Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Qerim Vrioni: Ipolit Bajar - një nga shpikësit e fotografisë

Shko poshtë

Qerim Vrioni: Ipolit Bajar - një nga shpikësit e fotografisë Empty Qerim Vrioni: Ipolit Bajar - një nga shpikësit e fotografisë

Mesazh nga Agim Gashi Tue Apr 14, 2009 9:46 pm

Qerim Vrioni: Ipolit Bajar - një nga shpikësit e fotografisë U1_QerimVrioniIPOLIT BAJAR - NJE NGA SHPIKESIT E FOTOGRAFISE
Nga Qerim Vrioni


Në historinë e Artit dhe Kulturës botërore, emrat e Nisëfor Nipsë (1765-1833), Zhan Lui Mande Dager(1787-1851), Ipolit Bajar (1801-1887) dhe Uiliam Foks-Talbot (1800-1877), tre të parët francezë, ndërsa i katërti anglez, kanë hyrë si Katër Shpikësit e fotografisë. Puna tyre kërkimore përfshin harkun kohor 1820-1860, i cili përbën periudhën më interesante dhe më pjellore në lindjen e fotografisë. Për të arritur tek FOTOGRAFIA, që ishte një ëndër e hershme dhe e lakmushme e njerëzimit, në dhjetvjeçarët e parë të shekullit XIX, punonin shumë kimistë, piktorë, shpikësa, grafistë, nëpunës etj. Përveç Europës, kjo aventurë kishte mbritur edhe në SHBA, Argjentinë e Brazil. Më të suksesshëm në sendërtimin e saj dolën katër shpikësit e cituar më lartë, të cilët punonin të pavarur nga njeri-tjetri (pak përjashtim Nipsë me Dager). Secili ka pjesën e vet të tortës në këtë shpikje të rëndësishme të njerëzimit, por çdonjeri me vlerat dhe veçantitë e tij.
Në mes tyre, figurë me përmasa dhe tipare të veçanta është ajo e francezit Ipolit Bajar (Hyppolite Bayard). Njeri me interesa të gjera shkencore dhe kulturore, Bajar, tërhiqet shumë nga publikimi i shpikjes së fotografisë (1839) dhe i kushtohet menjëherë e tërësisht asaj. Ai ishte një punonjës i thjeshtë i Minstrisë së Financave, punë me të cilën do kalonte pjesën më të madhe të jetës. Shpejt (1839), fillon eksperimente për të përngrirë pamje në sipërfaqe plane, pra të realizojë fotografi. Në saje të mprehtësisë, fantazisë dhe këmbënguljes, ai arrin të shtrijë imazhe jo në pllakë bakri, si kolegu i tij, Dager, por në letër (karton) e, kjo s’ishte gjë e vogël. Ishte hera e parë në histori që pamjet përngrieshin drejtpërdrejt në letër e jo më në pllaka metalike. Kështu, ai realizon me printim të drejtëpërdrejtë në pozitiv, një autoportret të tij, që mbahet si i pari në histori të fotografisë. Shpikja e tij pothuajse ishte e barabartë me atë të Dager, por këtij kish kohë që i punonte emri, ndërsa Bajar, në një farë mënyre, luante në fushë të huaj. Ai ishte vetëm një i panjohur për rrethet shkencore, por ndjekës i rregullt i veprimtarive artistike të kryeqytetit francez. Bajar-it nuk iu kushtua vëmendja që meritonte, ndërkohë që Dager, përveç publicitetit, përfitoi nga Akademia Franceze edhe financime të konsiderushme. Një arsye për këtë dallim ndërmjet dy shpikësve ishte dhe miqësia e kryetarit të Akademisë, Fransua Arago me Dager. Gjithsesi, pa mohuar vlerat dhe punën e Dager, duhet thënë se nga Bajar, kanë mbetur fotografi që janë të parat në llojin e tyre në histori të fotografisë.
Qerim Vrioni: Ipolit Bajar - një nga shpikësit e fotografisë U1_Bajar
I. Bajar me aparat
Duke qënë njeri me amour prope, autodidakt, pasionant dhe i thjeshtë, Bajar, me pezm, por edhe me fantazi e shpresë, realizon ndaj këtij qëndrimi shpërfillës në vitin 1840, autoportretin e famshëm “I mbyturi”. Ai e mendonte këtë si mjet për të tërhequr vëmendjen e institucioneve shkencore për shpikjen e tij. Kjo fotografi, përbën një mënyrë tepër origjinale e civile, të këtij mediumi të ri, të protestës ndaj një padrejtësie shoqërore. Ajo konsiderohet si shembulli i parë fiction, pra është kompozimi më i hershëm në historinë e fotografisë botërore, kështu që kërkon edhe interpretim. Ky fillon me atë çka ka shkrojtur ai vet pas fotos, ku përmbledhtas lexohet ;”…kufoma që shihni është e Z.Bajar, shpikësit të talentuar të cilin qeveria nuk e vlerësoi dhe financoi, kështu që ai i dha fund jetës duke u mbytur”. Më pas, shikuesi e lidh leximin me pamjen e fotos duke arritur në përthithjen e plotë të kumtit të kompozimit. Ka të ngjarë që Bajar t’a ketë menduar disa herë vetvrasjen, por ndoshta ka qënë FOTOGRAFIA ajo që e ka ndaluar atë për hapin fatal. Natyrisht, fotoja nuk kishte pastërti të pëlqyshme teknike, megjithatë ajo botohet vazhdimisht në librat e historisë së fotografisë në sajë të subjektit unik. Më ndryshe, mund t’a quajmë si pararendëse të fotopllakateve politike të mëvonëshme që stigmatizonin luftën, diktaturat, varfërinë, korupsionin e, sidomos padrejtësitë shoqërore. Mospërfillja dhe shurdhëria institucionale për punën e Bajar në fushë të fotografisë vazhdoi gjatë. Ndoshta, faktor shtesë përbënte dhe gjendja e tij shoqërore, ai ishte një nëpunës i ulët shtetëror. Gjithsesi, ai vazhdoi të fotografoj, edhe pse disi zemërthyr, deri sa mbylli sytë.

Qerim Vrioni: Ipolit Bajar - një nga shpikësit e fotografisë U1_2
Bajar, dy statuja, 1839
Bajar-in, natyra e kish pajisur me imagjinatë dhe intuitë artisti, gjera që kolegëve të tij nuk u kishin rënë për pjesë. Kështu, ai edhe për fotografi eksperimentale, shfrytëzonte me frymëzim tema dhe subjekte të pakapura nga bashkëkohësit e tij, kërkues dhe ata po në lëm të fotografisë. Qysh në vitin 1839, ai kishte fotografuar, gjithmonë drejtpërdrejt në pozitiv, “Dy statuja në një mjedis pa çati”, të mbajtur në sepje. Fotoja tregon kujdesin e artistit për vendosjen e dy skulpturave klasike në lidhje me njera-tjetrën dhe sfondet përkatës, duke ruajtur dhe raportet tonale të figurave. Edhe kjo foto nuk ka pastërti të madhe, por përveç vlerave historike, shënohet edhe si shembull se fotografi ynë ishte më parë artist i lindur e, më pas njohu dhe mësoi përdorimin e aparatit fotografik Mjafton të krahasohen fotot eksperimentale të katër shpikësve e, do dallohet niveli dhe origjinaliteti atyre të Bajar.
Rreth vitit 1842, ai fillon të fotografojë me sukses me procesin “kalotipi”(negativ-pozitiv), të shpikur nga Foks-Talbot. Gama e temave të trajtuara nga Bajar, edhe si frut i fantazisë së tij, zgjerohet mjaft. Ai fotografon natyra të qeta të kompozuara bukur, peizazhe, portrete, arkitekturë, madje dhe pamje të barrikadave të Revolucionit të vitit 1848. Ndërkohë, atë e aktivizojnë në disa veprimtari fotografimi nëpër Francë, të financuara nga institucione të ndryshme. Në shumicën e tyre ndjehet syri dhe mendja e artistit, por edhe pasioni i shkencëtarit.
Bajar-i, i vetdijshëm për nivelin e punimeve të shumta dhe cilësore në lëm të fotografisë, priste më tepër vëmendje dhe vlerësim moral dhe financiar nga qarqet akademiko-shkencore. Shpërfilljen e Akademisë së Shkencave e zbuti disi qëndrimi i Akademisë së Arteve të Bukura të Parisit, e cila çmoi më shumë fotot e tij nga ato të Dager. Kjo nuk ishte e paktë, por ishte e pamjaftushme për të qetësuar sedrën e tij të prekur. Eklipsimi i padrejtë i shpikjes së Bajar përkundrejt vlerësimit të tepruar të
Qerim Vrioni: Ipolit Bajar - një nga shpikësit e fotografisë U1_3
Bajar, doreze dantelle, 1840
Dager, e shoqëroi atë për gjithë jetën, çka la vragë në gjendjen e tij shpirtërore dhe ekonomike. Kështu, ai ndahet nga kjo botë, i varfër dhe i harruar më 1887. Si për ironi, sot librat e historisë së fotografisë po e çmojnë për herë më shumë e më mirë shpikjen e tij. Bajar, përbën një rast jo shumë të rrallë, kur vlerat e krijuesve nuk çmohen dhe vlerësohen me gjallje, por pritet ikja e tyre e përherëshme për t’u dhënë dafinat e merituara prej kohësh, ato dafina të cilat në një farë mënyre i kishin mbjell vet me punën e tyre të përkushtuar. Dorëzimi me testament i gjithë krijimtarisë së tij, Shoqërisë Franceze të Fotografisë, tregon edhe për fisnikërinë e tij të veçantë.
Emri i Ipolit Bajar, është një pjesë sa organike, po aq edhe origjinale e atyre që shpikën fotografinë dhe, nuk mund të flitet për lindjen e saj, pa përmendur emrin e tij. Mjaft e goditur tingëllon thënia e studiuesit Wolfgang Kemp për të: “Fotografia është një fëmijë me disa etër, dhe Ipolit Bajar, është njeri nga ata”.



Qerim Vrioni: Ipolit Bajar - një nga shpikësit e fotografisë U1_4
Bajar, I mbyturi, 1840
Burime:


1. Il Mondo della Foto—Phaidon, 2002
2. Encyclopedia of Photography—New York, 1984
3. Newhall Beamont—The history of Photography—MoMA, New York, 2006
4. The Oxford Companion to the photograph—by Oxford University Press, 2005
5. Gensheim Helmuth—Le origini della fotografia—Milano, 1981
6. Frizot Michel—The new history of photography—Këln, 1998
7. Koetzle Hans-Michael—Photo Icons-The story behind the pictures-Taschen, Këln, 2008
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi