Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ejup Ceraja: Korifeu i letërsisë bashkëkohore shqipe dhe çmimin Nobel për letërsi - 2012

Shko poshtë

Ejup Ceraja: Korifeu i letërsisë bashkëkohore shqipe dhe çmimin Nobel për letërsi - 2012 Empty Ejup Ceraja: Korifeu i letërsisë bashkëkohore shqipe dhe çmimin Nobel për letërsi - 2012

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jan 19, 2012 1:27 am


Ejup Ceraja: Korifeu i letërsisë bashkëkohore shqipe dhe çmimin Nobel për letërsi - 2012 U1_IsmailKadare
KORIFEU I LETËRSISË BASHKËKOHORE SHQIPE DHE ÇMIMI NOBEL PËR LETËRSI - 2012
(Opinion përkrahës)
Nga Ejup CERAJA
Në letërsinë shqipe ka si vlera njohëse dhe përmbajtjesore, ashtu edhe art të mirëfilltë. Se është kështu dëshmojnë me qindra e qindra vepra të botuara nëpër shekuj gjer me sot.
Po, për të shijuar bukurinë artistike në letërsinë bashkëkohore shqipe, do të mjaftonte, mendoj, të lexohen, fjala vjen, veprat e Ismail Kadaresë, meqë fjalën këtu e kemi për te, si: “Kronikë në gurë”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Ura me tri harqe”, “Emblema e dikurshme”, “Kush e solli Doruntinën”, "Krushqit janë të ngrirë", "Kushëriri i engjëjve", "Lulet e ftohta të marsit", "Ra ky mort dhe u pamë", “Poshtërimi në Ballkan”, “Mbi krimin në Ballkan” – Letërkëmbim i zymtë e shumë e shumë të tjera.
– Pse?...
– Sepse: "Vepra e Ismail Kadaresë është një enciklopedi artistike e fateve të vendit tonë…"1)
Jam lexues i rregullt, të them kushtimisht, i veprës letrare të Kadaresë... Dhe, mendoj, se një mori e veprave të Kadaresë e kanë përmasën e letërsisë botërore... Andaj nuk është çudi, por është kënaqësi që, ky korife i letërsisë sonë artistike dhe publicistike, është i përkthyer në të gjitha gjuhët, t’i quajmë shprehimisht, të mëdha... Dhe, veprat e Kadaresë, të përkthyera në shumë gjuhë botërore, i sjellin gjuhës shqipe dhe letërsisë së saj nderim të pakontestueshëm. Këndej, them, se Krijuesi Hy, si në refren, periudhë pas periudhe e krijon nga një figurë madhore të artit e të kulturës, i cili (e cila) dallon një çik nga krijuesit e tjerë të artit, që duhet kuptuar e nderuar si të atillë… Hëpërhë, sipas meje, Kadare qëndron korife në majën e kësaj maksime. Ismail Kadare për vitin 2012 është propozuar për çmimin NOBEL në letërsi nga Akademia e Shkencës dhe e Arteve të Shqipërisë me plot meritë dhe me të drejtë. Nuk them se në artin shqiptar, në përgjithësi e në artin letrar, në veçanti nuk ka pasur e nuk ka edhe të tjerë që e kanë merituar ose e meritojnë këtë çmim të nderuar... Po, meqë, siç e theksuam më lart, Kadare qëndron korife në maje, atëherë, mendoj, se Kadare e meriton të laureohet i pari me këtë çmim në kulturën gjithë shqiptare... Pra, rrethit ciklik gjer më tani, në letërsinë e kulturën shqiptare, i jep shkëndija rrezatuese shkrimtari më i madh dhe më i gjithanshëm (në të tri gjinitë letrare) - Ismail Kadare, të cilit i uroj nga zemra marrjen, përkatësisht, shpalljen fitues i ÇMIMIT NOBEL PËR LETËRSI – 2012, e të cilin çmim e ka merituar qysh moti.
- Pse e meriton shkrimtari Ismail Kadare Çmimin NOBEL për letërsi?...
- Sepse, sipas meje, krijimtaria letrare-artistike e tij nuk shtrihet vetëm brenda gjeografisë së trojeve etnike shqiptare dhe nuk përshkruan vetëm ngjarjet kohore të etnisë sonë nëpër shekuj e shekuj... Po, krijimtaria letrare e këtij kolosi, jo vetëm të letërsisë sonë, kap shtrirjen kohore që nga antikiteti e këndej, jo vetëm brenda gjeografisë hapësinore të Gadishullit Ballkanik dhe të kontinentit tonë… Në kontekst të kësaj po përmendim mendimin e eskiologut francez të Universitetit të Caenit, z. Bernardit, i cili, duke shpreh mendimin mospajtues për shkrimtarin tonë Ismail Kadare pas botimit të Eskilit... në gjuhën frënge, thotë përafërsisht, se është e papranueshme për ne studiuesit francezë të Eskilit, që kemi bërë aq shumë për te e nuk na përmend askush, ndërsa shkrimtarin shqiptar Imail Kadare shtypi dhe TV franceze e kanë mbuluar me lavde...
Për ta kuptuar si përmasën kohore, ashtu edhe përmasën hapësinore të krijimtarisë letrare të Kadaresë, është mirë, them, të lexohet vepra e tij “Eskili, ky humbës i madh” që të kuptohet dimensioni Kadare jo vetëm në rrafshin e letërsisë shqipe, por në rrafshin e letërsisë evropiane e më gjerë... Dhe, vetëm për këtë fakt, siç do të thoshte Dr. Emin Kabashi, Kadare është një shkrimtar i madh... Krijimtaria letrare e asnjë shkrimtari shqiptar, por edhe të letërsive të tjera, së paku nga ata që kam pasur rastin t'i lexoj të përkthyer në gjuhën tonë, nuk e ka, them, përmasën krijuese as kohore, as hapësinore më të madhe se përmasa krijuese e shkrimtarit Ismail Kadare…
Kështu Kadareja shkrimtar jo vetëm që është i madh, po që, hëpërhë, ma thotë mendja, është i pakalueshëm jo vetëm në letrat shqipe… Shpresoj se të gjithë dashamirët e veprës letrare të Ismail Kadaresë, po edhe të tjerët, do ta përkrahin kandidaturën e Ismail Kadaresë për Çmimin NOBEL në letërsi për vitin 2012. Çmim, i cili do të na bënte nder. Çmim i cili do ta madhonte 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar dhe 100-vjetorin e Nëntorit të Dytë – Ditën (Datën) e Flamurit tonë të ndritur kombëtar. Dhe, do të na rendiste krah për krah me letërsitë e tjera qofshin të mëdha, qofshin të vogla, që e kanë fituar këtë çmim më parë...
Këndej, duke u nisur nga mendimet e shumta të dijetarëve të ndryshëm të zënë ngoje në një punim të mëhershëm për opusin krijues në të tri gjinitë letrare të Ismail Kadaresë; duke pasur parasysh tematikën e gjerë të veprave të tij; duke u mbështetur në shtrirjen e tyre në thellësitë kohore dhe hapësinore që nga antikiteti e këndej; dhe, po ashtu, duke pasur parasysh përkthimin e veprave të tij (në) mbi tridhjetë e sa gjuhë të ndryshme botërore..., i bashkëngjitëm edhe njëherë mendimit të shprehur në “Magazine litteraire” të Parisit: “... Jepjani Kadaresë çmimin Nobel!”
________________
1) Tefik ÇAUSHI: “Nyrenbergu i tretë”, gazeta 55, e enjte, 18 nëntor 2004, fq. 15.

Dhjetor, 2011
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi