Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Skënder Braka:Kënga e fundit e plakut Marash ….Tregim

Shko poshtë

Skënder Braka:Kënga e fundit e plakut Marash ….Tregim Empty Skënder Braka:Kënga e fundit e plakut Marash ….Tregim

Mesazh nga Agim Gashi Tue Oct 25, 2011 9:23 pm

Skënder Braka:Kënga e fundit e plakut Marash ….Tregim 276250_100000232643811_146719746_n

Skënder Braka:Kënga e fundit e plakut Marash ….Tregim

Ishte mbrëmja e ditës së gjashtë të krishtlindjeve, që përkonte me ardhjen e një viti tjetër,Që nga vëngjilla e famullisë së vjetër të Shalës, tingujt metalik të kamabanës dhe zhurma e valles që kishte shpërthyer në shesh,kishin nisur të luhasnin ajrin e maleve veriore dhe jehonat e tyre përplaseshin e shuheshin më pas në heshtjen e muzgut përtej korijeve me mështekna të përhime të Qafës së Ndërmajës.

Sikurse kishte ndodhur ngaherë, në ditën e fundit të krishtëlindjeve, këmbana e famullisë dhe hareja e malsorëve që festonin, me një zhurmëri të hareshme oshëtinte anemban luginës dhe jehonat e tyre të fuqishme, thyheshin shpateve veriperendimore të Bigës së Gimajve. Prej sheshit të Nikaj-Mërturit, ku qëmoti, në kohërat kur këndoheshin këngët e lashta epike, krerët e luginës kryenin ritet e flijimeve dimërore. Në të shumtën e rasteve malsorët e atyre anëve thernin desh, por edhe krerë gjedhi.Edhe ato pak familje malsorësh që nuk kishin me se të festonin, ndihmoheshin prej kapedanëve të mëdhenjë si me mish ashtu edhe me verë. Kësisoj, asaj dite festa ishte shpërngulur prej Nika-Mërturit dhe Shoshit, drejt rrjedhës së lumit të Shalës dhe kishte bërë vend aty, kullë më kullë e shtëpi më shtëpi, po sipas atij zakoni të vjetër, për të përfunduar në ditën e gjashtë pas krishtëlindjeve pikërisht në këtë vend të ashpër malor rrethuar prej majash të thepisura, që shtrihej në të dy anët e lumit të Shalës, që buronte nga lartësitë e Bjeshkëve të Nëmura e derdhej tutje në ujërat e zhurmëshme e të kristalta të Drinit të Bardhë. Qirinjtë prej dhjami, që ati i famullisë nuk i kishte kursyer kurrë për kësi festash, vazhdonin të digjeshin nëpër faqet e mureve, ndërsa në oxhakët e hapur, kërcunjtë prej bredhi të kuq dhe dushku lëshonin gjuhët e tyre bojëgjaku.

Në dritën kaltëroshe të vatrës, plaku Marash Nikolli po rrinte gjysmë i përgjumur mbi një kërcu të qëruar ahu: me pëlhurën e bardhë që i kishte shkuar paksa mënjanë e me mjekrrën e thinjur, që i mbulonte nofullat e forta, po tymoste me një llullë prej shqope duhan. Fjollat e tymit i shkonin rreth rrathë perpara fytyrës së hequr.Tymoste dhe mendimet i shkonin përsëri larg. Pranë tij kishte zënë vend dhe po e ndiqte me vështrim një djalosh i fuqishëm, kryezbuluar, me flokët të qullura në djersë, me duart të rrasura në xhepat e tirqeve të tij të bardha e të gjëra prej shajaku të zi, që i rrinin mirë pas trupit. Djaloshi dukej i lodhur dhe nga balli i tij i lartë e i gjërë, bulëzat e djersës i kullonin përgjatë fytyrës së kuqërremtë ku sundonte një hundë e hollë si sqep shqiponje dhe një gojë e rrumbullakët me ca buzë të trasha të përthyera paksa në cepat e tyre. Djaloshi hera –herës e ulte shikimin përdhe dhe diç thoshte në heshtje. Ishte vetë Martini i Markut, djalit të tij të tretë, por që tashmë kishte mbetur i pari pasi dy të mëdhenjët i kishin rënë në betejat e përgjakëshme me turkun. Martini ishte djal trim e i çartur, që shpesh plakut i kujtonte të rit e tij. Edhe atëherë, edhe ai kështu vinte, i gjatë, i heshtur e plot energji.

Plaku Marash drejtoi pakëz trupin dhe e vështroi të nipin me sytë e tij që kishin nisur t'i lëngëzoheshin prej viteve.

– Pse nuk shkon në shesh të vallzon, biro ? – e pyeti me zë të ngjirur, ende gjysmë i përgjumur. Dhe, siç e kishte zakon prej vitesh, shtrëngoi rripin e mesit prej shajaku të trash ngjyrë të kuqe ku dalloheshin qartë dy fije gajtan të zi, ku i varej një thikë e futur në një millë. Martini nuk u përgjigj në fillim. Diç po tirrte në mëndje për gjyshin e tij. Atëherë plaku Marash u struk prap mbi kërcunë e lëmuar të ahut dhe vazhdoi të dremiste nën dritën kuqaloshe të flakëve të pishtarit, që ndriçonte kullën.

Jashtë në sheshin e ngrirë, vallja vërtitej me furi, dhe tingujt e saj e të lodrave që gjëmonin deri tutje kreshtave të thepisura të maleve, i mbytnin zërat e malsorëve e trokëllimat e shojeve të tyre. Copat e pastërmasë nga nxehtësia pikonin nëpër faqet e mureve , ndërsa trarët e tavanit të mbushur krejtësisht nga pluhuri dhe të përzhitura prej tymit të zjarrit kërcisnin. Ca rreze drite të drithëruara, që depërtonin nëpër plasat e frëngjive të ngushta e të errëta, vijëzonin grumbujt e borës nën atë copë qiell të ndriçuar nga hëna. Bënte një të ftohtë që të priste.Jashtë, në shkorret, dëgjoheshin vazhdimisht çapa shtazësh të vogëla dhe tek tuk ndonjë angullimë e largët qëni. Plaku Marash po ëndërronte për të kaluarën. Sa festa krishtëlindjesh kishte pare ai në mes të atyre maleve, dhe në kohën e tij nuk mungonte hareja.Tani gjithçka kishte ndryshuar. Djemëria tani i dukej më e plakur e më e zymtë. Pa atë nervin, që ata e kishin patur të dukshëm dikur. "Për nder",po thoshte me vete " dhe për të kënduar nuk dinë të këndojnë më si ne dikur. I kanë harruar fare këngët tona. Pa le për të kërcyer që nuk ia thonë fare. As që ia thonë pë vallet e vjetra. Nuk dini veç të hiqnin këmbët zvarrë, dhe, sa për kërcimet në ajër, që duhen bërë duke rrahur tokën me këmbë e duke i fluturuar më pas ato në ajër, më mire të mos i zije në gojë. Pastaj, sot nuk janë të zot as të rriheshin paq, si burra"!

Plaku Marash u gjënd papritmas në mesë të rrëmujës së festës. Për dy breza me radhë kishte marrë pjesë në çdo krishtëlindje dhe kishte kënduar me lahutën e tij si askush tjetër në mbarë sanxhakun e Petërshpanit, por tani po i vinte ndër mënd veçanërisht njëri, ai më i paharrueshmi, që kishte lënë atë gjurmën e tij të pashlyeshme nga kujtesa e tij. Kësisoj i mbërthyer prej atyre ndjenjave të rilindura e la veten ta rrëmbente krejtësisht rrjedha e atyre kujtimeve.

Asokohe ai ishte në lulen e rinisë së tij. Porsa i kishte mbushur të njëzetë e pestat. Vinte i bëshëm në trup dhe shpatullgjër, me ca flokë të gjatë pis të zinjë si pëndët e korbit dhe me ca sy të shndritshëm, sikur t'ia kishte rrëmbyer që në vogëli shqiponjës së Alpeve . Mbrëmjen e ditës së gjashtë pas krishtëlindjeve, sipas zakonit, festuesit kishin mbrritur këtu në sheshin e Shalës pak pasi ishte thyer mesi i natës. Plaku Tush Nikolli po luante vallen e “shqiponjave”, dhe në mes të haresë, ndërsa të gjithë kërcenin, djaloshi Marash Nikolli vetëm me xhurdinë e tij të hapur katërsh ku i dilte në pah ai gjoksi i tij i bëshëm si prej një luftëtari të sprovuar ndër beteja, si kishte mbaruar kërcimin, ishte derdhur tutje livadhit , pas disa kaçubeve me gjethe dushku , duke tërhequr për dore Rudinën e Spanëve, që kishte ardhur aty për të festuar me të afërmit e saj.

Duke u hedhur mbi plloçat e gurta, Marash Nikolli e rroku vajzën e bukur prej beli dhe me një të kërcyer arriti deri pranë një turre drush të prera enkas prej të atit për ngrohje gjatë periudhës së ftohtë të dimrit, por aty Rudina arriti t'i shkëputej dhe mori turravrapin andej bga ku rrjedha e lumit bëhej më e zhurmëshme.Një erë e freskët që ngrihej prejshtratit të lumit, hovte gjer tej në horizontin e përhimtë. Marash Nikolli zuri ta ndiqte si i marrë duke u kacavjerrur majë shkëmbenjëve, kërcente mbi gurët gjysmë të mbuluar prej borës, atje ku prej kohe lindënin dhe vdisnin e përsëri lindnin ato kreshta të holla, të mprehta e të shkrumbosura të maleve. Era që frynte prej grykës së lumit i shushaste dhe i dehte të dy tashmë të këputur e të nemitur prej lodhjes. Rudina duke u hedhur si një hardhucë sa mbi njërin gurë në tjetrin ia ndizte më tepër pasionet dhe dëshirat Marash Nikollit, që s'rreshtëte duke e ndjekur me një heshtje si prej të magjepsuri duke u munduar të çante misterin e asaj vetmie të pafundëme, me atë gjoksin e tij të gufuar si prej kreshniku. Për ku nxitonin ashtu? C'kërkonin vallë atyre kreshtave dhe honeve ? Djaloshit i dukej sikur e kishte pothuajse gati të pamundur ta arrinte Rudinën në atë arratinë e saj marramëndëse si e një meteori të këputur befas prej qiellit, që bie e humbet s'di se ku,në atë ngjitjen e saj fluturimthi si një zog i vockë alpin.Befas diku e arriti më në fund dhe kurmi i brisht i Rudinës një mënd sikur i shkau përsëri prej duarve. Në fillim Rudina e kundërshtoi me druajtje dhe frikë. Se si po i dukej ai rrëmbim i menjëhershëm, ajo çakërdisje e çmëndur e Marash Nikollit.

- Marash, mos u çmënde gjë? – ai bëri ajo duke u përpjekur t’i shkëputej prej atyre duarve të fuqishme, por që atyre momenteve asaj ju dukën si dy kreshta malesh të mbledhura përnjëherësh sa mënd po i bëhej sikur e ndjente veten të tërën nën pushtetin e tyre.Nuk po dinte se në ç'mënyrë t'i jepte atij të kuptuar që të mos vepronte më tej, që të priste dhe ca kohë, mbase aq sa ai ta bisedonte këtë punë me të afërmit e saj.

- Aspak nuk jam çmëndur, - ia priti njenjëherë Marash Nikolli me një ton ku më tepër shprehej forcë dhe dashuri se sa vendosmëri. – Ja mbajm andej nga famullia, Rudinë! Andej janë lëndinat më të buta.

Vajza hezitoi një çast. Nuk dinte ç’të bënte.E zënë ngusht ajo një mënd i mbajti hapat dhe rrotulloi një herë kokën si për tu siguruar nëse e kishte ndjekur dikush me sy apo jo, pastaj mblodhi duart përpara fytyrës dhe priti me ankthin e frikës dhe të pasigurisë, ndonse e kuptonte prej asaj qartësie që kishte lindur brënda dëshirave të saj, prej ajërit përvëlues të buzëve të tij dhe nga vet bindja se ai djalosh energjik. i fortë i shkëmbi i malit, ishte i dhënë i tëri pas saj dhe që atij momenti nuk kishte perëndi që t'a ndalte.

- Mendo se ç’do të thotë njerëzia, Marash!- shqiptoi Rudina me gjysmë zëri pa mundur të bënte qoftë edhe një hap të vetëm përpara.

- Aq më bënë Rudinë. Edhe unë atë dua. Le të na shoh kush të doj. - u përgjigj ai me zërin e tij burrëror, i cili asaj iu duk sikur tingëllonte si tingëllimat metalike të këmbanës, në buzët e tij. Ai pa iu dridhur qerpiku e tërhoqi me forcë drejt vetes Rudinën dhe ajo gati si e ngurtësuar, e gjetur pothuajse fare e pa përgatitur për një veprim të tillë, u mbështet tek një trung peme siç mbështetet një sorkadhe e sulmuar. Pastaj zuri të thoshte gati si me të qarë :

- Ti e ke të lehtë me çdo gjë Marash!

- Jo, ama, kur është fjala për ty Rudinë, - ia priti ai, kësaj radhe hijerëndë, dhe vazhdonte të shtrëngonte pas vetes me të gjitha fuqitë e shpirtit. " C'njeri i çditshëm", po mendonte vajza dhe me vete ndonse tentonte ta largonte prej trupit të saj, sikur i thoshte" Shtrëngomë edhe më Marash! Shtrëngomë deri sa të më erren sytë"

- Unë të dua, Rudinë! - Jo, jo!- pëshpëriti ajo duke u përpëlitur. – Jo, jo!- por ndjenjat që i shpëthenin përbrënda e kundërshtonin dhe ajo e kishte lënë veten të tërën të lirë në duart e tij, që rrëshqisnin që prej flokëve të saj të gjatë e deri poshtë legenit.

Pastaj u largua me vrap, por u ndal duke u strukur pranë një stive me dru. Marashi qëndroi pa lëvizur në mes të të ftohtit të asaj nate dimri, muskujt të tendosur, që fërgëllonin nga afshi dhe forca djaloshare. Ishte mundësi më i fuqishëm i luginës dhe tani ndjat e tij kishin marrë zjarr. Ajo vajzë duhet të bëhej e tija ! Me një kërcim, u gjend pranë saj, e shtëngoi në krahët e vet dhe e ngjeshi pas stivës me dru, ndërsa degët,që dridheshin, shkundnin brymë mbi kryet e tyre.

- A pranon të vish me mua, Rudinë!

Vajza heshtte e pavendosur, e ngjeshur mes stivës së druve dhe kraharorit të gjërë të Marash Nikollit, e druajtur si një zog dhe mbante vesh. Mendimi se mund të vinte njeri, e tmerronte. Pastaj befas, ia hodhi duartë në qafë dhe mërmëriti me një zë të ngrohtë :

- Po, Marash !

I çmëndur nga gëzimi, djali e rroku për beli dhe e ngriti me krahtë shtrirë ; pastaj e uli poshtë dhe e rrëmbeu me një valle të fuqishme, ashtu siç dinte të kërcente vetëm ai, që e ngriti fluturim dëborën rreth e qark.

- Shkallove fare ! – qeshi me ëmbëlsi Rudina, duke hequr nga supet shallin e madh e të kuq tjerr prej leshi delesh marinozi me duart e saj. Përpara se të arrinte ta vinte përsëri, ai e tërhoqi edhe një here në një vallzim të harbuar ; pastaj hoqi qeleshen e tij prej shajaku të bardhë dhe, si brofi mbi një krep akulli, e fluturoi në ajër me një shqelm.

- Marash, po ti u çmënde vërtetë ! –qeshi përsëri Rudina duke rrokur shallin.

- Oj, çtë çmëndur ! – Vajti mori baretën dhe zunë të bisedonin më shtruar. Pastaj, ndërkohë që ai nxitoi për të marrë pelerinën.

Disa minuta më vonë ai mori kalin e tij dhe ashtu të heshtur nën stuhinë e tërbuar të erës së ftohtë, që u fshikëllonte fytyrën, ata zunë të rrëshqisnin teposhtë shpatit të malit, nën kubenë e qëndisur me yje të qiellit. Dëbora kërciste krap, krap si një trokshkë mulliri nën këmbët e kalit qimekuq, i cili hidhte hapat e tij, jo me trok siç bënte kur nisej për në luftë me turqit, por të zakonshëm, ashtu siç kalëronte ngaherë kur i zoti nuk kishte ndonjë punë me ngut. E gjithsesi trokëllimat e kalit troshiteshin nëpër gurët e malit deri sa ata arritën në krye të lëndinës e duke shkuar përgjat saj, morrën ngadalë të përpjetën drejtë famullisë. Marash Nikolli tashmë nuk kishte përse të ngutej. E kishte ngulitur mirë në kokë se ç’do të bënte. Atje tek famullia do të takonte me famullitarin e urtë dhe do t'i kërkonte që ta bekonte maresën e tij me Rudinën. Fundja edhe kjo ditë e madhe feste, a nuk i ngjante një dite dasme? Kur të kthehej më pas në shesh do tu thoshte të gjithëve tërë shën e verë se ishte martuar me Rudinën dhe atëherë do të merrte lahutën dhe do të këndonte si nuk kishte kënduar kurrë në jetën e tij. Le ta merrnin vesh të gjithë që Rudina ishte bërë gruaja e tij. " Përse të ngutem tash", po thoshte me vete." Përkundrazi." - mendoi. Për të, famullia tani që kishte me vete Rudinën le të ndodhej qoftë dhe me qindëra kilometra lag. Ai do të arrinte atje dhe do ta merrte bekimin. Dhe nata me hënë le të bëhej sa të donte e gjatë dhe e pafundëme, atij aq i bënte. Tani që ata i përkisnin njëri-tjetrit për të kjo ishte diçka më tepër se një natë e magjishme dhe kur mendonte se Rudina do të bëhej për jetë gruaja e tija, do të bëhej një herë e përgjithmo-në gjaku dhe mishi i tij, kjo sikur e çonte përtej delirit djaloshin Marash Nikolli.

Rudina qëndronte përpara tij duke u mbajtur pas jeleve të gjata të kalit e hera - herës duke u ngjeshur pas kraharorit të tij, pa e vështruar rrugën ku kali hidhte hapat e tij. Atyre momenteve edhe asaj seç i kishte lindur dëshira e papërmbajtshëme që ajo rrugë të mos kishte kurrë të mbaruar dhe ajo natë të shkonte përtej pafundësisë. Endërronte. Dhe përmes atyre ëndërrimeve, kumbimi i hapave të kalit se pse po i sillte ndër mënd atë tingullin e ëmbël e të kristaltë të këngëve kur dilnin prej gojës së Marashit, që asaj sikurse që në rastin e parë që e kishte dëgjuar, i ishte dukur si gurgullimat e rrjedhave të ujërave të kulluar prej krojeve të bjeshkëve ngaa burimee e thella alpine. Gjithë drurët dhe degët e tyre të ngarkuara me dëborë tashmë asaj po i dukeshin si ca shkurre të vogëla dhe ajo e ndjente veten sikur shkonte e fluturonte së bashku me të me kal mbi retë e qiellit,atje ku vezullonin yjet e panumurt dhe thellimi i akullt, i dukej sikur i sillte atë jehonën e këngëve të kreshnikëne prej majave të thepisura, që binin thikë mbi shtratin e lumit. Ai fluturonte nga gezimi kur mendonte ç’vajzë të mrekullueshme kishte përbri. Në mbarë atë vend, askush nuk kishte një vajzë të tillë… E shtrëngoi fort, zemra mend po I çahej nga gëzimi. I tha se ai do të ishte burri më I zoti në tërë nahijen, kurse ajo një grua për t’u patur zili, dhe se kishte për të bërë ato gjëra…

Për sa Rudina ishte në krahtë e tij Marash Nikolli nuk donte ta besonte dhe kur ajo vazhdonte të ngjishej gjithnje e më pranë tij , përsëri i bëhej sikur nuk e besonte që e kishte aty përpara. Ngandonjëherë e prekte lehtaz me duar, sikur kishte frikë se mos e lëndonte, sikur i frikej një thërrmimi të beft. I dukej fare e pabesueshme që dashuria e saj i ishte bashkuar dashurisë së tij asaj nate të magjishme krishtëlindjesh, nën atë xixëllim marramëndës të atyre miljona e miljona yjeve, që zbukuronin qiellin dhe që atij atyre momenteve I dukeshin sikur ato nuk ishin gjë tjetër veëse qëndisma pë dasmën e tyre të pa paralajmëruar. Rudina si me përgëdheli dhe si padashje i afroi faqen e saj dhe ai e puthi po aq lehtë me buzët e tij të prrusht. Gjithë mishi i ishte rrënqethur prej një frike të madhe të pashpjegueshme e të tmerrshme, prej atij bashkimi, prej asaj bashkëfrymëmarrjeje, që i bëhej gjithnje e më e ngusht, gjithnjë e më intime, gjithnjë e më e pazëshme…

- Kapedani im i shtrenjtë! – mërmëriti Rdina kur kali arriti në mes të lëndinës.

- Rudinë! Rudina ime !

Të dy të ndjerë nën pushtetin e atyre ndjenjave përplotësuese dhe madhështie, që kishin lindur prej atyre tingujve të përzëmërt hyjnor, si ca kreshta vigane të ëngjëjve të verbuar të majave të thepisura, që kishin nxjerrë për të du të rinjët, prej kushedi se ku atë parajsë e tyre përvëlonjëse……. Ai ndjeu rënkimin e ëmbël të Rudinës që atij moment iu duk si rënkimi i një robine, ishte një rënkim i thellë si prej një sorkalleje të plagosur. Rudinës po rridhnin sytë rrëkeza lotësh prej atyre syve të vegjël ëndrrimtar.

- Nuk e kisha menduar kështu këtë rrugë kapedani im! – mërmëriste vajza duke shkundur prej flokëve të gjatë copëra të imta akulli, sa herë që Marash Nikolli e zinte prej beli dhe e shtrëngonte forte. – Eshtë një rrugë kapedan prej së cilës ne nuk do të njohim kurrë kthim...

Kur mbrritën tek kthesa e luginës, në grykën mes dy shkjëmbenjëve të egër të mbulluar me borë, ku errësira bëhej sterrë e zezë, e padepërtueshme dhe lumi i Shalës gurgullonte posht akullit dhe dëborës, Marash Nikolli tërhoqi frerët e kalit, i cili duke iu bindur të zotit, i mbajti në vend hapat . Pse të ngutem?, po thoshte sërish me mëndje të tij.

- Ndalu gërdallë! Ndalu!

C’ngutej kaq kjo gërdallë? Ku ta dish.

Kali plak u ndal,kur i zoti e tërhpqi fort prej kapistralli. Ktheu turirin një herë majtas, pastaj djathtas dhe u step nga gjerat e çuditshme që po ngjisnin mbi kurrizin e tij.

Diku larg u këput një tingull i thekshëm lahute dhe plaku Marash hapi rishtaz sytë prej përgjumjes. Martini i Markut qëndronte akoma përbi tij me duart të kryqëzuara përpara gjoksit pa ia ndar sytë e tij të bukur.

- Më paskësh zënë gjumi, - ia bëri plaku i përhumbur, sikur të ishte zgjuar befas prej një ëndërre përvëluese.

- Ngrihu dhe na i këndo edhe një here atë këngën e bukur të kreshnikëve? Sot në këtë natë të fundit të krishtëlin-djeve të gjithë për ty jemi mbledhur këtu, a nuk e shikon? – ia prit tjetri duke kaluar mëngën e dorës mbi flokët e qullur.

- Po Tatzot, duam ta dëgjojmë edhe një here prej tej lahutën dhe këngën e kreshnikëve, - tha Dilina, e mbesa e tij, që edhe ajo dukej se mezi e priste që plaku të ngrihej nga tymtari ku rrinte me kërcurin e ahut përpara duarve të tij të rrudhura.

Plaku Marash qëroi zërin dhe hodhi një herë sytë rreth e rrotull odës.I bëhej qejfi që ishin mbledhur kaq shumë njerëz në odën e tij.

- Hëm, - ia bëri një herë, sikur të donte të largonte diçka, që i fanitej përpara syve. - Tani jam tepër plak; në

moshëm tetëdhjete e pesë vjeçe njeriu e ndjen veten me të vërtetë të plakur Dilinë. Nuk mundem...

- Gjepura bac ! - Martini i Markut thirri harpëtarin, që po largohej nga vatra. – Jepja lahutën plakut Marash që të këndoj edhe një here ashtu siç di ta këndoj ai këngën e kreshnikëve! Ej, djema, i bëni një vend Baca Marashit të këndoj aty, në mes të odes, ashtu i del më i kulluar zëri kur i ka të gjithë rreth vetes.

Midis te pranishmëve që u happen rrëzë mureve të odes, shpërtheu një aprovim i menjëhershëm. Të gjithë u bënë gati të dëgjonin tingujt e lahutës dhe zërin kristaltë të plakut.

- O, Ho…Jam tepër plak, Martin. Jam tepër plak, të thashë! – dhe plaku Marash ngriti sytë buzagaz. Por në brëndësi të shpirtit, thellë thellë tij dhe ai se pse e ndjente se ia kishte ënda të këndonte në këtë natë të fundit të krishtëlindjeve.

- Ngrihu bac, ngrihu! Ke për ta pare që ke për t’ia dale mbanë për bukuri! – Matini e zuri për shpatullash dhe u përpoq ta ngrinte.

- Nuk plaket kollaj zëri yt, madje sot, eeee, - i tha Dilina por nuk e ngau më tej bisedën.

- Të thashë se jam tepër plak! – nguli këmbë ai teksa ngriti sytë dhe e vështroi të mbesën që i qëndronte përball, ashtu e bukur e hijëshme dhe e hajthme. Kishte thënë me qindra here se nuk do të vdiste pa e martuar dhe pa bërë dasmën e Rudinës, një dasëm që të mbahej mën për shumë e shumë vite në mbarë nahijen. Kishte shpresuar që edhe ajo të merrte për burrë një malsor të forte e të denjë pë derën e dëgjuar të kullës së tyre.

Jo vetëm Dilina, por edhe Martini nuk kishin ndër mend të dorzoheshin përpara plakut, dhe, kur lahuta zuri të nxirte tingujt e saj të thekshëm plaku Marash hoqi qeleshen prej kokës, pastaj largoi nga goja kallamin e duhanit dhe si e rrasi në xhepin e jelekut, u ngrit . Për një çast ngurroi.. pastaj me hap të sigurtë u drejtua dejt qëndrës së odes. Pranë i erdhi mbesa e tij e vogël Dilina.

- Epo, s’na mbetet veçse ta provojmë edhe një herë Dilinë, me ty jam mësuar të këndojë më mirë.

Dilina qeshi e duke e zënë prej dore, e uli në rrethoren e trungut të madh të lisit .Plaku si kroi edhe një herë

zërin ia mori këngës në fillim ngadalë e qetë qetë, si një mjegullë e tejdukshëme, që rrëshqet luginës së mbushur me lule gjithngjyrëshe, pastaj erdhi dhe u ngrit, u ul përsëri e përsëri u ngrit e ushtoi si oshëtima e guvave duke e dritheruar dhe e nritur peshë jo vetëm ambientin përreth, por edhe gjithçka jashtë kullës së tij të vjetër.

- Jo, keq! – ia bëri Martini.

Plaku i shkoi dorën e djathë me të cilin mbante harkun dhe e shtyu me tër forcën e krahut. Ca tinguj të mprehtë ushtuan nëpër tërë odën, që pas kësaj ishte mbushur plot e përplot me malsorë që ia kishin mbrritur aty për të dëgjuar këngën e plakut Marash. Zëri i tij sikur ngrihej e dilte prej thellësive të tokë.

Tani atij i dukej sikur kishte rënë aq shumë dëborë sa e kishte shtypur dhe mbuluar tërë shkorretin; dhe e ndjente veten përsëri të ri e të fuqishëm si dikur, me kamën e përgjakur në dorë, mes shkrepave maja- maja.

- Të lumtë goja Bac !

- Zoti e ndjeftë pë zërin e tij! Së shpejti ai plaku Marash, nuk do të këndonte më… dhe e pushtoi trishtimi..

Kënga mbaroi dhe plaku Marash u drejtua si i shushatur e i dërrmua te vëndi i vet, atje pranë tymtarit. Martini i Marashit po e priste me një kupë vere të vjetër njëzetë e pesë vjeçare në duar.

- Merre Bac, tani e ke hak një kupë verë dhe po atë cast dikush i vuri përpara një copë pastërma të këputur prej murit të odes.

Plaku zgjati dorën drejt kupës dhe duke larguar mjekrrën e bardhë nga goja, gjëmoi :

- Tani kaq e pata, të thashë!

- Pi, pi! – ngulmoi Martini i Markut, - je akoma i ri bac.

- Kështu të këndoftë shpirti tatzot nga moti në mot, - Dilina ishte po aq e entuziazmuar sa plaku Marash.

- Eh! Për fat të keq, rinia ime ka marrë fund, - iu drejtua plaku së mbesës, pastaj ngriti dorën dhe piu me gllënka të mëdha dhe në cast ndjeu se një ngashërim i rrufeshëm i përshkoi fytyrën e tij të rrudhur.

Po asaj nate kërkoi ti sillnin kalin e tij dhe si e mori atë, shkoi kalërimthi deri në fund të lëndinës, kur arriti tek gryka tërhoqi frerët e kalit.

- Ndalu gërdall e djallit! Ndalu!, - shqiptoi me zërin e tij të fuqishëm, duke u hedhur me mundim nga kali, dhe, me gjunjët që i dridheshin nën qyrkun e trash, qëndroi pa lëvizur duke menduar. Qenë kohëra të vështira për të pas vdekjes së Rudinës, por ndoshta së shpejti ai shpresonte të piqej me të. Cudi sa i ngazëllyer ishte kësaj nate.! I tërhoqi këmbët osh deri te kali, ndërsa kindet e qyrkut tundeshin nga thëllimi i akullit. Po pikërisht në këtë vend. Pikërisht këtu, nën faqen e xhveshur të këtij shkëmbi, kishte ndalur dhe asaj nate me Rudinën e tij, gjashtëdhjetë vjetë më pare. Era ulërinte si e marrë, por plaku as që donte t’ia dinte për të.Kujtimii Rudinës e kishte thërritur dhe atij i duhej tëmbahej dhe të tregohej po aq I fiqishëm sa asaj nate të paharruar. Tani Rudina kishte kohë që prehej nën dhe, ndërsa ai, plaku Marash rrinte atje i vetëm si një kërcu i përzhitur flakësh. Ishte nata e fundit e krishtëlindjeve dhe për të ishte kënga e fundit që kishte mundur të këndonte me lahutën e tij. Koka i ra përdhe dhe ai vetëm sa mundi të vështronte yjet e largët dhe atij çasti iu bë sikur dëgjoi zërin e Rudinës.Ishte po ai zë që ai kishte dëgjuar asaj nate të fundit të krishtëlindjeve gjatëdhjetë e ca vjetë më parë...............





---------- Fund ------

Skënder Braka:Kënga e fundit e plakut Marash ….Tregim 297279_293516673999418_100000232643811_1177977_1302661933_n
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi