Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Prend BUZHALA- (Beat Portmann: “Etje”, roman, botoi XENIA Luzern- Klinë, 2011, përkth. nga gjermanishtja Bardhec Berisha)

Shko poshtë

Prend BUZHALA- (Beat Portmann: “Etje”, roman, botoi XENIA Luzern- Klinë, 2011, përkth. nga gjermanishtja Bardhec Berisha) Empty Prend BUZHALA- (Beat Portmann: “Etje”, roman, botoi XENIA Luzern- Klinë, 2011, përkth. nga gjermanishtja Bardhec Berisha)

Mesazh nga Agim Gashi Fri Feb 10, 2012 1:45 am

Sfidimi artistik i luftës, lirisë dhe emigracionit

(Beat Portmann: “Etje”, roman, botoi XENIA Luzern- Klinë, 2011, përktheu nga gjermanishtja Bardhec Berisha)

Prend BUZHALA- (Beat Portmann: “Etje”, roman, botoi XENIA Luzern- Klinë, 2011, përkth. nga gjermanishtja Bardhec Berisha) 48968_100003262780299_1199494623_n
Shkruan: Prend BUZHALA

Gjithsesi, romani “Etje” i shkrimtarit të ri zviceran Beat Portmann, është i rëndësishëm, jo vetëm, për lexuesin gjermanishtfolës, por edhe për atë shqiptar në veçanti e për atë të ballkanasve, në përgjithësi. Se si i shikohet emigracioni shqiptar me sytë e një shkrimtari zviceran, këtë na e paraqet vepra “Etje", një roman i ndërliqshëm i tipit kriminalistik, policor, po edhe i ndërthurjeve shumëplanëshe realiste. Romani temën e merr nga jeta e emigracionit të popujve të shumtë që vërshojnë Zvicrën dhe, në këtë aspekt, aty ndërthuren edhe intrigat politike, ato të krimit, të larjes së parave, të prostitucionit, të dilerëve të drogës e të të rinjve të droguar, të kriminelëve të luftës, të pastruesve të parave, por edhe tema e eliminimit fizik me konotacione të përfitimit personal dhe ku hakmarrja politike merret vetëm si kornizë e realizimit të interesave të tjera... Ç’është e vërteta, vepra është përkthyer shqip nga Bardhec Berisha (1961) nga Dobërdoli i Klinës, i cili jeton dhe punon në Zvicër prej vitit 1983, kurse ndërkohë botuar tre libra poetikë: Veprat: “Qyteti X” (poezi) dhe “Flatrat e rinjohjes” (poezi), 2002, që të dyja në botim të Klubit Letrar “Vorea Ujko”, si dhe “Mirëdita liebste” (“Mirëdita e dashur”) - poezi shqip e të përkthyera gjermanisht nga vetë autori, të botuara më 2006, nga edicioni prestigjioz zviceran Magma, Bruner Verlag, Luzern. Përvojën e tij si përkthyes, Bardhec Berisha e kishte nisur në disa institucione zvicerane, kurse pas këtij libri ai i rrekt përkthimit të këtij romani, i cili doli këto ditë nga shtypi në edicionin XENIA Luzern- Klinë; si dhe përkthimit të “Kanunit të Lekë Dukagjinit” nga shqipja në gjermanisht, i cili prêt të botohet këtë vit dhe i cili ka ngjallë interesimin e shumë qarqeve intelektuale, shkencore dhe qytetare gjermanishtfolëse ende pa u botuar.

Ndërthurje shumëplanëshe e romanit kriminalistik

Romansieri Beat Portmann i hyn me guxim krijues e qytetar trajtimit të një tematike tejet të ndërliqshme. Libri që kemi përpara, zë fill me ankthin e një vrasjeje të paralajmëruar, që bëhet menjëherë në faqet e para të rrëfimit romanor, ndërsa rrëfimin e tij e tij krijues shkrimtari e zhvillon me përshkrimet e ambienteve të larmishme, me zbulimet e karaktereve e të skutave të jetës. Mirëpo, autori krijon iluzionin e një dëshmie autentike: vetë shkrimtari merr rolin edhe të bartësit të rrëfimit, edhe të zbulimit të vrasjes; megjithatë, ai përdor edhe përbërësit e një intrige të mirëfilltë të fikcionit letrar. Bartësin e rrëfimit ai e ndërthur me intelekt dhe në mënyrë tejet të urtë, fine, nga pak hileqare. Thjesht, të gjitha këto ai i strukturon për të arritur te e vërteta, për t’ua gjetur rrënjën këtyre shkaqeve dhe fenomeneve, për t’ua bërë të ditur të tjerëve çerdhet dhe vatrat e krimit, drogës, spastrimit të parave, bizneset, veprimtaritë pas shpinës së shtetit dhe ligjit etj. Në këtë drejtim, ai u jep hapësirë autentike dimensionit të të vërtetës konkrete, vërtetësisë artistike dhe fikcionit, duke krijuar kështu, edhe ekuilibrin në mes tekstit letrar dhe përkujdesjes ndaj fakteve të jetës e të realitetit konkret. Zvicra, është një vend i hapur, kurse qyteti Emmenbrücke, siç na e thotë edhe rrëfimtari, është një vend i ashpër, i cili, përkundër shkallës së lartë të demokracisë, zhvillimit ekonomik, shtetit ligjor, etj, i ka edhe egërsitë e veta, problemet e mprehta sociale, ato të urrejtjes në mes popujve që dynden aty, po edhe përplasje në mes të forcave politike vendore: në mes atyre që duan një realizim të të drejtave të emigracionit dhe integrimin e tyre të shëndetshëm në jetën zvicerane e deri te parullat e partive radikale të djathta: “Së pari shteti, natyralizimi e mandej populli”, që do të thotë ose dëbim i emigrantëve ose një nënshtrim i tyre i dhunshëm asimilues. Duke qenë një vend me industri të zhvilluar, aty ka edhe një shkallë të lartë të dyndjes së të huajve, kurse zviceranët autoktonë kanë një frikë, një si ksenofobi, nga ardhjet e tilla. Prandaj tensionet shpërthyese janë evidente. Shkrimtari arrin që të paraqesë anët e shëmtuara të këtyre tensioneve e shpërthimeve, po edhe gjallërinë e jetës e të karaktereve, të meseve shumëgjuhëshe që gjejnë paraqitjen adekuate e shumë funksionale në këtë roman dhe, si i tillë, ky ambient paraqitet me sukses edhe nëpërmes përkthimit. Qoftë zinxhiri i krimit të organizuar shtrihet që nga Ballkani e shkon deri në Zvicër, qoftë vënia në pah e pamjeve të nacionalizmave, që kushtëzohen e ushqehen nga njëri-tjetri; janë tablo realiste interesante që kalojnë nëpër faqet e romanit.

Në një këso atmosfere shkrimtari shkon dhe i gjen burimet e tij të trajtimit artistik. Ndonëse pak i lëruar në letërsinë tonë, zhanri i romanit kriminalistik ka një shtrirje të gjerë në letërsitë evropiane, pikërisht për faktin pse letërsia kudo është shndërruar në biznes, në interes të sferave të përfitimit dhe të tregut. Prandaj, që në fillim shkrimtari-bartës rrëfimi, ballafaqon dy postulate krejtësisht të kundërta estetike dhe të sferës së interesit biznesor:

"Unë nuk kisha dijeni se si shkruhet një krimi rrëfim. Krimi-rrëfimet nuk më interesonin. Unë nuk kisha lexuar rrëfime kriminalistike dhe nuk doja të shkruaja. Ia bëra me dije Brechbühl-it, se nuk largohem asnjë hap nga liria ime artistike. I nxehur, ia bëra me dije se gjatë shkrimit unë do të kisha shqyrtuar figurat estetike, ndoshta edhe etike, dhe në asnjë mënyrë analiza të jashtëzakonshme, profane, të tregut." Është një biznesmen serb, Zoran Sllavkoviq, i cili paralajmërohet për një vrasje, dhe si kërcënim, merren citatet e Anndriqit (“Bota është e stërmbushur me fundërrina. «Po, Bosnja është një vend i urrejtjes. », «Tani prisnim ne ardhjen e pasigurt të trenit për në Foçë. » -«Aty ua hoqën atyre kokat dhe i vunë në hunj. » - «Mirëpo trupat e tyre i hodhën prej urës në Drina. » - Dhe në fund edhe një herë rreshti «Po, Bosnja është një vend i urrejtjes.») - dhe ai pastaj gjendet me kokë të prerë, të ngulur në një hu. Familja e Slavkoviqit jetonte në Zvicër, ishte drejtuese e një agjencie udhëtimesh që nga përfundimi i luftës në Bosnje dhe menjëherë pas kësaj lufte nis edhe koha rrëfimore (koha kur shkruhet edhe romani), i cili e paralajmëron luftën në Kosovë! Në qytetin zviceran Emmenbrücke janë grumbulluar edhe viktimat e luftërave nga ish Jugoallavia, edhe emigracioni ekonomik edhe ai politik; me gjithë transaksionet ilegale, me komplikimet e rrjetit për punësim.

Sfidat e shkrimtarit narrator

Shkrimtari, meqenëse ishte edhe i varfër dhe kishte nevojë për para, merr rolin e një detektivi privat, të rremë, për ta zbuluar vrasjen , kurse procedimori i tillë krijon frymën e autenticitetit dhe trajtën e përshtatshme për shpalosje të anëve të ndryshme të jetës e të fenomeneve përkatëse. I regjistruar në regjistrin e telefonave si detektiv privat, për të kontaktuar me njerëz që kishin probleme shoqërore ose ballafaqoheshin me format e ndryshme të krimit; shkrimtari-narrator takohet me qytetarë moshash, profesionesh, gjinish, përkatësish dhe bindjesh të ndryshme. Shkrimtari narrator, i gjendur tek një kompani botuese, merr rolin e një kërkimi për një vit për ta bërë një roman që do të merret me një vrasje rituale, por ku nuk ka më skena të tjera të dhunës e të gjakderdhjes. Në kërkim të një pune, mbasi ishte i papunë, ai gjen një punë tek Zorani, që i premtoi se do ta shpërblente, mbasi Slavkoviq kërcënohej nga letra anonime për vrasje, por me të nisur hetimi, ai vritet, koka e prerë i ngulet në hu, kurse trupi i hidhet në lumë.

Gjatë rrëfimit shkrimtari e fut lexuesin në ambiente e rrethana të ndryshme, të meseve zvicerane të emigracionit të grumbulluar nga ish-Jugopsllavia. Historia e rrëfyer është trajtuar e hulumtuar me kujdes nga ana e shkrimtarit duke e mbajtur lexuesin në tensionin e ngjarjeve, por edhe të përjetimeve. Ai u jep përgjigje me sukses çështjeve të ndërlikuara të të huajve e të qytetarëve zviceranë; i gjen edhe shkak-pasojat e luftës në Bosnje, e cila merr përmasat e një rrëfimi kriminalistik të romanit. Në roman parakalojnë edhe personazhe shqiptarë: është Adnai, i cili e ndihmon në përkthim dhe kërkim të të vërtetës: “Adnanin e njihja qysh nga koha kur unë merresha me sport. Kishim luajtur bashkë në FC von Moos. Adnani ishte qendërsulmues yni, unë luaja në mbrojtje. Pas trajningut, i gjithë grupi ynë shpesh shkonim në restorantin „Adler“. Unë dhe Adnani i takonim bërthamës së fortë. Adnani ishte njeri me sharm. Për këtë gjë unë shpesh ia kisha lakmi. Mirëpo, ai nuk ishte një i cili aty për aty sillej ndryshe me femra atraktive. Nëse e shihte se kishte të bënte me mua, ai rrinte i tërhequr. Në të vërtetë, ky veprim i tij nuk më sillte dobi, në fund të fundit vajzat interesoheshin vetëm për atë. Ai, me atë pamje të bukur, biond, me sy të kaltër, me atë buzëqeshje përfituese, me humorin e dhe me sjelljen spontane, edhe mua më bënte për vete.” Është edhe Faruku që e pëson nga rrjeti i tillë kriminal, dhe ku zakonisht vrasjet iu dedikohen të ashtuquajturës mafi kosovare, kurse shkrimtari me urti e me skalpelin shkrimor në dorë, ua heq maskat këtyre veprimeve shpifëse, qoftë nga ana e ndonjë polici zviceran, qoftë nga radikalizmi politik apo qoftë edhe nga qarqet shpifëse serbe. Është Mehmet Taliqi me familjen e tij të ndershme, që ka një agjenci udhëtimesh, por që jeton sipas normave strikte tradicionale shqiptare e fetare. Parakalojnë personazhe femrash nga orienti, Ukraina, nga vendet latino-amerikane e nga Azia. Një bashkësi shumëgjuhëshe, karakteresh e vesesh.

Duke rrëfyer për këtë emigracion e për shkak-pasojat, guximi shkrimtarit shkon më tutje në sfidimin e kësaj lufte e të shpartallimit të ish-Jugosllavisë; ndërkohë që humanizmit dhe idealizmi narrativ për liritë e të drejtat njerëzore, përbëjnë një shtresë më vete të romanit. Autori sfidon guximshëm ato defekte të shoqërisë zvicerane: që lejojnë dhunues, vrasës e kriminelë serbë të strehohen e të dalin të larë; trafikantë që shesin vajza nga orienti, nga Ukraina a nga vendet latino-amerikane;. Kështu, vetë i vrari që në fillim të romanit, Zoran Sllavkoviq, (nga bosnja), ka marrë pjesë në veprimet gjenocidale serbe e aty jeton me dokumente të falsifikuara. Për vrasje akuzohet një shqiptar i ri nga Kosova, i cili ishte i burgosur në kohën e vrasjes (për dërgim armësh UÇK-së në Kosovë). Shkrimtari-narrator detektiv, e çmaskon këtë akuzë kundër të riut shqiptar me fakte. Parakalojnë personazhe, si ajo e e vallëzueses së një klubi të natës, Rosalia (Anita, gazetare), personazhe që merret si shkas edhe i përshkrimit të skenave erotike. Autori me guxim zbulon rrjetin kriminal vendas në rrejtin e kriminalitetit të spastrimit të parave, si botuesi i tij, prokurori, përfaqësues firmash fiktive, agjentë të drogës, - që të gjithë burgosen, apës nj botimit të një reportazhi të guximshëm të Anitës në media. Faruku kthehet në koslkvë për ta ndihmuar luftën e UÇK-së, Silvani, mik i shkrimtarit-narrator vdes nga droga, të tjerët i kthehen jetës... përshkrimi i vjeshtës në fund të romanit, përbën një përqasje të bukur estetike me përjetimin intim të revoltës së brendshme të autorit kundër ët keqes së shtrirë në poret e shoqërisë. Lexuesi e përjeton katarsisin e plotë: Zoranin e kishte vrarë e shoqja e tij serbe, gjoja në shenjë të hakmarrjes ndaj veprimeve të Zoranit për shkatërrimin e ex-Jugosllavisë me anë të luftërave! Autori-narrator gjurmon e kërkon shumë për Bosnjën si vend i urrejtjes, si paralajmërohet në fillim. Romani në fund jep edhe përshkrime të luftës në Bosnje, për pushkatimet e dhunimet, nëpërmes monologut tronditëstë mësueses boshnjake Azra Spahiq. Të duket sikur romani nuk ka përfunduar vetëm me zbulimin e vrasjes tinëzare që intrigon tërë strukturën e veprës, mu për faktin që autori ndërfut përshkrime të trishta psikologjike të luftës në Bosnje. Pa marrë parasysh përkatësinë etnike, rajonale apo fetare, autori-narrator lëshon thirrmën e tij për dinjitetin e njeriut...

Prend BUZHALA- (Beat Portmann: “Etje”, roman, botoi XENIA Luzern- Klinë, 2011, përkth. nga gjermanishtja Bardhec Berisha) 402589_150343485084410_100003262780299_186766_696321265_nBEAT PORTMANN

Prend BUZHALA- (Beat Portmann: “Etje”, roman, botoi XENIA Luzern- Klinë, 2011, përkth. nga gjermanishtja Bardhec Berisha) 409488_150346748417417_100003262780299_186776_953820309_n
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi