Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ah, sikur të vijë edhe Vaçja...

Shko poshtë

Ah, sikur të vijë edhe Vaçja... Empty Ah, sikur të vijë edhe Vaçja...

Mesazh nga Agim Gashi Sun Apr 05, 2009 11:18 pm

Ah, sikur të vijë edhe Vaçja...

Nga Agron SEJAMINI
Mbretëresha e këngës, nderi i kombit, Vaçe Zela feston 70-vjetorin e lindjes
Ah, sikur të vijë edhe Vaçja... Sh_b

Ah, sikur të vijë edhe Vaçja... --vacezela

Ikin vitet... Plot 70 vjeç mbush Vaçja më 7 prill. Do të festohet ditëlindja e mbretëreshës së këngës, por... jo vetëm një ditë. 2009-a, është shpallur viti i Vaçes. Një sërë veprimtarish parashikon projekti i këtij manifestimi gjithëvjetor, i organizuar nën vëmendjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Një album me këngët më të hershme të saj, është duke u përgatitur, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore do të organizojë një koncert festiv, ku do të interpretohen këngët që ka kënduar Vaçja...
-Por më e bukur dhe më e madhërishme, do të jetë sikur të vijë vetë Vaçja, dëshiron kompozitori Gazmend Mullahi, shef i Sektorit të Arteve, në këtë ministri.
Të hënën, Shoqata Atdhetare Kulturore "Vlaga", do të ulë në "Sofra e Shpiragut" mbi 100 mysafirë për të gëzuar ditëlindjen e madhe, të bijës së tyre myzeqare. Do të përshëndesë maestro Zhani Ciko, do të recitojë Artistja e Popullit, Margarita Xhepa, do të këndojë e vallëzojë Ansambli Folklorik "Shqiponja"...e me radhë, pjesë të tjera vijojnë. Por...
- Vetëm prezenca e Vaçes atë ditë, do të na mjaftonte për ta festuar madhërishëm, thotë kryetari i kësaj shoqate, Todi Mile.
- Ah, sikur të vijë Vaçe Zela... Dhjetra njerëz e ndalojnë në udhë këto ditë Hysni Zelën. E urojnë përzemërsisht dhe më pas, si me gjysëm zëri, i shprehin atë që shumë dëshirojnë:
- Ishallah! Mbase vjen Vaçja këto ditë...!
Por... edhe kjo fotografi e hershme e Vaçes, sikur shpreh dëshpërimin e saj që nuk mundet të jetë dot mes nesh. Gjendja e saj shëndetësore nuk lejon që ajo të lërë për pak ditë Zvicrën dhe të vijë në Shqipërinë e saj të dashur... Gjithsesi...Edhe 100 vjet të tjera Vaçe Zela! Gëzofsh shëndet dhe ditë të lumtura!
I mjaftoi ai zë që i fali Perëndia. Nuk kishte nevojë për shkollë, sepse edhe vetë të shkolluarit, e patën të vështirë të dallonin një talent të lindur për të kënduar. Zëri i saj u zbulua dhe u vlerësua, kur ajo ende nuk kishte shkuar në shkollë. Kishte ikur të mbushte ujë dhe udhës këndonte për qejfin e vet. Por, ja që kishte kënaqur tej mase, me atë zë kumbues edhe disa gra, që shkonin drejt asaj çezme... E ndjeu shumë atë çast ledhatues. Nga ajo ditë, filloi të ngrinte edhe pak më shumë zënë kur shkonte për ujë, e dëshiruar për ta komplimentuar përsëri dikush tjetër. Të paktën sa u bë për shkollë, kishte flakur tej ndrojtjen... Zëri i saj u duartrokit fuqishëm edhe nga shokët dhe shoqet e klasës, e më pas të shkollës, teksa e dëgjonin në aktivitete artistike. Mes këtyre të kënaqurve nga zëri brilant i kësaj vogëlusheje, del një njeri me emrin Aleks Dani që do ta merrte për dore dhe do ta çonte në Shtëpinë e Kulturës. Shumë shpejt filloi të këndojë edhe pse krijoi bezdi për shtatlartësinë dhe veshjen. Në një zdrukthari u porosit një stol ku ajo hipte për të arritur mikrofonin. Ndërsa i sollën për të veshur një palë rroba grash, duke i dhënë pamjen e një gruaje të vogël. Pa filluar këngën, ndjeheshin edhe buzëqeshje, por kur përfundonte oshëtinin pëshpëritjet. "Sa zë të bukur paska!" Duke qenë se më shumë po shkëlqente në këngë, se sa në librat e shkollës, u mendua që shkolla më e përshtatshme për të në vazhdim, do të ishte Liceu Artistik në Tiranë. Me atë valixhe druri ku kishte futur rrobat dhe bashkë me to, ëndrrën se do të bëhej diçka, niset për konkurim. Si për t'u bërë të paharruar anëtarët e atij komisioni, dhanë vlerësim jo pozitiv për lushnjaren. - Edhe sikur të jesh talent, nuk mund të bëhesh këngëtare pa mbushur të paktën 18 vjeç, lëshoi sqarimin njëri prej tyre. Kthehet e plagosur shpirtërsiht pranë familjes... Madje u gëzuan, pasi nuk deshën që ta largonin vajzën nga shtëpia. Por, nuk e "pranoi" Lushnja! Dashamirës dhe njerëz që vlerësonin dhe besonin te zëri i saj, nuk iu bindën vendimit të atij komisioni. Mirë e kishin! Nuk mund të gabojë një qytet i tërë, kur për vite e kishin mirëpritur dhe duartrokitur në sa e sa interpretime. Ende, kur nuk kishte nxjerrë plaçkat nga valixhja e nisin përsëri në Tiranë. Këtë radhë, jo për shkollë artistike, por për të vazhduar një shkollë tjetër. Mjafton të ishte në atë qytet, ku nuk mungonte shansi për t'u dëgjuar dhe inkurajuar ai zë. Rregjistrohet në gjimnazin "Qemal Stafa" dhe pranohet të qëndrojë në konviktin e Shkollës "Pedagogjike". Kaq ju desh lushnjares, se pastaj dinte ajo t'i tregonte Tiranës se kush ishte Vaçe Zela. Fillimisht, gati gjithë kohën e lirë e kalonte me kitarën e bindur se atë do ta kishte krahun e djathtë, në ndonjë nga shfaqjet e ardhshme që në atë kohë, ishin me shumicë në kryeqytet. Krahas këngëve të muzikës së lehtë, mësoi edhe disa spanjolle, italiane, franceze e latinoamerikane. Shumë shpejt, ajo u bë e njohur në rrethet artistike studentore dhe në disa koncerte që organizoheshin çdo fundjave. Aq sa, kur kthehet në Lushnjë, pas mbarimit të gjimnazit, emërohet mësuese muzike. Edhe ato që mbronin diplomë për këtë vend pune, nuk mund ta arrinin për profesionalizëm gjimnazisten. Jo thjesht për zërin kumbues, por edhe për metodikën dhe pasionin që të ngallte te nxënësit, dashurinë për muzikën. Për pak kohë se ajo ishte vetë e zhurritur pas kësaj dashurie. Ndaj guxon dhe befason, kur hedh idenë se do të niset për herë të tretë, drejt Tiranës. Këtë radhë ia kishte hedhur sytë Institutit të Lartë të Arteve. Por edhe këtu me konkurim do të ishte njëlloj si në Lice. I kujtohej Liceu dhe i hynin mornica në trup. Ndaj, shmanget "pak" dhe konkuron për aktore. As ëndërr dhe as talent kishte për dramaturgjinë, por deshte t'i jepte fund "dramës" së fatit të saj. Nga Lushnja vinte, por Tirana e njihte si këngëtare. Ndaj nuk u çudit komisioni kur ajo u paraqit me kitarë. Madje, edhe ata i dëshironin këto minuta relaksi, duke harruar ta pyesnin për ndonjë etyd, recitim, monolog a pjesë dramë. Gabimin e dikurshëm të komisionit të kantos në Lice, e korigjon tani komisioni i dramës në Institutin e Arteve. Vaçja pranohet studente për dramë... Të paktën, këtu nuk mundi ta bëjë askush fajtore, pse nuk ishte studente e rregullt dhe e dalluar në mësime. Ajo rifilloi të duartrokitet edhe më fuqishëm sa herë vihej para mikrofonit. Tashmë, ftesat për ta patur pjesë të repertorit artistik i vinin nga shumë institucione artistike. Zëri i saj, i plotësuar me shumë elementë të tjerë, po e bënin një nga këngëtaret më të denja të skenës shqiptare. Kur ishte në gjysmën e vitit të tretë, për këngën, braktis studimet. Mbase nuk i duhej më shumë dramaturgjia. Tashmë, jo në personazhin dramatik, por si këngëtare e motivuar për të dhënë copëza ngjarjesh lirike dhe epike, meditime pafund për jetën, të përcjella me botën e saj shpirtërore... Kështu në fillim të vitit 1962, emërohet këngëtare profesioniste pranë Estradës së Ushtarit. As që i kishte dalë ndonjëherë në ëndërr kjo që ndodhi në jetën e saj. Ndaj u josh dhe u motivua aq shumë. Tre-katër shfaqje në javë jepte kjo trupë, ku vendin kryesor e zinte humori. Por, më shumë se skeçeve dhe parodive, shikuesit i gëzoheshin këngës që interpretonte Vaçe Zela. Adresa ishte Estrada e Ushtrisë, pasi kishte filluar t'i përkiste dhe pëlqente gjithë Shqipërisë. Këngët që ajo këndonte dëgjoheshin dhe dëshiroheshin shumë. "Në një arë, në një lëndinë", "Doli ylli që me natë" apo këngët e muzikës së lehtë: "Fëmija i parë", "Lemza", "Djaloshi dhe shiu", "Ndritni ju llampa neoni", "S'di të vallëzoj", "Valsi i lumturisë"... e detyruan Estradën e Shtetit që të bënte pjesë të saj, këngëtaren Vaçe Zela. Janë vitet '59-'62, ku kampi socialist ndjen një frymë pak më të lirë artistike, kaq e dëshiruar nga shqiptarët e ndrydhur. Vaçe Zela ishte një nga promotorët e atij ndryshimi së bashku me formacionin orkestral që e shoqëroi. Ndërtimi dhe tingëllimi i kësaj orkestre kishte karakter frymor. Kjo bënte të mundur që instrumentistët, sidomos ata të saksit, trompës, trombonit, pianofortit, baterisë, të dilnin në role të veçantë, në funksion të zhvillimit melodik e harmonik gjatë shoqërimit të këngëtarit. Kështu, elementët teknikë dhe estetikë rinovues vinin nga të dy palët, nga këngëtarja dhe orkestra. Nga artdashësit dhe specialistët, u ndje gjatë kësaj kohe, se Vaçe Zela kishte hipur ose ishte drejt fronit të Mbretëreshës së këngës së lehtë shqiptare...
Si e tillë, u duartrokit dhe u vlerësua edhe kur interpretoi në skenat e botës. Me zërin e saj dhe këngën shqiptare entuziazmoi edhe publikun grek. Gjatë një shfaqje në sallë ndodhej edhe mbretëresha e tyre, Marinela. Këndonte Vaçe Zela dhe nuk rreshtëte së duartrokituri Marinela. Dhe u kthye në statujë, kur Vaçja pas këngëve shqiptare, filloi të këndojë këngën e saj "Cavallo di bataglia". Nuk po merrej vesh nëse e pushtoi xhelozia, cmira apo kënaqësia?! "U zgjua" kur mbaroi shkëlqimi i Vaçes. Çohet me një tufë lulesh ndër duar dhe hypën në skenë, duke përqafuar mbretëreshën shqiptare, nën atë lumë ovacionesh të një salle që ishte ngritur e gjitha në këmbë. Po pse vetëm me kaq do të shuhej ai emocion? Të nesërmen, Marinela shtron një darkë për nder të Ansamblit shqiptar...
Vaçe Zela, ka çuar peshë Pallatin e Ssportit në Milano, mbase si në asnjë ndeshje sportive. Vetëm me një këngë. Me "Firence stanotte". Nuk u besonte syve dhe veshëve, ai publik i rritur me këngë dhe këngëtarët e vet që sundonin botën, se një këngëtare shqiptare do të shpaloste po aq bukur sa perlat shqiptare, edhe këngën italiane. Vokali i bukur dhe i pasur i shpalosur me delikatesë lotoi një publik të tërë... Por edhe atëhere kur harronte vargjet nuk braktisej nga publiku mbretëresha jonë. Gjatë një turneu në Norvegji, drejtuesit kërkuan që të këndohej edhe një këngë norvegjeze, që ishte shumë e njohur. Pas tri orësh fillonte koncerti. Falë aftësisë dhe mjeshtërisë së saj, gjithçka shkoi mirë gjatë përgatitjes. Ngjitet në skenë dhe norvegjezët befasohen kur këngëtarja e madhe shqiptare nis të interpretojë këngën e tyre më të dashur... Mirëpo... në mes të këngës Vaçja harron tekstin. E zënë si në faj, nguroset nga sikleti. Si të ishte dhënë komandë, të tre mijë spektatorët, çohen në këmbë dhe vazhdojnë këngën, atje ku e la Vaçja. Emocione dhe sukses mbase edhe më i madh se të mos kishte ndodhur harresa.
Ja pse, u bë aq e dashur për shqiptarët e madhja Vaçe Zela. Sepse, diti të këndojë aq bukur dhe të përfaqësojë aq denjësisht këngën shqiptare. Ndaj dhe i vendosi mbi krye titullin e merituar "Nderi i Kombit" mbretëreshës së këngës shqiptare... Ashtu siç e ka në zemër, ndaj dëshironte shumë ta kishte edhe para syve në këtë gëzim të ditëlindjes së saj. Edhe 100 vjet shëndet dhe lumturi, paç Vaçe Zela!


Vlerësime për Nderin e Kombit, Vaçe Zelën

Avni Mula, Artist i Popullit

Vaçja kishte një inteligjencë natyrale. Ia ka bërë "hyzmetin" këngës, në të gjitha vështrimet. Dhe, gjithmonë ia ka arritur qëllimit. Vaçja ishte edhe njeri i sakrificës. E vendosur në atë që kërkonte të bënte. Madje, ishte kurajoze, trime. Për këto cilësi çdo këngëtare duhet t'ia ketë zili. Në shpirt ishte thellësisht humane, demokrate në mendime. Edhe si njeri ishte e drejtë, e dashur. Me kontributin që i solli këngës shqiptare, Vaçja mbeti një artiste e madhe, një patriote e vërtetë".

Tish Daija, Artist i Popullit

Ishte tepër skrupuloze. Përzgjedhjen e këngës e ngriti në kult, përtej të zakonshmes, në mënyrë që t'i jepte mundësi zërit dhe vetes për interpretime të shkëlqyera. Kur ndonjë këngë s'i përshtatej sadopak natyrës së zërit të saj, ajo e braktiste. Zërin, këngën (si karakter) ajo i shihte të lidhura ngushtë mes tyre...
Vaçe Zela ka pasur një vokal të shkëlqyer. Ngjyrimet e zërit i ka përftuar në maksimum. I ka përdorur me inteligjencë të gjitha veçoritë e zërit, duke i vënë në veprim kur dhe si duhet, me vibrime të shkëlqyera: në portament, glisando, melizmat, kantilenën dhe lëvizjet kolorature. Me këngët që këndoi, popullore dhe të muzikës së lehtë, ajo krijoi stilin e vet, të cilin e imituan të tjerët me kalimin e kohës. Mbeti gjithmonë një këngëtare e veçantë".


vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ah, sikur të vijë edhe Vaçja... Empty Re: Ah, sikur të vijë edhe Vaçja...

Mesazh nga Agim Gashi Sun Apr 05, 2009 11:19 pm

Pavlina Nikaj, këngëtare

"Vaçja kishte një vokal të përsosur, për rrjedhojë edhe një interpretim të veçantë, perfekt, të cilin e vishte me një botë të madhe emocionale. Në axhendën e saj kishte një repertor të pasur, madje të larmishëm, që mund t'ia kishte zili çdo këngëtare: këngë popullore, këngë të muzikës së lehtë, këngë partizane; ka kënduar baladën, romancën, në fillimet saj edhe këngën e huaj. Dhe, në të gjitha këto është treguar një mjeshtre e vërtetë. Si njeri, Vaçja ishte e dashur, vlerësuese përkundrejt simotrave të saja këngëtare, të cilat i respektonte. Si këngëtare ajo arriti një kulm. Për të gjitha këto cilësi, unë, si këngëtare e kam adhuruar Vaçen".

Visar Zhiti, poet

Lushnja ishte dhe qyteti i të ardhurve, i të përndjekurve dhe i të internuarve. Po të perifrazonim Pol Elyarin (poetin francez) Lushnja u bë kryeqyteti i dhimbjes. Në këtë mjedis të dhimbjes rritet edhe Vaçja. Ajo me zërin e saj sikur u dha zë... të pazëve! Ishte mahnitëse. U bë Afërdita e muzikës shqiptare. Zëri i saj mund të quhet pjesë e lirisë së munguar..



Këngë të interpretuara nga Vaçe Zela

1. Rrjedh në këngë e ligjërime
2. Ku po shkon o partizan
3. Manushaqja
4. Ti që ke në sy lirinë
5. Mirëmëngjes
6. Një zambak i bardhë në gur
7. Këngë për Selam Salarinë
8. Valsi i lumturisë
9. Mall për mëmëdhenë
10. Këndoj
11. Marshojmë fitimtarë
12. Nënë moj do pres gërshetin
13. Trëndelinë
14. Motive
15. Dëshmorët e Pojskës (përp.)
16. Flakë e borë
17. Natën vonë
18. Doli ylli që me natë (Përp)
19. Sot këndoj
20. Kënga e krushqve
21. Me lule të bukura
22. Erë pranverore
23. Lulëkuqja
24. Jeho
25. Të lumtur të dua
26. Shqiponjë e lirë
27. Këngë e re
28. Për ty
29. Kur bie fyelli e çiftelia
30. Djaloshi dhe shiu
31. Gjyshes
32. Ylli partizan
33. Lemza
34. Këngë për aviatorin
35. Gonxhe në pemën e lirisë
36. Rrjedh në këngë e ligjërime
37. Mësuesit Hero
38. Këngë për Misto Mamen
39. Nuk është lodër dashuria
40. Çelu si mimoza
41. Sot jam njëzet vjeç
42. Fqinja
43. O diell i ri
44. Rritëm jetën tonë
45. Në shtëpinë tonë
46. Lule Shqipëri
47. Për liri s'të fal shqiptari
48. Nuk e fshehim dashurinë
49. Qeshu rini
50. Shokët
51. Lumi Ebro
52. Fëmija e parë
53. Kur jam pranë teje
54. Endrra ime
55. Endëses
56. Mes lulesh
57. Nusja e lirisë
58. Si agimi i kuq
59. Dita ditën me këngë e zgjon
60. Brezi im
61. Këngë për Shkurte Vatën
62. Mesnatë
63. Këngët e vendit tim
64. Dashuria
65. Gjurmë të arta
66. E dua vendin tim
67. Gëzon Malësia
68. Shoqet tona ilegale
69. Pushkë e zemër
70. Dritaren kërkoj
71. Jetë na dhuruat
72. E bukura More
73. Trëndelinë
74. Zunë fushat të lulëzojnë
75. Qeshu Myzeqe
76. Blegërin delja
Këngë partizane
77. Kënga e Azem Zenelit
78. Shqiponjat partizane
79. Ato maja rripa rripa
80. Marshi partizan
81. Dëshmorët e Pojskës
82. Partizani vogël
83. Dalngadalë po vjen behari
84. Kënga e Emin Durakut
Këngë të huaja
85. Firence stanotte sei bella
86. Chamino
87. Sei stato il primo amore
88. Suona, suona mia chitara
89. Granada
90. Malagenja
91. Antonio Vargas Serena
92. Esperanto
93. O violina cigana
94. Retiën la nuit
95. Gjinkalla (ruse)
96. Na u prish karroca (rumune)
97. Gjithë bota je ti (greke)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi