Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Halil Matoshi: “Evladi” neootoman

Shko poshtë

Halil Matoshi: “Evladi” neootoman Empty Halil Matoshi: “Evladi” neootoman

Mesazh nga Agim Gashi Fri May 13, 2011 2:08 am


Halil Matoshi: “Evladi” neootoman U1_HalilMatoshi“Evladi” neootoman
Nga Halil Matoshi
Popujt ballkanikë, pra edhe shqiptarët kosovarë, të cilët nuk pranohen brenda mureve europiane, por detyrohen të jetojnë përtej mureve, duke krijuar një lloj fortese kundër rrezikut osman, mongol si dhe kundër çdo rreziku, ushtarak apo politik janë në dilema historike, kah t’ia mbajnë?
Pse paradoksalisht Kosova i rri kaq afër Turqisë dhe a po pëson disfatë mendimi Perëndimor në Kosovë?
Dy momente, të shpifura ose të qenme, sado që në të parë s’kanë lidhje njëra me tjetrën e sfidojnë Kosovën, shtetin më të ri, që struket përtej mureve të BE-së dhe pret që dikush i madh, i fuqishëm, me ndikim t’ia shtrijë dorën. Momenti i parë është një spekulim në median serbe se amerikanët po e kërkojnë një strategji dalëse nga Kosova, duke ia lënë “krahinën jugore serbe” në duar Turqisë, e në këtë kontekst edhe vetë bazën amerikane në Sojevë të Ferizajt “Bondsteel”. Ky spekulim ndonëse u demantua nga autoritetet amerikane në Prishtinë është një tezë për debat, sado konspirative dhe sado frikësuese, megjithë faktin se Turqia është aleati nr. 1 amerikan që “ruan” Grykën e Bosforit dhe sado që ky vend ushtarakisht dhe ekonomikisht i fuqishëm ka dhënë kontribut të madh në çlirimin e Kosovës, gjatë fushatës ajrore të NATO-s mbi forcat serbe të sigurisë, si dhe pas çlirimit, deri te njohja dhe “marrja nën sqetull” e shtetit të ri në samite dhe nisma rajonale.
Kurse momenti i dytë është miqësia vëllazërore e Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Ankarasë, sidomos ‘vllaznillëku’ mes Kryeministrit kosovar Hashim Thaçi dhe homologut të tij turk Rexhep Tayp Erdogan, i cili, në disa raste e pret kosovarin në mënyrë spektakolare, duke e marrë përdore si “evlad” dhe pikërisht në këtë moment bukur të rëndë për Thaçin, i cili gjendet në një situatë izolimi ndërkombëtar.
Pos interesave ekonomike (Bechtel-Enka dhe ekspansioni turk në tregun financiar në Shqipëri dhe Kosovë) vrojtues të politikave rajonale dhe globale e shohin këtë shtrirje dore të Turqisë si joshje për rikthimin e ndikimit të shtetit aziatik në Ballkan, si fuqi rajonale dhe më gjerë, për t’i hedhur themelet e një organizmi të ri, që do ta përbënin pikërisht shtetet që gjenden përtej mureve të Europës së parë, që nga Europa juglindore, përmes Mesdheut e deri në Lindjen e Mesme (madje ky ishte edhe një propozim i mëhershëm i Presidentit francez Sarkozy.)
Një lidhje mes atyre që ulen si të ndrojtur në sofrën e dytë, e jo në të parën që shtrohet në Bruksel.
Rrethanat e brendshme politike, të pafavorshme për Thaçin dhe partinë e tij, PDK, kanë bërë që ai të marr goditje dhe të shihet me sy të keq nga shumë çarqe perëndimore, posaçërisht europiane. Derisa gjermanët e fyer për dekonspirimin e agjentëve të BND-së në Prishtinë e mbajnë inat; britanikët e shohin si shef që di shumë për organizatat kriminel gjatë dhe pas lufte dhe po bëjnë presion të rritur për t’i pre lidhjet mes politikës dhe krimit të organizuar; kurse zviceranët, austriakët, holandezët, nordikët, i shmangen kontaktit më Kryeministrin kosovar posaçërisht pas publikimit të raportit të Dick Martyt, sado që goditjet e tij ishin nën brez dhe asnjëherë nuk fituan forcë të argumentit.
E në këto ditë të këqija Thaçit iu gjet pranë vëllai Erdogan, i cili e ka marrë mbi supe nxjerrjen e kosovarit nga izolimi ndërkombëtar.
Është fatalitet ballkanik dhe posaçërisht shqiptar fakti se asnjë lider në asnjë periudhë historike nuk mund të mbijetojë në politikë dhe në drejtimin e shtetit pa partner (aleat) ndërkombëtar. I tillë ishte Ismail Qemali që “flertonte” me grekët, Azem Bejta u lidh me Kosta Peçancin dhe mori ndihma e armë për t’u hedhur në luftë kundër austriakëve edhe ashtu në tërheqje e sipër, Isa Boletini po ashtu ra në grackën e serbomalazezëve dhe u hodh kundër austriakëve, pastaj Ahmet Zogu që i “bënte bac” serbët për ta shuar kryengritjen e kundërshtarëve si dhe Qeverinë socialdemokrate të Nolit, pastaj Enver Hoxha që herë i rrinte në supe Josif Stalinit e herë të Maos, këndej “Bjeshkëve të Namuna” Fadil Hoxha e Mahmut Bakkali u desh të lidhën me Titon dhe Jugosllavinë federale, e deri të liderët postkomunistë që bredhin nga prehri i amerikanëve tek turqit, ose mbajnë lidhje të dyfishta mes britanikëve dhe francezëve.
Thaçi e ka zgjedhur partnerin e tij amerikan (Ambasadori Christopher Dell) por edhe mikun e mikut, Erdogan dhe kjo iu shpërblye sepse i qiti nga loja dy njerëz të fuqishëm të PDK-së, Fatmir Limajn dhe Jakup Krasniqin, jo pse këta nuk i ndejën karshi, por pse këta dy nuk patën në krah asnjë partner ndërkombëtar.
Spekulimi serb dhe tregimi për Bondsteelit që po u falet turqve, konstruktohet pikërisht nisur nga narracioni i Thaçit që e ka për Turqinë si vëlla të madh, mirëpo çdo joshje e mëtejshme dhe përdorimi i kësaj vëllazërie për nevojat e luftës së brendshme politike nga ana e Kryeministrit Thaçi dhe rrëshqitja pa kriter dhe pa rivlerësim të interesave vitale kombëtare nën prehrin e Turqisë, për të dalë personalisht nga izolimi ndërkombëtar është historikisht e gabuar dhe shpie në qorrsokak. Pse?
Turqia ka probleme serioze me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe ato civile, lirinë e shprehjes dhe shtypin e lirë (aktualisht dhjeta gazetarë u akuzuan dhe arrestuan për përgatitjen e një puçi) brenda shtetit, kurse problemet e jashtme (dekada të tëra që pret në dyert e BE-së) kanë të bëjnë me pranimin e gjenocidit ndaj armenëve gjatë Luftërave Ballkanike si dhe probleme me separatistët kurdë të PKK-së.
Në këtë situatë konfuze ndërkombëtare, kur karshi Kosovës po shfaqen dy Europa, ose një thikë me dy tehe, (mosnjohja e shtetit të ri nga pesë anëtare të BE-së) Thaçi e ka zgjedhur udhën e tij “që shpie në Europë” – kah Stambolli.
Kurse oponentët e tij brenda PDK-së e kanë zgjedhur Europën për Europë.
Në këtë debat, kundërshtari politik i madh i Thaçit Jakup Krasniqi bëri apel me 9 maj (Ditën e Europës) që të gjitha shtetet e BE-së ta njohin me urgjencë Kosovën, duke lënë të kuptohet se nëse Europa nuk ia shtrinë dorën shtetit të ri, ai mund të “humbet në mjegullën neo-otomane.”
Dhe pikërisht këtë ditë, një oponencë ndaj “Udhës së Çabesë” e shfaqi edhe Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga e cila e përdori një metaforë letrare, që përdorej dendur nga disidentët e Europës Lindore, gjatë Luftës së Ftohtë: ‘Për Kosovën dielli lind në Perëndim”, tha ajo dhe mbeti gjallë!
Sigurisht që Presidentja e ka referencë për këtë edhe ideatorin më pa ekuivok e më të bindur të perëndimorizimit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, i cili, pa fije dyshimi u rreshtua me Perëndimin, posaçërisht me SHBA-të dhe ky është kontributi i tij më shumë dritë historike në orientimin e shoqërisë kosovare kah lind dielli: Me Perëndimin!
Kujt t’i besohet në këtë konfuzion? Kush ka të drejtë? Kush po luan ‘bixhoz’ me Republikën e Kosovës?
Çfarë po ndodh me vendet anëtare të BE-së e çka në shtetin e ri që shumica e vendeve të bllokut e kanë njohur?
Thellë në brendi të Kosovës ka çuna serbë që veten e quajnë “Njësiti antiterrorist” nga Lëvizja Çlirimtare Serbe që përgatiten për luftë nën sloganin “Gjithmonë para të gjithëve.”
Derisa që për sigurinë ende kanë kompetenca KFOR-i dhe EULEX-i, frika për të ardhmen shfaqet kur i baraspeshon politikat që prodhojnë këto “Dy Europa.”
E para, për shkak se interes i saj është joshja e Serbisë brenda BE-së, nuk do të ndërmarrë asgjë për integrimin e pjesës veriore të Kosovës nën autoritetin e Prishtinës zyrtare, madje ka vende europiane që mund të dalin në mbrojtje të “pëllumbave” serbë, sepse me ndëshkimin e këtyre strukturave paralele do të hidhërohej kështu Beogradi dhe natyrisht Moska!
Çfarë politike e jashtme e pakrye në Kosovë është kjo? Madje aktualisht kjo politikë është shndërruar në “shqiponjë me katër krena”, me Behgjet Pacollin e Enver Hoxhajn si rivalë rreth të njëjtës tortë, me Edita Tahirin që në raport me Serbinë po e luan rolin e ministres së Jashtme apo edhe me Vlora Çitakun, e cila e luan këtë rol në raport me Brukselin?
Ndërkaq që ministri i vetëm i jashtëm, i fuqishëm mbetët Hashim Thaçi, “evladi”.
Ndërkaq që, “Dy Europat” do të vazhdojnë me pikasjen dhe ngjyrosjen e lajmit për Kosovën sipas qejfit të Boris Tadiqit, ose së paku për të mos e bërë atë nervoz (që t’ua bëjë me sy radikalëve pro-rusë!?).
Po ky Tadiq “proeuropianë” ende i inkurajon “çlirimtarët e Kosovës” në Veri të Kosovës, që t’i ruajnë ‘kokardat” duke u dhënë mesazhin më idiotesk të mundshëm, për t’u ngritur kundër shtetit ku jetojnë dhe bëjnë fëmijë. Nëse serbët e Kosovës vazhdojnë t’i provokojnë fqinjët e tyre shqiptarë (fëmijët e tyre) madje edhe t’i kërcënojnë me këso mesazhe që ishin menduar se i përkasin të kaluarës fashiste serbe, atëherë kush do të përkujdeset pastaj për gjumë të rehatshëm të fëmijëve serbë?
Rexhepi me Hashimin?
Kjo gjendje (dhe ky lajm me dy fytyra) është derivat i dy politikave ose “dy Europave” dhe i një pazari të madh.
Ku është pala kosovare në këtë lajm?
Këtë u përpoqën ta thonë Krasniqi e Jahjaga, por në ato momente Thaçi parakalonte nëpër tepihë të kuq të Stambollit.
Kurse në qytetin jugor të Kosovës, të cilin politikisht “e shkeli” Thaçi, madje e bëri me Universitet, shumë qytetarë, me përkatësi etnike shqiptare, të dëshmuar historikisht preferojnë të “shkruhen” turq, sepse, së pari, shteti i tyre, Kosova ka bërë pak për t’i rehatuar, por këtë “ndërrim identitar” e shohin një mundësi të mirë për privilegje, duke e justifikuar me faktin se Kryeministri kosovar është vëllazëruar me atë turk.
Neo-otomanizmi po tenton t’ia ndërrojë fytyrën Perëndimore shoqërisë kosovare, dhe ky nuk është akademizëm, por fsheh diçka nga realiteti i prekshëm popullor.
Koha Ditor
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi