Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Dilaver Goxhaj:Adem Zaplluzha, një poet origjinal

Shko poshtë

Dilaver Goxhaj:Adem Zaplluzha, një poet origjinal Empty Dilaver Goxhaj:Adem Zaplluzha, një poet origjinal

Mesazh nga Agim Gashi Fri Dec 23, 2011 12:17 am

Dilaver Goxhaj:Adem Zaplluzha, një poet origjinal 49057_100000381429485_8364_n

Dilaver Goxhaj:Adem Zaplluzha, një poet origjinal
Dilaver Goxhaj:Adem Zaplluzha, një poet origjinal Fotojaeademzaplluzha

Poeti Adem Zaplluzha


Po t’i hedhim qoftë edhe një shikim të shpejtë prodhimtarisë krijuese të poetit Adem Zaplluzha, shohim se as pesë përqind e krijimtarisë së tij (vetëm tre libra) është botuar para shpërthimit të Luftës Çlirimtare në Kosovë, të cilën shqiptarët e atjeshëm kanë dëshirë ta quajnë“Lufta e UÇK-së”, edhe pse Ademi deri në atë periudhë kish arritur moshën 55 vjeçare. Ky fakt vërteton thënien se në robëri muza hesht. Kështu ndodh “Kur i lë ëndrrat diku në sirtar”, për shkak të robërisë. Dhe

“Kur i lë ëndrrat diku në sirtar
Ti do të ecësh deri te lumi
Dhe do bisedosh me erën
Për lotin e vetëtimave”. (Ky shi),

Dhe ishin vetëtimat e UÇK-së, ato që sollën një

“shi që troket në xhamat e ditës
e lëshon një gjëmë
që i përngjan hingëllimës.

......................................
Në ato kohëra
kur nuk kishim çka të zienim.
Kishim veç pak barishte në trasta,
që mblidhnim nëpër sinorë,
por na mungonte mielli i misrit
për një lepenik me hithra.” (Thoshte një plak),

Arsyen pse nuk ka shkruar kaq shumë sa po Ademi na shkruan prej epokës së fillimit të rrëmbimit të lirisë me forcën e djemve dhe burrave të Kosovës deri sot, na e shpjegon në poezinë se “Po të ishte ndryshe” ai do të shkruante, prandaj dhe:

“Në biografin time
Ka vende të zbrazëta
Ku mund të shkruhet
Se gjatë tërë jetës gabova

Ndryshe nuk do të gjeja vend
Në këtë univers
Ku njerëzit i ndërrojnë fytyrat
Si këmishët

Herë bie shi
E herë dëborë e acartë.”

Vëllimi i fundit i tij, që po i paraqitet lexuesit, me titullin metaforik Hingëllimat e shiut, plotëson atë pikëpyetje të hershme, për cilindo që e ka ndjekur në vijimësi krijimtarinë e Adem Zaplluzhës se, çfarë poeti është Ademi?, pasi e përdor aq dendur metaforën, sa shpesh të duket si disi mistik.

Me këtë botim mund të shprehemi pa droje se, më në fund arritëm ta kuptojmë se cila është poezia origjinale e Adem Zaplluzhës. Dhe kuptuam atë që, Ai bën pjesë ndër poetët shqiptarë më radikalë, i cili, përmes metaforës predikon me kaq pasion dëshirën për liri.

Nëse dikush nuk e njeh figurën poetike të metaforës, nuk mund ta kuptojë kurrë Adem Zaplluzhën. Për këtë mund edhe të quhet nga të pamësuarit me letërsinë: “poet i vështirë për t’u kuptuar” ose “poet me dritë mistike”. Bazuar në sa më sipër, Adem Zaplluzhën mund ta quajmë pa droje: poeti i metaforës, dhe jo poet mistik, pasi ai nuk i lë kurrë mënjanë faktet reale.

Krijimtaria e begatë dhe e vërtetë e Adem Zaplluzhës fillon njëkohësisht bashkë me “shiun e metaltë” të asaj lufte çlirimtare, e cila filloi në vitin 1997, edhe pse ky “shi” ishte i përzier me breshërinë e predhave të artilerisë dhe raketave serbe, por edhe me mjegullën e lëndëve helmuese që përdorën serbët kundër luftëtarëve të lirisë kosovare. (“Mjegullnajën”, Ademi e përdor shpesh në poezinë e tij metaforike, e cila nënkupton shumë mjegulla: mjegullën politike, mjegullën e armëve helmuese, mjegullën e propagandës pacifiste, mjegullën e spiunëve, etj, etj.)

E veçanta është se, ky shpërthim i njëkohshëm luftës në Kosovë dhe në poezinë e Adem Zaplluzhës, ndodh në një kohë kur edhe në trojet e shtetit amë pat ndodhur edhe atje tragjedia, ku:

“Ende diku
Në ujërat e Jonit
Gjëmon uturima e dallgëve” (Toka ime antike)

Të dy pjesët e kombit, të ndara në dy shtete, qenë ngritur kundër qeverive të tyre; por shpërthimi i pjesës shqiptare ku jetonte Adem Zaplluzha kish një ndryshim disi shumë më ndryshe: populli qe ngritur kundër dy qeverive, kundër asaj të pushtuesit dhe kundër asaj kolaboracioniste, prandaj dhe e kishte shumë më të vështirë luftën dhe realizimin e “ëndrrës diku në sirtar”.

Ishte një nevojë historike që kjo klasë e re në shpërthim t’i sillte lirinë këtij populli të shumëvuajtur. Si e tillë, kjo dëshirë e pjesës vitale të popullit shqiptar në Kosovë, (që sot, fatkeqësisht, politikanët e dalë nga radhët e tyre dhe ata të dalë nga radhët e kolaboracionistëve, duan ta quajnë kombi kosovar), binte ndesh me interesat e klasës politike shqiptare të atëhershme që sundonte Kosovën paralelisht me serbët.

Në këtë konflikt legjitim të armatosur, ndër luftëtarët më të vendosur për të sjellë lirinë ishin edhe poetët, të cilët përfaqësonin interesat e popullit të vuajtur të Kosovës. Poezia e Adem Zaplluzhës në këtë kohë thërriste me të madhe, se

Plagët nuk shëroheshin as me durim
Derisa kallej flakë vetëdija
....Kur dolëm në stom të kujtesës
Baroti na i shëroi plagët.”, (Kur dolëm në stom të kujtesës).

Shërimi i plagëve të robërisë, por edhe ato të plumbit, shërohen vetëm me barut dhe jo me lutje, sikundër bënin të kundërtën pacifistët, me parullën e tyre: “durim, durim sa të na falin lirinë”.Dhe poeti i përgjigjet:

“Mes stërkalave të shiut
Preki përhitjen e diellit
Sa e largët është ngrohtësia
Kur u kërkojmë yjeve
Të zbresin prej qiellit!” (Sa e largët!)

Si dhe me poezinë “Ngjan që u bien flokët”:

“Më kujtohet
Kur kaluan këndej prostitutat
I mbollën brekët nëpër lisa
Ku ende sot lulëzojnë
Vetëm fjalë të paqarta.”

Tek lexon poezitë metaforike, herë herë plot me ironi dhe sarkazëm poetike, ndjen vërtetë një kënaqësi estetike që tingëllon hijshëm dhe që mendimi rrjedh mahnitshëm dhe pa u shkëputur nga poezia në poezi, sidomos në këtë vëllim. Kur mbaron së lexuari vëllimin poetikHingëllimat e shiut”, ke një lloj ndjenje sikur ke lexuar një roman voluminoz për një kohë të shkurtër.

Këtu qëndron edhe vlera artistike e këtij vëllimi poetik. Dhe thua me vete sikur Ademi ka marrë polenin e sarkazmës së Çajupit kur anatemon politikanët e djeshëm dhe të sotëm të Prishtinës me vargjet:

“Rrugët përplot me prostituta
Shisnin brekët në vend të fashave.”, (Vetëm plagë të hidhura);

si dhe trishtimin e poemës Migjeniane të mjerimit, kur thotë:

“Në Sheshin e Shën Pjetrit
bleva prezervativ
nuk kisha se si t’u ofrohesha prostitutave
kundërmimin tim
nuk e duronte as djalli.
Ishte kohë e ligë
u hallakatën dhe drunjtë
ne nuk kishim as një kacidhe miell
bluanim gurin
për me shujtë urinë.” (Prej një dite)

si dhe te poezia “Shkojmë e vijmë”:

“Nuk di më, kah jemi nisur
Kjo udhë nuk paska të ndalur
Shkojmë e vijmë deri në gjithkund
Për të mbërritur në... askurrkund”

Dhe akoma më shumë të poezia “Nëpër arat tona”:

“Nëpër arat tona
Korrëm grurin e metaltë
Fëmijët i thyejnë dhëmbët “

E veçanta tjetër e Adem Zaplluzhës është se ai i jep të njëjtën rëndësi si idesë që ka ndër mend të shprehi, ashtu edhe fjalës së zgjedhur për atë ide. Në këtë mënyrë, si forma edhe përmbajtja të Adem Zaplluzha gjen një harmoni të plotë, njësoj siç e gjejmë në pejsazhin e pyjeve të Kosovës, në çdo stinë të vitit. Kjo gjë dallohet, pothuaj, në të gjitha këto poezi të tij, por më e theksuar është te metafora e poezisë: “I numëroja hapat”.“Hapat” janë vitet që Kosova kërkonte lirinë nëpër dyert e Evropës, por jo që derën nuk ia hapnin që nuk ia hapin, por as edhe dritaren për të parë se kush trokiste:

“Nuk lash dyer pa trokitur
Askush nuk i hapi dritaret
Shiu rigonte pa ndërprerë
Nëpër xhamat e kujtesës
Dukeshin hijet e thyera

Ika diku nëpër hapësirë
Pas meje vinte hija ime
Askush përpos zogjve nuk më përcillte
I numëroja hapat
Kah largoheshin në heshtje.”

Ademi, edhe me poezinë e këtij vëllimi vë në dukje anët negative të atij realiteti kosovar gjatë periudhës kolaboraciniste të të dy pushteteve paralele, dhe na afirmon idenë se edhe pse ushtria dhe policia serbe u përzunë nga Kosova, përsëri nuk u zgjidh plotësisht problemi apo ëndrra shekullore që ka shqetësuar popullin shqiptar në Kosovë, bashkimin kombëtar:

“Do fluturojmë diku së bashku
Që t’i bashkojmë ëndrrat.” (E bukura e dhéut)

Por, kuptohet, këtë ide Ademi e shpreh gjithnjë përmes metaforës, pasi ai bën art dhe jo propagandë. Lum ai që e kupton dhe e ndjen metaforën e tij.

“Tingujt kanë mbetur diku në harresë
Ende trokas dhe vetes i them
Përse je kështu i pashpresë
Kur ulem bri lumit ty të ëndërroj
Me lulen e kujtimit të ruaj në gji
Kurrë më rrugës tonë s’ kaloj
Për të mos harruar të bukurën magji.” (Magjia)

Adem Zaplluzha na paraqitet një poet tejet origjinal, një poet me forcë të madhe artistike, pasi çdo ide apo mendim, ai e shpreh vetëm përmes figurave letrare; bën politikë duke mos bërë politikë, por duke bërë art. Dhe me atë art, ai i drejtohet masës së gjerë, por asaj mase të formuar. Këtu qëndron origjinaliteti i Adem Zaplluzhës. Kjo e ka bërë atë që t’i pasurojë e t’i perfeksionoi mjetet figurative të poezisë nga vëllimi në vëllim.

Vargu i Ademit nuk ka karakterin e vjershërimit të sistemit klasik, por ka ritme dhe kombinime metrike të përcaktuara nga mendimi që ai kërkon të shprehë. Çdo varg në poezitë e tij paraqet një njësi të plotë mendimi, prandaj dhe poezia e tij nuk dallohet shumë për rimë. Rimën e gjemë rrallë, por këtë e zëvendëson me mendimin. Ja, për shembull, te poezia Nëpër rrugët e sheshit blu”:

“Nuset kanë dalë në bejleg
Dhe presin letrat e të dashurve
Një nënë me një kërthi
I ushqen edhe shtatë fëmijë të tjerë
E ka mësuar nga zanat e malit
Këtë mjeshtëri hyjnore.”

ku Ademi e shpreh mendimin e tij në mënyrën më mjeshtërore për nuset dhe nënat kosovare të luftëtarëve të UÇK-së, në pritje të tyre dhe të lirisë; dhe secili prej luftëtarëve u përgjigjet:

“Më pritni
Nuk do të vonohem
Portat dhe dritaret le të hapen
Sonte do të mbjellim sërish
Dashurinë e lashtë
Të fisit tonë dardan.” (Sonte do të korrim)

Këtë rimim të mendimit dhe jo të vargut e konstatojmë edhe te “Sfondi i fjetur”,kur na përshkruan me shumë kursim fjalësh situatën e mungesës e atëhershme mediatike shqiptare të gjithë anshme në Kosovë, të cilën e zëvendësuan vetëtimat e atyre luftëtarëve të lirisë, të cilët i prisnin në bejleg nuset, motrat dhe nënat e Kosovës:

“Asgjë nuk kishte mbetur
në qiell
Vetëm bishtat e meteorëve
kruanin kujtesën e mjegullave

Kjo përhitje e trishtuar
fle me rekuiemin e ditës
Sa herë që hidhërohen vetëtimat
bien daullet e llamarintë

Nuk më kujtohet
se si gërhiste stuhia
por acari flinte në çatinë tonë
ku merimangat myken nga lagështia.”

Adem Zaplluzha, duam apo nuk duam, ka hyrë në letërsinë shqipe si një poet me një stil krejt origjinal, ku heroi i veprës së tij poetike është vetë ai, i cili përpiqet t’i ndajë mendimet dhe ndjenjat e tij me lexuesin shqiptar të çdo kohe.

Dilaver Goxhaj:Adem Zaplluzha, një poet origjinal Ademzaplluzha

Dilaver Goxhaj – alias, shpëtim Golemi
Tiranë, 22. 12. 2011
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi