Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shkruan: Prend Buzhala - LETËRSIA E LUTJES, SHENJTËRIMI (GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZE 1910-1997)

Shko poshtë

Shkruan: Prend Buzhala - LETËRSIA E LUTJES, SHENJTËRIMI (GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZE 1910-1997) Empty Shkruan: Prend Buzhala - LETËRSIA E LUTJES, SHENJTËRIMI (GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZE 1910-1997)

Mesazh nga Agim Gashi Mon Sep 05, 2011 9:08 am

Shkruan: Prend Buzhala - LETËRSIA E LUTJES, SHENJTËRIMI (GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZE 1910-1997) Mother_teresa_corrected

LETËRSIA E LUTJES, SHENJTËRIMI

(GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZE 1910-1997)

(Refleksione me rastin e PËRVJETORIT të lindjes së Nënës Tereze, duke e interpretuar librin e saj “POEZI DHE URATË”, që i zgjodhi dr. don Lush Gjergji dhe i botoi Fondacioni Kulturor i Kosovës, Prishtinë 2000)

Shkruan: Prend Buzhala - LETËRSIA E LUTJES, SHENJTËRIMI (GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZE 1910-1997) 260925_1599663696_3260155_n

SHKRUAN:PREND BUZHALA

Nëna Tereze do të shpallet e LUMNUESHME më 19 tetor 2003, për t’i hapur rrugë shenjtërimit. Ajo është fituesja e parë shqiptare e çmimit Nobel për paqe. Në krishterizëm ekziston Kulti i Shenjtit: kur një jetë e tërë njerëzore i kushtohet fesë dhe Hyjit. Në leksikun e krishterimit, në liturgjinë e krishterë, ekziston koncepti për personin e shenjtë, që ngërthen forcë të jashtëzakonshme hyjnore e shpirtërore: që bën mrekullira shëruese a mrekulli bamirësie në dobi të Njeriut e të Njerëzimit. Ndërkaq, në martirologjinë e krishterë, shenjtori është ai që ka një vdekje heroike për hir të besimit në Jezusin e në doktrinën e tij religjioze; prej këndej vjen edhe fjala martir. Në të vërtetë, krishterimi e legjitimoi martirizimin si veprim dhe si sakrificë njerëzore kundër padrejtësisë skllavopronare, politike a kundër forcave shtypëse. Shenjtorë janë ata persna që kanë shenja të dashurisë hyjnore ndaj të afërmit e që punojnë me përkushtim hyjnor ndaj bashkësisë njerëzore.

Arti i dashurisë tereziane

Është rast i rrallë në historinë e krshiterimit që të shpallet E LUMNUESHME vetëm mbas kaq pak vitesh, siç është emri i Nënës Tereze dhe menjëherë të nisë "procedura" për t'u shpallur shenjtore.... Ka, në historinë e krishterimit iliro-shqiptar, dhjetëra e dhjetëra emra që janë shpallur shenjtorë, siç janë të shenjtëruarit e të martirizuarit e EPOKËS ILRE: si Shën Eluteri- papë, Shën Flori, Shën Lauri, Shën Prokuli, Shën Maksimi, Shën Asti, apo siç janë poeti, kompozitori e muzikologu i njohur Shën Niketë Dardani, Shën Kostandini, Shën Justiniani etj); apo, më në fund, siç është përkthyesi i Biblës, Shën Heronimi, për të vazhduar, ndër shekuj, me emra të njohur e të pa njohur shenjtorësh. Dhe tash e tutje, kësaj plejade të përndritjes bvotërore, do t’i shtohet edhe një emër botëkumbues, ai i Nënës Tereze, më 19 tetor 2003. Dhe tash e tutje Lutjen Tonë do ta shqiptojmë nën emrin e Nënës Tereze. Ajo lutej përvujtërisht. Ne përkulemi përpara kësaj përvujtërie. Si te Shën Hieronimi e deri tek Barleti, si te Formula e Pagëzimit të Pal Engjëllit e deri tek përkthyesi modern i Biblës, imzot Simon Filipaj, ashtu edhe Fjala e Lutjes dhe Urata e Nënës Tereze do të hyjnë në trashëgiminë tonë shpirtërore e historiko-letrare si vlera të amshueshme të Letërsisë së Lutjes, të Letërsisë së Përshpirtshme, si histori shpirti dhe histori e etosit nacional. Te Letërsia e saj e Lutjes vihen në gërshet universalizmi i saj për paqe e afrim midis njerëzve; aty, te kjo frymë universale, rekëtojnë gjamët e frymës shqiptare për drejtësi e liri, ajo frymë e ajo rrënjë fisnikërie shqiptare nëpër ravët e historisë së përgjakshme të martrizimeve të pafund shqiptare. Tashma emri i shpirtit shqiptar, me emrin e saj shtrihet kudo nëpër hapësirat planetare, po me atë dritë qiellore, po me atë vulë të historisë sonë. Ajo do të na përcjellë si emër roje e përshpirtërie nëpër shtegtimet, nëpër hapërimet tona, nëpër shtigjet e errëta të fatit e nëpë theqafjet e historisë, nëpër caqet e pafund e të pakundskaj të Hyjit.

Imazhi i martirizimeve në pamjet e historisë

Në pamjet e historisë ajo do ta ketë parë imazhin e Jezuit të gozhduar në martirizimet e pafund të popullit të saj; Jezui rri në gjunj para Atit, siç rri në poezinë-uratë të Nënës Tereze. Ai lutet i vetëm, diku nëpër vende të shkreta, kurse pasuesit e dishepujt e tij e vëzhgojnë nga largësia. E Shën Pjetri do t’i lutet: “Zotni, na mëso edhe ne të lutemi”(Luka 11,2). Tek Lutja Nëna Tereze shikon patosin e zemrës. Ajo nuk shikon drejt lartësive të qiellit; ajo mbyll sytë dhe shikon te vetvetja, shikon në hapësirat e brendshme e të pafund të shpirtit për të kuvenduar në qetësi me Hyjin. Ajo i ndien ritmet e zemrës. Thuhet: zemra është që lutet. Zemra është vendbanim i qenies sonë. Simbas shkrimit të shenjtë: zemra është vendi ku njeriu është vetja, vetvetja, vendi i vendimeve tona të brendshme, aty thuret lutja e krishterë, si një pakt me Hyjin; është Akt i Njeriut dhe Hyjit; është vendbanimi i fshehtë i qenies, në të cilin nuk mund të depërtojë askush, pos Hyjit. E Nëna Tereze e ndien se në lutje shpirti lartësohet drejt Hyjit dhe nga ai i kërkon gjithë fisnikëritë dhe gjithë të mirat. Përulja, ulja në gjunj. Njeriu qe mjëra vjet është në kërkim të Hyjit. Ai e humbi shëmbëllimin me Hyjin me mëkatet që bëri a i bën, por ai e ruajti pamjen simbas shëmbëlltyrës së Hyjit. Lutja, thuhet, duke qenë lidhje e brendshme me Hyjin në vetë ngjarjet hstorike, është e ndërlidhur, pra, me vetë historinë njerëzore

Shqetësimet e mëdha të Njerëzimit tek Shpirti iLutjes

Fjala e moçme shqipe uratë, pos që e shënjon lutjen e besimtarit për të shprehur dëshirat dhe komunikimin me Hyjin, ka edhe domethënien e bekimit të prindit për fëmijën. Mirëpo, kjo fjalë ka edhe rrezatime të tjera, të shumta, kuptimore, estetike e jetësore. Urata është e lashtë sa vetë njeriu.

Për të komunikuar me Hyjin, për t’i shprehur dëshirat e bekimet, për t’i përballuar luftërat e betejat me jetën, për t’u takuar drejtpërdrejt me fuqinë e Hyjit (A.Gasparino), për ta përjetuar katarzën e plotë shpirtërore, mëshirën dhe përmirësimin; për ta modeluar jetën simbas planeve të Hyjit, dhe, më në fund, për t’u gjendur përballë vetes e për t’u takuar sy më sy me veten, - a nuk arrihen këto përmes formës më të thjeshtë të poezisë, siç është vetë urata? Së këndejmi, kjo thjeshtësi e uratës a nuk do të shprehej më së miri në trajtën e saj më të lartë e më të bukur, siç është poezia? Prandaj, ka pasur të drejtë shkrimtari ynë, Visar Zhiti, i cili thotë për poezinë e Nënë Terezes (1910-1997), se është formë e lutjes, e lartë artistikisht, që i drejtohet njeriut për ta bërë Zot, i kërkohet emocioni i bukur, dhimbje për të përsosur vetveten, dashuri dhe dritë për terret e brendshme, hapësirë për endjet e shpirtit, natë për t’u çlodhur përkohësisht ose për jetë”. Kurse E. M. Brunds do të nënvizonte se shqetësimi dhe lutja janë të lidhur ngusht me njëri-tjetrin: “Lutja ka vlerë të madhe për shqetësimet Janë shqetësimet ato që shpesh i shtyjnë njerëzit te Perëndia në lutje, ndërkohë që lutja nuk është gjë tjetër, veçse zëri i njeriut të shqetësuar.” Nëna Tereze do t’i ketë përjetuar thellësisht shqetësmet e mëdha të njerëzimit, prandaj e ka bashkuar zërin e saj të mbrendshëm tek Shpirti i Lutjes.

Libri, “Poezi dhe Uratë”, në përkthim të don Lush Gjergjit, Visar Zhitit, don Pren Kolës dhe Doruntina T. Çobanit, fillimisht qe botuar këtu, te ne, nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës më 1998, kurse tani del si botim i Fondacionit Kulturor të Kosovës “Nënë Tereza”. Në gjuhët e mëdha botërore, si anglisht, frengjisht, italisht, spanjollisht, po edhe në dhjetra gjuhë të tjera, janë botuar dhjetra e dhjetra përmbledhje poetike me urata e poezi të Nënës Tereze. Për të janë shgkruar dhjetra e dhjetra monografi anembanë botës.

Ky libër poezish-urata apo uratash-poezi, është botuar edhe në Shqipëri, ndërkohë që janë publikuar kudo nëpër botë dhe ka pasur jehonë të madhe. Po me ato ritme dhe po me ato jehe të shtrirjes kohore e planetare të thënies artistike, kjo poezi vjen edhe në duart e lexuesit shqiptar, gjithnjë me krenarinë e ligjshme, se autorja e saj ishte bijë e popullit tonë. Prandaj, në të dy botimet nuk është vënë më kot letra lapidare e kësaj Nëneje të madhe:

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona, në gjithë familjet tona, në gjithë botën”.

Shkruan: Prend Buzhala - LETËRSIA E LUTJES, SHENJTËRIMI (GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZE 1910-1997) Nena_tereze_30_vite_qytetare_n

Dhe po ky tingull sa kombëtar, aq edhe universal, i përshkon edhe krijimet e këtij libri. Mbi të gjitha, ajo synon për ta zënë esencën poetike të përjetimit të uratës: ashtu si Ideali i Saj Absolut e Suprem, Jezusi, edhe Nëna Tereze e dinte se përulja është lartësimi më hyjnor.

Cikli i parë i poezive “Kam dëgjuar rrahjet e zemrës tënde", në përkthim të don Lush Gjergjit, hapet me poezinë “Lamtumirë”, e cila t’i përkujton krijimet e ngjashme të Mjedjes, Shirokës, Fishtës apo Gurakuqit dhe e cila e endëzon mallin për vendlindjen e për të afërmit, tek ndahej nga ata, me gatishmërinë për ta pranuar blatën e rëndë për flijim, si shpallje. Flijimi si shpallje! Tek e fundit, a nuk e legjitimoi vetë krishterimi që në zanafillë të tij të drejtën e flijimit e të martirizimit, si një të drejtë qytetare të Epokës së Re? Në këtë drejtim, pikëvrojtim i saj do të jenë e ardhmja në rrugën e këtij betimi e të këtij blatimi shpirtëror, aspak me ngjyra farfuritëse romantike, po do ta ndeshim konceptimin për t’u përballur fytafyt me jetën. E poezia “Jeta”, me vlera të jashtëzakonshme antologjike, është një sintezë e rrallë lirike, refleksive e meditative mbi jetën në të gjitha ngjyrat e saj; me mundësitë e saj të pakufishme dhe me sfidat e saj të panumërta. Mundësitë e saj duhet t’i pranojmë, kurse me sfidat e saj duhet të ballafaqohemi. Jeta e ka bukurinë dhe lumturinë e saj, e ka ëndrrën e saj dhe detyrën e saj, i ka pasuritë, fshehtësitë, premtimet, hymnet, tragjeditë, kënaqësitë dhe aventurat e saj. Dhe secila anë e këtyre kapitujve të përshpirtshëm refleksivë e metaforikë; e këtyre përsiatjeve të shenjta poetike; i ka kërkesat e saj. Nëna Tereze dëshiron ta shohë njeriun sa më të përgatitur për jetë: prandaj “jeta është jetë, mbroje”, të thotë ajo përvujtërisht në këtë komunikim kaq njerëzor, kaq të thjeshtë e të larmishëm dhe kaq të thellë. Është ai nivel komunikimi, në të cilin tharmi i dashurisë së saj njerëzore mplekset me realitetin përreth, me botën reale aq të gjerë, aq të madhërishme e titanike, aq të fshehtë e ëndërrimtare.

Shkruan: Prend Buzhala - LETËRSIA E LUTJES, SHENJTËRIMI (GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZE 1910-1997) Mother-theresa

Ritmi poetik i të rrahurave të zemrës

Pra, ky bashkëligjërim poetik bartet edhe te poezia në vijim, e cila, po ashtu, është e përmasave të tilla antologjike, me titullin “S’ka rëndësi”: edhe në të shqelmojnë në jetë, edhe në është njeriu aq egocentrik dhe aq agresiv, edhe në has mosmirënjohës gjatë misionit tënd e rrugëtimit tënd jetësor, edhe në ndeshesh në rrënues, s’ka rëndësi, thotë Nëna jonë e Madhe, ti duaje njeriun, bëj mirë, ndërto, ndihmo dhe jepe pjesën më të mirë të vetvetes. Ky është kodi etik i jetës, i kënduar nëpërmes uratës që i drjetohet, kësaj radhe, vetë njeriut e jo fuqisë supreme. Kurse ajo do të vazhdojë të udhëtojë kudo bashkë me Njeriun, kudo e kurdo do të gjendet në mesin e njerëzve, kudo bën mirë, ndihmon, ndërton e ligjëron, si te poezia “Gjej kohë”, në të cilën, pra, do të shquhen poenta e urdhërit etik dhe urdhërit humanist. Dhe sa ushqyes, ngushëllimtar, shenjtërues e shërues është ligjërimi i saj!

Ritmi i poezisë së saj, i uratës së poetike, ndjek ritmin e të rrahurave të zemrës; ajo lutet me varg krejt të lirë. Brenda kësaj hapësire aq dinamike e aq vitale të lirisë së thënies poetike e të lirisë ritmike të vargut, ajo sikur dëshiron t’i mposhtë dëshpërimin dhe rezignatën, nëpërkëmbjen dhe agoninë, sëmundjet e trupit e sëmundjet e shpirtit, të ligat dhe shmtitë e, mbi të gjtha, atë gremisjen e njeriut në humnerat e thella të degradimit e të destruktivitetit social, politik a planetar.Prandaj, me aktin e saj të fenomenlogjisë së aktit krijues, na i tregon me gisht rrugët drejt lartësimit etiko-moral e drejt lartësimit hyjnor. Thjesht, drejt lartësive të panjohura. Aq të patundur e ka besimin e saj; Njeru vërtet e meriton shpëtimin, prandaj përulja e saj para Absolutit, para këmbëve të Jeziut a para këmbëve të secilës qenie njerëzore, e ka domethënien e vet aq të pakufishme humaniste.

Ky bashkëligjërim te poezitë tjera dhe te ciklet e poezive “Për Shqipërinë time (në shqipërim të Visar Zhitit), “Falenderim për buzëqeshje” (në shqipërim të don Pren Kolës) dhe “Rreze të dashurisë së Zotit” (në rikëndim të Doruntina I.Çobanit); pra, tani ky ndërkomunikim poetik do të ngritet në sfera tjera; së bashku me botën reale, ajo do të thurë një bashkëligjërim hyjnor.

Shkruan: Prend Buzhala - LETËRSIA E LUTJES, SHENJTËRIMI (GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZE 1910-1997) Nena_tereze+me+nje+femi+125x163

O Zot,
Të kam gjetur në madhështinë e tmerrshme
Të vuajtjes së të tjerëve

i formulon së brendshmi tonet dramatike të këtij ndërkomunikimi. Ajo na fton ta dëgjojmë këtë komunikim uratash, sa njerëzor, aq edhe hyjnor. Studiuesi italian Andrea Gasparino thotë se në Besëlidhjen e Vjetër folja me ndëgjue është folje kyçe, e cila haset 110 herë, kurse në Besëlidhjen e Re 445 herë. Ajo na fton ta lexojmë, pra, na fton që ta ndiejmë leximin e saj të dashurisë në uratat për mikpritje, për çiftin martesor, për fëmijën e palindur apo të sëmurë, për të dëbuarit, për të dëshpëruarit, për refugjatët, për të nëpërkëmburit, për të cunguarit e të hendikepuarit, për të burgosurit, për njeriun në agoni, për kohën e luftës, për gjykatës, për shërbimet e punëve të përditshme, për kohën, për myslimanët dhe hindusët, për ata që s`dinë të luten, për muzikë dhe për këngë. Kaq e gjerë dhe e pakufishme është poezia e saj uratë dhe urata e saj poetike. Kaq universale e prapë kaq afër nesh dhe kaq pranë nesh. Kaq brenda nesh.

Duke qenë një misionare e dashurisë dhe e bamirësisë në të katër anët e botës, duke i njohur Italinë, Anglinë apo Indinë, ajo në qenien e saj poetike bashkëligjërimore sikur i ndërfut ritmet dhe formulat poetike lutjesorte e hyjnore të të gjitha religjioneve e kontinenteve.

Që të lutet, Njeriu duhet të ketë vullnet dhe kërkesa: “Lypni e do t’u jepet, kërkoni e do të gjeni, trokitni e do t’ju çelet” (Mt 7,7). Dikund parafrazohet: sytë e jetës së brenshme e sintetizojnë disponimin e Zemrës të mbushulluar me Fjalën e Shrkimit të Shenjtë: “Kërkoni, duke lexuar,dhe do të gjeni me anë të shqyrtimit e meditimit; trokitni duke u lutur e do t’ju hapet me anë të vëzhgimit e gjurmimit”.

Nëna Tereze ashtu sikundër ka mësuar nga Jezusi, e di se edhe koha është në duart e Hyjit; kohën e duam, e përjetojmë, e takojmë hic et nunc, këtu dhe tash, e jo nesër apo dje: “Sot vlen ta dëgjoni atë që ju thotë: ‘Mos jini të pandreçshëm, siç ishin të parët tuaj’…“ (Pslamet 95:7,Cool. Kjo fshehtësi e uratës iu është komunikuar të vegjlëve, skllevërve, të vuajturve.

Këto ritme e nyjëtojnë esencën e poezisë, zënë vend në hapësirë, mishërohen në dinamizmin e në lëvizjen e vetëdijes sonë. Bëhen figura të botës reale, siç do të thoshte Remon Bajer. Aty dëgjohen ritmet e muzikës hyjnore e të botës së padukshme, të gjenezës e të paragjenezës, të formës e të paraformës, të figurës e të parafigurës, të mikrokosmosit e të makrokosmosit; dëgjohen ritmet hinduse sa edhe shqiptare, të Lindjes së Largët e të Mesme sa edhe ato evropiane. I ndiejmë ritmet e himnografisë së lashtë biblike e poetike sa edhe ato të botës së sotme; të teksteve retorike të falenderimit, të verseteve biblike, sa edhe të poezisë bashkëkohore:

E di pse s’kemi paqe tani?
Kemi harruar të shohim te tjetri vetveten.
(poezia “Për Shqipërinë time”)

Pra, ajo na fton në bashkëligjërimin e saj me shumë përvoja botërore dhe, pse jo, me jetën shumë të pasur religjioze te shqiptarët, me Hyjin e me Jezuin. Përmes poezisë së saj, të kënduar në formën më të lartë, në atë të uratës, ajo hap shtigje të reja të bamirësisë, të dashurisëe njerëzore e të bujarisë dhe ato shtigje ndriçohen më ndjeshëm. Me uratë ajo na ballafaqon përpara sfidave më të rënda dhe situatave të pazgjidhura dhe mu në këso gjendjesh na fton t’i dorëzohemi Hyjit, me shpresën për ta rrënuar murin e të pamundshmes. Ajo këndon para nesh e para skenës botërore se nuk do të frikësohemi prej vdekjes; frikësohen ata që i kanë borxhe të mëdha jetës, që kanë llogari të papastra në raport me jetën: “sepse frikësohen të ballafaqohen me të vërtetën, të ballafaqohen me vetveten”. Ajo na fton në mësimin e rëndë të përvuajtërisë “për t’i kaluar e tejkaluar gabimet e huaja”, për t’i pranuar edhe fyerjet, për të mos diskutuar edhe kur ke të drejtë, vetëm e vetëm “të zgjidhësh gjithmonë pjesën më të vështirë”. Na fton ta mishërojmë vuajtjen, sepse ajo është si buka... e kështu deri te kthimi në Shtëpinë e Atit, pra deri në vdekje.

Çka i detyron njerëzit të jenë luftëtarë?

Kjo Nënë na shtron para nesh, nëpërmes këtyre poezive e uratave, aq pyetje të rënda, aq kyçe e aq të mëdha të esencës e të ekzistencës sonë dhe aq madhërishëm, aq thjeshtë e poetikisht i gjen zgjidhjet e përgjigjet për to! Po veçojmë i poezitë që ndërlidhen mrekullsht me kohën tonë që e jetuam dhe e përjetuam apo që i ërjetojmë ende. Në poezinë “Lutje për atë që lufton” ajo e bën jashtëzakonsht qartë dallimin mds atyre që shtrëngohen të luftojnë për drejtësi a liri dhe të atyre që e shkaktojnë luftën dhe vetë “nuk rendin në asnjë rrezik”. Ajo lutet edhe në këso çastesh ndaj atyre krerëve a kryeparëve që e kanë humbur kokën dhe harrojnë pse luftëtari është shtrënguar të luftojë:

O Zot,
Preke zemrën e njerëzve
Që i detyrojnë të tjerët të jenë ushtarë.

E po u shkel ky detyrim i luftëtarit në paqen e madhërishme e fituese, ai përsëri shtrëmgohet “të jetë ushtar”. Ajo këndon Lutje e Uratë për të burgosurit, për refugjatët, për të dëbuarit. Te disa poezi tjera, edhe në skutat më të fshehura të botës sonë të brendshme e të personalitetit tonë, ajo na e zbulon një cen a një ves, një iluzion a një kontradiktë tonën të brendshme, duke hedhur dritë me logjikën aq koherente të trajtimit artistik të temës a të motivit dhe përsëri na fton të gjejmë prehje te e vërteta absolute. Ajo gjatë tërë jetës, siç këndon në këto urta, është ulur në gjunj përpara kësaj të vërtete dhe, çuditërisht, si na e kumton ndjeshëm poeti Visar Zhiti, njerëzimi u ul në gjunj para saj. Kësaj radhe poezinë e lexuam si një homazh botëror përpara përvuajtërisë së saj, përpara dashurisë së saj gjithmonë të durueshme, hyjnore e gjithënjerëzore. Dashuri tipike tereziane. Të mësohemi, pra, në leximin e dashurisë së saj.

"Jam Një laps në dorën e Hyjit"

Rruga jetësore e kësaj Nëne të Dritës arrin afirmimin botëror, kur Thesari i saj përkushtues bëhet thesar universal, gjithëbotëror. Ajo ligjëron, mediton, kujton,lutet dhe përshpirtet gjithnjë për Atdheun e saj, Shqipërinë dhe Vendlindjen e saj, për Jakovën, Shkupin, Perzerendin, e vendbanimet tjera që janë stacione të jetës së saj. Mirëpo, ky Atdhe tingëllon krejtësisht ndryshe në fjalën e në përshpirtjet e saj: është i ngritur në shkallën e Universalitetit; ky Atdhe jeton në memorien përshpirtërore të kësaj Nëne universale; me traditat popullore e fetare, me mënyrën e jetesës së dikurshme shqiptare. Atdheu i saj nuk përkufizohet vetëm me gjuhën e me historinë; as me kufij shtetesh a kufij politikë. Jo. Atdheu i saj është i bartur në thellësitë e shpirtit, nga do që të endet; ai jeton te një lutje a te një kujtim, te një emër a te një takim.

Persnaliteti i Nënës Tereze, nuk do t’ishte i plotë as i ndërliqshëm, pa këtë përmasë sfilitjesh e mundimesh të rënda shpirtërore. Jeta e saj lëviz midis këtyre kategorive të skajshme të ekzistencës dhe gjallimit, si ndërveprim estetik e filozofik: midis kontemplacionit dhe aksionit, midis dyshimit dhe besimit e hirit të Hyjit. Kurse kërkimi i heshtu i saj, nj’ajo kika mbështetëse e ekzistencës së saj shpirtërore, është Hyji: (“Atë qe bëja unë, nuk e bëja unë, e bënte Hyji nëpërmjet meje.”) . Në këtë rast, ajo e gjen rrugëdaljen me kërkesën e saj drejtuar selisë së shenjtë për ta themeluar Rendin e Motrave të Dashurisë.

Vetëdija moderne për lutjen që e ka Nëna Tereze. Duke qenë “një laps në dorën e Hyjit”, ajo sikur i dërgon Hyjit raporte shpirtërore nga bota e të gjallëve. Ajo e shqipton, e ligjëron me fjalë e në heshtjen e shenjtë Lutjen si zgjim shpirtëror, nga e cila burojnë forcat dhe e energjitë e brendshme shpirtërore, mu në situatat më të rënda të jetës e të historisë. Lutjen për të hapur udhë shpirtërore, për të krijuar ndjesi shpirtërore, për t’i manifestuar dhuntitë e shërbimit e të bamirësisë... apo, më mirë, të dashurisë...

Në fundin e jetës së saj ajo mediton gjithë tension: kurdoherë e gjithnjë ajo rreth vetes e ka parë, e ka ndjerë dhe ka biseduar me Absolutin, me Hyjin, e ka ndjerë se rreth nesh ekziston përjetësia, amshimi; ajo ka luftuar që kjo përjetësi të bëhet pjesë jona; por gjithashtu e ndien se ne jemi qenie njerëzore të mëkatshme, prandaj edhe vuajmë: e prapë se prapë, çdo gjë është vetëm një çast!

Lutja-poezi, apo poezia-lutje, shquan shëmbëlltyrën e Nënës Tereze në përligjjen e pasurisë së saj shpirtërore, guximit, përshpirtërisë dhe sakrificës së saj për njeriun e këtij planeti, nga njëra anë; ashtu sikundër e shquan këtë përligjje artistike tek kodi i thellësisë së saj shpirtërore, tek veprimi konkret i dashurisë apo të “dashurisë në vepër”, si pohonte ajo; dhe, më në fund, tek përligjja e përmasës hyjnore.

PJESA II
Prolog: Lutje Nënës Tereze
(E çka na duhet humanizmi i kësaj “grueje xhuxhe”?!)

E ku ishe Ti, Nanë? Në Kalkutë?! Nëpër ato pellgje infeksionesh e sëmundjesh vdekjeprurëse? Aty ishte kundërinvestimi ynë ndaj Nënës Terezë. Çka do të thotë kjo pyetje në fillim të këtij shkrimi lutjesor? Apo: hajt ta thurim së bashku një kundërlutje.
Psikanalisti i madh botëror, Sigmund Frojd, kur bën fjalë për psikologjinë e turmave, ndër të tjera, dallon dy turma artificiale: Kishën dhe Ushtrinë. Pra: Bashkësinë fetare të Organizuar dhe Organizimin ushtarak. Po ia shtojmë edhe: Organizimin politiko-ushtarako-dogmatik të turmës në Kohën e Komunizmit. Janë Jezusi, Kryekomandanti, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, secili si “shef superior”; secili prej tyre është “baba i mirë” që kujdeset njësoj për të gjithë; besimtarët, ushtarët, proletarët. Kurse rolin e Jezuit e merr Kreu dogmatik fetar, si baba i Mirë, duke u çjezusizuar. Paçka se besimi i tillë i zhbëhet e braktiset shumë lehtë. Individi rrafshohet. Uni i individit ndrydhet nga frika: nëse turma shpërbëhet, atë e kaplon paniku. Vetvetja, bota e brendshme, gjendet para shpartallimit; sepse tashmë “aty lejohen të gjitha padrejtësitë, llojet e dhunës, çnderimet e individit.”(Frojd). Dikur situata ndërrohet: s’ka më komandime politiko-fetare-ushtarake. Individi mbetet i vetëm: duhet të mendojë për vetveten. Ish strukturat shpërbëhen, janë aty gjërat që duan të mbesin vlera. Kurse Besimi i Amshueshëm për shpëtim tashmë mishërohet te individi…E pra, ja, kundërinvestimi ynë.

Antiheroizma tereziane e heroizmi i privilegjeve

Për 50 vjet ikëm nga ajo “grue e panjohun”; e lamë vetëm, me Besimin e me Jezusin e saj. E ajo shkonte pa Kryeparët e Fesë, të Ushtrisë a të Politikës pa kurrfarë mbrojtjeje në mesin e të sëmurëve. Kryeparët e Fesë, të Ushtrisë a të Politikës, të rrethuar me luksin e me shkëlqimet e bollëkut ceremonial, nuk kishin “kohë” të shkonin pas saj. Mbase, për një moment do ta kenë përbuzur veprën e saj aspak heroike. Kurse Nëna Terezë shkonte aty ku vallëzonte vdekja në mesin e lebrozëve, të uriturve, kancerozëve, të gërbulurve, në mesin asaj shoqërie aspak të dinjitetshme për “vlerat njerëzore”, në mesin e kësaj bashkësie të braktisur njerëzore që po vallëzonte me vdekjen. Nëna Tereze ishte aty, tek futej në pellgjet e infeksioneve vdekjeprurëse, me një gusht motrash: pa retorikë fetare e politike, pa komandime ushtarake. Çfarë heroine është kjo, pash nderën! Madje, ajo është një antiheroinë. E tha këtë drejt poeti Pirro Loli. Heronjtë shkojnë në betejë me armë, të rrethuar nga komandarët e nga suita diplomatike e politike. Kurse kjo Nanë nuk i ik vdekjes nëpër ato pellgje infeksionesh vdekjeprurëse e duke u përleshur me vdekjen, ka shkuar pa armë! Pa platforma politike, pa ushtarë të armatosur dhe pa krerë fetarë për t’ua bërë ceremoninë e fundit fetare a vojimin për amshim në çastin fundor të agonisë. Një betejë tereziane larg pranisë sonë e syrit tonë njerëzor.

E tani, duam të identifikohemi në shumë anë me Nënën Tereze: Shqiptarja e botës. Nëna e Botës. Në Bibël ekziston fjala “mana” për bukën a ushqimin enigmatik, me të cilin Hyji bënte mrekullinë e tij, duke i ushqyer popullin e tij të zgjedhur, hebrenjtë, gjatë shtegtimeve nëpër shkretëtirë, nëpër Sinaj, pas largimit nga Egjipti. E disa autorë shqiptarë thanë: na erdhi si një “mana” kjo Nanë. Domethënë: na erdh si një dhuratë pa investuar gjë në të e pa derdhë kurrfarë mundi për të, në mos pastë qenë diçka tjetër: kundërinvestimi ynë. E tani duam identifikime “nacionale”, “krenari nacionale” përmes emrit të saj e çka jo tjetër. Por harruam kryesoren: identifikimin me Bamirësinë e Saj, me Njeriun e Saj. Duke “u identifikuar” me Të nëpërmes shkëlqimeve kulturore, politike a diplomatike, e harruam Njeriun. E duam Nënën Tereze, po jo humanizmin e bamirësinë e saj.

“Mana” tereziane ose buka e mrekullive të sotme

Programi i saj ishte PROJEKT i DASGURISË... Harruam të identifikohemi me Humanizmin e kësaj “grueje xhuxhe”, një grusht njeri. E çka na duhet humanizmi i saj?! Prandaj, atë e shijojmë vetëm si një “mana”, si një ushqim enigmatik, si një univers larg nesh, që na afrohet aq pranë e ne nuk duam t’i kthejmë sytë nga ajo, po nga shkëlqimi që nuk duket e që duket aq larg. Sepse, mbas luftës, në liri, deshëm t’i ngjajmë asaj: e ngritëm një sistem mrekullie. Së bashku me ndërkombëtarët.... Në vend të bollëkut, pas luftës në Kosovë - në vend të ngritjes së pagave, si meny, u shpërblyem me papunësi, me izolim, me mungesë investimesh... me bomba, atentate, sulme, plaçkitje e jo rritje të vendeve të punës. Kurse Nëna Tereze lutej:

“Njeriu është i paarsyeshëm,
i palogjikshëm, egocentrik
S’ka rëndësi, duaje”.

Ndërsa kreu pushtetor, s’ka rëndësi se i cilës parti a karrige pushtetore është, mban fjalim për bustin e humanistes. Kurse mijëra të rinj, të pashpresë, mësyjnë, nëpërmes ikjes klandestine, kufijtë gjemborë të parajsës perëndimore, në Evropë a në SHBA, këtyre vendeve përrallore të mrekullive e të ëndrrave për bollëkun... për t’i kaluar “kufijtë humanistë” nëpërmes shtigjeve të trafikut mizor klandestin. Deri në Australi. Në Itali, Francë, Zelandë. E po, le ta bëjmë një llogari të thjeshtë për shportën e premtimeve të karriges kushtetore: nëse vetëm 20 të rinj që ia kanë dhënë votën funksionarit të ulur në karrigen kushtetore, të pajisur “me dritën e shpirtit humanist të Nënës Terezë”, po t’i kishin tubuar të hollat e këtij kalimi klandestin kufijsh; po të hiqnin dorë nga kërkimi i bukës së mrekullisë së azilit, me këtë shumë të hollash do ta kishin ngritur një fabrikë a “projekt” me vlerë. Por jo! Sepse kështu predikojnë për Kosovën ata që e mbikëqyrin politikisht. Në Kosovë vështirë ndërtohet shteti e pushteti. Pra, “vështirë”, mbasi për vete i sigurojnë gjithë ato privilegje, mbasi shteren kushedi se kah gjithë ato buxhete ndërkombëtare e vendore. Lëre Kosovën në mjerim e pa zhvillim! Lëre të vetmuar, me HYJIN! Kush po është ngushtë, pash nderën, për Kosovën! Kurse për këta mijëra të rinj ka kush të mendojë; është shkëlqimi me emërtime rrugësh, me fjalime a buste “me dritën e shpirtit humanist të Nënës Tereze”. Me “dritën” përballë këtij mjerimi të përgjithshëm.

Zgjoje në ta urinë për Fjalën Tënde
Bëj që ajo të jetë buka jonë e përditshme

do të lutet kjo Nanë e Humanizmit për sojin e tillë të njerëzve. A për secilin njeri në këtë botë. Kurse ajo merrte atë ushqimin e thjeshtë njerëzor për t’ua njomur gojën nevojtarëve të tillë. Nuk ishte “mana” a buka e mrekullive. Nuk e kuptojmë sepse edhe tani ikim në një skaj tjetër: ikim nga Humanizmi i Saj. E kështu, veçse e thellojmë Krizën e Unit Tonë: Duam të jemi ndajshtesë e automatizuar e “stolisë” së Emrit të Madh. Aty më nuk jemi vetvetja.

Njeriu është i paarsyeshëm, i palogjikshëm, egoist
nuk ka rëndësi, duaje.
Po bëre mirë, do të të veshin qëllime dytësore egoiste s'ka rëndësi, bëj mirë.
Po realizove objektivat e tua, do të gjesh miq të rremë dhe armiq të vërtetë
s'ka rëndësi, realizoji.
E mira që bën do të harrohet nesër
s'ka rëndësi, bëj mirë.
Ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të lëndueshëm
s'ka rëndësi, ji i sinqerte dhe i ndershëm.
Ajo që për vite ke ndërtuar mund në një çast të prishet
s'ka rëndësi, ndërto.
Nëse ndihmon njerëzit, do të lodhesh
s'ka rëndesi, ndihmoji.
Jepi botës çka ke më të mirë, e do të zënë me shqelma
s'ka rëndesi, jep... çka ke më të mirë.

Harruam se me emrin e saj, u mbajtën me bukë dy milionë njerëz! Harruam, se, në emër të saj, qenë themeluar shoqatat bamirëse “Nëna Tereze”, dhe mu në piskun e dhunës serbe, nëpër spitalet e saj lindën mbi 30 mijë foshnja tonat, kur Beogradi kërkonte gjenocid edhe mbi foshnjet! Dhe nga radhet e populli t te saj i shkojne fyerje e përbaltje edhe sot! Diku në Bibël përmendet fakti se si shenjtorët dhe profetët i urrejnë në vendin e tyre. Dhe kjo është garancia më e mirë se ajo është shenjtore!

(Shënim: shkrimet janë botuar në vitin 2000 në gazetën “Rilindja”, mandej, gjatë viteve në vazhdim, te gazetat “Epoka e re” e “Focus”, si dhe në librin – PREND BUZHALA”ODEONI I FJALËS”, “Rilindja”, Prishtinë 2003)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi