Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Abdi Baleta kundër Ismail Kadaresë

Shko poshtë

Abdi Baleta kundër Ismail Kadaresë Empty Abdi Baleta kundër Ismail Kadaresë

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jun 13, 2011 12:25 am


Abdi Baleta kundër Ismail Kadaresë

Abdi Baleta
Abdi Baleta kundër Ismail Kadaresë Abdi-baleta


Të dashur lexues të “Bota Sot”,

Deri sot, më 22 maj 2011, nuk kisha kurrfarë oreksi për të shkruar për zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri. E kisha fjetur mendjen se ato që kisha me thënë i kisha shkruar në dy artikujt e datave 20 dhe 23 prill 2011, nën titujt “Përmasa ndërkombëtare e zgjedhjeve shqiptare” dhe “Arvizu, ambasadori dinjitoz i një vendi të madh”. Qysh prej një muaji, sidomos pas fillimit të numërimit të votave të hedhura nëpër kutira më 8 maj, përmasa ndërkombëtare e zgjedhjeve shqiptare është zgjeruar dhe ka peshuar gjithnjë e më rëndë në skenën politiko-zgjedhore të Shqipërisë. Kurse roli i ambasadorit shumë të nderuar amerikan, Arvizu, dhe i dy kolegëve të tij, përfaqësuesit të OSBE-së, Volfart dhe i përfaqësuesit të KE-së, Sekui, ka qenë vendimtar për ta mbajtur procesin zgjedhor në kufijtë e një politike të kontrollueshme dhe për të shmangur rrjedhojat tejet të dëmshme që i dëshirojnë për Shqipërinë forcat politike rrënuese në Shqipëri dhe disa politika të huaja e mjedise mafiozo-masonike ndërkombëtare, që hedhin gurin e fshehin dorën.

Pas analizave që paraqita në dy shkrimet e mësipërme më tërhoqën më shumë veprimtari të tjera politike. U angazhova në përurimet e tri librave me shumë vlerë të zotëri Sabri Maxhuni-Novosellës në Tiranë e në Prishtinë. U mora me përgatitjet për botim të librit tim “Jo, plebishitit venizellist”, që u shtyp në Prishtinë nën kujdesin e zotëri Novosellës dhe tani po shpërndahet në Kosovë e në Tiranë. Fushata zgjedhore në Shqipëri ishte një rutinë e njohur, e bezdisshme. E kam ndjekur sa për të qenë në dijeni të zhvillimeve në vijat e tyre kryesore dhe, si shumë shqiptarë të tjerë, pa kurrfarë emocionesh. Dëshira ime kryesore ishte që të kalonin sa më shpejt ditët, të mbylleshin procedurat dhe të përfundonin zhurmat e kota marramendëse, sidomos ato që bënin “analistët e opinionistët” në ekranet televizive. Nuk besoja se do të kishte ndonjë ndodhi që të më detyronte të shkruaja. Por, nuk ishte e thënë të mbetesha deri në fund në pozitën e vëzhguesit të qetë, që nuk ngacmohet nga zhvillimet që kanë të bëjnë me zgjedhjet, siç ia kisha imponuar vetes deri në mbrëmjen e datës 21 maj 2011.

“Dita e fundit të botës” në Amerikë dhe “kolapsi kadarean” në Shqipëri

Data e 21 majit 2011 ishte shpallur nga një shoqatë e çuditshme fetaro-biblike në SHBA si “dita e fundit të botës”. Në ekranet televizive kishim parë paradën e organizuar nga kjo shoqatë në qytetin e Nju Jorkut, disa ditë para se të vinte “fundi i botës”. Më 20 maj “Financial Times” kishte botuar një shkrim me titull “Henri Kisinxheri flet me Simon Shema”, ku bëhej fjalë për librin e Kisinxherit “Mbi Kinën”. Shkrimi mbyllej me fjalitë sarkastike: “Rreth e rrotull Amerikës këto ditë janë shfaqur pllakate biblike që njoftojnë se bota do të marrë fund një herë e përgjithmonë më datën 21 maj 2011. Në qoftë se ata kanë të drejtë ju nuk do ta lexoni dot këtë shkrim. Por në qoftë se ka të drejtë Kisinxheri ata mund të kenë rastin për ta shtyrë pakëz datën. Mos thoni se historia dhe Henri Kisinxheri nuk ju paralajmëruan”.

Sikurse shihet arritëm ta lexonim shkrimin mbi librin e Kisinxherit, pa mbetur të çuditur që ndodhi kështu. Nuk e kishim besuar se do të ndodhte ai “kijameti i madh” i paralajmëruar në Amerikë. Më shumë u habitëm që pikërisht më 21 maj 2011, disa orë para se të mbyllej “dita e fundit të botës” në Amerikë (në matjen kohore midis Tiranës e Nju Jorkut ka një ndryshim prej 6 orësh) dëgjuam se një “kijamet i vogël” mund të ndodhë në Shqipëri. Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, pikërisht më 21 maj 2011, kishte lëshuar alarmin se “Shqipëria e kombi shqiptar po hynin në kolaps”.

Gjithë mbasditën dhe mbrëmjen e datës 21 maj 2001 i kalova në një zijafet gazmor me të afërm e miq, diku në periferinë e Tiranës, pa ia hedhur sytë ndonjë ekrani televiziv. Kur mbaroi dhe atmosfera e gëzueshme dy të afërm të mi m’u afruan dhe me njëfarë shqetësimi më thanë se shkrimtari Ismail Kadare i kishte dërguar “një letër të fortë” kandidatit për kryetar bashkie në Tiranë , Lulëzim Bashës dhe i kërkonte të tërhiqte kandidaturën e tij dhe t’ia linte edhe një herë kryetarllëkun e Tiranës Edi Ramës. Të afërmit e mi dyshonin se mos ky veprim ishte ndonjë inskenim më i gjerë ndërkombëtar, që po kurdisej nëpërmjet Kadaresë, dhe shqetësoheshin se mos kandidati Basha do të lëshonte pe para këtij inskenimi. Unë shpreha mendimin se Basha e ka të pamundur të bëjë një gjë të tillë, pavarësisht se kush mund të qëndrojë prapa këtij inskenimi, sepse tërheqja do të ketë rrjedhoja shumë të rënda për profilin dhe karrierën politike, ende fillestare të Bashës, për forcën politike që përfaqëson dhe për më shumë se gjysmën e zgjedhësve në Tiranë e në mbarë Shqipërinë.

Gjatë kthimit drejt Tiranës një miku im më dha disa hollësira më tepër për lajmin që kishte gjëmuar nga ekranet televizive. Mikut tim, me pikpëpamje të ndryshme politike nga të miat, u detyrova t’i bëja një reagim të parë me fjalët: “Ky qëndrim i Kadaresë më neverit. Ky njeri e ka tepruar shumë herë me politikanizma që u ngacmojnë nervat shumë shqiptarëve. Kësaj radhe mendoj se ka bërë gjënë më të rëndë, që nuk i lejohet askujt ta bëjë. Nëse kishte vërtetë dëshirë që ngërçi zgjedhor për Tiranën të zgjidhej me tërheqjen e njërit prej kandidatëve, ai këtë këshillë dhe kërkesë duhej t’ia bënte Edi Ramës, jo Lulzim Bashës”.

Kureshtjen e kisha të madhe, sidomos për zgjedhjen që kishte bërë Kadareja: pse tërheqjen e kandidaturës ia këshillonte dhe ia kërkonte Bashës, dhe jo Ramës, sikurse më dukej mua më e logjikshme ta bënte. Prandaj, më 22 maj në mëngjes puna e parë që bëra ishte të gjeja e të lexoja tekstin e letrës kadareane në gazetat e ditës.

Edhe pse afati i tmerrshëm për “fundin e botës” ishte kapërcyer në Amerikë, letra e Kadaresë po paralajmëronte një zhvillim apokaliptik për Shqipërinë, ndoshta dhe për Ballkanin e Europën, nëse Edi Ramës nuk i lihej për të katërtën herë kryetarllëku bashkiak i Tiranës. Letra e Kadaresë m’u duk shumë ngacamane jo vetëm ndaj Bashës, por ndaj të paktën gjysmës së zgjedhësve që kishin votuar në Tiranë, ndaj gjysmës së popullit shqiptar. Mbase dhe më shumë. Letra m’u duk shumë provokuese, e palogjikshme, intriguese, megallomane në kulm, arrogante e cinike sa nuk ka ku të vejë më. Dhe mbi të gjitha ishte për Kadarenë më vetëdemaskuese se sa e kisha menduar. Njëfarë miklimi cinik ndaj Bashës shoqërohej aty për aty me paralajmërime për pasoja të pallogaritshme që do të sjellë për Shqipërinë mostërheqja e kandidaturës së tij. Basha shpallej paraprakisht, pa të drejtë apelimi, si fajtori i vetëm i këtyre pasojave.

Për mua paralajmërimet apokaliptike të Kadaresë për izolim të shqiptarëve nga Europa, janë gjithmonë zbavitëse, madje qetësuese. Sa herë që ai ka lëshuar mesazhe të tilla, ka ndodhur e kundërta: Europa ka bërë gjeste pranimi ndaj shqiptarëve. Por ndërsa mesazhe të tilla më rrisin qetësinë, ato njëkohësisht më shtojnë neverinë ndaj tyre.

Këto janë ndjesi të mia personale, që dua t’i shpreh dhe publikisht. Nuk i shkruaj që i nderuari lexues të ndikohet prej tyre. Rëndësi këtu nuk ka aq shumë shpalosja e ndjesive personale, por gjykimi politologjik mbi letrën e Kadaresë drejtuar Lulzim Bashës, sepse kjo letër përbën tashmë një ekzemplar të rrallë të keqpërdorimit të famës si shkrimtar, si mbartës i gjithfarë titujsh, nga një shqiptar, për të imponuar një politikë të caktuar, prapa kurrizit të popullit shqiptar, nëpërmjet metodash aspak demokratike, nëpërmjet qëndrimesh absurde, nëpërmjet marifetesh e batakçillëqesh të neveritshme. Aq shumë e ka mbushur kupën e provokimit politik Ismail Kadareja me këtë letër sa dhe në gazetën “55”, të Fahri Balliut, mikut të tij më të përulur e ditirambistit të tij më zhurmues, në mëngjezin e datës 22 maj 2011 binte në sy kryetitulli në faqen e parë “Letra e Kadaresë ka adresë të gabuar”. Këtë shkrim nuk e nënshkruante vetë drejtori i gazetës, miku i madh i Kadaresë Fahri Balliu, siç kishte bërë një ditë më parë me një artikull fshikullues për Presidentin Topi, që aksidentalisht rezultoi se kishte votuar për Edi Ramën. Por, gjithsesi, tashmë Kadareja ishte bërë i pambrojtshëm dhe për ithtarët e tij më fanatikë.

Duhet një arsye e fortë që dikush, për më tepër një personalitet si Ismail Kadareja, t’i bëjë thirrje publike në çastet e fundit të numërimit të votave njërit prej dy kandidatëve për kryetar bashkie i Tiranës të braktisë garën, për t’i lënë rrugën të lirë drejt fitores rivalit të tij. Duhej një arsye tepër e fortë që Kadareja të vinte gishtin pikërisht mbi kandidatin e PD-së, Lulzim Basha, për t’u tërhequr nga gara në favor të Edi Ramës. Kadareja është përpjekur shumë me imagjinatën e tij prej shkrimtari të rendisë disa arsye për hapin e tij të pashembullt e të pakuptimtë që zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Tiranës t’i katandisë thjesht në një pazarllëk mjeran midis dy individësh (as midis dy forcave poltike që i kanë propozuar ata), duke nëpërkëmbur kështu një proces zgjedhor të gjatë, të mundimshëm, të tensionuar para e gjatë fushatës zgjedhore dhe pas votimeve gjatë numërimit të votave. Zhvleftësim të një procesi zgjedhor si ky që propozoi Ismail Kadareja nuk kishim parë deri tani në Shqipëri.

Të gjitha “arsyet” që ka renditur Kadareja janë rrjedhojë e “mosarsyes” flagrante në arsyetimet që ai ka bërë:

Së pari, Kadareja pretendon se për shkak të zgjedhjeve në Tiranë “është gjendur në kolaps të papritur jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar”. Kadareja fryn qëllimisht tej mase vështirësitë e krijuara nga veprimet e dhunshme të Partisë Socialiste, pa i qortuar fare këto veprime, që të detyrojë kandidatin Basha të lëkundet në pozicionin e tij politik dhe të kapitullojë nga frika para Edi Ramës. Nuk pi ujë manovra hipokrite e Kadaresë se ai këtë veprim po e ndërmerr në “interes të Shqipërisë”, si shkrimtar (“i madh” thonë disa pa pushim) që është.

Së dyti, Kadareja shpreh si “parandjenjë” të keqe se “ky kolaps do të trondisë demokracinë e jetën e brendshme në Shqipëri dhe do të çojë në izolim të ri të vendit”. Dhe përsëri shpëtim nga kjo gjëmë, sipas Kadaresë, qenka vetëm kapitullimi personal i Lulzim Bashës para ambicjes së pakufizuar të Edi Ramës për të mbetur kryetar bashkie. Por Kadareja nuk jep asnjë argument pse lënia e Ramës në krye të bashkisë së Tiranës nuk do të çoka në izolimin e Shqipërisë (!). Duke parë se çfarë ka bërë dhe me sa arrogancë politike është sjellë Rama deri tani, Europa e Amerika mund të zemërohen me Shqipërinë e me shqiptarët më shumë po të qëndrojë Rama si kryetar bashkie në Tiranë.

Kadareja nuk e thotë shprehimisht, po e lë të nënkuptohet lehtësisht, se po t’i hiqet kryeparllëku i Tiranës, Edi Rama është “njaj sherrxhi” në krye të “njatyne sherrxhijsh” që mund ta bëjnë Shqipërinë lesh e li, si në mbasditen e 21 janarit 2011, apo si në pranverën e vitit 1997. Thirrja e Kadaresë është: lereni bashkinë e Tiranës që të mos hani shpinës dajakët e Ramës. Erion Braçe nuk di më as vetë çfarë marrëzish nxjerr nga goja para kamerave televizive, aq sa ambasadori amerikan u detyrua ta këshillonte publikisht Braçen “të pushojë”. Në anglisht ambasadori ka përdorur sigurisht termin që ka kuptimin “të çlodhet” dhe që në shqip u përkthye krejt korrekt “të pushojë”. Por termi shqip ka dhe avantazhin se do të thotë njëkohësisht “të mbyllë gojën”. Kot të besohet se Braçja mund të mbyllë gojën, apo të kuptojë nuancën diplomatike të shprehjes angleze “he needs some rest” (ka nevojë të çlodhet pak). Çlodhje për Braçen, apo për një tufë zonjash të reja që kanë formuar një korr politik soc-ramist, është të çirren me nota sa më të larta para kamerave televizive për të kënduar marshet funebre të demokracisë zgjedhore në “Shqipërinë e gomave të djegura”.

Është vetë Rama që vazhdimisht i ka ashpërsuar termat për të mobilizuar falangat e tij zjarrvënëse e tymlëshuese. Ai nuk flet më për “tubime paqsore”, për “manifestime të autorizuara”, sipas ligjit. Përkrahësit e tij shpallin se kanë kaluar tashmë në fazën e “mosbindjes civile”, dhe kjo sipas tyre u dhënka të drejtën e plotë të bëjnë çfarë t’u shkrepet në kokë, të mos respektojnë më asnjë ligj, madje kërkojnë që mekanizmat shtetërorë, mbrojtës të ligjit, të heqin dorë nga zbatimi i ligjit, dhe nga vetë funksionet e tyre, meqenëse ndodhen para “mosbindjes civile”, ndryshe “anarkisë së shenjtëruar socialiste”. Ata “mosbindjen civile” e kuptojnë dhe e interpretojnë mbrapsht, si “detyrim të shtetit dhe të ligjit të kapitullojnë para mosbindjes ndaj shtetit e ligjit”, para shkelësve të ligjit. Ata synojnë të krijojnë kaosin e plotë shoqëror, që të arrijnë qëllimin e tyre për të shtënë në dorë pushtetin shtetëror, vendor e qendror. Është një imitim pikë për pikë dhe hap pas hapi i hitlerizmit. Idhtarë të kësaj “demokracie” të mos bindjes ndaj ligjit dalin dhe dy intelektualët tanë të njohur që mbajnë titullin “Nderi i kombit”, Rexhep Qosja e Ismail Kadareja.

Më 21 janar 2001 Edi Rama zëvendësoi termat “manifestime” e “protesta” me termin më luftarak “demonstrata të pakontrollueshme”, që dihet se çfarë rezultati sollën. Tani ka hequr dorë dhe nga kjo terminologji dhe flet për “revoltë popullore”, që është sinonim i termit “kryengritje”. Madje ka qenë një intelektual amerikano-shqiptar (i brezit të tretë në Amerikë) që ka zbuluar në një mesazh drejtuar ambasadorit amerikan se po të mos mbetet Rama kryetar bashkie i Tiranës, në Shqipëri do të ketë kryengritje. Ka qenë Rexhep Qosja që në shkrimet e tij ka predikuar vazhdimisht kryengritje në Shqipëri që të mbetet Rama në fuqi e të marrë edhe më shumë fuqi. Rexhepi ka qortuar rëndë dhe vetë Ramën se nuk po tregohet sa duhet revolucionar dhe i vendosur që nuk po shpërthen “revolucionin e dytë të vonuar demokratik” në shkallë të gjerë. Ramën po e qortojnë dhe disa ngatërrestarë të rëndomtë në shtypin shqiptar, spiunologë “demokratë”, se po humb kohën me llafe, në vend që të hidhet furishëm në veprime më radikale.

Dhe më në fund u shfaq vetë “shenjtëria e intelektualizmës shqiptare”, Ismail Kadareja, të merrte rolin e korifeut në krye të gjithë këtij kori britës-kryengritës. Me “mosarsyen” e arsyetimeve të tij Kadareja synon t’u imponojë shqiptarëve mendimin, se largimi i Edi Ramës nga kolltuku i kryetarit të bashkisë së Tiranës do të jetë gjëmë e madhe për tërë kombin shqiptar. Kadareja përpiqet t’i lemerisë shqiptarët me “izolim të ri ndërkombëtar”, në rast se Edi Rama largohet nga bashkia. Kadareja bëhet përçues i fatalitetit se nuk ka forcë që tund Edi Ramën nga bashkia, pa ndodhur një katrahurë në Shqipëri. Pra, e thënë shprehimisht, Kadareja i shtyn shqiptarët drejt zgjedhjes së vështirë “o Edi Rama në bashki, o Shqipëria shkrumb e hi”, sipas motos së “revolucionarëve” të qershorit të vitit 1924, “o ne në fuqi, o Shqipëria pluhur e hi”.

Kurse faktet dëshmojnë se faktorët ndërkombëtarë, më të angazhuar dhe më të përgjegjshëm për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri, nuk e shohin kështu procesin zgjedhor dhe nuk bëjnë paralajmërime për ndonjë kërcënim apokaliptik, apo që Shqipëria të bjerë në izolim ndërkombëtar më të fortë. Ata vetëm kujtojnë se gjendja që është krijuar në Shqipëri do të ndikojë për keq në ritmet e veprimeve praktike për integrimin europian. Faktorët ndërkombëtarë kanë dhënë mjaft shenja se më tepër përgjegjës për krijimin e kësaj situate ata konsiderojnë Edi Ramën e PS-në dhe asnjëherë nuk kanë aluduar se mund t’i bjerë barra kandidatit Lulzim Basha të bëjë sakrifica politike për të shpëtuar zhvillimet në Shqipëri.

Qëndrimi i “çuditshëm” i Kadaresë mund të shpjegohet vetëm me dy mënyra:

a. Nuk e frenon dot më imagjinatën trilluese (si shkrimtar që është) për të prodhuar diçka në mbështetje të politikës së Edi Ramës.

b. Është nën trysninë e fortë të mjediseve të caktuara politike e masonike të huaja për të bërë një gjest të fundit të dëshpëruar në mbështetje të Edi Ramës. Dihet se kur Berisha në fillim të qeverisjes, pas fitores në vitin 2005, lëshoi shumë bubullima kundër Edi Raëms në Shqipëri, ia behu Xhorxh Sorosi, dhe bubullimat u rralluan e heshtën. Më vonë është bërë një vizitë e drejtuesit të loxhës masonike franceze “Orienti i Madh”, që gjithashtu u përputh në kohë me një tjetër fushatë sulmesh kundër Ramës, fushatë që përsëri u fashit pas kësaj vizite.

Së treti, Kadareja lëshon edhe një herë spekulimin frikësues se “izolimi i ri do të jetë fatal për dy shtetet shqiptare në Ballkan”. Kështu ka bërë dhe herë të tjera Kadareja. Pas ngjarjeve të 17-18 marsit 2004 në Kosovë ai u vërsul me mallkime e akuza kundër shqiptarëve dhe i paralajmëroi se kishin humbur gjithë simpatinë që kishin fituar në botë; se pas atyre ngjarjeve diplomacia ndërkombëtare do të braktiste përfundimisht Kosovën dhe nuk do të çante më kokën për shqiptarët. Kurse zhvillimet treguan të kundërtën: pikërisht pas atyre ngjarjeve diplomacia ndërkombëtare i kushtoi vëmendjen më të madhe Kosovës dhe në vitin 2008 Kosova u njoh si shtet i pavarur. Prandaj nuk mund të bëjnë ndonjë përshtypje të madhe drithëruese gjëmat që parasheh Kadareja. Kadareja e ka humbur bastin atëherë, siç e kishte humbur kur hidhte fallin e lig se Europa nuk do të pyeste më për Shqipërinë pas pranimit të saj në Konferencën Islamike etj. Kanë dalë qesharake fallet tij për “izolime të reja” të Shqipërisë, sa herë zhvillimet në Shqipëri, ose për çështje shqiptare, nuk kanë qenë sipas midesë së Kadaresë, ose sipas orekseve të mjediseve europiane ku Kadareja ka gjetur azil shpirtëror e mendor, pasi braktisi Shqipërinë.

Por edhe sikur të pranojmë për një çast se ka diçka racionale në parandjenjat e parashikimet alarmuese të Kadaresë të shprehura në letrën dërguar Lulzim Bashës, përsëri nuk ka logjikë të shëndoshë që shpëtimi u dashka kërkuar pikërisht në kapitullimin e Lulzim Bashës para Edi Ramës dhe jo në një zgjidhje të problemit sipas ligjeve e procedurave ligjore, që mund të jetë fare natyrshëm njohja nga Edi Rama të humbjes së tij në përballjen me Bashën. Pse Kadareja nuk e vë fare në llogaritë e tij politike këtë mundësi në ato “arsyet e mosarsyes” së arsyetimeve të tij? Sepse Kadareja ka vetëm një pikësynim, ose një detyrë për të bërë: të kërkojë dhe të mbështesë fitoren e Ramës me çdo kusht, edhe jashtë një procesi normal ligjor, jashtë normave e procedurave ligjore.

Për të mbështetur fitoren e Ramës në rrugë jashtëligjore Kadaresë i duhet të sajojë sa më shumë skena e skenarë apokaliptikë, në emër të imagjinatës pjellore të shkrimtarit. Këtë është munduar të bëjë Kadareja me letrën dërguar Lulzim Bashës, që në fakt është një “kërkesë ultimative” për kapitullim para Edi Ramës. Po të mos ishte ky synimi i Kadaresë, ai me arsyen më të zakonshme qytetare, jashtë ndikimit të mosarsyeve politike, këshillat dhe kërkesën e tij për t’u tërhequr nga gara duhej t’ia kishte drejtuar Edi Ramës.

Kadareja mund t’i thoshte fare mirë, krejt njerëzisht Edit: Je zgjedhur tri herë radhazi kryetar i bashkisë së Tiranës, duke qëndruar si askush tjetër 10 vjet pa ndërprerje në këtë post. Ky qëndrim kaq i gjatë të ka velur, të ka konsumuar. Nuk të ka mbetur më imagjinatë e pasion për të sjellë risi në këtë punë. Edhe njerëzve u bëhet e mërzitshme të shohin kaq gjatë të njëjtin kryetar, me të njëjtat shprehi, me të njëjtat vese, me të njëjtat mendësi, me të njëjtat gjeste ekstravagante, me të njëjtat teka të papërshtatshme për një kryetar bashkie, i cili vetëm përsërit vetveten. Prandaj, është për të mirën tënde, të Tiranës e të gjithë Shqipërisë (ndoshta dhe të dy shteteve shqiptare për të cilët Kadareja ka filluar të mendojë shumë e të flasë shpesh). Mbi të gjitha largimi yt nga kryesimi i bashkisë do t’i bënte mirë Partisë Socialiste, sepse do të përqëndroheshe në drejtimin e saj. Është e lodhshme për cilindo të mbajë dy kunguj të mëdhenj e të rëndë në një sqetull, të jetë kryetar i bashkisë më të madhe, sa një e katërta e krejt popullsisë së Shqipërisë, dhe i Partisë Socialiste që rivalizon me PD-në për pushtetin qendror. Është e pakuptimtë që i njëjti njeri të punojë me kohë të pakufizuar si kryetar partie dhe me kohë të pamjaftueshme si kryetar bashkie.

Pra, gjëja më e arsyeshme do të ishte që Kadareja sugjerimin për tërheqje nga gara t’ia bënte Edi Ramës, i cili do të largohej dhe me kryet lart, se nuk kishte pësuar ndonjë disfatë shkatërruese, pas 10 vite kryetarllëku, që gjithsesi e konsumojnë tepër njeriun dhe profilin e tij politik. Kadareja mund t’i thoshte Edit: lere tani atë punë se po e mbyll me nder, po del para partisë tënde se pësove një humbje tejet të ngushtë dhe se nuk je politikan që kapesh patjetër me thonj e me dhëmbë pas karriges së një kryetari.

Mirëpo në letrën e Kadaresë nuk gjejmë gjëkundi as shenjën më të vogël të arsyetimeve të tilla. Përkundrazi letra është dërguar, siç ka shkruar me të drejtë këtë here gazeta “55” në adresë të gabuar, i është drejtuar Lulzim Bashës, sepse si duket, Kadareja ëndërron në mendjen e tij që Edi Rama të qëndrojë në kolltukun e kryetarit të bashkisë së Tiranës, aq kohë sa të barazojë, ose të thyejë rekordin 18-vjeçar të kryebashkiakut të Moskës, Juri Lluzhkov, i cili u shkarkua para disa muajsh me motivacionin “ka humbur besimin e presidentit të Rusisë Medvediev”. Në fakt mëkati i tij i madh ishte se kishte monopolizuar korrupsionin në kryeqytetin rus.

Kadareja ka bërë gjënë më të lehtë për të nxjerrë “kombin e dy shtetet shqiptare” nga “kolapsi” i krijuar prej zgjedhjeve në Tiranë: ai ka kërkuar të ikë vetëm ai që ende nuk është ulur në karrigen e kryetarit dhe e lë kryetarin që është të vegjetojë edhe më tej në atë kolltuk. Kjo s’ka ku të rrijë, kur një “shkrimtar i madh” arsyeton kështu. I kërkon të japë dorëheqjen atij që nuk ka se nga çfarë të heqë dorë, dhe nuk e shtyn drejt dorëheqjes atë që i ka kaluar koha për të lënë postin. Kjo do të thotë se “shkrimtari i madh” më shumë po sillet si “sekser i vogël pushteti”, si “avokat arbitrariteti”, jo si “këshilltar shteti” dhe “ndriçues mileti”.

Kadareja nuk flet fare për shkaqet e shkaktarët e vërtetë të atij “kolapsit” të tmerrshëm nga ku do të nxjerrë kombin e “dy shtetet shqiptarë”. Rama në arsyetimet e Kadaresë nuk figuron gjëkundi. Protagonist i “kolapsit” është një figurë e vetme politike, Lulzim Basha, meqenëse ia pruri shumë ngushtë Ramës në këto zgjedhje, ndryshe nga sa kishin bërë kandidatë të tjerë të PD-së në tri zgjedhjet e mëparshme.

Prandaj Kadareja i është vërsulur me një egërsi të madhe Lulzim Bashës, duke i shkruar: “Si politikan dhe si zyrtar, ju jeni gjendur kohët e fundit, në qendër të një cikloni, i cili jo vetëm mund t’ia mbyllë rrugën përparimit të kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në histori. S’është nevoja këtu t’ju kujtoj sesa e pandreqshme dhe e pafalshme do të jetë kjo mbrapshti”.

Këto janë letrarizma të kota që maskojnë keq një politikanizëm pështirosës. Këtu megallomania intelektualiste, tërbimi akuzator, provokimi politik, ligësia shpirtërore e Kadaresë ndaj Lulzim Bashës ka kaluar dhe imagjinatën e lejueshme letrare, ka përfunduar në dalldi të mbrapshtë politike të Kadaresë. Ky po i thotë Bashës: ose bëj si po të urdhëroj unë “shkrimtari i madh” (në fakt sekseri politik i rëndomtë) ose gijotinën ta kam bërë gati dhe mallkimi im kadarean do të të ndjekë, edhe kur të mos jetosh më. Të tilla histori u kanë ndodhur politikanëve shqiptarë në të shkuarën. Por nuk mendojmë se Basha është aq frikacak sa t’i marrë seriozisht këto mallkime e kërcënime të Kadaresë, që patjetër nuk janë vetëm të Kadaresë. Besojmë se Basha e kupton aq gjë se kapitullimi para ultimatumit kadarean e “varros për së gjalli” politikisht.

Basha, dhe gjithkush që nuk mendon si Kadareja, ka të drejtën dhe duhet të pyesë: po Edi Ramës i ka hedhur ndonjëherë ndonjë fjalë të kësaj natyre Kadareja?! Pse vetëm Basha qenka shkaktari potencial i ciklonit “për t’i mbyllur kombit rrugën e përparimit”, kur përditë shohim se këtë rrugë përpiqet t’ia mbyllë pikërisht Edi Rama? Ka sy në ballë Kadareja të shohë se çfarë bëhet në Shqipëri? Ka veshë të dëgjojë Kadareja ulërimat e Edi Ramës për të futur vendin në luftë civile, sa herë që nuk pranohet ndonjë tekë e tij kryeneçe?

Për shpëtimin e trupit, të shpirtit e të emrit të Bashës, Kadareja me shumë “dhimbsuri” ka gjetur një mjet magjik kur shkruan: “do t’ju propozoj një gjest, që sot për sot, është i rrallë, gati i përjashtuar nga jeta politike shqiptare: tërheqjen nga kandidimi për kryetar bashkie”. Bravo Kadare, kandidati i përjetshëm për çmimin “Nobel” në letërsi, që një politikani të ri përpiqesh t’i fusësh tmerrin, ta bësh të braktisë idealin politik, qysh në të parën betejë të tij serioze, pikërisht në çastet e mbrame të betejës, kur ai është dhe favorit për të fituar në rrugë ligjore. Kurse Ramës, një politikani problematik qysh prej 20 vitesh, që shkallaret e karrierës i ka ngjitur me mënyrat më të dyshimta, duke shfrytëzuar ose krijuar konjuktura të pështira politike, Kadareja nuk i sugjeron të bëjë asnjë “gjest të rrallë”, por e mbështet të vazhdojë gjestet e shëmtuara që ka bërë deri tani, vetëm që të qëndrojë në pushtet. Pas këtyre mendimeve të Kadaresë duhet shtruar pyetja: a kanë nevojë kombi shqiptar dhe dy shtetet shqiptarë për një “Nderi i Kombit” që të predikojë me mallkime e kërcënime gjeste të tilla çnderimi të politikanit?!

Kanë bërë mirë një numër intelektualësh që Bashës i kanë nisur mesazhin: “Mos dëgjo Kadarenë. Nuk është koha për gjeste kalorsiake. Vota duhet numëruar” (“Gazeta Shqiptare”, 22 maj 2011). Po Kadareja vet çfarë “gjesti kalorsiak” ka bërë”? Edhe sa kohë do të mburret me atë “ikjen në Francë” në prag të shpërthimit të zhvillimeve demokratike në Shqipëri? Por Ramës çfarë “gjesti kalorsiak” ka ndërmend t’i rekomandojë? Të përsërisë tentativën për grusht shteti të 21 janarit 2011? Të vazhdojë të prodhojë tym të zi në politikën shqiptare, që të mos dalin të tjerë si Basha e ta rivalizojnë në votim? Apo të kthejë gjithë anëtarsinë dhe elektoratin e Partisë Socialiste në forca paramilitare që të bllokojnë çdo ditë rrugët e Shqipërisë, të nxijnë qiellin shqiptar, duke djegur goma makinash, të rrahin e të plagosin policët që kryejnë shërbimin e tyre, në pritje të ndonjë të vrari tjetër, për të shtuar radhët e “dëshmorëve” të soc-ramistave?! Çfarë ka për të thënë Kadareja për këto? Nuk mundi të heshtë më gjatë edhe gazeta e mikut të tij, Fahri Balliut, për faktin se Kadareja në komentet e tij për ngjarjet e 21 janarit 2011 faktikisht u radhit në krahun e avokatëve politikë e intelektualë të grushtit të shtetit.

“Arsyet e mosarsyes” në arsyetimet e tij Kadareja ka mundur t’i mbështesë vetëm mbi një “argument”, duke shkruar me një logjikë absurde dhe në formë perfide e cinike në përmbajtje: “Propozimin për tërheqje mund t’ia bëja secilit prej jush (d. m. th. si Bashës dhe Ramës), por mendova se tërheqja do të ishte më e lehtë për ju që jeni në pushtet, se për tjetrin, që është shef i opozitës”. Sa mirë e paska përvetësuar atje në mërgim Kadraeja metodologjinë cinike të disa mjediseve europiane, që në vend të përkrahjes së të drejtës përballë të padrejtës, të kërkojnë zgjidhjen e kontestimit në dëm të palës që nuk e kanë për zemër dhe në dobi të pamerituar të palës që u pëlqen. Nuk u bëjnë nder shqiptarëve të tillë “shkrimtarë të mëdhenj” që shkasin në meskinitete kaq të pahijshme.

Kadareja nuk e ka të qartë një gjë të njohur (ose qëllimisht hesht për të) se Rama ka 17 vjet që është në pushtet, si ministër e kryetar bashkie. Ka qenë kryetar i shoqatave të pushtetit lokal socialist. Ka një polici bashkiake që e përdor kundër policisë së ruajtjes së rendit. Rama kryeson një pushtet paralel në Shqipëri, madje synon të veprojë me gjithë strukturat e tij partiake dhe si shtet paralel. Nëse Kadareja shqetësohet vërtetë për stabilitetin e shtetit e të shoqërisë shqiptare duhet të kuptojë se kundërvënia e pushtetit të Tiranës, të drejtuar nga Edi Rama, ndaj pushtetit qendror, të drejtuar nga Sali Berisha, i ka shkaktuar probleme shumë të rënda shtetit shqiptar. E mira e do që sa më parë midis pushtetit të Tiranës dhe pushtetit qëndror të vendosen harmonia e bashkëpunimi dhe kjo mund të arrihet nëse Basha bëhet kryetar bashkie. Por këtë Kadareja nuk e do. Ai mbështet Ramën që të mos stabilizohet Tirana, siç mbështet Qosja Ramën që të mos stabilizohet Shqipëria.

Në letrën drejtuar Bashës del qartë se Ismail Kadareja nuk ka fare haber si ndërtohet shteti e pushteti në demokraci. Ai punën e ardhjes e të ikjes nga pushteti, të zgjedhjeve e të emërimeve në poste e percepton dhe e trajton me mendësitë e xhambazit. Por Kadareja sillet dhe si provokator në këtë rast. Rama e ka më të lehtë se Basha të tërhiqet, sepse është vetë shefi i opozitës (partisë e koalicionit të tij, ku nuk lejon kend të bëjë gëk apo mëk). Kurse Basha ka të tjerë mbi krye në partinë e pushtetin e shumicës, dhe duhet të pyesë ata më parë. Kurse Kadareja e nxit Bashën të rebelohet kundër udhëheqjes së tij partiake, d.m.th. kundër Berishës, duke e trembur me fjalë për lloj-lloj përgjegjësirash politike e historike; dhe duke i bërë dhe ndonjë ledhatim me gjuhë gjarpri para se t’i injektojë helmin mpirës.

Me atë arsyetimin që i drejtohet Bashës, Kadareja duhet t’i drejtohej Berishës e t’i thoshte: “tërhiqe kandidatin tënd dhe lëre edhe një herë të adhuruarin tim Rama të ulet në kolltukun e kryetarit të bashkisë”. Por si duket Kadareja nuk ka pas sukses pranë Berishës, as pranë ndërkombëtarëve për të siguruar funksionimin e kësaj skeme dhe ka provuar gurin e fundit, duke shpresuar se Basha mund të trembet nga kadareizmat dhe ia dredh Partisë Demokratike, Berishës e ndërkombëtarëve që e mbështesin. Sigurisht ky duhet të jetë një veprim i dëshpëruar i Kadaresë dhe i atyre që e shtyjnë. Para pak javësh ambasadori amerikan në Tiranë, Arvizu, përmendi në një ekran televiziv se kishte pasur një darkë të këndshme me “shkrimtarin e madh” Kadare. Atëherë kjo darkë na u duk si “jashtë vendit e kuvendit”, si jashtë kohe, jashtë halleve politike të Shqipërisë. Nuk kishim si të dinim më shumë. Por me sa duket edhe darka të tilla Kadareja i kas pas në kuadër të veprimtarisë për të krijuar “atmosferë mbështetëse” ndërkombëtare që Basha të tërhiqej e Rama të mbetej.

Mëkati më i rëndë etiko-moral i Kadaresë është se përpiqet ta shtyjë Lulzim Bashnë të bëjë tradhtinë më të shëmtuar zgjedhore, të tradhtojë të gjithë atë elektorat të Tiranës që votoi për të, si asnjëherë tjetër në historinë e zgjedhjve në kryeqytet për një kandidat të PD-së.

Për nxitjen e Bashës drejt një tradhtie të tillë të shëmtuar (që vetë kandidati i mbështetur t’i hedhë me përbuzje në koshin e plehrave votat që u dhanë për të se kështu sugjeruaka “Kadareja i madh”) mund të bëhen plot komente. Por fatmirësisht vetë Lulzim Basha ka shpjeguar menjëherë pozicionin e tij në këtë pikë therëse: “Unë kam vendosur të respketoj të gjitha procedurat normative që parashikon procesi i numërimit të votës në respekt të shtetit ligjor, duke u frymëzuar nga një qëndrim paqsor e qytetar dhe në shërbim të stabilitetit e të paqes sociale. E gjithë filozofia e fushatës sime është mbështetur në dëgjimin dhe dialogun e drejtpërdrejtë me qytetarët. Ndaj sot e kam të pamundur të përmbys zërin e mbi 124 000 qytetarëve, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht planit dhe projektit tim për shndërrimin rrënjësor të kryeqytetit të shqiptarëve, që mjerisht po përjeton një kolaps urban, mjedisor dhe mund të themi ekzistencial. Nuk jam unë që vendos nëse do të bëhem apo jo kryetari i ardhshëm i bashkisë. Ky është vendimi i votuesve dhe unë nuk kam asnjë të drejtë që në asnjë rrethanë të braktis zgjedhjen që ata kanë bërë. Unë besoj se gara dhe demokracia i vlejnë të ardhmes europiane të Shqipërisë. Ndërkohë që dhurimi në tavolinë ose pazaret në favorin tim apo të kundërshtarit dëmtojnë atë. Më mirë një garë deri në votën e fundit sesa një garë e munguar”. Turp për Kadarenë që edhe pas 20 vjetësh qëndrimi në Europë nuk paska kuptuar asgjë nga “abc-ja” e demokracisë dhe e tregon veten aq dështak, sa të ketë nevojë për leksione të tilla! E gjjthë përgjigja e Lulzim Bashës është korrekte, dinjitoze, e shkruar me përgjegjësi e saktësi dhe hedh poshtë “gjestet kalorsiake” të sugjeruara nga Kadareja dhe provokimet e bëra prej këtij që Basha të tradhtojë PD-në, Berishën, por mbi të gjitha zgjedhësit dhe të turpërojë veten për jetë.

Për të turbulluar gjykimin e Bashës e të tjerëve Kadareja ka spekuluar shëmtueshëm me historinë: “Desha t’ju kujtoj se themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemali, më 1912 ka qenë njëkohësisht themeluesi i dorëheqjes, për gjestin e tij madhështor, pas kërkesës së fuqive europaine, u tërhoq nga posti i vet, për të mirën e Shqipërisë. Mendoj se Shqipëria nuk duhet të harrojë këto shenja të mira të qytetërimit të saj. Ajo duhet t’i kultivojë ato, të tregojë se nuk është shtet tribal. Por shtet europian, demokratik, pjesë e familjes së emancipuar të kombeve”. I gjori “shkrimtari madh” që nuk e njeh si duhet historinë, as i punon mirë tashmë arsyeja për të gjykuar si duhet ndodhitë historike. Ai di vetëm të spekulojë, që “mjeranen historike” ta përshkruajë si “madhështoren e sotme pseudopolitike”.

Ismail Qemali ishte mbajtësi i flamurit për shpalljen zyrtare të pavarësisë dhe kryesuesi i qeverisë, por kjo nuk e bënte themeluesin e vetëm të shtetit shqiptar. Këtë shtet e themeluan shumë burra njëkohësisht, para Ismail Qemalit, bashkë me Ismail Qemalin dhe pas tij. Mjaft më me “folklorizma krahinariste” që keqpërdoren dhe për spekulime politike! Ka dhe të tjerë që i dinë punët. E vërteta është se “Shqipëria më 1913-14 nuk pati mundësi të konkretizohej si shtet”- siç ka vënë në dukje dhe tani vonë një profesor universiteti në Itali, Exhidio Ivetiç, në studimin e tij “Luftërat Ballkanike” (2006, botimi shqip 2008, fq. 157). Në atë kohë, që vetë Kadareja e ka emërtuar “Viti i mbrapshtë” (1914), nuk kishte kuptim të flisje për dorëheqje, siç nuk kishte dobi të flisje as për qeverisje. Ismail Qemali ishte dhe mbetet një figurë madhore, më shumë simbolike se pushtetore.

Kur ra qeveria e Vlorës nuk kishte asgjë madhështore, por vetëm një situatë mjerane. Ismail Qemali nuk dha kurrfarë dorëheqje, që mund të shërbejë për paralelizëm me dorëheqjet e sotme, sidomos me “pseudodorëheqjen” që kërkon Ismail Kadareja nga Lulzim Basha. Nëse Kadareja është i mahnitur prej “dorëheqjes së Ismail Qemalit” se paska themeluar institutin politiko-juridik të dorëheqjes në Shqipëri, le të bëjë përqasje me dorëheqjet e Fatos Nanos nga kryetar i Partisë Socialiste dhe nga posti i kryemnistrit, që i hapën rrugën e karrierës Edi Ramës dhe t’i rekomandojë Edit të ndjekë shembullin e paraardhësit të tij në krye të PS-së, në vend që të nanurisë Lulzim Bashën për “dorëheqjen e Ismail Qemalit”.

Por më parë Kadareja të përpiqet të mësojë për vete një rregull të artë se “zgjedhjet janë mënyra më e mirë jo për të ardhur në pushtet, por për t’u larguar me lezet nga pushteti”. Në qoftë se Kadareja vërtetë trembet nga “kolapsi” politik në Shqipëri, le të ndihmojë Edi Ramën të kuptojë se zgjedhjet e sivjetme i japin rastin për ta lënë në mënyrën më të mirë një pushtet që nuk i shkon më në krye të bashkisë së Tiranës. Madje nuk është nevoja as për dorëheqje të Ramës, por të lihet të shkojë normalisht procesi zgjedhor drejt përmbylljes dhe të pranohet rezultati. Kadareja nuk i do të tilla zhvillime, prandaj përpiqet të impresionojë Bashën me “dorëheqjen” e Ismail Qemalit, që s’ishte fare dorëheqje, por një urdhër i 6 fuqive të mëdha që të ndryshonte qeverisja në Shqipëri, siç ka ndodhur edhe me largimin e Berishës nga pushteti më 1997. Është e pahijshme që shkrimtarët tanë të dëgjuar spekulojnë me Ismail Qemalin kur duan t’u kundërvihen politikanëve që nuk u pëlqejnë. Dritëro Agolli në vitin 1997 në një poemë të tij rebeluese ngrinte Ismail Qemalin nga varri që të trembte Sali Berishën. Ismail Kadareja tani i thërret sërish Ismail Qemalit të trembë Lulzim Bashën. Në vitin 1913 Mihal Grameno i thurrte elozhet më të mëdha Esat Pashtë Toptanit për luftën që kishte bërë në mbrojtje të Shkodrës dhe njëkohësisht e kërcënonte se po të mos ulte kryet para Ismail Qemalit do të damkosej si tradhtar. Ismail Kadareja tani, pas gati një shekulli, i bën ca përkëdheli bajate Lulzim Bashës që t’i kërcënohet se do të mbajë gjithë përgjegjësitë historike e politike në qoftë se nuk ul kokën para Edi Ramës.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi