Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Edlira Dedja: Ti sot ke marrë medaljen e mirënjohjes së popullit tënd! - Gëzuar 30 vjetorin, Miku im Saimir Pirgu!

Shko poshtë

Edlira Dedja: Ti sot ke marrë medaljen e mirënjohjes së popullit tënd! - Gëzuar 30 vjetorin, Miku im Saimir Pirgu! Empty Edlira Dedja: Ti sot ke marrë medaljen e mirënjohjes së popullit tënd! - Gëzuar 30 vjetorin, Miku im Saimir Pirgu!

Mesazh nga Agim Gashi Fri Sep 23, 2011 1:31 am

Edlira Dedja: Ti sot ke marrë medaljen e mirënjohjes së popullit tënd! - Gëzuar 30 vjetorin, Miku im Saimir Pirgu! U1_SaimirPirgu
Ti sot ke marrë medaljen e mirënjohjes së popullit tënd!
Gëzuar 30 vjetorin, Miku im Saimir Pirgu! (23 shtator 2011)
« Në një qytet të pluhurosur të Shqipërisë së mesme, një djalë 14 vjeçar, me emrin Saimir Pirgu, në një kasetofon të vjetër gjithë zhurmë, ka dëgjuar për herë të parë « Tre tenorët » dhe ka vendosur të bëhet tenor. Kjo ka ndodhur në vitin 1995. Pas mbarimit të Liceut Artistik në Tiranë, djaloshi niset për në Itali, për të plotësuar ëndrrën e vet. U shkruante prindërve se studjonte për muzikë, por ata e kishin vështirë ta besonin. Kishte raste kur shqiptarët shkruanin se po studjonin për art apo diplomaci, e në të vërtetë ishin bërë banditë. Kur Ai u kthye për herë të parë në Shqipëri, prindërve ju duk krejtësisht i pakuptueshëm. Thoshte se ishte bërë tenor. Dhe, bashkë me honoraret, u tregoi afishet që mbanin emrin e tij. Çmimet « Tito Schipa » dhe « Caruso », Claudio Abbado, Mozart, Gustav Kuhn, Staatsoper Wien, Donizetti, Royal Covent Garden, London, Salzburg Festival. Kishte kënduar në ato salla, ishte duartrokitur, ishte vlerësuar si rrallë kush. Por prindërit, siç e tregon ai vetë, prapë nuk e besuan. E kishin më lehtë të kujtonin se ishte thyes bankash se sa tenor. Kjo ishte Shqipëria dhe imazhi i saj. Përpara se të besonin se nxirrte art, besonin te gangsterët e saj. Ndërkaq, një tufë djemsh dhe vajzash të reja, me libra, me piktura, violina dhe arie operash, po rrekeshin t’i kthenin letrat e fisnikërisë popullit të vet. Saimir Pirgu është një ndër ata. Zëri i tij tronditës ngjan se vjen njëherësh nga thellësitë e nga lartësitë. Ai ka veçantinë e rrallë të zërave që, bashkë me këngëtimin, kërkojnë ringjalljen shpirtërore të popullit që i lindi »
Ismail Kadare
Edlira Dedja: Ti sot ke marrë medaljen e mirënjohjes së popullit tënd! - Gëzuar 30 vjetorin, Miku im Saimir Pirgu! U1_EdliraDedja
Nga Edlira Dedja
Sot ti mbush 30 vjeç dhe unë ndodhem me mijëra kilometra larg për të uruar ditëlindjen, Miku im, Saimir Pirgu. Por sot, për ty, bota është tepër e vogël dhe distancat e mëdha janë vetëm shifra e numra të papërfillshëm që ti i regjistron nëpër axhendat e tua të programeve e të udhëtimit. Ti e ke kapërcyer tashmë këtë dimension me hapa vigane ; ke sfiduar vitet, gjeneratat, parashikimet. Ke shkelur me shpejtësi marramendëse skenat më të mëdha : Zurich, Madrid, Bilbao, Londër, Paris, Milano, Rome, Munich, Berlin, Vjenë, Bruksel, Santa Fé, New York, Washington, Los Angelos, etj.; je duartrokitur e përshëndetur me admirim nga të katër anët e botës, duke krijuar një emër të madh, një identitet të ri, një simbol krenarie për ne të gjithë.
Nuk do ta harroj kurrë atë mbrëmje, kur asistova për here të parë në njërën prej shfaqeve të tua më të suksesshme - ”La Traviata”. Atmosfera mbas përfundimit të operas ishte tepër emocionuese, kur pas duartrokitjesh të zjarrta, Ti dole përsëri të përshëndesësh publikun. Thjeshtësia dhe buzëqeshja jote plot dritë, e ndezi edhe më shumë sallën e teatrit. Të dukej sikur mbi zhurmën e brohorimave të publikut ndiheshin ende tonet e zërit tënd brilant, plot jetë e ëmbëlsi, të cilat ndërthureshin me sigurinë e një personaliteti të fuqishëm artistik që buronte nga pamja jote sa e brishtë aq edhe e madhërishme. Muzika e Verdit bëhej edhe më magjepëse në tonet e zërit tënd; atmosfera e teatrit tendosej dhe të krijohej përshtypja se çdo gjë ndrronte pamje nën pushtetin e këtyre tingujve. Të dukej sikur nuk kishte më kufij, por vetëm shkëlqim, melodi e dashuri. Të krijihej përshtypja se në ato çaste, konturet e sallës shkriheshin me botën përreth dhe harroje se jashtë saj kalimtarët nxitonin për t’iu shmangur temperaturës së acartë të dimrit zviceran.
E kuptova menjëherë se kisha përballë një tenor të përmasave të mëdha. Një tenor që ende nuk kishte mbushur 23 vjetët, por që me pjekurinë dhe përvojën e tij mund të krahasohej me kollosët e skenës. Kjo eksperiencë e jotja me Alfredon, së shpejti do të kurorëzohej me çmimin ndërkombëtar “Corelli “ dhe do të vijonte me një sërë suksesesh të tjera marramendëse.
Edlira Dedja: Ti sot ke marrë medaljen e mirënjohjes së popullit tënd! - Gëzuar 30 vjetorin, Miku im Saimir Pirgu! U1_SaimirPirgu2
Duke shkruar këto rradhë, m’u kujtua edhe dita e pare kur u takuam së bashku, ku pas buzëqeshjes tënde të çiltër dhe thjeshtësisë së madhe të komunikimit, zbulova konturet e një djaloshi të dlirë e human, që më krijoi përshtypjen se e njihja prej një jete të tërë. Rrezatues, modest e njëkohesisht shumë dinjitoz, më tregove me pjekuri për jetën tënde, studimet, për hapat e para në karrierë; më fole për takimin dhe miqësinë e veçantë me Luciano Pavarotin, i cili të dha edhe shtytjen e parë drejt suksesit; bashkëpunimet me Abbadon, Harnoncourt-in, Woody Allen, Placido Domingon, Lorin Maazel, Daniele Gatti-n, Seiji Ozawa, Gustav Kuhn, James Colon, Antonio Pappano, me projektet për të ardhshmen, etj.
Lexoj gjithnjë komentet e kritikës mbi lojën tënde dhe shpesh ndeshem në termin “sensacion”. Sensacion për të gjithë është jo vetëm mosha e re në të cilën ti ndërtove këtë karierë të shkëlqyer, si askush më pare, por edhe personaliteti artistik që munde të krijosh, duke u evidentuar në elitën e tenorëve aktualë, si më i suksesshmi i gjeneratës tënde. Pas “Idomeneos”, kritika europiane të krahasoi me Tito Schipa-n, duke shtuar se po arrite ta ruash formën tënde vokale, vetëm qielli mund të mbetej limiti yt…
Ti mund të quhesh sot pa frikë “Ambasadori Shqiptar” më i suksesshëm; e jo vetëm për artin tend, por edhe për humanizmin tend të pashoq. I kam ende në veshë brohoritjet në Tonhalle të St.Gallenit, ku more pjesë në koncertin humanitar kushtuar fëmijëve shqiptarë në nevojë, (“Das Beste aus Oper und ballet”), një ditë përpara marrjes së çmimit ndërkombëtar “Franco Corelli” nëAncona. Nuk mund të harroj emocionet e dhjetorit 2010 dhe “standing ovation” të spektatorëve në dy koncertet e tjera humanitare në Zvicër, ku dhe përsëri kontributin tend për fëmijët dhe për studentët shqiptarë.
I dashur Saimir,
Nuk dua të shkruaj më gjatë për sukseset e tua, pasi jam e bindur se s’ka ditë që të mos përmëndet emri yt në shtyp, në television apo në radio, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë botën, aty ku ndodhesh. Nuk ka ditë që të mos ndeshesh e shtrëngosh dorën me një personalitet të politikës, shkencës, biznesit, artit apo dipllomacisë ndërkombëtare, të cilit ti nuk harron t’i flasësh për Shqipërinë; nuk ka ditë që zemra jote fisnike të mos rrahë fort për të ardhmen e saj, për të cilën ti po kontribon me aq dinjitet e devocion.
Ndoshta do të ishte dashur që me rastin e përvjetorit të 30-të ditlindjes tënde, të organizohej një aktivitet edhe në atdhe, të shprehej një mirenjohje apo të dhurohej një simbol. Unë e di që me modestinë tënde, ti i largohesh rasteve të tilla e kërkon të mbetesh gjithnjë i thjeshtë, mes miqsh’ e shokësh, pa u dalluar asnjëherë prej tyre. E ndoshta ky është edhe thelbi i vërtetë i suksesit tënd. Por nga ana tjetër, unë jam e bindur se në këtë përvjetor, ti ke marrë medaljen e mirenjohjes së madhe të popullit që të lindi e të rriti, të cilit, ti i hodhe supeve si askush tjetër më parë, petkun e krenarisë.
Edhe 100 vjet, Miku im i nderuar Saimir Pirgu!
Edlira Dedja
Presidente e “Opéra sans friontières”, Zvicër
Edlira Dedja: Ti sot ke marrë medaljen e mirënjohjes së popullit tënd! - Gëzuar 30 vjetorin, Miku im Saimir Pirgu! U1_SaimirPirgu4
Edlira Dedja: Ti sot ke marrë medaljen e mirënjohjes së popullit tënd! - Gëzuar 30 vjetorin, Miku im Saimir Pirgu! U1_SaimirPirgu6
Edlira Dedja: Ti sot ke marrë medaljen e mirënjohjes së popullit tënd! - Gëzuar 30 vjetorin, Miku im Saimir Pirgu! U1_SaimirPirgu7

Vizitoni faqen zyrtare të tenorit të Madh Evropian: www.SaimirPirgu.com
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi