Viktoria Xhako:LUIZA MILER “ ……………………………………… ” “Luiza Miler” Fridrih Shiler
Faqja 1 e 1
Viktoria Xhako:LUIZA MILER “ ……………………………………… ” “Luiza Miler” Fridrih Shiler
Viktoria Xhako
Tregim
LUIZA MILER
“ ……………………………………… ”
“Luiza Miler” Fridrih Shiler
Shkova drejt stolit jeshil. Një ditë korriku, e nxehtë. Lulishtja ishte plot. Të rritur, të moshuar, fëmijë, të rinj. Plot, si në ditë pazari. Buzë rrugicës së kalimit, shitësit ambulantë kishin ekspozuar mallin e tyre, librat. Shitëset jo profesioniste, ulur në minitrotuar, me këmbët mbledhur nën vete, punonin me shtiza. Pak më tej, lokali me emër ishulli. Një ndërtesë e veçantë, e mbirë në mes të gjelbërimit.
Iu ula pranë. Nuk lëvizi. Lidhur në bel, një triko gri. Mbi gjunjë mbante një libër të hapur. Me pëllëmbën e djathtë mbi të. Pranë vetes, celularin. Sytë ia kish ngulur hapësirës. Hapa bllokun e vizatimit. Nuk lëvizi. Të nesërmen shkova përsëri drejt stolit jeshil. Atë e kisha harruar. Ia ngula sytë, i habitur. Po ajo. Me të njëjtën triko gri, lidhur në bel. Me libër të hapur mbi gjunjë, me pëllëmbën e djathtë mbi të. Pranë vetes, celularin. Sytë ngulur hapësirës bosh. Edhe ditën tjetër, edhe tjetrën, edhe ……në vazhdim, po kështu. Mendova se ishte brenda një tragjedie. Në raste të tilla nuk mund të pyesësh. Vetëm të presësh.
E kalova vëmendjen tek blloku im i vizatimit. Ngula lapsin në të, dhe befas të gjitha zhurmat pushuan.
-Kam një problem me kollonën. –
Kaq i papritur më erdhi ky zë pak i thatë, sa më ra lapsi nga dora. Pas kaq ditësh e pashë për herë të parë në fytyrë. E zbehtë, me një rrudhë trishtimi në cepin e djathtë të gojës. Lëvizi dorën e djathtë drejt kollonës për të shoqëruar fjalët dhe libri i ra nga gjunjët. Nuk lëvizi. Si duket kishte defekt të rëndë. Po si vinte gjer në lulishte? Mora librin nga toka. „Luiza Miler“. E kisha parë këtë pjesë shumë vite më parë. Një e njohura ime aktore, interpretonte në rolin e Luizës. Dëshironte ta shihja si luante në skenë.
-E kam parë edhe unë atë shfaqje, - vazhdoi ajo, sikur të ish në mendjen time. Po nuk folëm për të njëjtën aktore.
-Më ndihmo, të lutem! Hape në faqen 316! –
Kureshtar për të ditur se çfarë përmbante ajo faqe, ia vura librin, të hapur, mbi gjunjë. Pëllëmba e saj e djathtë u vendos menjëherë mbi të.
-I kërkova abonenë, - tha. - Atë ditë duhej të bëja disa lëvizje me autobus. Binte shi.–
Vazhdova ta shoh me çudi. Mbase defekti i saj nuk ishte vetëm në kollonë. Po pikat e para të shiut të ngrohtë, më sollën në vete. U mata të mbyll bllokun. Më pengoi dora e saj. Libri ra në tokë, po ajo mbajti dorën mbi fletën time të vizatimit.
-Ti, ditke ta vizatosh këtë?-
Nuk po ia ndaja sytë asaj fytyre. Ndërsa ajo, dorën zgjatur mbi fletën e vizatimit.
-Këtu duhet të jetë një….pllakë mermeri, - murmuriti.
Ia hoqa dorën me kujdes, mbylla bllokun dhe i thashë se duhej të ngriheshim. Rrudha e trishtimit në cep të gojës iu hap nga një buzëqeshje.
-Shko, - tha. – Ora nuk ka vajtur dymbëdhjetë e tridhjetë. –
Çudia ime po ia zinte vendin keqardhjes. Ia hapa librin në faqen e duhur, trikon ia hodha krahëve…
M’u mblodh një lëmsh në fyt, po fytyra e saj mbeti e qetë. Në ato pak sekonda, ku nuk më shkoi mendja. Vendosa të strukesha nën degët e asaj peme të madhe, atje poshtë, e të shihja se ç‘do të ndodhte më tej. Po nuk ndodhi asgjë. Në orën dymbëdhjetë e tridhjetë, futi librin nën sqetullën e majtë dhe dorën, të përkulur në bërryl, e mbështeti mbi bark. Duke u ndihmuar me dorën e djathtë, rrëshqiti këmbët në anë të stolit, u kap fort në mbështetëse dhe arriti të ngrihej në këmbë. Celularin, në dorën e djathtë. Ecte ngadalë, pak e përkulur majtas. E ndoqa me pikëllim atë grua tek largohej, duke tërhequr pas vetes dhimbjen e saj dhe vëmendjen time të shqetësuar. U futa në studio, i qullur nga ai shi veror. Hapa mbi tavolinë fletët e bllokut që të thaheshin. Mbërtheva shikimin tek fleta, që asaj i bëri përshtypje. E pashë me vëmendje. E lashë mënjanë dhe u mora me disa rregullime në skica të tjera. Iu ktheva përsëri më vonë asaj flete, po për mua aty nuk kishte gjë interesante. Ishte një fytyrë femre, e përkulur pak nga e majta dhe nja dy njolla që shiu kishte lënë në një cep syri…… (-Këtu duhet të jetë një….pllakë mermeri, - murmuriti.)
…..Kaluan ditë me rutinën e përditshme. Blerja e simiteve të ngrohta për mëngjes. Pagesa e faturave. Ndonjë takim me miq të vjetër…..
Me bllokun e vizatimit nën sqetull dhe çadrën të mbyllur në dorë, u nisa drejt stolit jeshil. Desha të isha vetëm dhe u bezdisa pak, kur pashë nga larg që dikush ishte ulur para meje. U ula qetësisht në anë të stolit, po blloku më ra nga dora prej zërit që dëgjova papritmas.
-Unë vetëm abonenë i kërkova, asgjë tjetër. –
E pashë me vëmendje duke shporrur tej edukatën për të mos ia ngulur shikimin. Ishte po ajo, me trikon gri, me Luiza Miler të hapur në faqen 316 dhe pëllëmbën e dorës së djathtë mbi të, me celularin pranë vetes. Po ajo, pa ndryshimin më të vogël.
-U vonove, - sikur ne të ishim ndarë pak minuta më parë e jo me një hapësirë dyjavore, vazhdoi qetësisht. – Po kam kohë. Ora nuk ka vajtur akoma dymbëdhjetë e tridhjetë. –
Një mendim më shkrepëtiu në kokë. Mora bllokun nga toka dhe bashkë me çadrën time dhe Luiza Milerin e saj, i futa nën sqetull. E kapa me forcë nga krahu i djathtë duke e detyruar të ngrihej në këmbë.
-Futemi në lokal, të pimë një kafe. Atje flasim. –
Një hije i rrëshqiti në fytyrë.
-Mirë, po kafeja nuk më shijon më. –
Nuk e kisha dëgjuar që shija e kafesë mund të humbiste. U çapitëm ngadalë drejt lokalit. Kërkoi një karrige të lartë.
-Kafenë e bëri të mrekullueshme, - tha.
Të them të drejtën, jo vetëm u gjenda i befasuar nga grimcat e fjalëve të saj, po një kureshtje gërryese po ma hante gjoksin. Erdhi kamerieri, një djalë fare i ri dhe mjaft elegant, me siguri student, po nuk pata kohë ta pyes atë grua se çfarë do të merrte. Ajo dhe kamerieri u përqafuan si të njohur të vjetër.
-Është Floerti, - ma prezantoi ajo dhe unë pashë një shenjë gati të padukshme, si për të thënë „hesht“, që i bëri atij.
-Çokollatën e kemi të hollë, - iu drejtua Floerti zonjës.
-Më sill kafenë, - tha ajo, - atë të zakonshmen. –
Porosita edhe unë.
-Ajo në fletën e vizatimit nuk ishte Luiza Miler, apo jo? –
Më erdhi ta kapja nga krahu, ta shkundja pak, që t’i detyroja mendimet e saj t‘i futeshin në kokë.
-Ti, e di emrin tim? –
Kjo pyetje më hutoi përfundimisht. Por vura se se fytyra e saj mbeti e qetë dhe tepër e vëmendshme.
-Ai quhej D., - vazhdoi. – Kur u prezantuam, unë u çudita, sepse atë emër nuk e kisha dëgjuar kurrë. –
Heshti, tamam në çastin kur bëra gati pyetjen e parë. Heshti gjatë. Piu kafenë dhe lugën e vogël e futi në filxhan. E shtyu pak. Më pa ngultas drejt në sy. Fytyra iu zbeh më tepër. Se pse, disa njerëz kur zbehen, të kujtojnë mermerin. Shfletova me nxitim bllokun. Mora një fletë dhe ia zgjata. Mbështeta kurrizin në kolltuk duke e shikuar nga poshtë lart. Flegrat e hundës iu drodhën lehtë. E la fletën mbi tavolinë dhe i vuri pëllëmbën sipër. I njëjti gjest. Po unë nuk isha kureshtar për fletën.
……-U njohëm rastësisht……-
Tregimi i saj filloi qetë, por mollëzat dalngadalë iu skuqën. E ndjera nëna ime, dikur më kishte thënë, që njeriu po u skuq në fytyrë, është njeri i sinqertë e mund ta besosh.
…….-Gusht ishte, - vijoi. – Sapo kisha blerë “Luiza Miler”. Në fëmijëri kisha parë filmin “Intrigë e dashuri”. A e ke lexuar romanin “Një vit i jashtëzakonshëm”?-
M’u duk kaq befasuese kjo pyetje, sa më shkëputi nga rehati i pozicionit në kolltuk dhe nga vëmendja për të ndjekur tregimin. Për një çast besova se diçka nuk shkonte në trurin e saj, e u bëra pishman për ftesën për kafe, por si gjithnjë, tundimi për të gjetur tema për pikturat e mia, mbetej i madh. Më pa përsëri ngultas në sy, bile zgjati pak qafën. Nuk e mora vesh se çfarë zbuloi aty. Vazhdoi pa pritur përgjigjen time:
-Anja, atë natë, përsëriste rolin e Luiza Miler, kur ai u afrua në dritare.-
Vrava mendjen për pak sekonda, që të kujtoja këtë episod. Eh!
.................
........Ajo ditë gushti ishte si çdo ditë, e heshtur dhe “gri”. Hapa librin dhe kërkova një pasazh, që më vërtitej në kokë prej kohësh. Për këtë motiv edhe e bleva librin. Ai u ul aty dhe hapi bllokun e vizatimit.
-Çfarë po lexon? – dhe vazhdoi të vizatonte.
-Luiza Miler. –
-Çfarë të pëlqen tek ky libër? –
Lapsin nuk e hiqte nga fleta. Zërin e kishte të butë, por këmbëngulës. Hoqa sytë nga libri dhe u ktheva drejt tij. Nuk kisha parë kurrë sy të tillë. Dy liqene të kthjellët, të kthjellët. Qeshi gurgullueshëm. E dinte efektin e tyre. Nuk desha të prezantohem, por këmbëngulja e tij, bile pak e zemëruar, më zbuti.
-Vjollca, - thashë
-D. – ma ktheu menjëherë.
E pashë me çudi. Një emër i padëgjuar kurrë. Edhe këtë e dinte. Më shpjegoi se emri ripërtërinte një ëndërr të vrarë të gjyshit. Nuk e kuptova mirë. Mbase duhej të këmbëngulja për ta kuptuar, po nuk e bëra. Defekt i rëndë i jetës sime, besoj gjithçka më thuhet , pa kërkuar shpjegime. Shiu i rrëmbyer që filloi atë çast, më bëri më racionale. I kërkova abonenë për lëvizjet që duhej të bëja.
-Kush të tha që kam abone? –
-Babai. –
Futi dorën në xhep.
-Ta sjell po këtu, nesër, - sikur të nesërmen do të takoheshim përsëri.
Dhe ne u takuam pothuaj çdo ditë. Nga ora dhjetë e tridhjetë gjer më dymbëdhjetë e tridhjetë. Këtu. Kishte ditë që nuk vinte, por unë e prisja. Dhe ai e dinte këtë. Më tregoi një skicë.
-A të pëlqen? – më pyeti.
-Nuk marr vesh nga pikturat. –
-Është Luiza Miler. –
E pashë me kujdes. Ajo nuk ishte Luiza Miler, as artistja e filmit të vjetër, as aktorja që e kishte interpretuar atë rol. Ishte një fytyrë që e njihte vetëm ai. Bile e kishte vizatuar me shikim të ngulur në sytë e tij. Një detaj befasues, po unë e anashkalova. Vazhduam të takohemi çdo ditë si të njohur të vjetër. Herë për një libër, kishte shumë libra, pothuaj të gjithë ata që doja të lexoja, përjashtuar “Demoni”, herë më tregonte ndonjë skicë, herë për të pirë një kafe. Shirat e vjeshtës na detyruan të gjejmë një kafene të vogël. U miqësuam me kamerieren. Ajo na ruante qoshen tonë dhe sillte porosinë që ne nuk e porositnim më, një shishe birrë me dy gota dhe pak më vonë, kafenë. Kalonim vetëm një orë. Ora tjetër i duhej për rrugë. Prej disa muajsh një frymëzim i çuditshëm më kish mbërthyer të tërën. Hidhja vargje në fletë dhe befas shpërtheja në lot. Ndieja se si zemra më godiste kraharorin, po nuk jam vizituar kurrë. Kam kaluar një jetë monotone, pa probleme emocionale, prandaj dhe nuk kuptoja se ç’më thoshte zemra........ Vetëm dëgjoja rrahjet e saj.....
Lokali ishte plot. Floerti shërbente shpejt. Sa herë kalonte aty, i dhuronte asaj gruaje një buzëqeshje të ëmbël.
-Të ka folur ndonjëherë zemra ty? –
Unë kisha vendosur të hesht dhe të jem i kujdesshëm në ndërprerjet e saj.
-Po, -thashë,- kur më vranë dashurinë. –
Bëri një lëvizje të rrëmbyer drejt meje. Instiktivisht u ngrita në këmbë, i gatshëm që ta ndihmoj. Ngjyra e kuqe në mollëza iu forcua.
-Mos e përdor kurrë atë folje, -tha. –Nëse ke dashuruar, dashuria nuk vritet.-
Heshta, sepse po filloja ta përjetoj atë që ajo akoma nuk ma kishte treguar. I hodhi sytë celularit. Nuk e dëgjova tingullin e tij, po ajo, buzëqeshi dhe e vuri në vesh.
-Duhet të shkoj, - tha.
E dija se si mund të lëvizte. U ngrita që ta ndihmoja. Më shikoi në bebëz të syrit. Sytë e saj shkëlqyen. Nuk e di çfarë ndjeva atë çast, por besova që atë grua e njihja prej një kohe shumë të gjatë.Nuk mund të them se si kishte qenë portreti i saj, po për mua ajo u bë shumë e afërt. E mbajta shtrënguar në krahë si një sferë kristali, gjersa zbriti nga karrigia e lartë. E pashë që përcolli lotët.
-Duhet të shkoj, - përsëriti.
U përqafua me Floertin dhe u nis. E kuptova që duhej ta lija vetëm në gëzim - trishtimin e saj. Ajo kishte një plagë të hapur, që e fshihte me kujdes nga sy të huaj. E nesërmja do të vinte shpejt dhe unë do ta takoja përsëri.
.....Një ditë nuk erdhi. Në orën dymbëdhjetë e tridhjetë unë u ngrita. Nuk erdhi as të nesërmen. As të pasnesërmen. As..... U shqetësova. Diçka e pazakontë duhej t’i kishte ndodhur. E thirra në celular. Heshtje. E thirra përsëri.....
–Qetësohu, - i thashë zemrës. Dung – dung-et e saj godisnin pa mëshirë në kraharorin tim. U duk pas shumë ditësh. Pak i zbehtë, pak i përzemërt, me fare pak kohë.
-Kam qenë sëmurë, - tha. –Mos u shqetëso. Më ka marrë malli.-
Më përqafoi shkarazi dhe iku. Nuk më la kohë ta pyes. Nuk më tregoi gjë. Vetëm “kam qenë sëmurë”. Pas nëntë ditësh më telefonoi se nuk mund të vinte. Kishte një problem. Asnjë fjalë më tepër.
-Po përse t’i tregoj ty të gjitha këto? –
-Ku e ke sot “Luiza Miler”? – ia prita unë.
Shikimi i saj më bëri të pendohem për pyetjen time pa takt. Aty ishte mbledhur pikëllimi i botës.U afrua Floerti. Me një libër në dorë. Ajo ia mori librin dhe ashtu përhumbshëm e hapi diku.
-O zot, - tha Floerti. – Si e gjete që unë, pikërisht për këtë poezi desha të të pyes? –
Ajo uli sytë mbi libër dhe u drodh.
-Pse kjo poezi ka dy data, desha të di, - tha Floerti.
-Sepse ajo histori u përsërit. –
Duke më parë në dritë të syrit, m’u drejtua:
-Luiza është në bulevard me të. Ecin të lumtur. I pashë përsëri para se të vija këtu. –
Një dorë e ftohtë më shtrëngoi zemrën. Kjo grua kishte humbur nocionin e kohës. Jetonte jashtë saj.
-Ma jep këtë fletë vizatimi. –
E bëra tub. Ia futa në çantë. E kapa nga krahu.
-Vetëm një copë rrugë do të të shoqëroj, - i thashë.
U përshëndet me Floertin. Ecëm për disa minuta pa folur.
-Duhet ta veshësh trikon, - thashë. Është pak fresk.-
Jo, jo, - kundërshtoi menjëherë. – Kam vapë.-
Banonte në një apartament shumë modest. Rrezja e diellit, që binte në murin përballë dritares e zbukuronte disi atë vetmi. Zgjati dorën tek ajo rreze.
-Është D. – tha.
U ulëm. Ajo, në karrigen përpara kompjuterit. Unë, në cep të shtratit. Në tavolinë, në krahun e majtë, ishte një bllok gri. Zgjati mundimshëm dorën e djathtë, e afroi nga vetja, i përkëdheli kapakun, pastaj ma zgjati.
-Javën e ardhshme e ke këtu, – i thashë.
Buzëqeshi trishtueshëm. Dola duke tërhequr derën pas vetes.
E lashë bllokun e saj në një cep të tryezës së punës dhe u mora me skicat e mia. Kujtova edhe njëherë fletën e vizatimit që ia futa në çantë: një fytyrë femre me faqen e majtë mbështetur në një pllakë mermeri, me shikimin ngulur tek fotoja e atij varri. Loti i syrit të djathtë duke rrëshqitur merrte me vete lotin e syrit të majtë dhe së bashku pikonin mbi mermer. Buzët e saj ishin gjysmë të hapura, sikur diçka murmurisnin. Sikur ta dija se çfarë. Po do ta merrja vesh, e shumta pas një jave.
Hapa bllokun. Në faqen e parë një dorë e ngathët kishte vizatuar dy sy të mëdhenj blu. Edhe unë jam me sy blu, po ajo nuk kishte vizatuar sytë e mi. Ja përse ma nguli shikimin. Fletët ishin mbushur me vargje. Ç’mund të kishte në ato vargje, përderisa ajo, duke i shkruar, shpërthente në lot? Shfletova me nxitim. Diçka më ndali dorën. Nën një poezi ishin shkruar dy data. Domethënë, libri që kishte Floerti paska qenë i saj. Vazhdova shfletimin. Mendova t’u kthehem më vonë poezive. Më parë duhet të gjeja vazhdimin e historisë së saj.
“Unë vetëm abonenë i kërkova, asgjë tjetër”. E gjeta. Arrita tek...”asnjë fjalë më tepër”. Shkrimi ishte i qartë. Fillova leximin:
...Vazhdova të shkoj tek “kafeneja jonë”. Vetëm. Kamerierja më pyeste me shikim dhe po ashtu i pergjigjesha: do të pres pak. Por pritja po zgjatej, aq sa kamerierja hoqi dorë nga pyetjet. Qëndroja gjer më dymbëdhjetë e tridhjetë me besimin e patundur në fjalën e tij se do të vinte, se nuk më kishte harruar, se duhej ta kuptoja që mund të kishte edhe plot punë të tjera, të cilat nuk i shmangte dot. Pastaj largohesha. Zemra po i shpejtonte dung – dung –et e saj. Ç’donte të më thoshte vallë?
Atë ditë qershori bënte mjaft vapë, po unë e mora trikon me vete. E lidha në bel, ashtu si nuk i pëlqente atij, e sigurt që nuk do të më shihte. U futa në mes të shetitores për kalimtarë në bulevardin kryesor. Ecja ngadalë duke numëruar pllakat e rrugës. Ngrita kokën me rrëmbim pa u besuar veshëve. Pak më tej, ai, duke qeshur me atë të qeshur të bukur gurgulluese, të cilën do ta njihja mes shumë të qeshurave. Zemra më goditi kaq fort, sa u detyrova të mbahem pas pemës më të afërt. Pashë se si dielli u ngul në minaren e xhamisë dhe maja e saj e shpoi si të ishte një tullumbac. Copat fluturuan nga të katër anët. Dy prej tyre më goditën në fyfyrë dhe në gjoks me tërbim. Ndjeva një dhimbje të mprehtë në zverk. Një lëng ngjitës, i trashë, i kuq, krijoi një pellg poshtë kokës sime. Një rrëkezë e hollë, e hollë, nisi udhëtimin, duke më treguar drejtimin nga duhej të shkoja. E fundit gjë që pashë mbi kokën time, ishin pemët që fluturuan në qiell.
Kur hapa sytë, fytyra të panjohura ishin përkulur mbi mua. Nuk kuptova gjë, dhe bëra të ngrihem. Dy duar të forta më mbajtën mbërthyer në tokë.
-Mos lëviz, moj motër. Autoambulanca vjen tani. –
Vazhdonte të më shtrëngonte shpatullat pas trotuarit. Ndjeva në zverk një dhimbje përvëluese. Në spital......(vazhdonin disa faqe të shkruara, po mbi to ishin hedhur dy vija kryq. Vendosa t’i kapërcej e t’u kthehem më vonë.)
Sapo dola nga spitali, puna e parë që bëra, desha të përshëndetem me portretin e tij.
...Para dritares sime ishte ngritur një skelë e lartë, që ma pengonte diellin…
… Zvarrita këmbët para kafenesë sonë, po zemra nuk më dha sinjale…
… U nisa drejt stolit jeshil, po asgjë…
Këtu mbaronin shënimet. Çudi! E hapa bllokun nga fillimi. Po të njëjtët rreshta. Çudi!!!
Nuk erdhi më në stolin jeshil. Mbase, ngaqë ishte e shtunë. As të dielën nuk e pashë. Të hënën, plot në orën dhjetë, trokita në derën e apartamentit të saj.
-Nuk ka njeri aty, - tha një djalë i vogël, që zbriti nga shkallët me vrap duke kafshuar një pica.
Komshiu përballë uli çantat në tokë dhe nxori çelësin.
-Nuk ka njeri, - tha. –Zonja u nis të shtunën.
Si duket, i bëri përshtypje heshtja ime. La çelësin në derë dhe më pa me vërejtje. Befas buzëqeshi.
-Aa, je ti! –
Hapi derën e apartamentit të tij dhe më ftoi të futem. Ndërsa u ula në kolltukun më të afërt, ai mori xhezven dhe ndezi furnellën e vogël të gazit.
Ishte një burrë relativisht i ri. Quhej Toni. I gjatë, me sy të kaltër. Buzëqeshte ëmbël. Zbrazi kafenë në dy filxhanë dhe m’u ul përballë.
-Zonja, para se të nisej, më foli për ty, - tha.
U ndjeva pak në vështirësi. Mbase më ngatërronte me njeri tjetër.
-Pas disa ditësh do të vijë këtu një mik, më tha, - vazhdoi fjalën Toni. – Është me sy blu, do ta njohësh menjëherë. Jepi, të lutem, këtë paketë. Mos u shqetëso. Ai do të vijë patjetër. –
Toni heshti. E mora paketën e vogël, të mbështjellë me një fletë gazete “Çelësi”. U ngrita.
-Po këtë bllok, ku mund ta lë? –
Toni mblodhi supet.
-Nuk e di. Ajo nuk do të kthehet më. –
Ika me bllokun e saj gri dhe me paketën e vogël, brenda së cilës duhej të zbuloja diçka. Ecja dhe mendoja. Pse u lidha kaq fort me atë grua? A nuk janë si ajo të gjitha gratë, që mund të kenë pësuar diçka të ngjashme në jetë? Mos duhej ta kërkoja të veçantën në pritjen e përditshme nga ora dhjetë e tridhjetë gjer në dymbëdhjetë e tridhjetë? Apo në atë rrudhën e trishtimit në cepin e djathtë të gojës? I rashë ballit me pëllëmbë: Luiza Miler, hapur në faqen 316.
“.....dhe kërkova një pasazh që më vërtitej në kokë prej kohësh...”
Zgjidha paketën me aq nxitim, sa nuk vura re diçka që rrëshqiti prej saj. Fleta e vizatimit tim, e palosur. Asgjë e re. Disa fletë fletoreje. U ula.
....Para se të përplasja zverkun në buzë të trotuarit, e pashë D. Ishte i shoqëruar. Në krah, një femër. Shpejtova hapat, që ta takoj, pa menduar gjatë. Kishim kaq ditë pa u takuar, pa folur. Kisha mall. Të parin dhe të vetmin e jetës sime. E qeshura e tij gurgulluese më përkëdheli veshët, por... U stepa. Dora e tij kishte në pëllëmbë dorën e saj. Ia shtrëngonte dhe i tregonte diçka, duke e shoqëruar fjalën me të qeshurën gurgulluese. Ajo e shihte në sy, ashtu siç e shihte nga portreti....
Para pak ditësh arrita të marr një kontakt telefonik me të, po më shpjegoi se ishte në udhëtim. Më njoftoi se kur do të kthehet, po nuk më tha se do të më telefonojë. Arrita t’i them vetëm: “ISHTE KAQ E BUKUR ËNDRRA, DHE KAQ I LLAHTARSHËM ZGJIMI”. Ma mbylli celularin pa një fije dashurie. E ndiej që është shumë i zemëruar. Mbase ka të drejtë. Mbase kemi gabuar të dy. Unë nuk e pyeta. Ai nuk më shpjegoi. Tani mbi ne ka rënë një perde e errët. Jo, është një perde gri. Unë nuk e di se ç’mendon ai. Ai nuk e di se ç’më ka ndodhur mua.
Hapa fletën e vizatimit. U trondita nga ajo që lexova. Pranë buzëve gjysmë të hapura të femrës së vizatuar, ajo kishte shkruar me kujdes: “Ti kishe të drejtë, baba! Ai është një djalë i mrekullueshëm”!
Çfarë zemre kishte ajo grua? Zor se do ta kuptoj ndonjëherë. Dola në ballkon. Qyteti shtrihet atje poshtë me gjithë peshën e jetës së tij. Ku është ajo grua? Do të mbetet e mbëshjellë në misterin e heshtjes. U futa në dhomë. Poshtë tryezës pashë një foto. Nuk pata nevojë të lexoja pas saj. Nga përshkrimi i syve blu, e njoha. Ishte D. Unë jam i sapo ardhur në këtë qytet të madh. Po do të kërkoj në të gjitha studiot e piktorëve. Mbase ata të dy kanë nevojë për një dorë miqësore, që t’ua heqë atë perde gri.
-Ta premtoj, - thashë.
E premte 22 korrik 2011 ora 15:15
VIKTORIA XHAKO
(ZHORZH SAND)
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi