REXHEP SHAHU:“POEMA E IKJES” E AQIF HYSES
Faqja 1 e 1
REXHEP SHAHU:“POEMA E IKJES” E AQIF HYSES
REXHEP SHAHU:“POEMA E IKJES” E AQIF HYSES
(Mbresa rreth vellimit poetik "Poema e ikjes" të poetit Aqif Hysa)
Sonte u ndamë me Aqif Hysën, pasi pimë një kafe bashkë me Izet Durakun. Ai, tashmë me libër të botuar, me ca kopje të tij në çantë, u nis për matanë, përtej detit, për Itali ku rron që nga viti 1996 me gruan dhe fëmijët e tij.
Unë e besoj fort, e pashë, se ai ndjehet i mbushur, i plotë. I gëzohet ëndrrës që e preku. Unë e di se ai tashmë do të flasë me vetën kur të jetë mbi det, mbi tapetin e tij të poezisë. Dhe do ti thotë detit, ja, ëndrrat që kam parë mbi ty, ankthin a makthin i shkrova, i botova, ia dhashë njeriut, tokës, në një libër.
Unë e besoj se edhe shumë shpirtra që janë tretë në fund të detit e të territ të tij do të ndjehen mirë që Aqifi ka kënduar për to. Për ato shpirtra, për ato ëndrra të këputura në mes.
Ndërsa ai do të jetë duke folë me detin, unë po bëj këto shënime, jo analizë, jo vështrim profesional mbi këtë vëllim poetik, por thjeshtë emocione të miat të çastit, mbresa që burojnë tani teksa më përmendin dy vargje të Aqifit, që po i lexoj, (I telefononim erës. Erës së vjeshtës së fundit / Na përgjigjeshin gjethet. Gjethet e rëna udhës...), pa pretenduar se po them ndonjë gje te madhe, por si nje përshëndetje publike ndaj vëllimit poetik "Poema e Ikjes", që u botua këto ditë, nga shtëpia botuese Ombra GVG dhe u paraqit në panairin e librave në Tiranë, nga 9 deri 13 nëntor 2011.
Shumë po ikin e pak po mbeten, ka thënë
më i vjetri, që kreshnikët imitonte me mustaqe. Asgjë
tjetër
s’na ka mbetur nga paraardhësit, shtonte po vetë...
Pastaj ka heshtur.
Fjalët
në grykë i kanë mbetur.
Është kjo një copëz bisede mbi skafin që ushtonte mbi det tek shprazte atdheun nga bijtë e tij.
Ky libër është kthimi i hënës të birit, të birit që i thoshte, kur Aqif Hysa kapërcente detin e çmendur, ma kthe hënën kur të mbërrish.
Im bir, biondi i vogël, ka mbetur në bregun e nisjes
Merre hënën, më ka thënë, ma kthe kur të kesh mbërritur
Qofsh mirë dhe mirardhsh!
Të mirën kuptoje si ekzistencë, i kam thënë dikur,
dhe jo si përfytyrim. Kërkoje dhe aty ku s’duket
mërzinë e ditës kapërdije si një çokollatë. E mos harro:
është e pastër gjithçka që rrjedh. Ndiqe rrjedhën, biri im
dhe nëse të duket e frikshme, dhe nëse ngjet plot trishtim.
Të birit qe ia dha hënën të atit të tij Aqifit, t'i bente dritë natën drejt ferrit mbi det, t'i ndrinte udhën teksa ai mbi dallgë me 28 të tjerë iknin e iknin drej ëndrrës e cila largohej e afrohej si dallgët, iknin e iknin drejt vetës së tyre, në kërkim të një jete më të mirë që ish bash ne tek të vdekjes, që iknin e iknin përmes thirrjeve e oshëtimave që s'ishin veç të detit, por të zemrave e shpirtrave të mbytur në det në kërkim të ëndrrave, shpirtra e zemra të djemve të mirë ëndërronjës, të vashava si vajza e valëve që s'iu rehatua kurrë shpirti, po po, të vashave shqiptare që ishin me emra e mbiemra, që kishin prindër, vëllezër e motra, që kishin edhe të dashur, mbase edhe të dashur shitësa të dashurash…
Libri i Aqif Hyses, që u pagezua nga "kumbari" Izet Duraku, "Poema e ikjes", që rrok brenda vetes tre libra, tre kohë, tre gjendje, që rrinë bashkë për të pohuar se poeti ka qenë, është e do të jetë poet, kulmon me udhëtimin e njeriut shqiptar, me udhetimin e frikshëm, bast a kumar, me këtë lojë për jetë a vdekje mbi një skaf edhe vdekjesjellës, në dekadën e fundit te shekullit që iku. Që iku e s'po di të ikë, që ne e lëshuam e ai s'po na lëshon por po na tërheq nga pas.
Çanta me imazhe është zbrazur në mes të detit.
Një lot
rrokulliset faqeve tradhëtisht. Zbrazi ëndrrat,
më thotë ai, mos merr kurrgjë me vete. Çdo çast
sjell ëndrra të tjera. Dhe përfytyrimet zbrazi,
ec vetëm, bosh. Kështu ecën më lehtë dhe më shpejt
E djeshmja të shkatërron më keq se ishemia
Detin, të urtin e kemi kaq pranë
Një gisht po të zgjasim e zgjojmë befas...
Ka mjaft letërsia udhëtime mbi det, kapërcime deti, tmerre pa fund fatesh njerzore. Por kronika poetike e Aqif Hysës tek “Poema e ikjes” është drithëruese.
...unë humbjen kisha mbi supe. Të humburit, dihet
kanë pronë të tyrë vetëm ikjet…
I pyet diku skafistët për Haxhi Alinë e detit poeti. Por skafistët haxhiali s'dinin kujt i thonë. Ata dinin vetëm kujt i thonë euro, numër e jo njeri, kilogram mish njeriu aq sa mbante skafi...
E kam lexuar gjatë poezinë e Aqif Hysës, shpesh edhe e kam përcjellë për rreth të vogël miqsh. Nuk e kam njohur Aqif Hysën si njeri e as si poet. Kur e njoha, u binda se duhet të lexoj vargjet e tij. Sepse ka muzikë aty, ka zhurmë valësh e dallgësh deti, ka zhaurime valësh që tretet në rërë, ka melodi zogjsh. Aqif Hysa eshte poeti i butësisë e përkëdhelisë, poet i dhimbjes e mallit, që din ta fshehë por dhe që i pikon loti pa dashje, që i dridhet mjekra dhe shtërngon dhëmbët të mos ia shohim dhimbjen që e mat atdheun e munguar. Është poet as modern as eksperimental as klasik, është thjeshtë vetëm poet nga ata që ka munguar gjatë. Poet që e shtrin vargun thjeshtë si frymë. Që pohoi se poeti ose është ose nuk është por nuk bëhet dot sikur të përpiqen gjithë shkruesit e botës ta bëjnë, sikur të ngrihën sërish korifenjtë tanë të gjallë e të shkruajnë parathënie të mëdha e të shëmtuara me para ose me shpërblim në natyrë për të shpikur e graduar poetë, sikur të ngrihën gjithë mediat tona e të huaja ta bëjnë një poet nuk e bëjnë të jetë jetëgjatë, por e bëjnë siç kanë bërë e po bëjnë që të rrojë një stinë, të rrojë aq sa të ketë emisione ku poetojnë poetet e bllokut (s'ka patur vetëm politika bllok, por blloku i poetëve që nuk guxojnë ta lëshojnë njëri - tjetrin kanë qenë, janë e do të jenë derisa të vijë një shoqëri që nuk ka hipotekë të lënë gjekundi...).
Aqif Hysa me poemën e ikjes, ikjes nga gjithçkaja e rendjes drejt gjithçkaje, nuk është poet nga ata shtepiake(ë)t e deshpëruar(a), apo poet gjimnazi, a poet i skamjes a pangopjes së jetës shpirterore, por është poet se ndjen shumë, ndjen bukur, dhemb shumë e dhemb bukur. Ai ka provuar në emigracionin e gjatë që nga '96 të mos jetë poet, por nuk ka mundur t'i shpëtojë këtij mallkimi të bukur që lakmojnë shumë t'i zërë, por ky mallkim zë pak njerez. Aqif Hysa nuk është poet jehonash leximi, siç ndodh rëndom të na serviren pafundësisht të tillë se u duket modë e bukur. Ai është poet i detyruar të jetë i tillë se e ka mallkimin të jetë poet. Rrojti sa mundi larg poezisë, medemek larg poezisë, por ajo nuk iu shqit asnjë çast, sa e detyroi që pas mëse 20 vitesh të na sjellë "Poema e ikjes".
Dhe jam i bindur se do të na sjellë poema të tjera.
Tiranë, 15 nëntor 2011.
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi