Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Namik Ajazi, Liri Belishovës i ka mbetur peng diploma e vajzës

Shko poshtë

Namik Ajazi, Liri Belishovës i ka mbetur peng diploma e vajzës Empty Namik Ajazi, Liri Belishovës i ka mbetur peng diploma e vajzës

Mesazh nga Agim Gashi Fri Apr 10, 2009 1:50 pm

Namik Ajazi, Liri Belishovës i ka mbetur peng diploma e vajzës




Namik Ajazi, Liri Belishovës i ka mbetur peng diploma e vajzës U1_DritaComo
Drita Çomo
Nga Fatmira Nikolli
Ato që do vijnë, të mos pyesin përse jetuam. Jetuam, që ata të mos jetojnë si ne. Që ata të kenë ëndrra të lira, si deti. Të mos njohin ngushtësinë makabre të qelive. Që ata ta duan diellin dhe njëri-tjetrin...Që ata ta dinë ç'do të thotë DHËMBJE". Kjo është një pjesë nga poezia e Drita Çomos, vajzës së Liri Belishovës, poezi që e shkroi në muajin gusht 1977. Jeta e saj e dhimbshme dhe e vështirë, erdhi mbrëmë përmes një dokumentari të Namik Ajazit. Në qendër të filmit dokumentar ishte jeta e Drita Çomos, vajzës së Belishovës, një nga përfaqësueset kryesore të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste deri në vitin 1961, që më pas u dënua e u persekutua deri në vitin 1990. Ecejaket nga Cërriku në spitalin Onkologjik në Tiranë dhe zymtësia që e rrethonte këtë mjedis, do të pasqyroheshin në ditarin dhe poezitë e saj, ku flet për njerëzit dhe jetën. Ky film është një rekuiem për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë që trashëguan nga prindërit e tyre vuajtjet e persekucionit komunist. Dokumentari kushtuar Drita Çomos, është realizuar nga Media Vision dhe TVSH, me mbështetjen e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë dhe Shoqatës "Në Dobi të Gruas Shqiptare".
Titulli i filmit është "Dritë në humnerë", ç'do të thotë ky titull?
Titulli i filmit është edhe titulli i librit të botuar pas vdekjes së Drita Çomos, "Dritë në humnerë". Është jeta e Drita Çomos, e kësaj vajze të re që ka qenë vajza e familjes Çomo-Belishova, vajza e Maqo Çomos dhe Liri Belishovës. Siç dihet, kjo familje në vitin 1961 u godit për shkak të kontradiktave në raportet me Enver Hoxhën, për mënyrën se si duhej qeverisur pas vdekjes së Stalinit. Ishte kursi që tashmë dihet, kurs që u mor në Bashkimin Sovjetik, pas vdekjes së Stalinit me ardhjen e Hrushovit. Libri i botuar pas vdekjes së saj, ku përfshihet ditari dhe poezitë e saj, ka një ndjeshmëri të lartë. Aty, ajo ka përshkruar jetën e vet dhe zymtësinë e saj, e mbyllur në pak kilometra katrorë në Cërrik, ku kjo jetoi një kalvar vuajtjesh, duket qenë larg të ëmës, duke qenë se vitet e para të jetës së saj qëndroi tek dajat, si fillim në Lezhë e më pas në Elbasan, dhe në vitin 1971 iu bashkua nënës në Elbasan me vëllanë. Jemi përpjekur të sjellim në të gjithë parametrat e figurës interesante të kësaj vajze të re. Ishte fatkeqe dyfish sepse përveç persekucionit e të qënit vajza e Liri Belishovës, pati edhe fatkeqësinë e sëmundjes së kancerit që e ndoqi pas në gjashtë vitet e fundit të jetës. Sëmundja iu shfaq në moshën 16- vjeçare, deri në atë 22-vjeçare kur ajo u nda nga jeta.
Si lindi ideja për ta realizuar këtë film dokumentar për Dritën?
Gjithmonë, kur Liri Belishova shfaqej në media, më ngacmonte shumë, kthjelltësia e kësaj gruaje të moshuar tashmë por të saktë në gjërat që thotë, shumë kurajoze që akoma ndihet tek ajo, një zonjë që kërkon t'i bëjë gjërat, t'i thotë. Nëse do të ishin dëgjuar fjalët e saj, mbase diçka do të kishte ndryshuar si pasojë e këtij karakteri, ose e disa të tillave që kishte asokohe në udhëheqjen komuniste. Gjithsesi, këta nuk patën fatin e mirë të triumfonin, por triumfoi linja e Enver Hoxhës. Gjithmonë, figura e saj më ngacmonte. Me botimin e librit, u ngacmova për ta sjellë si figurë në film.
Si e ka pritur Liri Belishova këtë film dokumentar për vajën e saj?

Shumë mirë. Unë e kam në praktikën time të punës që komunikoj dhe bashkëpunoj me familjarët kur dua të bëj diçka. Kur unë i thashë Liri Belishovës se kisha dëshirë të bëja një film për vajzën, ajo u emocionua si çdo nënë që jeton me kujtimin e të bijës fatkeqe. Më ndihmoi me kujtimet e veta, me fotografitë që kishte nga e bija dhe me ditarin origjinal. Kemi pasqyruar rrjedhën e jetës dhe kemi sjellë një film 38-minutësh që besojmë se erdhi emocionalisht mirë. Historia e kësaj vajze, është historia e të gjithë brezit të fëmijëve të goditur padrejtësisht, sepse goditeshin jo vetëm ata që kishin probleme me drejtuesit politikë, por goditeshin edhe fëmijët e tyre, madje shumë fort. Kjo është një dhimbje e një shpirti delikat të goditur, të internuar. Asaj nuk ia kanë dhënë të drejtën të japë as provimet e lirimit të shkollës së mesme edhe pse ishte një nxënëse e shkëlqyer. Duke qenë në spital, ajo nuk kishte bërë punën prodhuese, e për këtë arsye nuk e lejuan. Iku nga kjo botë pa marrë as diplomën e shkollës së mesme. Kujtimet e shoqeve dhe mësuesve, tregojnë se ajo ishte një vajzë inteligjente, njohëse e tri gjuhëve të huaja. Nëna në film thotë, 'një nga pengjet më të mëdha që kam është fakti se, nuk e lejuan të merrte as diplomën'. Të tilla histori, që për brezin e sotëm të të rinjve duken absurde.
Liri Belishova e kishte parë më përpara premierës filmin?
Jo, nuk e ka parë. Nuk është në praktikën time kjo. Çdo njeri ka këndvështrimin e vet. Kam shfaqur atë që ndjen Liri Belishova, atë që ndjen i vëllai i Dritës dhe atë që ndjej unë si krijues.
Me kë keni bashkëpunuar për realizimin e tij?
Është stafi i Televizionit publik Shqiptar, me të cilët unë po bëj një cikël dokumentarësh për emigrantët. Është operatori Arben Çeku, operatori i zërit Arben Meçe. Muzika është punuar mjeshtërisht nga Adi Hila. Nuk është një muzikë e gjetur, pak këtu e pak atje, por është punuar në bazë të një kënge që unë kisha zgjedhur. Gjithë fragmentet e kësaj kënge, të sjella në kolonë zanore, shoqërojnë filmin.
Gjatë punës për dokumentarin, çfarë mësuat për Drita Çomon, diçka që nuk e dinit?
Unë pak a shumë i dija të gjitha. E vetmja gjë që unë dija me rezerva dhe që familjarët nuk donin që të ishte shumë evidente, së cilës unë deri diku i qëndrova, ishte një histori dashurie që ajo kishte. Ish-i dashuri i saj, sot mbi 50 vjeç, ka jetën e tij dhe është i martuar dhe me familje. Megjithatë ajo e përshkruan, dhe në atë kohë asaj, kjo histori i ka dhënë një impuls të madh. Të dy ata duheshin deri në momentin që ajo u largua nga kjo botë. Ky element është në film, dhe unë e kam futur duke ruajtur anonimatin. Ajo e përmend atë në ditar, siç përmend shumë figura, duke vënë vetëm gërmën e parë të emrit. Pse e vura edhe këtë? Mendoj se një histori duhet treguar me të gjitha linjat e saj. Nuk mund të ishte vetëm dhimbja, spitali, problemet me shkollën, shëndetin, politikën. Duhet të ishte edhe kjo pjesë, sepse ajo ishte një vajzë e re. Uroj që asnjeri të mos preket. Është një e vërtetë që ajo e thotë, me gjithë një redaktim të kujdesshëm të ditarit. Kjo është ajo që unë nuk dija deri në detaje. Këtë ma thanë infermieret, mjekët që e kanë ndihmuar në shtrimet e shpeshta në spital, ma tha edhe vëllai, të cilit i ishte rrëfyer.
Bëhet fjalë për një kohë tjetër. Sa i vështirë ishte realizimi i filmit?
Filmi artistik dhe dokumentari janë të vështirë, kur të duhet të kthehesh në kohë. Ndryshimet e ambientit dhe arkitekturës janë të tilla që nuk të lejojnë dhe ta bëjnë të vështirë rikthimin e atmosferës. Gjetëm dy dhoma spitali që i përqasëm me atë kohë, u munduam të ruanim në xhirimet në Cërrik lagjet dhe fragmentet që ishin pothuajse ashtu. Vështirësia vjen edhe nga buxhetet e vogla. Kemi pasur një mbështetje modeste të Ambasadës Amerikane dhe pa asnjë tjetër. Kam gërshetuar pamjet e arkivit me xhirimet tona.
G. Shqiptare
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi