Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

WikiLeaks: Me BIK-un nuk ka mosmarrëveshje ndaj politikës së SHBA-së

Shko poshtë

WikiLeaks: Me BIK-un nuk ka mosmarrëveshje ndaj politikës së SHBA-së Empty WikiLeaks: Me BIK-un nuk ka mosmarrëveshje ndaj politikës së SHBA-së

Mesazh nga Agim Gashi Sat Sep 10, 2011 4:09 pm



WikiLeaks: Me BIK-un nuk ka mosmarrëveshje ndaj politikës së SHBA-së

WikiLeaks: Me BIK-un nuk ka mosmarrëveshje ndaj politikës së SHBA-së Ternava-kaidanow
Shefja e Zyrës së atëhershme Amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanow gjatë një pritje të organizuar për anëtar të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) me rastin e iftarit të organizuar nga Sektori për Marrëdhënie Publike, të premten, më 21 shtator 2007.


Për Myftiun Naim Tërnava, Tina Kaidamnow u ka raportuar shefave të vet në Washington se ai është kleriku me ndikimin më të madh në Kosovë dhe që luan një rol thelbësor në promovimin e mirëkuptimit ndërfetar, dialogut dhe tolerancës. Por në sytë e tyre janë edhe disa veprime të Tërnavës që nuk u kanë lënë përshtypje të mirë.

Faqja WikiLeaks vazhdon të zhveshë karakteret e zyrtarëve të lartë botërorë. Pjesë e kësaj hallakame janë bërë edhe shumë liderë të Kosovës. Nëse ndonjërit prej tyre i është ngatërruar biografia, lirisht mund ta gjejë të detajuar në WikiLeaks. Për shkrimin e tyre saktë e qartë, janë kujdesur diplomatët amerikanë në Prishtinë.

Kështu, zallamahisë që ka shkaktuar WikiLekasi, përveç politikanëve, nuk i kanë shpëtuar as liderët fetarë në vend. Në dokumentin e klasifikuar si “sekret”, që mban datën 14 shtator 2007, të dërguar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë (kështu shkruan në dokument, edhe pse në atë kohë ishte vetëm Zyrë e SHBA-së- v.j.) në drejtim të Departamentit amerikan të Shtetit, e të përpiluar nga Tina Kaidanow, flitet edhe për Naim Tërnavën, kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

Pjesa e parë është një përmbledhje në formë përshkrimi të shkurtër që i bëhet Myftiut Tërnava, të cilin ish-diplomatja amerikane në Kosovë e quan “zë kredibil në kundërshtimin e dhunës”.

Në këtë kabllogram sekret diplomatik, përveç Tërnavës, cilësim të njëjtë Kaidanow i bën edhe shefit të stafit të tij, Ejup Ramadanit dhe shefit për media të Bashkësisë Islame të Kosovës, Qemajl Morinës.

Pasi shpjegon se kush janë ata në mënyrë të përgjithshme, diplomatja amerikane u hyn detajeve. Të ndara në pjesë, kabllogrami flet për ta veç e veç, por edhe për Bashkësinë Islame të Kosovës në tërësi.

Për Myftiun Naim Tërnava, Tina Kaidamnow u ka raportuar shefave të vet në Washington se ai është kleriku me ndikimin më të madh në Kosovë dhe që luan një rol thelbësor në promovimin e mirëkuptimit ndërfetar, dialogut dhe tolerancës.

Por në sytë e tyre janë edhe disa veprime të Tërnavës që nuk u kanë lënë përshtypje të mirë.

“Megjithatë, ai ka rivendosur disa imamë të cilët paraardhësi i tij në këtë detyrë i kishte larguar për shkak të pikëpamjeve të tyre radikale”, thuhet në kabllogramin diplomatik.

Për këtë lëvizje të Myftiut Tërnava, ish-diplomatja amerikane jep edhe shpjegimin e saj, bazuar në analizën e bërë.

“Analiza jonë tregon se rivendosja e këtyre imamëve nuk është bërë për arsye ideologjike, po ata (imamët v.j.) ishin shokët e klasës së Myftiut në Universitetin e Kajros dhe Myftiu më parë do t’i qetësonte sesa të armiqësohej me shokët e vjetër”, thuhet në këtë kabllogram diplomatik.

Pas sqarimeve për Myftiun Tërnava, Kaidanow flet për punën që bënë BIK-u dhe Myftiu Tërnava. Ajo shkruan se Bashkësia Islame shqyrton edhe shumë kërkesa që bëjnë organizata joqeveritare të cilat u drejtojnë komunave për krijimin lehtësirave për tubime fetare.

Zyrtarët besojnë se prej më shumë se 400 OJQ-ve që veprojnë në Kosovë, vetëm disa prej tyre janë të përfshira në aktivitete të dyshimta, por ata kërkojnë që ekstremistët të parandalohen në përdorimin e këtyre organizatave për të fituar terren në Kosovë.

Për këtë arsye, komunat vazhdimisht udhëzojnë OJQ-të që të përdorin lehtësirat publike për aktivitete fetare vetëm nëse BIK-u u jep pëlqimin për këtë.

Për këtë arsye, sipas kabllogramit, BIK-u ka raportuar se nga rreth 20 aplikime të bëra kryesisht nga OJQ të huaja në vitin 2006, katër prej tyre janë hedhur poshtë për shkak të rezervave ndaj programeve të tyre.

Më tej, BIK-u ka sqaruar se në përgjithësi pranon mbajtjen e tubimeve fetare me karakter kulturor, por hedh poshtë ata që në aktivitetet e tyre përfshijnë predikimet.

“Me pak përjashtime, komunat kanë respektuar rekomandimet e BIK-ut”, thuhet në kabllogram.

Roli pozitiv i BIK-ut vlerësohet sidomos në mars 2007, kur nervoza te shqiptarët e Kosovës u rrit shumë, pasi Komuna e Pejës u kritikua se nuk arriti të ndalojë ndërtimin e një muri rrethues të Patriarkanës së Kishës Ortodokse Serbe në Pejë.

Kabllogrami vlerëson vizitën në atë kohë të Myftiut Tërnava dhe fjalimin e mbajtur në një xhami aty afër Patriarkanës duke theksuar rëndësinë ndërfetare dhe duke promovuar tolerancën edhe në rrethana të vështira. Aq në detaje është pasqyruar puna e BIK-ut, saqë në kabllogramin diplomatik përmendet edhe një debat mbi fetë në Universitetin e Prishtinës.

Konkluzionet

Disa konkluzione të Ambasadës amerikane për BIK-un

- Me BIK-un nuk ka ndonjë mosmarrëveshje apo kritika ndaj politikës së SHBA-së.

- Nga BIK-u nuk është regjistruar ndonjë nxitje e dhunës ndaj SHBA-së apo aleatëve të saj.

-Qëndrimi i BIK-ut në lidhje me xhihadin nuk është i njohur, por e dimë se askush në BIK nuk e mbështet ekstremizmin e dhunshëm si formë të xhihadit.

- Nuk ka ndonjë të dhënë nënçmuese për Myftiun Tërnava, Ramadanin ose Morinën.

Biografia

Kjo është biografia e këtyre tre liderëve kryesorë të BIK-ut, sipas kabllogrameve diplomatike amerikane.

Myftiu Naim Tërnava - është shqiptar i Kosovës, i besimit islam (sunni) i lindur në Lismir. Është ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame dhe më parë ka shërbyer edhe si drejtor i Medresesë “Alaudin”, një shkollë e mesme në Prishtinë. Ai është shkolluar në këtë medrese, ka studiuar në Universitetin Al-Az’har në Kajro të Egjiptit (1984) dhe ka marrë gradën MA në Universitetin Amerikan në Kajro.

Ejup Ramadani- është shqiptar i Kosovës që i takon besimit islam (sunni), i lindur në Sibofc të Ulët dhe i cili ligjëron gjuhën angleze në Medresenë “Alaudin”. Për të, ish-diplomatja amerikane, Tina Kaidanow shkruan se është një linguist i talentuar dhe anëtar i Asociacionit të Mësuesve Kosovarë të Anglishtes.

Profesori Qemajl Morina përshkruhet si person i njohur i BIK-ut, sa i përket dialogut ndërfetar dhe ndikimit të tij për shkak të pozitës si zëvendës-dekan në Fakultetin e Studimeve Islame, shef për media në BIK dhe kryeredaktor i një reviste edukative islame. Për të thuhet se ka qenë edhe profesor i arabishtes dhe përkthyes nga arabishtja dhe që është shkolluar në Kajro të Egjiptit.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi