Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Baki Ymeri: Arti dhe kultura në funksion të identitetit kombëtar

Shko poshtë

Baki Ymeri: Arti dhe kultura në funksion të identitetit kombëtar Empty Baki Ymeri: Arti dhe kultura në funksion të identitetit kombëtar

Mesazh nga Agim Gashi Mon May 09, 2011 12:41 am

Baki Ymeri: Arti dhe kultura në funksion të identitetit kombëtar U1_RemziLimani-EseKritike
Baki Ymeri: Arti dhe kultura në funksion të identitetit kombëtar U1_RemziLimani
Arti dhe kultura në funksion të identitetit kombëtar
(Remzi Limani, ESE KRITIKE, Prishtinë, 2011)
Sulmi ndaj Kadaresë është sulm ndaj gjithë botës shqiptare. Kadareja është shprehja e personalitetit krijues e të thellë të popullit shqiptar. Për fat të keq, personaliteti i popullit shqiptar gjendet në gjendje latente, si një xeherore e artë iliriane, e obstrukcionuar nga profiterët e kohës.
Nga Baki Ymeri (Bukuresht)
Se arti është pasqyrë e botës së qytetëruar, duhet dëshmuar me punë, cilësi dhe artefakte, të cilat na dëshmojnë dhe flasin për vlerat dhe identitetin tonë nëpër kohë dhe hapësirë. Ky definicion kushtuar Salih Lutollit, vlen edhe për autorin e kësaj vepre, Remzi Limani (1955), i cili vjen në këtë botë për të studiuar Dizajnin në Fakultetin e Arteve në Universitetit të Prishtinës. Në krijimet artistike, kryefjalë dhe kallëzues i ka artet e bukura me intensitet të ndryshëm përmes shprehjeve artistike në fushën e dizajnit, pikturës, poezisë, prozës, eseve, aforizmave, por edhe përmes kuptimeve për artet pamore dhe muzikës artistike. Në të gjitha këto krijime, Remziu ruan baraspeshën e arsyes që arti të shtrihet gjërë e gjatë në rrafshin e vlerave kombëtare në fushën e kulturës, i dekoruar me një serë shpërblimesh e mirënjohjesh vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa në vitin 1999, Senati i Akademisë Internacionale “Qyteti i Romës”, e nominoi “Kryetar artistik për Kosovë”. Në ndërkohë ka inauguruar një numër të konsideruar ekspozitash, ka botuar disa libra, ndërsa aktualisht punon në Pallatin e Rinisë, Kulturës dhe Sporteve, në Prishtinë në cilësinë e udhëheqësit të kulturës.
Libri i Remzi Limanit ka për moto dhe parathënie, individin, artin dhe kulturën në funksion të shoqërisë dhe të identitetit kombëtar. Për fat të keq, jemi në një kohë të krisur të krizës mondiale, kur ende nuk mund të garantojmë se institucionet e kulturës (jo vetëm në Kosovë e Shqipëri), i japin prioritet përkrahjes, afirmimit dhe sensibilizimit të vlerave të mirëfillta në të gjitha fushat e artit dhe të kulturës. Prioriteti patriotik në këtë kontekst, herë pas here zëvendësohet me prioritetin politik të interesave meskine, personale, nepotiste dhe karieriste. Historikisht, thekson autori, “njeriu gjithmonë luftoi me të keqen e kohës së tij, duke u ngritur si feniksi nga hiri i tij, si nevojë jetike dhe e drejtë e pakontestueshme për të qenë aty ku është sot. Shekuj me radhë, njeriu ynë i përjetoi katrahurat më mizore në luftë kundër katallanit dhe bajlozit të zi për ta flakur dhunën fizike dhe atë psikologjike, në mbrojtje të të drejtave njerëzore dhe të identitetit kombëtar.”
Njohim disa “krijues” që vuajnë nga komplekset e xhelozisë e të grandomanisë, dhe njohim një ishkëshilltar qeveritar që në vend që të sigurojë mjete për botimin e “Shqiptarit” apo të revistës “Kosova”, siguron (te) mjete për zgjerimin e pasurisë, duke i bërë temena shlivovicës serbe dhe rakisë shqiptare. Por kjo nuk don të thotë se përveç kuadrove me mentalitet primitiv që nuk kanë pregatitje profesionale për të siguruar mjete për të sponsorizuar libra, revista, gazeta, ekspozita, bota shqiptare nuk ka edhe njerëz të cilët dinë të kuptojnë respektin dhe nderin ndaj krijuesve që meritojnë të përkrahen. Së këndejmi, sipas autorit të kësaj vepre, duhet të kuptojmë se arti dhe kultura janë pasqyrime konkrete të cilat na japin imazhin e një mozaiku të plotë dhe pjesën më thelbësore të një shoqërie polivalente, të ngjizur dhe të dalë nga trungu i vet.
Kjo aksiomë në vetvete ngërthen të bukurën si element lidhshmërie të pjesës përbërëse të një kulture dhe qytetërimi i cili hap rrugë të reja drejt komunikimit ndërnjerëzor, gjithandej botës së qytetëruar. Në këtë kuptim, thekson autori i kësaj vepre, artistët apo krijuesit e fushave të ndryshme të artit dhe të kulturës nuk duhet të merren me lartpurlartizëm, devizë sipas së cilës krijohet dhe zhvillohet arti vetëm sa për të qenë art duke i mohuar atij çdo funksion shoqëror, por, atë duhet kultivuar dhe veshur me artin e gjuhës së rrënjës dhe të kohës si qasje dhe kuptim filozofik, ngase, të gjitha historitë fillojnë nga arti dhe kultura, si shtylla kryesore dhe tregues vlerash të një etnosi indigjen, i cili mëton të ecën drejt njohjeve të reja për identitetin dhe të vërtetën e tij, pa u lënë hapësirë të tjerëve për t`i shtrembëruar të vërtetat e vlerave tona, siç ndodhi shekuj me radhë, duke e ngulfatur të vërtetën tonë historike dhe kulturën si pjesë vitale e vlerave të popullit tonë, një nga më të vjetrit, jo vetëm në Gadishullin Ballkanik, por edhe në Evropë.
Sulmi ndaj Kadaresë është sulm ndaj gjithë botës shqiptare
Kjo vepër vlerash të veçanta strukturohet në 20 njësi përmbajtësore ku defilojnë portretet e 20 intelektualëve shqiptarë të mirënjohur në fushë të artit, muzikës, pikturës dhe kulturës letrare. I pari ndër ta është shqiptari më i njohur në botë, Ismail Kadare, për të cilin thot: Nëse ia kemi dalë të shkruajmë një libër, patjetër se ia kemi dalur ta ndezim një dritë në errësirën e njerëzimit. I nderuari Kadare, ndezi shumë drita për të ndritur errësirën tonë shekullore. Tani, falë gjenialitetit të tij krijues, letërsia shqipe është më afër se kurrë nën llamburitjen e dritave të skenës ndërkombëtare, në fushën e letërsisë moderne. Shpeshherë të arriturat e një njeriu e ndritin një botë të tërë. Dhe, për mrekullitë e shumta të cilat dalin nga mendja e krijuesit, shoqëria e kësaj bote të cilës i takojmë edhe ne, ka menduar se krijuesit janë njerëz të veçantë dhe për këtë ata duhet të vishen me petkun e të merituarëve. Së këndejmi, në këtë kuptim, na habit fakti se çka po ngjet me çmimin Nobel dhe me shkrimtarin tonë më të shquar të letrave shqipe, Ismail Kadare. Kadareja është shprehja e personalitetit krijues e të thellë të popullit shqiptar. Për fat të keq, personaliteti i popullit shqiptar gjendet në një gjendje latente, si një xeherore e artë iliriane, e obstrukcionuar nga profiterët e kohës.
Ky njeri, tashmë me një reputacion ndërkombëtar në fushën e letërsisë, i përkthyer në mbi dyzet gjuhë të botës, veçmas në gjuhët kryesore që i flet bota e qytetëruar, sikur mbeti peng i politikës së një kohe të mbrapshtë. Merreni me mend, potencon Remziu në librin e tij, tash e dy decenie, ky njeri i cili arriti në panteonin e letërsisë botërore, radhazi propozohet për çmimin Nobel dhe asnjëherë deri më tash, nuk arriti të vishej me petkun e nobelistit. Madje - madje, shton autori, siç dihet, u propozua edhe nga vetë shteti i Francës, por sipas rregullave të mbrapshta dhe për mua tepër ironike, ai u refuzua me një arsyetim banal, sepse ai po shkruaka shqip dhe se shteti i Francës nuk mund ta nominojë një shkrimtar i cili nuk shkruan në gjuhën e atij shteti nga i cili propozohet. Nuk dua të merrem me spekulime, përderisa nuk më bind fakti dhe e vërteta për një gjë, mirëpo, është përfolur shumë se vetë ne krijuam barrikada të shumta në dëm të Kaderesë, përkatësisht në dëm të vetvetes, në dëm të kulturës sonë dhe tërë kombit shqiptar. Mbase, edhe ambasadori i Shqipërisë në Suedi, Bardhyl Kokallari, i kishte shkruar letër Komitetit për ndarjen e çmimit Nobel, në dëm të shkrimtarit tonë. Prandaj, për të gjitha këto që flitet, do të isha shumë i lumtur sikur këto marrëzira të jenë vetëm thashetheme të shkëputura nga trungu i interesave të qarqeve të caktuara, sepse sulmi ndaj Kadaresë është sulm ndaj gjithë botës shqiptare.
Kadareja është njëri nga shkrimtarët që zë një vend të madh edhe në shpirtin e krijuesve rumunë, i përkthyer që nga viti 1974, fillimisht nga Foqion Miçaço. Remzi Limani flet edhe për një francez që e lexonte librin e një shkrimtari shqiptar: “Artistin e mrekulloi pa masë dhe nga befasia e këndshme, nuk e foli asnjë fjalë, mbase edhe nuk ia kapte fare frëngjishten dhe as taksistit anglishten. Prandaj, jo rastësisht, tendenca e poligonit qitës, i cili në vazhdimësi rrjedh nga ujërat e zeza që burojnë nga tokat sllave dhe agjenturat e tyre sekrete, të orkestruara nën psikozën e shkencës së urrejtjes, mundohen me mish e me shpirt për t`i zhvlerësuar dhe çmitizuar figurat më eminente të kombit shqiptar së bashku me identitetin tonë kombëtar, që nga figura madhore e Skënderbeut e deri tek Nëna Terezë e Kadareja dhe shumë personalitete tjera të shquara kombëtare me reputacion ndërkombëtar, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në mozaikun e përgjakur të popullit shqiptar, për të arritur deri tek e sotmja dhe për të qenë vetvetja...
Bekimi i bekuar nga Zoti
Jo çdo gazetar mund të jetë shkrimtar, por çdo shkrimtar mund të jetë edhe gazetar, siç është edhe Remzi Limani, i cili në këtë vepër nuk merret me publicistikë por me ese kritike kushtuar disa perlave artistike dhe letrare të botës shqiptare. Pas Kadaresë vjen Bekim Fehmiu, të cilit i qëndis portretin e një artisti të veçantë, “njëri ndër ambasadorët e parë të kulturës sonë kombëtare, i cili, porsi një tempullar fisnik, triumfalisht hyri dhe shkëlqeu në arenën e kinematografisë ndërkombëtare. Sikurse Aleksandër Moisiu, Gjon Belushi edhe aktori, Bekim Fehmiu dhe ndjenja e tij e fuqishme kombëtare së bashku me kontributin e dhënë në fushën e artit e bën këtë njeri një personalitet dhe aktor të njohur gjithandej në botë dhe pavdeksia e tij tashmë e stampuar në historinë e kinematografisë botërore. Ani pse, ai kryesisht luajti në projektet e huaja, të cilat ia ofruan regjisorët e famshëm botërorë të industrisë së filmit, Bekimi, ishte dhe mbeti një margaritar i cili pa dyshim e pasuroi pjesën më të ndritshme në gjerdanin e kulturës sonë kombëtare.”
Bekim Fehmiu, kurrë nuk iu frikua vdekjes, por, kishte drojë nga procesi i saj. Ndaj, ai deshi të dilte nga procesi i vdekjes, proces i cili kishte synime të shtrohej para tij dhe në sytë e të tjerëve në mënyrën më të palakmuar për të. Ndaj, artisti i madh, vendosi për rolin e tij të fundit… duke bërë një lloj monologu para Zotit, për ta bekuar dhe miratuar vdekjen e tij të cilën e zgjodhi vetë…Se ky njeri, vërtet na përkiste neve dhe ne atij - e dëshmoi amaneti dhe dëshira e tij e fundit: që hiri i shpirtit të tij të ecën gjithandej së bashku me rrjedhën e Lumbardhit nëpër kohë dhe hapësirën tonë. Pra, e gjithë kjo, thekson Remzi Limani, nuk ishte rastësi, por një kuptim filozofik për jetën dhe vdekjen, atdhedashurinë dhe mallin e njeriut për të shuar etjen e fundit, atje tek sofra e përbashkët të emrit shqip. Artisti ynë, kudo që shkoi, kudo që jetoi, ai, me kujtime nën sqetull hapëroi, duke mos e harruar kurrë aromën e nënqiellit mbi Ilirikum.
Në vazhdim, autori nxjerr në pah mungesën e ndërgjegjjes parlamentare dhe mediokritetin provincional të pushtetarëve tanë që nuk dinë ta çmojmë njeriun tonë karshi të tjerëve të cilët në vazhdimësi u këndojnë miteve të paqena, për të na servuar heronjtë e tyre të shpifur. Kështu, vazhdon autori, dhe në këtë mënyrë, ne vet e çojmë ujin në mullirin e dreqërve, të cilët, si zakonisht gjithmonë e shfrytëzuan naivitetin tonë. Ata… shekuj me radhë, të vërtetën tonë e trumpetuan në mënyra ndër më të ndryshmet duke investuar në vazhdimësi në përvetësimin e figurave tona madhore të historisë, humanizmit dhe kulturës sonë kombëtare dhe shumë të tjerëve duke u munduar t`i minimizojnë sa më shumë të arriturat tona kombëtare në të gjitha fushat e jetës. Në kontekst të gjithë kësaj, duhet të kuptojmë: se aty ku çmohet artisti dhe kultivohet arti, kultivohet edhe vetëdija kombëtare. Në këtë kuptim, Bekim Fehmiu, ishte rrumbi i cili rrahu kambanat e para, të cilat lëshuan tingëllimat anëpranë botës së qytetëruar - gjithandej ku emri i tij ishte letërnjoftimi ynë kulturor dhe shkëlqimi i tij prej aktori me namë, i cili, pa dyshim ndriti kuptimin e një emri shqip të cilin e bekoi Perëndia për të qenë dhe për të mos vdekur kurrë.
Femra është si hëna që shkëlqen në fytyrat tona
Duke bërë fjalë për afirmimin e vlerave shqipe në dasporë, portreti i tretë, kronologjik, në kët album eseshë kritike, i kushtohet autorit të këtij shkrimi, i cili për hirë të modestisë nuk e interpreton, ngase shqiptarit nuk i ka hije të flasë grate e hallkut apo për vetveten, ndaj nga bubullima e Bukureshtit “që s’lodhet kurrë në kërkim të rrënjëve tona dhe të lashtësisë sonë të lavdishme”, siç shprehet Remziu, po kalojmë te një ambasador tjetër i kulturës shqiptare në Francë, Bajram Sefaj, shkrimtar dhe publicist, i cili mjeshtërisht nxjerr në pah veçoritë e së bukurës hyjnore - me dëshirë për të qarë në prehërin e saj të vajit dhe të mallit për të bukurën engjëllore, e cila nuk mund t`i shmanget syrit të artistit e të mos vishet me fjalët ndër më të ngrohtat, që do ta vënin në sprovë secilin prej nesh. Një nga librat e fundit të tij, hapet me thënien e dramaturgut të famshëm francez me origjinë rumune, Eugene Ionesco, sipas të cilit “Puna e artit, mbi të gjitha, është një aventurë e mendjes”. Në bazë të kësaj, duhet të themi se mendja e krijuesit, konform autorit, e ndrit botën atëherë kur hynë në funksion. “Kjo aksiomë, tek Sefaj, në vetvete rrokullisë botën e gjallë anëpranë udhëve dhe aleve të metropoleve të kësaj bote, sa të ëmbël, po aq të hidhur.”
Bajram Sefaj është regjisori i parë shqiptar që më ka prezantuar në Televizionin e Kosovës. Jo kjo është me rëndësi, por libri i tij “Rrëfenja fluide” (Rozafa, Prishtinë), i cili sipas Remzi Limanit reflekton një pasqyrim lucid, duke e stolisur të bukurën femërore me dimensionin figurativ dhe poetik, për ta kuptuar dhe shijuar atë që quhet e bukur dhe engjëllore. Sipas nesh, gruaja përfaqëson furtunën në jetën e burrit. Ajo është një forcë motorike e jetës, ndërsa burri është vetëm çelësi i konatktit. Të gjitha rrugët e këtij universi, anipse në kahe të ndryshme, ato së bashku me artistin dhe fjalën e tij të shkruar takohen në një pikë të çatisë, ku prajshëm ledhatohet e Bukura e Dheut. Kështu shprehet autori i mendimeve kritike mbi shtjellimin e ngjarjeve të ndryshme dhe peripecive të cilat i shtron jeta para njeriut, i cili, mjeshtërisht i zhvesh që nga syri e deri tek zogu i këmbës - duke i ikur metaforës dhe surreales me qëllim që të t`i dhurojë lexuesit pamjen e vërtetë të formave dhe detajeve mahnitëse të asaj që e krijoi Perëndia - si lodrën më të ëmbël, më të kërkuar, më të dashur dhe më të rrezikshme për botën mashkullore. Pra, vazhdon autori, femra si qenie më vete është një labirint i panjohur dhe si e tillë, ajo ka aftësi të jashtëzakonshme për ta ndryshuar veten e saj dhe prap të mbetet e lakmueshme dhe e pazëvendësueshme për botën naive mashkullore. Pra, femra është si hëna; ajo vazhdimisht e ndërron formën dhe prap është e lakmueshme dhe gjithnjë në funksion të një drite e cila këndshëm shkëlqen në fytyrat tona.
Në këtë kuptim, kjo qasje e të shkruarit shkurteshqip lë të kuptojmë se Bajram Sefaj qëmoti është zhveshur nga droja e botëkuptimeve primitive dhe mediokritetit provencional. Në këtë kontekst, shkrimtari e do, e shpreh dhe e kultivon fjalën e lirë, pa e ngulfatur veten e tij dhe lexuesin kurioz për t`i përjetuar imazhet dhe sekuencat në sytë e një bote të harlisur dhe njëkohësisht të lakmuar, të cilën pa asnjë vështirësi mund ta imagjinojmë duke lexuar këtë libër i cili vjen si fresk dhe si relaks për t`u çliruar nga mendja dhe hijet e zeza të përditshmërisë së stërngarkuar me telashe nga më të ndryshmet të jetës sonë, një jetë e traumatizuar e cila është duke përjetuar një ngërç në të gjitha segmentet e saj. Pra, guximin intelektual dhe krijues të zt. Sefaj, nuk e posedojnë shumë, dhe shumicës së krijuesve tanë dhe njeriut të rëndomtë u mungon guximi për t`i thënë gjërat me emrat që i kanë, emra të cilët të gjithë ne i kemi për qejfi t`i dëgjojnë dhe eventualisht tinëzisht t`i bëlbëzojnë nëpër dhomat tona të gjumit…
Së këndejmi, duhet të shtojmë se në këtë vepër fjalëformimet erotike në brendinë e tyre ngërthejnë edhe poetiken si vlerë letrare dhe vlerë e komunikimit të ndërsjellë, ku shkrimtari dhe lexuesi korrespondojnë pa ndonjë pengesë. Këtu, letrari ynë na servon të bukurën ashtu siç e sheh synari i kamerës dhe i mendjes së tij. Pra, pa asnjë dyshim, libri “Rrëfenja fluide” i autorit, Sefaj, në kaptinat e tij nuk e fsheh dorën e një krijuesi për t`iu qasur të vërtetës e cila shpërthen kudo në mendjet tona dhe momentet e jetës së njeriut (sidomos njeriut në mërgim), e të mos na dhurojë fjalët e bukura siç ia ka enda atij dhe lexuesit. Lexuesi mund të parashtrojë pyetjen se kush është ai që e ngren femrën në qiell: Bajrami, Remziu apo Bakiu? Merita elementare në këtë kontekst i përket autorit të parë dhe të dytë, i cili thekson se këto mrekulli të shprehjeve artistike, padyshim se e begatojnë dhe lartësojnë letërsinë tonë moderne, ngase vetëm nga fjalët të cilat pastër rrjedhin nëpër konturet e mendjes së krijuesit me sensin i shprehjeve të një lirie të plotë, janë brum i arrirë për të gatuar bukën e shkruar si ushqim dietal për mendjen dhe trupin e shëndoshë.
Kur të do Populli, të do edhe Zoti
Duke shkruar për Vezir Ukajn dhe vëllimin e tij poetik “Bush” kushtuar vizitës së presidentit amerikan George W. Bush në Shqipëri (10-12 qershor 2010), remzi Liman citon shprehjet se “Dashuria ndaj njeriut dhe përkrahja e një populli për të dalë Zot i vetes, është Virtyti më i madh që Njeriun e shpie drejt Shenjtërimit… Mirëkuptimi i Njeriut për Njeriun mbetet vlerë dhe Dashuri e madhe, e përhershme, ndaj dorës së zgjatur të një miku. Kur të do Populli, të do edhe Zoti! Në Truallin, në Dheun e vet, një etnos i lashtë ka lëshuar rrënjët e bujarisë, ka gatuar, me sakrifica e me pengesa llojesh të ndryshme, historinë e tij, kulturën e tij fisnike, ndjenjën e dashurisë dhe të miqësisë me të tjerët. Është Populli shqiptar, nga më të vjetrit në Gadishullin Ballkanik që, ballëhapur, shtrëngoi dorën e Mikut dhe, puthi Syrin e Tij, deri tek idetë, deri tek Dinjiteti i Mikut të nderuar. Një Përqafim i Mikut të nderuar, i Presidentit amerikan Xhorxh W. Bush, zgjoi ndjenjën dhe muzën e këndimit të poetit tonë Vezir Ukaj, i cili kishte njohur mirë dhe kishte pësuar në një kohë, nga populli e shteti lirishkelës e i padinjitetshëm, gjithnjë me bindjen se ata që s'kanë miq, s'e kanë as vetveten, se Miku i Mirë të bën hije në vapën e madhe dhe Fjala e tij dhe vepra e tij shëmbëllen me shkëmbin që nuk luan nga vendi i vet.
Ky libër me poezi është pasqyrë e një dhembjeje të këndshme, dalë nga plagë e varrë të malcuara në shpirtin e poetit. Kjo ndjenjë shpërtheu natyrshëm si shkreptimë e plagës së moçme për atdhedashurinë dhe për frymëmarrjen e lirshme që na solli Amerika dhe Njeriu i Mirë, me lirinë, me njerëzinë dhe me miqësinë si vlera të gatuara përgjatë histories. Këto poezi, të vargëzuara me margaritarë lotësh nga rrjedhja e lumit të njerëzve në përqafim të Presidentit Bush, dëshmojnë më së miri se dashuria ndaj Njeriut të madh, është blatim ndaj Mikut dhe Fjalës së tij, e cila u bë dritë e një jete të dinjitetshme.
Kjo është arsyeja pse, poeti Vezir Ukaj, këngën tonë të vrarë nëpër shekuj, e shpalosi për t`i dhënë kuptimin e duhur aromës së mëngjesit dhe rrugës sonë drejt jetës, bashkë me miqtë, drejt horizonteve të reja... Remzi Limani thekson se Vezir Ukaj, si veprimtar i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, me Adem Demaçin në krye, ka qenë i dënuar politikisht dhe për disa vjet, dënimin e ka vuajtur në burgun më famëkeq të Serbisë – në Nish.
Edhe pas vuajtjes së këtij dënimi, Vezir Ukaj është arrestuar disa herë. Të themi se Vezirin e kemi përkthyer në gjuhën e një vendi ku njeriu lind poet, mos po e teprojmë, ndaj po kalojmë nga një krijues i mirë te këngëtarja jonë e mirënjohur Shpresa Gashi, dhe kënga e saj si një frymë dhe specifikë e vaçantë në kuptimin e interpretimit individual dhe cilësor, sopranja imperiale e këngës kosovare e cila u lind dhe mbeti gjithmonë e kushtuar të frymojë shqip për ta kuptuar dhe dëgjuar të gjitha moshat. Edhe këtu, konsideratat ndaj saj janë të përbashkëta, sa të autorit të këtij shkrimi, po aq edhe të autorit të veprës “Ese krikikë”, sipas të cilit, këto vyrtyte e bëjnë këngën dhe zërin e saj miklues, të mbesin me të njëjtin shkëlqim, duke i mbetur besnike vlerave kombëtare pa iu nënshtruar lakmive dhe rrebesheve të kohërave, të cilat patën tendencën e ngulfatjes të një kulture dhe të një populli që diti ta kultivoj kombëtaren, që lë të kuptojmë se kemi të bejmë me një personalitet, e cila mbi dyzet vite mbeti mbi krahët e këngës, duke na dhuruar shpirtin dhe zërin e saj prej një artisteje të merituar dhe fisnikeje të vërtetë, duke e dhënë një kontribut të çmuar e të begatë në pasurimin e vlerave të dëshmuara kulturore në kuptimin e evoluimit historik të këngës shqipe nëpër kohë me të gjitha tiparet e një kënge, e cila do të jetojë me ne e pas nesh. Kënga e saj vazhdimisht udhëtoi nëpër kohë dhe pati qëllimin e dëshmive të vlerave të stampuara, që nuk do të shuhen kurrë.
Mugëtira e derdhur mbi majat e Alpeve Shqiptare
Remzi Limani e strukturon librin e tij si një formë e natyrshme e organizimit artistik, duke i dhënë hapsirë të njëjtë prozës, poezisë, këngës dhe pikturës. Duke shkruar për poeteshën Naime Beqiraj, ai shkruan mbi kujtimet e imazheve të jetës, së bashku me dhembjen e bukur të fjalës së farkëtuar në thellësinë e shpirtit të prushtë, të shkrirë nga dashuria për poetikën hyjnore dhe romancën e lojës së hënës deri në bardhësitë e fjetura në sytë e këngës së agut dhe mugëtirën e derdhur mbi majat e Alpeve Shqiptare. Naime Beqiraj, sipas tij, në dritë hëne qëndis vargjet e argjenduara për të na dhuruar dromcat e një jete duke e sendëzuar në trajë konkrete deri te himnizimet e këngëve tona, për të bukurën e humbur dhe në kërkim të saj…Naime Beqiraj, lindi e profilizuar për t`i kultivuar dhe vargëzuar fjalët e shkruara, të mbushura përplot qëndizma figurash që sintetizojnë bërthamën e betejave nëpër kohë për t`i dhënë kuptim artistik deri në lartësitë më bardhoshe të krijimtarisë poetike. E tërë kjo mrekulli e Naimes në vetvete ngërthen një vëllim të rrallë e të lakmueshëm ku frymon metafora e fjalës e mbështjellë me dashurinë dhe intimen të mbështetur në ndjenja, disponimin e gëzuar, të ngrysur dhe në disponimin e përzier, siç janë ngjyrat e jetës sonë.
Pason pagjumësia e tingujve të Lule Elezit. Me tingëllimën e bukur të pianos, solemnisht fluturonin tingujt magjepsës të veshur me ngjyrat e zërit që të merrnin me lurtim. Artdashësit vjenez këndshëm u rrëmbyen me rrjedhën e koncertit recital të Lule Elezit. Ekzekutimi brilant i pianistes sonë, me të drejtë e pushtoi qiellin dhe hënën mbi evropën e lashtë. S’është aspak e lehtë të arrihet atje ku shekuj me radhë ndriçohet qielli nga tingujt e muzikës klasike. Këtë aksiomë të padiskutueshme na vërtetoi edhe pianistja jonë Prof. Lule Elezi - e ftuar nga Shoqata “Frederik Shopen” e qytetit të Vjenës, ku më 8 dhe 10 shkurt 2010 pianistja në fjalë mbajti dy koncerte recitale. Kjo interprete tashmë e arrirë në profesionin e saj, kësaj radhe për të dytën herë u prezantua para publikut austriak, për ta vërtetuar edhe njëherë cilësinë e lartë të interpretimit artistik, duke na dëshmuar se ajo vërtet din t`i prek virgjëritë e tingujve parajsorë për të vënë në pah pastërtinë poetike të kompozimit dhe përsosurinë e interpretimit virtuoz. Aktiviteti i saj koncertal është i shtrirë gjërë e gjatë në shumë koncerte të organizuara në Kosovë dhe jashtë vendit siç janë prezantimet e saja si soliste, shoqëruese në piano dhe pianiste me ansamble kamertale në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Sarajevë, Lubjanë, Dubrovnik, Pulë etj. Po ashtu, pianistja jonë u prezantua edhe në Gjermani,Turqi, Zvicër, SHBA dhe Austri.
Dhe ja, në vazhdim, vjen edhe Arta Kallaba si një frymë e re kreativiteti në fushën e regjisë teatrore. Tiparet dalluese në fushën e regjisë teatrore te Arta Kallaba fillojnë dhe zhvillohen në baza të një pune studioze, duke e kuptuar thelbin e vërtetë të artit skenik dhe duke u nisur nga e përgjthshmja tek e veçanta; për të na dhënë përfundimin logjik të ngjarjeve, realiteteve të reja dhe shfaqjeve të ndërtuara mbi bazat dhe burimet e pashterrshme nëpër shtjellat e jetës, të përditshmërisë dhe të historisë së njerëzimit. Sipas autorit, regjisorja jonë vjen nga një familje e edukuar në frymën dhe me të bukurën e artit. Andaj, jo rastësisht, që nga fëmijëria e saj u vesh me petkun e një kulture filogjenetike të kultivuar në familjen e nderuar Kallaba. Pra, që nga mosha e re, ajo filloi me violinën e mbështetur në sup, me të cilën nxori tingujt e parë të dashurisë për artin deri të këngët e saja, kryesisht të kompozuara nga babai i saj Z. Izet Kallaba. Ajo dhe kënga e saj me suksese të vargëzuara u prezantuan në shumë festivale të këngëve për fëmijë, për të vazhduar rrugëtimin e saj drejt njohjeve të reja të botës së artit, duke i vijuar studimet e larta në fushën e artit dramatik, përkatësisht të regjisë teatrore ku edhe magjistroi në Regji Teatri. Tiparet dalluese në fushën e regjisë teatrore te Arta Kallaba fillojnë dhe zhvillohen në baza të një pune studioze, duke e kuptuar thelbin e vërtetë të artit skenik dhe duke u nisur nga e përgjthshmja tek e veçanta; për të na dhënë përfundimin logjik të ngjarjeve, realiteteve të reja teatrore dhe shfaqjeve të ndërtuara mbi bazat dhe burimet e pashterrshme nëpër shtjellat e jetës, të përditshmërisë dhe të historisë së njerëzimit.
Ashpërsia, ëmbëlsia, ngrohtësia dhe bukuria
Pasojnë tingujt e Parajsës dhe interpretimi brilant i pianistes nga Tirana, Rudina Ciko, pa mëdyshje na bëri të çlirohemi nga ankthet e përditshmërisë sonë, duke e kuptuar se muzika është terapi e pazëvendësueshme për shpirtin e trembur të njeriut nëpër kohët dhe hapësirat tona. Këtë, më së miri na dëshmuan tingujt e magjepsur që kundërmuan hapësirën koncertale për të frymuar gjallëri jete, të cilën rrallë herë e ndjejmë në brendinë e shpirtërave të trazuar. Rudina ka rëndësi të vaçantë në sensibilizimin e vlerave artistike nga fusha e muzikës klasike dhe muzikës serioze, një botë atraktive që ndikon për një çast të të ndalet frymëmarrja, për t`u akorduar me ritmin e tingujve, të cilët, prajshëm dhe me ngadalë shkrihen në zemrat tona për të vazhduar frymëmarrjen së bashku me rrjedhën e tingujve magjepsës, të cilët, këndshëm i miklojnë mbrëmjet shqiptare plot solemnitet, të mbështjella me ngjyrat e një timbri të vaçantë dhe cilësorë, ku ashpërsia, ëmbëlsia dhe ngrohtësia korrespondojnë bukur dhe me tone të qarta e të pastërta.
Pason poetika figurative në veprat e Arjeta Malës, e cila të duket se frymon së bashku me ritmin e zemrës, ngase ajo zgjohet në pikturimin e arsyes për të krijuar të bukuren artistike me plot ndjenja kreativiteti, një artiste e cila tashmë një kohë të gjatë vepron dhe jeton në Roterdam të Holandës, nënë e tre femijeve të gjakut shqiptarë, një artiste kosovare e cila frymon dhe jeton nga arti i saj, saktësisht nga imazhet e njerëzve të cilët i begaton me bojëra pasteli dhe poetikën figurative duke i veshur me artistikën për t`ju dhënë një pamje të lakmueshme me vlera kreativiteti dhe ngrohtësie e cila del nga shpirti i saj prej një artisteje të dëshmuar në fushën e portretit real. Nuancat e toneve të ngjyrave në fytyrat e njerëzve, gjasojnë me tiparet dhe karakteret e tyre duke i kapur momentet psikologjike së bashku me moshën, gjininë, gëzimin, hidhërimin, buzëqeshjet dhe barrën e viteve të tyre nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme. Të gjitha këto kuptime shpërthenin nga sytë e tyre nga të cilët fliste individualiteti i tyre i nxjerr në pah nga dora e artistes sonë respektive, Arjeta Mala, e cila e gërsheton të mirën dhe vlerat artistike si kundërpërgjigje për t`u pajisur me forcën krijuese kundër mërzisë e cila i rri pezull mbi kokë. Kështu, e shoqëruar me familjarët e saj dhe imazhet e shumë njerëzve së bashku me të arriturat e saja në fushën e arteve figurative - sikur ia del të shuan mallin per tokën e saj dhe Alpet Shqiptare.
Një nga personazhet e librit më të ri të Remzi Limanit është edhe krijuesi Mustafa Arapi, i cili në fushën e arteve figurative na del si dielli dhe buka e pjekur mbi sofrën e emrit shqip. Në këtë kuptim, dashuria e tij për atdheun ku u lind dhe u krijua si artist me një bagazh të çmuar prej një krijuesi të mirëfilltë, na dëshmojnë tablotë e qyteteve dhe vendeve si artefakte gjithandej trojeve shqiptare të fokusuara në syrin dhe mendjen e tij. Kjo pra, është një zhuritje e madhe e një mjeshtri të madh, një piktor i shquar dhe një artist shumëdimensional, i afirmuar gati në të gjitha fushat e arteve pamore, me të drejtë zë vend në panteonin e krijuesve të shquar shqiptarë, i cili me punën e tij prej një profesionisti qëmoti të arrirë na dëshmoi se veprat e tija të veshura me artistikën dhe tingëllimën e forcës krijuese do të mbesin krijime të dëshmuara me vlera muzeale. Motivet e veprave të artistit në fjalë, dëshmojnë kuptimin e vërtetë për vlerat e artit, të cilat, Arapi i kuptoi me kohë, i zuri, i mori dhe i shtrydhi në shpirtin dhe mendjen e tij, për të na riprodhuar vlerat dhe të bukurën e veshur me artistikën e veçuar.
Matrapazët dhe vlerat e vërteta mbi artin shqiptar
Çdo qytetërim është imperial po qe se veprat e tij dëshmojnë dhe flasin për vlerat dhe identitetin tonë nëpër kohë dhe hapësirë. Sipas Remziut, njëri prej artistëve më produktiv në fushën e arteve figurative e veçmas në lëmin e grafikës dhe arteve aplikative ku bën pjesë dega e dizajnit grafik, pa dyshim veçohet krijuesi, Salih, i cili, tashmë, një kohë të gjatë jeton dhe vepron në Mallmo të Suedisë. Ky artist i veçantë shquhej si redactor i Rilindjes me përkujdesen artistike të veprave letrare të autorëve ndër emrat më të mëdhenjë të letërsisë shqipe dhe asaj botërore. Gjatë punës së tij krijuese shumëvjeçare, Lutolli realizoi me qindra kopertina librash për fëmijë dhe për të rritur. Po ashtu, ai realizoi mijëra ilustrime me të cilat visheshin faqet e revistave të ndryshme për fëmijë si dhe ato të gazetave tona të botuara në gjuhën shqipe. Perveç realizimeve artistike të sipërpërmendura, Salihu, kohë pas kohe zuri të merrej edhe me karikaturë.
Si shumë artistë të mirëfilltë, edhe Salih Lutolli u muarr me krijimtari duke menduar se shoqëria jonë do të ketë respekt dhe konsideratë për punën e tij dhe artefaktet artistike si deshmi dhe vlera të pa diskutueshme për punën e tij në fushën e arteve figurative. Mirëpo, ai, dhe shumë artistë të merituar, fatkeqësisht, mbeten jashtë protokolit zyrtar, ku nëpër kafenetë e qytetit, krahas emrave të merituar shënoheshin edhe emrat e krijuesve anonim. Kjo, nuk ishte rastësi, por një punë e matrapazëve të cilët i botuan këto monografi të cunguara, në të cilat mungojnë emrat e artistëve, pa të cilët bota nuk do ta ketë kurrë pasqyrimin e duhur mbi artistët dhe vlerat e vërteta mbi artin shqiptar. Salih Lutolli, asnjëherë nuk i zuri në gojë njerëzit të cilët manipuluan me emra dhe me artin, të cilët për qëllime e konflikte interesash ndër më të ndryshmet, pa fije turpi i anashkaluan shumë vlera për t`i prezantuar antivlerat duke i injoruar artistët e vërtetë. Salih Lutolli, vazhdon pa bëza, duke qenë i bindur se koha do të flasë për të gjitha dhe për të gjithë ne. Ai, jeton me punën dhe veprën e tij prej një njeriu me frymë prej artisti të vërtetë.
Duke bërë fjalë për artin e avansuar të Faik Krasniqit, pedagog universitar dhe krijues figurativ, Remzi Limani thekson se vepra e tij dhe vetëdija e kultivuar për të bukurën figurative, janë një stad të së përkryeres të një procesi mental, ku mendja e artistit nuk rrjedh nga ndjenja e rreme materiale sa për të krijuar. Në këtë kuptim, arti i Krasniqit, është rrjedhë e kohës nga ndjenja e vërtetë për të krijuar të bukurën artistike – si produkt i arrirë nga mendja dhe inercioni kreativ, për të krijuar atë e cila quhet art. Arti i lindur qëmoti dhe i kultivuar nga dora e sigurtë e këtij mjeshtri të talentuar, edhe kësaj radhe na dëshmoi pjekurinë e tij kreative prej një artisti të vërtetë. Këtë aksiomë, na dëshmojnë dyzetë e katër pikturat e tij, pa dyshim, vepra cilësore të prezantuara pa asnjë drojë, si dhurata ndër më të çmuarat për artdashësit kosovarë. Krijimtaria e tij artistike vë në pah konsistencën figurative, si pjesë përbërëse e një lidhshmërie dhe qasje drejt artit modern, të veshur me vlerat dhe frymën fragmentale të etnosit tonë nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme etnografike. Kjo qasje poetike e shkrirë në tablotë figurative na japin timbre ngjyrash të veçanta plot muzikalitet, ku ashpërsia e të shprehurit artistik, ëmbëlsia poetike dhe ngrohtësia na japin ngjyrat dhe zërin e tingujve të ngjashëm me muzikën e krijuar nga kompozitorët e mëdhenj të muzikës klasike. Porsi Miradije Ramiqi, Faik Krasniqi ishte pjesëmarrës i shumë ekspozitave kolektive këtu dhe jashtë vendit, të organizuara nga Shoqata e Artistëve Figurativë të Kosovës.
Barometër i një shoqërie të emancipuar
Konsiderata të ngjashme autori shpreh edhe ndaj skulptorit Adem Rusinovci, ndaj artit dhe kulturës si qytetërim yni i fokusuar në sytë e botës. Adem Rusinovci dëshmon se arti është një “lojë” e cila i takon botës së veçantë të njeriut dhe produktit të mendjes së tij, i cili pasqyron universin tonë gjithandej njerëzimit, për t`i përjetuar dhe për t`i kuptuar format dhe tingëllimën e bukur të ngjyrimeve artistike si shprehje individuale dhe universale anepranë botës së qytetëruar. Se arti dhe kultura janë identiteti i një qytetërimi dhe letërnjoftim i individit dhe i tërë shoqërisë, na dëshmojnë gjurmët nga e shkuara në të ardhmën, si forma dhe shprehje objektive të pasqyrimeve, lëvizjeve, dukurive dhe ngjarjeve ose proceseve të evoluimit shoqëror, me të cilat vishet e sotmja me të djeshmën e njerëzimit nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme, ku individi dhe mendësia e tij krijuese na bën të na njohin të tjerët si një etnos me një lashtësi identiteti kulturor. Në këtë kontekst, ekspozita e skulptorit Rusinovci, dëshmoi se pesha e civilizimit, identitetit kulturor dhe kombëtar e një shoqërie matet me peshën dhe kuptimin e shoqërisë ndaj individit krijues dhe veprës së tij, e cila pa dyshim është barometër i një shoqërie të emancipuar. Aktualisht, profesor Adem Rusinovci mban postin e Dekanit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.
Kompetenca e një “funksionari” në fushë të avansimit të kulturës matet me aftësinë e tij për t’u shprehur për vlerat e një epoke. Remzi Limani e jep provimin me notën brio, duke zgjedhur për shtjellim krijues vlerash të mirëfillta, njëri ndër ta duke qenë edhe autori i portreteve polisemike, Fahredin Spahija, i njohur për ciklin e tij të portreteve nga fusha e fotografisë artistike. Sipas autorit, në njërën nga ekspozitat e tij, Spahija shpalosi imazhet e njerëzve të moshave dhe karaktereve të ndryshme: “Ai filloi që nga gjumi i rritës, ëndrrat fëmijërore, britmat, meditimet, kuadro të ndryshme nga jeta e deri te statusi social i individit brenda shoqërisë sonë. Pra, këtu, në ekspozitën personale të tij vërejmë ëndrrat tona dhe klithmat e para të njeriut, si ndjenja të fuqishme dhe si çlirim nga momentumi i kohës së tij. Këtu, artisti ia doli dhe e zuri njeriun e tij në gjumin e rritës deri në një pamje nate në fytyrën e kohës dhe përfytyrimet tona të ngrira. Subkoshienca e artistit nëpërmjet artit të tij rikthehet në të kaluarën për të portretizuar kohën e ikur nga sytë e tij. Ai me nostalgji e rikujton botën e humbur duke e veshur me artistikën e merituar, për t`i fokusuar kuadrot nga e kaluara dhe dashuritë për të afërmit e tij. Në të gjitha këto formulime artistike të kapura nga syri i artistit, në vetvete ngërthejnë narracionin polisemik ku pa fjalë flasin imazhet e portreteve të kredhura në mendime ku autori mjeshtërisht nxjerr në pah individualitetin dhe statusin e tyre social. Në këtë kontekst, tek veprat e artistit në fjalë, jo rastësisht, vërejmë fokusimin e tij tek duart mbi të cilat mbështetet pleqëria dhe ditët e sosura nën sqetullat e kujtimeve në perëndim.”
Pason Arsim Kajtazi me poetikën e portretit figurativ dhe psikologjik në veprat e tij, një krijues që mund të flasë në shumë gjuhë dhe qasje artistike, autor ndërmarrjesh të shumta, si në fushën e kritikës (përmes zbërthimit të kuptimeve për artet e bukura, me theksime të veçanta të krijimtarisë) e deri në fushën e prozës, të poezisë dhe të pikturës, të cilat artisti ynë i kultivon me pasion për më shumë se tre dekada. Veçanërisht në tablotë e tij figurative nxjerr tingujt dhe klithjet pëlcitëse, si pasojë e një implozioni, i cili shpërthen si kërkesë imperative e momentit dhe e kohës sonë. Duke u nisur nga e përgjithshmja artistike, deri tek e veçanta në fushën e arteve figurative, gjegjësisht të pikturës, Arsim Kajtazi sipas Remzi Limanit, e pasqyron botën e njeriut tonë përmes shprehjeve figurative, duke na dhënë një veti të narracionit poetik figurativ dhe psikologjik të portretit dhe të figurës së njeriut, si dëshmi e një kohe, e cila flet për të kaluarën dhe për të sotmen tonë. Imazhet e njeriut në veprat e krijuesit tonë, përmbajnë lajtmotivin dhe thelbin e idesë e cila në vetvete ngërthen emocionin figurativ dhe atë psikologjik të portretit dhe të figurës, si koncept artistik, i dalë nga përvoja estetike krijuese, frymëzimet racionale dhe emocionale, vetëdija dhe ndërgjegjja krijuese artistike, të shfaqura me një intuitë dhe ndjenjë spontane dhe ekspresive artistike, e të mishëruara me nostalgjinë dhe dhembjen për njeriun e një kohe të vrarë. Në këtë kontekst, ky krijues e nderon dhe e ndërton figurën e njeriut me shenja viktimizimi dhe njëkohësisht atë e ngreh si lapidar e shtatore lirie, si figurë polisemike të identitetit tonë kombëtar.
Një artist tjetër me vlera të dëshmuar krijuese, që defilon në vëllimin “Ese kritikë” është edhe Shefqet Emini, i cili tashmë vepron dhe jeton në Holandë. Nuk është artist i rastit, thekson autori, por, në fakt, ai është një prej artistëve të kultivuar dhe i formuar si duhet, ngase, rrugëtimi i tij drejt botës së artit të vërtetë ishte një udhëtim studioz, i ngritur mbi themelet e mirëfillta dhe bazat e shëndosha për të krijuar një art të pranueshëm dhe të arrirë në të gjitha pikëpamjet. Që nga mosha e studentërisë në Akademinë e Arteve, nga dashuria për të bukurën me xhelozi prej artisti, Emini ishte i pasionuar në fushën e pikturës, saktësisht në portretin figurative, duke e fokusuar atë në plan të parë. Pra, formulimet figurative, studioze ndër më të ndryshmet në shumë fusha të arteve figurative deri te skulptura e në veçanti të portretit artistik, Shefqeti bëri shumë hapa për të arritur aty ku eshtë sot. Në fillim të karrierës së tij, ai e kultivonte portretin tradicional, ku vlerat artistike dhe figurative ishin në suazat dhe normat akademike, për të dëshmuar më vonë, mjeshtëri dhe përsosshmëri artistike në profesionin e tij. Në këtë kontekst, zt. Emini filloi të hulumtojë dhe materializojë edhe hapësirën e një tërësie figurative duke e begatuar sfondin e portreteve me gamën e të mbylltës së bashku me dritëhijet e shprehura me të cilat vepra e tij natyrshëm mori edhe një dimension duke u pajisur me të duhurën artistike dhe vlerat e një qasjeje figurative Rembrantiane. Autori potencon faktin se vepra e tij në ekspozitat kolektive si dhe në ato personale u prezantuan në shumë galeri të njohura gjithandej botës së qytetëruar. Po ashtu, për punën e tij krijuese,Shefqeti u shpërblye me çmime dhe mirënjohje nga asociacione të ndrushme kulturore dhe artistike nga vende të ndryshme.
Portat shqiptare të stolisura me bukuri artistike
Remzi Limani shkruan me admirim për ekspozitat artistike të organizuara në Prishtinë, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, duke ndarë kohë edhe për dy artistë figurativë, të cilët para publikut artdashës u prezantuan me veprat e tyre nga fusha e grafikës figurative. Pra, dy të rinj, dy shokë, dy artistë: Migjen Limani dhe Armend Fazliu me shoqërizimin e tyre krijues, në një hapësirë të përbashkët ekspozuese i shpalosën veprat e tyre, duke na dhuruar të bukurën dhe vlerat e një miqësie plot kuptim. Ndaj, kjo vëllazëri na flet se arti ka një koncept dhe kuptim tjetër për jetën, nga e cili lind njerzillëku dhe toleranca e njeriut për njeriun. Nga ky koncept i një miqësie, len të kuptojmë: se krijuesit dhe veprat e tyre krijojnë miqësi të vërteta dhe hapin horizonte të reja drejt një rrugëtimi ku rrjedhat e artit dhe njerëzorja takohen në një pikë.
Migjen Limani dhe krijimtaria e tij në fushën arteve pamore, flasin qartazi duke na dëshmuar se artin nuk e përcaktojnë dimensionet e tablove por vlerat e mirëfillta artistike. Me këto formulime të begata, artisti na dhuron botën e tij të vaçantë, së bashku me shumë kreacione miniaturiale dhe vlera të pakontestueshme, të mbushura plot frymë jete, shprehje ndjenjash dhe qartësi të pastër figurative. Të gjitha këto vepra artistike në fushën e grafikës flasin me gjuhën e ngjyrave të veçanta, të një ashpërsie, ëmbëlsie dhe ngrohtësie, me një timbër të qartë figurativisht të kultivuar; duke nxjerr zëra, tingëllima dhe ngjyrime të pastra tonale, të një fryme estetike dhe të një disponimi plot harmoni kreative. Të gjitha realizimet grafike në teknikën e monotipisë, mjeshtërisht nxjerrin në pah elementet figurative dhe në vetvete ngërthejnë poetikën e peizazhit autokton të mbështjellë me artistikën, sikurse vargjet rrëfimtare të frymëzuara me të bukurën e nënqiellit tonë, ku u ngjiz artisti dhe nervi i tij krijues. Andaj, edhe yrti i thurur përreth shtëpive të paraqitura në të gjitha veprat e Limanit, flet për intimen dhe simbolikën e mbijetesës të kolektivitetit tonë nëpër shekuj.
Sipas Remziut, evoluimi i jetës nëpër kohë dhe hapësirë, gradualisht e shtyri njeriun të inkuadrohej në një bashkësi etnike, duke e kuptuar rolin e tij në zhvillimin e kulturës, identitetit dhe traditës. Në këtë kuptim, shoqëria jonë qëmoti filloi të vishet me petkun e identitetit kombëtar në shumë kuptime. Në këtë kontekst shquhet artisti Armend Fazliu, me një qasje kreative dhe në mënyrë të posaçme, nxjerr në pah begatitë artistike dhe kuptimin e portës; si pjesë e veçuar e një lidhshmërie të artit dhe etnoarkitekturës, përkatësisht kullës shqiptare. Duke përshkruar grafikat e Armendit, të realizuara në teknikën e monotipisë, autori thekson se sfondi i portave në shumë raste është shfrytëzuar si bazë themelore për t`i mishëruar vlerat tradicionale të së kaluarës me të bukurën artistike, të cilat fuqishëm korrespondojnë pa u penguar me njëra tjetrën.
Përveç materializimit të strukturës figurative të drurit, artisti ynë, në të gjitha portat e paraqitura e trajton simbolikën e dorezës harkore të punuar nga hekuri i shkrirë dhe i rrahur mjeshtërisht - që tek artisti zgjoi ndjenjen e së bukurës kuptimore duke e sendëzuar në trajtë artistike me të gjitha vlerat e duhura grafike. Në veprat e Armendit, kryesisht dominon gama e ngjyrës së mbylltë, duke shfrytëzuar edhe ngjyrat e tjera, të cilat solemnisht u vishen veprave duke i dhënë shkëlqimin e një kohe, për të mos i humbur gjurmët tona duke e vulosur të sotmen dhe semantikën tonë historike. Përfundimisht mund të themi se Remzi Limani është një observator fin i botës artistike në Kosovë dhe tejmanë kufinjve të saj, njëri nga krijuesit tanë që posedon prirje për ta shpëtuar dhe afirmuar krijuesin e mirëfilltë nga kthetrat e mediokritetit.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi