Jorgo Telo:POEMA "STANARI dhe "ZOGU U DJALLIT"
Faqja 1 e 1
Jorgo Telo:POEMA "STANARI dhe "ZOGU U DJALLIT"
Jorgo Telo:POEMA "STANARI dhe "ZOGU U DJALLIT"
Njoftoj miqtë e dashamirësit e mi se këto ditë nxora nga shtypi librin më të ri (i tetëmbëdhjeti në radhë ("TANARI DHE "ZOGU I DJALLIT") - një poemë epiko-lirike që evokon të shkuarën e largë para dy shekullore të lidhjeve të Ali Pashë Tepelenës me krahinën e Zagorisë në dy periudha bazë të jetës së tij. Botimi del edhe me parathënin e struktuuruar nga redaktorja, shkrimtarja, poetesha e gazetarja e ta e mirënjohur dhe e talentuar, zonja Kozeta Zylo si dhe disa nga komentet që i janë bërë poemës në facebook. Librat zakonisht i mbaj të "arrestuara" në banesën time në Gjirokastër, ku çdo blerës e merr me çmimin real çdo libër. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
PAKSA ME VONESE E NE MIREKUPTIM ME REDAKTOREN PO E HEDH TE PLOTE POEMEN, NE PRITJE TE MENDIMEVE TUAJA, TE NDERUAR MIQ E DASHAMIRES!
STANARI DHE “ZOGU I DJALLIT”
Jorgo S. TELO
(Poemë epike për të gjitha moshat)
Redaktore: Keze Kozeta Zylo
Kosulencë historike: Viktor Dervishi, Evjen Peri, etj…
Ideimi i ballinës: Autori
Përzgjedhja e ilustrimeve: Sofo Telo
ISBN:
Copyright: Jorgo S. Telo
Ia dedikoj familjes dhe vendlindjes sime, Zagorisë,
si djep traditash te vyera në vragën e shekujve të lënë pas, por pa i harruar vlerat natyrore e njerëzore…
Autori
NË VEND TË PARATHËNIES
Gurgullon si këngë mirënjohja zagorite për Bonapartin Mysliman, Ali Pashë Tepelenën
(Nga Keze Kozeta ZYLO)
Në çdo kreshtë Zagorite,
Në çdo pllajë edhe shpat mali
Histori përcollën vitet…
Jeta ecjen nuk e ndali.
Nga libri: “Stanari dhe Zogu i djallit”
Jo gjithmonë mund të kesh muzë, për të shkruar një poezi apo për të bërë kritikë rrethnjë libri.
Kjo ka shumë arsye, por ajo që më shtyn vazhdimisht drejt kësaj bote të pafund është arti që ndodhet brenda librit, ose historia e shkruar me art.
Këtë lloj ndjesie pata me librin “Satanari dhe zogu i djallit” me autor shkrimtarin zagorit Jorgo Telon. Titulli i librit është një titull intrigues, që duket sikur më shtyn të marr një bedenë nga kalaja e Ali Pashë Tepelelenës dhe ta sjell në muzeun e famshëm botëror, Metropolitan në Neë York, aty ku ndodhet portreti i fildishtë i Ali Pashës pikturuar nga Jacob Ritter von Hartman, (1795–1873),
Kjo lloj ndjesie më krijohet ngase bedenat e kalasë dhe historia e Ali Pashe Tepelenës, ngjizen aq fort sa krijojnë binjakëzimim e një epopeje sa historike aq dhe legjendare. Koka e tij e prerë që çohet para Sulltanit, tiranit që shtypi për 500 vjet barbarisht Shqipërinë, përbën një fakt të pamohueshëm të luftës së Pashait me Sulltanin duke më rrëmbyer të tërën dhe më duket sikur më ndodh si me poezinë e Jean Cocteau që shkruan se: “Tek Bodler, “mjaftonte një varg-shkreptimë që ta merrte tërë poezinë për ta ngritur në qiell”.
Poeti Telo edhe pse invalid në karrige, mua më përshfaqet befasues si kalorsiak me trimat e Ali Pashë Tepelenës, por Telo është ndryshe nga Pashai ngase ai lufton vetëm me shpatën poetike...
Vargu i tij poetik ka gazavajin në një vibrim poetik, me një ëndërrim të zgjuar zagorit, prej ku autori ka dhe origjinën.
Vargjet në këtë poemë janë një dëshmi e plotë e qëndresës heroike dhe tragjizmit që ka brenda pikturimi artistik. Edhe pse Heroi i tij, Ali Pashë Tepelena, i përket dy shekujve të mëparshëm në ndiejmë praninë e të padukshmes, dhe kridhemi brenda një ekspresioni estetik midis figurës historike kombëtare të Ali Pashë Tepelenës dhe poetit botëror anglez Bajronit, i cili e përshkruan udhëtimin e tij në sarajet e Tepelenës gati-gati si një ringjallje të përfshirë nga pasioni dehës i poetit.
Kjo poemë është një shërbim i qartë që i bëhet historisë dhe zërave ulëritëse të saj që duan ta varrosin me cdo kusht historinë.
Në cdo strofë në kuptojmë gjendjen shpirtërore të poetit, përsiatjet reflektive dhe filozofike. Ai sjell artistikisht kujtesën historike popullore dhe bujarinë zagorite për Ali Pashë Tepelenën. Populli i kulturuar zagorit dhe po aq mikpritës vazhdojnë ta kenë në gojëdhënat e tyre lidhjen që kishin me Ali Pashain dhe mbështetjen e fuqishme që i dhanë për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga Turqia.
Stanari fisnik Ded’Gjoni nga Ndërani, Rakajt nga Sheperi, Tolajt nga Topova, Hil Dede nga Doshnica etj, pothaj nga çdo fshat, ia hapën dyert e zemrës dhe e pritën ashtu siç di të presë me gjithë madhështinë e saj krahina e Zagorisë.
Ja si i këndon autori:
Tek Hil Dede* gjeti derën e mikpritjes/ te stanar Ded’ Gjoni**, një zemër fisnike. Rioshit trimosh, Ali Tepelena/ Gjithë majëmalet i ngjanin bedena.
Gjithë poema është nje kumt, ku me dendësi mjetesh artistike si metafora, simbolet, animizimi, aliteracioni thurin aq bukur trupin e poezisë.
Autori bëhet kalërues ëndrrash me imazhe poetike të fuqishme që herë zbuten brenda dhimbjesh dhe herë bëhen barrikada për ata që infektojnë historinë.
Vargu i tij binjakëzohet me historinë, për rrjedhojë ka ditur të bëjë radiografinë brenda sallës antiplumb që ka ndërtuar. Dihet që Ali Pashë Tepelena iu ka shprehur mirënjohjen shumë mbështetësve të kauzës së tij, e cila ishte vetëm shkëputja e Shqipërisë prej thonjve të perandorisë anadollake turke, ndaj të gjithë çlirimtarëve dhe mbështetësve të tij iu ka ndërtuar shtëpi të gurta, ujësjellës, ura për gjithë krahinën dhe qytetin etj,…
Për bamirësinë e Pashait poeti shkruan: Edhe sot e kësaj dite/ kur kan’ rrjedhur ujrat lumë/Çdo kujtesë zagorite/mban të freskët atë burrë…
Metafora në këtë libër ka ndërtuar folenë me fijet e zemrës së poetit që kanë brenda dhe gjëmime ujërash lumë...
Ato janë një vullkan në shpirtin e tij që s’fle kurrë, ndaj dhe epitetet për popullin zagorit si trimat vetëtitës, kapedanë Lirie janë medoemos dhe pjesë e shpirtit të poetit zagorit, jane pjesë e atij populli që na dhuroi Çajupin e pavdekshëm, gjuhëtarin e shquar Ilia Dilo Sheperi, etj…Ja si shprehet poeti Telo rreth mirënjohjes zagorite:
Mirënjohja për zagoritët sikur fliste vetë me gojë/ Me gojë urash dhe shtëpish edhe nga mullinj për blojë/ Si luani i vërtetë/ i vu shpatën osmanllisë…/ Veten lart e ngriti vetë/ i dha frymë Shqipërisë.
Libri Stanari dhe Zogui i djallit është një poemë liriko-epike me një pafundësi interpretimesh dhe dendësi shprehjesh kuptimore që sjell të gjallë figurën e Ali Pashë Tepelenës dhe lidhjet e tij me popullin gjeneroz të Zagorisë, që nxori burra dhe pena të shquara.
Si lexuese përjetoj harmonizimin e ligjërimit liriko-epik tepër befasues me ndërtimin e vargjeve sentenciale për Pashain që tronditi Perandorinë dhe Europën.
Një merak e kish Pashai/ të shkëputej krejt nga Porta/ Popujve u dha kurajë…/ U habit prej tij Evropa/ Shekuj rrodhën s’u harruan/ U shndërrua në legjenda/ E shohim të skulpturuar/Me të merren, kënga, pena…
Kjo poemë iu kujton historianëve dhe zërave ulëritës të rivlerësojnë historinë, ndërsa miopëve të heqin syzet e errëta, ngase dielli po çan retë e çmendura që grinden pamëshirshëm me njera-tjetren, sepse: Besëlidhja që krijoi/ tok me miq e sundimtarë/ Portës s’Lart’ i dha ngjyrë ftoi/ ndërsa vetes mjaft rivalë…
Trimëria dhe guximi i tij do të tregohen brez pas brezi, kurthet që iu ngriten i bëri shkrumb, ndaj dhe pena e poetit rrjedh si ujëvarë bjeshkësh:
Si pronar i madh Veziri/ u vetëshpall autonom/ Duhm’ e vrull punëve u hyri/
Si të qe Sulltan në fron/ Edhe sot e kësaj dite/ mirënjohës na “flet” Aliu/
Mjekëroshi na avitet/ Veç… me dy varre fatziu…
Këto vargje më sjellin ndërmend poezinë e poetit të madh grek Janis Ricos i cili midis te tjerash shkruan:
“
Me një zambak të egër
ndriçova netët tona më të egra. ... duke adhuruar edhe Atë që i ngjitet kodrës mes perëndimit të praruar. Shikoni:
Në mëngën e majtë ka një arnë të purpurt katrore. Ajo
këndej nuk shquhet qartë. Por unë sidomos atë desha t'ju tregoja. Dhe ndoshta sidomos për atë do ta meritoja të më kujtonit.”
Si përfundim kjo poemë epiko lirike me tharmin e artit na con në burimin e kujtesës dhe ngre në zenit nderimin për figurat e mëdha kombëtare.
Mars, 2011
Staten Island, Neë York
PROLOG
Zagorisë bijtë
i dilnin për zot.
Përreth saj krahinat
shkonin “qyt-e-bot!”
Kur shtriga osmane
mbillte vetëm zi,
vatrat zagorite
ndienin siguri...
Çdo fshat i krahinës
nxirrte Kapedanë
Trimat vetëtitës
trima mblidhnin pranë.
Me shpirt liridashës
rriste djem çdo vatër.
Për gjuhën, lirinë
syt’ i bënin katër.
Ali Tepelena,
kur qe cub - kaçak
veç prej zagoritësh
pat shpëtuar paq.
Rioshit trimosh
Ali Tepelena.
Gjithë majëmalet
i ngjanin bedena.
Duken si çudi
miqësit e reja:
Me tre priftërinj
e priu “mideja”…
N’Sheper – papa Dhamon,
papa Thimjon n’Konckë,
Dede Gjonin në Ndëran
Miq, o ç’miq me kokë!
Gjeti tek Hil Dede*
derën e mikpritjes
te stanar Ded’ Gjoni** -
një zemër fisnike.
Shembull trimërie
Pati dhe të tjerë;
Të gjith’ i takonte,
Çdo rast e gjithëherë.
Kur flitej se burrat
zët e kanë punën,
Ded Gjoni, veç rrasos***
përdorte dhe gunën…
Shtoi dhen edhe dhi
në kopenë e vet.
U rrinte në krye,
nuk i linte shkret’.
Si prift çdo shërbesë
nuk e linte zvarrë;
merrte me shpërblesë
një të fshatit djalë.
Ngjitej shpesh në Sheper
te shtëpi e Rakaj,
takonte Aliun,
sapo binte nata…
Përkujtonin ditët
rrethuar në stan…
Si koshadhet ikën
nga erdhën… revan¹.
Aliu ndodhitë…
ì kqyrte nga larg;
Kollaj nuk afrohej,
mos binte në “çark”.
Jo në çark të çetës,
por t’ndonjë spiuni,
që ledheve fshihej,
apo buzë lumit...
Ndërtoi tunelin
për strehim gjatë kohëve
Mik në Sheper ngeli.
Atje gjeti mbrojtje…
Nga Rakajt në Dudaj
stërzgjatej tuneli.
I gjatë njëqind këmbë
edhe pesë së gjeri.
Kish çiflig Veliu
dhe në Zagori.
Kur qe djalë Aliu
I dha porosi:
“Veç këtu, o bir,
do gjesh miq me besë
Me hir a pahir
pranë do t’i kesh!
Ç’THONË KËNGËT E QËMOTSHME?
Çka s’e kap dot historia
më së miri e thot’ kënga
Vargjet vijn’ nga thellësia
Vijn’ ashtu siç i mban mendja:
“O Ali, deli Ali
Erdhe djalë , çilimi
Jatak malesh – Zagori.
Në Sheper e tatëpjetë
Jatak i pate përjetë.”
Kënga tjetër flet më mirë
Për lidhjet me Zagorinë:
“O Berat, Berat katrani,
Ç’bejlerë paska vatani!
Të nxirë si fund tigani…
Si serë e katran i zi;
Ç’do Kurt Pasha në Zagori?
Kurrë topovitët
s’e shkonin ndërmend
si argatë përditë
po për tjetërkënd.
U kënaq Veliu
Me njerëz fisnikë
Jo më kot Aliu
i mbante në shpirt
Nuk i kish të paktë
miqtë e vërtetë.
Gati në çdo fshat
I kish zgjedhur vetë.
Dhe i dhanë ndihmë,
Nuk mbajtën sehir
Ndihmoi topovitët,
kur u bë Vezir…
Tolajt asokohe
kishin dhe një grua
Një Leno trimoshe,
Krenare e zgjuar…
Për Lenon me burrë
respekt kish ai…
Dhe lëshoi urdhër,
ngriti dy shtëpi:
Tolaj, dhespovitaj;
shtëpi me dy kate.
Njerëzit me”çika”
Aliu i përkrahte…
S’iu kursye kënga
Lenos burrëreshë
Kënga qe me rrëmba
Kishte gojë e veshë:
“Leno, grua topovite,
krenari e zagorite.
Ali pashën mik e kishe.
Ali pashën kur e vranë,
Me zë mallkove Sulltanë.”
Në shenj’ miqësie
për familjen Rakaj
kënga popullore
ishte më e sakta:
“Te rrapi i Rakajve tëndë,
Gjithë valle, gjithë këngë.
Veziri mblodhi kuvendë
Edhe si u ngrit në këmbë,
Me sy mori gjiythë vëndë.
Dy – tre fjalë duke thënë:
“Ymër paç, zot i shtëpisë,
Nderi gjithë Zagorisë!
Ju, male, pa më dëgjoni,
Sa ju rroftë Dedë Gjoni”
xxx
Një ditë Kurt Pasha e kapi Aliun
Në Sheper tre priftërinj pyeti ai plak:
“Ç’t’i bëj dinsëzit, që miqtë m’i griu?”
I thanë: “Po prishe oxhak, të prishin oxhak.”
Dhe fjalët e mençura shpëtuan fatziun.
Njëherë Ali pasha
në vithe të kalit
Një epitaf**** hodhi
ashtu për t’u dukur.
E pa një nga Rakajt
dhe kalin e ndali…
E në ShënePremte
la plaçkën e duhur.
Dhe me Lole Rakon, po t’grindej ndokush,
Ali Tepelena do ta kish në shenjë…
Një i thjeshtë fshatar u vra një mesgusht.
Diku nga Këlcyra nga njerëz të vënë…
TE ÇETA E KAPEDAN VLASHIT
N’ato kohë të serta, kur ushtonin malet,
Trimat kryengritës jatak kishin stanet.
Stane kishte boll, por a kish stanarë
të mençur, bujarë edhe atdhetarë?...
Një i tillë gjallonte
lart në Rapavicë.
Burrë babaxhan,
që s’kish dert e frikë.
Ishte Dedë Gjoni
(E kish njohur Vlashin)
Të atillë burra
dot s’i “shponte” hasmi….
Çeta zagorite
me Vlashin në ballë,
Kur takuan Dedën,
u tha: “Luft’ e mbarë!”
Qe bekim prej Zoti,
një uratë zemre,
Dedë ndëranioti
e shprehte me ëndje....
Shpesh mblidhej krejt çeta
te Gjoni në stan.
Ku shkëmbenin fjalë,
ku pleksnin një plan...
Takimet me Vlashin
(pa dert e pa frikë),
Deda derën hapi
dhe u bë me mik…
Djemave të çetës
Deda u rrëfente
Çdo ngjarje të vjetër,
rrëfyer prej pleqve...
Një mesnatë vjeshte
i tha Vlashi Dedës:
- Si ua hodhe hasmve
t’Ali Tepelenës?!
Diç kemi dëgjuar
nga ca ndëraniotë:
Si ua ke punuar
ndjekësve trukotë?
Në mes vunë Dedën
gjithë djemuria;
dhe vështronin etshëm
thellë tek syt e tija...
RRËFIMI I DEDE GJONIT
Nisi Dedë Gjoni
me shqipen e pastër:
“Ali Tepelena,o djem,
ësht’ nip i Kurt Pashës.
Është e vërtetë
e kam mik Alinë.
I zgjuar, i sertë.
S’e nget vegjëlinë.
Ali çamarroku
tallet me pashanë;
Sejmenët ia vret,
grabit pasunarë…
Ndihmon varfanjakët
këtu e atje...
Është kaçak i flakës…
këmbët s’i zenë dhé.
Një kaçak-kusar...
I tillë është Aliu...
Ku do bën zarar;
(I ri si veriu...)
... Kur e mbushi kupën,
ì briti Kurt Pasha:
“Ah, more dinsëz,
po s’të bëra ashra!”
Dhe ta dini,djema,
se kaçak - A l i u
Përveç Zagorisë
nuk fshihet gjetiu.
Sepse më thot’ mendja,
Ai di për ju…
Hyn në fshatra brenda,
ja si unë këtu..
Hyn, sepse ka miq,
thuaj në çdo fshat
edhe në Doshnicë
tëpkën si kaçak.
Dhe për këtë çetë
nga miqt’ ka dëgjuar
U ka parë vetë
dhe duke luftuar
E di kaçaku im:
kjo luginë e qetë
Mbrohet nga një trim
me një trime Çetë...
Zëra ka dëgjuar
djaloshi Ali,
Si vringëllon shpata
sot në Zagori...
E tepëroi dreqi
me lakmi e vrasje...
Urdhroi Kurt Pasha
më të ashprat ngasje...
Dhe nisi tellallët
shtëpi më shtëpi:
“Kush t’kapi Alinë,
do mbushet flori!...”
Një tellall më erdhi
dhe mua në stan.
Ma përshkroi kaçakun...
ja,si ju - tamam!...
Edhe në Doshnicë
edhe në Hoshtevë
Nga “gracka” Aliu
shpëtoi dy herë...
Dhelpërisht… sa herë
m’iu afrua stanit.
S’vinte për të vjedhë.
Mos kem syt’ e ballit!
E nuhata vetë,
ç’hall e kishte zënë:
“Port’ e Lart’ e ndiqte,
Pas i ishin vënë…
U njoha me Aliun
Ia pash’ zemrën mirë
Edhe shpirt – njeriu
Edhe egërsirë…
Kot, o djem, s’ësht hapur fjalë:
“Sipas vendit dhe kuvendi!”
S’është djalë si çdo djalë
por “zog djalli” kokëshkëmbi.
E pashë një mesditë,
tek po varej zallit.
Sa e pashë, i fola:
- Nga vjen, o zog Djalli?!
Ia thash’ këto fjalë,
se ësht’ Djalli vetë…
M’u afrua pranë,
Më tha qetë – qetë…
- Jam në dorën tënde.
Në më do, shpëtomë!
Langojt e Kurt Pashës
gjithkund më gjurmojnë.”
…Sapo më tha llafin,
e fsheha “Kaçakun”
në një bute-djathi,
që s’e kish kapakun.
Thatësira s’tundej,
Hajde ç’ vapë toka!
Ishin tharë budet.
Një gisht ndarë dhogat.
E mbi trup i hodha
dy bashka me lesh...
Të dy një copë herë
mbetëm qesh e qesh.
U dëgjuan zëra
dhe shakatë i lamë.
Të tre qent’ e stanit
lidha atje pranë.
E fsheha Aliun,
por harrova gjërin… (bagëtinë)
Këmborëve të cjepve
s’ua dëgjoja zërin.
Sa fsheha Aliun,
dhëntë morën malin.
Mirë që pata lidhur
tek një frashër kalin.
... Paspak si harbutë
u turrën në stan
Ndjeksit e Aliut....
Lere, se ç’më thanë!...
T’lidhur,më qëlluan,
premtuan shpërblime...
Po, ta dini, trima,
s’u hap goja ime!
Burri që është burrë,
s’gënjehet kollaj;
Ndryshe... kot që rron...
Balta ta përlajë.
... Si memec u shfaqa
dhe si budalla...
Vetëm bërbëlisja
më kot: “lla-lla-llaa!”
Dhe u nxirrja gjuhën,
hidhesha këmbëçalthi;
S’duroi kryesejmeni.
Nga erdhi, ia mbathi...
Me sy i përcolla,
sa m’u zhdukën sysh.
Veten shpejt përmblodha.
Iu qasa fuçisë.
Një mjegull e dendur
ndjekësit “përpiu”...
- Dil,more “zog Djalli!” –
i fola Aliut.
Nga plasat e butes
kish parë githçka...
Kur u përqafuam,
më thirri “Baba!”
I dhashë ca kulaç
edhe djath’ të kripur.
Pra,me ç’e njoh unë,
qenka trim kokëkrisur...
Dhe tani që u flas,
kushedi nga gjendet.
Shkëlqim nxjerr nga syri,
shikon larg... me mendje...
Prapë pas një jave
Avazin Kurt pasha
Dërgoi koshadhe,
sapo u mbraps nata.
Stanin, o soj trimash,
e kam pranë një lisi.
Djegur vetëtimash.
Zgarbull prej një viti.
Nisën lehjen qentë,
sa dëgjuan zhurmë.
U fut “Djalli shpejt
në zgarbull me gunë.
Qentë e njihnin mikun,
Siç më njihnin mua.
Kur qasej i ligu,
lehnin pa pushuar.
Lidhur përreth lisit
të tre qent e fortë.
E dhembët ckërmitnin.
Kush afrohej dot?
Tri dit’ e tri netë
i rrethuar stani.
Un’ ushqeja qentë
dhe “Zogun e Djallit”…
Na mbanin rrethuar,
të kapnin Alinë.
Me shkarpa i maskuar
Na shihte shumë mire.
Fare s’më kuptuan,
Që i shpija qumësht.
Ikën të tërbuar;
Gaunisnin rrugës…
Sejmenët mendonin,
se ushqeja qentë.
Fare s’e kuptonin,
ku qe Djalli vetë.
Sa gëzim kur foli;
Prap’ më tha “Baba!”
Iku dhe më s’doli;
Kushedi se nga…
Para se të ikte,
më tha atë ditë:
- Kam një protomik
në fshatin Doshnicë.”
xxx
Rrëfimin më tej
Dedë Gjoni s’e ngajti.
- Mik do ket’ Hil Deden, -
pasoi Kiço Vlashi.
- Hila edhe neve
na gjëndet ngaherë;
Ësht’ i papërtuar
dimër edhe verë...
Ai këtu gjeti
Besë e bujari
Do kujtojë se shpejti
strehën ZAGORI…
Pritni, kur Aliu
me syt’ si shqiponja,
prapë të rikthehet
në kto këto anët tona….”
Ishin fjalë, fjalë zemre,
që buronin nga një shpirt.
Rrëzë malit posht’një venje
thënë prej “Drerit Zagorit…”
Dreri Kiço Vlashi,
s’e pa dot Aliun.
E rrethoi hasmi.
Toka e përpiu…
Baba dhe bir mbetën
tw lirisë martirë.
Histori e mefshtë
nuk i ka përfshirë…
(Mirë qe informuar
cubi leshraverdhë.
Zagoritët mbronte
nga hajdutë të tjerë...)
MIRËNJOHËSI MJEKËRBARDHË
Si përrenjt’ që rrjedhin malesh
Porsi Bambulli që s’resht,
Si burimet që nuk ndalen
Rrodhën vitet në çdo kreshtë.
Në çdo kreshtë Zagorite,
Në çdo pllajë edhe shpat mali
Histori përcollën vitet…
Jeta ecjen nuk e ndali.
Kish ç’t’i thoshte baba djalit.
Djalit që do bëhej gjysh…
Duke mbajt’ frerin e kalit,
nuk i zinte shpata ndryshk.
Kazma, plori edhe shpata
ruheshin si syt’ e ballit.
Me to ngrihej, mbrohej vatra.
Rritej jeta majë malit.
E rrëfimet gojë më gojë
nëpër zemra hidhnin rrënjë.
Çdo ndodhi në tokën – shtrojë
O, ç’e shprehte… lis dhe vënjë:
Flisnin lisat përmbi lumë:
“More, ç’po na shohin sytë?
Një Pasha një mjekërshkumë
po e bëka natën ditë…!
E ka sjellë nga anë e anës
Ca të shpejtë ustallarë.
Që kur çeli lule e thanës,
nisën mullirin e parë.
Kur qershitë kuqën kokrrat
mbaroi mullirin me ujë.
Do të bluhet misri forra.
Hej –o hej, ç’punë pa bujë!
“Kurse unë, - foli një rrap –
pashë si u ngrit një kishë.
Këtu ura e një kishë lart.
Ky do jet’ Pasha i fismë…
Paspak mori fjalën ura:
“Dini ç’kam dëgjuar unë?
Ky Vezir me këta burra,
ngrë ca ura përmbi lumë.”
Duke grirë kokrra misri,
një i ujshëm zë seç hyri.
Pasi vetullat gremisi,
mori fjalën vetë mulliri:
“Dhe mullinj si puna ime
paska ngritur dy të tjerë.
Tash për tash veç me ndërtime…
Më pas… s’dihet ç’do të bjerë…”
Zëri që hyri n’kuvend
qe mulliri me boll ujë.
Një konizmë pranë tij u gdhend.
Të nderohej Zoti shumë.
Flitej se ngrinte shtëpi,
ku kish miq e ku kish besë.
Ali Pasha si Vali
Ndërtoi vepra si shpërblesë…
Mirënjohja për zagoritët
sikur fliste vetë me gojë.
Me gojë urash dhe shtëpish
edhe nga mullinj për blojë.
Dimra t’sertë e shtrëngata
Balt’ e gurë degdisën n’det.
Veç... ç’ndërtoi Ali Pasha,
nga tufanet s’patën dert.
Të ndërtuara pa hile.
Mirënjohja u shfaq açik.
Dhe shndërrohej djall e skile…?
me sulltanët zemërzift.
S’e kurseu ndihmën Hil Dede
Disa herë përbri Aliut…
Kundër Kurtit e të tjerëve
Miqësi e fort’ i priu…!
Hilë Dedes në Doshnicë
mirënjohjen ia shprehu qart’.
Veç mullirit për çdo drithë,
O ç’ Saraj ngriti mbi fshat!
Një saraj me mur qarkuar.
Me dy porta e dy kate.
Me një kullë për të vrojtuar
Dhe me ujë dhe me bahçe.
Jo më kot rruga e fshatit
Mbajti emrin “Ali Pasha”.
Hijerëndë qe pallati;
Saraj me mure te trasha.
Dhe në Zhej kish miq Aliu
Kapetanajt kish me besë
Ku strehuar qe fatziu…
“Konaku pashajt” i ka mbetë.
Thithën malet ujë bore.
E perlindën sa burime.
Vrap si Vjosa madhështore.
Rrodhën vitet stinë pas stine…
Ikën vitet… veprat mbetën.
Nuk u shprishën nëpër shekuj.
As kujtimet nuk u zbehën.
Se floriri s’njeh te tretur.
Edhe sot e kësaj dite,
kur kan’ rrjedhur ujrat lumë;
Çdo kujtesë zagorite
mban të freskët atë burrë…
E kujtesa - mbledhur vite
kujton Ali Tepelenën…
Me kusuret që boll kishte…
me qerpikët si bedenë.
Çdo sy që sheh Manastirin
poshtë Nivanit te lisat;
Tek Aliu sheh guximin.
Si u ngrit plisi mbi plisat…
Ç’qe më parë Manastiri
Qe një kishë e vogël fare
Ndëran, Nivan më së miri
Aty kryenin ritual…
Thuhet se kur hordhit turke
ndiqnin egër Ali Pashën
S’e zuri nata ku duhej;
Te kjo kishëz e shkoi natën.
Kur e mori veten trimi
E pashai u bë Vezir,
Siç e kish zakon mirëfilli
Kishën e bëri Manastir.
Si kompleks krejt i v eçantë
Rriti shtatin kjo ndërtesë.
Ka shërbyer në çdo rast,
si të ishte një fortesë…
Dhe si shkollë e kreu punën
Dhe si streh peër luftëtarë.
Dhe si shprehje për kulturën
Dhe si vendi për meshtarë…
Ku u çel Shkolla Qendrore
Ku u shpreh fjala e Zotit.
Aq më shumë vlera njerëzore
Mori vepra qysh qëmoti…
O Ali, o plis i shkëmbtë
iu vërsule Portës Lartë.
Zhveshe veset… Hijerëndë
me osmanët “fole” qartë…
Sa herë shihet Manastiri,
Na kujton A. Z. Çajupin.
Ilia Dilo gjuhëmirin,
Bilbilenjt’ dhe Tafil Buzin.
Dhe Çerçi na vjen pranë
Dhe Gramenoja me shokë,
Petro Kondi - gojëtar,
Haritenjtë – dijeplotë…
Kush aty nuk shtroi plane
Kush atu s’bëri kuvend?
Dhe për çetën partizane
Ishte më i sojmi vend…
Dhe kur mblidheshin sa herë
Zagoritë dhe mysafirë
Do kujtonin menjëherë
Ali Pashën siVezir.
Bëri “Histori” më vete…
Iu pre hovi osmanllisë.
Mbeti lart në monumente.
I dha emër Shqipërisë…
Pashallëkut i dha famë,
I patremburi ndër mote!
Dhe me mendje e jatagan
Përballoi shqot’ mbas shqote…
QËNDRESTAR DERI NË FUND
(Dhunën dhe dinakërinë
I përdori me finesë.
Mënjanoi anarkinë
Kryecub kur u bë vetë…
Shumë zhurm’ e bollëk fjalë
Ndaj një shqipoje të madh.
Llafazanë dhe rivalë
Iu turrën Prijsit sorkadh.
Trimëria, zgjuarsia
I lexoheshin në ballë
Edhe për nga bukuria
Ai shfaqej burrë i rrallë.
“Vezir” Titullin sa mori,
Seç kujtoi kohën e shkuar…
Mbresat një pas një përcolli,
Dhe stanarin e dëgjuar…
Si luani i vërtetë
I vu shpatën osmanllisë…
Veten lart e ngriti vetë.
I dha frymë Shqipërisë.
Vetëm vjeç njëzet e katër
Asokohe ishte trimi.
Ç’ishin hajdut’ e kaçakë
Siç ia tha truri i bindi…
Besëlidhja që krijoi
tok me miq e sundimtarë;
Portës s’Lart’ i dha ngjyrë ftoi,
ndërsa vetes mjaft rivalë…
Bushatlliu i doli kundër
s e mori krahun e Portës.
Rumelinë kish nën urdhër.
Shtrëngonte burgjitë e kokës…
Si pronar i madh Veziri
u vetëshpall autonom.
Duhm’ e vrull punëve u hyri;
Si të qe Sulltan në fron…
Përballoi luftë pas luftrash.
Kurth pas kurthesh bëri shkrumb
Se nuk ish një urith skutash
Por luan me kreshtën tumbë…
Një merak e kish Pashai:
të shkëputej krejt nga Porta.
Popujve u dha kurajë…
U habit prej tij Evropa.
Iu vërsulën osmanllinjtë
me hordhitë valë-valë…
E braktisën në fund bijtë
dhe sunduesit rivalë.
Se synonte ribashkim.
T’i përngjante Kastriotit.
Ëndërroi autonomi
si arbëreshët qëmoti.
Kur vjeç qe dyzet e katër,
gjersa shkoi tetëdhjet e dy;
u shkëput prej Portës Lartë.
Dhe siç desh veproi Ai…
Shekuj rrodhën s’u harrua.
U shndërrua në legjenda.
E shohim të skulpturuar
Me Të merren: kënga, pena…
E sodisim Ali Pashën,
Duke parë çdo kështjellë
Nga Parga në Gjirokastër
Butrint, Borsh e Tepelenë…
Një kështjellë hodhi shtat
Veç për hir të dashurisë.
Më e zgjedhura dhurat’
Bukurez’ – Vasiliqisë…
Te një perlë buzë detit.
Si gadishull a ujdhesë
Petro Korçar arkitekti
Ngriti famozen fortesë.
Ku ta dinte Ali Pasha,
Si do vinte fati i saj.
Ato mure aq të trasha
Tjetër rol morën pastaj…
Kush s’e di Porto Palermon;
Ç’përjetoi nëpër epoka…!
U bë burg dhe u bë depo
Urdhër prej mjeranesh koka…
Nga “sarajet” në Doshnicë
Te kala e Libohovës.
Ali Pashën shohin sytë
Emërmadhin e epokës…
Në Oborr***** një Serasqer
Teksa pa tehun e shpatës,
U lut për vdekjen e vet,
Ta kish si të Ali Pashës…
Edhe sot e kësaj dite
Me zë veprash “flet” Aliu.
Mjekeroshi na avitet.
Veç… me dy varre fatziu…
Shpjegime:
*Hilë Dede - ish banor i fshatit Doshnicë (Zagori e Shqipërisë)
**Dede Gjoni - ish banor i fshatit Nderan (Zagori e Shqipërisë)
***Rraso = veladoni i priftit
*****Oborr = ose Porta e Lartë, siç quhej Sulltanati.
Shënim: Kjo poemë që shtjellojhet me pak imagjinatë përbrenda dhe me boll të vërteta historike në tërësinë e vet, merr frymëzim nga një shkrim i zotit Viktor Dervishi me origjinë nga Ndërani i Zagorisë, në faqet e gazetës “Zagoria” të nëntorit 1998.
U prehtë në paqe shpirti i madh i të paharruarit Viktor për detajet njohëse e frymëzuese, qe i ka përshkruar mjeshtërisht, të cilat më vrullëzuan penën…!
Si krijues e ish mësues i historisë krahas gjuhës e leteërsisë, nuk lashë të më kalonte rrëshqanthi e me indiferencë ky rast i bekuar ky material – burim frymëzimi për poemën në fjalë.
Autori
Zagori dhe Gjirokastër, 2008 - 2011
KOMENTE PËR POEMËN:
Arqile Puleshi (Intelektual zagorit, emigrant Në Greqi)
I nderuar mik! Kam para syve përpjekjet e tua,artistike,psikologjike e fizike ,që Zagoria ,të kishte një përfaqësim në rreshtin e parë të folklorit kombetar.Jeta artistike e krahinës ,në 40 vjetët e fundit ,është e lidhur pazgjithmërisht me... emrin tënd. Nëse folklori shqiptar,si pasojë e politizimit total e të pashmangshëm u masakrua, në Zagori,humbjet ishin minimale,sepse u kompesuan me nivel artistik të lartë,falë punës tënde plot sakrifica stërmundime e krijimtari,aq të lodhshme, sa që shkurt në shqip e quajmë "punë të palodhur!".
Gëzohem që tani ke bashkuar talentin me zellin dhe njohuritë dhe për pasojë,ne kemi mundësinë, të lexojmë të tilla krijime. Ky,është privilegji ynë! Faleminderit! Përqafime A.P.
Koco Sterjo (Intelektual zagorit, emigrant ne SHBA)
Dhe Zagoria jonë ka histori të lashtë bëmash,për një pjesë të së cilës,në kohët më të vona,në vitet 1700-1800,poeti bën fjalë në këtë prurje poetike, që do te na e bëjë më të njohur këtë pjesë të historisë…
Duke bashkuar forcat historianë,shkrimtarë,poetë,studiues të fushave te ndryshme mund të arrijmë që historinë e krahinës sonë ta bëjmë të pavdekshme dhe të lexueshme nga brezat që do të vijnë.Kontributi i Jorgo Telos duket që është evident në këtë ndërmarrje aq fisnike.
Ndërsa,duke shkuar nëpër Jug,shohim bustet, monumentet dhe veprat fizike të Ali Pashë Tepelenës,këtu shohim nje monument mirënjohjeje në Zagori për të.Kjo poemë na sjell ndër mend poezinë e Kadaresë: "...Një varr i vetem s'ta nxinte dot lavd...inë/Lavdinë bashkë me mizorinë...".Monumenti vjen duke u rritur qe nga "Mirenjohesi mjekerrbardhe" Kjo poemë është një gjetje e shkruar me realizëm e dashuri per miqësinë e Ali Pashë Tepelenës me Zagorinë.Ai u ktheu mirenjohjen zagoriteve dhe tashmë poeti i kthen mirënjohjen atij,aq më tepër kur në Zagori rrezikohet qe vetem veprat e Ali Pashë Tepelenës t'i mbeten në këmbë kohës,siç e thotë dhe poeti.
Viola Bekridheli (Dr.Prof. Durrsake, me banim ne Itali)
Meravilia, shumë e goditur, vargjet rrjedhin me një harmoni dhe rimë shumë fine dhe të gjallë... Shume vivente, reale, magjepse gjuha, qe ke perdor, Zoti Jorgo S.Telo... Kur e lexon poemën, te magjeps dhe të fut të përjetosh, moment per moment, çdo pas e varg, të ka ënda të jetosh në realitetin e asaj epoke, me fantazinë, qe keni përdorur dhe zgjuarsinë e një Shqiptari, komplimentet e mia...! Dott. Prof. Viola
Kozeta Zylo
(Skrimtare, poete, publicite tepelenase, me banim në Neë York)
Fort i respektuar, shkrimtari Telo,
I lexoj me kërshëri për çfarë keni sjellë ne f/b, por këtë poemë epike për Luanin e Janinës, që bëri zap hordhitë osmane, e lexova veç me kersheri edhe me emocion.
Kjo për shumë e shumë arsye, por si duket arsyeja ...me e forte (pak emocionale) eshte se kam pasur fatin gjithmone te prek rrapin shekullor te Aliut ne fshatin e lindjes se Ali Pashe Tepelenes, ne Becisht, fshat ku shkoja perhere tek gjyshi im nga nena. Edhe pse nuk u ngrit kurre ne kohen e diktatures qofte dhe nje bust i vetem, Ali Pasha jetoi dhe do te jetoje gjate ne mendjet e popullit. Jeta, diplomacia, dinakeria ne sherbim te Kombit, jane ne kryeveprat e botes. Te gjithe ata qe kane hedhur balte dhe po vazhdojne te hedhin iu kam kthyer pergjigjen vetem me mendimin e Faik Konices“…Eshtë turp, në një kohë ku kombi shqipëtar zuri të pendohet për pa-udhësit' e shkuara, në një kohë ku armiqtë tanë na bërtasin për ditë në faqe t'Evropës se kurrë nukë jemi përpiekur për lirimin t'onë, është turp, thom të ndodhen njerëz të lindur Shqipëtarë qi përpiqen të pakësojnë fytyrat qi i dhanë çkëlqim Shqipërisë, në vënt që të përpiqen të rëfejnë se fajet e atyre fytyrave ishin fajet e asaj kohe, po vlera ish vlera e tyre.
Eshte vërtet se, kur mendohem se ç'farë Shqipëtarë jan' ata qi duan të mbulojnë me këlbaza emërin e luanit qi i vuri spatën Turqërisë, shpejt ngushëllohemi..”
Faik Konica
Anila Shehu (Nga Tirana)
E lexova me vëmendje varg pas vargu..këtë poemë..që me të drejtë emërtohet epike..për këtë figurë të ndërlikuar historike..!Kam lexuar të dy variantet e librit të Sabri Godos..ku varianti i dytë është munduar qe t’i afrohet më shumë se vërtetës ,pa asnjë lloj ndikimi..!Këto vargje kanë vlerë historike dhe njëkohësisht dëshmojnë për një anë pozitive të karakterit që përsëri ..do të thosha të ndërlikuar të Ali Pashë Tepelenës..të ashtuquajtur..Luani i Janinës..!Po citoj: “Duke menduar për jetën e vet dhe për ato që ndodhnin në Turqi, Serasqeri mërmëriti një lutje që Allahu t'i jepte një vdekje po aq të nderuar, sa ajo e Ali Pashës..!Të të nderojë dhe armiku..pas vdekjes..kjo do të thotë shumë..!Flm për tagg..!
Flutur Zavalina (Tiranase në Neë York)
Mjaft e bukur e cila na tregon vërtet se kush kanë qenë shqiptarët si dhe besën e tyre…
Agim Bacelli (Nga Korça)
I dashur z. Jorgo! Me shumë kënaqesi e lexova poemën e bukur, e cila lartëson jo vetëm Ali Pashë Tepelenën por tërë trimërine shqiptare dhe ju nderon juve si poet liridashës e patriot.
Vjollca Gabaj (Shkodrane, në Itali)
Poezi epike me vlera të mëdha historike . Nga legjenda vjen "mirënjohja "e Aliut ,si dhe mesazhi i qartë i poemës: mirënjohja e brezave për veprën e tij.
Saimir Mecani commented on your shënim "STANARI DHE “ZOGU I DJALLIT” (poeme epike)". (Libohovit)
Saimir shkroi: Kjo poemë është në lartësinë e një elegjie epike për legjendarin Ali Pashë Tepelena,por lartëson dhe trimërinë e gjithë Shqiptarëve..... Ju dini si ta konservoni historinë nëpërmjet vargjeve të cilat shpesh kthehen në këngë..trasmetohen nëpër breza e nuk ia zbehin vërtetësine fakteve të ndryshme ,të luftës që është bërë e te protagonistëve të cilëve u referohet vepra letrare....!
Përshendetje, Jorgo
Sajmir Hide commented on your shënim "STANARI DHE “ZOGU I DJALLIT” (poeme epike)".
Sajmir shkroi: Historia risillet fuqishëm përpara syve tanë.Vetë emri i madh i Ali pashës e bën këtë poemë tepër interesante.Ju i nderuar poet keni harmonizuar mjaft bukur bëmat e trimave zagoritë me legjendën Ali.E kështu trimëria nuk humbet,por merr vlera të jashtëzakonshme,duke na kujtuar ne shqiptarëve,se ç'vlera merr bashkimi i kombit.Ju, i nderuar poet, nuk keni harruar që në këtë poemë të sillni si të gjalla mrekullitë natyrore Zagorite,si edhe shpirtin bujar e mikpritës të vendlindjes suaj.Për mua është pa dyshim, një poemë e mrekullueshme,që patjetër meriton të jetë në majat e letrave shqipe.Unë të uroj sa më shumë jetë e shëndet!
BALLINA E LIBRIT
PASKOPERTINA E LIBRIT
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi