Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ftillim Pamjesh - cikël poetik nga Flurans Ilia

Shko poshtë

Ftillim Pamjesh - cikël poetik nga Flurans Ilia Empty Ftillim Pamjesh - cikël poetik nga Flurans Ilia

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jul 04, 2011 8:40 pm

Ftillim Pamjesh - cikël poetik nga Flurans Ilia 196569_1881936089530_1275151956_2226740_5624117_n
Ftillim Pamjesh - cikël poetik nga Flurans Ilia

FTILLIM PAMJESH
(Në vendin e hyrjes)

Nervi si kalë i zbutur
kokëvarur
përtyp trupin e poetit
si gjembin e një trëndafili
që nuk mund të jenë ndryshe
(Nga ajo që është)


GËNJESHTRAT E BOTËS

të gjitha gënjeshtrat e botës
i hodha përtej zjarreve
dhe zjarreve vetë mbeta
i djegur nga e vërteta


INSTINKT I TË SHKRUARIT

i shtrirë mbi dyshemenë
e yllit më të afërt sytë drejt
çastit dritësohen në sy
ndërsa çelin të parat sythe të pritshmërisë

unë flatroj mbi ‘to i etur
për një jetë më të mirë
i pangopur nga pjalmi i botës
pikon mjaltë nga njëri yll në tjetrin
pikë-pikë, proces zinxhir, sy ndër sy
si rruaza diamanti të cilat
Nëna ime
nuk i kishte imagjinuar kurrë

dhe kur jeta belbëzon
në gojën e një fëmije
prej të thellave hone
të pavetëdijes
ravijëzohen në dritë
pasione të fshehta
si sorkadhe këmbëlehta
që brirët përplasin
plot zhurmë e potere
në prag të vetëdijes
dy hapa pas dere

1991


TALENTI

talenti
pëlcet
në ajër
flluskë sapuni
lojë e çuditshme
për fëmijë
që të ngelet
ndër duar
mund të jetë
talenti

idetë
ngjiten
si flutura
pas dritës
së një llambe
aty
në fluturim-e-sipër
mundet edhe të
vdesin

idetë
dhe
talenti
janë dy duart
e një poçari
që shpirtin
e vet
edhe në një
copë
baltë
e shndërron


PËRGJUES I VETVETES

Përgjoj në vetvete
Çastet krejt të dhimbshme
Të kthimit në përgjues.
Mijëra drurë të prerë
Si të vrarët pa gjyq
Që dora e Plotshmënisë mbolli
Mbi tokë për kaq vjet
Dhe Mëma Natyrë në Mitër
I mbajti përjetë.

Përgjoj vetveten
Këtë qenie egoiste.
Përgjoj rënien e ngadaltë
Të gjethes gjer mbi tokë
Ku më mbas inorganikisht
Do të ushqejë pemën
E mbas saj lëmyshqet
E gojës prej ku rrjedh
Fjala
Krejt e vetme
Përmes vetvetes
Këndej do të kalojë
Duke përgjuar gurgullimën
E Kohës
Fjalëve të tjera
Pyllit të trishtë
Të zhveshur lakuriq
Si marrëzia jote njeri
Ndërsa drurët pret.

1992


ÇASTET PA VLERË

Cigaret xixëllojnë
në mbrëmje
Peshqit e kuq flenë
nëpër akuariume
Pikturat moderne
i bëjnë më misterioze muret
nën ndikimin e abazhurëve

Kalimi i kohës më të mundimshme -
Çastet pa vlerë
Ditët e mia të arratisura
Heshtin
Përpara një vitrine
Me një cigare
Të shuar në buzë

1992


KURORËZIM

Kjo lule qëndronte
Në një vazo
E cila mbahej
Në tri këmbë.
Kërcelli i lules
Lëshoi tri degë.
Tri degët u varrën
Drejt tri këmbëve.
Të gjashta së bashku
U kurorëzuan nën një poezi.
Qëndronin të lumtura
Mes qiellit dhe tokës
Bënin dashuri

1992



ATË PRAG DIMRI

Korbat janë diçka
Krejt e pështirë
Por ata tmerrësisht
Jetojnë shumë gjatë.
Kollotumbat e zgërdhima
Të një klouni në tribunë
Ma shtojnë më tepër
Mërzinë
Dhe tmerri i vërtetë
Fillon atëherë kur
Flasim për politikë
Dhe e harrojmë poezinë.
Megjithatë
Ngecja e papritur
E qengjit nën një ferrë
Tregon se në shpirt
Ka ngelur diçka me vlerë,
Larg pijeve me ngjyra
Dhe çokollatave
Që piktorja futuriste
(nënë e një vajze në të njëjtën
moshë, si unë)
Më qeraste atë prag dimri
Kur isha shtatëmbëdhjetë vjeç
Nën këtë qytet rrënojë,
Vetëm e vetëm
Që të ma merrte njëherë
Në gojë.

1991


NDARJA

Ndarja –
qiell pa zogj.
Ndarja –
ankth i pritjes
ç’do të ndodhë më pas.
Ndarja –
ligj i një natyre
mbi truall të ngurtësuar
ku çast pas çasti
pikojnë
si objekte vrastare
fatet tona.
Ndarja –
thatësirë marramendëse
në qiellin e shpirtrave
ku retë e stërmunduara
rreken të sjellin shiun
-mbas tij
lumenj të fryrë
në damarë të jetës
shpërthejnë me shkulm
-ara të gjelbëruara
në tipare të natyrës
nur fisnik pas dashurisë
mbi qerpik
-hala pishash, vertikalisht
ngulur në të butin myshk,
mbulesat dimërore të jetës
në këngët pa fund.
Ekzistenca e qenies-
në unitet
të më së madhes ndarje-
Një grimcës fare e vogël
përballë ndarjes së madhe.

1992


KALIMTHI NË VENECIA

Venecia i përket mëngjesit të ditës
Shtrydhur në një filxhan kafe
Një grua plakë (si lëvozhgë are)
Shkallareve të gurta ngjitet si vajzë e re
Dielli kullon mureve të katedraleve
Një mama fëmijën e vet qorton
Dita sheshin e Shën Markut kërkon

Venecia e pasdites së kësaj dite
Urinon ujërave të kripur të kanaleve të saj
Zbresin dhe ngjiten mbi ujë
Katedralja me murin e gurtë,
Një plakë, një mama, një fëmijë,
Një ditë e plotë (në Venecia)
Tek Shën Marku (me një kafe ndër duar)
Një gondola mund të përngjajë si poezi
Por unë kalimtar jam këtu,
duke vëzhguar


NË JUG

Duke pirë diellin
në zemrën e një portokalli
muzgu i botës nga pika e fundit
e agrumeve në Vlorë zbret mbi breg
ndërsa deti pëshpërit fjalë paqeje
dashurie ndër veshët e ullinjve
mbi rërën e butë këmbëzbathur
një shishe verë kam hapur
balsam i bekuar përjetë
Një zjarr e kam ndezur
dhe jam si ai peshku
Në jug,
i kapur në rrjetë


KËTË NATË DUA TA PI DETIN

Këtë natë dua ta pijë detin
Dhe furtunën ta kem me vete
Shuajini dritat engjëj qullavecër
Me krahët e lagur nga shiu dhe stuhia
Gardianë të heshtur
Ju nuk jeni të zotë për të tilla çudira.
Këtë natë dua ta pijë detin
Të gjithë, me fund
Dhe furtunën ta kem me vete
Zjarre dashurie të më shoqërojnë
Nga bregu në breg, ku fanarë nuk ka
Ku i lodhur përmes gjethnajës së vjeshtës
Leshrat e flokëve të mi t'i mbledh
Litarë anijesh në udhëtim, dhe vargje
Të thur me to, gjer në agim
Për trupin tim, për shpirtin tim,
Gjersa etja për të pirë detin
Të më jetë shuar, të tretet,
Si furtuna që shkoi, pa kthim.


ME MAÇOKUN TËND TË ZI

tenxhere e vjetër mbi zjarr
vlon forma artistike e mendimit
në një tas me vaj ulliri
natyra paqësisht ndërthuret
me aromë ulliri qepë limon
në buzën e kupës së zbrazët gjurmët
(gjurmë) vera e kuqe ka lënë mbi buzë
Tryeza e drunjtë dhe buka janë
Ekzistenca e shpirtit
edhe pse i arratisur si zogu i shiut
mijra kilometra puthjesh (larg)
mbi pezul të dritares tënde
pezull - qëndroj
këtë natë
ndërsa gjokset fërkon e vetme
me maçokun tënd të zi
mbi shtrat


SHKRIMTARI

Përballë, një shishe gjysmë-zbrazët alkooli
Mjegullon, të mjekrës dhimbje, të parruar
Pranë makinës tënde të shkrimit
Me nervin që të dridhet nga emocioni
Beteja jote e përditshme e fjalëve ka filluar.

Nën peshën e pasdites ngjyrë-gri
Qyteti, të pasqyruar sheh paturpësinë e tij
Në pellgje me ujë, fytyra e përbashkët
Netëve të dimrit ngrinë
Nën mjaullima macesh
Ndërsa ti,
për të disatën dihatëse ditë
Shkruan, rishkruan, gërvisht, kruan,
Të njëjtën fletë,
vjen e bëhesh burrë
Skifter i uritur, i verbër, krahëgjymtuar,
(pranë shishes së përgjysmuar)
Me armën e shkrimit,
Qytetin nën shi,
Ditët gri,
Burrërinë tënde shtrenjtë
E ke paguar.

1999


“Qielli përshkohet nga trupa vezullues të cilëve nuk jemi në gjendje t’ua kuptojmë shejzat. Në po këtë përqasje, poezia të shkëput nga çdo trazim, e të mbart në një qiell të ndarë si perde nga e Keqja. Flurans Ilia flet me jehona danteske. Një përvojë që na bashkon. Poeti dëshmon një ndjeshmëri të epërme.
Zef Schirò Di Modika
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi