Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Nga RAMIZ KELMENDI:KUR NJË GRUA ME KARRIERË FLET PËR GRA ME KARRIERË

Shko poshtë

Nga RAMIZ KELMENDI:KUR NJË GRUA ME KARRIERË FLET PËR GRA ME KARRIERË Empty Nga RAMIZ KELMENDI:KUR NJË GRUA ME KARRIERË FLET PËR GRA ME KARRIERË

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jun 23, 2011 9:01 pm

Derguar per "Sofra poetike"

Nga RAMIZ KELMENDI:KUR NJË GRUA ME KARRIERË FLET PËR GRA ME KARRIERË 261449_219668041400406_100000716346990_707445_5083163_n

KUR NJË GRUA ME KARRIERË FLET PËR GRA ME KARRIERË

Nga RAMIZ KELMENDI

Pas librit monumental “Histori të tmerrit 1998 -1999”, sa trishtues, lemeritës, pothuajse të paparë, po aq edhe brilant, mbase unikal në llojin dhe sojin e vet, një dosje krimesh të luftës me rrëfime rrëqethëse të grave shkruar nga emblema e gazetarisë femërore ndër ne, gazetares veterane, publicistes, editores, themelueses së dy revistave prestigjoze për femra dhe luftëtares së paepur për emancipimin e gruas, zonjës Sanije Gashi, pata thenë: shkurt – u tmerrova! Tash, tek na vjen me një libër të ri, një surprizë gjithandej shumë të rrallë, të titulluar “Ecje nëpër kujtesë”, me tregime jete të grave me karrierë, që në nismë të këtyre përshtypjeve të mia, pas leximit të dorëshkrimit, s’kam sesi të mos them, po ashtu shkurt – u krenova!
Gjen në këtë libër 27 perla me jetëshkrime, bashkëbisedime, rrëfime dhe përjetime të 27 grave shqiptare me karrierë, që një tjetër grua, edhe kjo sishoqe e tyre me karrierë, Sanije Gashi, na vë në sofër t’i lexojmë, t’i njohim, t’i kujtojmë dhe t’i çmojmë. Një lloj memoaresh sui generis.
Ç’kërshëri më gllabëroi dhe pllakosi dorëshkrimi më i ri i Sanije Gashit “Ecje nëpër kujtesë” me tregime jete të grave me karrierë, mbase e dëshmon kjo një si, ta quaj, “blasfemi” imja: po lexoja, gjithandej, romanin më të ri, “Aksidenti”, të shkrimtarit Ismail Kadare dhe kisha arritur në faqen 202, teksa më kishin mbetur vetëm edhe 70 faqe për t’i dalë në fund, thashë: pale t’ia hedh një sy, fluturimthi, dorëshkrimit që më dha Sanija për të parë se ç’emra të njohura femrash shqiptare ka zgjedhur.
Saora më zgjoi kërshërinë dhe zura të lexoja më të parën, poeteshën Adelina Mamaqi, së cilës ia kisha botuar vëllimin me poezi të një femre shqiptare – “Ëndrra dashurie” - mbi 50 vjet më parë, dhe – do ti – nuk e flaka derisa i dola në fund me të 276 faqet – pa e vijuar “Aksidentin”!
Patologjikisht i etur, prej shumë e shumë vjetësh, për të pasur edhe emra femrash shqiptare të arrira, sidomos në letra, poetesha të paktën, pale pastaj prozatore a, “qoftë larg”, romanciere (!), se më gazetare, botuese, aktore, piktore, kompozitore a, ruajna Zot, politikane (!!), unë – që në vitin aq të largët, 1969, pra këtu e mbi 40 vjet më parë, botova librin “Femrat shkruajnë”, krijime të femrave shqiptare me vargje, tregime, dramë dhe pikturë. Mezi mblodha disa, kryesisht fillestare, duke nisur nga Adelina Mamaqi, më e para, Klara Kodra, Natasha Lako e ndonjë tjetër nga Shqipëria dhe Ganimete Nura, Sevdije Boshnjaku e Nusrete Vula nga Kosova – me vargje. Pastaj Elena Kadare, Eglantina Mandia, Dhurata Xoxe, Ollga Pipa e ndonjë tjetër nga Shqipëria dhe Flora Mullaymeri, Melihate Hasani e Sadete Vigani nga Kosova – me tregime. Dhe, së fundi, Mimika Luca me pjesën e parë të dramës “Drita”.
Pa hyrë ende në thelb të kësaj parathënieje, seç m’u imponua edhe një koinçidencë. Sapo lexova dorëshkrimin e librit të Sanije Gashit, aty për atu m’u kujtua se prej disa javësh po më priste “radhën” për lexim edhe libri më i ri voluminoz i Blendi Fevziut “Jeta ime…” me mbi 500 faqe! Për kërshëri, ndër ato 23 intervista të tij me personalitetet më të njohura shqiptare në emisionin e tij “Opinion”, duke nisur nga Ismail Kadareja, Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano, Edi Rama, Afred Moisiu, Fadil Hoxha, Hashim Thaçi, Ilir Meta, Leka Zogu, etj, e duke vijuar me Dritëro Agollin, Rexhep Qosjen, Sabri Godon etj., gjeta jo më shumë se v e t ë m TRI – femra: Mbretëreshën Geraldinë, Liri Belishovën dhe Hana Këlcyrën!
Ja që, në librin e Sanije Gashit, kryekreje e deri në fund me femra shqiptare karriere, gjithsej 27 dhe – sipas idesë nismëtare - që të gjitha t ë g j a l l a, ndërkohë që, deri në këtë çast që po shkruaj këta rreshta, kanë vdekur: Mbretëresha Geraldina, Hyrie Hana, Melihate Ajeti, Nermin Vlora Falaski, Luçie Miloti dhe Myzafere Hatipi, do thenë se një vëllim i dytë i këtij libri të Sanije Gashit, që pres edhe ta shkruajë e botojë, do të përfshinte jo më pak se edhe po kaq – në mos edhe më shumë – emra femrash të tjera më se të njohura dhe me karrierë për lavd e për lakmi – si për shembull: Elvira Dones, tashmë me disa romane, madje jo pak edhe në gjuhë të huaja, përkrah romanciereve Flutura Açka, Mira Meksi, Ornela Vorpsi, Klara Buda, Lindita Arapi, Drenushe Zajmi etj.; linguisteve të shquara Ledi Shamku-Shkreli dhe Kristina Jorgaqi; poeteshave Luljeta Lleshanaku, Teuta Arifi, Blerina Rogova Gaxha, Flora Brovina, Lindita Arapi etj.; aktores së pavdekshme Katarina Josipi dhe Edi Luarasi; piktoreve Zake Prelvukaj e Miradije Ramiqi; gazetareve të medieve ndërkombëtare Mimoza Cika–Kelmendi, Klara Buda etj.; kolumnistes dhe luftëtares për të drejtat e njeriut Elsa Ballauri, etj.etj.
Edhe pse të renditura sipas rendit alfabetik, duke nisur nga Adelina Mamaqi e duke përfunduar me Vaçe Zelën, tregimet, rrëfimet dhe bashkëbisedimet e Sanije Gashit janë, më njëfarë mënyre, perla të çmuara të publicistikës sonë me disa nga gratë më të njohura shqiptare të, tashmë, dy shteteve tona – të burrave!
Si veterane e gazetarisë ndër ne, Sanije Gashit ka të ngjarë se as i ka vajtur mendja fare, se pikërisht në shtator të vitit 2001, kur bisedoi në Tiranë me bashkëshorten e shkrimtarit Petro Marko, piktoren Safo Marko, se me këtë intervistë do t’i hidhej fara librit kaq të rrallë që sot kemi në dorë. Vetëm ndonjë muaj më pas, në prill të vitit 2002, bisedoi me Nermin Vlora Falaskin në Vlorë, paksa më vonë, në gusht të po atij viti, me Vahide Hoxhën në Prishtinë dhe, së fundi, në tetor, me Nënën Mbretëreshë Geraldinë.
E infektuar dhe injektuar me pritjen e mirë që iu bë nga lexuesit e lexueset këtyre tri bashkëbisedave a tregimeve me tri nga femrat më në zë të asaj kohe, Sanije Gashi, sakaq, nuk ndaloi vetëm tek ato. Do të vijojë të na njohë, një vit pas, edhe me Sehadete Mekulin, me Vaçe Zelën dhe me të bijën e Bajram Currit, Hajrijen. Më 2004 flet dhe shkruan e përshkruan jetën e Besa Imamit, Luçie Milotit dhe Melihate Ajetit. Më 2005 pi kafen me Adelina Mamaqin, Anida Taken, Drita Agollin dhe Drita Pelinkun. Për të vijuar më tej me Helena Kadarenë, Margarita Xhepën, Tinka Kurtin, Kozeta Mamaqin, Myzafere Hatipin, Naxhije Devën, Nexhmije Pagarushën, Eglantina Mandian, Marien, të bijën e Lasgush Poradecit e Liri Berishën, bashkëshorten e Sali Berishës dhe për ta mbyllur me Hyrie Hanën dhe, më së fundi, në prill të këtij viti, 2010, me Leze Qenën.
Në librin “Ecje nëpër kohë”, Sanije Gashi - më shumë me afinitet sesa me afeksion, më shumë me piketime sesa me sugjerime, më shumë me shije sesa me hije - ka zgjedhur ato më të arrirat, më të njohurat dhe më të popullarizuarat gra shqiptare me karrierë, që arritën të krijojnë aureola fame në opinion dhe bënë emër shumë të çmuar e të nderuar. Zgjodhi, prandaj, mbretëreshën Geraldinë të Ahmet Zogut, bashkëshorten Liri Berisha të Sali Berishës, të bijën e Bajram Currit Hajrien, guan e Ismail Kadaresë Helenën, bijën e Lasgush Poradecit Marien, gruan e Petro Markos Safon, stërmbesën e Ismail Qemalit Nermin Vlorën, gruan e Esad Mekulit Sehadeten, etj.
Përkah profesioni i tyre parësor, gratë e përzgjedhura nga Sanije Gashi janë, para gjithë të tjerash, aktore teatri dhe filmi, pastaj shkrimtare, pedagoge universiteti, këngëtare, studiuese, mjeke, dramaturge, gazetare etj.
Pale se me ç’paragjykim, fare-fare të patemel, lexuesi i thjeshtë, e në veçanti pothuajse çdo e dyta grua, ka mundësi jo vetëm të mburret, të krenohet, të rrahë gjoks e madje-madje edhe t’u ketë lakmi – nga më e para tek më e fundit – që të gjitha të 27 grave të përzgjedhura të Sanije Gashit. Po ama, po të dëgjosh rrëfimet dhe përjetimet e tyre jo pak të njohura, po edhe më shumë ato të panjohurat, jo vetëm të rëndojnë e të lëndojnë, jo vetëm të godasin në shpirt dhe të davarisin iluzionet, jo vetëm i ndjek dhe i përjeton me ankth, por edhe ndjen dhimbje e keqardhje, tmerr dhe lemeri teksa, pothuajse, as e ke besuar dhe as të ka vajtur në mend të kenë hequr të zezat e ullirit, të jenë përndjekur e persekutuar, të jenë shpërfillur e larguar nga puna, të jenë survejuar, syrgjunosur e burgosur, internuar e damkosur, të kënë ikur nga atdheu dhe të kenë vijuar të gjallojnë në shtete të huaja plot e përplot me vrragë, më të shumtën në Itali, etj.,etj.
Ndër 27 “protagonistet” femra të Sanije Gashit në këtë libër, ka pafate e fatkeqësi, më shumë zezona se lumturi, më shumë hidhërime se gëzime, po asgjëmangut edhe përjetime dhe të dhëna krejtësisht të panjohura edhe për ata më të informuarit. Në mënyrë të veçantë zgjojnë kërshëri të madhe lidhjet e tyre shpirtërore dhe jo vetëm – me Kosovën. Pothuajse tek çdo e dyta, në mos tek secila syresh, ka fërkime të thella, intime, me shumë dashuri, ose me lindje, ose me njohje, ose me vizita, ose me koncerte, ose me shfaqje teatrale e miqësi me Kosovën dhe kosovarët.
Adelina Mamaqi ka mbresa të paharruara nga dy vizitat që i bëri Kosovës. Hajria, e bija e Bajram Currit, thotë: “O Zot, si e do kosovari vendin e vet, s’e do kush në botë!”. Përkrah porosisë: “Shqiptari shqiptarin të mos e ngacmojë!”. Anida Take, e cila priti me ankth plot 50 vjet të vijë një herë në Kosovë. Aktorja e madhe gjakovare, Besa Imami, që “vdes” për Kosovën. Lirije Berisha, e shoqja e kryeministrit të Shqipërisë, e cila vashdimisht e thekson të jetë bijë kosovari, tek flet me shumë dashuri për Kosovën dhe kosovarët. Veterenja e teatrit dhe filmit Liza Vorfi, bijë e arsimtarit të gjuhës shqipe në Gjakovë, që thotë: “Më mbetet merak si nuk e luajta nënën kosovare!” Luçie Miloti, “Lauresha e Shkodrës”: “Eh, për Kosovën kam shumë kujtime të mira”, më 1972, kur njihet me Nexhmijen dhe Qamilin e Vogël. Bija e poetit të madh Lasgush Poradeci, Maria, thotë: “Babi dhe mami nuk kanë qenë në Kosovë, por për ta atdhe ishte Kosova”. Dhe, sakaq, citon babanë të ketë thenë shumë shpesh: “Do të vijë një kohë dhe do të themi: Mos e pifshim këtë gotë po nuk u bashkuam me Kosovën!”. Nëna Mbretëreshë Geraldina, që gjithmonë pati qejf të dinte si shkojnë punët në Kosovë, deklaroi: “Unë e kam në zemër Kosovën”. Safo Marko tregon sesi Petro Marko i deshi shumë kosovarët. Ëndrra e tij ishte: Një rrugë në Kosovë!”. Vaçe Zela, “ikona e shenjtë e këngës shqiptare” u shpreh: “Në Kosovë përjetova emocione të papërjetuara”, etj. etj.
Në jetën e tyre intime, familjare dhe shoqërore, herë më të shkurtër e herë më të gjatë, ka, po, edhe zhgënjime edhe dëshpërime Ka që – të zhgënjyera me martesën – kanë jetuar si mos më keq. Ka, por, si Hyrie Hana, fjala vjen, që tërë jetën e pati ferr, më shumë në burg se në teatër. Njësoj a edhe më zi e “jetoi” jetën edhe Kozeta Mamaqi, e cila bëri “një jetë ndryshe”.
Ka në librin “Ecje nëpër kujtesë” të Sanije Gashit jo pak edhe “ecje” të këtyre grave fare të panjohura dhe asgjëmangut të papritura. Për shembull: se kulla e Sali Berishës nuk qenka as 20 minuta larg Gjakovës; se origjina e së shoqes qenka kosovare; se aktorja veterane e teatrit e filmit, Liza Vorfi, gjakovare me nënë prizrenase, është shkolluar për kanto dhe balet në Romë dhe Pesaro të Italisë; se aktorja e famshme e teatrit dhe filmit, Margarita Xhepa, ka realizuar, brend një gjysmë shekulli, 152 role në teatër dhe 31 në film dhe se është njëra ndër 5000 gratë e botës; se e shoqja e Lasgushit ishte myslimane; se Ismail Qemali e ka pasur gruan greke; se dama e parë e Teatrit kombëtar, Melihate Ajeti, është rritur në jetimore të Prizrenit e të Pejës; se “Erveheja”e saj nuk është hequr 13 vjet nga repertori; se aktorja, lektorja dhe regjisorja e teatrit, Naxhije Deva, ka qenë – e vetmja ndër shoqe! - magjistre e filologjisë; se dëshira më e madhe e Mbretëreshës Geraldinë ka qenë të vdesë në Shqipëri; se gjyshja e Nermin VloraFalaskit, bija e Ismail Qemalit, ka vdekur nga uria në vitin 1952; se gruaja e parë e Ismail Qemalit ka qenë korçare dhe ka vdekur duke lindur fëmijën e pastaj është martuar me greken Kleoniqi; se Nexhmije Pagarusha këndoi plot 35 vjet; se Dr. Sehadete Mekuli ka mbushur 82 vjet jetë; se aktorja shkodrane Tinka Kurti shpallet “Gruaja e vitit 1996” nga Instituti Biografik Amerikan, se babai me nënën e saj janë njohur në Cetinë të Malit të Zi dhe se e ëma ka qenë hungareze, kurse i ati vuan gati 20 vjet burg në Goli Otok dhe Mitrovicë të Sremit, e madje dënohet edhe me vdekje; se babai i Vahide Hoxhës, bashkëshortes së Fadil Hoxhës, Xhemal Kabashi, ka lindur në Prishtinë dhe është shkolluar në Selanik e Stamboll; se “mbretëresha e këngës popullore dhe të lehtë”, një “Uragan i kalibrit evropian” dhe bilbil i këngës myzeqare, Vaçe Zela, e cila prej disa vjetësh jeton në Bazel të Zvicrës, pos dhjeta çmimeve më të larta kombëtare e ndërkombëtare, u laureua me çmimin “Nderi i Kombit”, etj. etj.
Autorja e librit, me ç’shihet, na jep të gjalla rrëfimet e 27 grave shqiptare me karrierë, që jo rrallë nuk kanë gëzuar jetë e përjetime për t’u lakmuar. E veçanta, prandaj, dhe mbase më e papritura dhe më e pakëndshmja e këtyre intervistave dhe bashkëbisedimeve janë zezonat, të cilat pjesa më e madhe e grave nga Shqipëria, po asgjëmangut edhe nga Kosova, kanë përjetuar në vitet e totalitarizmit dhe të sistemit komunist. Janë copëza historish individuale, dëshmi të rralla dhe të gjalla autentike, momente kyçe, kryesisht të pamira, të hidhura dhe here-herë edhe tragjike e përplot travaje. Dëshmi këto të dhëna dhe të thëna në veten e parë, secila më kurioze se tjetra, që lexohen me një frymë.
Shkurt fjala, libri “Ecje nëpër kujtesë” me tregime jete të grave me karrierë, shkruar nga një grua me karrierë, që quhet Sanije Gashi, është një libër-surprizë dhe diç e përveçme, e veçantë, në sojin dhe llojin e vet, jo vetëm këtej, por edhe matanë – “Gardhit”.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi