Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shkruan PREND BUZHALA - KËNDIMI PROMETHEIK (Havzi Nela 1934-1988)

Shko poshtë

Shkruan PREND BUZHALA - KËNDIMI PROMETHEIK (Havzi Nela 1934-1988) Empty Shkruan PREND BUZHALA - KËNDIMI PROMETHEIK (Havzi Nela 1934-1988)

Mesazh nga Agim Gashi Fri Aug 12, 2011 9:31 pm

KËNDIMI PROMETHEIK

(Havzi Nela 1934-1988)

Shkruan PREND BUZHALA - KËNDIMI PROMETHEIK (Havzi Nela 1934-1988) 261038_1599663696_5637560_n

Shkruan
PREND BUZHALA


(Havzi Nela: “Pa nji ditë lumnie”, poezi të zgjedhura, botim i dytë i plotësuar, Klubi letrar “Anton Pashku, Kukës 2000)

Përmbledhja e zgjedhur e poezive"Pa nji ditë lumnie" hyn në kuadrin e librave të burgut, apo të një Letërsie Tjetër, të ndryshme nga ajo e apologjetëve të letërsisë e të mësimit të dhunshëm zyrtar. Tragjiku Havzi Nela (1934-1988), me jetën e tij po e përmbyllte ciklin e një gjysmëshekulli dhune të shtetit totalitar edhe mbi krijimtarinë letrare: mbas Luftës së Dytë Botërore, nga letërsia shqipe po largoheshin shkrimtarët e pjesës së parë të shekullit XX, si Lazër Shantoja, Ndre Zadeja, Bernardin Palaj, Anton Harapi e Gjon Shllaku, të cilët ekzekutohen barbarisht; ndërsa nga kjo lagje shkrimtarësh, po vdiste në burg nga torturat si Vinçenc Prennushi, ose si i ndodhi Ndoc Nikajt, romansierit të parë shqiptar, apo “Balzakut shqiptar”; ekzekutohen arbëreshi Terenc Toçi, bektashiu Ali Tomorri, botuesi Nebil Çika; burgosen Etëhem Haxhiademi (vdes në burg), Ibrahim Dalliu, Mirash Ivanaj, Arshi Pipa, Sejfulla Malëshova, Petro Marko, Mitrush Kuteli, Andrea Varfi, Nexhat Hakiu, Mustafa Greblleshi, Lazër Radi… Lista do të shkonte e shkonte shumë gjatë, që e kalon shifrën prej 140 krijuesish letrarë. Mirëpo, letërsisë shqipe do t’i japin fizionomi edhe autorë tjerë të përndjekur e të burgosur, si Kasëm Trebeshina, Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Visar Zhiti, Bilal Xhaferri, Genc Leka, Trifon Xhaxhika… Të shumtën e rasteve, disidentët shqiptarë mbrenda kufijve politikë të Atdheut amë, ishin kryengritës individualë. Përgjithësisht, lëvizja disidentore në vendet ish komunsite, solli Deklaratën e Helsinkit mbi të drejtat e njeriut. Këtë frymë shprese e zgjimi për liri, për drejtësi e shembje totalitarizmash, e ndien edhe Havzi Nela, tek reagoi që në atë kohë me poezinë "Fryma e Heksinkit", të cilën ia kushton kësaj Deklarate. Kurse në Kosovën e martirizuar, për aq e aq dekada rresht, po ndodhnin tri burgosjet politike të shkrimtarit Adem Demaçi. Ai i vuajti 28 vite nëpër kazamatet e ish Jugosllavisë. Regjimi pushtues serbomadh, me mënjanimin e Demaçit, Ramadan Rexhepit e të plejadës së të rinjve krijues gjatë viteve ‘50, dëshironte me çdo kusht ta pengonte zhvillimin e një letërsie shqiptare në Kosovë. Mandej, na vijnë emrat tjerë të shembujve të mëdhenj të rezistencës kundër të gjithë absolutizmave: Fazli Greiçevci i vdekur nën torurat në burgjet serbe, në mërgim vritet krijuesi atdhetar, Jusuf Gërvalla, burgje vuanin Xajë Nura, Kosovë Rexha – Bala, Beqir Musliu...e deri te emrat e krijuesve Latif Berisha, Ymer Elshani, Selman Konjuha etj, të pushkatuar në luftën e fundit çlirimtare nga soldateska serbe. E në kohën kur Havzi Nela po ekzektutohej me varje në litar, më 1988, ishin mijëra e mijëra shqiptarë të burgosur (ndër ta dhjetra krijues letrarë) që po vuanin nëpër kazamatet serbe për një Kosovë të lirë, demokratike e të pavarur. Kjo rezistencë politike paqësore, çoi në luftën e fundit çlirimtare.

Tri gjakimet e poetit

Përpara i kemi njëzeteshtatë poezi. Janë njëzeteshtatë universe poetike të dhimbjes e të gjakimeve të poetit. Në poezinë e parë, «Fjala e poetit», lexojmë gjakimin e parë të Havzi Nelës: ”Jepi krah vargut”. Në poezinë ”Në çelitë e burgut” lexojmë gjakimin e dytë të poetit: ”Po e pres lirinë, si zogu pranverën”, kurse në poezinë ”Kur të vdes” lexohet gjakimi i tretë i poetit: ”Thoni: Ai e deshti jetën”. Ja tri gjakimet e mëdha të Havzi Nelës: Poezia, Liria, Jeta. Gjakohet ajo që mungon a që nuk të lënë ta realizosh. Këto janë tri kikat e larta që e realizojnë kategorinë estetike të së madhërishmes në këtë poezi. Po hapësirat në mes këtyre tri kikave, me çka ”plotësohen”, si ndërlidhen? Duke e theksuar aspektin fenomenologjik të leximit të veprës letrare, Roman Ingarden thotë se ekzistenca është tri farësh: reale, ideale dhe fenomenale. Bota e fenomeneve formohet në vetëdijen tonë, në të cilën hyn edhe vepra letrare me katër shtresat e saj (me shtresën e tingullit, shtresën e kuptimit, shtresën e objekteve të paraqitura apo të përfytyrimit të gjërave që i përshkruan teksti dhe me shtresën e aspekteve të skematizuara, që përbën përshkrimin e botës apo të realitetit). Në shtresën e katërt ndodh procesi i aktualizimit - ku "vendet e papërcaktuara semantike", zbraztitë, i mbulojmë me konstrukcionet a me imagjinatën personale. Me aktin e konkretizimit: vepra letrare e bën jetën e vet, mbasi të lexohet. Kurse akti i leximit karakterizohet si një lloj kaleidoskopi perspektivash e retrospekcionesh/ komemoracionesh, para/ intencash, shoqërime idesh…Secila fjalë dhe secila fjali ngërthen imazhet e përjetimet e asaj që pritet, që vjen mbas; dhe kështu bëhet një lloj “vizure” për atë që tashmë është lexuar (botën e realizuar përmes kësaj vizure letrare Ingarden e quan intentionale Satzkorrelate, korelatë intencionale e fjalisë). Në mes këtyre ”korelatash” qëndron ”teksti-i-pashkruar”, aspektet e pathëna, zbrastitë, të cilat krijojnë përmasat virtuale e që mbushen a plotësohen në mënyra të ndryshme, nga aktet e leximit a nga aktet e konkretizimit. Prandaj, thuhet: sa lexime, aq lexues.

E bëmë këtë hyrje paksa më të shtruar historiko-letrare e teoriko-letrare, për ta lexuar, së bashku, librin e poezive të zgjedhura të poetit Havzi Nela.

Poetika e etikës jetësore sokratiane

"Pa nji ditë lumnie" klith që në titull vargu i Nelës. E kjo do të thotë që poezia është këngë e dramës së jashtëzakonshme jetësore; është këngë e një vuajtjeje të pandërprerë, është vajtim elegjiak, ankim e gjëmim. Është martiriumi i tij jetësor që ka zgjatë aq e aq dekada, deri te çasti kur e ekzektuan me varje në litar. Secili lexues, në një mënyrë ose tjetër, ka kaluar nëpër përvojat e vuajtjes a të dhimbjes. Kur e lexojmë këtë këngë të vuajtjes së thellë jetësore, atëherë sikur Njeriu nuk gjen ngushëllim, posi Jobi biblik: përse vuajnë të drejtët, të ndershmit? Këtë vuajtje s'e pranon si të drejtë as Folësi autoideografk i Nelës. Posi Jobi: vuajtja bëhet absurde! Sa e rëndë është ta durosh heshtjen e Hyjit, pikërisht në çastet kur ndihma e tij na duhet më së shumti! Porse kjo filozofi e vuajtjes nuk është edhe filozofi e urrejtjes. I vuajturi e ka ndërgjegjen e tij: më në fund, e di përse ndodh, kështu; e di përse heq keq si gjarpni nën gur:

Ma mirë bota le të thonë:
“Vdiq i mjeri, shkoi me nder!”
Se i rrëzuem përgjithmonë
Me më shkelë nji derr beterr!

Ai e di se ku çon prometheizmi i tij i ndërgjegjshëm. Përballë inkvizicionit të pashembëllt kundër librit shqip, përballë përndjekjes së shkrimtarëve, mohimeve, ndalesave e cenzurimeve të pashembëllta në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar; në horizontin letrar shquhet prometheizmi i aktit jetësor të Havzi Nelës dhe drama prometheike e krijimit (e jo e shkrimit) të poezisë! Një sfidë çmaskuese edhe ndaj atyre krijuesve që deklarojnë se i kanë shkruar kaq e kaq libra nëpër burgje, apo jo! Pra, poeti, si në kohët iluministe, ende gjendet në frontin e ndërgjegjes mesianiste. Krijuesi ende gjendet në detyra të shumta dhe të rënda. Është ky prometheizëm që e përshkon fund e krye librin “Pa nji ditë lumnie”, i përgatitur, me kujdesin e vëllamërisë letrare, nga krijuesi e studiuesi Petrit Palushi. Krahas vetëdijes së poetit, se, në radhë të parë është kujdesi për të bërë poezi artistikisht të arrië; e shquan edhe një vetëdije tjetër: poezia merr rolin e rezistencës e të prometheizmit jetësor. Në traditën kulturore e letrare botërore Prometheu bëhet simbol që ua dhuron njerëzve zjarrin dhe ua mundëson zhvillimin kulturor. Ky simbol i stërlashtë shenjon gjakimin e pashuar shpirtëror të njerëzimit për sendërtimin e idealeve drejt caqeve dhe majave të larta; shenjon, poashtu, edhe qëndresën e durimin burrëror të vuajtjeve e të mundimeve; është njeriu apo populli që i mbijeton të gjitha pengesat apo që i kapërcen dhe i përballon të gjitha vështirësitë. Ai në fund del fitimtar me betejat kundër diktaturave, kundër dhunës së gjithëfarësojshme, kundër padrejtësisë e tiranëve-perëndi të Olimpit të të gjitha kohëve.

Dhe këtë përkushtim e etikë sokratiane ai e paguan me kokë. E parandien një kohë tjetër që nga birucat e errëta të burgut të Burrelit në shkurt tëe vitit 1977, kur po i thurte “në mendje” poezitë e tij. Nga ana tjetër, krejt befas, posi dora mrekullitare e personazhit biblik, edhe Folësi lirik i Nelës, mbas aq mundimesh tantaliane; mu në zemrën e vajtimit elegjiak që ta këput shpirtin, gjen forcë dhe të keqen e shndërron në të mirë, gverrin në paqe, armiqësinë në miqësi, klithjen gjëmimtare e shndërron në lutje, kurse vuajtjen në akt dashurie njerëzore:

Erdh koha, shqiptarë, ta shuejmë, zjarrin, flakën,
Në vend t'u drejtojmë pushkën, le t' u shtrijmë shuplakën
N' vend t'i zamë dritaren, le t'hapim dhe derën
T' hyjmë te njeni-tjetri, ta mbyllim poteren.
(poezia "Eni të vajtojmë Shqipninë")

Shtrirjen e dorës së pajtimit ai e çon edhe më tutje; tek shërimi i plagëve me fqinjtë armiqësorë. Paqen e miqësinë ai dëshiron t’i shohë kudo, në Evropë e në gjithë botën. Nëse poeti, i këndon kalvaret e tij jetësore “pa nji ditë lumnie”; nëse rrëfen kaq sinqerisht për rrugën e tij të rëndë jetësore; atëherë edhe ne biem nën pushtetin e poetikës e të etikës së tij jetësore sokratiane: ai reflekton urtësi nga ky rrugëtim i rëndë jetësor: me shpresën e pajtimit për t’iu dhënë fund “poteres”. Duke u përplasur e duke u kacafytur me shpirtin copa-copa, ai këndon me shpresën naive të idealistit.

Filozofia e vuajtjes, Pathema

Këto janë vargjet pajtimtare që e përmbyllin librin e poezive, me një si credo universale, që mund ta shqiptojë vetëm shpirti aq i përvuajtur e aq i madh i Havzi Nelës. Ai nuk e priti as lirinë, as shembjen e diktaturës, as "pajtimin" mbrenda bashkëkombasve të tij; kurse sot mund të dalin letërnxirës, demokratësh agresivë ish komunistë, që flasin në emër të poetit Nela dhe që e përcjellin antimesazhin e përçarjes e jo porosinë e pajtimit që e gjakonte, në shestimet e tij idealiste, poeti i varur në litar! E këta të fundit e përcjellin frymën sunduese të afarizmit, si fuqi sunduese satanike, e cila e vret të bukurën, artin, të madhërishmen dhe cila i ngushton hapësirat e lirisë. Kurse bota e heroit lirik të Nelës, si në filozofinë ekzistencialiste, është burim i vuajtjes vetanake. Havzi Nela e pranon sfidën e një jete të tillë, të cilën do ta kenë vështirë për ta kuptuar a ndjerë të tjerët, "njerëzit e lirë" të botës agresive afariste, të qefeve e të bisedave të ngeshme nëpër kafene.
Thuhet që Njeriu vuan edhe kur lind, po edhe kur vdes. E Nela e pati Vuajtjen shok e hije jete. Vuajtja këndohet si një refren i gjatë i fateve tragjike. Posi në Librin e Shenjtë, vuajtja heq velin e absurdit dhe e mvesh atë të misterit. Vetëm ai që e ka përvojën aq të rëndë në shoqëri me Vuajtjen, vetëm ai di të merret vesh me të, ta kuptojë thellësisht, të këndojë së bashku me të; sepse vetëm nëpërmes vuajtjes lind dashuria e vërtetë; ashtu siç e pati Havzi Nela dashurinë për Lirinë, për Jetën dhe për Poezinë. Sikur vetëm nëpermes Vuajtjes do të gjendet Rruga e Vërtetë! Nëpërmes flijimeve jetësore të pafund! Mospajitmet e Nelës me diktaturën, mu pse dyshonte në rendin e gjërave të sistemit të paprekshëm autoritar, për ta parë të vërtetën në sy; e çuan atë në katër gjykime politike me rreth njëzet vjet vuajtje dënimesh nëpër burgje, tri herë i burgosur që nga viti 1967, e, së fundi, arrestimi më 22 qershor 1988 e ekzektimi në litar më 10 gusht 1988. Ai, në ballafaqim me realitetin e diktaturës, mediton e vepron krejt racionalisht. Posi Edipi dhe Hamleti, ai detyrohet të shikojë më thellë, tek i zbulon të vërtetat e tmerrshme e tragjike, me mekanizmat e errët të shtypjes; dhe, së këndejmi, me reagimet e tij racionale, ai e "rrezikon" sistemin totalitar. Vuajtjet janë mbinjerëzore. Hamleti përplaset në dilemat e tij: "të rrosh atë mos rrosh, kjo është çështja"; pra, të heshtësh, të bëhesh oportunist e qyqar, apo ta godasësh dhunën e krimin? Nela vendos për prometheizmin.
Katarza aristoteliane e vuajtjes, pathematon katharsis, shenjon edhe fatin tragjik, fatkeqësinë, përvojën e rëndë apo të mirë; shenjon ndryshimin në gjëra, e shenjon vetë esencën e gjërave për të cilat është i vetëdijshëm krijuesi martir:

Thoni:”Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuejtje e dërmoi",
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.

Pathema lexohet si ngjarje që i ndodh dikujt (si vuajtje a fatkeqësi), po edhe si ndjeshmëri afektive. Te Herodoti haset shprehja Ta de moi pathemata mathemata gegone (“Vuajtjet e mia ishin mësime për mua”, ose shqip: kush pëson mëson). E kundërt me pathema-n, është mathemata: leksioni shkencor, dituror. Rolin e mathemata-s mbi Kultin e frymëzimit, këtu, te poezia e Havzi Nelës, e marrin shënimet në fund të disa poezive: “Të gjitha këto që shënova deri këtu, me vjet të tana kanë qëndrue në tru dhe duke i përsëritë me vetveten …kam mujtë me i ruejtë në kujtesë. Gati gjysma janë krijue me mend pa përdorë laps dhe janë rimue me anë të gishtave”! Mbas një lirike të tillë të gjëmimeve të mbrendshme e vuajtjeve prometheike, vijnë lirikat e vargjet që vihen në lëvizje, në një proces të çlirimit, që hyjnë në enterierin e kohës; që shoqërohen me shënimet për Kultin e Frymëzimit në Mendje, Pa Fletore e Pa Laps. Poezia bëhet Shënim, bëhet Dokument e Dëshmi, bëhet histori filigranore. Bëhet Poetikë gjaku. Te tragjedia "Agamemnoni" Eskili thotë se nga vuajtja nxirren mësimet (pathei mathos), pra vuajtja të çon tek përsiatja, meditimi. Katharsis përdorej në kuptimin "spastrim nga faji"; në këtë rast, spastrimi moral vjen në kontekstin kohor të ndryshuar, të përmbysur: është shpërblyer me ndërrime e përmbysje të diktaturës vuajtja e të martirizuarve; pra, shprehet në nivelin e "distancën estetike", nga njëra anë, po edhe të empathia-s, identifikimit, nga ana tjetër.

Përmasa eternale e krijimit poetik

Ashtu sikundër e cilëson jetën e tij ky prometheizëm idealist, veprues e individualist, mosnënshtrues ndaj shtetit absolut; ashtu edhe arti i tij letrar e ndan fatin e kësaj fryme prometheane, është lartësim estetik i mesazheve të tij ndriçuese mbi errësirën, mbi heshtjet e mbi harresat e së kaluarës që i impononte shteti autoritar. Ai po qëndronte i lidhur në pranga në shkëmbinjtë e burgjeve të autoritarizmit shtetëror, për të vuajtur përjetësisht, posi Prometheu:

Pse të’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç me përtypë bukën, me rropatë si kalë?
Pa nji fjalë ngushëllimi, pa nji ditë lumnie,
Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.
(…)Liria më thërret, vdekja nuk më tund.

Përfytyrojeni krijuesin e djeshëm a të sotëm me të gjitha privilegjet e tij: me zyrat e studiot luksoze të punës, me veprat e botuara varg e vistër nga shtëpitë botuese të shtetit, nga honoraret e majme që merr; t’i përfytyroni për një çast ecejaket e këtij krijuesi nëpër sallat kombëtare a mondane, me udhëtimet me aeroplanë, me automobilë të kushtueshëm, me intervistat nëpër të gjitha mediat, me pritjet diplomatike që ia bëjnë shtetas të lartë, me darkat solemne, madje edhe me luksin për të qenë i zgjedhur në postet e larta shtetërore. Për një çast mund ta thurni një imazh tjetër: poetin Nela, që po vuante burgje në Burrel, Elbasan, Vlorë, Spaç, Ballsh, Qafë Bari; në këto momente përndritjeje, thurja e vargjeve do të vinte si një shteg shpëtimi, si ringjallje e energjive të shpirtit, si një triumf mbi torturat dhe mbi mundimet tantaliane. Në çastet e tilla të përndritjeve insiprative, ëndërrimtare e vegimtare, ai ka mundësi të ritakohet me vevteten, me lirinë. Ishte një kërkesë e ethshme e Nelës, gjatë atyre dekadave të vuajtjeve, internimeve, burgimeve e deri te çasti i varjes në litar: të ketë vetëm një thërrimë dëshmie, poezinë. Së paku, nëse të mungon lapsi a fletorja, shënoje atë në mbamendje, rimoje me gishta! E po qe se nuk shënohen a nuk shenjohen ato universe poetike e jetësore, ai tekst-i-pathënë i cfilitjeve të pafund prometheike, atëherë çka mbetet? Me të gjitha anatemimet, mallkimet a vuajtjet tantaliane do të pajtohej poeti Nelaj: të mos e shohë dritën më, t’i mbyllë sytë përgjithnjë, ta hanë krimbat kufomën e tij, të bahet gur e dhé, plis, lëndinë a fushë, të bëhet bar për kullosë bagëtish; pranon të mos e njohë askush (poezia “Ma mirë le t’i mbylli sytë”); veçse nuk do të pranojë të mbetet pa tri gjakimet e tij: pa poezinë, pa jetën me nder e pa lirinë. E pra, pa shpirtësinë. E thanë poetistët e moçëm që nga Aristoteli e këndej: poezinë e kanë lindur, ndër të tjera, pezmi e vuajtja:


Kjo natë sa e gjatë, e gjatë, s’pati fund
Errësinë e thellë, poet, errësinë, lëngim gjithkund.
E qielli mbush me re, vetinë e bubullinë
Thellë deri në palcë të gjithë ndjejmë stuhinë!


Të shkruash, do të thotë të vuajsh. Shkrimi është dhembje, është ankim e vuajtje e pafund. Poeti ngjizet në fjalët e magjishme të gjuhës, ngjizet, sidomos, në hapësirat e një kujtese të pafund e të paanë. Janë çastet e paparashikuara të historisë, të kohës, të fatit; apo të fatit që e paracakton vetë Krijuesi i kësaj poezie, Folësi i saj lirik, Subjekti i saj, me Fatumin aq tragjik; çaste që e zgjojnë ndjeshmërinë e tij të ekzistimit, ndjeshmërinë se është gjallë. Është mbijetimi i vuajtjes dhe i besimit të thellë në Fjalën e Poetit, e cila vjen depërtueshëm nga dikah, për të na shpërndarë, ashtu si shpërndahet drita, për të na vënë në lëvizje, për të na forcuar në shpresën. E pra, shpëtimin ai e gjen ose te poezia, ose te shpresa, ose te vetëflijimi i ndërgjegjshëm, për të mos u thyer kurrë; këtë shpëtim nuk e kërkon tek dëshpërimi, apo tek nihilizmi, apo tek Qenia Supreme! E paimagjinueshme, por e vërtetë!

E prandaj, herave tjera, ngado që të sillet, ai sheh vetëm peizazhin e çiltër; e kur i kthen sytë kah shoqëria, aty sheh vetëm rënie, degjenerim, errësirë, mjerim, shkatërrim, sheh humnerën jetësore. Rrallë e rrallë, buzëqeshja e përjetimi i gëzueshëm, i vijnë vetëm kur këndon për të dashurën e tij apo për peizazhin pranveror, tek e gjakon aq me afsh ndërrimin, ndryshimin, ringjalljen. Linjat e vuajtjes shpërbëhen para Fjalës së tillë poetike, ligjërimi poetik e zëvendëson heshtjen, kurse përvoja e tillë ligjërimore e mënjanon harresën, e zbret nga froni ekzistencial memecllëkun. E kjo ndodh mu në aso çastesh, kur Folësi lirik gjendet në zgripcin e ekzistencës, në atë kufirin në mes jetës e vdekjes, që e ndan një fije aq e hollë, e padukshme. Poeti nuk ndien që nuk ndien nevojë të futet labirintheve të abstraksionit ligjërimor a hermetik; ai e udhëheq vallen e tij, me vallëtarë të panumërt, në dance macabre-n e tij lirike e në procesionin e tij gjëmimtar poetik. Atë që e thotë, e krijon (e mediton) shkoqur e troç. Pa stoli e pa ngarendje mbas poetikash të ngeshme strukturash të ndërliçshme tekstore e semantike. Ai e kishte para vetes Një Tjetër Kohë Krijimi; më të ndërlikuar se kjo e studiove të poetikave moderne. Është një kohë krijimi i mbamendjeve homerike (e si shkroi Homeri i verbër)? Si në frymën e krijimit folklorik të trevave rapsodike shqiptare, aty ku ka lindë e është rritë Havziu.

Porse ai e realizon dhe e endëzon një sinkroni të habitshme të krijimit poetik: elegjitë bashkëkohore sinkronizohen me trajtat klasike. Poeti zbret në hapësirat e padukshme të alkimisë së identifikimit me modelet klasike të versifikimit, rimës e të ritmit klasik, tek na i përkujton vajtimet e gjëmët klasike. Është klasicitet i shprehjes lirike; klasicitet që nuk i lë të zvetënohen asnjëherë vlerat e parme të artit.

(Shkrimi është botuar në gazetën prishtinase "Kosova sot" -2004, si dhe në librin Prend Buzhala: "Muza e zemrës", Prishtinë 2006, fq. 34-45)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi