Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Preç Zogaj:Gabimi më i keq se krimi

Shko poshtë

Preç Zogaj:Gabimi më i keq se krimi  Empty Preç Zogaj:Gabimi më i keq se krimi

Mesazh nga Agim Gashi Sat Dec 24, 2011 7:57 pm

Preç Zogaj:Gabimi më i keq se krimi  Prec_604290


Preç Zogaj:Gabimi më i keq se krimi


Krimi ekonomik që synon vendimmarrjen! Një fjalë goje! Një kimerë! Ne mund të dallojmë gjurmët e vendimmarrjes së gabuar por atë, “krimin”, nuk e kapin dot. Unë nuk e vras mendjen për ta kapur.


“Rruga e Kombit” që nuk u dha me koncesion për t’u ndërtuar, do të jepet me koncesion për t’u shfrytëzuar e mirëmbajtur. Ky është vendimi i qeverisë “Berisha”, i diktuar para së gjithash nga pamundësia financiare për ta mirëmbajtur me paratë e buxhetit të shtetit.

Nuk mund ta dimë sot me saktësi, a do ta merrte ndonjë kompani private për ta ndërtuar me paratë e veta, nëse qeveria shqiptare do të kishte provuar në këtë pistë.

Sa kohë që nuk u testua zyrtarisht ndërtimi me koncesion nuk mund të themi as “po”, as “jo”. Ndërkaq, parashikoj se koncesionin e shfrytëzimit dhe mirëmbajtjes do ta synojnë disa firma. Premisat, parë nga jashtë, janë optimiste. Rruga është e ndërtuar. Në të janë hedhur mbi një miliard euro taksa dhe kredi, që janë paguar e vazhdojnë të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Firma fituese do të marrë kësisoj një investim të gatshëm që do ta shfrytëzojë pak a shumë si ta ketë ndërtuar me paratë e veta. Natyrisht, do t’i vihen disa kushte firmës fituese. Këto kushte do të kenë për qëllim të frenojnë orekset arbitrare të koncesionarit dhe njëherësh të sfumojnë sa të jetë e mundur shijen e keqe të pagesës së një rrugë të pagur njëherë për ta ndërtuar.

Por me kalimin e kohës, duke manovruar me nevojat e paverifikueshme për mirëmbajtjen dhe punimet shtesë, firma koncesionare do të diktojë tarifat që i përshtaten asaj. Në këtë pikë, firmën do ta ndihmojë edhe fakti që nuk ka, si në gjithë Europën, një rrugë publike paralele apo afër me Rrugën e Kombit, ku mund të kalojnë pa pagesë përdoruesit xhep hollë të makinave . Rruga e vjetër shtetërore është shumë larg autostradës dhe, veç kësaj, ajo nuk mirëmbahet më si dikur. Në këto kushte autostrada që do të jepet me koncesion ka monopolin absolut të transportit rrugor në trevën përkatëse – një rrethanë që privati do ta shfrytëzojë legjitimisht. Nuk është për t’u habitur pra që pas disa vitesh përdoruesit e automjeteve që do të kalojnë në Rrugën e Kombit do të paguajnë afërsisht njëlloj sikur ajo të ishte ndërtuar jo me lekët e vetë qytetarëve, por të një kompanie private. Kështu do të kompletohet unikaliteti i kësaj vepre shqiptare, si rruga me e shtrenjtë në Ballkan për njësi punimesh, ndërtuar me një kosto që ka thyer në mes për një periudhë ende të paqartë buxhetin modest të Shqipërisë modeste.

Jam duke e treguar këtë akt të ri të historisë së Rrugës së Kombit. Ndoshta nuk ka zgjidhje tjetër për mirëmbajtjen e saj në kushtet e pakësimit të të ardhurave në buxhet dhe dështimit të premtimeve, pritshmërive dhe hesapeve pa hanxhinj të qeverisë “Berisha” në lidhje me milionat e miliardat që do të sillte ajo në ekonominë e vendit. Kjo retorikë e mbylli kapitullin pikërisht aty ku u firmosen çeqet e fundit të ndërtimit të saj. Ata që e bënë fituan shumë, vërtet. Kurse Shqipëria duhet të presë. Tani është koha për t’u folur qytetarëve hapur: Nuk e mirëmbajmë dot! Duhet të paguni!

E njëjta gjë pritet të ndodhë nesër – pasnesër edhe me rrugën e “Elbasanit”. Pasi t’i merret “nektari” politiko-propagandistik dhe ndonjë interes tjetër, do të vendoset trau edhe në Qafë-Krrabë. Cinizmi i qeverisë në këtë rast do të jetë më i madh dhe më i dukshëm, sepse për të shkuar nga Tirana në Elbasan dhe anasjelltas ka pasur një projekt konkret nga kompania e famshme italiane “Serenissima” në bashkëpunim me shoqërinë shqiptare “Albacontruksion”. Grupi i punës pranë Ministrisë së Punëve Publike e vlerësoi projektin në fjalë me 8,5 pikë nga dhjetë të mundshme. “Serenissima” kishte gati paratë dhe infrastrukturën për të filluar, gjë që iu deklarua kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij verbalisht dhe me letra konform ligjit shqiptar. Në prag të finalizimit të procedurës, Berisha i ktheu kurrizin këtij projekti dhe përqafoi variantin e ndërtimit të rrugës nga drejtimi i Qafë-Krrabës me kredi. Nuk e kam kuptuar kurrë arsyen e kësaj kthese absurde, që përveçse ka rënduar gurin e borxheve në qafën e shqiptarëve, goditi edhe dallëndyshen e parë të ndërtimit të një rruge me koncesion si mënyra më e mirë për transformimin radikal e të shpejtë të gjithë infrastrukturës rrugore dhe portuale shqiptare.

I vetmi avantazh real i rrugës me kredi në raport me rrugën me koncesion ka të bëjë me faktin se rruga me kredi mendohet se do të jetë falas për qytetarët. Mirëpo edhe ky avantazh do të bjerë kur të vendoset tarifa “për mirëmbajtjen”. Atëherë ç’kuptim do të ketë që e kemi zhytur vendin në borxh edhe me rreth 300-400 milionë euro tjera, ndërkohë që ka pasur një firmë që është ofruar ta ndërtojë rrugën me paratë e veta? Rruga do të ishte sot drejt përfundimit nëse nuk do të bënte kthesën e lartpërmendur zoti Berisha.

Sërish e sërish mundohem të kuptoj si është e mundur, kush ia mbushi mendjen, si e flaku pa shpjegime ky kryeministër një investim kaq të madh nga një kompani private me emër të madh në Itali, si e shumëzoi me zero kontributin e jashtëzakonshëm të inxhinierëve shqiptarë, si e privoi vendin e tij në prag të krizës ekonomike nga një investim i huaj real, konkret, që do të sillte në vend mbi 300 milionë euro, duke vënë në lëvizje një pjesë të konsiderueshme të sektorit të paralizuar të ndërtimit?

“Krimi ekonomik”, – më thotë një miku im politolog. “Ai po ia merr shpirtin Shqipërisë”. Nuk e ka fjalën për krimin që lidhet me shmangien e taksave. Nuk nënkupton me këtë që thotë “veprimtarinë armiqësore” të tipit të vjetër, si ai që shpikte dikur Enver Hoxha për të eliminuar ata që nuk i pëlqenin. E ka fjalën për një krim shumë më të madh, për një krim në mendim, që synon të kapë vendimmarrjen e qeverisë, duke e orientuar drejt zgjidhjeve të gabuara, drejt zgjidhjeve me bisht, drejt zgjidhjeve të pastudiuara, drejt zgjidhjeve të papërshtatshme për natyrën e vendit dhe fuqinë e financave kombëtare, drejt zgjidhjeve mashtruese që paralizojnë zgjidhjet efikase, ato që do të mbështeteshin në burimet reale të Shqipërisë.

Ky lloj krimi, i propozuar nga ustallarët e regresit si zgjidhja më e mirë, luan bukur me folklorizmin e politikanëve naivë apo interesaxhinj, teksa i shtyn me t’i hedhin paratë e buxhetit në rrugë të palidhura, në vepra jorentabël, që nuk janë prioritet në kushtet e ekonomisë së tregut. Në parim nuk ka rrugë të panevojshme. Çdo rruge mund t’i bëhet hosanna. Edhe asaj që do të na ngjiste në Alpe.

Por një qeveri e lirë, e aftë dhe e përgjegjshme ndjek radhën e punëve në bazë të kuletës në një anë dhe rentabilitetit të investimit në kushtet e dhëna në anën tjetër. Krimi ekonomik, për të cilin flet miku im, ia gjen anën të diktojë drejtimin e investimeve në akse dhe vepra që në kapitalizmin e vërtetë do t’u vinte radha pas dy dekadash. Ky është krimi që ka marrë peng politikat për Shqipërinë e detit, që është po aq e madhe sa Shqipëria e tokës. Detet tona peshkohen dhe lundrohen më pak se gjithë detet e botës. Fqinjëve nuk u afrohemi as te kyçi i këmbës.

Përmes firmave kompetente të interesuara, biznesi gjerman ka argumentuar ndryshimet që do të sillte në flukset e transportit detar në Mesdhe e me gjerë një port i madh shqiptar ku do të ankoroheshin anije mbi njëzet mijë tonesh. Përfitimet për Shqipërinë do të ishin të konsiderueshme. Natyra e ka privilegjuar bregdetin e Shqipërisë duke i dhuruar në Vlorë dhe në Shëngjin dy thellësi natyrore të përshtatshme për porte të përmasave kontinentale. Për ta shfrytëzuar këtë pasuri kërkohet një vendimmarrje e mëvetësishme politike nga ana e Tiranës. Ka plot lobe politike dhe ekonomike në rajon që për interesat e tyre nuk duan një port të madh në Shqipëri. Krerët politikë shqiptarë i dëgjojmë me edukate shpjegimet dhe projektidetë për nxjerrjen në dritë të thesareve të detit, por zakonisht mendjen e kanë te batutat që lidhen me Paçin, Taçin, Kaçin, Maçin. Këtu është “politika e madhe”, te batutat, te ç’tha e si ia ktheu, pa për detin nuk e qan kokën njeri!

Është dhënë një koncesion për të ndërtuar një port në Vlorë. Punimet kanë ngecur, si për të provuar tezën se ustallarët e kanë dhenë këtë koncesion të vetëdijshëm për pengesat e mëdha që do të ndeshte në rrugën e realizimit, pra për të mos u bërë. Është kjo metoda e re që ka zgjedhur krimi ekonomik, këmbëngul miku im: jep koncesion aty ku nuk bëhet për të penguar apo eklipsuar atë që realisht do të bëhej. Si me rrugën Thumanë-Rrogozhinë që është dhënë katër herë nga qeveria shqiptare me koncesion, edhe pse nuk është hedhur asnjë lopatë. Është dhënë dhe jepet për të mos dhënë atë që mund të bëhej e të bëhet: Tiranë-Elbasan nga drejtimi i Paprit për të vijuar pastaj me korridorin qendror-jugor drejt Beratit e Memaliajt.

Krimi ekonomik që synon vendimmarrjen! Një fjalë goje! Një kimerë! Ne mund të dallojmë gjurmët e vendimmarrjes së gabuar por atë, “krimin”, nuk e kapin dot. Unë nuk e vras mendjen për ta kapur. Madje, personalisht, mendoj se nuk ekziston si i tillë, në formën e një projekti okult për të penguar Shqipërinë. Por kjo gjë nuk më ngushëllon aspak. Njëherë i thanë Fushesë në Francë për gjakun që kishte derdhur në të kaluarën në Lion: “Ishte një krim”. “Më keq”, – u përgjigj Fusheja. “Ishte një gabim”.Gabimet nganjëherë sjellin pasoja më katastrofale se vetë krimet.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi