Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Rexhep Elezaj:Në Kosovë nuk ka dhe as nuk do të ketë radikalizëm islam..!

Shko poshtë

Rexhep Elezaj:Në Kosovë nuk ka dhe as nuk do të ketë radikalizëm islam..! Empty Rexhep Elezaj:Në Kosovë nuk ka dhe as nuk do të ketë radikalizëm islam..!

Mesazh nga Agim Gashi Mon Oct 17, 2011 8:32 pm


Në Kosovë nuk ka dhe as nuk do të ketë radikalizëm islam..!


Rexhep Elezaj:Në Kosovë nuk ka dhe as nuk do të ketë radikalizëm islam..! Rexhep_elezaj
Shkruan: Rexhep Elezaj
Në fokus të debateve aktuale për fenë

Feja islame dhe myslimanët shqiptarë nuk e kanë rrezikuar asnjëherë kombin shqiptar me asgjë, përkundrazi e kanë ruajtur atë si sytë e ballit me penë, me pushkë dhe gjak.


Për fat të keq opinioni shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe diasporë është ndarë dhe polarizuar në dy taborre; i pari, që mbron parimet dhe të drejtat e lirive fetare islame (i quajtur nga grupi i dytë “radikalistë-ekstremistë islam”), dhe i dyti, që “lufton” kundër dukurive antikombëtare të “radikalistëve islamë” (i cilësuar nga grupi i parë si antiislam dhe islamofobë), e, që në fakt ka sjellë tek debatet dhe polemikat e ashpra, e shpeshherë edhe sharje-fyerjet e pa tolerueshme midis këtyre dy grupimeve gati në të gjitha mediet e shkruara, vizive dhe në internet. Dikush mund të thotë se nga këto debate nuk ka ndonjë të keqe, ngase ato kryesisht janë konstruktive dhe i sjellin dobi ecurive shoqërore dhe demokratike, në veçanti popujve të cilët akoma gjenden në fazën e tranzicioneve të tyre zhvillimore. Nisur nga situata në teren, duket qartë se etnikumi shqiptar në Ballkan ende nuk e ka kaluar këtë fazë në shumë aspekte, posaçërisht atë fetar. Fazë kjo e cila duket sikur po zgjatë më shumë seç është pritur nga ekspertët dhe analistët e shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Toleranca ndërfetare të shqiptarët


Sido që të jetë, të qenit sot njeri fetar i besimit islam në hapësirat gjithëshqiptare i parë me syrin dhe dioptrinë e grupit të dytë (“islamofobistëve”), sikur nënkupton se si mysliman i takon një feje primitive, dekadente, militante, radikale bile dhe “terroriste”!? Pra, sipas këtij grupimi (ti) je pjesë e “Një të keqeje më të madhe që e ka goditur kombin shqiptar” (Ismail Kadare, etj), të cilën, siç thonë me ngulm na e kanë sjellë dhe imponuar me “dhunë dhe shpatë” pushtuesit otomanë, pastaj, se si mysliman i takon mesjetës, shkretëtirave arabe, botës antidemokratike, “terrorit dhe radikalizmit islamik”, etj, etj! Natyrisht, se kjo pasqyrë e shtrembëruar ndaj Fesë islame si dhe këto akuza kaq të rënda ndaj myslimanëve shqiptarë dhe besimit të tyre islam, e themi me bindje të plotë, se nuk qëndrojnë si të tilla në asnjërin variant të mundshëm, nëse kihen parasysh faktet (e gjalla), se askund dhe asnjëherë në hapësirat shqiptare në 20 vitet e fundit, por as më herët në histori, nuk ka pasur dhe nuk është shënuar ndonjë luftë vëllavrasëse me karakter fetar midis shqiptarëve te të dy konfesioneve monoteiste, atij Islam dhe atij të Krishterë e nisur dhe e shkaktuar nga “radikalizmi islam”, siç ka pasur p.sh. luftëra fetare në shumë vende të Evropës si në Irlandë, etj. Pra, nuk kemi hasur në asnjë libër të historisë sonë të ketë ndodhur edhe më i vogli eksces me motive fetare midis shqiptarëve të dy besimeve, por as midis myslimanëve shqiptarë me serbët ortodoks ose me pakicat tjera etnike që kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë në Kosovë. Prandaj, këtë vlerë kulturore dhe fetare të gjithë ata të cilët ia duan të mirën kombit shqiptar duhet ta çmojnë dhe ta ruajnë edhe më tej, në vend se të ngritin alarmin për “rreziqet nga Islami dhe islamistët” për qëllime politike dhe fetare, përkatësisht duke shtrembëruar dhe përmbysur bashkë me tolerancën fetare të vërtetat historike mbi rolin dhe kontributin Fesë islame në aspektin e ndërtimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Kur jemi tek grupi i parë, islamistët të cilët në Kosovë i mbrojnë të drejtat e tyre fetare, ende jo të pa garantuara me ligj dhe kushtetutë, në fakt ata që po kërkojnë hapësirë dhe komoditet më të përshtatshëm për kryerjen e riteve të tyre fetare, e që në realitet sipas ligjeve dhe normave të Islamit shquhen si besimtarë të përkushtuar ndaj zbatimit dhe praktikumit strikt të obligimeve dhe riteve fetare islame, në asnjë mënyrë këtë përkushtim të tyre fetar nuk duhet kuptuar si “radikalizëm islam”, por as si “ekstremizëm islamik”, përderisa askund deri më sot në hapësirat shqiptare dhe diasporë nuk ka ndodhur, fatbardhësisht, asnjë vrasje apo sulme me bomba me motive fetare, e që aktorët të kenë qenë shqiptarë. Përjashto dy-tri raste të izoluara dhe individuale në Gjermani dhe SHBA, që nuk mund të cilësohen si “terrorizëm islamik shqiptar”, dhe aq më pak të jetë kjo një dukuri me prapavijë islame tek shqiptarët e besimit islam. Ekzagjerimi dhe fryrja tej mase e këtyre rasteve (rasti i deklaratës famoze së priftit shqiptar Anton Kçira), si dhe përgjithësimi i tyre bashkë me akuza të pa bazuara, se në mesin e shqiptarëve të besimit islam ekzistojnë grupe “terroriste, ekstremiste dhe radikale”, përveç se është i paqëndrueshëm, në fakt, një vlerësim dhe qëndrim i këtillë, pa dyshim, paraqet ekstremizëm të llojit të vetë, mbase keqkuptim të plotë të Islamit tek shqiptarët, shtrembërim të rolit të tij, frikësim, islamofobi e ndoshta edhe antiislamizëm, të gjitha këto krejtësisht të pajustifikuara fetarisht si “rreziqe islamike”. Feja islame nuk e kërcënon kombin shqiptar dhe as të ardhmen tij siç po proklamojnë disa, kur dihet historikisht roli tejet i madh dhe pozitiv i dijetarëve dhe intelektualëve shqiptarë të besimit islam në mbrojtjen e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar, për të cilën kauzë dëshmon më së miri puna dhe sakrificat e pafund që kanë bërë për të mirën e kombi që nga mulla Ymer Prizreni, Haxhi Zekë Peja, vëllezërit Frashëri, hoxhë Tahsini, Hasan Prishtina, Ismail Qemajl Vlora, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Ali Korça e deri te mulla Idriz Gjilani, e më vonë edhe dijetarët islamë si Hasan Efendi Xhehenëmi, mulla Zekë Bërdynaj, Haxhi Sherif Ahmeti si dhe shumë e shumë figura tjera të shquara.

Fyerje në adresë të fesë islame

Më e dëmshmja në këto debate dhe polemika, sipas mendimit tonë, është fjalori dhe gjuha tejet agresive që në shkrimet e tyre po përdorin shumica e kritikuesve, siç thonë , të “dukurive negative” te islamistët në krye me Vehabistët të cilët i akuzohen si bartës të “Islamit talebanë” të bartur nga Pakistani e Afganistani, madje si shkatërrues të Islamit tradicional shqiptar, si “ekstremistë” që shtrojnë kërkesa radikale siç është bartja e shamisë në shkolla dhe vende publike të femrat e besimit islam, kërkesat “inatçore” të tyre për ndërtimin e një xhamie të madhe në qendër të Prishtinës, futjen e mësim-besimit dhe edukatës fetare nëpër shkolla fillore dhe të mesme, etj, gjithnjë me pretekstin se po duan ta destabilizojnë situatën politike dhe fetare në Kosovë, se po e prishin imazhin e Kosovës në Evropë dhe botën demokratike, e deri te akuzat shumë të rënda, se këto grupe islamiste bashkë me lëvizjen “Bashkohu” na qenkan “krijesë e Beogradit” si dhe fajësime tjera, kryesisht të pa bazuara në realitet, dhe kështu me radhë që kurrsesi nuk mund t’i shërbejnë krijimit të atmosferës së mirëkuptimit, tolerancës dhe harmonisë fetare në Kosovë, por as më gjerë në hapësirat shqiptare. Ngase, kritikat dhe debatet të cilat bartin në vete pak argumente e shumë më shumë fyerje, ofendime, refuzime, urrejtje dhe nxitje të konflikteve qoftë edhe vetëm verbale, duke këmbëngulur në formë të prerë; se “radikalistët islamikë” shqiptarë si dhe “mjekrroshaxhinjtë pantollashkurtër” i kanë sjellë dhe po i bëjnë dëme të mëdha Kosovës për mos t’i lënë shqiptarët të hyjnë në Evropën e bashkuar (BE), etj, s’ka dyshim, se kjo gjuhë e ashpër dhe ky agresivitet, për të mos thënë kjo kampanjë e qëllimshme e cila nuk ka të ndalur kohëve të fundit në mediet shqiptare, nuk mund të sjellë qetësi, mirëkuptim dhe dialog të mirëfilltë midis këtyre dy taborreve kundërshtare. Prandaj, zgjidhja e vetme e këtij “konflikti” mediatik dhe ende verbal , po qese nëse nuk ndërpritet, lehtë mund të eskalojë në forma të dhunës, gjë të cilën nuk e dëshiron asnjë shqiptar. Pra, sipas mendimit tonë, të gjitha çështjet fetare duhet të institucionalizohen dhe të futën në sistemin juridik dhe kushtetues të Kosovës, ku çdo e drejtë fetare, liria e besimit dhe mosmarrëveshjet e mundshme duhet të zgjidhen përmes rrugëve institucionale midis organeve të shtetit dhe bashkësive përkatëse fetare. Meqë, nuk ka dhe as nuk mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme përmes rrugës, protestave, por as përmes debateve të ashpra mediale, fyerjeve të besimit dhe të ndjenjave individuale dhe kolektive të besimtarëve, qofshin ata islamë apo të krishterë. Feja islame dhe myslimanët shqiptarë nuk e kanë rrezikuar asnjëherë kombin shqiptar me asgjë, përkundrazi e kanë ruajtur atë si sytë e ballit me penë, me pushkë dhe gjak, dhe këtë e kanë dëshmuar qindra herë gjatë historisë sonë kombëtare, së fundi edhe në luftën çlirimtare me 1998/99, meqë rast për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ranë dëshmorë mbi 40 imamë dhe hoxhallarë shqiptarë.


P.S Pikëpamjet e shprehura në këtë rubrikë nuk shprehin domosdoshmërisht edhe qëndrimet e redaksisë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi