku, por vetëm udhëzimi i Pejgamberit, kështu që pak sa i kritikon këto dy popuj që kritikojnë njëri-tjetrin duke cekur:
Tani zgjohu më o popull (i vdekur) se u bë sabahu
A t’u duk pak ezani që tani të rënkojnë kumbanat?
Hapi sytë! Nuk do të mbetët as arabizmi e as turqizmi
Por dëgjoje fjalën Hyjnore të Pejgamberit ndershëm
***
Që moti po u tregon dhëmbët “civilizimi”
Dëshiron që së pari të copëtoheni e pastaj t’u gëlltis
Kur Shqiptarët për ju po bëhen shembull,
Ç’është kjo politik e mjegullt, kjo padi e prishur?
A nuk po e shihni rrugën e gabuar që shumica shkoni?
Përzini më hajdutin e juaj që ju drejton
Dëgjojeni këtë nga unë, unë që jam Shqiptarë...
S’mund t’them diçka tjetër... Ja vatani im perishan!...10

Siç vërehet edhe nga poezia, Âkifi e ka vërejtur që në mesin e muslimanëve po ndodhin përçarje, po hynë udhëheqësi e huaj. Ai këtu dënon nacionalitetin arab, turk apo çfarëdo që të jetë; ai u bën me dije këtyre se ne jemi musliman dhe se nuk ka dallim kombi. Kah fundi i poezisë e cek edhe atë se Shqipëria sa po ishte ndarë dhe po vazhdonte të ndahej nga Perandoria Osmane, si dhe në një aspekt po i bashkëngjitet një bashkësie tjetër. Ai i drejtohet popullit që të mos merret me politika mashtruese... Dhe krejt në fund të kësaj poezie që e cek në xhaminë Sylejmanie thekson edhe atë se ky është i ardhur nga tokat shqiptare dhe se është nga ky mes.
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Zymer Ramadani:MEHMED ÂKIF ERSOJ Empty Re: Zymer Ramadani:MEHMED ÂKIF ERSOJ

Mesazh nga Agim Gashi Tue Mar 24, 2009 11:23 pm

4. Fâtih Kürsüsünde/Nga Ulësja e Xhamisë Fâtih: Ka një poezi të gjatë me 1692 vargje. Kjo u botua katër herë, dy herë në vitin 1914, pastaj më 1918 dhe 1924. Në këtë kapitull poeti flet rreth bisedës që kishte bërë me dy shokë gjatë rrugës nga zbritja prej anijes në Urën Galata për në Xhaminë e Fâtihut, pastaj për tevekkulin, rëndësinë e punës dhe angazhimit, rreth atyre që pa kurrfarë diturie i japin vetes të drejtën për të dhënë norma fetare/fetva apo mendojnë se janë dijetarë. Ai më pas bën një kritikë ndaj atyre që e kanë shitur moralin, atyre që nuk e mbrojnë flamurin kombëtar, kundër armiqësisë ndaj dijetarëve muslimanë dhe mbytjes së tyre, rreth kullës së Edirnes në të cilën valonte flamuri Bullgar etj. Më në fund të fjalimit të tij në xhami, i kthehet gjendjes së Kosovës, derdhjes së gjakut në këtë vend, okupimin nga armiku serb, mbytjes dhe fundosjes së të pafajshmëve në lumin Vardar, gjakderdhjes së madhe dhe skuqjes së Selanikut nga gjaku, ku vazhdon duke thënë: kufomat, kufomat... pas këtyre fjalëve, së bashku me xhematin, qanë dhe bëjnë një dua për shehidët e Kosovës dhe rreth saj.11
5. Hâtıralar/ Kujtimet: Ka 10 poezi me 1314 vargje dhe u botua tri herë, më 1917, 1918 dhe 1928. Flet rreth disa kujtimeve të mbetura nga Gjermania, rreth luftës së Çanakalasë, shkretëtirës së Nexhdit dhe varrit të pejgamberit në Medine etj.
6. Âsım: Një poezi me 2292 vargje, botohet dy herë, më 1924 dhe 1028. Ky kapitull është i mbushur me bisedën e bërë me një Imam dhe birin e tij Asimin.
7. Gölgeler/ Hijet: Ky kapitull gjithsejtë posedon 41 poezi me 1374 vargje dhe botohet vetëm një herë në vitin 1933. Në këtë kapitull të fundit të botuar në Egjipt poeti shkruan rreth pozitës së njeriut në këtë jetë, pozitës dhe gjendjes së Islamit. Por këto i shpreh me një gjuhë të dhimbshme duke u dorëzuar në caktimin e All-llahut.12
Kjo, pra, ishte një pasqyrë rreth veprës poetike të tij. Mirëpo duhet ditur se ka shumë nga poezitë që nuk janë shkruar në Safahât, si p. sh. “Marshi Kombëtar”. Për këtë ai thotë se ky marsh është i popullit, andaj e sheh të arsyeshme që të mos e fus në poezitë personale.

Proza apo shkrimet e përgjithshme
1. TefSirât /Komentet e Kur’anit dhe të Haditheve: Këto shkrime personale arrijnë numrin e pesëdhjetë e shtatë artikujve. Disa nga këto janë cekur në Safahât. Këto tefsire janë të shkurtra vetëm me një apo dy ajete e hadithe që nevojitej të cekeshin në atë kohë. Për këtë shkak këto mund të konsiderohen edhe këshilla të kohës e jo edhe si tefsir. Këto më së shumti u botuan në revistën Sebîlürreşâd që nga numri 183, nën titullin “Tefsîr-i Şerîf”.13 Bazuar në Sebîlürreşâd, Dijaneti Turk ka botuar një libër tefsiri të Âkifit me emrin Mehmed Âkıf’ın Kur’an-ı Kerim’i Tefsiri; Mev’iza ve Hutbeleri.
2. Ligjëratat: Âkifi kishte shumë ligjërata, kurse ato që janë përmbledhur në shkrim janë nëntë. Njëra nga këto ishte botuar në librin Mevâiz-i Dîniyye dhe një herë këto janë botuar në Sirât-i Mustakîm. Të tjerat, tri nga ato flasin për luftën në Ballkan, janë thënë në xhamitë më të mëdha të Stambollit, në atë të Bajazitit, në Fatih dhe Sylejmanije, kurse të tjerat janë mbajtur në vende të ndryshme janë botuar në Sebîlürreşâd.
3. Artikujt: Këto i ka shkruar rreth mendimeve, psikologjisë, letërsisë dhe mentaliteteve të ndryshme të popujve apo në forma bisedash. Janë botuar në Sebîlürreşâd dhe Sirât-i Müstakîm. Janë rreth pesëdhjetë artikuj. Mirëpo pretendohet se të gjithë artikujt nuk janë botuar dhe se disa nga ato gjenden në duart e personave të ndryshëm.
4. Përkthimet: Vepra më e çmuar e tij të cilën pas një kohe mjaftë të gjatë kishte vendosur ta merrte për sipër është përkthimi i Kur’anit në turqisht. Me vendimin e marrë nga Parlamenti Popullor i Turqisë me 21 shkurt 1925, Dijaneti i kishte propozuar Elmalılı Muhammed Hamdisë që t’i bënte një tefsir/koment Kur’anit, por për përkthimin i kishin propozuar Mehmed Âkifit. Âkifi këtë propozim e kishte pranuar me kusht që përkthimi të mos botohej në një vend të veçantë, por të botohej së bashku me tefsirin e Hamdiut. Ai përkthimin e kishte kryer në mes viteve 1926 - 1929, por edhe më pas kishte vazhduar të punojë në këtë drejtim. Por, për fat të keq, në këtë vit në Turqi u vendos diktatura që Ezani të këndohet në gjuhën turke dhe Âkifi kishte brengen se mos ndoshta ky ligj po i obligon muslimanët që edhe namazin ta falin përmes përkthimit të tij, andaj për këtë shkak ai e prishi marrëveshjen e bërë dhe nuk ua dorëzoi përkthimin. Kur ishte sëmurë në Egjipt, gjatë kthimit në Turqi, kishte lënë porosinë që ai përkthim të mos i dorëzohej askujt dhe të digjet në tërësi, kurse nëse kthehet nga Turqia i shëndoshë, do të vazhdonte që ende të punojë së bashku me Mehmed Ihsan Efendiun (1902-1961). Mirëpo ky nuk e kishte djegur atë përkthim, por pas vdekjes së Âkifit kishte filluar ta shkruaje atë me shkrim të vetin nga fillimi.14 Shkrimin e përkthimit të Âkifit dhe përkthimin e Âkifit i kishte vendosur në një arkë, duke i lënë porosi të birit të vet që pas vdekjes ta djeg atë.15 Me këtë sjellje ai ka dashur që të mos e djeg me duart e veta. Pasi vdes, i biri i Shejhul Islamit Mustafa Sabriut, Ibrahimi, kishte dhenë urdhër që të digjen.16 Âkifi kishte bërë edhe shumë përkthime artikujsh tjerë nga arabishtja në turqisht dhe anasjelltas, por edhe nga persishtja etj. Ka bërë diku 55 përkthime të ndryshme, kurse nga përkthimet që janë botuar gjerë më sot janë:
1. “Müslüman Kadını”, Ferid Vecdi, İstanbul, 1325. Përkthim nga Arabishtja.
2.“Hanoto’nun Hücumuna Karşı Şeyh Muhammed Abduh’un İslâm’ı Müdafâsı”,17 İstanbul, 1331. Ky është një përkthim kundërpërgjigje e Muhammed Abduhu ndaj politikanit dhe historianit Francez Gabirel Hanotaux, kur në revistën Le Journal kishte shkruar një artikull kundër Islamit.
3.“İslamlaşmak”Said Halim Paşa, İstanbul, 1337. Nga Frëngjishtja, botuar në Sebîlürreşâd.
4.“Anglikan Kilisesine Cevap”, Abdülaziz Câviş, İstanbul, 1339 - 1341. Përgjigje apo kundërpërgjigje e Shejhul Islami A. Câviş në gjuhën arabe ndaj Kishës Anglikane dhe interpretime të Islamit ndaj politikës, ekonomisë etj.
5. “İçkinin Hayât-ı Beşer’de Açtığı Rahneler”, Abdülaziz Câviş, Ankara, 1339. Përkthim nga arabishtja që ka të bëj me dëmet që sjell alkooli.18
Mehmet Âkifi vdiq në Beyoğlu të Stambollit, në mbrëmje të së dielës, më 27 Dhjetor të vitit 1936. Lidhur me vdekjen e tij nuk është përhapur lajmi dhe nuk është organizuar asgjë zyrtarisht për xhenazen, por këtë e bënë disa studentë të universitetit dhe për një kohë shumë të shkurtër u tubuan me mijëra xhemat në varrimin e tij. U varros në varrezat e dëshmorëve në Edirne.19 Në vitin 1986 varrin e Âkifit e merr për sipër që ta restaurojë arka shtetërore.20

Fusnotat:
1 Safahât, Mehmed Âkif Ersoy, Orhan Okay – Mustafa Isen, XVI, Ankara, 1990; Safahât, Mehmed Âkif Ersoy, XIII, Hazirlayan Akvaryum Yayinevi, Istanbul, 2006.
2 T. D. V. Islam Ansiklopedisi, vëll. 28, f. 433, Ankara 2003; Safahât, Prof. Dr. Ömer Faruk Huyugüzel, Yardç doç. Dr. Rıza Bağcı, Arş. Gör. Fazıl Gökçek, boton, Zaman Gazetesi, f. III-V. Vëll. 1, Istanbul pa vit botimi.
3 M. Ertuğrul Düzdağ, Safahât, f. 13, 20, Stamboll 2007.
4 Orhan Okay – Mustafa Isen, Safahât, XVI, Ankara, 1990.
5 Safahât ka kuptimin fletushkë, kapitull, periudhë etj.
6 Mehmed Âkifi kishte qenë edhe si organizator, e më vonë edhe redaktor i këtyre revistave.
7 Orhan Okay - Mustafa Isen, Safahât, XXIX, Ankara, 1990.
8 Safahât, Libri i tretë, Hakkin Sesleri.
9 M. Ertuğrul Düzdağ, po aty.
10 Safahât, f. 184, kapitulli i tretë, Hakkin Sesleri.
11 Shih Safahât, kapitulli “Hakkın Sesleri”.
12 M. Ertuğrul Düzdağ, Safahât, f. 39 - 50.
13 T. D. V. Islam Ansiklopedisi, Mehmed Âkif Ersoy, f. 438, vëll. 28.
14 Nëpër literatura të ndryshme jepen mendime të shumta, por ne dhamë atë që është më i pranuar.
15 Shih: Kur’an’in Tercümesi ve Tercüme ile Namaz Meselesi, Dr. Halil Altuntaş, f. 97-103, T. D. V. yay, Ankara 1998.
16 Shih: T. D. V. Islam Ansiklopedisi, biografia e Mehmed Ihsan Efendiut, f. 490 – 491, vëll. 28; M. Âkif Ersoy, Islam Ansiklopedisi, f. 434, vëll. 28, Ankara, 2003.
17 Safahât, (Orijinaj metin - Sadeleştirilmiş metin - Notlar), Prof. Dr. Ömer Faruk Huyugüzel, Yardç doç. Dr. Rıza Bağcı, Arş. Gör. Fazıl Gökçek, boton, Zaman Gazetesi, f. V-VIII. Vëll. 1, Istanbul.
18 Düzdağ, Safahât, f. 51, 52; T. D. V. Islam Ansiklopedisi, Mehmed Âkif Ersoy, f. 435 - 438, vëll. 28. Ankara, 2003.
19 Orhan Okay - Mustafa Isen, Safahât. Ankara 1990.
20 Safahât, (Orijinaj metin - Sadeleştirılmiş metin - Notlar), Prof. Dr. Ömer Faruk Huyugüzel..., boton, Zaman Gazetesi, f. VIII. Vëll. 1, Istanbul.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi