Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Fatos Lubonja:NATO dhe liria

Shko poshtë

Fatos Lubonja:NATO dhe liria Empty Fatos Lubonja:NATO dhe liria

Mesazh nga Agim Gashi Tue Mar 31, 2009 11:54 am

NATO dhe liria
“Shqipëria në NATO. This is the miracle of freedom”.



Fatos Lubonja

Kjo parullë është shkruar gjysmë shqip dhe gjysmë anglisht mu në qendër të Tiranës, e madhe gati sa një e treta e fasadës së Pallatit të Kulturës, ku rri e vendosur, mbi një sfond blu, së bashku me parulla të tjera si “Shqipëria në NATO, liria juaj, e ardhmja juaj”. Për lexuesin që nuk di anglisht përkthimi i gjysmës së parullës është: “Kjo është mrekullia e lirisë”. Këtë parullë do ta quaja sintezë të pompës, me të cilën po fryhet e propogandohet anëtarësimi i Shqipërisë në NATO që, pas gjithë gjasave, do të kryet në muajin e ardhshëm. Nuk di se ku dëgjova, në një nga mediat, të jetë deklaruar edhe se kjo konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme pas pavarësisë, por këtë s’po e marr seriozisht.

Sipas mendimit tim një pompë e tillë na bën keq të gjithëve, por veçanërisht klasës politike, dhe veçanërisht maxhorancës që po kërkon ta lyejë edhe me blu këtë ngjarje, sepse kemi të bëjmë me një ekzagjerim që, si çdo ekzagjerim, kthehet në të kundërtën e vet. Ky ekzagjerim, sipas meje, është një fyerje ndaj inteligjencës dhe përvojës së pjesë më të ditur dhe më të informuar të shqiptarëve. Dhe një politikë që e shpërfill këtë pjesë të shoqërisë, duke synuar thjesht e vetëm të manipulojë të paditurit, është një politikë e mbrapshtë.

Pikë së pari duhet të kemi parasysh se, kur flitet për lirinë, ajo ka shumë kuptime e dimensione. Në përdorimin që i bëhet në këtë rast fjalës kuptohet se më shumë kërkohet të na sugjerohet dimensioni i lirisë kombëtare. Mirëpo, edhe në këtë kuptim, nuk duhet të harrojmë se liria nuk prodhon ushtri dhe traktate ushtarake; ato i prodhon, në rastin më të mirë, kërcënimi i lirisë apo nevoja për mbrojtjen dhe garantimin e saj. NATO, në fakt, ka lindur 60 vjet më parë pikërisht si nevojë për t’u mbrojtur nga një armik që ishte asokohe BS dhe aleatët e tij, apo edhe siç thuhej, për ta mbajtur SHBA “brenda” (aleancës) Rusinë “jashtë” dhe Gjermaninë “poshtë”. Të gjithë përpjekjet për ridimensionimin e NATO-s, pas zhdukjes së armikut të vjetër, gjithsesi janë produkt i frikës nga një armik i mundshëm, apo edhe i nevojës për të mbajtur dikë “jashtë” apo “poshtë” apo për të krijuar një armik të ri. Dhe fakti që sot kemi ende nevojë për organizata ushtarake nuk është shenjë lirie, por kërcënimi të saj, nevoje për mbrojtjen e saj. Prandaj ta quash NATO-n “mrekulli e lirisë”, a thua se liria pjell ushtri, është një patetikë politike pa kuptim. Liria është një fjalë që më së shumti qëndron pranë e pranë me paqen, krijimtarinë, ndërtimin jo me luftën, kërcënimin, shkatërrimin. Dikush mund të më kujtojë fjalën latine: “Nëse do paqen përgatit luftën”. Është vetëm pjesërisht e vërtetë, ashtu si të gjitha thëniet, sepse historia ka treguar se përgatitjet e luftërave më shpesh kanë pjellë luftëra të reja sesa paqe apo liri. Poende, tek e fundit, çdo e vërtetë është kontekstuale, e, po të kemi parasysh situatën gjeopolitike ku ndodhemi ne, si vend, të ashtuquajturit kërcënues të lirisë sonë kombëtare mund të ishin fqinjët që janë: italianët, grekët, serbët, malazezët, maqedonasit, që historikisht edhe kanë qenë pushtues të territorit tonë. Mirëpo këta një pjesë janë tashmë në NATO dhe pjesa tjetër aspiron të bëhen pjesë e NATO-s. Edhe në raport me Kosovën dhe Serbinë përsëri më duket se rreziqet e luftërave dhe zgjidhjeve me luftë të problemeve në Ballkan, edhe të atij të Kosovës, kanë mbaruar. prandaj ta frysh kaq shumë çështjen e lirisë kombëtare me rastin e hyrjes në NATO më duket e pavend edhe duke kosideruar vizionin e një të ardhmje të përbashkët në paqe me fqinjët.

Gjithë në këtë kontekst patetika e kësaj parulle nuk mund të mos na sjellë ndërmend një simetri të kohës së Luftës së Ftohtë kur ne, për ironi, mburreshim asokohe se ishim në kampin e të lirëve përballë të shtypurve e të shfrytëzuarve. Por a mund të shihet edhe sot bota kështu, në mënyrë manikeiste, pra, sikur ata që janë në NATO të kenë dalë në dritë dhe liri kurse ata që nuk bëjnë pjesë në të, të kenë mbetur në errësirë dhe robëri? Sipas meje ky vizion jo vetëm është manipulativ, por edhe tejet i kapërcyer sepse që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë, kur ishte më i kuptueshëm një vizion i ndarjes së botës në dy kampe, kanë rrjedhur shumë ujëra. Bota, me globalizimin po vjen e bëhet gjithnjë e më komplekse e më interdipendente dhe, në kontekstin e sotëm, NATO nuk mund të jetë kurrsesi e ardhmja. Ajo mbetet e kaluara që, për fat të keq, ende nuk është kapërcyer. Të mos harrojmë gjithashtu se ajo akuzohet sot nga një pjesë e botës (edhe perëndimore) si instrument i strategjisë amerikane për të sunduar botën prandaj lidhja e saj me lirinë mbetet gjithsesi problematike dhe plot kundërthënie. Mjafton të kesh parasysh Irakun ku shumica e vendeve pjesëtare të NATO-s refuzuan të ndërhyjnë.

Një problem tjetër që përmban kjo pompë propagandistike e politikës shqiptare është se futja në NATO kërkohet të na paraqitet si paradhoma e futjes në Bashkimin Evropian; gati gati si e barabartë me futjen në Bashkimin Evropian. Duhet bërë e qartë se nuk është kështu, për çka evropianët po ngulmojnë të na sqarojnë, por politikanët tanë bëjnë sikur nuk kuptojnë. Janë dy gjëra shumë të ndryshme dhe mjaft larg njëra tjetrës. Futja në Bashkimin Evropian ka kërkesa të tjera. E, në këtë pikë, le t’i kthehemi edhe një herë lirisë sepse futja në Bashkimin Evropian është e lidhur shumë më tepër me ato që quhen “liri shoqërore” që janë aq të kërcënuara në Shqipëri jo nga të huajt, por nga shqiptarët vetë. Për liri kombëtare, apo të atdheut, sikurse e dimë, fliste ditë e natë edhe Enver Hoxha, por vendin e kishte kthyer në burg për shoqërinë shqiptare, për individin shqiptar. Prandaj kjo mbitepri për ta lidhur NATO-n me lirinë nuk mund të mos na kujtojë demagogjinë e asaj kohe, kur liria ishte në minimumet e veta dhe e ardhmja dukej më e zezë se kurrë. Politikanët tanë duhet ta kenë parasysh këtë përvojë kur hartojnë kësi parullash dhe, po ashtu, ndjeshmëritë tona ndaj atyre lirive që nuk i kemi.

Nuk mund të thuash se shqiptarët janë të lirë kur shumica e tyre janë robër të varfërisë dhe pasigurisë së jetës.
Nuk mund të thuhet se shqiptarët janë të lirë kur një e treta e tyre preferojnë më mirë të jetojnë si qytetarë të dorës së dytë në vendet e huaja se sa në Shqipëri.

Nuk mund të thuash se shqiptarët janë të lirë në një vend ku thënia e famshme “Liria jote mbaron atje ku fillon liria e tjetrit” aplikohet në formën: “Liria jote kërcënon lirinë e tjetrit.”
Nuk mund të thuash se shqiptarët janë të lirë në një vend ku, ashtu si dje, ata nuk pyeten nga të pushtetshmit se çdo të bëhet në territorin ku banojnë.
Nuk mund të thuash se shqiptarët janë të lirë kur shumica janë përballë një sistemi shëndetësor që nuk u siguron atë që është baza e gjithë të drejtave, ajo e jetës.

Nuk mund të thuash se shqiptarët janë të lirë me këtë gjendje të arsimimit që po rrit paditurinë-nëna e gjithë të këqijave.
Nuk mund të thuash se shqiptarët janë të lirë në një vend ku krimi shëtit i lirë me fuoristrada luksoze me xhama të zinj.
Nuk mund të thuash se shqiptarët janë të lirë në një sistem ku, në vend të ligjit, mbretëron diktati i më të fortëve e ku, për të mbijetuar, shpesh duhet të prostituosh me ta.

Mbi të gjitha: nuk mund të thuash se shqiptarët janë të lirë me një klasë politike që kontrollon gjithë institucionet që garantojnë lirinë dhe drejtësinë.
Këto mungesa lirie shoqërore e individuale shqiptarët i përjetojnë përditë, prandaj parullat që e cilësojnë hyrjen në NATO si “mrekulli e lirisë”, sado të mëdha qofshin apo sado me zë të lartë të thuhen, në rastin më të mirë i lenë ata të ftohtë, indiferentë dhe mosbesues.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi