Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kozeta Zavalani:Bisedë me Dr. D’Angely, Kalorëse e “Legjonit të Nderit”

Shko poshtë

Kozeta Zavalani:Bisedë me Dr. D’Angely, Kalorëse e “Legjonit të Nderit” Empty Kozeta Zavalani:Bisedë me Dr. D’Angely, Kalorëse e “Legjonit të Nderit”

Mesazh nga Agim Gashi Wed Nov 16, 2011 12:45 am

Bisedë me Dr. D’Angely, Kalorëse e “Legjonit të Nderit”
Kozeta Zavalani:Bisedë me Dr. D’Angely, Kalorëse e “Legjonit të Nderit” 155Kozeta Zavalani:Bisedë me Dr. D’Angely, Kalorëse e “Legjonit të Nderit” 1551n
Nga: Kozeta Zavalani

Solange d’Angely: Sa herë që shkoj në Përmet kam mall të puth gurët e shtëpisë, ku është lindur dhe rritur nëna ime. Me duket sikur puth nënën time shqiptare, që e kam dashur kaq shumë”.

Kozeta Zavalani:Bisedë me Dr. D’Angely, Kalorëse e “Legjonit të Nderit” 155Kozeta Zavalani:Bisedë me Dr. D’Angely, Kalorëse e “Legjonit të Nderit” Detail%252520View%25252006052010%252520021851

Dr. D’Angely, Kalorese e “Legjonit te Nderit”, dekoruar nga Presidenti francez Sarkozy disa muaj me pare; vajza e albanologut me te madh francez, Robert d’Angely, kam dashur ta takoj shumë herë kur ajo ka qenë në Shqipëri. Ajo gjithmonë e zënë me punë… ashtu si nënë Tereza, ka ndihmuar shumë fëmijët shqiptarë.

U desh nje Konferenca në UNESCO, që unë të shkoj në Paris dhe të bisedoj me Solange d’Angely. Numrin e saj të telefonit ma pati dhënë mikesha ime e ndjere Afërdita Balla, ndaj dhe i telefonova në mbrëmje nga dhoma e hotelit, për të siguruar një takim në ditët e qëndrimit tim në Paris. Ajo më tha se do të ishte në një nga sallat e UNESCOS, ku do të ndihmonte piktorin shqiptar nga Maqedonia, Omer Kaleshi, për çeljen e ekspozitës së tij, ndaj mund do të shiheshim aty ose në zyrën e Ambasadores së Shqipërisë në UNESCO, zonjës Tatiana Gjonaj, me të cilën u takova e biseduam përzemërsisht. Ajo është një grua e dashur, e mençur dhe e sjellshme, që me shkathtësinë e saj intelektuale, punon me zell e përkushtim për vlerat e vendit. Përpjekjet e saj ishin përqendruar në futjen e Gjirokastrës dhe Beratit, në vendet e trashëgimisë botërore.Në pushimin e dytë të konferencës, tek po vështroja nga dritarja një makine me targe CD, menjëherë më shkoi mendja tek makina e ambasadës sonë që po sillte pikturat e ekspozitës. Që aty zbriti me shpinë nga unë një meso grua, me pantallona e xhakavento, mbështjellë me një shall jeshil. Kur ktheu kokën e njoha zonjën Solanzhe dhe i trokita nga xhami. Ajo me përshëndeti dhe ma bëri me dorë që të prisja aty. U takuam me dashuri sikur të ishim njohur prej kohësh. Shkuam së bashku me makinën e Pirros, shoferit të ambasadës sonë në Paris, në Bulevardin Shans Elize. Para se të ndalnim këtu ai na fotografoi të dyja, duke pasur nga mbrapa Kullën Eifel. Pasi ecëm për një orë në këmbë, u ulëm në një nga kafet e rrugës që të çon drejt Harkut të Triumfit. Ndërkohë Solanzha fliste e fliste duke me shpjeguar gjithçka për shëtitoren ku kalonim. Unë i thosha se Parisin e kam pasur të lidhur me emrin tim, prej shkrimtarit të madh frëng, Viktor Hygo, që e ka pasur Kozetën, heroinën e romanit “Të mjerët”.

Solanzha thotë se ka lindur duke pasur në shpirt dashurinë për Shqipërinë, të mëkuar nga e ëma dhe me këtë dashuri është rritur, por u desh të kalonte shumë kohë, derisa u bë 35 vjeçe që të shkelte në tokën Shqiptare. Dhe të gjitha përpjekjet për të ardhur në Shqipëri i bëri më tepër për mamanë e saj, që atëherë ishte 69 vjeçe dhe nuk kishte shkelur në tokën mëmë, qëkurse ishte martuar. U deshën të kalonin 50 vjet që atëherë dhe më në fund ato të dyja e shkelën tokën shqiptare. Solanxha kujton se ka qenë 15 qershori i vitit 1971, ku me një avion të linjës pakistaneze, që ka bërë për shumë pak kohë linjën Londër-Paris- Tiranë dhe Karraç, ato morën këtë linjë direket nga Parisi në Tiranë dhe për tre orë mbërritën, në tokën kaq shumë të dëshiruar, në vendlindjen e mamasë.

“Në aeroportin e Rinasit në Tirane kemi mbërritur vetëm 4 vetë; unë me mamanë time dhe profesor Miljezi me gruan e tij. Më dukej vetja si një reportere, që kisha ardhur me shërbim për të zbuluar një vend të panjohur dhe isha shumë e emocionuar, se si do të ishte momenti kur do të vija këmbën në këtë tokë, aq të dashur e të shtrenjtë për nënën time, në vendlindjen e saj – thotë ajo. Gjatë udhëtimit, mbyllja sytë dhe mendoja; “Amstrongu kishte vënë këmbën në hënë në atë kohë por unë , në cilin planet do të shkelja?..” Rinasi ishte i vjetër por shumë i bukur më është dukur, plot lule e diell. Njerëz të shumtë kishin ngjeshur fytyrat pas xhamave, për të na parë. Vetja mu duk si në ëndërr dhe nga ai “gjumë” më zgjoi zëri i policit që fliste: “Pasaportat, ju lutem. Të gjithë këta njerëz që presin këtu janë për ju, janë kushërinjtë tuaj. U habita. Ishin mbi 60 vetë dhe të gjithë ishin kushërinjtë e mi, kjo ishte surpriza ime e parë. Nuk qenkam në hënë – mendova- por në planetin e panjohur me emrin Shqipëri”.

E ëma ishte një shqiptare gazmore nga Përmeti, që edhe kur ishte e trishtë, këndonte. Ndaj ajo vlerëson shumë, si një nga dhuntitë me të mira të shqiptarëve, këngën.”Mamasë sime sikur i këndonte zemra, në çdo punë që bënte “- thotë ajo. Solanzhes, me një shpirt të pastër e të gjerë, human, që fëmijë i ishte imponuar profesioni i mjekut, duke dashur që kështu t’i ngjante gjyshit të vet, për të vetmen arsye; humanizmit. “Në Shqipëri për herë të parë, kam qenë vetëm 40 dite, – thotë ajo, por me dukej sikur kisha jetuar me vite. Edhe gjuhën, që me dukej sikur e kisha harruar, më ishte ngulitur në kokë që nga feminia, sikur u rizgjua dhe morri përmasat e vërteta, duke folur me kushërinjtë e mi, pasi mamaja gjeti aty motrat dhe vëllezërit, të cilët tashmë ishin bërë me fëmijë. Dhe dashuria ime me e madhe ishte për fëmijët, pasi unë isha mjeke pediatre. Atëherë isha me flokë të gjatë dhe bionde e të gjithë me shihnin sikur të isha Brixhide Bardo. Problemin e diktaturës unë nuk e kam njohur, vetëm shihja që mes tyre kishte mungesa të mëdha, që me të dukshme ishin në veshjet dhe në mënyrën e jetesës. Megjithatë shqiptarët sakrifikojnë shumë, që miku të mbetet i kënaqur.

Për mua ishte një çudi edhe mënyra e mjekimit të fëmijëve. Aty përdoreshin shumë antibiotiket dhe unë fillova të bëja vizita mjekësore me metodën frënge, ndonëse kishte edhe nga ata që nuk më pëlqenin, por shumica kishin nevojë për mua. Kjo më bëri që në Shqipëri të kthehem shpesh edhe me shpesh, madje të kërkoj të punoj aty. Kur u ktheva në Paris i thashë shefit tim; “Unë duhet të shkoj ta ushtroj mjekësinë në Shqipëri, pasi aty ka më shumë nevojë për mua.” “Kjo është një gjë e bukur -më tha ai- por ti do ta shohësh vetë, që edhe ti do të ndryshosh metodë dhe do të bëhesh si ata, pasi duhet t’u përgjigjesh mungesave të tyre dhe do të zbatosh metodat e tyre.” Përgjigja e tij nuk më pëlqeu por ai kishte shumë të drejte. Unë kam qenë në Turqi, në Egjipt, në Angli, në Meksike, në Marok, etj. Por që kurse shkela në tokën shqiptare, ndjeva se edhe unë jam shqiptare dhe duhet të bej shumë për këtë vend. Ndaj që atëherë ndihma ime për Shqipërinë nuk ka reshtur asnjëherë .

-Çfarë mendoni për shqiptarët, – e pyeta, dhe ajo mu përgjigj:

-Kam parë shumë breza të rriten nga fëmijë, të bëhen prindër dhe të edukojnë fëmijët e tyre. Do të thosha se brezi i parë ishte me tepër idealist, brezi i dytë me kokën të traumatizuar nga diktatura dhe brezi i sotëm, që mendon më tepër për të ardhmen; për të mësuar biznes, gjuhë të huaja por me një dëshirë shumë të madhe për të ikur.

Me thënë të drejtën edhe unë aty po të isha, do të doja të shihja se si ishte bota jashtë. Por jo të sakrifikoja ëndrrat dhe ambiciet e mia, vetëm për të qenë në një shtet të huaj, pasi shumë intelektuale, që kanë ardhur edhe këtu në Paris, bëjnë punë të rëndomta dhe kjo mua nuk më pëlqen. Ata shqiptarë më dhimbsen sepse shkelin mbi krenarinë e tyre, madje shpesh edhe me hipokrizi, pasi megjithëse nuk kanë patur sukses, detyrohen të gënjejnë, tu nënshtrohen kushteve të vendit ku shkojnë dhe nuk duan të kthehen në vendin e tyre, megjithëse nuk janë të kënaqur . “Do të sakrifikojmë – thonë – për fëmijët”, por mua kjo nuk më pëlqen.

Të gjithë kanë pritur ndihma nga unë, veçanërisht ata që janë të papunë apo me rroga të vogla, por edhe ne këtu nuk i marrin paratë me lopatë, por i fitojmë me mund dhe me djerrsë. Prandaj edhe kam ndihmuar me të gjitha mundësitë, sepse e shoh që ka ende nevojë për ndihmë. Për këtë kam krijuar shoqatën në ndihmë të fëmijëve të sëmurë dhe kam dërguar shumë ndihma në veri dhe në vende të ndryshme, veçanërisht në periudhën e krizës së Kosovës. Kam shkuar në Tropojë, në Lushnjë, në Përmet në Elbasan, në Qerret etj, Në Shqipëri kemi organizuar edhe Kongresin e Frankofonisë, ku kemi pasur sukses, qysh në 9 maj të vitit 1992, së bashku me 8 mjeke, doktorë dhe profesorë nga Franca. Kemi festuar 10-vjetorin e Shoqatës “Në ndihmë të fëmijëve shqiptarë”, nën kujdesin e ambasadores shqiptare në UNESKO- Tatjana Gjonaj- thotë ajo dhe më jep një album nga kjo veprimtari, që ka në koperinë dhjetëra portrete fëmijësh shqiptarë, që Solanzha i ka fotografuar vetë, në Shqipëri dhe vazhdon:

- Fëmijët që nuk kanë mundësi të trajtohen në Shqipëri, i kemi ndihmuar që të vijnë këtu në Paris dhe të bëjnë një kurë me mjekime të ndryshme, për të cilat kanë nevojë . Tani shoqata e ka më të vështirë, sepse edhe unë jam në pension, por dy koleget e mi së bashku me vajzat e tyre që kanë ardhur me mua në Shqipëri, kanë ndihmuar me gjithë shpirt, megjithëse nuk kanë pasur lidhje gjaku me Shqipërinë.

-Kam pasur fatin të lexoj librin “Enigma” botuar nën kujdesin tuaj, nga Shtëpia Botuese “Toena” shkruar nga babai juaj Robert d’Angely, ç’mund të më thoni për të?

-Im atë ka lindur në Paris me 22 dhjetor 1893 dhe vdiq në Paris me 22 tetor 1966. Ishte biri i një inxhinieri francez, që punonte në shërbim të Perandorisë Osmane, si inxhinier për rrugët dhe urat. Për shkak se i ati lëvizte vazhdimisht nga profesioni, im atë ka përshkuar gjatë fëminisë dhe rinisë së tij, së bashku me prindët Turqinë, Greqinë, Shqipërinë, etj. Ai e njihte shumë mirë jugun e Shqipërisë, në veçanti krahinën e Përmetit, Dangëllisë, Frashrit dhe gjithë Epirin. Ai njihte mirë zakonet, ritet, këngët popullore, jetën e përditshme të këtij populli të varfër dhe krenarinë e tij legjendare.

Në vitin 1924 ai u martua me nënën time, një shqiptare nga Përmeti, e bija e doktorit Josif Bënja, që kishte qenë në Delegacionin shqiptar në Konferencën e Londrës në korrik 1913, për caktimin e kufijve të Shqipërisë. Nëna ime ishte grua e gëzuar dhe me kuraje, që mua më ka shëmbëllyer forcën dhe magjepsjen e gruas shqiptare. Kur isha fëmijë babai më merrte gjithandej, veçanërisht në libraritë në Odeon, në bulevardin Saint-Michel dhe bukinistët përgjatë Senës, ndaj i dua librat. Vetëm shumë kohë pas vdekjes së tij dhe pasi kisha vizituar Shqipërinë, unë rastësisht shfletova dorëshkrimet e tij, një pjesë e mirë e të cilave ka humbur. Kjo për mua ishte një tronditje dhe një zbulim, për një varg çështjesh lidhur me Shqipërinë dhe gjuhën shqipe. Shpresoj që këto punime të botuara në 5 vëllime, që me siguri im atë ia ka kushtuar Shqipërisë, do të japin ndihmesë për hulumtimet e albanologëve dhe të gjuhëtarëve Shqiptarë, për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të shumta rreth lindjes e formimit të gjuhës shqipe.

Gjuhëtari dhe etnologu frëng Robert d’Angely, ka qenë pedagog i shqipes në Shkollën Kombëtare të Gjuhëve Lindore në Paris dhe madje mësues i shqipes për studiuesin e njohur francez Mario Roku, që ka botuar fjalorin e Frang Bardhit. Sipas tij :”Gjuha shqipe ka pasur në lashtësi dhe deri në kohët e fundit një rëndësi të madhe dhe një evoluim letrar të mrekullueshëm e të pakrahasueshëm; u përket shqiptarëve të sotëm të vazhdojnë këtë evoluim, ta thellojnë gjuhën e tyre dhe ta zhvillojnë me tej”.- shkruan ai në “L’enigme”, vol.III-të. Momentin më të bukur të jetës Solanzha thotë se e kishte në Shqipëri, ku ka marrë Medaljen e “Nënë Terezës”.

-Gjithashtu- thotë ajo- kur kam takuar Nënë Terezën. Isha duke shoqëruar një grup në Shqipëri në vitin 1989. Ishte korrik dhe ishim në një panair libri në Durrës. Unë po kthehesha me aparatin fotografik në sup dhe u shtanga kur u ndodha përballë saj. Jam mrekulluar dhe emocionuar njëkohësisht, sa që nuk kam mundur të bëj as edhe një foto, megjithëse aparatin e kisha në sup, mua që rrallë më kanë shpëtuar momente të tilla të veçanta.

U emocionova kaq shumë sa nuk e di se çfarë biseduam. Pastaj ajo hyri në makinë morri diçka dhe duke më zgjatur dorën, më futi diçka në të dhe ma mbylli dorën. Unë ngela si e shtangur dhe e lumturuar njëkohësisht dhe nuk lëvizja nga vendi, derisa më larguan ata që e shoqëronin. Kujtoj që në mes tyre ishte edhe doktoresha Adelina Mazreku. Nënë Tereza, që unë e kam idhull, së bashku me bekimin, me kishte lënë gjashtë copë medaljone të Shën Mërisë, të cilat i shpërndava nëpër njerëzit që dua, sikur të doja të shpërndaja kudo mirësinë e saj”.

Solanzha premton se do të vijë sërish në Shqipëri. Ndër projektet për të ardhmen ajo thotë se, është duke u përgatitur për një Kongres që do të behet në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, për të ndihmuar fëmijët me sëmundjen e talasemisë, që ndodhen në Shqipëri. “Ka shumë nevojë për të ndihmuar në depistimin për sëmundjen e talasemisë, pasi Shqipëria nuk ka të dhëna të sakta për këtë. Duhet të punojmë për ngritjen e një laboratori të specializuar në Shqipëri, duke ndihmuar edhe në specializimin e personelit për këtë punë. Vetëm nuk dua që të kemi probleme me specializantet, pasi vijnë për t’u specializuar dhe mbeten këtu. Duhet që ata të kthehen dhe të punojnë për Shqipërinë, në Shqipëri, me vullnetin e duhur për të kontribuar në vendin e tyre.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi