Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ramiz Kelmendi:KORIFENJTË TANË PËR BOTËN E JO PËR VETE

Shko poshtë

Ramiz Kelmendi:KORIFENJTË TANË PËR BOTËN E JO PËR VETE Empty Ramiz Kelmendi:KORIFENJTË TANË PËR BOTËN E JO PËR VETE

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jun 01, 2011 9:10 pm

Pena shqiptare

KORIFENJTË TANË PËR BOTËN
E JO PËR VETE

Ramiz Kelmendi:KORIFENJTË TANË PËR BOTËN E JO PËR VETE 248469_213239245376619_100000716346990_673394_3025731_n
Ramiz Kelmendi

Po të kujtojmë gjithato fytyra të ndritura të kombit shqiptar, dashur e pa dashur, s’kemi sesi të mos ia bëjmë vetvetes një pyetje shumë të palakuar e tërësisht të palakmuar: a është ndonjë mallkim yni, vetëm yni, apo ç’është ky fenomen? Ç’ka në gjenin dhe në gjeniun shqiptar aq fataliste, të mos them edhe tragjike, sa pothuajse të gjithë korifenjtë kombëtarë e shpirtërorë, personalitetet më të njohura dhe më të çmuara të historisë dhe të kulturës sonë, ata me të cilët rrahim gjoks dhe i kemi më së shumti për lavd, ata që na nderojnë sy e faqe botës, kryesisht a më të shumtën jetuan e punuan - jashtë atdheut të tyre?! Dhe, mbi të gjitha, nderuan histori e kultura të huaja, ndërsa shumë pak a fare bënë gjë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
A është ndonjë mallkim yni ky a, si shpjegohet, ç’ka ashtu aq fataliste, të mos them edhe tragjike, në këtë qenien tonë shqiptare, kur kujton se thuaj asnjë emër paksa më i madh, pothuajse asnjë figurë jona, sadopak e shquar - nuk ka vdekur në atdhe! Për më tepër, hiq dy-tre përjashtime zhvarrimi nga jashtë dhe bartjeje të eshtrave të tyre në Shqipëri, të gjithë i kanë varret, edhe sot e kësaj dite – në dhera të huaja?!
A është ndonjë mallkim vetëm yni ky a ç’ka, vërtet, aq fataliste në ne, në këtë kombin tonë shqiptar, - po them fataliste që të mos them tragjike - sa hisen më të madhe të trurit tonë, pjesën më të madhe të mendimit dhe të veprës sonë, e jo rrallë po besa bukur shpesh, për të mos thënë shumëfish më tepër, deri edhe gjakun tonë e derdhëm dhe e shkrimë për të huajt e në toka të huaja, e jo për Shqipërinë dhe për shqiptarët?!
Po të kujtojmë gjithato fytyra të ndritura, të cilat ne i kemi për lavd, po të tjerë popuj mburren e nderohen me emrat e tyre, si mund të mos kujtojmë, edhe me këtë rast, varret e aq shumë shqiptarëve nga më të nderuarit në historinë dhe në kulturën tonë, që i gjen kudo nëpër botë, po jo në Shqipëri dhe në tokë të vet?!
Pothuajse pa përjashtim – një më të madhin përjashtim bën Skënderbeu - të gjithë njerëzit më të mëdhenj të kombit tonë u bënë të famshëm e të mëdhenj, jo në vendlindje të vet e të paraardhësve të tyre, në Shqipëri, por në shtete të huaja. Kështu që, gjithë ç’bënë e ç’arritën, e për të bërë bënë jo pak dhe arritën edhe më shumë, e bënë edhe e arritën, jo për vete, për popullin dhe vendin e vet, por për të tjerë, për të huaj.
Teksa kujtojmë famën dhe fatin e hidhur të tyre, s’kemi sesi të mos kujtojmë famën dhe fatin e hidhur të dhjeta e dhjeta vëllezërve tanë në të katër anët e botës: artistë, shkencëtarë, rektorë, profesorë universitetesh e politeknikumesh, burra shteti, politikanë, sadriazemë e bejlerbe, admiralë e gjeneralë, nëpunës të dalluar shtetërorë, poetë e shkrimtarë të njohur, arkitektë, filozofë, ekonomistë, arkeologë, juristë, historianë, aktorë e regjisorë, piktorë, skulptorë, kompozitorë etj., që bënë emër në shtete të huaja e në të mirë të historisë e të kulturës së huaj?!
Jo rastësisht, prandaj, edhe me siguri bukur i brengosur e i pikëlluar, “me hidhërim zemre”, vetë Sami Frashëri, ideologu i Rilindjes sonë Kombëtare, këtu e mbi njëqind e sa vjet më parë, qysh më 1899, në kryeveprën e tij monumentale programatike, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, që në fillim vuri gishtin në këtë plagën tonë kaq të thellë, kështu që në kaptinën indikative, të titulluar “Shqiptarëtë gjith-një për botën’e kurr për vete”, ndër të tjera shkruante: “Shqiptarët gjithmonë janë vrar’e përpjekurë e e kanë spërkatur të tërë faqen’e dheut me gjak të tyre; po nga gjaku i shqiptarëve kanë fituar të tjerët, Shqipëria s’ka parë ndonjë të mirë. Shumë shqiptarë janë ç’quarë e kanë treguar vehtenë në dituri e në tjera gjëra; po me këto të tjerë mburrenë e jo shqiptarët’e Shqipëria”.
Me Pirron e me Aleksandrin, Lekën e Madh, thotë ai, mburren grekët e i quajnë grekër. Edhe romakët fituan shumë nga shqiptarët, po trimëria e shqiptarëve dhe mendja e tyre i shërbeu mburrjes së Romës, po jo Shqipërisë. Edhe turqit përfituan shumë nga gjaku dhe truri i shqiptarëve. Më të mëdhenjtë e më të mirët e vezirëve të Turqisë – shqiptarë qenë, “jo vetëm me kordhë e me gjak, po edhe me penë e me mënd shqiptarëtë kanë shërbëtuar gjithë-një të huajtë... Shqipëria ka nxjerrë shumë njerëz të çmuar’e me nam të madh, po një nga ta s’ka punuarë për Shqipëri, e cila ka mbeturë gjithnjë e varfër e e-padëgjuar’ e me djemt’e saj mburrenë të-tjerë vende e të tjerë kombe”.
Zor të gjendet edhe një tjetër komb ashtu i vogël në botë, si ky yni, i cili të ketë bërë e të ketë dhënë më shumë për tjetrin, e më pak për vetveten. Dhamë perandorë e papë, kur s’kishim as shtet as kishë. Dhamë 42 sadriazemë e vezirë gjatë sundimit osman, të cilët i shërbyen sunduesit që na shkeli pesë shekuj. Krijuam shtete të huaja moderne dhe dhamë burra shteti – Mehmet Aliun në Misir, Pashko Vasën në Liban, Kemal Ataturkun në Turqi – shumë e shumë para Vlorës së Ismail Qemalit. Themeluam dhe zhvilluam kultura të huaja, ndërkohë që në atdheun tonë duhej të kalonin vite të tëra e dekada për t’u hapur mësonjëtorja e parë në Korçë, etj. etj.
Teksa kujtojmë gjithato fytyra të ndritura të kombit dhe atë mallkimin, fatalizmin e tragjikën dhe lavdin që na sjell ndërmend fama dhe fati i tij, do të kujtojmë doemos aq shqiptarë të tjerë në zë, të cilët me vite e shekuj po këtë fat patën: shqiptarë, prej prindërish shqiptarë lindën, por jetuan, punuan, bënë emër, u bënë të famshëm dhe vdiqën – jashtë! Nga e tërë ajo plejadë e dijetarëve shqiptarë që u bënë të njohur në botën e artit, të shkencës, të filozofisë dhe të kulturës botërore, prejardhja shqiptare e të cilëve ose “harrohet”, ose mohohet krejtësisht, ose kontestohet thuaj për të gjithë pa përjashtim, apo veç e veç për secilin, edhe vetëm nga Skënderbeu e deri te Nëna Tereze e Aleksandër Moisiu, për të dëshmuar këtë plagë të kombit tonë, mbase mjafton të zëmë ngoje vetëm disa nga ata më të famshmit në këtë pikëpamje.
Të kujtojmë, fjala vjen, pikë më së pari, muzikantin arbër Nikë Dardanin dhe dy durrsakët me nam: Jan Kukuzelin, figurën aq të shquar të kulturës muzikore bizantine, këngëtarin dhe muziktarin më të madh konstadinopojas të qindëvjetshit XI, që krijoi dhe la deri edhe sistemin e vet të shkrimit muzikor – sistemin kukuzelian, si dhe skulptorin dhe arkitektin e famshëm të qindvjetësisht XV, Aleks Durrësakun, i cili punoi në Dalmaci dhe në Italinë Veriore.
Të kujtojmë humanistët tanë të mëdhenj, bashkëshekullarë të Aleks Durrësakut, mirditasin Gjon Gazullin, mbase më të parin matematikan të shquar shqiptar, që bëri emër në Raguzë, dhe humanistin tjetër, diplomatin, pedagogun, oratorin dhe më të parin rektor shqiptar të shkollave, qysh më 1442, në Raguzë – Pal Gazullin. Mburremi, po, me Leonik Tomeun, atë mendimtarin e madh në fushën e historisë e të letërsisë, përkthyesin e njohur të klasikëve të lashtë grekë, profesorin edhe titullarin e Katedrës së Filozofisë në Universitetin e Padovës, që i dha mësim dhe e pati student të vetin astronomin e madh Nikolla Kopernikun, njërin nga intelektualët më të njohur të Venedikut asokohe.
Të kujtojmë Pal Pjetër Engjëllin, historianin humanist dhe autorin kishtar që bëri emër në krahinën e Venetisë. Si mund të mos zëmë ngoje arkitekt Sinanin e famshëm dhe bashkëpunëtorët e tij: elbasanasin Sadefqar Mehmetin (Biçakçiun), urbanistin, hidroteknikun, poetin, muzikantin, kryearkitektin e Perandorisë, që krijoi një nga kryeveprat botërore të arkitekturës monumentale, Xhaminë Blu, dhe skrapariotin, Arkitekt Kasemin, që krijoi vepra monumentale me veçori stilistike origjinale.
Të kujtojmë Mikel Marulin, arbëreshin e Moresë, poetin e njohur në latinisht. Cili nesh, po, nuk krenohet me tërë atë plejadë dijetarësh që lindi Shkodra në shekuj, si Dhimitër Frëngun, që u bë i njohur në Venedik, Mikel Marulin, që u shqua si profesor retorike në Universitetin e Padovës, por dha mësim edhe në Raguzë e në Bresha të Italisë, e sidomos Marin Barletin, figurën më të shquar e më të nderuar të humanistëve të qindvjetëshit XV.
Teksa kujtojmë figurat tona më të ndritura, saora na kujtohen edhe aq emra të tjerë shqiptarë, që bënë emër dhe i kontribuuan shumë artit botëror. Le të kujtojmë, për një çast, piktorët tanë të mëdhenj të atyre kohëve - Onufrin, Konstandin e Athanas Zografin - që zbukuruan shumë kisha të Greqisë e Maqedonisë, sado edhe ndonjë të Shqipërisë së Mesme, me piktura të shquara murore, ose piktorin ikonograf të mëvonshëm David Selenicën, që pikturoi aq afreske të bukura në Malin Atos të Greqisë...
Gjithkund jetuam, gjithkund punuam, gjithkund krijuam, gjithkund ndërtuam, gjithkund luftuam, gjithkund vdiqëm, veç në vendin tonë – JO! Thonë: deri dhe Taxhmahallin aq të famshëm në Hindi ne, shqiptarët, e ndërtuam!
Teksa kujtojmë figurat tonë më të ndritura dhe manipulimet me lavdin, me prejardhjen dhe me përkatësinë e tyre kombëtare, s’kemi sesi të mos kujtojmë se të tilla manipulime e përvetësime janë bërë dhe vijojnë edhe sot e kësaj dite të bëhen për figurat më të njohura të kombit tonë. Pseudohistorianë e pseudoshkencëtarë manipulojnë me versione të ndryshme, bie fjala, mbi origjinën edhe të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, mbi origjinën e familjes Kastrioti, mbi origjinën e Balshajve, të Dukagjinëve, mbi kombësinë e Nëna Terezës, mbi prejardhjen e Aleksandër Moisiut, et.etj.
Përkundër kontributit aq të madh që dhanë në Perandorinë Osmane, historia turke mohon të kenë qenë shqiptarë tërë ata vezirë e sadriazemë, shumicën e të cilëve, pasi i shfrytëzoi - i ekzekutoi! As i zë ngoje si të tillë. “Harrohet” si shqiptar Hoxha Hasan Tahsini, mendimtari i shquar, astronomi, matematikani e psikologu, po mbi të gjitha – më i pari rektor i Universitetit të Stambollit, në një kohë që duhet të kalojnë mbi njëqind vjet për t’u themeluar universiteti i parë në atdheun e tij, në Tiranë. Mësohet në shkolla e universitete turke Sami Frashëri si Shemsetin Bej, që botoi 87 vepra turqisht e 1 arabisht dhe bëri aq shumë për kulturën turke, sa fare nuk përmendet si shqiptar, as zihen ngoje 7 veprat e tij shqip dhe, për më tepër, edhe sot e kësaj dite nuk lejohet bartja e eshtrave të tij pranë vëllezërve në Atdhe.
Përkundër kontributit aq të madh që i dhanë Greqisë në luftë për pavarësi aq emra të njohur shqiptarë, si Boqari, Xhavella, Olliseu, Misulisi, Kondhurioti, Karaiskaqi etj., asnjë histori e popullit grek nuk i njeh si shqiptarë. Sado e ka deri edhe në monedhën e vet, greku edhe sot nuk e njeh si shqiptare heroinën Laskarina Bubulina, të mbiquajtur Zhan d’Ark e Greqisë, shqiptare nga Hidhra, që luftoi me anijen e saj “Agamemnon” kundër turqve. Jo vetëm nuk zihet ngoje kontributi jashtëzakonisht i madh dhe heroik i arvanitasve të fshatrave të Greqisë në revolucionin grek, por “harrohen” si shqiptarë dhe gjithë ata njerëz të politikës, të kulturës, të shkencës dhe të arteve, që i bëjnë nder kombit – grek (!). Të tillë janë bie fjala: Vasilis Rotas, themeluesi i Teatrit Popullor të Athinës, filologu e historiani Meksa, poeti e akademiku me prejardhje suliote Sotir Shqipis, projektuesi i Universitetit dhe i Politeknikumit të Athinës, ndërtuesit e Akademisë së Athinës, etj. Arvanitas, që do të thotë me prejardhje shqiptare, janë edhe aktorët e njohur me famë botërore, si Teli Savalas, i cili, më 1974, në televizionin grek, i tha edhe disa fjalë shqip, mësuar nga e ëma shqiptare prej fshatit arvanitas Jerakas të Lakonisë. Pastaj dy aktoret e mëdha: Melina Merkuri nga fshati qindpërqind shqiptar Kronidhi, dhe Irena Papas, po ashtu nga fshati qindpërqind shqiptar afër Athine, Vila, e cila luajti dhe këmbeu ndonjë fjalë shqip me Bekim Fehmiun. Edhe fituesi i Çmimit Nobel për letërsi, Odhise Elitisi, në intervistën që e dha me atë rast për gazetarët, duke rrahur gjoks me origjinën e vet shqiptare, deklaroi: “Po. Jam shumë këmbëngulës. Këtë e kam nga nëna ime arvanitase”. Edhe më e para piktore e Greqisë së çliruar është, siç tregon edhe mbiemri i saj, arvanitasja Eleni Bukura, etj.etj.
Teksa kujtojmë figurat tona më të ndritura, famën dhe fatin e tyre, s’kemi si të mos kujtojmë edhe aq emra të tjerë të mëdhenj shqiptarë, që u bënë të famshëm në botë dhe na bëjnë nder e krenohemi me ta. Si Elena Gjika, Dora d’Istria, princesha rumune e familjes shqiptare Gjika, shkrimtare dhe publiciste, njëra nga femrat më të njohura të botës, grua–enciklopedi e gjallë, të cilën e përvetësojnë francezët, gjermanët, rusët, rumunët, grekët, italianët. Si Viktor Eftimiu, nga Boboshtica e Korçës, akademik i Rumanisë, me 150 vepra në 80 vëllime. Si nobelistja e parë shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze dhe shumë të tjerë.
Mjerisht, edhe pas shpalljes së pavarësisë, edhe pasi u krijua shteti shqiptar, gjithandej jo pak figura të shquara, me të cilat krenohemi, vijuan të jetojnë, të krijojnë dhe të afirmohen – jashtë Shqipërisë. Të përmendim vetëm disa. P.sh. tre piktorët nga më të mëdhenj: Ibrahim Kodrën në Itali, Daut Berishën në Francë dhe Gjelosh Gjokajn në Gjermani. Aktorët tanë më të njohur bënë emër, po ashtu - jashtë: Bekim Fehmiu, Vëllezërit Belushi, Rexhep Mitrovica etj. Prej babe me origjinë shqiptare është solistja e njohur italiane Ana Oksa – Iliriana Hoxha. Dy shqiptarët më të pasur në Amerikë - Antoni Atanasi dhe Ekrem Bardha. Kitaristi më i mirë në Paris - Ehat Musa. Në Paris e kemi edhe birin e shkodranit, Angjelin Prelocajn, koreografin me famë evropiane dhe botërore.
Teksa kujtojmë famën dhe fatin e gjithë asaj plejade të një fati, që zumë ngoje shkarazi, si mund të mos pyesim vetveten, prandaj: a është ky mallkim, fatalizëm, tragjik, lavd yni, apo...?!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi