Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Baki Ymeri: Neki Lulaj dhe zëri i atdheut në mërgim

Shko poshtë

Baki Ymeri: Neki Lulaj dhe zëri i atdheut në mërgim Empty Baki Ymeri: Neki Lulaj dhe zëri i atdheut në mërgim

Mesazh nga Agim Gashi Mon Aug 01, 2011 1:56 pm

Baki Ymeri: Neki Lulaj dhe zëri i atdheut në mërgim U1_BakiYmeriNEKI LULAJ DHE ZËRI I ATDHEUT NË MËRGIM
Nga Baki Ymeri
Në kuadrin e Bibliotekës „Albanezul” këto ditë e sheh dritën e botimit në Bukuresht vëllimi i parë i poetit shqiptar me origjinë nga Kosova, Neki Lulaj. „Dardania ime” përbën një subjekt lirik me vlera aktuale ku defilon Kosova në totalitetin e saj etnik, gjeografik, historik, poetik dhe sentimental. Vlerat lirike të autorit qarkullojnë në disa media, sidomos në revistën e famshme të blogosferës shqiptare, Zemra Shqiptare, por edhe në shtypin e shtypur si Bota sot etj. Drita magjike e Dardanisë, përkushtime atdhetare, këngë dhembjeje e përmallimi, Kosova e përlotur me rrugët e krimit në Kosovë, bredhje sentimentale dhe rikthimi në vendlindje, janë disa nga subjektet që e struktuojnë këtë vëllim vlerash lirike të inspiruara brenda dhe tejmatakë kufinjve të atdheut. Autori i kësaj i kësaj vepre është drita e gjallë e shqiptarizmit dhe zëri i Atdheut në mërgim. Substanca lirike e poemave të krijuara nga Neki Lulaj buron nja një dramë e brendshme kombëtare, duke qenë gjithmonë i tensionuar nga një përmallim i pashuar për çiltri. Autori i thot gjërat troç, madje me një stil të rëndomtë, shpeshherë të padekoruar me trope, metafora, figura stilistike, por gjithmonë i prekur nga një ndjenjë e brishtë që i ka hije, duke u kacafytur me valët e jetës, duke hymnizuar vlerat e Dardanisë mënjanë, duke e flakur në zgafellat e skëterrës sistemin e barbarisë serbiane, duke e fshikulluar madje edhe ligësinë e butakëve tanë të politizuar që kanë ngritur gishtin e krimit kundër sivëllezërve të vet.
Duke lexuar vargjet e Neki Lulajt, konstaton se guximi fisnik i mendimit dhe fryma e patriotizmit nuk shuhet kurrë. Duke deshifruar diskursin e tij lirik, që nga vargjet e para konstatojmë se Neki Lulaj është një nga poetët më të frymëzuar të diasporës shqiptare, një burim i pashtershëm energjishë krijuese, një vullkan i pashuar sentimentesh morale dhe patriotike. Kosova është Dardania e zemrës sonë, shkëmb graniti me Shipkovicën tejmatanë Prizrenit, me Drenicën në zemër dhe me Mitrovicën në veri, atje ku shqipja nis e fluturon. Bujaria e shqiptarit të atjeshëm është në shkallë të epërme, ngase e ringjall dinjitetin e kombit tonë, njësoj siç veprojnë të gjithë ata idealistë që militojnë për bashkimin e kombit, që ky shekull të punojë për shqiptarët, ngase tani është koha që të bëhemi bashkë dhe t’u japim fund padrejtësive.
Këtë ide fisnike dhe vlerësimin e vlerave të diasporës, një mik yni nga Kanadaja e merr si shënjë e një shpirtmadhësie të veçantë dhe si një "risi" që, pothuajse tashmë ka vdekur. “Ju po i rigjallni bash atë që bënin të parët tanë”, thekson Përparim Hysi për autorin e këtij shkrimi. Edhepse ka botuar qindra poezi në shtypin e kohës e të blogosferës shqiptare, Neki Lulaj, shqiponja e Kosovës në trojet gjermane, vjen për herë të parë para opinionit me një vëllim poetik. Autori depërton dalngadalë në botën tonë letrare duke qëndisur portrete lirike për personazhe të gjalla, duke na njohur me Dardaninë e ndodhur në një fazë dinamike të përlindjes së saj, duke shkruar nga diaspora, ndërsa diaspora është ajo që ka qenë, që është dhe do të jetë: drita e gjallë e shqiptarizmit dhe zëri i Atdheut në mërgim.
Baki Ymeri: Neki Lulaj dhe zëri i atdheut në mërgim U1nekilulajdardaniaime1
Bëjnë dasmë gjithë trojet shqiptare, për këtë fitore të bekuar
Kështu thekson autori, në njërën nga poemat e tij, duke na e përkujtuar Ditën e Dardanisë. Duke lexuar vargjet e Neki Lulajt dhe Përparim Hysit, të Liman Zogajt dhe Kozeta Zylos, të Sadik Krasniqit dhe Alma Papamihalit, të Martin Çunit dhe Adelina Dokjes, të Adnan Mehmetit, Merita Bajraktarit, Ylli Dilos, Pal Sokolit, Përparim Demit, Gëzim Ajgerajt etj., krijojmë bindjen se poezia shqipe do të bëhet në ardhmëri gjithnjë e më komplekse dhe më e thjeshtë, më e gjallë, më e bukur dhe më e fuqishme, njësoj si njeriu që e shoqëron dhe do ta shoqërojë në rrugëtimin e tij të paskajshëm në univers dhe në histori. Për Neki Lulajn nuk ka nevojë të flasim më shumë ngase flet vargu i tij dhe flet shpirti i tij i florinjtë, i dekoruar me një varg komentesh të favorshme nga dashamirët e tij. Nuk flasim për trope, për metafora dhe figura tjera stilistike, apo për vargun e tij ku zakonisht zotëron stili klasik i rilindësve tanë, por flasim për një libër të ri vlerash të veçanta lirike dhe patriotike, autorin e të cilit Xhavit Gasa e konsideron si një “mik të madh dhe inteligjent që din ta gdhendë vargun me mjeshtri poetike.”
Më këtë kontekst inspirimesh lirike dëgjohet zëri i dëshmorëve të kombit, zotërojnë motivet mërgimtare dhe malli ndaj vendlindjes. Ramiz Dërmaku thekson në një koment të tij se nuk don të flasë më shumë, „sepse flasin vargjet e rradhitura aq bukur dhe aq mirë, saqë është vështirë të gjesh fjalë miradie”. Nekiu ka dhunti, dhe të kesh dhunti don të thotë të kesh rrënjë. Shpirtërat e mëdhenj janë të fisëruar mes vedi dhe vuajnë në heshtje, por Nekiu nuk hesht. Nekiu ta përkujton Fehmi Aganin, Anton Çetën, Ahmet Krasniqin, Sali Çekun dhe Tekiun, Teki Dervishin e Botës së fjalëve për të cilin shkruan me admirim. Neki Lulaj shkruan për heronj, duke e ditur se pa heronj do të na vjente ftohtë në histori, duke e ditur se historia pa heronj është një histori e ftohtë dhe e vdekur, siç është e vdekur histora serbe, heronjtë e së cilës nuk janë heronj, por kriminelë lufte.
Unë nuk jam nisur kurrë nga ideja se disa shkrimtarë janë më të vlefshëm se të tjerët, më të talentuar, më të rafinuar në mendime, ngase, duke i shikuar librat e një biblioteke, vërejmë se shkrimtarët mbështeten për njëri-tjetrin, ndoshta ngase vëllimet e Naimit apo Kadaresë s’do të rrinin në këmbë po të mos ta kishin këtë mbështeje kolektive. Kjo vlen edhe për Nekiun. Shkrimtarët janë, pa kurrfarë diferencimi, të lindur për të qenë mundimtarë të mendimit metaforik, ngase ata e fisnikërojnë qenjen humane, e cila, përgjatë shekujve, nëse nuk do të ishte e shoqëruar nga legjendat, përrallat dhe poezitë, do të shembej, padyshim, në humnerën e mendimit, ngase hapi drejt kafshëzimit është i vogël, dhe këtë hap e dëshmuan shqiptarët që kanë ngritur gishtin e krimit kundër shqiptarëve, ndërsa poeti është ai që bën përpjekje të hatashme për edukimin e individit, për sensibilizimin e tij.
Në këtë kontekst, çdo varg i autorit të Dardanisë sime përfaqëson një përfytyrim, të bukur apo të shëmtuar, varësisht se për kend shkruan. Ka momente kur teksti i poetit duket më i thellë, sidomos ato kushtuar Ditës së Dardanisë, kur edhe engjëjt buzëqeshnin duke vallëzuar me flatrat e shtrira kah qielli, kur edhe jeta buzëqeshte me ty, duke e ndalur kohën nën vetullat tua për një çast, ngase jeta duhet të jetë një buzëqeshje, buzëqeshje të cilën janë duke e gulçuar kuçkat e kombit që mënjanë gëzojnë imunitet parlamentar apo qeveritar, ndërsa në anën tjetër e stimulojnë korrupcionin, islamizmin dhe varfërinë. Nekiu trajton situata provokuese përmes një rrëfimi të dhembshëm ndaj Dardanisë historike dhe vlerave të saj. Ai del në pah si një furtunë e dashurisë ndaj një spektri subjektesh ku parakalojnë dëshmorët e kombit dhe viktimat e krimit të organizuar në Kosovë, fanatizmi fetar dhe korbat e kombit që e kanë lënë Kosovën në një situatë më të mjerë sociale se sa në kohën e Titos.
Zjarri i zemrës, qartësia e mendimit dhe fshehtësitë e shpirtit
Poeti hymnizon bukuritë e natyrës, prindërit, farefisin, vendlindjen dhe mrekullitë e saj, pa e anashkaluar fatin e gjeneratës së re që pret ditë më të mira.

Baki Ymeri: Neki Lulaj dhe zëri i atdheut në mërgim U1revistashqiptarinekil
Revista Shqiptari me poetin Neki Lulaj
Autori i fshikullon me mjeshtri artistike manipulimet e disa pseudoluftëtarëve që tallen me fatin e kombit dhe të viktimave të violencës serbe në Kosovë, disa pushtetarë që janë ntrashur me gjakun dhe djersën e diasporës shqiptare. Libri i tij provokon një meditim të gjerë mbi deliktin e dënueshëm të tradhëtisë ndaj vlerave esenciale të ekzistencës sonë, të praktikuar me cinzëm ballkanik nga disa personulitete të afta për gllabërimin e buxhetit qeveritar dhe përkrahjes ndërkombëtare, persona nongrata që e konsiderojnë veten si strategë të njerëzimit, pa e ditur se një ditë do të detyrohen të japin dhënë llogari për shpartallimin e ekzistencës sonë ekonomike, sociale dhe kulturore.

Poezia e Neki Lulajt është e thjeshtë dhe e bukur. Ajo vjen nga zjarri i zemrës, nga qartësia e mendimit dhe fshehtësitë e shpirtit, gjithmonë e çiltërt, porsi ujërat e krojeve të Kosovës. Sipas Idriz Zeqirajt, poeti Neki Lulaj tashmë e ka konsoliduar personalitetin e tij si krijues dhe publicist. Poezia ka qenë dhe mbetet hobi i tij artistik. Në krijimet e poetit Lulaj mbizotërojnë temat historike, përkatësisht personazhet që kan bërë emër dhe meritueshëm kanë hyrë në historinë tonë më të re. Frymëzimi i poetit reflektohet në burimet historike. Lëndëzimi me figurat faktike është i një rëndësie të dyfishtë: Duke i përjetësuar në art këto burime autori përçon te brezat përkujtesën historike për ngjarjet dhe protogonistët e tyre. Nga ana tjetër, duke i përjetësuar në art figurat historike, në emër të kombit, shlyen një borxh të madh ndaj atyre që u sublimuan për të sotmen dhe të ardhmen tonë me breza.
Në vargjet e Nekiut defilon Kosova me historinë e saj, herë të përgjakur dhe herë të bekuar. Dr. Ibrahim Rugova sipas tij është ikonë e kombit, strateg i diplomacisë dhe arkitekt i pavarësisë. Poezinë kushtuar themeluesit të shtetit të Kosovës, autori e përmbyll me vargjet mjaft domëthënëse: "Eshtrat e patriotëve i bëmë shtiza flamuri, dhe heshta të mprehta që luftuam me barbarë”. Dita e Dardanisë, Dardania ime dhe Dardania e zemrave të zhurritur për komb dhe atdhe, një histori e gjallë, një poemë e bukur, e gjatë dhe e vërtetë. Dëshmi se e vërteta dhe bukuria shkojnë së bashku. Urimet e lexuesve të Zemrës Shqiptare në adresë të autorit janë të panumërta, ngase Neki Lulaj shkruan pa sherr, pa dorëza dhe me ndjenja fisnike, pa e dezorientuar mendimin, duke shprehur një mendim fisnik, të çiltërt dhe të guximshëm, siç i ka hije shqiptarit që nga krijimi i botës.
KOMENTE TË ZGJEDHURA ELEKTRONIKE
Trungu u rrëzua, por rrënjet s'luajnë (kushtuar Dr. I. Rugovës) (Nita nga Gjermania). Ata që i shkruaj vargje Presidentit, janë fëmijët e Dardanisë, janë krenarë dhe lavdërojnë vendin, kur hedhin në letër punën e Presidentit tonë të parë. Atë vërtetë e mori Zoti, por la pas vedit një thesar të çmuar për të gjithë ata që e respektojnë. Burrat që duan të nderojnë vendin e vet, e shkruajnë gjithmonë të vërtetën. Ju lumtë dora Neki Lulaj! Qofsh i nderuar për këto vargje që na i ke dhuruar! A do lindë Nana shqiptare më një president si Rugova, që ta udhëheqë shqiptarinë në rrugë të mbarë! Shëndet e shumë te mira! (Skënderi nga Prishtina). Të lumtë! Çdo gjë që bëjmë për vizionarin Ibrahim Rugova është e paktë, sepse Ibrahim Rugova është enciklopedi e Kosovës. Kur flitet për Kosovën, medeomos duhet të flitet edhe për Ibrahim Rugovën. Ibrahim Rugova ishte profet i Kosovës, njeriu më i formuari i tokës dardane. Unë ftoj të gjithë të rinjtë shqiptarë që të studjojnë filozofinë rugoviane, sepse duke e sudjuar këtë filozofi ne mësojmë se si duhet dashur atdheu, se si duhet punuar për çështjen kombëtare. Unë edhepse kam lindur në Perëndim, pasiqë kam lexuar veprat e Ibrahim Rugovës, kam mësuar edhe më shumë se si njeriu duhet të formohet si personalitet, por kam mësuar edhe më shumë se si duhet të duhet atdheu, Dardania e lashtë, për të cilën Ibrahim Rugova sakrifikoi shumë. Ai vdiq për pavarësinë e Kosovës, por kam bindje të plotë, jo për këtë lloj pavarësie që e kemi sot. Pas vdekjes së Ibrahim Rugovës gjërat në Kosovë muarrën tatëpjetën. Mungesën e Ibrahim Rugovës shqiptarët e Kosovës po e vrejnë në të gjitha poret e jetës. (Drilon Boletini).
Zoti Neki, të lumtë! Dr. Rugova i meriton këto elegji. (Xhema). Miku im i nderuar! e veprat tua intelektuale besoj se ke ndërtue për vetvete pavdeksinë. Fjala është e mirë dhe mbetet kujtim! (Selim Hasanaj). Edhe për të ngushllue në morte, fjala shëron shpirtin dhe lehtëson dhimbjet. Këto vargje kaq të qarta s´duan koment, veçse lëvdata. Kush më shumë se Dr. I Rugova u dogj e u poq për trojet tona! Ju lumtë dora, i nderuar, për keto vargje të latuara! (Leart Berisha). O ti miku i poezisë! Prano fjalët më të mira të lavdisë! Kush shkruan për Dr.Ibrahim Rugovën, Presidentin tonë Historik, ai fiton një pjesë të pavdekësisë! Se ai vërtetë nuk do të vdesë kurrë, deri atëherë sa do të ketë shqiptar mbi trojet Dardane qe bukës i thonë bukë, e ujit ujë. Ju lumtë penda, i nderuar! (Zenuni). Nderi dhe miqësia për Ju, i nderuar zt. Neki Lulaj, për këto vargje kushtuar Heronjve të Kombit, me qëllim respekti dhe mosharrese! Këtyre ua kemi lakminë, por dhe borxhin përjetë. (D. Demiri). Para disa ditësh lexova tregimin "I marri", të Daniel Gazullit, që fliste për tmerret e Tivarit. Tash po e lexoj këtë poezi të pashoqe. Mirë bëjnë poetët e shkrimtarët që ngucin, po historianët ku janë? Ku janë politikanët, he i marroftë Zoti! (Lush Gjoka). Tragjedinë e Tivarit nuk e shkaktuan vetëm xhelatët e xhandarmerisë ushtarake serbe, por edhe kriminelët e Shqipërisë me Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë në krye, xhelatët e komunzmit shqiptar që ia falën Titos Kosovën, pasardhësit e të cilëve e likuiduan ministrin e Mbrojtjes së Kosovës në kohën e Ibrahim Rugovës, kolonelin Ahmet Krasniqi, për të cilin Neku Lulaj ka shkruar me admirim. (B. Y.). Tradhëtarët gjithnjë kanë qenë puthadorë dhe sahanlëpirës të armikut. Edhe butakët e të gjitha kohërave kanë qenë servilë e shërbëtarë për të huajtë e në dëm te kombit të vet. Atyre iu shoftë fara brez pas brezi! Këta matrapazë me poezinë tënde i ke goditur fuqishëm mu në kokë! Këta nuk e meritojnë ndryshe, të lumtë, të lumtë e të lumtë!”. (Fetah Berisha).
Tragjedia e Tivarit është një baladë e bukur ku autori ka gdhendur e fshikulluar një tradhëti të tmershme që mban vulën turpit të komunistëve shqiptarë që bashkëpunuan me bandat sllavo-serbe. (Xhavit Gasa). Viktimat i pëcillnin rojet serbomalazias! Eshalonet kalonin nëpër Shqipëri! Kur ata i pushkatonin, enveristët duartrokitnin! Ata ishin nga të gjitha trojet kosovare, por asnjë gjakovar! Ata ishin të selekcionuar! Por dy shtetet "tona" heshtin edhe sot edhe para akuzave serbe-evropiane! (Kadri Mani). Të lumtë pena, o Neki Lulaj! Atdheu ka nevojë për koka të afta intelektuale, njëherit edhe poezia shqiptare. (R. D.) Përgëzime të përzemërta për këtë poezi kushtuar Heroit të Kosovës martire, Akademik Fehmi Aganit, për të cilin lirisht mund të them se ishte mendja më e ndritur e Kohës sonë, siç e keni paraqitur edhe Ju. E kisha Profesor e më vonë Bashkpuntor në Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe e kisha për nderë t’i qëndroj afër e ta dëgjoj kur bisedonte për Kosovën dhe Filozofinë që e dinte dhe e njifte më mire se të gjithë ne. Do isha i lumtur dhe i priviligjuar, gjithashtu, në mundsha t’i qendroj besnik rrugës dhe vijës filozofike të tij. Do të jetë kështu, sepse ai na e la të hapur rrugën drejt fitoreve dhe na mesoi se si duhet luftuar e flijuar për Liri dhe Drejtësi. Ai nuk ishte korrupcionist e manipulant, por ishte dëshmitar dhe Hero i vërtetë. (Prend Çetta)
Vërtetë Akademik Fehmi Agani ka qenë një figurë e madhe politike dhe diplomatike shqiptare. Lavdi veprës së madhe Kombëtare të Akademik Aganit! (Arben Presheva)Këto vargje flasin qartë për nivelin e lartë intelektual e poetik, këto vargje janë një shembull i mirë se si duhet të shkruajë poeti. Penat si ju i duhen kombit e Atdheut. Nuk po e them këtë nga simpatia që kam ndaj Jush, por i shtyrë nga kontributi Juaj i dhënë ndaj çështjes kombëtare dhe atdheut.” (Ramiz Dërmaku). Po i lexoj një e nga një këto rrjeshta që i shkruan për vëllezërit Gërvalla e trimin Kadri Zeka. Krijime të bukura e plot frymëzim, me dëshmorë që për jetë të gjallë do të mbesin, se heronj të tillë kurrë nuk vdesin, në zemër poulli i ruan përherë, poeti u gdhend vargje, e populli u këndon këngë. Vargje të bukura, fjalë dinjitoze dhe të vërteta. Urime, miku im, për këto fjalë që i ke gdhendur me germa ari! Mos ta lëmë me u shkatërrue traditën e të parëve tanë! Gjaku i bijve të Kosovës i ka vaditur themelet e Lirisë. (Xhavit Gasa)
SHËNIME PËR AUTORIN
Baki Ymeri: Neki Lulaj dhe zëri i atdheut në mërgim U1_NekiLulajNeki Lulaj u lind më 13 janar të vitit 1955 në fshatin Bërliq të Komunës së Pejës. Është fëmija i pestë nga shtatë fëmijë që kishin prindërit e tij (Ajna dhe Halili). Varfëria e asokohshme e përdhunonte shqiptarin ngase rrugët për fshatarin ishin të ngushta, pa kurrfarë shprese e perspektive. Kjo ndikoi që të vetmin burim të jetës prindërit ta sigurojnë përmes shkollimit të fëmijëve. Vëllau i tij i madh, Demushi, kreu Normalen në Pejë, duke qenë ndër mësuesit e parë në vendlindje dhe ndër arsimtarët e parë në fshatrat e Komunës së Pejës. Nekiu shkollën elementare katërvjeçare e kreu në fshatin Prapaqan, ku mësues e kishte Ramiz Popovcin, i cili kishte mësuar një vit më herët me patriotin e pavdekshëm shqiptar, Jusuf Gërvalla. Katër klasët tjera i mbaroi në Shkollën fillore „Fan Noli”, në Kryshec, duke e vazhduar gjimnazin „Vëllezërit Frashëri”, në Deçan. Si pasojë e udhëtimit të largët në këmbë nga nga Bërliqi në Deçan, si dhe nga kushtet e tjera të vështira dhe fanatizmi kanunor, u detyrua që vitin e fundit të shkollimit të mesëm ta vazhdojë në gjimnazin „Ramiz Sadiku”, në Rahovec, ku edhe u diplomua me sukses të shkëlqyeshëm.
Pas kësaj u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës (Dega e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe), ndërsa në vitin e tretë, pa u shkëputur nga ndjekja e ligjëratave, regjistrohet edhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike „Bajram Curri”, në Gjakovë (Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe), të cilën e pat përfunduar me sukses falë përkrahjes profesionale të poetit dhe profesorit të ndjerë, Din Mehmeti. Me shkrime ka filluar të merret qysh në moshë të njomë, duke botuar në shtypin e shtypur, por edhe në massmedian elektronike, një numër të konsideruar poezishë dhe subjektesh publicistike me karakter patriotik. Aktualisht jeton dhe vepron në gjirin e Lokomotivës së Europës, respektivisht në Gjermani, ku punon si edukator në një shkollë shqipe me fëmijë shqiptarë, si dhe në një shkollë gjermane. Ky është libri i parë i tij ku zotëron vargu me strukturë klasike, si dhe bota sentimentale e një mërgimtari që shkruan me çiltri për Dardaninë e zemrave tona.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi