Prof.Qerim Rexhaj:PREKAZI I HARRUAR I BURIMIT
Faqja 1 e 1
Prof.Qerim Rexhaj:PREKAZI I HARRUAR I BURIMIT
PREKAZI I HARRUAR I BURIMIT
Me rastin e 13 vjetorit të Epopesë së lavdishme të rënies së Shaban Salihajt dhe familjes se tij
Nga Prof. Qerim Rexhaj
Hyrje
Buzë rrugës regjionale Pejë - Mitrovicë, në mes Hanit të Sarës dhe Rakoshit, ngrihet një lapidar që përkujton çdo kalimtarë të rastit, për heroizmin e pashembullt të familjes Salihaj nga Shushica e Poshtme, e cila pas familjes Jasharaj nga Prekazi i Skenderajt, mund të konsiderohet si rënia më heroike dhe më vetëflijuese në kuadër të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në altarin e lirisë. Mbi atë lapidar deri në përjetësi janë gdhendur emrat e flijuar në një betejë të pabarabartë në mes të qindra forcave të ushtrisë dhe policisë serbe dhe familjes Salihaj. Emrat e Shaban Salihajt, Milaimit, Hysenit, Arbenit, Abedinit, Hysniut, Isës, Fatimes, Nazmi Gashit, shpalosin para nesh krenarinë e ligjshme kombëtare, për ata që patën kurajën t’i thonë jo pushtuesit serb se “këtu është toka e jonë, kjo është tokë shqiptare”. Mbi lapidar me krenari flamuri kuq e zi shpalon palët, ai flamur mbi të cilin Shabani, vëllezërit dhe nipërit e tij kishin dhënë betimin e ushtarit të UÇK-së për luftë pa kompromis për çlirim, liri dhe bashkim kombëtar deri në vdekje.
Kushtet dhe rrethanat shoqërore e politike nuk e veçuan këtë familje nga familje të tjera shqiptare, të cilat në vazhdimësi po përbiroheshin nëpër terrorin e vazhdueshëm të ushtruar nga mekanizmat gjenocidal që kurdiste në vazhdimësi okupatori serb, gjithandej, në Kosovën e robëruar. Vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar ishin bërë të padurueshme për shumë arsye, për pjesën më të ndërgjegjshme të kombit shqiptar. Serbia përmes mekanizmave të saj të dhunës,armatës serbosllave, policisë,UDB –së,njësiteve paramilitare të Arkanit dhe Sheshelit, po e shndërronin Kosovën në një laborator ku po provoheshin dhe eksperimentoheshin metodat më të njohura dhe elaboratet e Çubrilloviqit, Andriqit, Garashaninit etj. por në forma më moderne. Imponimi i përqafimit të politikës paqësore popullatës shqiptare në Kosovë nga LDK-ja,si organizëm politik e demokratik, për të zgjedhur çështjen e Kosovës, i kishte dhënë favore të çmuara Serbisë, në njërën anë për të luftuar kundër Kroacisë dhe Bosnjës e në anën tjetër për ta paraqitur Kosovën si vend të qetë dhe stabil para faktorit ndërkombëtar, ku kërkoheshin vetëm disa të drejta kozmetike. Dalja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në skenë, jo vetëm që ringjalli krenarinë kombëtare të përdhosur dhe të shkelur paturpësisht, por ajo mbolli shpresën për liri dhe çlirim të njëmend për popullin shqiptar duke qenë e gatshme të ujit çdo pëllëmbë të Kosovës me gjakun e djemve dhe vajzave më të mira të kombit. Dalja e UCK-së komprometoi dhe diskreditoi platformën pacifiste rugoviste e cila e kishte shndërruar Kosovën në një “han pacifist ku nuk dihej se kush hante dhe kush paguante, ku nuk dihej se kush hynte dhe kush dilte, në një han ku jetonin së bashku xhelatë e viktimë”. Në këto kushte dhe rrethana, Shaban Salihaj nga Shushica e Poshtme e komunës së Burimit, nisi veprimtarinë e tij luftarake si pjesëtar i UÇK-së, duke e ndier peshën aq të rëndë të robërisë, duke iu bashkuar zërit të atdheut dhe kombit në varganin e krushqve të lirisë. Kontaktet e para të Shabanit me UÇK-në kishin filluar më 1997 në fshatin Vajnik të Skenderajt nëpërmjet nipave të tij dhe komandantit në zë të asaj ane, Abedin Rexha, i njohur me emrin e luftës “Sandokani” po nga ai fshat. Zyrtarisht UÇK-së i ishte bashkangjitur më 5 mars 1998, që përkon me datën e sulmit të ushtrisë dhe policisë serbe kundër familjes Jashari në Prekaz të Poshtëm. Vajniku ishte një ndër pikat më nevralgjike dhe më të nxehta të konfrontimeve ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe. Pikërisht në këtë vend në vigjilje të 28 nëntorit 1997, ndodhën ngjarje të rëndësishme, zhvillimet e të cilave do të vulosin fatin e drejtimit të zgjidhjes së problemit të Kosovës përmes luftës dhe rezistencës së armatosur. Atë kohë, “Sandokani” me bashkëluftëtarët e tij kishin zmbrapsur sulmin e forcave serbe, ndërsa në të njëjtën ditë kishte pasur luftime të ashpra edhe në Llaushë ku ishte vrarë mësuesi i fshatit Halit Geci. Varrimi i Halit Gecit u bë më 28 nëntor ku u bë edhe dalja e parë publike e UÇK-së.
Shkuarja dhe stacionimi në Vajnik
Shaban Isa, siç njihet në Shushicë të Poshtme dhe fshatrat e Burimit, regjistrohet pjesëtar i Zonës Operative të Drenicës (ZOD) më 5 mars 1998. Pas një jave, së bashku me nipat e tij Jahir dhe Nazmi Gashin nga Vajniku kthehen në Shushicë për të filluar aktivitetet në zgjerimin dhe konsolidimin e UÇK-së në territorin e komunës së Burimit. Policia serbe e cila kishte vënë re lëvizje të dyshimta në terren të Shaban Isës, një mëngjes e rrethojnë shtëpinë e tij dhe pas bastisjes i konfiskojnë një pushkë gjuetie. Me këtë rast arrestohet edhe Shabani me vëllaun e tij Milaimin. Në stacionin e policisë në Burim, Shabani dhe Milaimi torturohen në mënyrën më shtazarake, gjithmonë duke kërkuar nga policia fije të ndërlidhjes të pjesëtarëve nga kjo komunë me UÇK-në në Drenicë. Në mbrëmje i lirojnë me kusht që të paraqiten përsëri të nesërmen në stacionin policor. Pikërisht atë mbrëmje, Shabani betohet së jo vetëm që nuk do të paraqitet më në policinë vrastare serbe, por do të marr hak për gjithë ato mundime, gjithë ato vuajtje që po u shkaktoheshin në vazhdimësi bijve dhe bijave më të mira të popullit shqiptarë, të cilët po vriteshin,po torturoheshin dhe po dhunoheshin gjithandej Kosovës. Rruga jetësore e tij domosdoshmërisht po e orientonte edhe kësaj here drejt Drenicës martire, atje ku flakadani i lirisë po merrte përmasat e lirisë së ëndërruar, atje ku shpresa e ringjallur po shndërrohej në realitet, atje ku kuptimi i flijimit i tejkalonte caqet e kuptimit njerëzor. Së bashku më vëllaun Milaimin, të dërmuar nga torturat e policisë serbe, rruga po shpinte në fshatin Vajnik. Në shkollën fillore të këtij fshati u takuan me Sandokanin, i cili i cakton në një tog të cilin e komandonte Fadil Imeri. Pikërisht këtu fillon rruga e vështirë e luftëtarit të lirisë, rrugë plotë sfida dhe sakrifica, të cilën do ta bënte Shabani me vëllaun e tij Milaimin, djalin e tij Hysenin, pa u trembur dhe pa u zmbrapsur deri në vdekje. Pasi që armatosën së bashku me vëllaun Milaimin dhe djalin Hysenin, Shabani caktohet në pikën e Ozdrimit, ndërsa Hyseni më pas do të caktohej të shërbente si polic ushtarak në Burojë. Në këtë grup bënin pjesë edhe tre luftëtarë nga Shushica e Poshtme: Ademi, Veseli, dhe Iliri nga Alidemajt. Ngjeshja e armëve në shërbim të kombit dhe atdheut, për Shaban Isën, ishte ngjarja më kulmore, ngjarja më sublime e jetës së tij. Duke u rreshtuar në anën e lirisë,në anën e çlirimit të Kosovës,kundër tiranisë ishte i gatshëm të flijohej sa herë ta kërkonte zëri i atdheut.
Ndërmarrja e aksioneve të para për çarmatosjen e kriminelëve serbë
Duke qenë së në territorin e komunës së Burimit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ende nuk i kishte konsoliduar strukturat e saj ushtarake, ndërsa terrori serbomadh përmes policisë,njësiteve paramilitare,bandave të çetnikëve, organizatës “Crna ruka” (Dora e zezë), sigurimit shtetëror dhe ushtrisë serbe, popullatën shqiptare e kishte vënë para sprovave të rënda, pikërisht për këtë arsye, Shaban Salihaj me grupin e tij të luftëtarëve të lirisë,vullnetarisht kërkojnë nga komanda e UÇK-së të veprojnë në komunën e Burimit për të neutralizuar sadopak kapardisjen e aparatit shtypës serbomadh mbi shqiptarët e pambrojtur.
Aksionin e parë me grupin e tij prej katër vetash, Shabani e filloi në fshatin Veriq të Burimit në fillim të prillit të vitit 1998, kundër kapitenit të ushtrisë serbe, Ramadan Istrefi, i nacionalitetit egjiptas, i cili kishte dhënë prova të shumta për orientimin e tij antishqiptar. Ndonëse kapiteni nuk u gjet në shtëpinë ku jetonte, atij iu konfiskua një pushkë automatike, një snajper, një revole e tipit Tokarev, një pushkë gjuetie dhe një sasi e municionit, të cilat Shabani me grupin e tij i dorëzojnë në bazën e UÇK-së në Drenicë.
Aksionin e dytë Shabani e orienton kundër policit antishqiptar, Dragan Zhivkoviqit, nga fshati Zhakovë, të cilit gjatë natës i hynë në shtëpi duke e kërcënuar së është i rrethuar me 200 pjesëtarë të UÇK-së, dhe pasi që ia jep një” mësim të mirë” ia konfiskon një pushkë automatike “Zastava”, revolen zyrtare dhe një automatik të quajtur “maxhar”. Këto veprime të grupit luftarak të Shabanit bënë që të popullata shqiptare të ngjallën ndjenjat e adhurimit deri në përkushtim për UÇK-në dhe bijtë e kësaj treve të cilët kishin filluar ta godasin aparatin represiv edhe në strofullën e tij. Armatimin e konfiskuar gjatë natës, Shabani e dorëzonte në mëngjes në shtabin e UÇK-së në ZOD. Pas një numri aksionesh të suksesshme që kishte ndërmarrë në komunën e Burimit, emri dhe personaliteti i Shabanit u bë i nderuar dhe i respektuar. Vet komandanti i tij fillon ta thërras me emrin Shaban Polluzha, duke aluduar në trimin e Drenicës legjendare. Sa e sa herë komandanti i ishte drejtuar me fjalë: “Ti,Shaban, sa herë po del në aksion, kurrë nuk po kthehesh pa armatim, për të cilin kemi aq nevojë”. Besimi që ishte krijuar te komandantët dhe ushtarët në Drenicë për Shabanin nuk ishte i rastësishëm. Ai buronte si rrjedhojë e sa e sa aksioneve të kryera me sukses, si dëshmi e një përcaktimi të fuqishëm të një lufte të drejtë dhe pakompromis deri në fitore. Trimëria dhe gatishmëria për t’u vu në ballë të aksioneve më të vështira, bënë që Shabani të angazhohej në sigurimin e armëve që silleshin nga Shqipëria për luftëtarët e UÇK-së. Kështu Shabani ishte vënë në rolin e dyfishtë; në furnizimin me armë nga Shqipëria, dhe në kryerjen e aksioneve në territorin e komunës së Burimit që rezultuan në eliminimin e disa kriminelëve serbë me damkë.
Bartja dhe furnizimi me armatim nga Shqipëria
Nevoja për armatim e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fillim të vitit 1998, ishte njëra ndër sfidat më të papërballueshme dhe më të domosdoshme për kohën. Atdhetarët kërkonin armë për t iu përgjigjur thirrjes së atdheut për liri, ndërsa armët ishin aq të pakta në krahasim me rrethanat e luftës që po shkallëzohej gjithandej Kosovës.
Në maj të vitit 1998, nga Shtabi i UÇK-së Shabani caktohet për të udhëhequr një grup prej 24 vetave (vet i 25-ti) për në Shqipëri, për të sjellë armatim për luftëtarët e lirisë. Duke e pranuar këtë detyrë sa me peshë po aq edhe të vështirë, Shabani ishte i vetëdijshëm se nëpër çfarë rruge apokaliptike do të kalonte me shokët e tij të idealit, por gjithashtu ishte i vendosur që të jepte çdo gjë prej vetes që misioni të kishte sukses. Mirëpo, pasi pajisën me një sasi të konsiderueshme të armatimit në Shqipëri, gjatë kthimit për në Kosovë, grupi prej 25 ushtarësh bien në pritë në rrethinat e Gllogjanit, ku pas një lufte të pabarabartë, detyrohen të tërhiqen,duke mos pasur mundësi të tërheqin armatimin e sjellur nga Shqipëria. Aty mbesin armët që ishin të ngarkuara në kuaj dhe gomarë,ndërsa grupi arrin të rigrupohet në Drenicë vetëm me armët personale.
Shabani sërish i rifillon aksionet në terrenin e Burimit edhe më forcë, i bindur plotësisht së rruga e çlirimit kërkon vuajtje, sakrifica deri në flijim. Në fillim të javës së tretë të qershorit udhëhoqi një formacion prej rreth 470 vetave, të cilët ilegalisht po depërtonin një sasi të madhe armatimi nga Shqipëria. Ky formacion i luftëtarëve kishte qëndruar afër 3 javë në Shqipëri dhe nuk kishte mundur të futej në Kosovë, për një kohë, për shkak të shtimit të forcave të shumta policore dhe ushtarake në kufirin shqiptar. Në përbërje të këtij formacioni bënin pjesë luftëtarë nga tri zona operative të UÇK-së: Zona Operative e Drenicës ( ZOD), Zona Operative e Shalës (ZOSh), dhe Zona Operative e Llapit (ZOLl). Në mesin e këtij grupimi të udhëhequr nga Shabani ishte edhe Rrahman Rama, komandant i ZOSh-së. Shabani udhëzon marshin e grupit nëpër shtigjet e maleve dhe bjeshkëve të Vrellës, Shushicës, Rakoshit, Leqinës, Izbicës, dhe i shpie deri në Vajnik. Një kamion armatim që u kishte mbetur në fshatin Vrellë të Burimit, i cili ishte i destinuar për ZOD, ZOSh, dhe ZOLl duhej me çdo kusht të dërgohej në destinacion. Rreziku i bartjes së këtij armatimi ishte jashtëzakonisht i madh duke marrë parasysh shtimin enorm të patrullave policore, paramilitare,por edhe të bashkëpunëtorëve të okupatorit. Në fillim të gushtit, kjo sasi e armatimit sillet në oborrin e shtëpisë së Shabanit në Shushicë të Poshtme. Aty mbushën tri rimorkio traktorësh me armë të ndryshme të cilat transportohen përmes Rakoshit dhe dalin të lagja e Memiqëve të Kërrninës. Pushtuesi serb kishte vënë nën kontroll të gjitha rrugët e kalueshme nëpër të cilat kishte vënë postblloqe dhe punkte të ndryshme. Luftëtarëve të lirisë u kishin mbetur për lëvizje ato rrugë dytësore nëpër të cilat fshatarët bartnin dru me qerre kuajsh ose për punë të tjera. Në një rrugë të këtillë bartësve të armatimit u rrotullohet traktori, në të cilin kishte edhe mortaja 500-she, që ishte rrezik i shpërthimit të armatimit por edhe vënia në rrezik e vet jetës së luftëtarëve të lirisë. Pas dërgimit të armëve në vendin e caktuar, burimet serbe të cilat duket se kishin arritur të informohen rreth kësaj veprimtarie, të nesërmen në emisionin e lajmeve në gjuhën shqipe në Televizionin e Prishtinës (i cili asokohe ishte i okupuar) informojnë opinionin e gjerë se ”Shaban Salihaj kishte futur 500 terroristë të armatosur nga Shqipëria në Kosovë”.
Aksionet e Shaban Salihajt për eliminimin e kriminelëve serbë
Nga flakët e luftës në Drenicë ,krenaria dhe dhembja ishin bërë bashkëudhëtare të pandara, dashuria dhe solidariteti e mbi të gjitha, atdhedashuria po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha në të gjitha segmentet e jetës së njerëzve. Afrimi i luftës kishte filluar të ndihej i sigurt në çdo prag të shtëpive të shqiptarëve, në çdo cep të atdheut tonë të pushtuar. Lufta po merrte përmasa apokaliptike.
Në komunën e Burimit levat e pushtetit okupues po përpiqeshin të blejnë kohën edhe ashtu të çmuar që u kishte mbetur. Policia vrastare serbe,Dora e Zezë, paramilitarët e Arkanit, Sheshelit ishin lëshuar si korbat në gjah kundër popullatës së pambrojtur shqiptare. Pjesëtarë të këtyre grupeve famëkëqija po dëshmoheshin përditë e çdo çast përmes dhunës dhe brutalitetit kundër shqiptarëve. Këto hordhi kriminale po bënin plojë nëpër vatrat e luftës në Drenicë e Dukagjin, duke vrarë e prerë të pafajshëm, duke djegur,duke përdhunuar…Derisa këta kriminelë në trevat e luftës por edhe aty ku nuk kishte luftë, po i mbytnin në gjak shqiptarët, Shaban Salihaj me grupin e tij i gjurmonte hap pas hapi dhe u jepte atyre dënimin e merituar. Rajko Gajiq nga Veriqi, një kriminel i njohur për krime dhe i regjur në luftën e Bosnjës, pjesëtar i njësisë special e të policisë serbe, i dëshmuar në kryerjen e shumë krimeve nëpër vatra të luftës, kishte mbushur kupën. Përvec kësaj, ai nuk kishte hezituar ta vriste e pastaj ta priste në fyt Bajram Binakun diku në malet e Ucës. Vendimi për vrasjen e tij nga strukturat komanduese të UÇK-së vinte si një detyrim, si një shpagim, si hakmarrje për gjithë atë kob që po mbillej në Kosovë, për gjithë atë gjak të pafajshëm që po derdhej, për gjithë atë urrejtje të shfrenuar patologjike që vinte nga ana e Serbisë… Atentati i ngarkohet Shaban Salihajt dhe grupit të tij. Një natë qershori të vitit 1998 së bashku me vëllaun Milaimin,djalin Hysenin dhe nipin Nazmiun i afrohen shtëpisë së tij në Veriq. Shtëpia e Rajkut ishte shndërruar në një çerdhe çetnikësh ku pihej alkooli deri në dehje, ku këndoheshin këngë çetnike për shfarosjen e shqiptarëve, të cilat në të shumtën përcilleshin me krisma të kalibrave të lloj-llojshme të armëve. Të gjitha këto bëheshin për të krijuar efekte psikologjike të frikës ndaj shqiptarëve. Atë natë Shabani ngadalë, por me vendosmëri afrohet deri të dritarja e dhomës ku po qëndronte Rajku me një nga nipërit e tij, ndërsa pjesëtarët e grupit të Shabanit kishin zënë pozicione gati për zjarr. Nga jashtë Shabani me një serbishte të shkoqur i drejtohet: ”O Rajko, jam Gjuriqi, eja shkojmë të pijmë në Istog”. Rajku duke mos kuptuar grackën që i kishte kurdisur Shabani fillon të dalë me automatik dhe revole (sepse kështu shkonte thuajse çdo kund në atë kohë). Duke dalë nga dera e hyrjes së shtëpisë, Milaimi dhe Hyseni ia lëshojnë nga një breshëri nga të dy automatikët në mes të trupit, duke e plandosur për tokë. Ia marrin armët dhe largohen nga vendi i ngjarjes pa lënë gjurmë. Vrasjen e Rajkut e mëson më shpejt baza e Shabanit në Drenicë, të cilës Shabani ia dorëzon armët e konfiskuara, se nipi i Rajkut që ishte aty brenda. Kur nipi zgjohet në mëngjes, sheh Rajkun të shtrirë dhe gati të ndarë në dysh në derën e hyrjes së shtëpisë. Vetëm atëherë e kupton se breshëritë e mbrëmshme nuk kishin qenë të Rajkut dhe Gjuriqit siç ishte mësuar t’i dëgjoj shpesh ai dhe shumë të tjerë, por paskëshin qenë të UÇK-së. Vrasja e Rajkut në qarqet serbomëdha u prit me indinjatë të madhe. Për humbjen e Rajkut, komandiri i policisë serbe në Burim ishte shprehur: “Potë m’i vrisnin pesë njerëz tjerë, e madje edhe të kishin mundësinë e zgjedhjes së tyre, nuk do të mërzitesha më shumë se për Rajkun”.
Aksionin e radhës Shabani së bashku me djalin Hysenin dhe nipin Nazmiun e ndërmarrin në jug të daljes së fshatit Rakosh dhe hyrje të fshatit Kërrninë të Burimit. Në një pritë të përgatitur mirë ata vrasin dy policë serbë të uniformuar: Slavko Gergiq nga Rakoshi dhe Sllavolub Grozdanoviq nga Kernina, derisa këta po shkonin në ndërrim në një postbllok të policisë serbe. Policëve të vrarë, grupi i UÇK-së ua merr armët si trofe dhe të njëjtat në mëngjes dorëzohen në shtabin e UÇK-së në Drenicë. Edhe më këtë rast, komandanti i Shabanit në Drenicë në shenjë mirënjohje dhe krenarie duke ia rrahur supet i thotë: “Sa herë po të sjell era këndej tek ne, nga një aksion po na kryen andej, plus po na sjellë armë”.Jehona e vrasjes së policëve serbë dalëngadalë po mbillte farën e frikës, dëshpërimit dhe rënien e moralit në veçanti të strukturat komanduese dhe pjesëtarët e policisë. Vrasja e këtyre policëve i kishte kufizuar deri në minimum lëvizjet e policisë serbe gjatë natës, ndërsa banorët shqiptarë të kësaj treve për herë të parë po ndienin një lehtësim, një qetësi pak më të madhe, edhe pse të përkohshme, nga bastisjet e policisë serbe që i ndërmerrte natën.
Rrethimi, rënia në shtëpinë e lindjes dhe vrasja e familjes
Strukturat inteligjente serbe përmes shërbimeve dhe rrjetit informativ që kishin do të kuptojnë së në ballë të të gjitha veprimeve, sulmeve, atentateve qëndronte strategu sypatrembur Shaban Salihaj dhe grupi i tij, i cili e mbështeti me forcën dhe besnikërinë më të madhe deri në fund. Për të asgjësuar këtë grup të UÇK-së i cili po u kallte datën, strukturat policore, ushtarake dhe paramilitare hartojnë planin e eliminimit të këtij grupi.
Në mbrëmjen e 28 gushtit 1998, Shabani me grupin e tij të vogël kthehet në shtëpi për të vizituar familjen e tij në në Shushicë të Poshtme. Për vizitë në shtëpinë e tij kishte qenë edhe dy herë pra kësaj date. Si për ironi të fatit, atë mbrëmje kishte pasur dy” mysafirë” që kishin ardhur ta vizitojnë, qëllimet e të cilëve nuk kishte arritur t’i kuptoj Shabani edhe pse ata qëndruan deri pas mesnate. Rreth orës katër të mëngjesit të 29 gushtit, nëna e Shabanit vëren se sana në oborrin e tyre po digjej, Ajo lajmëron Shabanin se janë rrethuar. Sanën po e digjnin forcat serbe nga distanca. Të gjithë të pranishmit në shtëpi zgjohen duke kapur armët për të rezistuar. Fillojnë të shtëna nga shumë drejtime nga kalibra pushkësh snajperiste, automatikësh, mitrolozësh të rëndë nga autoblindat. Një luftë e pabarabartë,për jetë o vdekje. Luftë në mes të lirisë dhe robërisë. Pozicionimi i luftëtarëve të lirisë bëhet në qark, duke bërë përpjekje për ta mbrojtur pragun e shtëpisë, nderin dhe lirinë e nëpërkëmbur. Ndër anëtarët e parë që goditet nga plumbat ishte Isë Hyseni,babai i Shabanit, plak 76 vjecar, të cilin pasi e zënë e ekzekutojnë. Pas tij ,në intervale të ndryshme kohore vriten vëllezërit e Shabanit, Arbeni, dhe Abedini, e më vonë djali i Shabanit, Hysniu. Djali tjetër i Shabanit, Hyseni plagoset duke tentuar për të çarë rrethimin e trefishtë që kishin bërë forcat serbe. Në të njëjtën kohë plagë të rënda kishte marrë dhe Milaimi, vëllai i Shabanit. Të dy edhe pse të plagosur vazhdojnë të rezistojnë duke u bërë krah i lirisë, zë i ndërgjegjes së kombit, duke u bërë fanarë të dritës së lirisë së Kosovës. Tymi dhe flaka kishte mbuluar Shushicën. Krismat e armëve të të gjithë kalibrave të mundshëm po e vrisnin mëngjesin e asaj dite gushti, ndërsa familja Salihaj po luftonte me një ushtri, me një krajli. Nëpër flakët e zjarrit, nëpër shtëllungat e tymit, nëpër krismat dhe gjëmimin e armëve shquhej zëri i Shaban Isës që komandonte, u jepte zemër familjarëve të tij të luftojnë dhe të mos turpërohen para shkjaut. Rrethimi sa vinte e ngushtohej përreth luftëtarëve të lirisë. Krismat e mbrojtjes bëheshin gjithnjë e më të pakta. Municioni po u mbaronte. Kur Hysenit dhe Nazmi Gashit po u mbarohej municioni, për të mos rënë në duart ebishave serbe, bëjnë vetëvrasje duke qëlluar me revole në pjesën e majtë të nofullës. Nuk donin të dorëzoheshin për asnjë çmim, kishin dhënë betimin e ushtarit të UÇK –së dhe këtij betimi i qëndruan deri në fund. Të njëjtën ditë vritet edhe Gani Salihaj, që ishte civil. Dara e rrethimit militarist po e ngushtonte rrethin ndaj shtëpisë së familjes Salihaj.
Derisa shumica e mbrojtësve të lirisë ishin vrarë aty pranë shtëpisë dhe përreth, Shabani arrin të dalë nga rrethi i parë duke u futur në rripin e malit afër 300 metra të gjatë dhe përafërsisht 50 metra të gjerë që fillon nga oborri i shtëpisë së tij në drejtim të lindjes deri në rrugën Zhakovë – Rakosh. Shabani vritet në rrethin e dytë kur në armët e tij nuk kishte mbetur më asnjë sasi municioni, afër rrugës Zhakovë – Rakosh. Koha e vrasjes së tij ishte ora 10. Ndërkohë, forcat serbe zënë gruan e Shabanit duke bërë përpjekje për tu arratisur nga shtëpia në drejtim të perëndimit. Rreth orës 11 serbët hyjnë në oborrin e shtëpisë dhe fillojnë ta djegin atë. Kërkojnë edhe nënën e Shabanit që ta vrasin, e cila e sëmurë kishte arritur të strehohej në shtëpinë e një fqinji. Ndërsa gruaja e Shabanit, të cilën serbët e kishin marrë me vete, është gjetur e masakruar në postbllokun e policisë dhe ushtrisë serbe në Kodër të Rakoshit (3-4 kilometra larg nga shtëpia). Asaj më vonë i janë gjetur vetëm eshtrat dhe flokët që dalloheshin se janë të saj.
Mëngjesi dhe paraditja e 29 gushtit 1998, nuk ishte ditë e zakonshme për banorët e trevës së Burimit, ndonëse ishte një ditë pas shiut që kishte rënë gjatë natës. Koha e vrerët dhe me mjegull që kishte pllakosur luginën e lagjes së Salihajve nuk kishte mundur as përafërsisht të mbuloj gjurmët e krimit monstruoz që u krye atë ditë. Banorët e fshatrave përreth, sidomos Shushicë e Poshtme dhe e Epërme, u zgjuan nga krisma armësh dhe e kuptuan se aty në lagjen e Salihajve po bëhej luftë, ndërsa ata po qëndronin të mpirë, po bënin sehir. Sipas burimeve serbe, në operacionin kundër familjes Salihaj, kishte marr pjesë një efektiv prej 500 trupave, ku bërthamën kryesore e përbënin ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë nga Burgu i Dubravës, që ishte shndërruar në një bazë të madhe ushtarake e logjistike, i cili me vonë qe bombarduar nga NATO. Në mesin e 500 trupave kishte edhe policë e paramilitarë serbë nga fshatrat përreth Shushicës si: Zhakovë, Mojstir, Shushicë e Poshtme, Mojstir, dhe Veriq. Ditën e vrasjes pandërprerë mbi Shushicën e Shaban Salihajt, një helikopter i ushtrisë vrastare serbe vrojtonte pandërprerë mbi gërmadhat e kullës së Salihajve që ende nxirrnin tym dhe flakë. Dukej sikur as vet nuk po u besonin syve së Shabani dhe formacioni tij i UÇK-së ishin vrarë .
Varrimi i dëshmorëve dhe anëtarëve të familjes Salihaj u bë në oborrin e tyre ditën e nesërme, më 30 gusht 1998, ndërsa më vonë është ngritur një lapidar në hyrje të rrugës që shpien të lagja e tyre, përgjatë magjistrales Pejë – Mitrovicë. Ndonëse kontributi I dëshmorit Shaban Salihaj për UCK-në deri në rënien e tij (5 mars-29 gusht) zhvillohet brenda një periudhe më të shkurtër së gjysmë viti, rënia e tij në fushën e betejës ishte një humbje e madhe për UÇK-në kur të merret parasysh roli dhe kontributi i tij intensiv. Akti i madh heroik, guximi, atdhedashuria, vetëflijimi me vetëdije, Shaban Salihajn dhe familjen e tij, do ta radhisin përjetësisht në gjerdanin e dëshmorëve të kombit shqiptar të cilët luftuan gjithandej për një atdhe të lirë. Përjetësisht!
Më 28 gusht 2011
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi