Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kush është fajtor, vendorët apo ndërkombëtarët?

Shko poshtë

Kush është fajtor, vendorët apo ndërkombëtarët? Empty Kush është fajtor, vendorët apo ndërkombëtarët?

Mesazh nga Agim Gashi Tue Mar 31, 2009 10:27 pm

Kush është fajtor, vendorët apo ndërkombëtarët?



Diskursi kritik ndaj zhvillimeve 10-vjeçare (permanente negative) në shoqërinë shqiptare të Kosovës, mund të nxjerrë argumente për “pjekurinë politike” ose për “paaftësinë” tonë të ndikojmë si faktorë kundër obstruksioneve që kanë ardhur në Kosovë nga të katër anët e botës. Si është më e leverdishme, t’ia lëmë fajin vetvetes, që nëpërmjet diskursit autokritik t’i korrektojmë gabimet, apo të hedhim fajin tjetërkah, andej kah nuk kemi pasur kurrfarë mundësish dhe faktoriteti, të veprojmë në orientimin veprues dhe vendimmarrës të zhvillimeve që kanë ndikuar që Kosova sot të jetë vendin më i varfër në Evropë, vatër krize politike përballë problemeve që nuk ia doli t’i zgjidhë edhe pavarësia e shtetit? Ekzistojnë në këtë linjë dy opsione politike që nuk janë vetëm vendore, por edhe ndërkombëtare.
Opsioni i parë thotë se ndërkombëtarët mendojnë se Kosova, duke u ankuar për situatën e saj alarmante, këtë “situatë” e kanë shkaktuar ata (ndërkombëtarët) e jo ajo vetë (Kosova). Opsioni i dytë thotë se vendorët, duke ushtruar një disiplinë të hekurt të bashkëpunimit dhe të lojalitetit me ndërkombëtarët, nuk janë lejuar të marrin faktoritet vendosjeje, dhe si të tillë nuk kanë mundur të ndikojnë as për të mirë as për të keq në gjendjen e rëndë të Kosovës. Është edhe një opsion, i tretë, që megjithatë insiston se Kosova sidomos me pavarësinë e saj ka arritur shumë në zgjidhjen e statusit të saj, dhe se ky sukses, sipas opsionit të tretë, është meritë e një simbioze midis ndërkombëtarëve dhe vendorëve, duke i konsideruar që të dyja palët kooperative në bashkëpunim për arritjen e sukseseve që kanë ndodhur në Kosovë? Pra ky opsion nuk i mohon sukseset, mbase ato në sferën politike, sepse gjithandej jashtë politikës, problemet janë të mëdha dhe në dukje të parë të pazgjidhshme. Ndaj, ç’të themi kur vetëm në muajin e kaluar disa liderë të mëdhenj botërorë thanë se çështja e Kosovës nuk është zgjidhur tërësisht, dhe se ata që para dhjetë vjetëve e kanë premtuar zgjidhjen, nuk i kanë mbajtur premtimet?! Kosova është e pavarur, dhe kjo konsiderohet nga të gjitha fuqitë e mëdha, përveç Rusisë, si një ad akta, si diçka që nuk zhbëhet më! Dhe kështu është në të vërtetë. Por pavarësinë e Kosovës, sovranitetin e saj, Serbia me ndihmën e OKB-së vazhdon ta shkelë pa u kursyer në asnjë aspekt. Kjo do të thotë se pavarësia që nuk zhbëhet më, kërkon të mbrohet dhe të realizohet në tërësi. Po si? Mbase kjo “si” që kërkon metodën e gjetjes së instrumenteve për mbrojtje të pavarësisë, as nuk mund të gjendet, pa u konstatuar njëherë fajtori, pa u ditur se cili nga ato dy opsione të përfolura më lart në këtë editorial, është i vërteti, të zbulohet shkaku që na ka sjellë deri këtu. Nëse emërohet fajtori, si do t’ia bëjmë me të, a do të mund ta kthejmë nga rruga e tij me mjete politike, kur nuk kemi mjete të tjera. Është e rëndësishme jo si do të mund të sillemi me të, por është e rëndësishme të emërohet. Kjo e bllokon atë. Po nëse, megjithatë, faji është yni, atëherë si “të zhbëhemi” ne, ose si të konvertohemi në diçka që nuk jemi, ose a ka kush që na detyron dhe me çfarë mjetesh na detyron ta korrektojmë vetveten. E rëndësishme është të dihet fakti se edhe shumë gjatë kohë nuk mund të qëndrojmë në një pikë të palëvizshme, jo pse nuk kemi kohë të zvarrisim zgjidhjet politike, por pse situata ekonomike kulturore ka vajtur në atë pikë të vdekjes, ku më lart së kaq mund të na befasojë me një situatë, në mos të rrezikshme, atëherë me një situatë që në mënyrë permanente na kërcënon.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi