Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Grigor Jovani:Pë NASE JANIN

Shko poshtë

Grigor Jovani:Pë NASE JANIN Empty Grigor Jovani:Pë NASE JANIN

Mesazh nga Agim Gashi Wed May 25, 2011 2:51 pm

Grigor Jovani:Pë NASE JANIN 248623_206775442694322_100000856023115_544955_1353759_n

Grigor Jovani:Pë NASE JANIN

NASE JANI
25 maj 1947



ME NAIMIN, ME 25 MAJ

Me Naimin kam një ditë në lindje,
Sup më sup te mali që shkrin borë,
Ku dhe trëndelina rri në pritje,
Malli për vendlindjen bëhet kollë...

Se ç’bëri Naimi, dinë të gjithë...
Ç’bëj e ç’nuk po bëj, unë s’di as vetë...
Edhe vdekja s’di ku do më vijë,
Në vendlindje, a në humb-kurbet...

Por një gjë e di dhe do ta di:
Me Naimin mbeta gjitoni...

NISA NJE DALLGE PER TEK TY

Nisa një dallgë për tek ty,
një dallgë me fjalë-dallge...
se çdo të thotë, veç Ti e di,
gjithë fjalët e një fjale...

Gjithë fjalët që s'ti kam thënë dot,
dhe t'i kam thënë gjithë jetën...
Nisa për ty një dallgë sot,
prite në gji, të shkretën...

Prite në gji, të rrijë aty,
të zgjohet e të flejë...
të dallgëzojë në dashuri,
të rinj le të na lërë!...

Nisa një dallgë për tek Ty...

* * *

Kam fikur drita e të pres,
Më gjej në errësirë,

Dritat e zemrës ndiz në sy,
Me zemër sheh më mirë...

TEK VARRI I DANTE ALIGERIT

Hyra tek varri i Dantes:
Zbrita një shkallë
edhe tre shkallë,
edhe pesë shkallë...
Në heshtje.

Mungonte jeta,
mungonte dhe vdekja,
mungonte dhe koha...

Dola nga varri i Dantes:
ngjita një shkallë,
edhe pesë shkallë,
edhe tre shkallë...

Mungonte drita,
mungonte dhe errësira,
mungonte dhe varri...
(Ravenna, korrik 2010)

UNE JAM…

Unë jam, thotë njeriu i thjeshtë,
pandeh sot se është,
por nesër vallë do jetë?...

Unë jam, thotë ministri i lartë,
sot është në pushtet,
por nesër, s’është prapë...

S’jam unë, thotë nëna me fëmijën në gji,
je ti, bir i nënës,
je ti!...

25 MAJ

Se ku qe fshehur Ditë e Lindjes
Dhe m’u shfaq befas në mëngjes...
Mos te vendlindja e malluar,
Ku një ditëmaji do të vdes?!

Se ku qe fshehur Ditlindja e ikur,
Mos te bajamja mbi shtëpi,
Apo më vjen nga shega e Rripës,
Apo nga udhët që s’i di?!

Mos vjen kjo ditë nga gjiri i mëmës,
Që pikon qumësht gjithë një jetë,
Më vjen me dashurinë e zemrës,
Që dheu i varrit dot s’e tret?!

Se nga më vjen e më gjen mua,
Ashtu siç isha e nuk jam...
Dhe poezia s’ka petale,
Vdes një delfin në oqean...

DET DASHURIE

Më tërbove,
u tërbofsh,
me tërbim të pambaruar…

Më gëzove,
u gëzofsh,
me gëzim të pazbuluar…

Më rinove,
u rinofsh,
me rini prej Perëndie…

Më jetove,
u jetofsh,
1000 jetë dashurie…

NJERIU DHE DETI

Çdo njeri,
brenda vetes ka një det,
e deti, ka një det me guaska brenda,
e guaskat fshehin një det me të fshehta
dhe e fshehta vetë brenda saj ka një det…

Dhe njeriu në jetë, nuk është kurrë veç njeri,
pa zbuluar se ç’është,
e mbyt dallga e tij…

Në një guaskë
jam shtrirë për të fjetur

Në një guaskë
jam shtrirë për të fjetur,
lakuriq siç flihet në guaska…

Mbyll sytë, por s’fle
e mbeta pa fjetur,
lakuriq jam shtrirë… dhe plasa…

Më erdhi pranë një detushkë,
gjysma prej qielli e gjysma prej deti,
unë i lakuriqtë, mbeta turpëruar,
as fjetur, as zgjuar…
djersitur, i shkreti…


MUNGONTE LOTI

Qesha kur më qeshej,
qesha kur s’më qeshej...
dhe të qeshurën e vura themel,
pastaj ngrita mure,
vura çati...

Çudi,
shtëpia m’u shemb...
mungonte loti.

MBETA I HESHTUR

Mbeta i heshtur dhe nuk fola,
mbeta i heshtur tek mendimi...
dhe heshtjen time e durova,
kur mbyllur më mbante trishtimi...

Mbeta i heshtur dhe mirë bëra,
se heshtja flet dhe të dëgjon,
ashtu, i heshtur tek ty erdha,
më mirë kur jam e s'më shikon...

Dhe jam aty, ku kurrë s'u ndodha,
ku ëndërrova dashuri...
kur fshiva lot tek ata sy...

Dhe jam aty, ku dhe kam qenë
me veten sot e aq sa vjet...
Mbeta i heshtur dhe nuk fola,
në heshtje pres ku ti s'më pret...

SONTE

S’di nëse jam vetja sonte?!
As shpirtin tim s’e njoh
dhe pse e di që është shpirti im...

Jam i pagjumë dhe pasmesnate,
shkruaj dhe s’m’ë njohin
as vargjet e mi...

Të gjitha mbetën pa mua,
të gjitha mbetën jashtë meje...
Dhe koha, dhe mendimi,
dhe ato që kanë qenë,
dhe ato që do të vijnë...

Veç ora.
troket mbi komodinë...

* * *
Jam unë a s’jam unë,
Në këtë botë të zhvirgjëruar
Që s’mund të lindë Njeriun?!


ECJA BUZE NJE SHKEMBI

Ecja buzë një shkëmbi,
nënë qiell, mbi greminë …
Më shkau këmba,
rashë,
u vrava…

Ecja buzë një shkëmbi,
mbi det,
rrëshqita,
u ngrita…

Dhe eci buzë një mali,
nënë re,
po rashë,
S’do të ngrihem,
kush më ngre?!

S’dua të më ngrejë askush…
Aty, ku s’jam të humb...

SIKUR TE VDESIN GJITHE DETET

Sikur të vdesin gjithë detet:
me ujë të vdekur,
me peshq të vdekur,
me guaska të çara e të thara,
me delfinë që s’dinë not “Delfin”…

Unë do t’iu jap jetë e do t’i ngjall,
me dashurinë time,
për Jetën time!

Sikur të vdesin gjithë qiejt:
me ajër të vdekur,
me zogj të vdekur,
me flutura që s’dinë të fluturojnë...

Unë do t’iu jap jetë e do t’i ngjall,
me dashurinë time,
për ty,
jeta ime!

ATY LE TE VUAJ

Sonte s’më flihet...
s’më sheh? Jam te porta...
s’më sheh? Jam te dera...

Nga varri jam ngritur,
nga qiejt kam zbritur...
s’më sheh? Jam i vetëm...

Ndiz dritat e gjakut
dhe një... dhe një tjetër,
të shoh se ku gjendem
në jetë a në ëndërr...

Mos më,
më verbove,
më kap lehtë prej dore
dhe dritat i shuaj,
aty le të vuaj!...

* * *
Poeti ka lindur para Adamit
Dhe vdes në lotin e fluturës
Dhe tretet në botën e së padukurës...

KU TA SHKRUAJ EMRIN TEND

Ku ta shkruaj emrin tënd:
Në qiellin me re?
Mbi malin me borë?
Mbi krahët e zogjve?
Mbi petalet e pranverës?
Mbi fletët e fjalës?
Mbi kalendarin e yjeve?
Mbi lakuriqësinë e ëndrrës?...

Gjithësia është pak,
Po e mbaj në zemër...

NGUJIM

Jam i ngujuar i gjithi brenda zemrës
më zihet fryma e s’dua të dal...

Më ka dënuar vetja
me dashuri të përjetshme...

SHKOVA NJE NATE MBI NJE URE…

Shkova një natë mbi një urë,
natën…

Lumi ish tharë si dhe unë,
natën…

Prita i ulur mbi një gur,
natën…

Nata nuk qe, isha unë,
natën…

AI JAM UNE...

Lidheni atë se bën çmenduri!
Lidheni atë!
Ai jam unë...

Vriteni atë se do të jetë Njeri!
Vriteni atë!
Ai jam unë...

Lëreni pa varr se mbin Dashuri!
Lëreni pa varr!
Ai jam unë...


Përse nuk plaket deti?!

(Duke medituar për NASE JANIN, ditën e tij të lindjes)

Kur sapo fillojnë të numërojnë minutat e ditës së re, gjumin ma prish zilja e telefonit. Sa herë i kam thënë gruas ta zhdukim atë dreq nga koka e krevatit. “Hë mo, fjetur je?”, dëgjohet nga ana tjetër zëri si pisqollë i Nase Janit. “Je në vete? Ka kaluar mesnata”, i them. “Dëgjo këtë”, - më thotë Nasja dhe fillon të më lexojë një vjershë. Mua ndërkohë gjumi më ka dalë krejt. “Ma thuaj prapë”, i them. “Kush është?”, zgjohet gruaja ime përbri. “Nasja”, i përgjigjem, i bezdisur që nuk më prish dëgjimin e poezisë së re. “Ç’i gjeti?”, ngul këmbë ajo. “Asgjë, moj, fle ti... Nasja po më lexon një poezi”. Ajo brof në bythë, ndez abazhurin mbi komodinë, shikon orën me sytë e zgurdulluar, pastaj më kthehet mua: “Pika ju rëntë! U plakët e po ju rrjedhin trutë...”
Plakur unë?!
Të thuash për Nasen... hajde de. Ç’them kështu? Pikërisht këtu është halli. Nase Jani këtu ka problem. Madje, një problem me shumë rëndësi... E kam biseduar me miqtë e tij, me Lymin tek taverna atje në “Fix”, me Eglën kur takohemi shkarazi në metro, me Bertin në gazetë. Të gjithë kemi të njëjtin shqetësim: me Nase Janin diçka nuk shkon mirë. Ka diçka metafizike në jetën e tij. Më e keqja është se nuk dimë ç’të bëjmë, si të ndërhyjmë. Se ja, më thoni, o njerëz të mirë, mund ta vëjë kush... me pleqërinë? E pra, Nase Jani i ka shpallur luftë. Dhe gjer tani (o zot!) ia ka dalë mbanë.
Nase Jani nuk thotë që të plaket. Nuk do që të plaket. Dhe s’plaket. Nase Jani mbetet ai që ka qënë. Ose më sakt: në vend që të ngjitet, fillon që të zbresë.
Zoti na ruajt, miqtë e mi!
Thua se atje pranë detit, ku jeton, në Kalithea, kushedi cila Circe i ka bërë magji, cila Kalipso i ka dhënë të pijë filtrat e saj, si Odisesë. Po ku i gjen hyjnitë antike Nase Jani? Në lagjen ku jeton kryesisht bëjnë hije vetëm gra dymetroshe ruse, të cilat, kur shkëmbehesh me to tek ngjit shkallët e banesës së Nases, në rrugën “Athina”, të shikojnë me ca sy lajkatonjës, që, zoti të ruajt nga mëkati... Pastaj, Nasja ka një grua zonjë (kush nga ne, soji i haramëve, nuk i ka të tilla?). Por ja që marifetet nuk i lë... Dhe ia ka arritur të stopojë kohën në vend. Konkluzioni: është ai që ka qënë vjet, dhe parvjet, dhe para dhjetë vjetësh.
Liriku i moshës djaloshare!
E lexuat librin e tij me poezi, që u botua vjet? “Sa vjeç është ky shekull?”, pyet qysh në titull, thua se është i zhytur i tëri në jermi. Ç’titull është ky? Shekullin që shkoi, nuk e jetoi edhe ai? Gjene mirë, rrëfehet në parathënie, si në kishë: “Kështu ndodh me njeriun, plaket, bile ia kalon edhe shekullit dhe nuk krijon dot, gjithmonë,“identitetin” e tij. Njeriu, aq më tepër poeti, në jetën e vet bën atë që nuk do”.
Ah, kështu?! Nase Jani, kujt ia thua këto? Mua do të më bësh filozofi? Kaq netë nuk më ke lënë pa gjumë? Aq sa shpesh herë nuk e kuptoja me ç’më dehje: me poezi apo me raki? I ziu ti! Je poet, ndaj tradhtohesh vetë, si kalamanjtë. Thurr vjersha dhe nxjerr zorët e barkut: “ Nëpër tru / më vijnë ca vargje / s’i them dot po s’m’i tha shpirti”. Kështu është, miku im. Prandaj dhe s’plakesh. Se mbart me vete lunxhiotin e vogël, që filloi të dehet së pari nga trëndelinat e Lepushetit dhe ujët e Krecit e pastaj nga rakia në rini, fëmijën që mësoi mënçurinë nga përrallat e Xhafo Kurjas, përpara se të njihte Bërnsin dhe Agollin, burrin që preferon edhe tani të luajë me topin e dikurshëm prej lecke, në sheshet plot guraleca të Stegopolit, se sa të shkruajë vjersha.
Të shkruash vjersha... Ata që s’dinë, kujtojnë se poeti, kur shkruan, ka panajir. Por nuk i shikojnë shpirtin. Si t’ia shikojnë furtunat brenda vetes! Atë mot të tmerrshëm! “Ti ngre erë / bën akull e breshër. / Unë bëj vjersha e dridhem / mbi vjershë”, bashkëbisedon poeti me dimrin e nënvetes.
Dhe vazhdon dhe vazhdon ky avaz... Lundron anija poetike. Kap limane të reja, me emra që skaliten në ditarin e jetës, si Gjirokastër, Kuçovë, Berat, Athinë. Trarët e bashit fillojnë e kalben, barku i anijes rënkon gjithmonë e më shumë, direkët fishkellëjnë nga reumatizmat e viteve, por udhëtimi nuk ka të ndalur. Nostromi nuk zbret nga direkët. “ Shkruaj një varg / edhe një tjetër.../ Pastaj mendoj / ç’kam thënë të re...” , dokumentohet në një nga ditarët e tu poetikë.
Meraku i përjetshëm i poetit: “Ç’kam thënë të re...”
Ç’të thuash gjithë jetën, Nase Jani! Kaq vjet që “zhgaravit mbi letër”, siç thua vetë. Në fillim të zinte ankthi për ato që do të thoje mëngjesit tjetër. Të kujtohet libri i parë: “Po nesër?” (1995). Pastaj, kur me buqetën lirike “Unë dhe ti” (1996), e cila shtyu Dritëronë të të quajë “poet të mrekullueshëm”, kujtove se, më së fundi, kënga i kishte gjetur monopatet e saj, erdhi libri tjetër: “Humbas udhët nëpër udhë”. (I vështirë ky zanat, miku im! Aq sa gjendesh një ditë në një udhëkryq, hutohesh dhe thua: “Ku shkoj?!” Thua brenda këtij jermi poetik shkrove librin tënd të fundit, “Jetë e hutuar” (2007)? Pastaj vizitove “Çmendinën” ( 2000 ), takove atje të gjithë ne, bëmë marrëzira e qamë së bashku për to me “Lotët e hënës” (2004) dha ja përfundimi: “Gruaja në kafaz” ( 2006) dhe tani së fundi “Det dashurie”, me skica të Filip Panajotit.
I çmendëm gratë tona, Nase Jani! I bëmë për kafaz...
Por dhe i kemi dashuruar shumë. “Unë s’di të dashuroj një çikë, / përgjysmë s’di të dashuroj”, thua ti në një vjershë tek libri yt i parafundit. Të besoj. E njeh dhe të njeh dashuria. Jeni bashkë si dy anët e së njëjtës monedhë. Ç’këngë i ke kushtuar! Dhe si të ka ndjekur pas dashuria! E di përse? Se i ke thënë gjithmonë të vërtetën. S’ke ditur, or qyqar, të shtiresh me dashurinë, paçka se do të ishe ca më i lumtur, si ne të gjithë, po të ndodhte ndryshe... Atë ke kërkuar edhe prej saj: “Thuaj / ç’nuk ke thënë tërë jetën, / por veç thuaj të vërtetën...”
Veçse djeg e vërteta, o poet, dhëmb e vërteta.
Aq më shumë kur rrojmë në një botë të gënjeshtërt, në një planet që s’i pranon ata që këndojnë... Poetët, si somnabulë, kërkojnë një çikë vërtetësi, nëpër sokaqet e Pllakës. Aty ku helmuan Sokratin, ngaqë nuk pranoi të shkëmbente jetën e vetë me gënjeshtrën, aty ku thyen fanarin e Diogjenit, ngaqë Plaku kërkonte me të një... Njeri. Qoftë dhe Të Vetmin, qoftë dhe për të Vetmen Herë. “Helmetisem... / hallavitem, iki... iki... ku të vete? / Pas më ndjek / veç hija ime, hijen time marr me vete...”. Më tronditin vargjet e tua, Nase. Më vënë një pasqyrë përpara fytyrës. Dhe unë s’di ç’të bëj: t’i ngre apo t’i ulë sytë... Veçse është e vërteta jote, e imja, e të gjithëve. Ç’të bëjmë, të heshtim, ta fshehim, ta ç’tjetërsojmë? Ti thua: “Poeti nuk hesht dot, se është poet. / Perëndia le të bëjë punën e vet...”.
Ah, Perëndia! Por le t’i shmangemi më mirë kësaj bisede. Kanë një “kod zotërinjsh” poetët me Perëndinë: seicili Zot në punë të vetë. Paçka se tokësorët e shkelin sa herë. Ngaqë s’mund të heshtin...
Të mos heshtësh... Një filozofi e tërë. Alter ego-ja. Aq më shumë për poetin. Poeti që ec në rrugët e qytetit gjigand dhe shikon krah tij një arkivol të zi. Brenda tij dergjet e ardhmja. Shekulli i porsalindur. (“Arkivoli bosh në mes të rrugës”). Do të mbajmë dhe 100 vjet të tjerë mbi shpinë arkivolin makabër me foshnjën e vdekur?! Nëpër hapësirat kozmike, ku rend shpirti poetik, endet një këmishë e grisur femre. Është këmisha e kohës, që ia shqeu me “X”-et e tij si dy thika shekulli i 20-të. (“Këmisha e kohës”). Jetojmë një kohë kurvë, apo një kohë të përdhunuar? Pak përpara se të ngryset, nga “Shoqata e lypsave”, ku Luli i Vocërr është bërë kryetar, del Migjeni. Takohet përpara Kafes së Madhe me poetin modern dhe pyet: “Jemi në ferr këtu, a në parajsë?”. Për të marrë përgjigjen e poetit të këtij shekulli: “Perënditë, / vijnë nga s’dinë as vetë, / ëngjëjt me djallin merren me biznes...” (“Migjeni”).
Ç’kohë jetojmë! Kur dhe perënditë merren me biznes, kush do të mendojë për poetët?
Prapë ata... poetët! Prapë fjala tek ti, Nase Jani. Ti që bëhesh xheloz me detin. Ç’faj të ka? Se “është mijravjeçar dhe prapë nuk plaket”, qahesh si fëmijë, tek poezia më e bukur e librit, “Si nuk plaket deti ndonjëherë?!”. Nuk ngopem së lexuari këtë poezi të shkurtër. E mësova përmëndësh. Ia lexova dhe gruas sime. Dhe të tjerëve. Me të qesh dhe trishtohem. Për ty dhe për veten. Por e di ç’zbulova?
Pa dashur, me këtë vjershë, ke bërë autoportretin tënd, Nase Jani.
Mendoj ta fus në një kornizë e ta vë në bibliotekën time? Do të heq atë tjetrën, ku kemi dalë së bashku tek guzhina jote, duke më hedhur raki me damuxhanë (pasi ajo fotografi më iriton gruan: “Nuk i ndaheni dot tersit tuaj!”), për të vënë këtë, që thotë:


“Thinjet
nëpër dallgë, dimër - verë,
luan me guaska si fëmi’...

Pastaj hesht,
i lodhur, si në gjumë,
shtrihet gjer në breg, ku ujë s’ka...


Shkruan
ndonjë vjershë, si dhe unë,
e fshin prapë dhe qesh si budalla...”
Nuk ta thashë, o Nase Jani, nuk ta thashë? Bie vetë brenda, si budalla. Do – s’do, edhe thinjesh, edhe ngandonjëherë kthehesh në kalama,aq sa fillon e të merret fryma e shtrihesh si kalë i lodhur në zbaticë. Po tjetra? Ke qejf të eglendisesh, duke ngritur kala poetike prej rëre në bregdet (!) Tamam si çiliminjtë. Ç’tregojnë të gjitha këto?
Po plakesh.
Paçka se ngjit e zbret fluturimthi shkallët e tua, atje në rrugën “Athina” të Kalitheas, nën shikimin lajkatonjës të dymetrosheve ruse. Paçka se na gënjeve të gjithëve, siç thashë në fillim, dhe besuam rininë tënde të përjetshme...
O Perëndi, si u gënjyem kështu nga një libër!
Por prapë, dha zoti dhe botove sivjet atë librin tjetër, “Jetë e hutuar” dhe na hape më së fundi sytë. Ta them, nuk do ta duroj të më hiqesh prapë si djaloshar. Do të të kap për fyti dhe do të bërtas në mes të rrugës “Athina”: “Ç’ke që rri i hutuar, Nase Jani?! Thua të jesh plakur, më së fundi?”
Por (midis nesh): a mund të plaket deti?!

GRIGOR JOVANI
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi