Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Idriz Zeqiraj: Veprojnë mbi baza kombëtare dhe në fyrmën rugoviane

Shko poshtë

Idriz Zeqiraj: Veprojnë mbi baza kombëtare dhe në fyrmën rugoviane Empty Idriz Zeqiraj: Veprojnë mbi baza kombëtare dhe në fyrmën rugoviane

Mesazh nga Agim Gashi Fri May 27, 2011 12:40 am

Idriz Zeqiraj: Veprojnë mbi baza kombëtare dhe në fyrmën rugoviane U1_2
Idriz Zeqiraj: Veprojnë mbi baza kombëtare dhe në fyrmën rugoviane U1_IdrizZeqiraj
Veprojnë mbi baza kombëtare dhe në fyrmën rugoviane
Nga Idriz ZEQIRAJ
Aktivi i Starnbergut qysh në nismë të tij përqafoi filozofinë urtake të kryetarit të LDK-së, dr. Ibrahim Rugova, si frymëzim dhe guidë të veprimtarisë të tij
Qyteza turistike e Starnbergut, me liqenin piktoresk e joshës, ndodhet 15 km larg Münchenit, në Bavarinë gjermane. Këtu jeton e punon edhe një komunitet shqiptarësh, të organizuar mirë në Aktivin e LDK-së, që dallon nga diaspora tjetër e përbotshme shqiptare. E themi këtë sepse nga 360 aktivat që ka pasur Gjermania dikur, sepse tani janë reduktuar, i vetmi është ky aktiv që ka ruajtur një organizim dhe aktivitet si në fillimet e themelimit të tij. Aktivi në fjalë mban mbledhjet e rregullta; realizon aksione të ndryshme humanitare; organizon takime informative me palën gjermane; përkujton festat kombëtare dhe përvjetorë të ndryshëm; në çdo gjashtë muaj organizon mbrëmje familjare, që, zakonisht, shoqërohen me të ngrëna dhe të pira; paguan anëtarësinë e rregullt partiake, rast unikal ky jo vetëm në Gjermani, por edhe në diasporë dhe Kosovë. Pra, për 18 vjet radhazi nuk ka pasur as zbehje dhe as ndërprerje të aktivitetit partiak e kombëtar. Nuk garantojmë dot që aktivi i Starnbergut të këtë qenë më i miri ndër aktivat tjerë dikur. Por, pa hamendje e themi se në dekadën e fundit prinë pa konkurencë, madje në të gjithë parametrat e veprimtarisë partiake dhe kombëtare. Një shembull veçantie dhe admirimi për këtë grup mërgimtarësh gjithë dinjitet dhe përgjegjësi për atdheun e tyre, për Kosovën tonë.
Gjithçka për pavarësinë e Kosovës
Ditë më parë, Aktivi i LDK-së në Starnberg, përkujtoi 18 vjetorin e themelimit. Përveç anëtarësisë, ishin ftuar edhe veprimtarë të hershëm dhe të tashëm të Nëndegës të LDK-së për Landin e Bavarisë. Raportin e punës e mbajti kryetari i Aktivit Gani Batatina, i cili, në mes tjerash, përvijoi historikun e këtij aktivi model, që zë fill më 28 shkurt 1993, me kryetar të parë Ali Mshica. Një vit më vonë drejtimin e aktivit e merr punëtori dhe veprimtari veteran Fazli Gashi, duke vazhduar për disa mandate radhazi.
Idriz Zeqiraj: Veprojnë mbi baza kombëtare dhe në fyrmën rugoviane U1_1Aktivi i Starnbergut qysh në nismë të tij përqafoi filozofinë urtake të kryetarit të LDK-së, dr. Ibrahim Rugova, si frymëzim dhe guid të veprimtarisë të tij. Në përgjigje të aksioneve të ndërmarra nga Dega e LDK-së në Gjermani, si njëra nga degët më të organizuara në diasporë, e drejtuar me shkathtësi nga kryetari Hafiz Gagica, Aktivi i Starnbergut filloi me aksionin "Ta ndihmojmë shkollën shqipe"; për të vazhduar më pas me aksionin për Universitetin e Prishtinës; me pagesën e tatimit obligativ të shprehur në 3 % - shin; ndihma për Drenicën; "Gjithçka për pavarësinë e Kosovës" si dhe ndihma të ndryshme humanitare, si rasti i ndihmës të dhënë për 18 familje në Drenicë, në kuotën prej 120 euro për secilën syrësh e deri ke përcjellja e kufomave për Atdhe. Gama e këtyre aksioneve kap shifrën e miliona markave të grumbulluara nga aktivi duardhënë e fisnik i Starnbergut.
Mërgimtarët e Starnbergut, pjesa dërrmuese e të cilëve të organizuar në aktivin e këtueshëm, janë përfaqësuar me dinjitet në të gjitha protestat e demonstrimet kundër dhunës pushtuese serbo-sllave, duke u bërë të njëzëshëm me popullin e vetë.
Veprimtaria mirë e organizuar, do të thosha - edhe e kualifikuar, e këtij aktivi, me kryetarin simbol shumëvjeçar, Fazli Gashi, ka tërhequr vëmendjen edhe të personaliteteve shtetërore, politike, letrare të Kosovës dhe të vendorëve gjermanë. Mysafirë të këtij aktivi kanë qenë kuadrot e LDK-së, nga Dega e Gjermanisë: Marjan Tunaj, Donika Gërvalla...; nga Qeveria e Kosovës: Isa Mustafa, ministër i Financave, Muhamet Bicaj, ministër i arsimit, shkencës dhe të kulturës, Xhafer Shatri, ministër i Informacionit, Pjetër Coli, kryetar i komisionit për Fondin e 3 %-shit; pastaj kuadro e studjuesë si: dr. Skënder Gashi (Austri), prof.dr. Rifat Blaku, Dardan Gashi; letrarë të mirënjohur: Azem Shkreli e Ali Podrimja.
Kujtojnë me dhembje e respekt Sali Çekajn
Mysafirë të herëpashershëm të Aktivit të Starnbergut kanë qenë edhe juristi Sali Çekaj, fillimisht, në cilësinë e sekretarit, më vonë edhe të nënkryetarit të Degës të LDK-së për Gjermani si dhe kolonel Tahir Zemaj, libri i të cilit "Kështu foli Tahur Zemaj" edhe është promovuar nga ky aktiv. Të dy këta luftëtarë të lirisë dhe të demokracisë dje, Heronj të Kosovës sot, e kanë vlerësuar në supërlativë punën e suksesshme të Aktivit të Starnbergut. Mërgimtarët e Starnbergut me rrethinë i kujtojnë me respekt e dhembje këshillat dhe porositë e Sali Çekaj. Në atë kohë ata nuk mund ta parashikonin që pas çlirimit të Kosovës, veç ndihmave të shumëta, do të kontribuonin edhe për ngritjen e shtatores të Heroit të Kosovës - Sali Çekaj. Ndërsa kolonel Tahir Zemaj, si ushtarak i karrierës, nuk pati kyçje direkte në parti. Por, Ai ishte i kudondodhur në aktivitetet e LDK-së në diasporë, madje edhe në Kosovë. Ai kishte njohur nga afër, pothuajse, të gjithë kuadrotë e Kosovës. Përgjatë luftës njohu edhe ata që pretendonin se kanë bërë luftën, por, në fakt, e kishin sabotuar atë, duke u vënë në shërbim të klikës zyrtare në Tiranë dhe indirekt edhe të Serbisë, për ta penguar unifikimin e faktorit ushtarak dhe përçarjen e popullit. Kolonel Zemaj kishte bindjen e palëkundur se pa lidershipin e LDK-së, nuk ka edhe nuk mund të këtë prosperim të Kosovës.
Aktivi i Starnbergut ka vlerësuar në masën e duhur rolin e faktorit ndërkombëtar për çështjen e Kosovës. Prandaj, në këtë drejtim ka bërë punën e vet modeste, duke filluar që nga bashkëpunimi i ngushtë dhe i gjithmonshëm me organet vendore - lokale të komunës të Starnbergut dhe mëtej me personalitete të politikës, shkencës dhe të mediave. Në shtator të vitit 1994 mysafire e këtij aktivi ishte Christina von Kohl nga Amnesty Internacional, pastaj prof. dr. Peter Bartel, historian në Universitetin e universitetin e Munihut, prof. dr. Fidler, albanolog në Universitetin e Munihut; gazetarët gjermanë: Peter Münch - nga Süddeutsche Zeitung, Wileh - nga Die Tageszeitung, Ilias Bertel - nga ARD, televizion i parë gjerman.
Në raportin e punës të paraqitur, në emër të kryesisë të aktivit, nga kryetari Batatina, i cili gjatë luftës, la familjen në Gjermani dhe u kthye në Kosovë, për t`u bërë pjesë e luftës, duke qëndruar deri në mbarim të saj, veçohen veprimtarët ndër vite: Fazli Gashi, Gani Batatina, Ibrahim Potoku, Musa Hamza, Shahin Siarina, Selatin Gajtani, Ramadan Shema, Nazmi Meqani, të cilët kanë pasur përkrahjen e pa kursyer edhe të anëtarëve të tjerë të aktivit.
Edhe kryesia aktuale, e gërshetuar harmonishëm me kuadro të vjetër dhe të rinj, vazhdon traditën e mirë organizative, e përbërë nga Gani Batatina - kryetar, Musa Hamza - nënkryetar, Ibrahim Potoku - sekretar, detyrë që e mban qysh me themelimin e aktivit, Afrim Mulaj - arkatar, Adem Lushaku, Ramadan Shema, Daut Pepaj, Sabedin Dushi, Hajzer Gashi - anëtarë të kryesisë. Kryetari veteran, Fazli Gashi, i cili drejtoi aktivin e Starnbergut për më shumë se 16 vjet radhazi, është shpallur "Kryetar Nderi". Një ndihmesë solide e fisnike, morale dhe materiale, i kanë dhënë aktivit të Starnbergut edhe afaristët dhe biznesmenët shqiptarë të qytezës me rrethinë. Njëri ndër fisnikët është Rafet Krasniqi, i cili nuk mungon as në festa e kremtime të ndryshme, zakonisht, i veshur me rroba tradicionale kombëtare.
Mendimi politik e filozofia nacionale e Ibrahim Rugovës ringjalli diasporën shqiptare
Aktivi i Starnbergut një shembull për të tjerët
Në përvjetorin e themelimit të aktivit, të pranishmit përjetuan befasinë e këndshme: promovimin e librit "Filozofia politike dhe nacionale e Ibrahim Rugovës" të studiusit nga Tirana, Enver Bytyçi. Për vlerat filozofike dhe historike të librit folën Idriz Zeqiraj dhe Fazli Gashi.Të pranishmit i blenë, në çast, të 5O kopjet e këtij libri, aq sa ishin sjellur në sallë. Libri i promovuar më parë në Tiranë, Prishtinë (me nismën e Ministrisë të Kulutrës, Rinisë dhe Sporteve), në Kichheim-Teck të Shtutgardit, me përkujdesjen e publicistit dhe të veprimtarit të shquar, Xhafer Lecit dhe ku morën pjesë edhe përfaqësues nga Aktivi i Starnbergut dhe, së fundit, në Starnberg të Munihut. Të gjitha promovimet kanë qenë shumë të suksesshme dhe libri në fjalë është vlerësuar në supërlativë, i kompletuar në trajtimin e mendimit politik, filozofik dhe nacional të Ibrahim Rugovës - udhëheqësit vizionar të Lëvizjes Shqiptare të viteve `90-a, Presidentit Historik dhe Profetik, shtetbërësit të Kosovës.
Diaspora shqiptare ishte ideologjizuar dhe e përçarë nga "diplomacia" shqiptare
Atmosfera festive e përkujtimit të përvjetorit të 18-të të Aktivit të LDK-së të Starnbergut, në sallën e stolisur për këtë qëllim dhe tavolinat e begata me ushqime, u përmbajtësua edhe më shumë kur moderatori Hajzer Gashi ftoi mysafirët e pranishëm për të marrë fjalën. Këtë kapitull e hapi ish-kryetari i Nëndegës të LDK-së për Bavari, Bashkim Leci, njëri nga djemtë pjesëmarrës në ushtrimoren ushtarake, në vitet `90-a, në Shqipëri. Ai kujtoi ditën e themelimit të këtij aktivi 18 vjet më parë në Gauting, rrugëtimin e suksesshëm të aktivit, bashkëpunimin me Byronë policore për të huaj e, deri te sigurimi i vizës hyrëse në Gjermani të prof. dr. Sali Berishës me shokë, kur partia e tij ishte në opozitë. Zoti Leci foli për përkushtimin e madh të mërgimtarëve tanë, për të ndihmuar në realizimin e programit kombëtar të shpërfaqur nga kryetari i partisë dhe i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.
Pastaj kryetari aktual i Nëndegës të LDK-së për Bavari, njëherësh, edhe nënkryetar i Degës për Gjermani, Mehmet Zymeri, vlerësoi punën e këtij aktivi, duke i dhënë një mbështetje të madhe edhe Nëndegës tonë. Ai porositi për ruajtjen e ritmit të aktivitetit të këtij aktivi dhe të aktivave të tjerë në nivel Bavarie dhe mëtej. Kryetari Zymeri foli për punën në Nëndegën e Bavarisë, për Degën e LDK-së në Gjermani si dhe për qendrën në Prishtinë. Kalkulimet e ndryshme paraprake kanë dëmtuar procesin zgjedhor demokratik në LDK-së, në qendër dhe degë, prandaj sot ka ngecje, sepse mungon koordinimi i veprimtarive partiake.
Nënkryetari i Nëndegës të LDK-së për Bavari, Osman Ferizi, pjesëtar i "Grupit të armatosur të djemëve të Deçanit", i pari organizim i armatosur në Kosovë, në vitet `90-a, potencoi se Aktivi i Starnbergut është aktiv model, me kontribut maksimal në aktivitete. Më parë diaspora shqiptare ishte ideologjizuar dhe e përçarë nga "diplomacia" shqiptare. Ishte LDK-ja ajo që bëri mrekulli, kthesë për të mirë. Disa që mendojnë se historia fillon me ata, harrojnë se pavarësia e Kosovës është shpallur më 2 korrik 1990, duke u ligjësua me Kushtetutën e 7 shtatorit në Kaçanik.
Kush ishin më të rrezikuar, ata që e shpallën pavarësinë me 2 korrik 1990 apo këta të 17 shkurtit të vitit 2008?
Veprimtari veteran Demë Çetta tha se "peshku qëlbët nga koka". Pse u dashka të ndahen nga 500 euro shpërblim për rishpallësit e pavarësisë?! Dhe pyeti: Kush ishin më të rrezikuar, ata që e shpallën pavarësinë me 2 korrik 1990, në robëri, apo këta të 2008, që e rishpallën në liri?!? Shumë zhurmë po bëhet për disa arrestime. Nuk duhet të ngatërrohet UÇK-ja me kriminelët. Nuk mund të jenë veteranë të luftës ata që djegin Flamurin Dardan, ata që dënonin me vdekje Presidentin Rugova, nga vilat e bllokut komunist të Tiranës.
Njëri nga veprimtarët më të vjetër të Bavarisë, Nikollë Skeli, duke folur për punën e madhe shumëvjeçare të LDK-së në Kosovë dhe diasporë, apeloi të mos shuhen aktivat. LDK-së ka heronjtë e luftës për liri dhe të demokracisë. Vepra dhe gjaku i tyre duhet respektuar. Edhe kuadri i vjetër nuk duhet hedhur si një leckë. Partia nuk i ka të tepërt kuadrotë e saj. Veprimtari tjetër Mehmet Koka, simbolikisht tha se as lulet nuk çelin njëherësh. Kohët kanë ndryshuar për të mirë dhe ne duhet të ecim në hap me kohën edhe në organizimin tonë. Sami Bulliqi, një afarist i suksesshëm, i cili ka punësuar një duzinë njerëzish në sektorin e shërbimit shëndetësor, është një aktivist fjalëpak e punëshumë. Ai pëlqeu sivëllezërit e tij parafolës, duke qenë i gatshëm për të realizuar çdo detyrë që i caktohet edhe në të ardhmen.
Fazli Gashi, anëtar nderi i këtij aktivi, duke përshëndetur të pranishmit tha se LDK-ja me Rugovën na bashkoi. Ndjehemi krenar për punën dhe organizimin tonë. Kemi bërë vetëm detyrën për Atdheun tonë, sidomos kur Ai ishte në nevojë. Bashkëpunimi në nivel Nëndege, Dege dhe me qendrën e LDK-së në Kosovë është i nevojshëm, sepse kështu do të jemi më të efektshëm dhe më të suksesshëm. Aktualisht, ndjehemi të anashkaluar nga institucionet tona, madje në shumëçka, përfshi këtu edhe mundësitë e kufizuara për votim. Urojmë që gjërat të ndryshojnë për të mirë.
Aktivi i Starnbergut është si një familje e madhe e harmonishme. Pikërisht këtu qëndron edhe sekreti i suksesit. Pothuajse çdo javë takohen, në lokalin ku janë klientë të gjithmonshëm, por edhe në banesat e njëri-tjetrit, sidomos kryesia e aktivit. Vërtet, organizimi i këtij aktivi është i veçantë, unikal. Urojmë për këtë model organizimi edhe në mjedise të tjera ku jetojnë mergimtarët tanë!
Idriz Zeqiraj: Veprojnë mbi baza kombëtare dhe në fyrmën rugoviane U1_3
Idriz Zeqiraj: Veprojnë mbi baza kombëtare dhe në fyrmën rugoviane U1_4
Idriz Zeqiraj: Veprojnë mbi baza kombëtare dhe në fyrmën rugoviane U1_5
Idriz Zeqiraj: Veprojnë mbi baza kombëtare dhe në fyrmën rugoviane U1_6
Idriz Zeqiraj: Veprojnë mbi baza kombëtare dhe në fyrmën rugoviane U1_7
Idriz Zeqiraj: Veprojnë mbi baza kombëtare dhe në fyrmën rugoviane U1_8

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi