Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Zef Serembe

Shko poshtë

Zef Serembe Empty Zef Serembe

Mesazh nga Agim Gashi Sat Dec 13, 2008 12:47 am

Zef Serembe










Zef Serembe
Një figurë origjinale dhe e ndërlikuar, që spikat në letërsinë tonë është ajo e Zef Serembes. Vepra e tij pasqyron atë etapë të Rilindjes kur lëvizja kombëtare kishte marrë hov, prandaj dhe tema patriotike merr nën penën e tij një tingëllim kushtrues të hapur dhe aktual. Nga ana tjetër, në krijimtarinë e tij gjeti shprehje atmosfera e pakënaqësisë që kishte lindur tek arbëreshët në vitet 1860-1870, kur bashkimi i Italisë jo vetëm që nuk solli ndryshimet shoqërore të shpresuara, por, përkundërazi, e thelloi mjerimin e tyre. Poezia e Serembes pasqyron kontradiktat e kësaj kohe. Zef Serembja lindi më 6 mars 1844 në fshatin arbëresh San Kozmo Albaneze të Kalabrisë ose Strigari, si i thonë vendësit, ku zakonet dhe gjuha shqipe janë ruajtur deri sot. Fshati ndodhet mbi një kodër të veshur me vreshta, me portokalle dhe limonë, me pamjen e detit Jon nga lindja. Kjo natyrë e ëmbël dhe e ashpër, që të kujton deri diku Shqipërinë, u bë një element me rëndësi i veprës së poetit. Personaliteti i Serembes si krijues u formua në vitet e zjarrta të lëvizjes kombëtare italiane të viteve 1848-1860, ku i ati mori pjesë aktive, aq sa u dënua me vdekje në mungesë nga qeveria burbone dhe u detyrua të endej maleve si komit. Që në moshë të njomë, Zefi i vogël njohu tiraninë politike dhe padrejtësitë shoqërore, gjë që u dha vjershave të tij vulën e pakënaqësisë nga realiteti, frymën e revoltës aq të fuqishme.
Në zhvillimin e talentit, që i lindi herët në mënyrë të vetvetishme dhe në brumosjen e Zefit me ndjenja patriotike e liridashëse luajtën rol të rëndësishëm studimet në kolegjin e Shën-Adrianit, ku pati mësues De Radën, me të cilin më vonë u bë mik. Varfëria dhe shëndeti i keq e detyruan Seremben të ndërpresë shkollën dhe të kthehet në fshatin e lindjes. Ndërkaq lëvizja kombëtare në Itali po merrte përpjestime të gjera. Ishte koha kur Garibaldi po triumfontekudo në Italinë e Jugut dhe arbëreshët po i përgjigjeshin thirrjes së tij.
Serembja u bë këngëtar i kësaj lëvizjeje, i shtyrë jo vetëm nga ndjenjat liridashëse, po edhe nga prirja për të parë tek ajo një shprehje të trimërisë së arbëreshëve dhe një shpresë për pjesmarrjen e tyre të mëtejshme për çlirimin e atdheut të të parëve. Ndërkaq, lëvizja kombëtare në Shqipëri u fuqizua, u shpeshtuan kontaktet e arbëreshëve me këtë lëvizje. Edhe Serembja tregoi interes të gjallë ndaj përpjekjeve për liri të vëllezërve përtej detit. Madje, ai ishte i pakënaqur nga dobësia e kësaj lëvizjeje dhe i hodhi shigjeta, satira të dhimbshme në vjershën "Vrull", kurse në një vjershë kushtuar Dora d'Istrias poeti ngriti zërin për lirinë e Shqipërisë, hodhi kushtrimin për luftë të armatosur dhe për bashkimin e shqiptarëve.
Në këto vite Serembja shëtiti nëpër fshatrat arbëreshe të Siçilisë e të Kalabrisë, i ra anembanë Italisë, duke u lidhur më tepër me zakonet, me folklorin, me të folmet e ndryshme të arbëreshëve, me ndjenjat dhe ëndërrimet e tyre, me ndjenjën e madhe të çlirimit të atdheut të të parëve. Po nuk gjeti asgjëkundi qetësinë e shpresuar. Gjatë këtyre shtegtimeve ai improvizonte poezi dhe i recitonte ato kudo që vinte, si një poet popullor. Disa prej këtyre vjershave qarkulluan si poezi popullore. Gjurmë të thella të dhimbshme në shpirtin dhe krijimtarinë e poetit la dashuria e pafat për një fshatare arbëreshe, që më vonë kishte emigruar në Brazil, ku edhe vdiq pas pak kohe. Dëshira për të parë varrin e kësaj vajze si dhe shpresa që të përmirësonte gjendjen e vet ekonomike, e bënë poetin të nisej më 1875 për në Brazil. Po edhe këtu Serembja u zhgënjye shpejt, sepse pa korrupsionin e thellë të oborrit, jetën e degjeneruar të aristokracisë braziliane. Pa kaluar as një vit ai u kthye në Itali, duke pasur si pasuri të vetme një trastë dorëshkrimesh. Gjatë këtij udhëtimi të vështirë thuhet se poetit i humbi pjesa më e madhe e këtyre dorëshkrimeve.
Në fshat, i rënë nga shëndeti dhe nga gjendja shpirtërore, Serembja nisi përsëri jatën e varfër të mëparshme.
Zhgënjimi në jetën shoqërore dhe në jetën personale u bënë shkak që Serembja të kalonte në këtë periudhë një krizë misticizmi, e cila ndikoi për keq në krijimtarinë e vet. Po interesi i tij për lëvizjen kombëtare në Shqipëri ishte gjithnjë i gjallë dhe në këtë lëvizje ai përqëndroi të gjitha shpresat e mbetura. Pikërisht në këtë kohë, më 1883, Serembja botoi librin "Poezi italisht dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja". Megjithëse vjershat italisht kishin të meta nga ana e formës dhe niveli i përkthimit në italisht të krijimeve shqip nuk qe i kënaqshëm, libri ngjalli entuziazëm në rrethet letrare të kohës. Duke mos mundur të duronte gjatë atmosferën mbytëse që sundonte në Italinë e Jugut edhe pas zhdukjes së tiranisë së Burbonëve, poeti u nis sërish për në Brazil dhe për në Amerikën e Jugut. Aty e mbyll krijimtarinë e tij letrare me dy poezi, që dëshmojnë se ai nuk e humbi kurrë shpresën te lëvizja kombëtare shqiptare. Natyrën e tij të ndjeshme e mposhtën fatkeqësitë e jetës. Më 1901 ai e mbylli jetën në San-Paolo të Brazilit, në një gjendje çmendurie.


 


 


Flamuri shqiptar



S`i shihet n`horizont i dlirë shkëlqimi
Dhe as nuk i fal ngjyrat për fitore
Më nuk shartohet mbi lavdin njerëzore
Porsi një shenjë drite apo mjerimi.
I grisur ra dhe s`e përfill njeri,
Dhe gjindja e Arbrit, e ndershme e krenare
mori mërgimin dhe as ndalet fare
në një breg mikpritës n`siguri.


 


N`mëshirë të fatit përherë duke ndeshur
Intruga diplomatësh, n`hidhërim
Ç`do shpresë e ç`do premtim ngadalë i tretet
Dhe koha kalon, rend fluturim.
Nga gjithshka na premtuan asgjë s`mbetet.
Më keq na shkelin se sa truall`n e zhveshur.


 



Këngë malli
E hene, 18-06-2007, 11:53pm (GMT)


Më rri e pikur me mua nuk di ç’ke,
O e së humburës parajsë molla më e mirë,
Thuajmë ç’të bëra, i shkreti, që ashtu më le,
Sa jetën po e shkoj pa asnjë hir!

Oh, sa të mjera shkuan ditët kur fare
Nuk i pash’ bebzat të qeshnin në ata sy,
Që zemrën time e bënin aq krenare,
E gjirin ma mbushnin plot me dashuri.

Dhe ballin e stolisur rrezesh dielli
Më te dritarja jote nuk e pashë,
As të bukurën buzë, si lule qielli;
Pothuaj më su duke ti, mori vashë.

Gjin’ ma mbushi malli e zemrën me zjarr,
E trutë seç m’u harbuan në mendime,
Pushim dot nuk gjej e paqe më nuk kam.
Ti, vashë, ma dërmove jetën time.

............

Po dëgjomë fjalën që zemra të thotë:
“Do thyej prangat që më bënë të shkretë,
shpatën do t’rrëmbej edhe mburojnë time,
në luftë do t’vete si petrit i shpejtë.

E në ardhtë lajmi se vdiqa unë i mjerë,
Thuaj për mua të zin’ një fjal’ me mall.
Do t’shkojnë dimër mbi dimër e pranverë,
Jeta do t’lulëzojë, un s’do jem i gjallë.

............

Po ti, moj vashë, që të kam dash’ si sytë,
kur të më zgjohesh mëndjekthjellët menatë,
posa mëngjezit hyn dielli në shtëpit,
dërgoma këtë kujtim brenda në shtrat:

“I mjeri, oh! Një ditë ish gjithë hare,
kur rrinte në katund plot me trimëri;
si era shkoj për jetë, si një re,
e tash fle në një vend që unë s’e di...”

.........

Kur era të t’pëshpërijë si një herë
Fjalët që për mua do dërgojë malli,
Do t’më ngjajë varri posi pranverë,
Varri do t’më duket i ëmbël si zalli...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi