Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Idriz Zeqiraj:“Vendlindja thërret" fond i paligjshëm dhe përçarës

Shko poshtë

Idriz Zeqiraj:“Vendlindja thërret" fond i paligjshëm dhe përçarës Empty Idriz Zeqiraj:“Vendlindja thërret" fond i paligjshëm dhe përçarës

Mesazh nga Agim Gashi Mon Apr 02, 2012 8:38 pm

“Vendlindja thërret" fond i paligjshëm dhe përçarës


Idriz Zeqiraj:“Vendlindja thërret" fond i paligjshëm dhe përçarës Idriz-zeqiraj-02feb
Idriz Zeqiraj

Në kuadrin e debateve për fondet


Me kohë është parë se ky fond, me emërtesë emocionale, nuk është për marshallah! Por, kemi heshtur, sepse kundërshtia e parë të jepte ndajshtimin e tmerrshëm "tradhtar", sabotues të luftës, rrjedhimisht, të lirisë dhe të pavarësisë të Kosovës! Tani që është mbyllur lë ta bëjmë bilancin jo matematik, sepse ky ishte fond xhepash dhe do të ishte e pamundur, por moral e politik të tij.

Fondi "Vendlindja thërret" u lind në ilegalitet, thonë në vitin 1993. Ndoshta themelimi ka qenë fisnik. Botimi i një gazete në Perëndim, siç ishte "Zëri i Kosovës", me një tirazh të kufizuar, është tejet i kushtueshëm, madje i papërballueshëm, për kaçikun e një grupi të vogël njerëzish. Shembull: LDK-ja, me një anëtarësi masive, dy herë ka provuar botimin e revistës "ORA" dhe mungesa financiare e ka shuar për herë të dytë. Në pranverën e vjetme, kur fillimisht Drenica e, më vonë, e tërë Kosova u provokua nga forcat ushtarake e paramilitare serbe, grupi partiak i LPK-së aktivizoi shumë njerëz, madje edhe jashtë radhëve të saj, për ta nxjerrë nga ilegaliteti fondin "Vendlindja thërret". Megjithatë, administratorët e shumëçka tjetër rreth fondit vazhdonte të mbetej enigmë dhe pa fije transparence.

"Vendlindja thërret", kundërvënie Fondit shtetëror

Agjitatorë profesionistë e amatorë, në ato qindra mbledhje të kushtueshme, të organizuara në Mërgatë, ngulmonin se "i vetmi fond që ndihmon luftën në Kosovë është fondi "Vendlindja thërret"!?? Ndërsa, sipas tyre, "Fondi i Republikës të Kosovës", është thjesht humanitar dhe personal i Bukoshit me shokë"!?? Agjitatorët, në stilin e tiradave lindore, komuniste, nuk jepnin asnjë fakt konkret as për fondin e tyre, por as edhe për "shpërdorimet" e fondit tjetër të anatemuar nga ata. Për rrjedhojë, përçarja ndërshqiptare në Mërgatë po ripërtërihej, pas përçarjes të parë në vitet `80-a, ndërmjet LPK-së të sotme dhe atdhetarit, Hero i Kosovës - Jusuf Gërvalla, kur Partia e Punës të Shqipërisë, me sigurimin famëkeq, intrigonte brenda vetë Lëvizjes, të disa grupeve

djathtiste e majtiste, epokë kjo e denoncuar dhe e publikuar besnikërisht nga miku im Sabri Novosella, pjesëmarrës direkt dhe përgjues i vëmendshëm i poshtërsive shtetërore të kohës hoxhiste.

"Vendlindja thërret" - fond tërësisht i dështuar

Ky fond, duke iu kundërvënë, me metoda perfide, Fondit legal shtetëror, i shprehur në 3 % (përqindshin) obligativ, ndonëse nuk arriti, më saktë, nuk deshti ta financojë luftën, ai e sabotoi dukshëm atë. Dhe, ky sabotim, sidomos në kohë lufte, përbën një krim të rëndë, që nuk mund të kalojë pa analizë e gjykim.

E para, ka pasur raste që janë gjetur burime të levërdishme për armatosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Autori i këtij shkrimi ka vënë në dijeni, paralelisht, drejtuesit e dy fondeve qendrore, përkatësisht të - Qeverisë të Kosovës dhe të "Vendlindjes thërret", madje në Prishtinë dhe Mërgatë. Përgjigja ka qenë: "Fondi "Vendlindja thërret" nuk ka para për armë!! Drejtohuni Fondit të Qeverisë!" Pra, ky fond nuk arriti të armatosë UÇK-në, përveç ca kallashëve difektozë, edhepse thirrej në emër të armatimit!?

E dyta, fondi "Vendlindja thërret" nuk arriti të paguajë as rrogat për komandantët e UÇK-së, gjegjësisht, të sigurojë ekzistencën materiale të familjeve të tyre. Kujtoni publikimet e miliona markave që u kishte dhënë krerëve politikë të UÇK-së kolonel Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes, i vrarë pabesisht në zemër të Tiranës.

E treta, fondi "Vendlindja thërret" nuk arriti as t`i ushqejë ushtarët e UÇK-së. Për këtë jemi dëshmitarë okularë, si pjesë e Emergjencës të luftës, se Qeveria e Kosovës, Shoqata "Ulpiana" dhe ndihmat e pakursyera të mërgimtarëve tanë, pavarësisht nga përkatësia partiake, përjashto kontigjentin minor të LPK-së, i kanë dhuruar ushtrisë tonë.

Të konsiderueshme kanë qenë edhe ndihmat e Mërgatës shqiptare, jashtë procedurave të fondeve, pra, dhënë dorazi, për armatim në shkallë fshati, lokaliteti e komune. Pastaj ndihmat dhënë reparteve stërvitore, që, herë-herë, kanë qenë shuma enorme, p.sh. 10 (dhjetë) milionë dollarë amerikan për repartin ushtrimor në Fullqet të Burrelit e tjerë.

Pse dështoi fondi "Vendlindja thërret"?

Arsyeja kryesore e dështimit ishte se ky qe një fond ilegal, privat, i hapur nga një grup njerëzish, që dihej se çfarë përfaqësonin, por jo edhe cilët ishin nominalisht. Ky grup njerëzish, natyrisht, pa ndonjë peshë reale asaj kohe, nëpërmjet një gazete me shkrime pa autorësi, kontestonin të gjitha institucionet paralele shqiptare të Kosovës, të krijuara pas viteve `90-a. Pra, njësoj si Serbia! Ata nuk u kyçën në asnjë nga aksionet e shumta financiare legale, madje as në Fondin shtetëror të Kosovës. Angazhimi i një morie njerëzish, pa asnjë kriter, në agjitim të fondit "Vendlindja thërret", është arsye tjetër e vetëdështimit të tij. Në radhët e djemve të mirë dhe qëllimmirë, u infiltruan edhe shumë halabakë, gjithherë dorështrënguar e shmangies për aksionet e Kosovës. Pjesa dërrmuese e tyre, jo vetëm që nuk kishte paguar 3 %-in obligativ shtetëror, por edhe kishin agjituar tek të tjerët për mosdhënie! Madje, disa syrësh, me veprime përçarëse në Mërgatë dhe sjellje të tjera të dyshimta, kishin zgjuar kureshtjen dhe nevojën e përgjimit të tyre, gjë që ka rezultuar se ishin në shërbim të pushtuesit në Kosovë. Për rrjedhojë, masa e mërgimtarëve kërkesat e tyre i konsideronin provokative dhe nuk i pranonin as për të biseduar e lëre më për të dhënë para. Arsyeja në vazhdim e dështimit të fondit është edhe prepotenca e manifestuar në tubimet agjitative për fondin "Vendlindja thërret", që është unikale në llojin e vet. Telefonimet anonime, madje, në orët e vona të natës, shantazhimet dhe kërcënimet ndaj veprimtarëve të LDK-së në Mërgatë, janë parathënia e terrorit e këtij fillim-sundimi, të pas luftës, të Qeverisë të Përkohshme, sa të paligjshme, aq edhe arrogante.

Këtë e ilustrojmë me rastin e Kaiserslauternit - Gjermani. Në kërkesën për të marrë fjalën, një përfaqësim veprimtarësh të suksesshëm, jo vetëm në këtë qytet, por edhe në tërë Republikën e Rheinland Pfalz-it, refuzimi, nga agjentët e fondit "Vendlindja thërret", të cilët identifikoheshin me UÇK-në, bëhet i prerë dhe shoqërohet me kërcënim në sallë: "UÇK-në askush nuk mund ta kundërshtojë dy herë"! Shtrohet pyetja: Ku e dinte dr. Mujë Rugova, që kryesonte tubimin dhe fliste në emër të UÇK-së(!!), se çfarë do të thoshin veprimtarët në fjalë, ndërkohë që ata kishin ndërmarrë nisma që pikërisht ndihmonin UÇK-në?! Paragjykimet e tilla nga "ushtarët" e UÇK-së, të cilët "luftonin" në sallat luksoze të Perëndimit, manipulonin me heroizmin dhe gjakun e ushtarëve faktikë në frontin e luftës në Kosovë, ishin kobzeza për popullin e Kosovës.

Një aleat shumë i keq i fondit "Vendlindja thërret" ka qenë edhe Televizioni Shqiptar (TVSH). Në intervistat e disa komandantëve dhe përfaqësuesve politikë fiktivë të një segmenti majtist të UÇK-së e deri të ndoca të vetëshpallur krerë të Unionit të Pavarur Studentor, (të cilët ose kanë mbaruar vite më parë, ose janë studentë të përjetshëm, që nuk përfaqësojnë askënd), në mbyllje të

intervistimit, pa asnjë lidhje konteksti, shqiptonin klishenë e porositur, bajate e false: "I vetmi fond që ndihmon luftën është fondi "Vendlindja thërret"!!! Shkrimtari realist, Maksim Gorki, thotë: "Mos u mundo të mohosh tek tjetri çdo gjë, sepse rrezikon të mos të të besojë askush për asgjë". Diç e tillë u ndodhi edhe këtyre intervistaxhinjve të kudondodhur.[/b]

Përkundrazi, ky fond fantazmë u shpërdorua egërsisht, marrëzisht dhe kriminalisht nga lëpëkeistët stalinistë-enveristë.

Dëgjimin e lajmeve të mbrëmjes, për gjatë kohë, shqiptarët e Kosovës e kanë pritur me një ndjenjë ankthi për ndonjë atentat të mundshëm ndaj kryeministrit të tyre në ekzil. Kërkesat ultimative, madje në emër të SHP të UÇK-së, për dorëzimin e parave të fondit shtetëror, ngjasonin, si dy pika uji, me ultimatumet numerike të Kinës drejtuar Bashkimit Sovjetik, në vitet `70-a, për provokimet kufitare. Kërkesa për të bërë transferin e parave nga një fond i ligjshëm si Fondi i 3 %-i i Republikës të Kosovës, në një fond ilegal dhe të paligjshëm, siç ishte fondi "Vendlindja thërret", përbën një precedent që do të mbahet mend për të keq.


Ndërkohë, mbyllja e tanishme e fondit "Vendlindja thërret", edhepse shumë e vonuar, është tepër e qëlluar, sepse ata që hyjnë në politikë me emërtime "të përkohshëm", duhet t`u ikin paligjësive, për t`i krijuar hapësirë vetes dhe për të qenë afatgjatë në jetën politike, pra, për të bërë emër në politikë. Dhe, e përsërisim, fondi "Vendlindja thërret" ishte tërësisht i paligjshëm. Si i tillë, përçau tej mase shqiptarët e Mërgatës e më gjerë dhe dështimi ishte i pritur, madje i pashmangshëm, sepse nuk lëndëzoi, as për së afërmi, qëllimin për të cilin thirrej, pra, dështoi plotësisht në financimin e luftës, të UÇK-së. Përkundrazi, ky fond fantazmë u shpërdorua egërsisht, marrëzisht dhe kriminalisht nga lëpëkeistët stalinistë-enveristë.

Rihapja e fondeve paralele - punë jo serioze

Djemtë e "Qeverisë të Përkohshme" nxituan duke hapur një fond të ri, me emërtesën gjysmake - Fondi i Kosovës, duke iu shmangur fjalës Republikë! Ndoshta kjo është bërë për t`u dalluar nga Fondi i Republikës të Kosovës, paksa i lodhur nga sulmet hiç parimore, shtatë vite më parë dhe shtatë vite radhazi. Gjithsesi kjo nismë, ashtu siç pritej, nuk pati jehonë, madje u vlerësua si jo serioze.

Autorët e fondit më të ri, Fondi i Kosovës, mbyllën një fond të paligjshëm dhe hapën një tjetër po aq të paligjshëm, duke këmbëngulur në paralelizmin e fondeve.

Përpjekja për të mohuar kontributin e Fondit të Republikës të Kosovës, tanimë, ka dështuar para fakteve të publikuara dhe që nuk mori guximin t`i demantojë askush. Autori i këtij shkrimi nuk rrekët të flasë për administrimin korrekt apo jo të këtij fondi. Por, duke qenë në shërbim të Emergjencës të luftës, është në rrjedhë të livrimit të parave për luftën, destinacionin e tyre. Armatimi dhe e gjithë infrastruktura për luftën, kanë qenë kontribut, kryesisht, i fondit legal shtetëror. Bilëz, në raport me numrin faktik të luftëtarëve në luftën e Kosovës, shuma e parave ka qenë enorme, e tejkaluar. Pikërisht këtu nis shpërdorimi i këtij fondi, sepse "komandantët" e lëpëkeistë-komunistë ishin të pakontrollueshëm nga donatori!

Duhet dhënë fund praktikave të hapjes të fondeve partiake, duke u vënë emërtime përgjithësuese. Hapja e një fondi për akumulim të buxhetit shtetëror si dhe përcaktimi i kuotës tatimore për shtetasit, nuk është kompetencë e një grupi njerëzish, i një partie, apo edhe e një qeverie, qoftë ajo edhe legale. Çështja e buxhetit shtetëror është kompetencë ekskluzive e Parlamentit. Në mungesë, në kohë lufte, mund të këtë konsensus të subjekteve politike si dhe komision kontrolli e transparence. Qeverisë do t`i mbetej vetëm ana teknike e realizimit. Mjerisht, edhe kjo e fundit dukshëm çalon. Pavarësisht nga simpatitë apo antipatitë, kur është fjala për çështje kaq kardinale, jetike për interesat kombëtare, në Mërgatën e sotme shqiptare nuk mund të anashkalohen veprimtarët e sprovuar.

Meritat dhe kalvari i Fondit të Republikës të Kosovës

Fondi i Republikës të Kosovës, i hapur më 1 maj 1992, më saktë, inkasimi ka filluar një ditë më vonë, meqë 1 maji ishte ditë e diel, shërbeu për mbështetjen e institucioneve paralele në Kosovë. Ky fond financoi arsimin, shëndetësinë, administratën shqiptare si dhe zbuti varfërinë e skamnorëve të Kosovës. Gjithashtu, financoi rezidencën e armatosur, në veçanti, në dy vitet e fundit si dhe përballoi fluksin e ikanakëve nga Kosova në Shqipëri, pranverë 1998 - vjeshtë 1999, të cilët Qeveria social-komuniste Shqiptare i la në mëshirën e fatit. Kontributi i këtij fondi ka qenë aktiv edhe pas këtij datimi, madje vazhdon edhe sot, për t`iu lehtësuar vuajtjet shtetasve tanë në Shqipëri dhe Kosovë.


Rruga që përshkoi ky fond për t`u begatuar qe një kalvar i vërtetë. Qeveria, e cila e administroi këtë fond, kishte pushtetin moral, por jo edhe atë ekzekutiv, obligues, ndëshkues. Një rol negativ, madje edhe kundrakombëtar lozën individët e paguar nga Serbia, për ta sabotuar financimin e Kosovës, sepse Serbia synonte që nëpërmjet nënshtrimit ekonomik, ta realizonte nënshtrimin politik, grupe e parti politike anarkiste, që nuk njihnin institucionet legale shqiptare të Kosovës pas viteve `90-a! Rrjedhimisht, ishin në një linjë me pushtetin okupues serbo-sllav. Por, populli mbeti gjithherë gjykatësi më i mirë. Pikërisht, nga përkrahja apo sabotimi i këtij fondi u përcaktua edhe fati i disa partive në Mërgatë. P.sh. kryesitë e dy partive të Kosovës - të asaj Demokristiane dhe të Unikombit - janë shkarkuar nga mospagesa e 3 %-it dhe anarkia ndaj institucioneve paralele të Kosovës. Fondi ka qenë barometër edhe për mini-partitë. Mospagesa e 3 %-it dhe mosnjohja e institucioneve u kushtoi mjaft atyre, duke reduktuar anëtarësinë, edhe ashtu simbolike, sa t´i zinte një mikrobus, pra, kryesinë e tyre fiktive. Dobësimi i partive, që u pëlqente ta quanin veten opozitë, dëmtoi tej mase LDK-në, e cila, në mungesë të rivalitetit, konkurrencës, u pasivizua skajshëm, ngeli në monolog dhe filloi të merrej me vetveten.

Të punojmë për një fond solid

E kuptojmë, djemtë e Qeverisë të Përkohshme, "qeveri" kjo krejt e paligjshme, sepse nuk kanë hyrë fare në procesin zgjedhor, kanë nevojë për para. Andaj edhe nxitohen të krijojnë një bazë financiare për vete. Por, metodat që kanë zgjedhur nuk janë adekuate. Do të ishte më mirë që aktualisht të shërbeheshin nga burime rrethanore, duke pritur kohën e duhur për ta gëzuar një fond solid. Ripohimi i xhirollogarive të Fondit aktual të Republikës të Kosovës, do të ishte zgjidhja më e lehtë, më pak e kushtueshme dhe më e qëllueshme.

Natyrisht, depozitimi i autorësisë do të bëhej mbi bazën e përgjegjësive të përcaktuara nga konsensusi i tanishëm dhe, më vonë, nga vota e dalë nga zgjedhjet e lira e demokratike. Ligjshmëria, serioziteti dhe arsyeshmëria në përkufizimin e tatimeve, mbi bazën e të hyrave (të ardhurave) mujore individuale e familjare, do të ishte premisë e shëndoshë për bërjen e një fondi solid. Veprimtarët shqiptarë në Kosovë dhe Mërgatë, për afro një dekadë, janë thirrur në ligje, duke paralajmëruar hileqarët e dyshimtë, mospagues të fondeve dhe të aksioneve legale, se një ditë duhet të shpjegohen përse sabotuan financimin e Kosovës dhe të luftës të saj?! Është logjike se duhet filluar kontrolli kompjuterik për shumën e paguar dhe borxhin e mbetur ngas gjithsecili. Ky do të ishte hapi i parë serioz për ngulitjen e mendimit tek shtetasit se ligji duhet respektuar, nëse duam të kemi shtet.

Dhe, pikërisht për këtë vijimësia e kryerjes të obligimeve financiare në xhirollogaritë e Fondit të Republikës të Kosovës, i hapur në maj të vitit 1992, është sa simbolike, aq edhe jetike për mbarëvajtjen e financës shtetërore. Duhet ta konsiderojmë të perënduar atë kohë, kur ne, veprimtarët e fondeve në Mërgatë, përloteshim deri në vajë, duke folur për Kosovën hallemadhe, për të prekur ndjenjat dhe ndërgjegjen e bashkëvendorëve tanë, që të kryejnë obligimet financiare ndaj Atdheut. Nëse duam të kemi, vërtet, shtet ligjor, kush heziton të kryejë obligimet financiare për Kosovën, duhet të përballet me ligjin, ashpërsinë e tij pa asnjë kompromis, madje deri në mohimin e shtetësisë të Kosovës, ndalim-hyrjen në Kosovë, ashtu siç veproi edhe shteti kroat, vite më parë, me qytetarët e vetë.

Sot Kosova ka një liri relative, edhe atë të servirur nga NATO-ja. Ka një çlirim faktik në kufijtë e saj të ngushtë, përjashto pjesën tej lumit Ibër. Por, mungon çlirimi de jure. Mjerisht, vazhdon robëria në Kosovën Lindore, në trevat e Preshevës, Bujanovcit, Medvegjës si dhe në trevat tjera etnike në veri-lindje, Sanxhaku shqiptar, emrat e të cilave po harrohen gjithnjë e më shumë, meqë përgjatë këtij shekulli u bë shpopullimi i dhunshëm i racës tonë. Gjithashtu, Shqipëria Etnike do të jetë vetëm emërtesë e palëndëzuar, për sa kohë që treva të tëra shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi, e shenjta Çamëri, vazhdojnë të jenë jashtë trojeve shqiptare. Andaj, edhe gëzimi i Shqiptarëve, madje të kudondodhur në botë, është relativ e gjysmak.

Të vetëdijshëm për pozicionin tonë si komb, është prioritar begatimi i financës shtetërore, ngritja e ekonomisë të rrënuar të Kosovës, duke djegur etapat, për të përfituar kohën e humbur dhe për t`u aftësuar për përballjen e sfidave të pritshme kombëtare. Impenjimi maksimal në rindërtimin e vendit, gjithsesi do të zvetënonte joshjen e skajshme për poste e ofiqe zyrtare. Puna dhe lufta për prosperimin e Kosovës, do t`u ofronte vetvetiu vendet meritore bijave dhe

bijve më të devotshëmve të saj. Le të shpresojmë se maturia dhe mençuria do të fitojnë mbi lakminë dhe anarkinë. Gjithashtu, urojmë për mirëkuptim të palëve në garë për para dhe pushtet!!! / Fund

P.S. Autori është veprimtar i të gjitha fondeve dhe të aksioneve legale në Mërgatë, për në Shqipëri dhe Kosovë, përgjatë viteve 1990-1999.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi