Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Irena Nikaj: Fishta - një fenomen shqiptar

Shko poshtë

Irena Nikaj: Fishta - një fenomen shqiptar Empty Irena Nikaj: Fishta - një fenomen shqiptar

Mesazh nga Agim Gashi Sat Apr 11, 2009 7:50 pm




Irena Nikaj: Fishta - një fenomen shqiptar U1_Gjergj-Fishta
Gjergj Fishta
Fishta - një fenomen shqiptar
Përsiatje rreth mendimit nacionalfetar të Gjergj Fishtës
Nga Prof. Asc. Dr. Irena Nikaj
Jeta e tij në përgjithësi ndoqi ata rrugë që ai e përcaktonte në devizën e vet: Të punonte për Fe, Atmé e Provincë. Në mendimet e shprehura nga figura të shquara shqiptare përmblidhen disa nga ato që përbëjnë meritat dhe thelbësitë origjinale të tij.
Poeti Lasgush Poradeci e quan “vazhdimtar në vallen e Kombit, Frymëtar i fjalës, i cili solli dhuratën e vet në Adhurimtaren e Atdheut-shpirt, mendimin e parathënësve të Shqipes( 1943).
Ndërsa prof. E. Çabej që herët, duke krahasuar Fishtën me Naim Frashërin, De Radën dhe Zef Skiroin, vë re “qe hera e parë që një poet po përpunonte jo më epopenë kombëtare tradicionale të Skënderbeut, por ngjarje nga historia më e re e Shqipërisë. Ai mjaft të zhytej në histori të kombit për të mbushur plot të dy duart. Vepra e Fishtës i ka rrënjët në tokën e në jetën popullore të Shqipërisë”. Më tej, Prof. Çabej, i matur dhe racional, pohon për Fishtën: “Fishta qe një nga ato natyra, të cilat ngrihen e rriten dalëngadalë prej qarkut të tyre… dhe bash nga kjo rrënjosje te trualli i vet ai u bë në një tjetër kuptim, më tepër se sa Naim Frashëri, poet kombëtar i Shqipërisë”.
Prof. R. Qosja vë re se Fishta është shkrimtari ynë të cilit i janë shqiptuar dënimet më të rënda politike e ideologjike, domethënë, shkrimtari mbi të cilin janë hedhur faje të rënda dhe të ndryshme.
At Gjon Shllaku këtë dukuri e përgjithson kur me dhimbje pohin: “Tjetërkund, njerëzit e idealit, në u vrafshin për së gjalli, nderohen për së dekuni. Ndër ne ata vriten dy herë; edhe harrohen. Një komb qi lindet ka nevojë për fatosa qi desin. Por fatosat qi desin nuk kanë ç’të bajnë në nji komb që i harron e i përbuz.
Dr. E. Sejdaj shkruan se Gjergj Fishta ishte personaliteti më i shquar i jetës kulturore dhe letrare të kohës së vet… studioz dhe erudit për t’u bërë akademik, çka do ta dëshironte çdo shkrimtar i kohës së tij dhe i kohës sonë, luftëtar i pakompromis për çështjen shqiptare dhe, mbi të gjitha poet dhe këngëtar i vizionit të ngjadhnjimit të njeriut mbi të keqen.
Duke ndjerë vërtet rëndësinë e Gj. Fishtës, M. Lambertz-i, jo vetëm e përktheu gjermanisht “Lahutën e Malcis”, duke e quajtur atë “Iliada” shqiptare dhe krijuesin e saj “Homeri shqiptar”, por konstatoi se universi poetik i Fishtës është krijuar në bazë të po atij mekanizmi, i cili shekuj e shekuj më parë kishte krijuar eposin shqiptar dhe, më herët, eposin e grekëve të lashtë. Më saktë, në veprën e Fishtës funksionon ende mekanizmi i poezisë orale, ai mekanizëm që në botë ishte dërguar prej shekujsh në muzetë e akademive letrare. Prandaj Konica jo aq thjesht thotë se më kot mundohen grekët e sotëm të gjejnë në letërsinë e vet një vepër më të plotësueme se “Lahutën…”.
Gjithsesi, tani ka kaluar aq kohë sa mendimi shqiptar të shfaqë pjekurinë për të vlerësuar më në fund atë që u quajt “Homeri shqiptar”, dhe sigurisht këtu i japim të drejtë prof. M. Lambertz-it që shkruajti me rastin e vdekjes së Fishtës, se koha e ardhshme ka me dijtë me e çmue edhe ma mirë randsin e ktij njeriu…(1943).
Disa koncepte mendore e filozofike në veprën e Fishtës
Pasi mendon atë që është thelbësore në veprën e Fishtës në raport me kombin, me vlerë është edhe përpjekja për të rrokur konceptimin e Fishtës për botën, sendet, shpirtin. Sipas Fishtës marrëdhënia trup-shpirt është ekzistente sipas zgjidhjes që jep Platoni. Njeriu fizik-sipas Fishtës-kalon mbi tokë “porsi voesa e natës”, por njeriu shpirtnuer a thue dhe aj do të ketë një jetë kaq të shkurtër? E pastaj i drejtohet Hamletit “Morire, dormire-dormire e forse sognare…?(me vdekur, me fjetur-me fjetur e ndoshta me ëndërrue), ndërsa trishtohet së tepërmi nga zgjidhja që i jep Epikuri, sepse për Fishtën “che l’anima col corpo morte fanno”, pra për Fishtën pjesa më e mirë e njeriut fluturon në amshim, në përjetësi.
Poezia e Fishtës nuk ka kufij të ngushtë, sepse koncepti krahinor është përfshirë brenda njësisë kombëtare. Fishta, për ta thënë ndryshe, merr një grusht dheu nga toka shqiptare, e shikon me një optikë nacionale, pastaj me anë të kësaj krijon Atdheun; kjo është arsyeja përse Fishta opsionin kombëtar e vështron në psikologji, në gjuhë, në metrikë, në diçkafin historik që përdor, në risitë poetike, në figuracion, në rimat e brendshme që pasojnë njëra tjetrën, në aliteracionet dhe pasthirrmat befasuese, në krahasimet, paralelizmat figurativë, në fjalorin arkaik dhe modern, në ndërtimet sadopak të çuditshme sintaksore e mbi shumçka dashuria për Atdheun, e cila ka brenda druajtjen tragjike për fatet e kombit, entuziazmin e pafajshëm rilindas, sarkazmën dhe urrejtjen ndaj qëllimeve shoviniste; jepen këto në një gjuhë që për Fishtën është instrumentale si balta për Zotin, kur ai krijoi Njeriun. Pra veprimtarët dhe mendimtarët nga kleri katolik, para së gjithash At Gj. Fishta, lartësuan, hyjnizuan nevojën që Shqipëria të bëhet duke besuar te Zoti. Në këtë hulli, Anjshtajni thotë se emanacioni më i bukur që mund të provojë njeriu, është ai mistik. Është fara e gjithë artit dhe shkencës së vërtetë…Vetëdija se ekziston vërtet pa ne, diçka e papenetrueshme që manifestohet si urti dhe dituri sublime, e bukuri tejrrezatuese, nga të cilat fakultetet tona të varfëra, nuk mund të kapin veçse format më primitive, është baza e çdo feje të vërtetë(gazeta Zëri i Rinisë, 16.10.1991). Po ashtu, ata kuptuan përplasjen midis dy ideologjive: fashizmit dhe bolshevizmit. Duket se jo vetëm Shqipëria, por e gjithë bota e qytetëruar ndodhej në krizë vlerash, prandaj shkroi Patër Anton Harapi tek Hylli i Dritës me frymë fishtiane: “A sod a kurrë të mobilizohemi për fe dhe atdhe. Ja ky asht besimi a kjo asht Shqypnia që po na zhduket ndër duar”. Ata ishin të aftë të kuptonin rrezikun e depërtimit të frymës dhe ideologjisë marksiste; ata ishin në dijeni të greminës që po krijonin këto ide, prandaj dhe u shprehën plot vendosmëri kundër tyre. Ajo greminë që idetë ekstremiste krijuan e ndanë në dy pjesë nacionalistët shqiptarë të kulturuar, ishte tejet e pavlerë dhe antishqiptare. At Fishta ishte kështu nga të parët që ndjenë se kjo ndarje e vlerave shpirtërore, kjo ndarje mes natyrës dhe mbinatyrës ishte përçarje dhe çekuilibrim i jetës moderne shqiptare. Duke njohur pjesët e filozofisë klasike dhe moderne dhe modelimin psikoetnokulturor të shqiptarit, Fishta theksonte nevojën e ruajtjes së idealit të krishterë, besimit të krishterë, filozofisë së krishterë, kulturës së krishterë, atdhetarizmit të krishterë mbi substratin shqiptar. Sipas konceptit nacionalfetar të At Fishtës nevojitej një ideologji shqiptare, thelbi i së cilës mund të parashtrohej sipas kësaj radhitjeje: ideali njerëzor dhe besimi, dituria, kultura, morali e atdhetarizmi, të gjitha pa përjashtim janë faktorë të jetës, ata pajtohen me njëri-tjetrin në mënyrë të natyrshme, pa u ngatërruar, nuk priren të zhduken apo rikrijohen nga hiçi, as të përjetohen, as të zëvendësohen, por bashkërendohen në mënyrë të mrekullueshme dhe bashkëplotësuese.

Bota Sot
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi