Xhesika Vula:Letër e hapur Ismail Kadaresë
Faqja 1 e 1
Xhesika Vula:Letër e hapur Ismail Kadaresë
Xhesika Vula:Letër e hapur Ismail Kadaresë
I dashur Ismail,
Lulzim Basha nuk e dëgjoi këshillën që i dhe për t’u larguar nga gara për kryetar bashkie. Si Ti sugjerimin tënd, po ashtu edhe Basha refuzimin e vet, e bëtë për të njëjtën arsye madhore: Për të mirën e Shqipërisë. Meqenëse natyrisht jo vetëm Ti dhe Basha, emrin e të cilit unë këtu po e vë përkrah emrit tënd po ashtu si Ti emrin e Bashës e vure pranë emrit të Ismail Qemalit, por edhe shumë e shumë shqiptarë të tjerë, mes tyre edhe unë, gdhihemi e ngrysemi duke menduar për të mirën e Shqipërisë, pikërisht për këtë, po të parashtroj në vazhdim një ide timen, të cilën kam do vite që po e bluaj me mokrrat e mendjes dhe po e përsos me kujdes me sitat e shpirtit.
Ideja ime, sado e qortueshme, e palejueshme, indiskrete, që mund të tingëllojë, është absolutisht e sinqertë dhe e thjeshtë:
Largohu nga gara për marrjen e çmimit “Nobel”!
Largimi Yt nga ajo garë do ishte një veprim në të mirë të Shqipërisë, pakrahasimisht herë më efikas se largimi i Bashës nga gara me Ramën. Jo në kuptimin primitiv, që atë çmim thjesht të mos e marrësh. Në një kuptimin të lartë. Që atë çmim absolutisht të merituar për Ty, të mos vazhdojnë ta mbajnë peng ca matufër të rrufjepsur, Ti, me largimin, atë largim, ta tejkalosh duke mos e përfillur, t’i fluturosh përsipër duke e përbuzur.
mua mikes tende të kahershëm, respektuesit dhe mbrojtësit të zjarrtë, adhuruesit të pafund, lexuesit tënd të pasionuar pas çdo fjale dhe gërme mes milionave e milionave që ke shkruar, besoj se më lejohet të të drejtohem në këtë mënyrë. Më lejohet, sepse, si do mundohem ta qartësoj në vazhdim, ajo që po të sugjeroj, më duket mënyra më efikase për të arritur qëllimin e mësipërm, kryesoren e kryesoreve, të mirën e Shqipërisë, mbrojtjen e Saj nga ndotja.
Dhe ja konkretisht pse unë mendoj se Ti duhet të largohesh nga ajo garë.
Së pari, sepse Ti, si e kam thënë edhe herë të tjera, Nobeli Ty as që të duhet, sepse atë Ti e ke marrë, jo me 10 vota, por me miliona e miliona vota anembanë planetit. Dhe jo një herë të vetme. Por aq herë sa romane ke shkruar.
Së dyti, sepse pas kaq vitesh pritjeje ajo garë për atë çmim, aspak për fajin tënd, ka degraduar. Nuk duket më si garë serioze, por si pritje lodhëse, vardisje sfilitëse, e pamerituar, që Ty të merr energji dhe zagarët i bën të fërkojnë duart.
Së treti, impakti mediatik gjigand që do pasojë gjestin Tënd, nga Poli i Veriut në atë të Jugut dhe rreth e qark Ekuatorit, do bënte që bota mbarë të shtangej e mahnitur para gjestit tënd vetësakrifikues ndaj një komisioni pleqsh të rrjedhur.
Së katërti, simetria mahnitëse mes diferencave infinitezimale në garën Basha-Rama nga njëra anë, dhe distancës kolosale që Ty të ndan në favorin tënd me konkurrentët e tjerë të Nobelit, kjo simetri asimetrike madhështore, pse jo edhe hyjnore, në thelbin e saj të cilin s’po e zbërthej këtu, është një arsye më tepër në favor të efektit pozitiv kolosal të asaj që po të sugjeroj të bësh përmes kësaj profecie.
Së pesti, sepse, ndërkohë që largimi i Bashës nga gara, përtej simbolikës turbulluese të proverbave, mes shqiptarëve do të tingëllonte si: “Lëshoja rrugën budallait” apo “Kur të vjen e keqja, hapi derën”, gjë që do të shkaktonte një keqkuptim të dëmshëm ndër shqiptarët, përderisa s’jemi në asnjë kontekst estetik, sepse as rruga budallait s’ka pse t’i lëshohet, e as së keqes s’ka pse i hapet dera, ndërsa largimi Yt nga gara do jetë një gjë krejt tjetër e pambarsur me asnjë lloj keqkuptimi.
Së gjashti, sepse unë e kam që tani të qartë se po e bëre atë refuzim, nuk do ta bësh ndryshe veçse ashtu si di vetëm Ti; përmes një teksti të shkurtër, madhështor, që do lexohet me një frymë nga të gjithë lëçitësit e planetit dhe do mbetet në shekuj.
Druaj se duke t’u drejtuar në këtë mënyrë, jam duke ta prishur pakëz qejfin. Por unë, meqenëse kam bindjen se të flasësh për të mirën e Shqipërisë nuk është punë qejfi, por mund i madh, po vazhdoj.
Dhe meqenëse druaj gjithashtu se sugjerimin Bashës ia bëre në një sfond paksa jorealistik, atë sfond po mundohem ta qartësoj sadopak.
Sa u përket votimeve:
Nuk është Lulzim Basha në pushtet si thua Ti në letrën drejtuar atij. Si kryetar në detyrë i Bashkisë së Tiranës, në një pushtet që nga përmasat dhe efektet është gati-gati sa një kryeministër, në pushtet është Rama.
Sigurimistat, fanatikët dhe “Lajet” e komisioneve çorientuan demokratët e pavëmendshëm të hidhnin votën në kutinë e gabuar. Pati edhe komisionerë të tillë demokratë, por shumë më pak.
Votat e vlefshme që u hodhën në kutinë e gabuar, edhe sikur t’i kishte marrë era t’i kishte degdisur në ndonjë planet tjetër, atje do duhej vajtur për t’i numëruar.
Pse u kërkua numërimi i këtyre votave në mes të procesit? Sepse, më mirë vonë se kurrë! Mjaft që numërimi të bëhej si u bë, absolutisht transparent.
Nuk pati vota që të bënin rrugën e kundërt! Për shembull nga ndonjë kuti tjetër në kutinë e kryetarit të bashkisë. Ky fakt është i turpshëm. Por, si e tregoi qartazi numërimi, shumë më pak për demokratët.
Lidhur me ankesat për fukarallëk, ji i sigurt se janë të gjitha stisje propagandistike. Shqipëria sot është plot e përplot me shtëpi dhe vila të mëdha të reja edhe në fshatrat më të thella. Me supermarkata moderne plot me blerës dhe me autostrada e rrugë të asfaltuara që të çojnë kahmos, plot me vetura dhe kamionë që shtohen në përpjesëtim të drejtë me rritjen e çmimit të karburantit. Nëpër të gjitha qytetet, sa dhe në fshatra të largëta, të cilët fshatra jo rrallë kanë disko dhe calceto, disa edhe stadiume.
Nga kërcënimet burracake të opozitës për yxhym haxhiqamilesk kundër institucioneve, nuk vjen efektivisht asnjë e keqe. Të siguroj se ato s’janë veçse përpëlitje të paduruarish për të ardhur në pushtet vetëm për të vjedhur. Aq e vërtetë është kjo, sa, duke ironizuar me kalimin e pushtetit nga hajdutët tek hajdutët, ndërkohë që vazhdojnë të ndërtohen autostrada dhe të shpohen tunele e të bëhen plot punëra të tjera, aty-këtu kanë nisur të thonë se Shqipëria është një vend që sa më tepër të vidhet, aq më tepër pasurohet.
Të tëra këto, i dashur Ismail, unë nuk po t’i them aspak sepse jam i fiksuar pas largimit të Edi Ramës. Jo. Mua nuk më shqetëson Rama. Mua më shqetësojnë dhe më kallin datën turmat e fundit të ish-sigurimistëve dhe nomenklaturistëve që mbushin mitingjet e tij. Ata ëndërrojnë atë së cilës Ti kot i frikësohesh, ‘97-s. Të siguroj se kjo nuk është e mundur për një arsye tejet evidente: Sepse pothuaj të gjithë shqiptarët sot e kanë nga një pronë sado të vogël, të cilën duan dhe dinë të mbrojnë në çdo rrethanë. Në këto kushte, ç’u mbetet revolucionarëve të vonuar të bëjnë, të bllokojnë rrugët dhe të djegin goma makinash të përdorura. Edhe kjo kurrsesi nuk përbën rrezik. Për më tepër që veprime të tilla ata i bëjnë vetëm në ditët kur nuk bie shi dhe nuk bën tepër vapë.
Unë e përshkova një ditë mespërmes turmën e tyre përballë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Me të marrë të qarët. Hordhi që s’bën dot asnjë hata. Pa folur për retorikat e tyre të neveritshme revolucionare-folklorike, sa për të qeshur po aq dhe për të qarë, mbi 80% e tyre ishin mbi 50 vjeç. Plot ish-sigurimista të ngrysur, dhe “Laje” klithëse 100-kilogramëshe. Fare pak të rinj. Të rinj të çuditshëm. Sa të hakërryer po aq edhe të ngordhur!
Më beso, pra, i dashur Ismail: Në këto kushte, asgjë s’ka për të ndodhur dhe asgjëje s’është për t’iu frikësuar.
Megjithatë, në këtë mesele ka dhe disa gjëra të tjera bajagi interesante. Për shembull, Edi Rama dhe të tijtë ulërasin e bërtasin për 4 të vrarët përballë Kryeministrisë që i dërguan vetë, duke deklaruar qartë se nuk mbanin përgjegjësi për çfarë turma përballë Kryeministrisë do bënte. U vranë ata të shkretët. Ama, as sot, as mot e askurrë në të ardhmen para portës së Kryeministrisë asnjërit prej tyre s’do t’ia mbajë revolucionarja të afrohet.
Tjetër fakt, i çuditshëm për pseudo-analistët që pretendojnë se vetëm ç’thonë ata është e vërtetë, por jo për mua dhe shumë të tjerë: Rezultatet e këtyre votimeve provuan qartas se shqiptarët nuk konsideruan as shpërthimin e Gërdecit, as videot e Metës, as 4 katër të vrarët para Kryeministrisë, as Ruzhdien, e as plot gjëra të tjera nga ato që na shurdhoi opozita.
Prandaj, po të them se po s’ia dhamë sot dërrmën e fundit frymës së ndotur, ajo frymë e qelbur do të mbetet në Shqipëri ndoshta përgjithmonë. Dhe të trembesh apo të trembemi, se po s’u shpall fitues Edi Rama, drejt Tiranës do vërshojnë larot dhe “Lajet” e Vlorës, është krejt njësoj sikur të zëmë e të tmerrohemi se populli shqiptar do marshojë drejt Oslos, ngaqë KQZ-ja e Norvegjisë po ta zvarrit Ty çmimin “Nobel”.
Nëse asnjë nga arsyet e mësipërme nuk të duket e mjaftueshme për t’u larguar nga Nobeli, të lus për tjetër gjë. Nis e shkruaj një ese. Një ese, që në botë mund ta shkruash vetëm Ti. Për të shpjeguar shtershëm çudinë e çudirave të pandodhur kurrë më parë në historinë e botës; diferencën zero mes dy kandidatëve votuar në mënyrë përsosmërsisht simetrike nga qindra mijëra zgjedhës.
Këto fjalë po t’i thotë ai që të gjitha çastet e jetës së tij i ka të shënuara nga antikomunizmi dhe antikonformizmi, adhurimi për të bukurën, i cili leximin e librave të Tu e ka përdorur me sukses si bunkerin më të sigurt për të mos u prekur nga murtaja që e rrethonte, streha më e mirë për t’u ndier i lirë.
Refuzoje pra Nobelin.
Do jetë madhështore.
Më kujtohet një poezia Jote të cilën e ke shkruar kur ke qenë fëmijë. Një gjerman ushtar gjatë luftës kthehet turist në Shqipëri. Ky turist ish-ushtar u shtang diku, ku pa shtatoren e një shqiptari, të cilin e kishte vrarë me dorën e vet. Pas davaritjes së mahnitjes, gjermani, turisti, ushtari, nazisti, shqiptoi këto fjalë: “Po të mos e kisha vrarë, shqiptari vërtet do ishte gjallë, por Artit do t’i mungonte një statujë”.
Fjalë, të cilat unë po marr në sy t’i perifrazoj kështu: Do ta refuzoj Nobelin, xhepit tim do t’i mungojnë nja një milion e më tepër, por Shqipërisë do t’i fal një kryevepë
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi