Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vullnet Mato:NJË VAJZË MAGNETIKE

Shko poshtë

Vullnet Mato:NJË VAJZË MAGNETIKE Empty Vullnet Mato:NJË VAJZË MAGNETIKE

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jun 19, 2011 1:00 am

Vullnet Mato:NJË VAJZË MAGNETIKE 262165_1711723484093_1568334934_31228966_6442622_nVullnet Mato:NJË VAJZË MAGNETIKE 211912_1568334934_1371152_n


Vullnet Mato

NJË VAJZË MAGNETIKE

Tregim

Teksa punonte udhëheqës artistik në qendrën kulturore të fëmijëve, Adi po u afrohej të tridhjetave pa e ndjerë aspak ngjitjen në vite dhe pa ndryshime të dukshme në pamjen e tij prej burri simpatik. Nuk ishin as mustaqet e tij të holla, as flokët biond të përdredhur sipër ballit, as shtati elegant i një mashkulli të pjekur që e kishin vënë atë në qendër të vëmendjes se femrave. Por ishin gishtërinjtë e tij të shkathët dhe fizarmonika me tingujt magjik, së cilës i binte si një instrumentist virtuoz i vërtetë.
Përveç punës rutinë për përgatitjen e grupeve artistike te fëmijëve, ai shërbente mbrëmjeve edhe si fizarmonicist në orkestrinën e klubit ndanë shëtitores kryesore në qendër të qytetit. Turmat e shumta të njerëzve që bënin shëtitjen e mbrëmësore, ndaleshin ndanë kangjellave rrethuese të klubit për të dëgjuar meloditë tërheqëse, ose zinin vend në tryezat verore për të pirë dhe ndonjë birrë. Por sidomos vajzave u pëlqente të ndiqnin ritmet e orkestrinës, në ballë të së cilës qëndronte gjithmonë Adi me fizarmonikën rrëzëllitëse në gjoks, duke derdhur pareshtur nga nga gishtat e tij atë flladin melodioz që ngrinte përpjetë zemrat e tyre rinore.
Nga ëmbëlsia e fizarmonikës së tij gazmore, s’kishte si të mos tërhiqej dhe Elda njëzetvjeçare, që kishte ardhur nga Tirana tek e motra banakiere e atij klubi. Ajo kishte mbaruar gjimnazin “Çajupi” të kryeqytetit dhe megjithëse shquhej për zgjuarsi natyrore, nuk arriti mesataren për shkollimin e lartë. Ndaj dhe kishte ardhur t’i ndihte motrës së martuar këtu me një oficer, duke i mbajtur ca kohë dy fëmijët në moshë të njomë. Elda shpesh merrte fëmijët e veshur bukur dhe zinte vend te një nga tryezat përballë podiumit, ku dëgjohej më mirë orkestra. Ajo i shoqëronte me lëvizjen e lehtë të buzëve dhe luhatjen e belit, pothuajse të gjitha meloditë që ndërroheshin njëra pas tjetrës për të vallëzuar çiftet te pista rrethore në mes të tryezave të klubit veror. Por sidomos kur Adi i binte këngës së saj të preferuar nga filmi brazilian “Në moshën e dashurisë” Elda gati sa nuk fluturonte. Asaj i qeshte fytyra dhe krejt trupi vajzëror me llërë të rrumbullta në të dy anët e gjoksit të kërcyer. Qysh në ditët e para të ardhjes së saj këtu, Elda kishte tërhequr zvarrë vështrimet e shumë djemve çapkënë. Por e ndikuar nga mentalitetit përçmues i vajzave kryeqytetase për çunat provincialë, ajo nuk ua varte fare.
Edhe Adit i kishte rënë në sy kjo vajzë e ardhur këtu kohët e fundit, si nga pamja moderne e paraqitjes së saj, ashtu edhe nga gjallëria karakteristike e një femre tiranase, e cila nuk druhet te flasë e veprojë lirshëm në të gjitha mjediset. Por nuk ishte vetëm ajo që interesohej veçanërisht për të. Shumë vajza të reja e të bukura, si arsimtare edhe banore të tjera të qytetit, që e kishin njohur në kontaktet e shpeshta me orkestrën e klubit nëpër mbrëmjet e vallëzimit të shkollave apo qendrave të punës, e adhuronin me përgjërim fizarmonicistin simpatik. Mirëpo ai qëndronte tepër korrekt me të gjitha. Kishte një vendosmëri të ngulitur vetvetiu në karakter, për t’i qëndruar besnik deri në fund gruas së re në moshë, të cilën e pati zgjedhur me dashuri dhe bëri me të dy fëmijë njërin pas tjetrit, sipas parimit “Fëmijët bëhen në rini dhe qejfet në pleqëri”. Në këto rrethana, Adi i shmangej çdo vështrimi provokues e përpirës që i drejtonte ndonjë femër, kushdo të ishte ajo. Por ama, ai nuk dinte mirë, se magnetet e botës femërore ishin me fushë tërheqëse të fuqive dhe intensiteteve krejt të ndryshme. Sepse kishte edhe nga ato femra, të cilave po t’u krijohej në tru një polarizim tepër i fortë magnetik, arrinin një fuqi tërheqëse aq të llahtarshme, sa mund të shkulnin si uragan nga rrënjët e vendosmërisë dhe ta çonin përpjetë në hava, cilindo mashkull rezistues, sado i përbetuar të ishte ai.
Kjo vajzë, e nxitur nga simpatia e madhe për fizarmonicistin e zemrës së saj të polarizuar keqas, pasi e kishte vendosur në qendrën e fushës së saj magnetike, nisi fillimisht ta mbërthente me vështrime gozhduese të pandërprera. Aq sa Adi nuk guxonte të hidhte shikimin drejt tryezave të lokalit, pa ndeshur në sytë e saj ngulmues. Më pas, duke e pasur shtëpinë e së motrës ndanë rrugicës ku ai kalonte për të shkuar në familje kur mbyllej klubi, ajo e priste deri vonë dhe dilte te dritarja e prapme e banjës për t’i thënë nga lart:
- Natën e mirë Adi dhe gjumë të ëmbël!
Atij i bënte përshtypje se si kajo vajzë e re në moshë, rezistonte çdo natë pa gjumë deri në orën njëmbëdhjetë e gjysmë, apo deri në mesnatë nganjëherë, kur ai kishte mbrëmje vallëzimi. Madje edhe habitej, se si ajo s'kishte marrë vesh që ishte me grua të re dhe me dy fëmijë, në këtë qytet të vogël, ku njerëzit dinin për njeri-tjetrin edhe ç’kishte secili në zorrët e barkut. Ku vajzat pyesnin për çdo gjë dhe dinin gjithçka rreth djemve. Po mirë thonë se dashuria e rrëmbyer nuk pyet për asgjë tjetër, kur e godasin tam-tamet ritmike të zemrës.
Ky urim i saj i përnatshëm, e bëri Adin t’i përgjigjet më së fundi një natë:
- Të ëmbël e bëfsh gjumin edhe ti moj vajzë !...
Elda fluturoi nga gëzimi e gati sa nuk u hodh nga dritarja në rrugë. Pas kësaj, natën tjetër vonë, ajo i doli fshehtas në pritë prapa pallatit, ndërkohë që e motra me fëmijët kishin rënë të flinin.
-Të lutem, Adi, ndalo pesë minuta, - iu lut ajo befas duke dalë nga hija hënore e pallatit.
-Urdhëro, moj vajzë, si e ke hallin? - e pyeti ai krejt ftohtë.
-Hallin tim mos e paste njeri!- ia ktheu ajo, duke i zgjatur dorën vogëlane dhe duke ia shtrënguar dridhshëm, sa atij i bëri përshtypje ky temperament aq i zjarrtë.
-Pse, ç’fare ke ti ?- bëri sikur nuk kuptonte gjë Adi.
-Nëse do vdes një ditë nga mospërfillja jote, dije se më ka marrë në qafë vetëm për dy fjalë të mira!...
- Ç’farë do ti, të të them unë, që të shpëtosh nga ky paragjykim?
-Të më thuash se më do, sa një fije nga ata flokët e verdhë te balli...
-Po si të ta them këtë, kur kam gruan që e dua shumë dhe dy fëmijët e mi?...
-Ata t’i duash me gjithë zemrën dhe me gjithë shpirtin tënd, kurse mua vetëm me një fije floku! - ngulmoi Elda.
Adi qeshi me një tingëllimë gazi të lehtë. Sakaq ajo mori zemër dhe iu hodh në qafë, e puthi fort në buzë me një afsh dridhmëtar të nxehtë e të guximshëm, të një temperamenti të atillë, që ai nuk e kishte provuar as në çastet e para të dashurisë së tij me gruan shumë të druajtur në atë kohë.
-Ja, - i tha Adi duke u shkëputur lehtësisht, - e more më në fund dhe atë që të duhej për të mbetur gjallë...
-Faleminderit, se më lehtësove shumë e më qetësove shpirtin, për të mos menduar përsëri se ti nuk më përfill...Sonte do fle e qetë siç nuk kam fjetur asnjëherë në jetën time...Do fle edhe për ato net që të kam pritur deri vonë...
Ajo iu hodh në qafë edhe një herë me një puthje tjetër të zjarrtë dhe pastaj i tha e kënaqur:
- Tani shko se të flihet dhe ndoshta të pret gruaja me fëmijët !
Adi tundi kryet me habi dhe duke i thënë edhe ai vetëm “Natën e mirë!” vijoi rrugën. Por ndjeu se përbrenda zemrës së tij të akulluar për femrat e tjera, diçka ishte zbutur. Rrezatimet e përsëritura shpesh të zemrës së kësaj vajze, ashtu si rrezet Lazer kishin filluar të bënin shkriftimin e ngrirjes së tij prej vitesh, për të mos i qëndruar gruas aq besnik sa kishte menduar.
Të nesërmen afër mesnatës, Elda doli sërish nga hija pas pallatit dhe iu lut të shmangeshin paksa nga rruga ku mund të binin në sy. Pastaj e tërhoqi me dorën e saj të vogël për te hija tjetër nën dritaret e kinemasë dimërore të qytetit aty pranë, e cila në atë kohë verore pushonte në errësirë të plotë. Aty iu hodh sërish në qafë, në fragmente sekondash, sa ai nuk arriti të kundërshtojë, sepse ajo e mbyti me të puthura, duke ia ngacmuar tmerrësisht ndjesitë mashkullore. Tashmë ai ishte zbutur e bërë aq i bindur, sa do ta kishte zili çdo bareshe për manarin e saj.
Ndryshe nga herët e tjera, Adi ia ktheu puthjet me afsh burrëror të përvëluar dhe ndjeu një eksitim të paparë ndonjëherë nga ai gjoksi i saj i kërcyer, që luhatej ngjitur me gjoksin e tij si të ishte gajde magjike. Atëherë, duke kërkuar vend për të shfryrë atë duf të papërmbajtur, ai vuri re se njëra nga dritaret e kinemasë e kishte xhamin të thyer. Me guximin se operatorin e kinemasë e kishte shok, zgjati dorën dhe rrotulloi dorezën e brendshme. Dritarja u hap! Ai u ngjit i pari në sallë dhe pastaj e tërhoqi Eldn lart pa vështirësi. Aty mes karrigeve, të ngjitur fort me njëri-tjetrin, ata filluan të puthen e të shtrëngohen me një duf të papërmbajtur. Më tej kuptohet edhe fundi i këtij cikli përvëlues që kërkonte patjetër aktin sublim të shuarjes së përbashkët.
Dolën pas mesnate me frymëmarrje të lehtësuar dhe u ndanë me një puthje të fundit prapa pallatit dykatësh, kur edhe hëna kishte perënduar.
Kur Adi shkoi në shtëpi dhe u shtri në shtratin dopjo aq lehtë, sa për të mos e zgjuar të shoqen, ajo priste e zgjuar dhe u kthye drejt tij, me një vështrim psherëtitës, sikur një shenjtor i fshehtë t’i kishte treguar ku kishte qenë ai deri në ato çaste. Apo nga era që binte trupi i tij, ajo kishte nuhatur afrimin e një femre tjetër në pronat e saj të ligjshme. Adi u vra keqas në ndërgjegjen e rënduar nga tradhtia dhe nga detyrimi që nuk kishte qenë i gatshëm për të prej disa netësh. Atëherë u vu në funksion të mundimshëm t’i plotësojë edhe asaj detyrimin e vet mashkullor. Por me fuqi të drobitur dhe me temperaturë nën gradacionin e zakonshëm, të njohura mirë nga gruaja gjatë martesës prej shtatë vjetësh. Ajo nuk reagoi fare, sikur ai të kishte kryer marrëdhënie me një njeri pa frymë.
Por si çdo mashkull që këto gjëra i përcjell shpejt drejt harrimit edhe Adi nuk i kushtoi rëndësi ngjarjes së shtëpisë. Të nesërmen ai i tregoi mikut të vet, operatorit të kinemasë për aventurën e mesnatës përmes xhamit të thyer. Ky, jo vetëm që e quajti asgjë merakun e tij, por dhe deshi t’i japë çelësin e derës për net të tjera. Adi e quante të tepërt këtë lehtësi, përderisa xhami i thyer e kryente fare mirë nevojën e tij. Atëherë operatori i tregoi se mund të shkonte në fund të sallës, pas perdes ku ndodheshin disa perde te vjetra te palosura, të cilat mund t’i shërbenin si shtrat, për të mos u sakatuar mes karrigeve.
Në mesnatën tjetër Adi e zhveshi plotësisht nga puplat zogëzën e tij ëmbëloshe dhe pasi soditi pak çaste trupin e saj si skulpturë e gjallë, mendoi: Femra është një frut i madh me lëvozhgë të butë. Duhet ta zhveshësh për të parë e ndjerë shijen e vërtetë të thelpinjve të saj të bardhë. Ai filloi nga këmbët e mbushura me tul të ngrohtë dhe deri te gjoksi pjepëror i bardhë, të shijojë si asnjëherë tjetër temperamentin avullues të asaj vajze marramendëse, që ia tërboi të gjitha ndjesitë epshore me rënkimet si në jerm. Dhe gati si i marrosur nga epshi për të, tha me vete, oh, ç’paska bërë zoti ! Tani po bindem, se unë u nxitova me zgjedhjen e frutit tim. Nëse do të pranonte kjo krijesë mahnitëse, unë mund ta marr këtë frut të mrekullueshëm, të jetoj në një qytet tjetër, të punoj në një orkestër tjetër.
-Shijen tënde nuk besoj ta ketë femër tjetër në botë! - i tha ai pas pak.
- Vërtetë? - ia bëri ajo kënaqësisht dhe me zgjuarsinë e saj natyrale mendoi në mënyrë krejt telepatike: Eh, more bukuroshi im, ne femrat jemi e njëjta gjellë dhe nga e njëjta tenxhere, ndryshon vetëm mënyra se si u serviremi juve meshkujve. Por u dukemi ndryshe, vetëm sepse duke na ndërruar, u rritet oreksi. Kurse gjella që shijojmë ne nga ju burrat, ndryshon vërtetë si nga forma edhe nga dimensioni e kohëzgjatje në ngrënie... Dhe befas ajo solli ndërmend, se në dashuritë e para me bashkëmoshatarët shkollarë, nuk kishte shijuar asnjëherë një burrë të vërtetë.
Pas disa takimeve me këtë intensitet epshndjellës mes tyre, Adi e bëri zakon ta thërriste çdo mesnatë kur i afrohej pallatit të saj nga larg, duke fërshëllyer melodinë nga filmi” Në moshën e dashurisë” që i asaj pëlqente shumë. Skena e kinemasë ishte bërë foleja e tyre e fshehtë për të gjitha netët parajsore. Kurse gruaja e tij priste vetëm brymën e ftohte të netëve të vona që i shpinte ai në shtrat.
Por pikërisht kur Adi ndodhej në një gjendje krejt i magjepsur prej saj dhe po mendonte të merrte vendime të rëndësishme për jetën e tij, ndodhi edhe çudia. Elda, si gjitha femrat e zgjuara, që kanë në trurin e tyre një barometër organik tepër të ndjeshëm, me të cilin kapin edhe luhatjet më të imta në atmosferën psikologjike të meshkujve, krejt papritur i tha në takimin e fundit tek po ndaheshin nën hijen e pallatit:
- Të dua shumë Adi, prandaj po të them, duke të folur nga ana e së mirës tënde, se unë nuk kam shpirt katil si ca femra të tjera, t’i marr burrin gruas tjetër dhe t’u mohoj babanë fëmijëve. Mora ç’desha shumë nga ti dhe po ashtu të dhashë ty ç’farë të pëlqeu tek unë. Deri këtu për mua ishte një pasion. Më tej mund të bëhet krim. E shoh të pamundur të vazhdoj, pa hyrë në gjynah me familjen tënde. Prandaj nesër do të iki në Tiranë për fare, të të harroj dhe të lutem të më harrosh edhe ti mua!...
Ajo e puthi vrullshëm për herë të fundit dhe vrapoi për në shtëpinë e përgjumur të së motrës. Adi mbeti si i ngrirë nën hijen e pallatit dykatësh, ndërkohë që hëna po perëndonte sërish prapa malit.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi