“Griseldën e kisha vetëm të dashur, s’do martohesha”
Faqja 1 e 1
“Griseldën e kisha vetëm të dashur, s’do martohesha”
“Griseldën e kisha vetëm të dashur, s’do martohesha”
Intervistë ekskluzive. Kryebashkiaku i Kavajës: Tentoi disa herë vetëvrasjen, nuk e takoja prej katër muajsh
Rrëfimi i plotë pas dramës së Griselda Zaimit. Elvis Roshi pranon se janë ndarë përfundimisht dhe e ka kthyer te prindërit. Si u njoh me 28-vjeçaren në Institutin e Kamzës, 15 muaj parë. Takimet në lokalin e të atit të Griseldës dhe prezantimi në publik, ditën që Edi Rama bëri mitingun në Kavajë. Telefonatat ditën e “rrëmbimit” dhe çfarë ndodhi gjatë shoqërimit për në Prokurori. Elvis Roshi: “Ishte shumë xheloze, nervozohej kur e pyesja për shtatzëninë.
Më 15 qershor do martohet motra ime, nuk ishte dita e dasmës me Griseldën”
Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, flet për herë të parë dhe komenton ngjarjen e sajuar nga gruaja me të cilën bashkëjetonte, të cilën ai preferon ta quajë të dashur pasi nuk ishin të fejuar dhe nuk kishin as plan martese.Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Rroshi rrëfen kohën kur është njohur me Griselda Zaimin, kohëzgjatjen e lidhjes së tyre e në fund pohon se tashmë është ndarë përfundimisht nga ajo. Në krejt rrëfimin e tij në lidhje me ngjarjen, kryebashkiaku duket se tenton të krijojë një distancë me 28-vjeçaren që u bë protagoniste e ngjarjes së rëndë. Kryebashkiaku i Kavajës pohoi dje se Griselda ishte e sëmurë nga depresioni, madje kishte tentuar disa herë të vriste veten. Elvis Roshi hedh poshtë pretendimet e të afërmve të 28-vjeçares për idenë e një dasme që pritej në qershor, duke u shprehur se me të nuk e kishin diskutuar asnjëherë martesën. Ndërsa faktin se nuk kishte informacion të saktë mbi “shtatzëninë” e Griselda Roshit, zyrtari e argumenton duke përmendur sërish krizat e saj nervore, që e pengonin ta pyeste për diçka kur ajo nuk donte të fliste. Gjithashtu, Elvis Rroshi tregon se katër muajt e fundit, madje dhe diçka më shumë se katër muaj, nuk kishte pasur kontakte me Griseldën, pasi ajo qëndronte te prindërit e saj në Tiranë dhe komunikonte me të vetëm në telefon. “Ajo ishte në Kavajë ditën që Edi Rama erdhi të më prezantonte mua si kandidat për kryetar bashkie. Pas prezantimit ajo u kthye sërish në Tiranë te familja e saj dhe nuk e kam takuar”, tregon Rroshi. Gjatë intervistës, kreu i Bashkisë së Kavajës tregon se nuk e ka besuar historinë e rrëmbimit të saj dhe fëmijës, por nuk kishte as ndonjë shpjegim për të argumentuar të kundërtën. Rroshi tregon momentin kur është lajmëruar nga të afërmit për një aksident, përballjen me të pas kthimit nga Italia të mërkurën dhe takimin e fundit me të kur e ka dërguar në shtëpinë e prindërve, moment kur edhe u nda përfundimisht nga ajo. Trillimin e një historie të tillë, Elvis Rroshi ia faturon vetëm sëmundjes së saj depresive, krizave nervore, duke mos ditur të gjejë ndonjë shpjegim tjetër për ngjarjen e sajuar. Dy momente kanë mbetur të paqarta në intervistën e krybashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, të cilat gazeta “Panorama” tentoi dje t’i sqarojë përmes pyetjeve, pa arritur të marrë përgjigje nga protagonisti. Së pari, derisa Griselda Roshi ishte e sëmurë depresive dhe kishte tentuar disa herë vetëvrasjen, përse ai mbante një lidhje me këtë vajzë për gati një vit e gjysmë? Dhe së dyti, derisa Griselda Zaimi ishte për Elvis Roshin vetëm një e dashur dhe asgjë më shumë, përse ajo shkoi dhe hyri pa komplekse e pengesa në banesën e familjes së tij në Kavajë? Një veprim i tillë duket se tregon një njohje me familjarët e Elvis Roshit, duke hedhur pikëpyetje mbi pretendimin e tij për një lidhje formale dhe jo zyrtare me Griselda Zaimin.
Si jeni njohur me Griseldën dhe sa kohë kishit bashkë?
Në fillim dua të bëj një sqarim, sepse në media është përdorur mbiemri im edhe si mbiemër i Griseldës. Në fakt, ajo ka mbiemrin e saj, Zaimi, dhe jo Rroshi. E kam njohur në fakultet, në Institutin Bujqësor, kur vazhdoja Ekonomikun. Ajo gjithashtu vazhdonte studimet atje dhe jemi njohur. Takoheshim vazhdimisht te një dyqan që e kishte babai i saj pranë mbikalimit të Kamzës. Nuk është e vërtetë që kemi 4 vjet bashkë, ashtu siç flitet në media. Griselda ka qenë e dashura ime për një vit e tre muaj. Kaq është koha totale që unë kam qëndruar me të.
Ju kishit bërë në plan të fejoheshit, apo për ndonjë dasmë?
Absolutisht jo, asnjërën nga këto. Unë e kisha thjesht të dashur atë. Kjo data e dasmës, që është publikuar gjithandej, 15 qershori, që unë nuk e kuptoj se kush e ka interpretuar kështu, është dita kur do të martohet motra ime, por unë me Griseldën nuk kishim diskutuar ndonjëherë për martesë.
Sa kohë kishit që nuk e takonit Griseldën gjatë kohës që ajo pretendonte se ishte shtatzënë?
Kam më shumë se katër muaj që nuk e kam takuar. Ajo qëndronte te prindërit e vet, sepse kishte disa momente që ishte e sëmurë, vuante nga depresioni dhe shfaqte shpesh shenja të krizave nervore. Ishte pikërisht kjo gjendje që më pengonte ta pyesja me hollësi se çfarë po ndodhte realisht. Për këtë arsye ajo ka qëndruar te prindërit e saj në Tiranë edhe gjatë kohës që unë po merresha me fushatën elektorale. E kam takuar vetëm një ditë gjatë fushatës. Ajo erdhi në Kavajë, ditën që Edi Rama erdhi të më prezantonte mua si kandidat për kryetar bashkie. Pas prezantimit ajo u kthye sërish në Tiranë te familja e saj dhe nuk e kam takuar. Komunikonim vetëm në telefon.
Gjatë kësaj kohe, flasim për periudhën 9-mujore të “shtatzënisë”, ju kishte treguar ndonjë EKO të foshnjës, apo diçka që të provonte shtatzëninë e saj?
Absolutisht asgjë. Madje në rastet kur unë e pyesja për gjëra që lidheshin me këtë, ajo bëhej nervoze, kishte kriza dhe unë kisha frikë se mund të bënte ndonjë gjë të keqe. Kështu që e lija në qetësinë e saj.
Kur thoni gjë të keqe, për çfarë e keni fjalën?
Ndonjë vetëvrasje apo vetëhelmim, që kishte tentuar të bënte disa herë, pasi, siç ju thashë, ajo ishte e sëmurë nga depresioni. Më vjen keq që po e them tani këtë fakt, po ajo ishte sëmurë, shfaqte shenja xhelozie të tepruara. Për këtë arsye edhe unë kisha filluar të distancohesha paksa nga ajo dhe e takoja shumë rrallë. Ajo qëndronte vazhdimisht te prindërit.
Si e mësuat ngjarjen?
Kam qenë në Itali kur ndodhi, kisha 3-4 ditë që isha atje. Rreth orës 5 të mëngjesit të së mërkurës më kanë marrë në telefon nga familja, më thanë që kishte ndodhur një aksident dhe se duhej të kthehesha. Nuk më shpjeguan më shumë çfarë kishte ndodhur. Fillimisht mendja më shkonte vetëm për fëmijët e vëllait apo ndonjë pjesëtar tjetër të familjes. Më pas kam folur prapë me ta në telefon dhe më thanë që ishte aksidentuar Griselda. Sinqerisht mendova se ajo kishte tentuar sërish të vriste veten, sepse, siç ju thashë, kishte tentuar disa herë. Madje edhe te hoteli që ka qëndruar atë natë, jam i bindur që ajo ka shkuar për të helmuar veten. Kam mbërritur në Shqipëri rreth orës 14:00 të mërkurën dhe më treguan se për çfarë bëhej fjalë.
Kush e ka denoncuar ngjarjen?
Më sa di unë, ngjarja është denoncuar nga vëllai im dhe babai i Griseldës. Ndërsa unë që në fillim isha i bindur që nuk bëhej fjalë për rrëmbim. Nuk kisha bërë asgjë që të meritoja diçka të tillë dhe nuk dija në fakt si ta shpjegoja. Mendja më shkonte për gjithçka, por vetëm për atë që u zbulua më vonë nuk besoja.
Kur u kthyet në shtëpi, në Kavajë, e pyetët Griseldën se si ishte puna dhe çfarë i kishte ndodhur?
Nuk e pyesja dot, vetëm e dëgjoja për ato që tregonte vetë. Ajo po kalonte një krizë nervore dhe ishte e kotë të ngulje këmbë dhe t’i kërkoje shpjegime.
Po pasi u sqarua situata, ditën kur ajo pranoi në prokurori se kishte sajuar gjithçka, ku dhe rezultoi se nuk kishte qenë shtatzënë, komunikuat me të, i kërkuat ndonjë shpjegim?
Atë ditë që pranoi sajesën e saj në prokurori e kam përcjellë për në shtëpinë e saj, por nuk e kam pyetur për asgjë dhe as nuk më ka folur. Ishte shumë e tronditur dhe deri diku e kuptoja, pasi isha në dijeni të reagimeve të saj nervore. Nuk doja as të diskutoja me të, sepse e dija që ajo do të tronditej më shumë.
Pra ju e dërguat atë te prindërit e saj, që do të thotë se jeni ndarë?
Po, po. Përfundimisht unë jam ndarë nga Griselda. Dhe shpresoj shumë që ajo të shërohet dhe prindërit e saj të kujdesen për shëndetin e së bijës.
Si e pritën prindërit e Griseldës gjithë këtë histori dhe më pas ndarjen tuaj?
Prindërit e Griseldës janë njerëz të mrekullueshëm dhe i respektoj shumë. Babai i saj është një burrë i nderuar dhe i respektuar nga unë. Nuk e diskutuan ndarjen, sepse ishte e pritshme pas asaj që ndodhi. Më vjen shumë keq për nënën dhe babanë e Griseldës, për të gjitha ato që ndodhën.ETLEVA DELIA
Vajza, ilaçe për helmim në farmaci natën e “rrëmbimit”
Zbardhet një tjetër pjesë e intervalit kohor të “pengmarrjes” së Griselda Zaimit, e cila duket se ka tentuar të vetëhelmohet në fillim të kësaj jave, pikërisht natën në të cilën pretendoi se ishte marrë peng në Tiranë.Atë natë, Griselda Zaimi ka blerë një sasi të konsiderueshme ilaçesh të forta në një farmaci, të cilat, nëse konsumoheshin në sasi të madhe, mund të shkaktonin helmimin e saj. Tri ditë më parë, policia e kryeqytetit deklaroi se 28-vjeçarja ka qenë me një shoqe të saj, shtetasen me iniciale J.T, me të cilën ka pirë kafe në ambientet e lokalit tek Qendra Kristal (në pronësi të bashkëjetuesit të saj), ku ka qëndruar deri rreth orës 19.00. Gjatë gjithë kësaj kohe, shoqja e Griseldës ka pohuar se 28-vjeçarja dukej se ishte shtatzënë. Pasi ka pirë kafe me shoqen e saj, Griselda Zaimi ka marrë taksinë e drejtuar nga shtetasi me iniciale A.C. Sipas Policisë, ky person ka dëshmuar se e ka parë shtetasen Griselda Zajmi, që në dukje ishte shtatzënë, pranë Qendrës Kristal. Pasi e ka marrë në makinë 28-vjeçaren, taksisti pohon se ajo ka ndaluar tek një farmaci në rrugën “Gjik Kuqali”, ku Griselda ka blerë diçka dhe, më pas, sipas kërkesës së Griseldës, taksisti pohon se e ka dërguar vajzën tek Hotel Broadway, që ndodhet pranë stadiumit “Selman Stermasi” në Tiranë. Griselda ka bërë pagesën e taksisë dhe më pas shoferi është larguar.
Misteri i ilaçeve
Griselda Zaimi ka hyrë në hotel dhe pasi ka prenotuar një dhomë, ka shkuar atje e vetme e pashoqëruar nga njeri. Ndërsa po komunikonte me sportelin e hotelit, ajo ka krijuar ndjesinë e një gruaje shtatzënë. Por disa orë më vonë, në orën 01:50, Policia ka deklaruar se shtetasja Griselda Zajmi ka dalë nga dhoma dhe u ka kërkuar punonjësve të hotelit të merrnin një taksi, pasi nuk ndihej mirë fizikisht. “Kjo shtetase në këtë kohë nuk dukej shtatzënë”, ka thënë punonjësi i hotelit. Pikërisht gjatë katër orëve të qëndrimit në hotel, Griselda Zajmi duket se është përballur me të vërtetën e të mos qenit shtatzënë. Për këtë, ajo ka hequr edhe jastëkun që mbante prej kohësh nën rroba, duke krijuar ndjesinë e rreme. Hetuesit pohojnë se në dhomën e hotelit janë gjetur kokrra, por ambalazhet e tyre kanë humbur. Për këtë shkak, barnave në fjalë do t’u bëhet një analizë për përcaktimin e përmbajtjes së tyre. Kjo, pasi në farmacinë ku është kryer blerja e ilaçeve, ka qenë e pamundur të sqarohet diçka, për shkak se atë ditë subjekti ka lëshuar shumë fatura që kanë datën, por nuk kanë orën e plotësimit. Burimet nga hetimi i çështjes thanë se Griselda Zajmi, pasi ka hyrë në hotel, dyshohet se ka tentuar të konsumonte disa nga ilaçet që kishte pirë, me qëllim kryerjen e ndonjë akti ndaj vetes. Madje, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që vajza të ketë konsumuar disa nga medikamentet, pasi orë më pas nuk është ndier mirë, derisa ka mbërritur me taksi në klinikën “Ikeda”, ku ka bërë edhe një serum për helmim. Për shkak se mostrat e gjakut janë marrë 48 orë me vonesë në mjekësinë ligjore dhe në maternitet gjatë kryerjes së ekspertizës, mjekët nuk kanë arritur të konfirmojnë nëse 28-vjeçarja kishte konsumuar ndonjë nga ilaçet. Disa prej tyre janë gjetur në dhomën e hotelit, por për shkak se ato ishin përzier me njëra-tjetrën dhe ambalazhi ishte dëmtuar, është ende e paqartë përmbajtja e këtyre barnave.
Ngjarja
Taksisti me iniciale B.K e ka marrë Griseldën në hotel dhe e ka dërguar atë tek klinika mjekësore “Ikeda”. Pasi e ka lënë aty, shoferi është larguar, ndërkohë që policia ka pyetur mjekun dhe punonjësin e klinikës “Ikeda” dhe, konkretisht, shtetasin me iniciale L.G (mjek), i cili ka cituar se “Griselda është paraqitur në këtë klinikë rreth orës 02:10″ dhe ankohej për të vjella dhe diarre. Sipas mjekut, menjëherë është bërë terapia e kësaj shtetaseje nga ana e stafit mjekësor, duke e trajtuar me serum. Mjeku deklaron se kjo shtetase në dukje nuk ishte shtatzënë dhe nuk pasur ankesa në lidhje me shtatzëninë. Kjo shtetase ka qëndruar në këtë klinikë deri rreth orës 03.20 dhe më pas është larguar me taksi.
Pamundësia e lindjes së fëmijës u verifikua që në vitin 2007
TIRANE – Pamundësia e Griselda Zajmit për të lindur fëmijë, një fakt që u bë i ditur një ditë pas “rrëmbimit”, ka qenë një konstatim mjekësor i vitit 2007. Që në atë kohë, sipas grupit hetimor, mjekët kanë konstatuar fillimisht probleme dhe më pas anomali në aftësinë riprodhuese të vajzës. Griselda Zajmi, sipas hetuesve, thuajse çdo vit nuk kishte reshtur së interesuari në lidhje me këtë fakt. Në vitin 2007, 2008, 2009 dhe 2010, Griselda Zajmi ka shkuar në klinika të ndryshme në Tiranë, duke kryer ekzaminime dhe vizita të vazhdueshme në lidhje me problemin shëndetësor në fjalë. Një fakt i tillë është konfirmuar nga dokumentet e sekuestruara prej grupit hetimor në banesën e 28-vjeçares, por edhe në spitalet dhe klinikat ku ajo është paraqitur për vizita dhe ekzaminime mjekësore. Sipas të gjitha të dhënave, rezulton se konstatimi i problemeve shëndetësore të 28-vjeçares ka ndodhur para se ajo të fillonte bashkëjetesën me Elvis Roshin. Pikërisht problemi shëndetësor në fjalë dyshohet se ka qenë shkak i gjithë ngjarjeve që ndodhen javën e kaluar, pasi 28-vjeçarja ka sajuar shtatzëninë duke dashur të mos humbiste lidhjen me kryebashkiakun aktual të Kavajës.
Fertiliteti
Fertiliteti është një term mjekësor që përshkruan aftësinë e femrave për të mbetur shtatzënë. Në terminologjinë mjekësore, fertiliteti nënkupton aftësinë për t’u riprodhuar, por në shkenca të ndryshme ky term merr edhe kuptime të tjera. Kështu, në statistikë, fertiliteti paraqet numrin e të lindurve të gjallë në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë femërore në periudhën fertile (15-49 vjet). Periudha fertile nënkupton moshën gjatë së cilës femra është e aftë të mbetet shtatzënë. Fertiliteti dëmtohet nga faktorë të lindur dhe faktorë të fituar, siç janë dëmtimet fizike apo biologjike gjatë jetës. Fertiliteti ndikohet nga sëmundja në organet gjenitale të femrës ose nga faktorë të tjerë të posaçëm.
Hetohen telefonatat e dy familjeve
Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen e ndodhur me Griselda Zajmin ka kërkuar tabulatet dhe të dhënat e telefonatave të dy familjeve, për të kompletuar të dhënat e nevojshme për zbardhjen e ngjarjes. Pas dyshimeve dhe informacioneve se të afërmit e Griselda Zajmit kanë pasur dijeni se “ngjarja nuk është serioze”, ndërkohë që policia e prokuroria ishin alarmuar natën e parë nga denoncimi për rrëmbim, hetuesit kanë vendosur të verifikojnë gjithçka. Të afërmit e Griseldsa Zajmit dyshohet se kanë biseduar me familjarë të tyre jashtë Shqipërisë, duke u thënë të mos shqetësoheshin për lajmet që po jepeshin, pasi situata nuk ishte tamam ashtu. Policia dhe Prokuroria kanë nisur po kështu kërkesë tek kompanitë përkatëse për tablatet e anëtarëve të familjes së Elvis Roshit për të zbardhur rrethanat e ngjarjes./Panorama
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi