Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

CIKEL ME POEZI NGA TONIN NIKOLLI.

Shko poshtë

CIKEL ME POEZI NGA TONIN NIKOLLI. Empty CIKEL ME POEZI NGA TONIN NIKOLLI.

Mesazh nga Agim Gashi Mon May 23, 2011 11:44 am

CIKEL ME POEZI NGA TONIN NIKOLLI. 227267_1705367277655_1342220805_1458772_4611960_n

CIKEL ME POEZI NGA TONIN NIKOLLI.

Tonin Nikolli ka lindur ne Gjadër te Lezhës .Shkollën 8-vjeçare e ka mbaruar ne vendlindje. Ka vazhduar studimet ne shkollën “ SKENDERBEJ” në Tiranë, për t’i vazhduar më tej, në SHKOLLEN E LARTE TE AVIACIONIT në Vlore, të cilën nuk e ka mbaruar plotësisht.
Ka punuar mësues në shumë zona të rrethit Lezhe, për t’u rikthyer përfundimisht ne repartin e aviacionit, si punonjës i stacionit meteorologjik. Nga viti 1997 eshte emigrant në Itali.
Fillimet letrare janë të hershme.Nga viti 1977 ka botuar krijimet e tij në shtypin shqiptar te kohës.
Ka botta vellimet poetike:
“ PERTEJ SHPIRTIT”
“GUR PENDIMI”

Është në proces të botimit vëllimi poetik “ PYLLI IM I BARDHË” si dhe ne dorëshkrim “ PETALE VIOLË”.

Po ju prezantojmë nje cikël të marrë nga të gjithë librat e tij.

Nga libri “ PERTEJ SHPIRTIT”

PSA IKJES SË DIELLIT

Le të më dalë fryma në mëngjes!
Le të pushojë zemra. Gjaku të ngrijë!
Lajmin e vdekjes çojeni vonë,
Pasi të vdesë dielli.

Kur të veshë errësira botën,
Do të vijë ajo!
Me një trokth marramendës,
Me pelerine të zezë.
Me një fjalë të akullt, me dy sy pa jetë.
Me gjuhën e prerë, me veshë të cunguar,
Me dy zgavra sysh, si puse shteruar…

Mos e lini të afrore!
Se mund të rizgjohem, mund të bërtas.
Shpirti nuk është bërë dhè,
Nuk është bërë dërrasë.

CA DRURË

Lisave u ranë
I vranë. I thanë.
Me sopatë ua prenë lëkurën.

Në vend të tyre, në mëngjes,
Mbollën ca drurë qe….përkulen….


RIKTHIMI

Unë jam si lumi me drejtim të ndërruar.
Për t’u kthyer në shtratin e vjetër,
Gërryen, gërryen papushuar…

Nga libri “ GUR PENDIMI “

NJË COPË GURI

Jam një copë guri.
Shkëputur nga shkëmb i vjetër.
Jam një copë shkëmbi,
Shkëputur nga Kreshta e Lartë.
Një cpoë krahu e shqipes së paepur,
Copë kthetre që krenari mbart.

Jam copë guri mizorisht shkepur.
Rrokullisur vitesh me rropamë.
Endem shpateve, luginave për të gjetur,
Vendim tim, ku peshoj rëndë.


BULËZA E UJIT

Ti je e vogël, bulëz e ujit!
Nën diell reflekton margaritar.
Mbi fijen e barit, kur ulesh,
Je vezullim i paparë….

Ti je e vogël, bulëz e ujit!
Në shkretëtirë shuan etje të madhe.
Ashtu si digën shemb pa bujë,
Dhe bën një gjëmë të madhe.

Ti je e vogël, bulëz e ujit!
Por ke një peshë tejet të rëndë.
Kur rrjedh vajshëm prej syrit të bukur,
Dhe tregon sopirti qhemb.

Ti je e vogël, bulëz e ujit….


UNË S’KAM LOTË
( Në ditën kur vdiq poeti dhe miku im i madh, Ndoc Gjetja )

Mëngjes i rremë.
I pavertetë.
Qiell i plumbtë.
Bien retë.

Vizione malesh të largët,
Rrëzuar në tymtajë.
Sythe që vyshken.
Lule te paçelura.
Vaj!

Ti ke vdekur!
Dhe une s’kam lote,
Të të qaj…!


DETI

Deti shpreh fjalët,
Me valët…

Shpreh marazet,
Me tallazet…

Shpreh poezine,
Me kaltersine…

Vetëpastrohet përditë.
Nxjerr jashtë leshterikë…

Nga libri “ PYLLI IM I BARDHË”


DO T’UA LE…

Eci në të njëjtën rrugë me të tjerët.
Në të njëjtin drejtim.
ME HAPIN TIM!

Flas nga e njëjta tribune, me të njëjtët njerez.
Me të njëjtën gjuhë.
ME FJALËT E MIA!

Jetoj me të vërtetat e botës sonë.
Me përgënjeshtrimet e përditëshme.
ME TË VËRTETËN TIME!

Lagem nga i njëjti shi. E njëjta borë.
Thahem në të njëjtin diell.
ME RRECKAT E MIA!

Një ditë do të vdes.Do këpus ëndrrën.
Do le të vetmen gjë që kasha për ju;
ZEMREN!


SHI DHE AVULL

Kur botën shiu ka rrethqarkuar,
Dhe xhamet me avull janë bërë opakë,
Me gishta mbi qelq diçka kam shkruar,
Një frazë të ëmbël që duroi pak…

Avulli mbi qelq është një magji.
Është një telajo enigmatike.
Shkruan mesazhe dhe për çudi,
Fshihen, o kthehen në herioglife…

S’i lexon kush dhe shpirti vuan.
Jashtë përplaset indiferenti shi.
Shpirti me avullin përsëri luan,
Në lojën e përjetshme dashuri.

FLETA E BARDHË

Një fletë e bardhë rënë prej qiellit të kaltër,
Rri pezull në udhëkryqin ku fryjnë erërat.
Kalimtarë që lënë një firmë.
Një strofë.
Një zhgarravinë…

Dikush gris një copë,
Pranë zemrës e ve si hajmali.

Ndalem i mrekulluar para saj.
Nuk mundem të shkruaj.
As të zhgarravis.
As të gris…

Por fshehtas,
Qaj…

Nga libri “ PETALE VIOLË “


MË NDEZE!

Ma vure flakën!
M’i ndeze tërë drutë e sopirti.
Ma prushove zemrën.

Shëëëëët!
Mos ia thuaj kujt!

Se,
Ha, ha, ha, ha!
Na fikin.
Na hedhin ujë!


HIPOKRITI

Dhëmbët e tu janë shumë të frikshëm…
Kur qeshin…
Jo, kur skermiten…


***

Do rrëzohem diku…
Nuk do të ngrihem më.
Do mundohem të pëshpëris,
Një amanet,
Pa zë…

***

Kërkoj një pishtar.
Të ndriçoj skutat e mendimit modern…

Një tas ujë.
Të shuaj etjen e përmytjes njerzore…

Një rrahje zemre.
Për të vrarë vdekjen e shpirtit…


ËSHTË VONË

Është vonë, sytë po i mbyll.
Të bie në terrin e paqtë, kështu.
Për ty trurin shumë po e shtrydh,
Të të sjell më pranë, këtu…

Kilometra, kilometre…
Ndërmjet nesh krijojnë boshllëk.
Zemrat thërrasin njëra- tjetrën,
Ikën njëra, tjetra ndjek…

Tani thirremi nga larg…
Përmes mallit që na djeg.
Ikën ti, të vij nga pas.
Iki unë, prapa më ndjek…

Është vonë, sytë po i mbyll…
T’i hy territ të ftohtë në gji.
Derën hapur lë për trill,
Me shpresën se kthehesh ti…

Pregatiti:Kujtim Stojku
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi