Dorian Koçi:Përvjetori i një Titani
Faqja 1 e 1
Dorian Koçi:Përvjetori i një Titani
Dorian Koçi:Përvjetori i një Titani
Më datën 6 janar ishte 130-vjetori i lindjes së Fan Nolit, këtij kolosi të kulturës shqiptare. Për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj figure të papërsëritshme të panteonit akoma të pandërtuar shqiptar duhet të hedhësh vështrimin mbrapa për të parë se ç’trashëgimi dhe kulturë politike shqiptare kishin para tij. Nëse gjatë një bisede me Konicën, Noli dhe Konica nuk kishin se me çfarë të krenoheshin përveçse një konservatorizmi mjeran, sepse kultura politike dhe shoqërore ishte varfër përpara tyre, sot ne kemi mundësi që sa herë flasim për nocione të tilla të sjellim ndërmend figurën e këtyre dy kolosëve, por veçanërisht të Fan Nolit për veprën e gjithanshme të tij. Emri i tij Theofan (gr. shfaqja e Zotit) shënjoi mesa duket në mënyrë të pashmangshme dhe shfaqjen e tij në qiejt e trazuar të ringjalljes së kulturës dhe politikës shqiptare. I dëshiruar dhe i anatemuar, i përgëzuar dhe i hidhëruar gjatë jetës, fati i tij nuk mund t’i shpëtonte fatit të gjithë atyre që kanë pasur si qëllim të jetës së tyre idealizmin se një ditë Shqipëria do të bëhet. I nderuar thellësisht pas vdekjes nëpër përvjetorë por i nderuar shumë pak në kulturën urbane të qyteteve tona, sot monumenti i tij qëndron i strukur në një shkollë që mban emrin e tij, si për të dashur për ta fshehur, kurse një palo bust tek Akademia e Shkencave që e paraqet më tepër si boksier sesa si mendimtar, nuk mund t’u japë brezave të rinj vizionin e gjerë të këtij njeriu që shtrihej që nga përkthimi dhe interpretimi i Biblës dhe ungjijve, e deri te jeta dhe muzika e Bethovenit, nga krijimi i Kishës Autoqefale Shqiptare e deri tek përkthimi i Shekspirit, Servantesit, Bodlerit etj. I drejtë për së drejtë dhe i pakompromis për të vënë para idetë e tij ëndërronte që të sillte pak “Amerikë” në Ballkanin e trazuar nga qiejt e urrejtjes dhe dredhisë, nga masakrat dhe shpagimet e mërive të vjetra. Por fatkeqësisht shumë pak e kuptuan shqiptarët!
Iu duk i çuditshëm, si i rënë nga qielli kur u thoshte se pasuria nëntokësore që gjendej në tokë të bejlerëve u përkiste të gjithëve dhe shteti do bënte më të mirën për ta shitur e për të përfituar të gjithë. Iu duk i pafuqishëm ky njeri që thoshte që do t‘u jepte tokë dhe ndërsa fuqitë e Vrangelit dhe bateritë serbe rrihnin kryeqytetin për të sjellë Zogollin, ai luante klarinetë dhe lutej që “fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë”. E deshën shumë pak fqinjët se do t’u vinte kufirin tek thana, ndaj u bënë të gjithë bashkë me Pashic, Musolin e qeveritarë grekë për të mos e njohur e për ta përmbysur. Mirëpo këtë mëri të fqinjëve, ata të tjerët që kishin rendur në Beograd nga zemërimi popullor i vrasjes së Avni Rustemit e quanin “legjitime”, politikë të drejtë dhe sukses të tyre. E cilësuan aventurier, sepse kërkonte të sillte qytetërim dhe barazi në një vend që s’kish ndryshuar për qindra vite me radhë. Gëzonin dhe fërkonin duart që ai s’i njihte dredhitë e vogla orientale të mësuar në oborre pashallarësh dhe që u jepnin përparësi që pushtetin e tyre ta shisnin për përparim. Disa historianë e quajnë sot këtë gjë, zotësi të kundërshtarëve të tij, zgjuarsi që buronte nga natyra e tyre popullore. Në fakt nuk është çudi që prej shekujsh në Shqipëri adhurohet i ligu dhe hileqari, që ka mundësi të ta hedhë dhe poshtërojë sesa vizionari dhe misionari që mundohet të mbjellë farën e ndryshimit. Fati i personazhit të quajtur Plug të Konicës në “Katër Përralla nga Zuzulandi” ka ndjekur gjithmonë fatin e idealistëve në Shqipëri.
Gjithsesi Fan Noli s’u mërzit kurrë me vendin e vet e mbeti fisnik deri në palcë. E deshi Shqipërinë më shumë se vetja dhe përherë i vinte keq për teatrin mizerabël që kishin ndërtuar “dallkaukët” dhe “kopukët” dhe “turmat pa tru”. I paepur vazhdoi të kulturonte veten dhe kombin e vet me përkthimet dhe letërsinë që krijonte, duke u dhuruar shqiptarëve vargje të mrekullueshme dhe vepra të klasikëve i bindur se një ditë fjalimi i Mark Antonit te “Jul Qesari” do të kuptohej nga brezat që vinë. Ndjekjet e atyre që s’e deshën e përndoqën deri në Amerikë, ku hapnin fjalë se peshkopi që kish synuar reforma në vendin e vet ishte Peshkop i “kuq”, një akuze që i tejkalonte dhe përndjekjet e Komisionit MacCarthy dhe që shumë “studiues” të sotëm i përsërisin herë pas here si “pafajësisht” për të baraspeshuar traktatet e bashkëpunimit me të huajt që nënshkruan të tjerë. Në gjithë këtë vorbull dizinformacioni që kujdesen herë pas here ta lëshojnë në opinionin publik, asnjë nuk kujtohet për veprën e tij madhore që është uzurpuar dhe përçudnuar. Pak më tutje shkollës në Tiranë që struk monumentin e tij ndodhet ngrehina e papërfunduar e Katedrales së Tiranës, në të cilën ashtu si dhe në kishat e tjera ortodokse në Shqipëri, mesha do të mbahet në më të shumtën e rasteve greqisht, një gjuhë që Fan Noli u shkollua, e adhuroi si studiues por dhe ia hoqi statusin e privilegjuar kishtar, pasi më parë u shpjegoi shqiptarëve me punën e tij titanike se Zoti i kuptonte lutjet e tyre dhe në shqip. Kur e pyesnin sa ishte gjallë se cila ishte vepra e tij më e madhe, ai gjithnjë përgjigjej themelimi i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, edhe pse vepra të tjera të tij ishin po aq të mëdha në kulturën shpirtërore dhe materiale të shqiptarëve. Ndaj nëse vërtet shqiptarët dëshirojnë që ta nderojnë kujtimin e tij, nuk është nevoja që të dërgojnë buste deri në Ibrik Tepe, sepse në fakt pasardhësit e tij jetojnë në Evro të përndjekur nga i famshmi traktat i shkëmbimit të popullsive që bënë mes tyre “allerfiat” grekë me “burazerët” turq në vitet ‘20, as simpoziume dhe dhënie emri të tij institucioneve, por respektimi i kanonit kishtar të Kishës që ai themeloi dhe me përzgjedhjen e një kleriku shqiptar në krye të saj. Kjo është sfida e shoqërisë shqiptare dhe e klasës politike që guxon dhe përdhos amanetet e shtrenjta të një prej krijuesve të Shqipërisë, sepse është për të ardhur keq që ata etër paskan mbetur të ngratë pa bij, apo ndoshta këta të sotmit janë bij të adaptuar që vuajnë nga kompleksi i etërve?
Pak kohë më parë, qeveria republikane shqiptare përcolli me nderime pretendentin për fron Leka Zogu për në banesën e fundit, një gjest fisnik, pavarësisht kundërshtimeve që mund të ketë në opinionin e gjerë. Fan Noli ka vdekur prej kohësh, eshtrat e tij, sipas rregullave klerikale, qëndrojnë gjithmonë pranë Katedraleve ku shërbyen ndaj s’mund t’i kthejmë në atdhe, por të paktën t’ia fillojmë nderimet nga testamenti i tij, kombëtarizimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Dorian Koçi
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi