Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Alfred Beka:Ramiz Kelmendi, 8 dekada për letërsinë

Shko poshtë

Alfred Beka:Ramiz Kelmendi, 8 dekada për letërsinë Empty Alfred Beka:Ramiz Kelmendi, 8 dekada për letërsinë

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jun 03, 2011 9:54 pm

Alfred Beka:Ramiz Kelmendi, 8 dekada për letërsinë Ramiz_Kelmendi

Ramiz Kelmendi, 8 dekada për letërsinë

Arsyeja që e ka shtyrë Ramiz Kelmendin të merret me letërsi është dashuria për jetën, dashuria për vendin, dashuria për njeriun. Por edhe dashuria për femrën.

Nga Alfred Beka

Ramiz Kelmendi sivjet ka mbushur 80 vjet. I lindur më 20 dhjetor 1930, shkrimtari, publicisti dhe gazetari Ramiz Kelmendi i dha letërsisë shqipe një numër të madh veprash letrare, prej të cilave ai i veçon vëllimin me tregime “Ahmet Koshutani”, pastaj romanin “Shtatë persona ndjekin autorin” si dhe librin “Letrat nga Ulqini”. I njohur për humorin e tij, por mbi të gjitha për erotizmin e shprehur në veprat letrare, Ramiz Kelmendi mbetet një prej figurave kryesore të letërsisë shqipe. Në këtë intervistë ai flet për jetën e tij, për arsyet që e kanë shtyrë të merret me letërsi, për shkrimtarët e tij të preferuar dhe për librin e tij me kujtime, që pritet të dalë së shpejti.

Express: Së pari si po e ndieni vetën në përvjetorin e 80-të të jetës suaj?
Ramiz Kelmendi:
Se mos nuk mund te mirret me mend? Prita 80 vjet ta arrij këtë moshë dhe, ja, m’erdhi. Më gëzoi dhe po e gëzoj s’ka si bën më mirë. Këto ditë jam, them, nga njerëzit më të lumtur.

Express: Si kaloi ky vit për ju? Cilat janë befasitë që i keni pasur gjatë këtij viti?
Ramiz Kelmendi:
Për mua?! Se mos mund të bëj ndonjë përjashtim nga pjesa më e madhe e popullsisë? Shkurt: jo mirë. Për të mos thënë – keq! Për “pse”-në, besoj, është e tepërt të flas, sepse është i pafund numri i bashkëmendimtarëve.

Express: A mund të na i tregoni disa prej momenteve tuaja me të rëndësishme që i keni pasur në jetë?
Ramiz Kelmendi:
Jo kjo faqe, por edhe dhjeta e dhjeta të tjera nuk do të më mjaftonin të tregoj “momentet më të rëndësishme” në këta tetë dhjetëvjetësha! Nga t’ia nis? Ku t’i bitis? Mbase do thënë, shkurt: të shkuara, të harruara! Të mirat mbetshin e qofshin. Të ligat u harrofshin...

I dashuruar në jetën, vendin, njeriun dhe femrën

Cila është arsyeja që ju ka shtyrë të merreni me letërsi?
Ramiz Kelmendi:
Dashuria për jetën. Dashuria për vendin. Dashuria për njeriun. Dhe, pse të mos e them: edhe dashuria – për femrën. Këtë tonën. Shqiptaren. E cila sa vjen e po na e kulturon, arsimon dhe zbukuron racën.

Si në fushën e letërsisë po ashtu edhe në gazetari keni dhënë një kontribut të veçantë. Sikur të ju detyronin të zgjidhnit vetëm njërën prej këtyre të dyjave, cilën do ta zgjidhnit më përpara?
Ramiz Kelmendi:
Letrarin në gazetari.

Cilët janë shkrimtarët (qoftë të huaj, qoftë shqiptarë) që i adhuroni dhe i lexoni më shumë?
Ramiz Kelmendi:
Janë shumë, pa numër. Por adhuroj, ndër shqiptarët, s’do mend, Ismail Kadarenë dhe, përnjëherë pas tij, apo, edhe më drejt, përkrah tij, edhe Fatos Kongolin. Kurse ndër shkrimtaret tona – Elvira Dones. Nga të huajt kam lexuar dikur me ëndje Kafkën, Markezin, Moravian, sot nuk kam ndonjë të preferuar të veçantë.

Cili është vlerësimi që ju pëlqen më së shumti që ndokush e ka bërë për juve?
Ramiz Kelmendi:
Kam dy vlerësime që më nderojnë: fjala e Rexhep Qosjes në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës para ndonjë dite, si dhe urimi që më bëri një miku im i madh dhe i dashur, Amik Kasoruho, në Panairin e fundit të librit në Prishtinë.

Letërsia e sotme jo për t’u lavdëruar

Çfarë vlerësimi keni për letërsinë që krijohet sot në Kosovë?
Ramiz Kelmendi:
Sa shumë do të dëshiroja të mos deklarohesha, edhe pse, jo rrallë, kam shprehur ndonjë mendim jo për lavd.

Kur flitet për erotikën në letërsinë kosovare menjëherë lexuesit i shkon mendja tek ju, pasi që shkrimtarët tjerë nuk janë marrë aq shumë apo i janë shmangur kësaj tematike. Kur lexohen shumica e shkrimtarëve tanë krijohet një përshtypje se shqiptarët nuk dinë të dashurojnë. Cili është mendimi i juaj për këtë çështje? Pse letërsia erotike nuk është aq e pranishme tek shkrimtarët kosovarë?
Ramiz Kelmendi:
Pajtohem me gjithçka që përmban pyetja juaj sa më sipër. Ndërkaq, pse-në e mungesës së letërsisë erotike në letra tona (po jo dhe në letërsinë gojore!!!) e shpjegoj me hipokrizinë dhe moralin e rremë. Thuase do të bënin ndonjë blasfemi po të shkruanin për dashurinë, pa të cilën s’do të kishte as jetë.

Jeni marrë me lloje të shumta të letërsisë dhe keni shkruar një numër të madh veprash. Sikur të ju pyetnin se cilën vepër tuaj do ta veçonit, cila do të ishte përgjigjja e juaj dhe me çfarë arsyetimi?
Ramiz Kelmendi:
Është e zorshme të pyesësh prindin, nënën a babanë, se cilin fëmijë e do më shumë. Sidoqoftë, po të më detyroni të zgjedh, unë them se vëllimi me tregime “Ahmet Koshutani” është “sugari” i letrave të mia. Pa harruar “Shtatë personat...” dhe, asgjëmangut – “Letrat nga Ulqini”.

Si e vlerësoni vitin 2010 sa i përket fushës së letërsisë? A ka pasur gjatë këtij viti diçka që ia ka vlejtur të lexohet?
Ramiz Kelmendi:
Më duket se u përgjigja ca më sipër. Nuk kam asnjë preferencë (letrare) sa ta veçoja.

Kur do ta kenë në dorë lexuesit kompletin e veprave tuaja?
Ramiz Kelmendi:
Kompleti i veprave të mia, me 8 vëllime, sivjet mbush plot 20 vjet nga botimi. Për ndonjë ribotim zor se besoj, që të mos them se nuk e pres me gjallje time.

Çfarë mund të presin lexuesit nga Ramiz Kelmendi në vitin 2011?
Ramiz Kelmendi:
Para ndonjë dite, me rastin e ditëlindjes sime, “Buzuku” më botoi një vëllim me “Shkrime të zgjedhura”. Brenda ndonjë muaji do të më dalë edhe libri me (disa) kujtime nga jeta ime e shkuar. Dhe, po ashtu, edhe dy përkthime: Hana Dalipi dhe Natali Sarot.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi